Unioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës, rrjeti më i madh mjedisor në botë, i jep mirëseardhjen Shqipërisë si vendi i 87-të i tij, pas miratimit zyrtar të statuteve të kësaj organizate.
Ky hap tregon përkushtimin e Shqipërisë ndaj përpjekjeve globale të konservimit.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është caktuar nga shteti si ndërlidhëse zyrtare me Sekretariatin e IUCN.
“Teksa Shqipëria i bashkohet IUCN-së, së bashku me biodiversitetin e pasur ne sjellim edhe një angazhim të vendosur për mbrojtjen e mjedisit dhe ky anëtarësim na ofron një platformë të vlefshme për të bashkëpunuar dhe mësuar nga praktikat më të mira globale, duke fuqizuar përpjekjet dhe politikat tona të ruajtjes”, theksoi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
“Shqipëria ka krijuar një model për zonat e mbrojtura nëpërmjet shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, i cili mbron një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë. Gjithashtu, Shqipëria ka krijuar parqe të reja si “Parku Kombëtar i Alpeve” në veri të vendit. Këto zona të mbrojtura janë asete kyç për ekoturizmin tonë duke mishëruar në mënyrë të përsosur sloganin “Albania All Senses”. Me mbi 21.4% të territorit nën mbrojtje dhe me nisma të tjera, partneriteti ynë me IUCN do të forcojë aftësitë tona, do të bashkojë njohuritë tradicionale me shkencën moderne dhe do të kontribuojë ndjeshëm në objektivat mjedisore lokale dhe globale. Ne jemi optimistë për përfitimet e ndërsjellta që do të nixsë ky bashkëpunim duke fuqizuar praktikat tona të konservimit të biodiversitetit dhe duke avancuar në zhvillimin e qëndrueshëm”, përfundon Kumbaro.
Shqipëria krenohet me një gamë të larmishme mjedisesh natyrore, me maja të thepisura, pyje të harlisur, lumenj të pacenuar dhe peizazhe të pasura bregdetare. Këto ekosisteme të larmishme garantojnë një larmi të florës dhe faunës, duke kontribuar në pasurinë e biodiversitetit të Shqipërisë.
Politika mjedisore e vendit zbatohet nëpërmjet mekanizmave të tillë si Strategjia Kombëtare e Biodiversitetit dhe Plani i Veprimit, si dhe rrjeti në rritje i zonave të mbrojtura. Duke plotësuar këtë qasje gjithëpërfshirëse për ruajtjen e biodiversitetit, Shqipëria është e angazhuar të reduktojë 20.9% të emetimeve të dioksidit të karbonit CO2 deri në vitin 2030. Kjo përfshin, ndër masat e tjera, menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe restaurimin e peizazhit pyjor.
“Jemi të lumtur të festojmë anëtarësimin e Shqipërisë në IUCN. Ne presim të forcojmë bashkëpunimin tonë me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe të ndihmojmë vendin të arrijë objektivat e tij ambicioze kombëtare, duke kontribuar në objektivat globale të konservimit,” tha Oliver Avramoski, drejtor i Zyrës Rajonale të IUCN për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore (ECARO).
“Disa nga fushat tona të shumta të bashkëpunimit përfshijnë zhvillimin e politikave, ndërtimin e kapaciteteve dhe sigurimin e cilësisë së efektivitetit të menaxhimit të Zonave të Mbrojtura dhe të Konservuara, duke përfshirë certifikimin e Listës së Gjelbër të IUCN”.
Gjatë dy dekadave të fundit, IUCN ka punuar ngushtë me qeverinë dhe shoqërinë civile në Shqipëri, duke ndihmuar në forcimin e kuadrit institucional për ruajtjen e natyrës, përmirësimin e sistemit kombëtar të zonave të mbrojtura dhe rritjen e nivelit të angazhimit të komunitetit.
Ndërhyrjet kryesore të bazuara në zonat e mbrojtura përfshijnë mbështetjen për pjesën shqiptare të Liqenit të Ohrit si një vend i Trashëgimisë Botërore, planifikimin e menaxhimit dhe angazhimin e komunitetit në Parkun Kombëtar të Shebenikut dhe përgjatë lumit Buna, si dhe rolin e IUCN në përcaktimin e lumit Vjosa si parku i parë kombëtar i lumit të egër në Evropë.
Për më tepër, nisma të tilla si Iniciativa e Pyjeve Veriore dhe projekti ADAPT demonstrojnë potencialin për bashkëpunim në adresimin e sfidave mjedisore dhe promovimin e zgjidhjeve të bazuara në përputhje me natyrën.
Në nivel rajonal, Shqipëria angazhohet si një anëtare aktive e taskforcës së Biodiversitetit për Ballkanin Perëndimor (BDTF BB). Ky organ rajonal këshillon Grupin Rajonal të Punës për Axhendën e Gjelbër (GAWB) për Ballkanin Perëndimor për zbatimin e Shtyllës së Mbrojtjes së Natyrës dhe Biodiversitetit të Planit të Veprimit GAWB.
Ndërsa Shqipëria i bashkohet IUCN-së si shteti anëtar i saj më i ri, të dyja palët janë të përkushtuara për të çuar më tej përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen e biodiversitetit, restaurimin e ekosistemit, angazhimin e komunitetit, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe qeverisjen mjedisore./atsh/KultPlus.com