Workshop në Universitetin e Arteve mbi format dhe territoret e reja të artit

Studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Artit Skenik organizuan dje në sallën Black Box, workshop-in “Formate të reja – Territore të reja të artit”.

Gjatë aktivitetit u shfaqën performanca koreografike “Perspektivë e trefishtë” dhe dokumentari “Piramida në skenë”. U diskutua gjithashtu mbi artin urban dhe sfidat e regjistrave skenikë.

Në panelin e diskutimit ishin të pranishëm studentë të sapodiplomuar si Renis Hyka dhe balerinët-koreografë Danja Kovaçi, Uesli Alushi dhe Besjana Bytyqi, të cilët ndanë përvojat e tyre artistike dhe sfidat e punësimit.

Ky aktivitet theksoi se Tirana ofron mundësi për artistët e rinj për të eksploruar forma të reja jashtë skenës tradicionale, duke promovuar eksperimentimin në të gjitha disiplinat artistike. Workshop-i ftoi artistët e rinj të angazhohen në projekte që forcojnë marrëdhëniet me qytetin./atsh/KultPlus.com

‘Rebelimi ndaj arkivit, si shuarje e kujtesës kolektive’, në Universitetin e Arteve

Universiteti i Arteve, Fakulteti i Artit Skenik, kthehen edhe një herë në qendër të vëmendjes për sa i përket mendimit kritik dhe studimeve teorike. Sot UART dhe FAS do të kthehen në platformë me Departamentin e Studimit të Artit dhe Qendrën e Dokumentacionit Artistik, pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (Akademia e Studimeve Albanologjike) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme e Arkivave dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës duke organizuar një seri debatesh publike në lidhjet me arkivat teatrore në Shqipëri me temë “Rebelimi ndaj arkivit, si shuarje e kujtesës kolektive”.

Institucioni i parë që hap dyert për këtë bashkëpunim është UART/FAS, Tiranë, i cili fton në sallën Blackbox, për të folur e për të diskutuar se çfarë ndodh me identitetin publik të një artisti kur rreth tij nuk ka asgjë në arkiva. Sa zgjat kujtesa? A është arkivi zgjidhja?

Universiteti i Arteve mirëpret në këtë debat artistë, pedagogë, studentë e familjarë të artistëve, të cilët do të diskutojnë rreth kësaj çështjeje në Blackbox.

“Pianodrom” sjell vepra të kompozitorëve shqiptarë në Universitetin e Arteve

Festivali “Pianodrom” organizoi mbrëmjen e djeshme një koncert me 11 vepra të kompozitorëve shqiptarë, në Universitetin e Arteve të Tiranës.

Drejtuesi i festivalit, kompozitori Aleksandër Peçi, në përfundim të aktivitetit është shprehur me superlativa për studentët që interpretuan e njëkohësisht dhe për profesoret e pianos Merita Rexha Tërshana, Kristina Petrollari e Rudina Ciko, për dashurinë e madhe që kultivojnë tek studentët për gjuhën shqipe në tinguj.

Një vend të konsiderueshëm në përbërjen e programit zunë kompozitorët e traditës, që  hodhën themele të forta në zhvillimin e artit muzikor profesionist shqiptar, bazë në të cilën vijuan, kompozitorët e mëvonshëm. Por krahas tyre edhe veprat e kompozitorëve të rinj, me tendencën e tyre gjithmonë në kërkim për shprehjen e ideve e koncepteve të reja krijuese,  drejt një gjuhe më bashkohore e avangard.

Ishte një koncert me mjaft interes, jo vetëm në aspektin e kuriozitetit njohës, por dhe me interpretimin ekselent të pianistes Kristina Petrollari Laço. Në këtë koncert të “Pianodromit” u intrepretuan vepra premierë për publikun tonë të kompozitorëve K.Aliçkaj, V. Beqiri, L. Jupolli, I. Mehmetaj, B. Shehu, D. Zyberi, E. Bejo, dy vepra Th. Simaku, dy vepra R. Rudi.

Koncerti u  mbyll me dy vepra” Stakato brilante” mbi motivet e filmit “Në shtëpinë tonë” dhe “Valle brilante Çame “ nga kompozitori Aleksandër Peçi.  E para për dy piano luajtur nga duo Zdrava e Gjura dhe e dyta luajtur nga Armando Nunka./ atsh / KultPlus.com

Artistët mirëpresin projektin e ri të kampusit të Universitetit të Arteve

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha sot se artistët mirëpresin projektin e ri të Kampusit të Universitetit të Arteve duke sjellë fjalët e kompozitorit të njohur, Aleksandër Peçi.

“Projekti i kampusit Universiteti i Arteve duket si një ëndërr kaq e bukur, kaq e mrekullueshme, kaq e jashtëzakonshme, saqë duam të dalim sa më shpejt nga kjo ëndërr, e ta shohim realisht, ta ndjejmë realisht, të emocionohemi realisht nga tingujt që do ta përshkojnë këtë hapësirë gjigante rrethore të një karuseli gjigant që ka kampusi”, – tha Peçi.

Sipas tij, kjo formë karuseli i jep ndjesinë e formës së veprës së tij “Carousel structure CD Made in USA New York production”.

“Unë e  imagjinoj bukur shumë e sa do doja ta shkruaja një vepër të re me një strukturë carousele për inaugurimin e kampusit, ku të hyjnë në një vizion eliptiko-rrethor tingujt e epokave klasike dhe ato moderne. Kjo ide e arkitektit përputhet me idenë time që një konservator, përveçse duhet të konservojë traditën botërore e shqiptare, duhet të jetë edhe një iluminator për të ndriçuar epokat që vijnë. Dhe këtë dinë ta bëjnë vetëm artistët vizionarë”, – përfundoi kompozitori Peçi.

Një ditë më parë, u prezantua projekti i kampusit të Universitetit të Arteve.

Ngritja e kampusit të ri do të ofrojë ambiente të reja studimi: laboratorë krijues, Opera Studio, jo vetëm një sallë historike shfaqjesh të rikonstruktuar, por edhe salla të reja, që do t’i shërbejnë jo vetëm procesit studimor, por do të shtojnë hapësirat performuese për të gjithë artistët.