Simpozium shkencor për portretin e shkrimtarit Ibrahim Kadriu në Universitetin e Tetovës

Nën organizimin e Shoqatës për Kulturë e Shkencë “Ars Albanica”, në Amfiteatrin 2 të Universitetit Shtetëror të Tetovës u mbajt dje simpozium shkencor “Gjurmë në kohë” për portretin letrar të shkrimtarit Ibrahim Kadriu.

Hapja e Simpoziumit nisi me një fjalë përshëndetëse nga prof. Zeqirja Rexhepi – kryetari i Shoqatës “Ars Albanica” për të vazhduar tutje me prof. Kushtrim Ahmeti – Rektor i Universitetit të Tetovës, prof. Berton Sulejmani – Dekani i Fakultetit Filologjik – Universiteti i Tetovës.

Me punimin e saj “Jeta dhe veprimtaria e shkrimtarit Ibrahim Kadriu”, më pas u paraqit Kaltrina Sadiki. Tutje u lexua një fragment nga romani “Kroi i ilaçit”.

Ndërsa prof. Zeqir Kadriu u paraqit me kumtesën “Shenjëzim në kohë në romanin “Përtej binarëve” të Ibrahim Kadriut, për të vazhduar tutje me prof. Anton Nikë Berisha me “Rreth disa veçantive të poezisë së Ibrahim Kadriut”, Prend Buzhala me kumtesën “Letërsia për fëmijë e Ibrahim Kadriut”, Adelina Xhaferi paraqiti “Interpretim i poezisë “Babai im”.

Leximet u ndërprenë për vazhduar me muzikë, ku Benjamin Menga në violinë dhe Erza Shefiti në flaute dhanë disa çaste të këndshme muzikore.

Simpoziumi vazhdoi me kumtesën e prof. Berton Sulejmani – “Disa veçori sintaksore në romanin “Kapërcimi i ujit të madh” të Ibrahim Kadriut”, prof. Salajdin Salihu me “Veçoritë poetike në veprën e Ibrahim Kadriut”, prof. Zejnepe Alili Rexhepi prezantoi “Historia e dy të burgosurve shqiptarë, viktima të ideologjive politike, në romanin “Ata dy të burgjeve” të Ibrahim Kadriut, Alejna Hasani me fragment nga romani “Ata dy të burgjeve”.

Për të thyer atmosferën e leximeve, ky organizim vazhdoi edhe njëherë me interpretim muzikor nga Benjamin Menga (violinë) dhe Erza Shefiti (flautë) e për të ja lënë radhën Altina Sulemanit për interpretimin e poezisë “Atdheu”.

Krejt për fund pati një fjalë përshëndetëse dhe fjalë rasti nga kolegë, miq dhe lexues të veprës letrare, artistike të shkrimtarit.

Për ta përmbyllur në mënyrë ceremoniale, në fund u bë edhe ndarja e pllaketës për shkrimtarin e njohur Ibrahim Kadriu i cili më pas mori fjalën për të përshëndetur dhe falënderuar të gjithë ata që organizuan këtë simpozium në nderim të veprës së tij dhe gjithë lexuesit e saj. / KultPlus.com

U mbajt edicioni i pestë i Manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, e organizoi edicionin e pestë me radhë të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”, përcjellë KultPlus.

Ky aktivitet letrar u mbajt online, më 21 mars pikërisht në Ditën Botërore të Poezisë. Në të morën pjesë, kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili me rastin e hapjes së këtij manifestimi, tha se veprimtaria letrare shërben për të këmbyer mendime, ide dhe kritika për zhvillimet në lëmin e letërsisë. Ai tutje u shprehu ngushëllime familjarëve kudo në botë që humbën të afërmit e tyre nga virusi korona, duke u uruar shërim të gjithë të infektuarve nga ky virus.

“Sot jemi tubuar bashkërisht për ta shënuar Ditën Botërore të Poezisë, për t’ia shprehur nderimin tonë asaj për mundësinë që na ofron për të plotësuar tërë atë që është e këndshme në urtësi dhe që është e kapshme në dëshira. T’i shprehim nderim poezisë nga që e meriton në kohën tonë dhe në të gjitha kohët, për të vërtetën  e saj për të ndikuar në zgjuarsinë dhe mendjet e njerëzve. Në ditën e saj me përmasa botërore, besoj nuk do ta teproja nëse them se poezia është e domosdoshme në këtë botë moderne, në të cilën ne jemi të pllakosur nga frika dhe trazimi”, theksoi Sulejmani.

Referatin kryesor në këtë manifestim e paraqiti profesoresha e letërsisë në Universitetin e Tetovës, Vjollcë Berisha. Ajo e nxitur edhe nga situata pandemike e cila e ka vështirësuar zhvillimin normal në çdo veprimtari, u shpreh se “Një ditë kjo ka për të kaluar dhe ne do t’i kthehemi poezisë”.

“Ishte një grafitë siriane që e pashë diku në postimet e facebook-it (2020) dhe që më bëri të ndjehesha si të kisha gëlltitur një humnerë. Ishte çasti kur një zë njeriu nga lufta artikulonte dëshirën për poezi, e poezia në atë fjali shumëfishohej në një grumbull kuptimesh që kishin të bënin me njerëzoren, me ndjenjën, me nevojën për t’iu kthyer jetës, për t’iu kthyer gjërave aty ku i kishin lënë. Përtej dobësisë njerëzore për tjetrin që vuan, përtypa në mendje plotninë e fjalës Poezi. A ishin poezi vetëm ato krijime letrare të shkruara në vargje? S’do mend që jo. Një grafitë e thjeshtë, shkruar në kohën kur njeriut i mungon gjithçka dhe e kërcënon pothuajse gjithçka, ishte zbërthimi më i mirë që mund t’i bëhej poezisë, atij krijimi të epërm ku përthyhen të gjitha ndjenjat, ku poeti është bashkarkitekti i gjësë që shpreh, se tjetri arkitekt është lexuesi, i cili s’dihet se sa është në numër dhe çfarë në të vërtetë i shton asaj”, theksoi Berisha e cila tutje tregoi se artisti gjenia i atij shkrimi në mur thotë: “‘Dhe ne do t’i kthehemi poezisë’, e që ne e lexojmë: do t’i kthehemi asaj që kishim të shtrenjtë, jetës sonë normale me poezi brenda, ëndërrimit tonë, honeve të fshehta të vetes sonë, dashurive tona, udhës për në koncertin me harqe, vizores së thyer në fund të çantës… Ai premton poezinë, si shpresën e epërme, si blatimin më të lartë ndaj vuajtjes së njerëzimit.

“E ndesha një ditë të rëndomtë këtë fjali që ma shndërroi në një muranë ditën e bardhë, të cilën ma mbanin në këmbë plot xhingla-mingla të rutinës. Ishte njësoj si të thyente një gotë dikush kur qeshë përhumbur në një këngë të qetë a në një roman të thellë. Mu ashtu më zgjoi dhe mendova për jetët e njerëzve që kishin dalë nga binarët dhe që ende diku shpresonin t’i ktheheshin poezisë për të ‘ngirë ujën’ elementare të qytetërimit”, veçoi Berisha.

Në kuadër të manifestimit letrar ndërkombëtar u mbajt edhe ora letrare në të cilën morën pjesë poetë, shkrimtarë, veprimtarë të artit dhe kulturës nga Tetova, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë: Xhelal Zejneli, Entela Kasi, Rabije Bytiqi, Arlind Farizi, Rozafa Shpuza, Vjollcë Berisha, Fatos Rushiti, Teuta Anif Muji. Po ashtu u lexuan edhe poezi të vetë krijuesve por edhe nga poetë të njohur si: Frederik Reshpja, Ylber Merdani dhe Viktor Hygoi.

Edicioni i pestë i “Shtigjeve poetike” u begatua edhe me pjesën muzikore nga artistët e talentuar si Olti dhe Oreli Esati, ku realizuan disa melodi nga krijimtaria e artit muzikor.

Ky manifestim u përmbyll me një debat, këmbim idesh, mendimesh dhe u vlerësua se ky model ndërkomunikimi është i dobishëm jo vetëm për afirmimin e artit poetik, por edhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes krijuesve, letërsive dhe etnive. Manifestimi është mbështetur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut. / KultPlus.com

Vdes Drita Bajrami, gruaja që kishte shitur qaforen e arit për të ndihmuar Universitetin e Tetovës

Bëhet e ditur se ka ndërruar jetë Drita Bajrami Saiti, ndër gratë shqiptare që kontribuan në arsimim.

Drita në vitin 1994 kishte shitur qaforen e saj të arit, apo siç njihet në popull me emrin qystek, një qafore që është dy metra e gjatë. Këtë gjest Drita e kishte bërë për të ndihmuar Universitetin e Tetovës për të mos ndërprerë mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Kontributi që shumica e grave shqiptare kanë dhënë në fushën e arsimimit shpesh kalon pa u vënë shumë në pah. Kontributet e tilla atë botë ishin jetike për të mbajtur gjallë shpresat e studentëve dhe prindërve shqiptarë në Maqedoni, të cilët ëndërronin të shkolloheshin në gjuhën amtare. / KultPlus.com