Bota akademike amerikane është goditur nga një skandal i dimensioneve ende të paqarta, pasi një prej institucioneve më prestigjioze në vend dhe në botë, universiteti “Columbia” në Nju-Jork, ka pranuar se ka shpërndarë të dhëna të rreme mbi infrastrukturën dhe performancën e saj, duke përfituar në këtë mënyrë një pozicion më të mirë në renditjen e universiteteve më të mira.
Në renditjen e U.S. News & World Report, pikë referimi në SHBA, Columbia ndodhej në vend të dytë në rang kombëtar, por tani ka “rrëshqitur” në vendin e 18-të, pas rivlerësimit të dhënave.
Gjithçka filloi nga një pyetje e drejtuar nga një profesor matematike pikërisht e Columbia, Micheal Thaddeus, i cili, duke u bazuar në statistikat, vuri në dyshim ngjitjen në renditje të institucionit ku punon, nga vendi i 18-të në 1988 në të dytin në 2021.
Nga studimi, doli qartë që shumë nga të dhënat që universiteti i dërgonte autorëve të renditjes, duke filluar nga madhësia e auditorëve te performanca e studentëve, ishin të ndryshme nga e vërteta, dhe gjithmonë në favor të universitetit.
Columbia u detyrua të pranojë gabimin, duke premtuar ndryshimin e të dhënave në renditjet e ardhshme, por mbetet një goditje imazhi i madh për një institucion që kërkon nga studentët e privilegjuar që pranohen rreth 86 mijë dollarë për çdo vit shkollor dhe akomodimin përkatës në konvikt.
Në Shtetet e Bashkuara, universitetet që përbëjnë të ashtuquajturën Ivy League, ku përfshihen Columbia, si dhe emra të njohur të verilindjes si Cornell, Harvard, Brown, Yale, Cornell, Dartmouth, Princeton dhe Universiteti i Pensilvanisë, mbahen si institucionet që formojnë elitën drejtuese të Shteteve të Bashkuara, ku ndershmëria është element kryesor i rregullores, dhe janë të shumta rastet e dëbimeve pas gjetjes së një rasti plagjiarizmi, ose për studentë që janë gjetur duke kopjuar./A2CNN/ KultPlus.com