Arizona State University financon projektin e parë hulumtues të realizuar nga Prof. Dr.Valon Murati, profesor ne UNI – Universum International College në bashkëpunim me Universitetin Francisco Gavidia nga El Salvador

Rezultatet e shumëpritura të bashkëpunimit në mes UNI – Universum International College dhe rrjetit të universiteteve partnere të Arizona State University u arritën me anë të projektit të përbashkët me titull, ‘The role of education on integration of migrant communities of Kosovo and El Salvador in Europe: online education in focus. Për t’u implementuar, projekti financohet nga Arizona State University.

Ky projekt u realizua nga Ass. Prof. Valon Murati nga UNI – Universum International College në bashkëpunim me Prof. Cristina del Carmen Estrada Albeno nga Universiteti Francisco Gavidia nga El Salvadori. Projekti fokusohet në hulumtimin se si edukimi, veçanërisht ai online, mund të luajë një rol kryesor në integrimin e komuniteteve të emigrantëve nga Kosova dhe El Salvadori në Evropë. Hulumtimi do të përqendrohet rreth dy vendeve evropiane: Spanjës dhe Zvicrës.

Komunitetet e migracionit janë zakonisht komunitete të brishta brenda vendeve ku ata jetojnë. Megjithatë, roli dhe ndikimi i tyre në zhvillimin e vendeve ku ata kanë migruar dhe vendeve të origjinës janë të mëdha. Prandaj, integrimi i tyre në vendin mirgues është shumë i rëndësishëm për rolin e tyre në zhvillimin e të dy vendeve. Në këtë drejtim, edukimi i komuniteteve të migrantëve dhe më konkretisht edukimi online, përbën një mundësi të rëndësishme për integrimin e mëtejshëm të tyre në vendet migruese, duke ndikuar njëkohësisht në rritjen e rolit të tyre në mbështetjen e vendeve të origjinës. Prandaj, ky hulumtim trajton shumë çështje që lidhen me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm nga OKB, veçanërisht Objektivën 4 për cilësinë e arsimit, Objektivën 8 për punën e denjë dhe rritjen ekonomike, Objektivën 10 për pabarazinë e reduktuar dhe Objektivën 17 për partneritetin global për zhvillim të qëndrueshëm.

Suksesi i këtij projekti është dëshmi për përkushtimin dhe ekspertizën e anëtarëve të përfshirë. Ky projekt synon jo vetëm të nxjerrë në pah sfidat më të mëdha shoqërore, por gjithashtu të ofrojë zgjidhje praktike që mund të përmirësojnë jetën e individëve dhe komuniteteve.

Ky bashkëpunim dhe shumë projekte tjera hulumtuese me rrjetin e universiteteve partnere të Arizona State University, që do të publikohen në ditët në vijim, dëshmon angazhimin e UNI – Universum International College  në promovimin e qëllimeve të qëndrueshme të zhvillimit, në përkrahjen e inovacionit në arsim dhe integrimin e komuniteteve të ndryshme në shoqëritë tona.

UNI – Universum International College fuqizohet dhe menaxhohet nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA dhe #1 për inovacion. Për më shumë informata rreth aktiviteteve të tilla,  kontaktoni +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram

Shqiptari Gezim Gashi, nga një refugjat tashmë me ligjëratë në Universitetin prestigjioz “Harvard”

Jeta Zymberi

Duket sikur jeta e vështirë prej një refugjati është shndërruar në forcë për shumë shqiptarë që gjatë kohës së luftës në Kosovë morën rrugën në vende të ndryshme të botës për të pasur një jetë më të sigurt, shkruan KultPlus.

Shumë nga këta persona sot gëzojnë një jetë me plot suksese e madje disa edhe me një famë të madhe botërore, çka ka bërë që shqiptarët të ndihen krenarë me këta emra.

Një ndër ta është edhe djali nga Kosova, Gezim Gashi. Ai është shqiptari i parë në botë që ka hapur shkollë të artit në Amerikë. Ai është një prej emrave më të njohur shqiptar në botën e artit në Suedi dhe emër i suksesshëm në industrinë e muzikës në Los Angeles.

Por, degëzimet e suksesit për të po shtohen çdo ditë e më shumë.

Përderisa të gjithë e ëndërrojnë shkollimin në Universitetin më prestigjioz në botë “Harvard”, Gashi është ftuar për të ligjëruar para studentëve nga gjithë bota. Kjo padyshim që është një arritje e madhe për të duke pasur parasysh se si është rritur dhe sa shumë është ushqyer me ëndrra që sot po i bëhen realitet.

“Kjo është e pabesueshme për mua. Momente të tilla më kujtojnë mënyrën se si jam rritur. Kam qenë një refugjat gjatë luftës në Kosovë me ëndrra të mëdha. Bashkë me familjen time u shpërngulëm në Alvesta të Suedisë dhe tash më duhet të ndaj historinë time në universitetin më prestigjioz në botë, në “Harvard”, është shprehur Gëzim Gashi për KultPlus.

Gashi për dy vitet e fundit ka zhvilluar markën për shkolla dhe kompani të tjera në Suedi dhe Evropë dhe përmes punës së tij ka marr fokusin e Forbes dhe Huffington Post.

“Ndihem shumë krenar të ndaj historinë time dhe të njihem për atë që unë bëj për gjeneratën e re. Jam krenar që jam shqiptar dhe fakti që i bëj njerëzit e mi krenarë është shumë e rëndësishme për mua. Mezi po pres të marr pjesë në Harvard dhe të ligjëroj para studentëve nga e gjithë bota”, ka thënë Gashi.

Ligjërata nga Gëzim Gashi do të mbahet më datë 9 mars 2020, në Universitetin e Harvardit.  /KultPlus.com