AGK-ja dhe UNKT ndajnë çmimet për raportimin më të mirë kundër varfërisë 2022

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNKT, nën koordinimin e Zyrës së Koordinatores për Zhvillim – Arnhild Spence, ka mbajtur dje edicionin e 17-të, të çmimeve vjetore të gazetarisë për raportimin më të mirë kundër varfërisë, përcjell KultPlus.

Këtë vit, në kategorinë “Video-storja e shkurtër më e mirë”, u shpërblye storja e gazetares Doruntina Bylykbashi nga RTV Dukagjini.

Çmimi për audio-storjen më të mirë iu nda gazetares nga Radio Kosova 2, Milena Todorovic.

Çmimi për storjen e shkruar më të mirë iu nda gazetares së Kosovo2.0, Dafina Halili për “Shkolla fantazmë, shkolla geto e ndërrime të segreguara”.

Teksa, në kategorinë “Dokumentari më i mirë televiziv”, çmimin e fitoi dokumentari “Asgjë për Pakicën”, i gazetarit Diamant Bajra.

Për fotografinë më të mirë u shpërblyen fotografi i pavarur, Valdrin Fetahu dhe Adnan Beqiri.

Përveç këtyre çmimeve, me çmim special u shpërblye edhe gazetarja e RTK-së, Majlinda Doda në kategorinë audio storja më e mirë.

Çmimet janë ndarë nga UNDP, UN Volunteers, UNICEF, UNOPS, OBSH dhe UNFPA. / KultPlus.com

Bashkëpunimi për të rinjtë e Kosovës, prioritet për MKRS-në, UNFPA-në e UNKT-në

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti sot në takim John Kennedy Mosoti, Drejtor i UNFPA-së për Kosovë, Serbi dhe Maqedoni Veriore si dhe Përfaqësues i UNFPA-së për Bosnje e Hercegovine. Në takim ishte e pranishme edhe Shefja e UNKT-së në Kosovë Ulrika Richardson.

Ministrja Dumoshi theksoi që është shumë e kënaqur me punën e mirë të agjencive të UN-it në Kosovë e veçanërisht UNFPA-së, punën e të cilës e çmon lartë.

Ndërkaq, Mosoti uroi Ministren Dumoshi për marrjen e detyrës dhe e njoftoi me misionin dhe vizionin e UNFPA-së si dhe me projektet konkrete në Kosovë dhe me bashkëpunimin që ka pasur me institucionet e Kosovës për të shtyrë përpara çështje si edukata seksuale, aborti, struktura e popullsisë etj.

Në takim u diskutua për format e bashkëpunimit në çështje që kanë të bëjnë me angazhimin e të rinjve në projekte të ndryshme, meqenëse komponentë e rëndësishme  MKRS-së është edhe Rinia.

Ministrja Dumoshi u shpreh se rinia është pjesa më vitale e Kosovës dhe aset i çmuar për të cilin duhet bërë akoma si në nivel institucional ashtu edhe në nivele tjera. Ajo u shpreh e gatshme të ofrojë të gjitha kapacitetet dhe ndihmën e Ministrisë që bashkërisht me të gjitha organizatat që veprojnë në Kosovë të fuqizojnë rininë përmes projekteve e aktiviteteve të ndryshme. / KultPlus.com