Presidentja Osmani u thotë anëtarëve të KS-së të mos e çojnë buxhetin dëm duke financuar UNMIK-un

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Këshillin e Sigurimit ka folur për misionin e UNMIK-ut në Kosovë. Osmani ka thënë se kanë qenë kohë të vështira kur është vendosur UNMIK-u si një mision i përkohshëm dhe ka përmendur faktin se atë kohë është thënë se vlefshmëria e “Rezolutës 1244” do të jetë derisa të determinohet statusi final i Kosovës.

“UNMIK-u ishte vendosur në Kosovë në rrethana krejtësisht të tjera, pas ndërhyrjes së NATO-së për të ndalur krimet dhe gjenocidin kundër popullit të Kosovës”, ka thënë presidentja e Republikës së Kosovës.

E para e shtetit ka thënë se “UNMIK-u në Kosovë jo vetëm që e ka stërzgjatur mandatin në Kosovë, por është duke e vazhduar atë edhe në kundërshtim me opinionin e GJND-së”.

Duke folur për këtë çështje, Osmani ka thënë se këshillon anëtarët e Këshillit të Sigurimit që t’i shpenzojnë paratë e tyre më mirë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se statusi i Kosovës është vendosur një herë e përgjithmonë më 17 shkurt të vitit 2008 kur Kosova ka deklaruar pavarësinë.

Shefja e shtetit ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që ka konstatuar se vendimi i Kosovës për shpalljen e pavarësisë ka qenë në përputhje të plotë me Ligjin Ndërkombëtar.

“Prandaj ne i bëjmë thirrje Serbisë që të respektojë Ligjin Ndërkombëtar”, ka thënë presidentja e vendit. / KultPlus.com

21 vjet më parë u vra arkitekti Rexhep Luci

Me datë 11 shtator të vitit 2000 u vra arkitekti Rexhep Luci.

Rexhep Luci ishte Drejtor i Departamentit të Planifikimit Hapësinor, Rindërtimit dhe Zhvillimit në Komunën e Prishtinës dhe arkitekt i cili u vra menjëherë pas luftës, për kundërshtimin e ndërtimeve ilegale në Prishtinën e pas-luftës. Ende thuhet se vrasja ishte e llojit mafioz dhe u planifikua për shumë kohë.

Ai u vra me gjashtë plumba pas shpine derisa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë. Në kohën e vrasjes së tij, departamenti i tij ishte në proces të shkatërrimit të një kompleksi hotelierik ilegal.

Luci kishte punuar për 30 vjet në urbanizmin e Prishtinës duke i dhënë qytetit pamjen e tij moderne.

©Andrew Testa

Në përgjigje administrata e UNMIK-ut kishte emëruar Rregulloren për Ndërtim sipas emrit të tij. Një rrugë në Prishtinë poashtu mban emrin e tij.

‘Me vrasjen mizore të kryearkitektit të kryeqytetit u vra e tërë urbanistika e Kosovës, filloi shkatërrimi i të gjitha qyteteve kryesore të Kosovës, filloi jo ligjshmëria urbane në përmasa të pa para që është duke vepruar që dhjetë vite. Ata të paktët që në mënyrë dinjitoze dhe profesionale reaguan u anatemuan dhe u injoruan tërë kohën qëllimisht duke vazhduar avazin e vjetër me ndërtime të cilëve po ia shohim sherrin të gjithë ne’ shkruan Ylber Vokshi Ylli në një shkrim autorial të vitit 2009. / KultPlus.com

(Fotografia e ballinës nga ‘Çka e vrau arkitektin?’) / Mathieu Jouffre )