Zgjidhen dekanët e rinj në 14 fakultete të Universitetit të Prishtinës

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” sot është zhvilluar procesi i zgjedhjes së dekanëve të rinj për katërmbëdhjetë fakultete të universitetit.

Përmes një komunikate për media UP ka deklaruar se procesi është zhvilluar në mënyrë të rregullt, të qetë dhe ka rezultuar në zgjedhjen e suksesshme të dekanëve.

Dekanët e zgjedhur në drejtimet përkatëse janë si në vijim:

1. Fakulteti i Arkitekturës: Prof. Violeta Nushi

2. ⁠Fakulteti i Arteve: Prof. Hazir Haziri

⁠3. Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë: Prof. Arben Musliu

⁠4. Fakulteti i Edukimit: Prof. Blerim Saqipi

5. ⁠Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit: Prof. Florian Miftari

6. Fakulteti Ekonomik: Prof. Driton Balaj

7. Fakulteti i Filologjisë: Prof. Abdulla Rexhepi

8. Fakulteti Filozofik: Prof. Bekim Baliqi

9. Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike: Prof. Isak Shabani

10. Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike: Prof. Mirlind Bruçi

11. Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit: Prof. Florim Grajçevci

12. Fakulteti Juridik: Prof. Avni Puka

13. Fakulteti i Mjekësisë: Prof. Sefedin Muçaj

14. Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore: Prof. Kajtaz Bllaca

Mandati i dekanëve të rinj fillon me 1 tetor 2024, me fillim të vitit të ri akademik.

Studentët e Universitetit të Prishtinës shfaqin vizionin e tyre për të ardhmen e medias në Kosovë

Me një diskutim rreth gjuhës së urrejtjes ndaj gazetarëve, ka filluar sot fushata e studentëve të Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, për shfaqjen e vizionit për të ardhmen e medias në vitin 2040. 

Beneta Buja, studente e vitit të dytë në këtë departament, tregoi për përvojën e saj dhe të pesë studenteve të tjera, pjesëmarrëse në këtë projekt, si dhe për punën e bërë në projektin “Media2040: Fuqizimi i avokuesve të rinj për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor” që nga muaji tetor i vitit të kaluar. Ajo ka thënë që përvoja me këtë projekt ka ndihmuar në përmirësimin e njohurive të saj dhe kolegëve të tjerë për aspekte të ndryshme të medias, përfshirë; institucionet, ligjin, teknologjinë, gazetarët dhe tregun e medias. Sipas saj, projekte të tilla janë dobiprurëse për studentët.

Në anën tjetër, koordinatori akademik për Kosovë i këtij projekti, Alban Zeneli, ka thënë që ky projekt ka ndihmuar studentët që të kuptojnë dhe bashkëpunojnë me bashkëmoshatarë të tyre nga fusha e njëjtë e studimit, me qëllim të ndikimit në përmirësimin e sferës mediale në secilën prej shoqërive. 

Më tutje në tryezën e organizuar në hapjen e fushatës së studentëve për shfaqjen e vizionit për media 2040, profesoresha Remzie Shahini-Hoxhaj në duke bërë prezantimin kryesor të tryezës për gjuhën e urrejtës ndaj gazetarëve ka ofruar të dhëna nga hulumtimet e këtij fenomeni në Kosovë. Sipas saj, gjuha e urrejtjes ndaj gazetarëve në rastin e Kosovës ndikon në rritjen e autocenzurës së gazetarëve dhe në demotivimin e tyre në punë. Njëherësh, ajo informoi që nga hulumtimi ka rezultuar që 91% e gazetarëve kanë përjetuar gjuhë të urrejtjes gjatë karrierës së tyre.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin edhe profesorë dhe studentë nga Departamenti i Gazetarisë në UP, të cilët kontribuuan aktivisht në debat dhe sollën perspektiva dhe ide të reja.

Në projektin “Media2040: Fuqizimi i avokuesve e të rinj për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor”, po marin pjesë studentet e Departamentit të Gazetarisë: Era Rrmoku, Zana Pllana, Beneta Buja, Rijona Vojvoda, Erona Baliu dhe Learta Beqiri të cilat janë duke u mentoruar për t’i realizuar objektivat e projektit nga profesorët: Alban Zeneli, Remzie Shahini-Hoxhaj, Muhamet Jahiri dhe Gëzim Qerimi.

Në kuadër të këtij projekti do të mbahen edhe disa aktivitete në javët në vazhdim.

Pjesë e “Media2040” janë mbi 50 profesorë dhe studentë nga fushat e gazetarisë dhe komunikimit nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Sarajevës, Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Universiteti i Novi Sadit, Universiteti i Malit të Zi dhe Universiteti “St. Cyril and Methodius” nga Shkupi. 

Ky projekt mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës ne Prishtinë, Fondit Holandez për Bashkëpunim Rajonal, programi MATRA. /Kosova.info/KultPlus.com

UP ndan nga 2 mijë euro për ekipin e Juridikut që u renditën në treshen më të mirë botërore

Universiteti i Prishtinës ka ndarë shpërblimin financiar në vlerën 2000 euro për secilin anëtar dhe trajner të ekipit për arritjen në treshën më të mirë botërore.

UP vlerëson se “ky rezultat në shumë drejtime është i pamatshëm dhe çfarëdo shpërblimi për të, ka gjasë të mos e reflektojë vlerën reale të punës dhe të rezultatit”.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Universitetit të Prishtinës në facebook:

UP shpërblen ekipin e tij që u rendit në treshen më të mirë botërore

Rektori i UP-së, Qerim Qerimi dhe kryesuesi i Këshillit Drejtues, Altin Sahiti, kanë pritur sot në takim ekipin e UP-së, që arriti rezultatin historik në garën botërore të drejtësisë: Studentët Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa e Rea Hadri; profesoreshën Donikë Qerimi dhe trajnerët Art Syla dhe Ilir Hajraj.

Prof. Qerimi dhe z. Sahiti i shprehën dhe një herë falënderime ekipit për përfaqësimin dinjitoz të Universitetit të Prishtinës në skenën botërore, falë të cilit u nderua dhe lartësua emri i Universitetit dhe i vendit edhe në fushën e dijes.

Ky rezultat në shumë drejtime është i pamatshëm dhe çfarëdo shpërblimi për të, ka gjasë të mos e reflektojë vlerën reale të punës dhe të rezultatit. Megjithatë, krahas mirënjohjeve, Universiteti ka ndarë edhe shpërblimin financiar në vlerën 2000 euro për secilin anëtar dhe trajner të ekipit për këtë arritje të jashtëzakonshme, duke u renditur në treshen më të mirë nga qindra universitete pjesëmarrëse nga e mbarë bota.

Drejtuesit e UP-së shprehën dhe një herë zotimin e tyre të vijueshëm për të mbështetur me çdo formë dhe mundësi nismat dhe punën e studentëve dhe të stafit, që i kontribuon rritjes dhe vlerave të Universitetit të Prishtinës.

Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit për studime albanologjike ndërmjet MAShTI-t dhe UP-së

Në datën e 21 shkurtit e cila shënon Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, nën praninë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Universitetit të Prishtinës, për zhvillimin dhe promovimin e Albanologjisë, me theks të veçantë në programet e gjuhës shqipe dhe letërsisë shqipe.

Kurti gjatë fjalës së tij në ceremoni bëri të ditur se qëllimi i këtij memorandumi është përkrahja financiare e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës për publikime në revistat që botohen nga Fakulteti i Filologjisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Veçanërisht, Ministria do të përkrahë stafin akademik të Fakultetit Filologjik për artikujt shkencor në fushën e albanologjisë në revistat me faktor ndikimi. Gjithashtu, do të mbulojë edhe shpenzimet për pjesëmarrje në Seminare Ndërkombëtare. Do të ndajnë bursa vjetore në vlerë prej 1000 euro për studentët që studiojnë gjuhën dhe letërsinë shqipe”, shtoi tutje ai.

“Ndër të tjera, do të ofrohet mbështetje vjetore për tri projektet shkencore të realizuara nga stafi akademik i Fakultetit të Filologjisë në kuadër të studimeve albanologjike. Përkrahje të tillë ky memorandum i ofron edhe dy projekteve hulumtuese më të suksesshme të studentëve në nivelin master, si dhe garave në nivel parauniversitar për mendim kritik, argumentim dhe drejtshkrim”, thuhet në komunikatën për media nga Zyra e Kryeministrit.

Me këtë rast Kurti uroi që zbatimi i këtij Memorandum Bashkëpunimi të sjell përfitime për stafin akademik e studentët, dhe njëkohësisht të prodhoj rezultate origjinale e të vyera për studimet albanologjike.

Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandum Bashkëpunimit ishte Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Qerim Qerimi, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prorektorë të UP-së, Lindita Rugova, Dekane e Fakultetit të Filologjisë dhe staf akademikë e studentë të Universitet të Prishtinës./Arbresh.info/KultPlus.com

Masterit të Psikologjisë në UP i shtohet edhe një program i ri

Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, në nivelin master i është shtuar edhe një program i ri studimi, master në Psikologji Klinike dhe Komuniteti, shkruan KultPlus.

Sipas një njoftimi nga Universiteti i Prishtinës, misioni i këtij programi është adekuate për të ushtruar profesionin e psikologut klinik dhe të komunitetit.

“Profilet do të dalin jashtë formimit tradicional formal të psikologjisë klinike dhe do të shkojnë përtej punës komunitare, në mënyrë që parandalimi dhe intervenimi të shkrihen natyrshëm në kompetencat e kuadrove profesionale që do të përgatiten”, thuhet në njoftimin e Universitetit.

Ky program do të bëj studimin e ndryshimeve pozitive për njerëzit dhe grupet e cenueshme dhe të margjinalizuara, ku fokusi nuk është vetëm tek individi, por edhe te ndikimi i faktorëve shoqërorë në jetën e tyre.

Programi në parim është program akademik shkencor me një pjesë të konsiderueshme të punës praktike. Programi synon të edukojë psikologë që janë të gatshëm të kontribuojnë në shkolla, qendra të shëndetit mendor, organizata dhe qendra për punë sociale, si dhe në komunitetin e gjerë.

Përmes njoftimit, Universiteti i Prishtinës ka njoftuar të gjithë të rinjtë të interesuar për studime në fushën e psikologjisë klinike dhe komunitetit, se së  shpejti mund të aplikojnë në programin e ri të UP-së. /KultPlus.com

UP ngritet për 103 vende në ranglistën e universiteteve evropiane

Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ në matjet e Webometrics-it, këtë vit ka shënuar ngritje niveli për 103 vende më lartë, sa ishte në vitin e kaluar në muajin korrik, shkruan KultPlus.

Universiteti i Prishtinës bën pjesë në top 1 mijë universitetet në mesin e 6010 istitucioneve nga Evropa, përderisa në hapsirën mbarëshqiptare vazhdon të jetë lider i arsimit të lartë.

“Universiteti i Prishtinës vazhdon të dëshmohet si institucion lider i arsimit të lartë në mbarë hapësirën shqiptare. Kjo u vërtetua edhe një herë në azhurnimin e korrikut të Webometrics-it, ku UP-ja në këtë edicion ka shënuar ngritje për disa vende.

Në renditjen e përgjithshme, UP-ja është ngritur për 103 vende nga janari i këtij viti, kur është publikuar edhe renditja paraprake e rreth 12 mijë institucioneve të arsimit të lartë nga mbarë bota. Ndërkaq, në një kohështrirje vjetore, nga korriku i vitit 2022, UP-ja është ngritur për 130 pozicione më lartë, thuhet në komunikatën e UP-së.

Më tutje në komunikatë thuhet se: “UP-ja është në top 1 mijë universitetet, i renditur në vendin e 960 në mesin e 6010 institucioneve nga Evropa që i nënshtrohen këtij rangimi”.

Webometrics është renditje e institucioneve të arsimit të lartë, e cila realizohet çdo gjashtë muaj nga Cybometrics Lab (Spanish National Research Council, CSIC)./KultPlus.com

Në UP hulumtohen rastet e ngacmimeve seksuale

Shumë shpejt Universiteti i Prishtinës do të fillojë një hulumtim në të gjitha njësitë akademike për rastet e ngacmimeve seksuale.

Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën zyrtarja për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale në këtë universitet, Drita Hyseni. Ndërkohë, ekspertët thonë se studentët duhet të vetëdijesohen për denoncimin e rasteve.

Universiteti i Prishtinës, për herë të parë do të fillojë një hulumtim në të gjitha njësitë akademike për rastet e ngacmimeve seksuale në këtë institucion të lartë të arsimit. Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën, zyrtarja për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale në këtë universitet, Drita Hyseni, e cila theksoi se në kuadër të rregullores për parandalimin e ngacmimeve seksuale, së bashku me prorektoren, Njomza LLullaku, dhe me mbështetjen e menaxhmentit, janë përgatitur pyetjet dhe janë në përfundim të metodologjisë së hulumtimit, ku fokus i pyetësorit janë studentët.

 “Nuk do të kenë as emër e as mbiemër. Neve na duhen vetëm të dhënat nga terreni, për të parë gjendjen faktike. Po bëhet një hulumtim për herë të parë për sa i përket kontekstit të ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës. Do të ketë edhe një raport final, ku besoj se deri në muajin qershor do të realizohet. I kemi formuar grupet punuese, të cilët do të punojnë për të mbledhur të dhënat dhe për ta çuar deri në fund këtë kauzë dhe ta vërtetojmë nëse është fenomen i dukshëm në UP”, tha ajo.

Hyseni, bëri të ditur se që nga viti i kaluar e deri tani janë raportuar pesë raste të ngacmimeve në Universitetin e Prishtinës. Ndërkohë,  sqaroi se me rregulloren për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale dhe ngacmimi në Universitet, përcaktohen edhe procedurat disiplinore dhe masat e zbatueshme në rastet e tilla.

 “Për vitin 2022, ka qenë numri katër, ndërsa në vitin 2023 kemi një rast. Këshilli i Etikës ka marrë tri vendime, ndërsa në procedurë janë dy. Gjithashtu është edhe vendimi i senatit të Universitetit të Prishtinës për rastin e fundit ndaj profesorit Betim Bejta”, tha ajo.

Drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha për Radio Kosovën se ngacmimet seksuale në institucione arsimore, përveç që me ligj, duhet të denoncohen edhe me rregullore të secilit institucion.

 “Ngacmimet seksuale në institucione arsimore, përveç që me ligj, duhet të denoncohen edhe me rregullore të secilit institucion të arsimit të lartë, dhe atë jo të fshehur diku në sirtarë të njësive akademike, por të dukshme për të tërë komunitetin e universitetit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që çdo student të jetë i vetëdijesuar për denoncimin e ngacmimeve seksuale. Aktivitetet vetëdijesuese duhet t’i synojnë vetë studentët, duke i fuqizuar të njëjtit për identifikim, reagim dhe denoncim të menjëhershëm të ngacmimeve seksuale”, tha ai.

Policia e Kosovës, në një përgjigje përmes adresës elektronike, ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i rasteve nga vepra penale “Ngacmimi Seksual” për vitin 2022 ishte 91.

Në kuadër të Universitetit të Prishtinës, ekziston rregullorja për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale dhe ngacmimi në Universitet. Kjo rregullore përcakton rregullat materiale, procedurat disiplinore dhe masat e zbatueshme në rastet e tilla. Në marrjen e vendimeve dhe masave disiplinore në procedurën për shqyrtimin e denoncimeve për ngacmim apo ngacmim seksual, Këshilli i Etikës zbaton këtë rregullore, Statutin e Universitetit të Prishtinës, Ligjin për Arsim të Lartë, Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, Ligjin për Barazi Gjinore, Ligjin e Punës dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore të zbatueshme./ KultPlus.com

UP-ja, për herë të parë, do të ndajë bursa për studentët e nivelit master dhe të doktoratës

Për herë të parë, Universiteti i Prishtinës, nga ky vit akademik, do të ndajë bursa për studentët e nivelit master dhe ata të doktoratës.

Ky vendim u mor nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, në mbledhjen e mbajtur më 13 prill 2023 dhe i njëjti është propozuar edhe si pikë e veprimit në planin e punës të rektorit, prof. Qerim Qerimi.

Bursat ndahen për rezultatet e arritura gjatë vitit akademik dhe paraqesin një lehtësi shtesë për studentët tanë, duke synuar njëherësh stimulimin e kërkimit shkencor, ndërtimin e kapaciteteve kërkimore për të ardhmen, si dhe motivimin e tyre.

Për kriteret e konkursit dhe mënyrën e aplikimit, ju lutëm të klikoni konkurset më poshtë:
Konkursi për bursa për studimet master
Konkursi për bursa për studimet e doktoratës. / KultPlus.com

Nesër ceremoni solemne për nder të 53 vjetorit të themelimit të UP-së

Universiteti i Prishtinës nesër shënon 53 vjetorin e themelimit të tij. Me këtë rast, do të organizohet një ceremoni solemne në të cilën të pranishëm do të jenë: rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, akademikë, rektorë nga rajoni dhe vendi, profesorë, studentë të dalluar, përfaqësues institucionesh dhe partnerë të tjerë.

Ngjarja mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare, duke filluar nga ora 13:00.

Për rrjedhën e ceremonisë, luteni të gjeni të bashkangjitur agjendën.

AGJENDA
13:00 Intonimi i himnit shtetëror, Orkestra kamertale
Intonimi i himnit Gaudeamus Igitur, Kori i Fakultetit të Arteve
13:05 Hapja e ceremonisë
13:10 Fjalimi i rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. dr. Qerim Qerimi
13:20 Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti
13:30 Fjalimi i kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Mehmet Kraja
13:35 Fjalimi i rektorit të Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha
13:40 Fjalimi i kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama
13:45 Pikë muzikore
F. Liszt – Transcendental Etude No. 12 “Chasse-neige” – Melisa Ibrahimi – piano
13:50 Fjalimi i rektorit të Universitetit të Lubjanës, prof. dr. Gregor Majdič 13:55 Fjalimi i rektorit të Universitetit të Zagrebit, prof. dr. Stjepan Lakušić 14:00 Fjalimi i akademik Ismail Kadare
14:05 Fjalimi i rektorit të UP-së në vitet 1975 – 1979, prof. dr. Feriz Krasniqi

14:10 Ndarja e mirënjohjeve për studentët e dalluar Ndarja e mirënjohjeve të veçanta
14:25 Pikë muzikore
Avni Mula “Agimet Shqiptare”
Zana Abazi – Ramadani, soprano dhe orkestra kamertale

14:30 Përmbyllja e aktivitetit dhe koktej rasti / KultPlus.com

Një e ardhme e ndritur për Kosovën – Vajzat dominojnë drejtimet e inxhinierisë dhe shkencave kompjuterike në UP

Trendi i rritjes së numrit të vajzave në drejtimet e shkencave dhe inxhinierisë kompjuterike në Universitetin e Prishtinës është, jo vetëm në rritje të vazhdueshme, por edhe në ngritje në vlera shumë substanciale, si gati në asnjë universitet tjetër.

Ndonëse përqindja e vajzave që studiojnë shkenca kompjuterike kudo në botë është e vogël, në një shtet gjeografikisht “të vogël” si Kosova, trendi i të rejave që synojnë karrierë në shkenca dhe inxhinieri kompjuterike—në të kaluarën, të perceptuara kryesisht si “drejtime të meshkujve”—ka shënuar rritje vit për vit, në dekadën e fundit.

Në UP, në Departamentin e Shkencave Kompjuterike, 50.7% e studentëve janë vajza, ndërkaq në Departamentin e Inxhinierisë Kompjuterike, nga numri i përgjithshëm i studentëve në këtë departament, në vitin akademik 2021/2022, 55.9% e tyre janë femra. Vitin pararendës akademik, pra 2020/2021, ky numër ka qenë edhe më i lartë, në një përfaqësim total prej 61.8%. 

Por, situata nuk ka qenë aspak e njëjtë 10 vjet më parë. Për shembull, në vitin akademik 2012/2013, në Departamentin e Inxhinierisë Kompjuterike, vetëm 28.2% kanë qenë femra dhe, një vit më pas, më 2013/2014, kjo përqindje ka qenë edhe më e ulët, përkatësisht 26.8%.

Vajzat në TIK po e tejkalojnë edhe mesataren e Bashkimit Evropian. Sipas statistikave aktuale, në këtë fushë, nga numri i përgjithshëm i studentëve, femra del të jenë vetëm 17% e tyre. Kjo është një dëshmi shtesë e përpjekjeve të UP-së dhe vendit për të inkurajuar dhe mbështetur vajzat dhe gratë në këtë fushë.  

2.png

E sipas rektorit të Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, zhvillimi teknologjik është njëri ndër sektorët me të cilët mund të zhvillohet edhe shteti i Kosovës.

“Zhvillimi teknologjik është njëri ndër sektorët kryesorë, të cilët Kosova mund t’i zhvillojë, veçanërisht kur kemi parasysh që popullsia e re e është pasuria më e madhe e vendit. Kjo, kombinuar me talentet e jashtëzakonshme të të rinjve dhe me nevojat në rritje të tregut, ku numri i kompanive që ofrojnë shërbime nga fushat e shkencave kompjuterike është në rritje. Si rezultat, përqendrimi dhe mbështetja e këtyre drejtimeve mbetet një përparësi strategjike, të cilës do t’i kushtohet vëmendje dhe kujdes i veçantë,” theksoi rektori Qerimi, në një takim të zhvilluar me studentet e këtyre programeve në UP.

UP-ja mbetet e përkushtuar në mbështetjen e rritjes dhe zhvillimit të studentëve të saj, veçanërisht në fushën e TIK-ut, në mënyrë që të sigurohet që ata kanë shkathtësitë dhe dijen e nevojshme për të pasur sukses në teknologjinë që po zhvillohet në mënyrë rapide viteve të fundit. /KultPlus.com

Lumnije Kqiku, doktoresha që vepron në Austri: Shkenca dhe mjekësia janë dy elemente që unë i ndjej në shpirt

Era Berisha

Janë ca momente në jetën e njeriut që arrijnë të krijojnë një rrugëtim të suksesshëm drejt një karriere të bukur. Ca nga to janë jetësuar edhe në udhën e Lumnije Kqikut, ligjëruese e lartë për studentët e Mjekësisë së Përgjithshme, Stomatologjisë dhe studimeve postdiplomike, udhëheqëse e Klinikës Speciale të Endodoncionit dhe Traumatologjisë Dentare në Klinikën Dentare të Universitetit të Gracit, Prodekane për Studimet e doktoratës në seksionin e Stomatologjisë si dhe koordinatore për CEEPUS (Central European Exchange Program for University Studies), e cila qysh e vogël ka pasur një dashuri më vete për mantelin e bardhë që e shihte kudo. Pasioni për degën e stomatologjisë i është shfaqur qysh në shkollën e mesme, atëherë kur dëshira e madhe për t’i shërbyer njerëzve të sëmurë dhe ata që me padurim prisnin ndihmën, ka ekzistuar, shkruan KultPlus.

Ëndrra e saj për tu bërë një doktoreshë natyrisht që ka pasur edhe bazat mbi të cilat është mbështetur, por mbi të gjitha, dashuria për mjekësinë, humanizmi e sakrifica, kanë qenë elementet kryesore që kanë gdhendur fillet drejt një pune të palodhshme, me plot gropa por me shumë suksese të cilat kanë lënë gjurmë të konsiderueshme në jetën e Kqikut dhe jo vetëm.

Ka përfunduar Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës, dhe për këtë gjë, ajo mburret plotësisht, por tashmë karriera e saj shkencore vazhdon të zhvillohet në Grac të Austrisë.

“E dua bardhësinë, pastërtinë, higjienën orale dhe mbi të gjitha pjesët e njeriut që janë ekspozuese. Stomatologu i mirë është prind i dashur, pedagog i sinqertë dhe njeri që duhet nderuar e respektuar sepse një stomatolog i mirë mund ta shpëtojë një shoqëri ose familje duke investuar në shëndetin oral”, thotë Kqiku në këtë intervistë për KultPlus. Por ajo që atë e bënë kaq modeste, nuk janë vetëm sukseset e saj të arritura, por është pikërisht puna e saj e përkushtuar, e sinqertë dhe shpirti i saj që asnjëherë nuk është ndalur drejt arritjes së synimeve të menduara në jetë.

Pozitat në Perëndim ajo i konsideron si aspak privilegje por përkundrazi, për të janë një përgjegjësi tejet e lartë profesionale. Por me përgjegjësitë e shumta ajo është përball gjithmonë duke reflektuar përherë zotësi dhe dije në të gjitha fushat profesionale. Një nga motot e saj që akoma e përdorë edhe sot është “Jetoj për sot për të qenë e sigurt nesër”, dhe kjo si duket e ka shtyrë Kqikun që të jetë një studiuese e “ashpër” por në të njëjtën kohë edhe delikate, për arsye që në Perëndim dhe realisht, kudo ku ka vlera e cilësi, është konsideruar problematike, marrja me këto dy veprimtari. Por në fund të fundit, shkenca dhe mjekësia, për Kqikun thjesht janë dy copëza që ajo i përjeton, i do dhe i ndjen thellë në shpirt.

Doktoresha dhe profesoresha Lumnije Kqiku është njashtu edhe gruaja e parë nga Kosova dhe Shqipëria që në vitin 2011 ka hyrë në librin enciklopedik më prestigjioz në botë, siç është “Who´s Who in the World”. Ajo është shprehur se ky sukses është arritur nëpërmjet punës së saj, angazhimit të madh që e ka bërë ndër vite si eksperte dhe studiuese në fushën e Stomatologjisë e jo vetëm.

“Është një revistë prestigjioze që nderon dhe respekton personalitete kudo në botë dhe isha me fat që edhe unë isha njëra ndër të përzgjedhurat. Janë meritat ato që më kanë renditur në këtë revistë prestigjioze dhe sigurisht që nuk jam imponuar aspak, por përzgjedhja është bërë në bazë të kritereve të tyre”, thotë Kqiku.

Ndërsa kur ndalemi tek viti i kaluar, atëherë Kqiku ka treguar edhe disa nga momentet më të bukura si dhe ato të vështirat, që i ka hasur përgjatë 2022-tës.

“Nuk e mendoj se ka vit të mirë ose të keq, ka vit me detaje dhe specifika për punën tonë. Megjithatë ishte koha e pandemisë ajo që na bllokoi shumë dëshira dhe realisht kam kujtime të mira në afirmimin e shkencës kosovare në perëndim dhe angazhimi im si këshilltare e ish-ministrit të Shëndetësisë, Prof. Dr. Rifat Latifit. Aty u munduam të japim kontributin tonë profesional, por Kosova është ende larg këtij caku. Duke se kuadrot e mira nuk po çmohen sa duhet”, shpalos ajo.

Si ligjëruese e lartë për studentët e Mjekësisë së Përgjithshme, Stomatologjisë dhe studimeve postdiplomike në Austri, natyrisht që në punën e saj hasen edhe sfida nga më të ndryshmet me të cilat përballet në përditshmëri, por ajo punën ekipore e cilëson të lartë.

“Të jesh ligjëruese dhe udhëheqëse e departamenteve mjekësore në Austri me një staf të përkushtuar e profesional normalisht që është pozitë me përgjegjësi, por mua më ndihmon shumë përvoja dhe gjërat i bëj me pedanteri. Asnjë punë që duhet ta kryej sot nuk e lë për nesër dhe kjo më ka dhënë pastaj energji për orientime tjera. Sfidat janë të shumta sepse këtu kërkohet precizitet dhe dashuri ndaj profesionit”, tregon Kqiku e cila më tutje shprehet se puna ekipore atje është e njohur shumë, edhe pse natyrisht që secili e ka pjesën e vetë të përgjegjësisë.

Së fundmi doktoresha dhe profesoresha Kqiku ka fituar çmimin “Udhëheqja përmes Shembullit” nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës në Kongresin e Dytë Klinikë, të mbajtur në Prishtinë në muajin shtator. Ky çmim për të mban një vlerë tejet të madhe.

“Prej shumë çmimeve që kam fituar në arenën ndërkombëtare, çmimi që kam marr “Udhëheqja përmes Shembullit”, nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës në Kongresin e Dytë Klinikë, është çmimi jo vetëm më i rëndësishëm, dhe i veçantë, por më domethënësi në karrierën time shkencore. Dhe më e rëndësishmja është se çmimi më është dhënë nga vendi ku jam lindur dhe rritur, dhe nga një personalitet me renome botërore në fushën e shkencës siç është Prof. Dr. Rifat Latifi”, thotë Kqiku.

Kushtet tashmë janë të dijshme në Kosovë dhe ajo e ka cilësuar nivelin e arsimit si diçka që lë shumë për të dëshiruar, por ajo mban shpresa të mëdha që Kosova të zhvillohet akoma më shumë, e në veçanti që edhe Fakulteti i Stomatologjisë të jetë një nga fakultetet më të njohura jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

“Unë jam produkt i Universitetit të Prishtinës, përkatësisht kam përfunduar fakultetin e Stomatologjisë, dhe mburrem me këtë gjë. Por, karrierën time shkencore e kam zhvilluar në Austri-Grac. Do të doja shumë që Kosovën, vendin tim ta shoh të zhvilluar shkenctarisht siç janë vendet në zhvillim. Arsimi në Kosovë lë për të dëshiruar, por shpresoj se shumë shpejtë do të bëhen reforma të mëdha në të mirë të zhvillimit të shkencës. Pres që edhe fakulteti i Stomatologjisë të jetë në një fakultetet më të njohura jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë”, shpalos ajo.

Ndërkaq, krejt në fund, doktoresha dhe profesoresha Kqiku ka treguar edhe disa nga planet e saj që mund t’i presim këtë vit nga ajo.

“Planet e mija për këtë vit, si zakonisht janë hulumtimet shkencore, pjesëmarrja në Konferenca, Simpoziume dhe Kongrese me renome botërore ku në epiqendër janë punimet shkencore me metodat më të avancuara të kohës. Po ashtu, janë edhe detyrat dhe titujt që më janë besuar t’i zhvillojë dhe realizoj në mënyrën më profesionale të mundur dhe të jem në shërbim të studentëve dhe pacientëve të mi, që për mua janë të shenjtë”, përfundon Kqiku duke shtuar se plani tjetër që vlen edhe për vitet në vazhdim, është bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, ku ajo do të punojë në vazhdimësi me këta partnerë, me ç’rast edhe është duke u diskutuar për shumë projekte të rëndësishme të cilat do të bëhen publike me kohë. / KultPlus.com

Qerim Qerimi zgjidhet rektor i UP “Hasan Prishtina”

Me vota të fshehta, Qerim Qerimi, kandidat nga Fakulteti Juridik, është zgjedhur rektor i ri i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Qerimi para votimit si rektor tha se synim do ta kenë edhe rishikimin e Statutit dhe bashkëpunimin me studentët.

Ai më tej tha se rastet e plagjiaturave mund t’i zgjidhin përmes ndërhyrjes së profesorëve ndërkombëtarë.

Për këtë pozitë kishin aplikuar: Sefer Avdijaj nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN), But Dedaj nga Fakulteti Ekonomik, Ermir Rugova nga FSHMN-ja, Qerim Qerimi nga Fakulteti Juridik, Sali Salihu nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Ilir Tolaj nga Fakulteti i Mjekësisë, raporton Ekonomia Online.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës kishte emëruar si ushtruese të detyrës së rektorit Luljeta Plakolli-Kasumin, profesoreshë në Fakultetin Juridik.

Konkursi ishte shpallur pasi më 21 tetor 2022 ish-rektori Naser Sahiti ishte shkarkuar nga Këshilli Drejtues i UP-së, me arsyetimin se kishte treguar performancë të dobët dhe mospërmbushje të detyrave të menaxhmentit të lartë sipas përcaktimeve të ligjeve dhe Statutit në fuqi.

Qerimi ka arritur që të marrë besimin e gjashtë prej nëntë anëtarëve të Këshillit.

Sefer Avdiaj, Ermire Rugova dhe But Dedaj kanë marrë nga një votë nga Këshilli Drejtues i UP-së.

Qerimi do të ketë mandat të përgjysmuar. /Zeri / KultPlus.com

UP-ja “zgjohet” me parulla në mure: “Fole e plagjiatorëve”

Mbrëmjen e së enjtes një grup i studentëve aktivistë ka vendosur parulla në objektet e Universitetit të Prishtinës, siç thonë ata, kundër plagjiaturës së profesorëve.

Në komuniktën për media bëhet e ditur se në objektin e Fakultetit Filozofik është vendosur parulla: “Këtu ka plagjiatorë”, ndërsa në objektet tjera “UP – Fole e plagjiatorëve” si reagim ndaj mosndëshkimit të plagjiaturës.

“Plagjiatura është hajni dhe është e papranueshme për ne”, thuhet në njoftimin për media derisa bashkëlidhur janë edhe disa foto të këtij aksioni./KultPlus.com

UP-ja promovon 15 doktorë të shkencave

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” sot ka mbajtur ceremoninë solemne të promovimit të 15 doktorëve të rinj të shkencave. Të promovuarit janë nga fakultetet: Filozofik, i Shkencave Matematike Natyrore, i Mjekësisë dhe i Edukimit.

Rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, në hapje të kësaj ceremonie, tha që është kënaqësi dhe nder i veçantë të bëjë promovimin solemn të doktorëve të rinj të shkencave. Ai, duke iu referuar konkursit në proces për studentë të rinj të doktoratës në UP, shtoi që përderisa këta kandidatë po promovohen në këtë thirrje të lartë akademike, kandidatët e tjerë janë duke iu nënshtruar vlerësimit për ta filluar këtë rrugëtim në UP. Sahiti ka uruar doktorët e rinj për këtë sukses dhe shtoi që ata do të jenë vlerë e shtuar për vendin.

Ndërkaq, ishin dekanët e fakulteteve përkatëse ata të cilët treguan për biografinë e kandidatëve, ndërsa promotorët folën për punimet me të cilat kandidatët u avancuan.

Kandidatët e shpallur doktorë shkence janë:

Nga Fakulteti Filozofik

1.       Avdyl Gashi

2.      Muhabere Maliqi

3.      Dardan Lajçi

4.      Mrika Limani

5.      Mentor Hasani

Nga Fakulteti i Shkencave Matematike Natyrore

1.      Malësore Pllana

2.      Veton Haziri

3.      Vjollca Krasniqi

Nga Fakulteti i Mjekësisë

1.      Mirlinda Sopi-Krasniqi

2.      Hajdin Çitaku

Nga Fakulteti i Edukimit

1.      Rajmonda Kurshumlia

2.      Zamira Gashi-Shatri

3.      Lirika Bërdynaj

4.      Mimoza Kamberi

5.      Elmendina Nikoçeviq-Kurti.

Në këtë ceremoni promovimi, që u mbajt në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, të pranishëm ishin edhe profesorë, familjarët e kandidatëve të promovuar dhe mysafirë të tjerë. / KultPlus.com

Driton Kuka nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” nga UP (VIDEO)

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka marrë titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ceremonia e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa” është mbajtur të enjten në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare të Kosovës.

Seleksionuesi i Kosovës në xhudo i është ndarë titulli i nderit për kontributin e dhënë në fushën e sportit dhe në njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Nën udhëheqjen e trajnerit më të mirë të xhudos për vitin 2021, Kosova fitoi tri medalje të arta, me Majlinda Kelmendin, Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën. / KultPlus.com

Nagavci e shqetësuar për rastet e plagjiaturës nga ana e personelit akademik të UP-së

Ministrja e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbëria Nagavci ka shprehur sot shqetësimin e saj pasi ka pranuar njoftime për verifikim të rasteve të plagjiaturës nga ana e personelit akademik të Universitetit të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Sipas Nagavcit, plagjiatura konsiderohet si forma më e rëndë e shkeljes së etikës akademike dhe se trajtimi i denoncimeve për plagjiaturë nga organet përkatëse të institucioneve akademike është sfidues, andaj ka kërkuar që këto raste të merren në shqyrtim nga Këshilli i Etikës së UP-së.

Ky është reagimi i plotë i Nagavcit:

Ndonëse plagjiatura konsiderohet si forma më e rëndë e shkeljes së etikës akademike, jam e vetëdijshme se trajtimi i denoncimeve për plagjiaturë nga organet përkatëse të institucioneve akademike është sfidues.

Mirëpres shqyrtimin e rasteve nga Këshilli i Etikës të UP, por konsideroj se masat e shqiptuara të pezullimit nga mentorimi i punimeve të diplomës nuk janë adekuate, sepse nuk shpërfaqin gjykimin shoqëror në raport me praktikat e tilla brenda komunitetit akademik dhe nuk i dekurajojnë ato.

Andaj pres nga organet përgjegjëse të Universitetit që t’i rishikojnë masat e shqiptuara nga Këshilli i Etikës, duke siguruar respektimin e standardeve të ndershmërisë akademike brenda institucionit.

Si Ministre e Arsimit do t’i drejtohem Këshillit Drejtues të UP-së me kërkesë që të gjitha organet e universitetit t’i trajtojnë me seriozitet këto dhe rastet e ngjajshme.

Me Projektligjin e ri për arsimin e lartë, i cili së shpejti do të jetë në diskutim publik kemi paraparë masa të veçanta për parandalimin e të gjitha formave të cenimit të integritetit akademik, përmes formimit të Komitetit Etik në nivelin qendror, si dhe obligimit që të gjitha institucionet e arsimit të lartë të kenë këshilla të etikës.

Po ashtu, Projektligji parasheh një afat të arsyeshëm brenda të cilit i gjithë personeli akademik duhet të jetë në gjendje t’i arsyetojë thirrjet akademike, në pajtim me standardet e përcaktuara me ligj.

Gjendjen në Universitetin e Prishtinës nuk e kemi të mirë dhe kjo është evidentuar së fundmi edhe në ranglistën prestigjioze “Webometrics”, sipas të cilës vazhdon rënia e UP-së në rangim. Kjo është e papranueshme dhe s’mund të vazhdojë. Urgjentisht duhet të bëjmë ndryshime që të përmirësojmë këtë gjendje.

Stafi akademik duhet të jenë persona me integritet e kredibilitet të lartë profesional e personal. Andaj dhe angazhimi ynë për të përmirësuar këtë gjendje do të jetë këmbëngulës e pa hezitim./ KultPlus.com

UP-ja nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal

Me qëllim të krijimit, zhvillimit dhe forcimit të bashkëpunimit të dyanshëm në fushën e avancimit rajonal, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

Marrëveshja e nënshkruar nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, vë në fokus aspektet dhe fushat e ndryshme të bashkëpunimit, si dhe koordinimin ndërinstitucional të aktiviteteve për arritje të objektivave të përbashkëta.

Bashkëpunimi i të dyja institucioneve, i bazuar në këtë marrëveshje, prioritizon promovimin e një rritjeje të balancuar socio-ekonomike rajonale në Kosovë, në përputhje me objektivat e UP-së dhe MZHR-së.

Marrëveshja parasheh edhe zbatimin e projekteve për zhvillim rajonal, përmes mekanizmave të ndryshëm, siç janë: trajnimet, grupet punuese, hulumtimet, seminaret, punëtoritë dhe vizita të përbashkëta studimore. / KultPlus.com

Universiteti i Prishtinës dhe Komuna e Gjakovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u nënshkrua sot marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet UP-së dhe Komunës së Gjakovës.

Marrëveshja u nënshkrua nga prijësit e të dyja institucioneve, rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Në fjalën e tij, rektori Sahiti tha se ky është memorandumi i tretë që UP-ja po e arrin me komunat e Kosovës dhe se përmes marrëveshjeve të nënshkruara së fundmi, institucioni që ai udhëheq po punon edhe më tej për avancimin tutje të veprimtarive shërbyese ndaj komunitetit.

“Kemi studentë nga Gjakova, të cilët është e rëndësishme të kryejnë praktika nëpër institucione të ndryshme, dhe ndërkohë edhe ju si komunë, por edhe studentët, do të përfitojnë nga ky partneritet. Mirëpo, interesi i këtij bashkëpunimi do të jetë edhe në kryerjen e analizave të ndryshme, studimeve apo dokumenteve, të cilat mund të shërbejë si ekspertizë për të dyja institucionet”, ka deklaruar rektori.

Këtë memorandum e mirëpriti edhe kryetari Gjini, teksa theksoi se e vlerëson lart profesionalizmin e UP-së.

“Jemi shumë të lumtur që po e firmosim një bashkëpunim të tillë me Universitetin e Prishtinës, sepse jam i bindur se implementimi i kësaj marrëveshjeje do të ndikojë në thellimin e bashkëpunimit dhe ngritjen e performancës për të dyja palët nënshkruese”, tha Gjini.

Ujdia e arritur parasheh hartimin dhe zbatimin e përbashkët të projekteve, organizimin e forumeve profesionale në fushat relevante për palët, realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët, harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojat e tregut të punës si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore. / KultPlus.com

Shoqëria civile kërkon vetting në arsim dhe përjashtimin e plagjiatorëve nga UP

35 organizata të shoqërisë civile në Kosovë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për situatën në Universitetin e Prishtinës.

Në këtë deklaratë thuhet se “procesi i fundit i zgjedhjes së anëtarëve jokredibilë në Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës është vetëm një pjesë e shpërfaqjes së përmbajtjes jocilësore të institucioneve publike të arsimit të lartë në vend”.

Këto organizata kanë kërkuar vetting në arsim përmes projektligjit për Arsimin e Lartë që aktualisht është në procedurat e Kuvendit dhe përjashtimin e plagjiatorëve nga Universiteti i Prishtinës.

“Ne organizatat nënshkruese të kësaj deklarate, i bëjmë thirrje Qeverisë që të shfrytëzojë mundësinë përmes projektligjit për Arsimin e Lartë i cili tashmë është në procedura të miratimit dhe të ndërtojë mekanizma kontrolli për integritetin akademik, verifikimin e kredencialeve akademike dhe rritjen e rigorozitetit të rregullave për marrjen e titujve akademike e gradave shkencore”, thuhet në komunikatë.

DEKLARATA E PËRBASHKËT E SHOQËRISË CIVILE PËR SITUATËN NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS:

Procesi i fundit i zgjedhjes së anëtarëve jokredibilë në Këshillin Drejtues të Universitetin e Prishtinës është vetëm një pjesë e shpërfaqjes së përmbajtjes jocilësore të institucioneve publike të arsimit të lartë në vend.

Tash e dy dekada angazhim dhe përpjekje të strukturuara nga organizatat e shoqërisë civile për universitete publike, si dhe angazhimi i përgjithshëm i që pasluftës i të gjitha organizatave, nismave, organizimeve të shoqërisë civile dhe sektorëve të tjerë, po tregohen të padobishme për shkak të një numri dominues të stafit akademik pa kredenciale akademike. Procesi i fundit zgjedhor në Universitetit e Prishtinës ishte në njërën anë manifestim i një situate brenda UP-së ku grupet e brendshme të interesit po kontrollojnë proceset, dhe në anën tjetër alarm për gjithë shoqërinë që gjendja brenda këtyre institucioneve duhet të ndryshojë rrënjësisht.

Në një proces zgjedhor ku senatorë të UP-së mund të jenë dhe janë: plagjiatorë tashmë të shpallur edhe nga Këshilli i Etikës, apo persona pa kredenciale akademike, persona pa integritet për pozitat që i mbajnë, nuk ka asnjë mundësi që rezultati i vet atij procesi të prodhojë një kualitet tjetër. Rrjedhimisht, përzgjedhja në Këshillin Drejtues e të personave me probleme të theksuara të integritetit akademik, e dëshmon në mënyrë të qartë se institucioni ka probleme serioze me cilësinë dhe integritetin akademik, dy nocione themelore në saje të së cilave ekziston universiteti.

Edhe pas kaq vitesh rezistencë për universitet cilësor nga akterët e ndryshëm të kësaj shoqërie, gjithnjë ekziston tendenca, jo që proceset progresive të kthehen në pikën zero, por që këto procese të degradojnë në shkallë të paimagjinueshme.

Në këto rrethana, verifikimi i kredencialeve akademike me theks – tezave të doktoraturës dhe punimeve shkencore, është bërë domosdoshmëri. Është koha që institucionet e shtetit të fillojnë një proces kombëtar të verifikimit të kredencialeve akademike me qëllim pastrimin e strukturës së stafit akademik ashtuqë situata si të ditëve të fundit të mos jenë të mundura më.

Ne organizatat nënshkruese të kësaj deklarate, i bëjmë thirrje Qeverisë që të shfrytëzojë mundësinë përmes projektligjit për Arsimin e Lartë i cili tashmë është në procedura të miratimit dhe të ndërtojë mekanizma kontrolli për integritetin akademik, verifikimin e kredencialeve akademike dhe rritjen e rigorozitetit të rregullave për marrjen e titujve akademike e gradave shkencore.

Ne organizatat nënshkruese të kësaj deklarate, i shprehim universitetit zhgënjimin tonë të thellë që edhe në rastet kur nga vet organet e tij verifikohet plagjiatura e personave të caktuar, dënimet janë vetëm simbolike dhe në shpërputhje me praktikat globale. Prandaj, i thërrasim Universitetit të Prishtinës dhe institucioneve tjera relevante të Arsimit të Kosovë që plagjiatura të lihet jashtë cilitdo institucion kur verifikohet ajo.

  1. ORCA
  2. Arben Hajrullahu
  3. ANIBAR
  4. Balkan Art Zone
  5. CEL Kosova
  6. Center for Political Courage – CPC
  7. Community Development Fund – KCDF
  8. DardanaPress
  9. DokuFest
  10. EC Ma Ndryshe
  11. Iniciativa për Histori Gojore
  12. Instituti për Liri dhe Drejtësi
  13. Instituti GAP
  14. Junior Chamber International Prizren (JCI-Prizren)
  15. Kino ARMATA
  16. Kosovo Civil Society Foundation – KCSF
  17. Lëvizja Fol
  18. OJQ Admovere
  19. OJQ Syri i Vizionit
  20. OJQ Toka
  21. OJQ Zana
  22. Organizata Center for Education and Training Prizren – CETPrizren
  23. Organizata CIPOF/Childproof
  24. Organizata Çohu
  25. Organizata EcoZ
  26. Organizata Etea
  27. Organizata Germin
  28. Programi për të Drejtat Civile në Kosovë (CRP/K)
  29. Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
  30. Qendra për Arsim e Kosovës – KEC
  31. Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë në Kosovë – AËESK
  32. Shkelzen Gashi
  33. Shoqata Afariste e Gruas She-ERA
  34. Shoqata e Intelektualëve të Pavarur në Deçan
  35. Youth Initiative for Human Rights – Kosovo. / KultPlus.com

Reagon menaxhmenti i UP-së për emërimin e pesë anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së

Pas emërimit të pesë anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së: Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi, Azem Hajdari, Arian Krasniqi dhe Naser Kabashi, pati reagime të shumëta. Për këtë rast ka reaguar sot menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasa Prishtina”.

KultPlus ju sjell reagimin e plotë:

Pas shqetësimit të madh në opinion dhe interesimit të vazhdueshëm nga ana e medieve lidhur me procesin e zgjedhjes së pesë anëtarëve të Këshillit Drejtues nga ana e Senatit, menaxhmenti i Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” njofton opinionin si vijon:

Procesi zgjedhor, në aspektin teknik, është zhvilluar sipas procedurave. Kontestimet fillestare janë ngritur në aspektin e të drejtës së senatorëve studentë, të cilët duhet të jenë pjesë e këtij votimi, përkatësisht nëse pjesë e këtij procesi duhet të jenë senatorët studentë të cilët kanë mandat deri më 30 shtator, apo senatorët studentë të cilët e kanë shumicën në Parlamentin e ri të dalë nga zgjedhjet studentore të organizuara këtë muaj. Bazuar në interpretimin e U.D. Sekretarit, person përgjegjës për interpretimin e rregullores së Këshillit Drejtues për zgjedhjet studentore, në proces të votimit duhet të marrin pjesë studentët e deleguar nga Parlamenti i ri Studentor.

Ekziston bindje e thellë në opinion dhe në mesin e njohësve të proceseve të tilla, që legaliteti i senatorëve studentë pjesëmarrës në votim është i kontestueshëm. Menaxhmenti i UP-së, ka kërkuar para mbajtjes së zgjedhjeve, një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit Drejtues për funksionalizimin e komisionit statutar me qëllim të interpretimit meritor të situatës së krijuar. Menaxhmenti i UP-së po ashtu, një ditë para organizimit të zgjedhjeve, ka ftuar një takim të jashtëzakonshëm të Senatit për ta diskutuar këtë çështje, edhe pse Senati nuk është instancë kompetente për dhënien e një interpretimi përkatës. Në pamundësi të takimit të Këshillit Drejtues, rrjedhimisht në mungesë të interpretimit nga ana e komisionit statutar, zgjedhjet për anëtar të rinj të Këshillit Drejtues janë organizuar bazuar në interpretimin e U.D. Sekretarit.

Nga procesi zgjedhor ka rezultuar një përbërje e KD-së e cila ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik lidhur me integritetin dhe kredencialet akademike të një pjesë të kandidatëve të zgjedhur, por po ashtu edhe për faktin e një përfaqësim jo adekuat gjinor. Menaxhmenti i UP-së siguron opinionin publik se në raport me të drejtën e votimit të senatorëve studentë është tërësisht neutral dhe do të bashkëpunoj me të gjitha palët dhe autoritetet kompetente për adresimin e kësaj situate. / KultPlus.com

“Nata e diskutimit dhe filmit në UP”, synohet frymëzimi dhe mendimi kritik tek të rinjtë

Nesër nga ora 4 në hapësirat e Universitetit të Prishtinës do të mbahet nata e filmit, do të shfaqet filmi “Hidden Figures” dhe do të mbahet diskutim rreth tij.

Nata e Diskutimit dhe Filmit synon të shpërfaq rëndësinë e situatave shembullore në historinë e arsimit. Folësi në këtë event, Avni Mustafa – drejtor pranë Roma Versitas Kosova, do të tregojë se si individët mund të arrijnë ndryshime shoqërore duke tejkaluar sfidat e përditshme. Për më tepër, përmes këtij aktiviteti synohet të frymëzohen dhe inkurajohet reflektimi dhe mendimi kritik tek të rinjtë në Kosovë.

“Hidden Figures” është një film i bazuar në një histori të vërtetë, i cili trajton çështjet e ndarjes racore. Ai trajton gjithashtu diskriminimin gjinor dhe tregon se si këto super-gratë ishin në gjendje të balancojnë jetën e tyre familjare me punët e tyre të vështira. Në fund të fundit, ky film pasqyron rëndësinë e vendosmërisë, punës së palodhur dhe qëndrueshmërisë! / KultPlus.com

Ekipi i UP-së renditët i pari në garën për siguri kibernetike të organizuar me partnerët nga Iowa

Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është mbajtur gara për siguri kibernetike, si fryt i bashkëpunimit të Kosovës me Iowa-në, SHBA, gjegjësisht i Forcës së Sigurisë së Kosovës me Gardën Kombëtare Ajrore nga Iowa.

Ekipi i studentëve të FIEK-ut me emërtimin garues “Runtime TERROR” është renditur në vendin e parë duke lënë prapa një ekip nga SHBA-ja për gati 120 pikë. Për më shumë, një ekip tjetër i studentëve nga FIEK-u me emërtimin “It’s not a bug, it’s a feature”, është renditur në vendin e tretë të kompeticionit.

Organizimin e kësaj ngjarje e përshëndeti rektori, prof. dr. Naser Sahiti. “Nismat e tilla të cilat e kanë studentin në qendër, janë vitale për UP-në. Njëherësh, fakti që në këtë kompeticion marrin pjesë edhe studentët e Universitetit Shtetëror të Iowa-s, na ndihmon edhe në vetë-evaliumin e punës sonë në fushën e rëndësishme të sigurisë kibernetike”, tha Rektori.

E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, e cila përgëzoi studentët për suksesin e treguar.

Kjo është e gara e parë e llojit të tillë në Kosovë, ku pjesëmarrëse ishin 12 ekipe (me rolin mbrojtës të njohur si “blue teams”) nga institucione të ndryshme arsimore (universitete, kolegje dhe shkolla të nivelit të pestë të studimeve) në vend. Ekipet garuese kanë punuar në mbrojtën e resurseve digjitale (si: server, kompjuter, shërbime në internet, etj.) nga “sulmuesit” (red teams) që janë nga shteti i Iowa-s.  Për më shumë,  një ekip monitorues “White team” nga Iowa ka qenë i pranishëm në Kosovë dhe së bashku me pjesëtarët e FSK-së kanë monitoruar garën gjatë tërë kohës.

Grupet garuese të studentëve të FIEK-ut kanë garuar në përgatitje dhe mbështetje të prof. Blerim Rexha dhe ekipit të tij.

Rezultatet e garës mund të shikohen në këtë vegëz: https://iscore.iseage.org/, ndërsa skenari, rregullat e garës, resurset në përdorim, dhe informacione tjera të rëndësishme për ekipet pjesëmarrëse në lidhje me ushtrimin janë të paraqitura në vegzën në vijim: https://shorturl.at/gwyO3

Reagon UP pas sulmit fizik ndaj profesoreshës Pupovci: Aktet e tilla janë sjellje të papranueshme dhe të dënueshme

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për sulmin fizik ndaj profesoreshës së Fakultetit të Mjekësisë në UP, Hatixhe Latifi Pupovci.

“Aktet e tilla janë sjellje të papranueshme dhe të dënueshme, e të njëjtat cenojnë rëndë misionin e UP-së të lidhur me krijimin dhe zhvillimin e shoqërisë tolerante dhe dhënien e ndihmesës në procesin e promovimit të demokracisë qytetare”, shprehen nga UP-ja.

Me këtë rast, UP-ja u bënë thirrje organeve kompetente që aktin në fjalë ta trajtojnë me urgjencë dhe ndaj sulmuesit të shqiptojnë masën adekuate ligjore. UP-ja thekson gatishmërinë që të bashkëpunojë ngushtë më organet përkatëse, për të mundësuar zbardhjen e rrethanave dhe trajtimin e rastit në tërësi. / KultPlus.com

UP-ja dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Qëllimi i marrëveshjes së nënshkruar nga rektori i UP-së, Naser Sahiti dhe ministri, Liburn Aliu, është përcaktimi i kornizave të bashkëpunimit institucional në fushat me interes të përbashkët.

Përmes këtij bashkëpunimi, rektori Sahiti potencoi që UP-ja dhe Ministria mund të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, si në: hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta; organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale në fushat relevante për palët; realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët; harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojat e tregut të punës dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore.

“Bashkëpunimi i UP-së me Ministrinë mund të shtrihet edhe në kuadër të bordeve industriale që i kemi në fakultete, sidomos në drejtimet aplikative, ku mund të përfshihen edhe përfaqësues të Ministrisë, për të shkëmbyer përvoja dhe të kontribuojmë në mënyrë reciproke,” ka thënë rektori Sahiti.

Në anën tjetër, ministri Aliu theksoi se një marrëveshje e tillë është e domosdoshme për përmbushjen e objektivave të të dyja institucioneve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale. Ai shtoi që Ministria do të vlerësonte në veçanti bashkëpunimin në nivel të ekspertizave nga ana e UP-së, ku nevoja për një autoritet profesional është shumë e shprehur.

Nënshkrimi i marrëveshjes zyrtarizon zotimin e të dyja palëve drejt implementimit të aktiviteteve të përbashkëta. / KultPlus.com