Kur gazeta Rilindja kishte për titull në ballinë: Universiteti në Prishtinë do të japë dritë, shkencë e kulturë (FOTO)

Asistenti i Universitetit të Prishtinës, Durim Abdullahu ka ndarë disa fotografi mjaft interesante me rastin e 52 vjetorit të Universitetit të Prishtinës, përcjell KultPlus.

Në Dekretin për shpalljen e ligjës për themelimin e Universitetit të Prishtinës, të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969, neni 3 thoshte “Universiteti në Prishtinë do të fillojë punën jo më vonë se më 15 shkurt 1970.”

“Më 15 shkurt 1970, duke nisur nga ora 10:00, Kuvendi Krahinor i Kosovës mbajti mbledhjen solemne të themelimit të Universitetit të Prishtinës”, ka shkruar Abdullahu në rrjetet sociale.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

52 vjetori i Universitetit të Prishtinës

Më 13 shkurt 1970, u mblodh Kuvendi i Parë i Universitetit të Prishtinës, ku u zgjodhën organet drejtuese: rektori, prorektorët dhe 29 anëtarët e Pleqësisë. Rektor u zgjodh Dervish Rozhaja, kurse prorektorë: Bozhidar Jovanoviq dhe Minir Dushi. Rektori dhe prorektorët ishin automatikisht edhe anëtarë të Pleqësisë. Dy ditë më pas, Universiteti i Prishtinës do të themelohej edhe solemnisht.

Më 15 shkurt 1970, duke nisur nga ora 10:00, Kuvendi Krahinor i Kosovës mbajti mbledhjen solemne të themelimit të Universitetit të Prishtinës. Në foltoren me tetë mikrofona, u mbajtën 13 fjalime, ndër të cilët nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Dervish Rozhaja, Rektori i Universitetit të Beogradit, Dragisha Ivanoviq, Rektori i Universitetit të Lublanës, Roman Modiq, Rektori i Universitetit të Zagrebit, Ivan Supek, Rektori i Universitetit të Sarejevës, Hamdija Çemerniq, Rektori i Universitetit të Shkupit, Kiril Penushlinski etj.

Në Dekretin për shpalljen e ligjës për themelimin e Universitetit të Prishtinës, të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969, neni 3 thoshte “Universiteti në Prishtinë do të fillojë punën jo më vonë se më 15 shkurt 1970”. Të nesërmen, gazeta Rilindja kishte për titull në ballinë: “Universiteti në Prishtinë do të japë dritë, shkencë e kulturë”. / KultPlus.com

52 vjetori i Universitetit të Prishtinës

Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh në Kosovë dhe njëri nga më të mëdhenjtë në rajon, shkruan KultPlus.

UP u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969.

Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar.

Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë , më 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Ditë e Universitetit të Prishtinës. / KultPlus.com

Paraqitja e provimeve për studentët e UP-së do të bëhet pa pagesë

Paraqitja e provimeve do të bëhet pa pagesë për studentët e Universitetit të Prishtinës.

Këtë e kanë bërë të ditur në një njoftim për media, Lëvizja Studentore për Barazi, “Studim, Kritikë, Veprim”.

“Më 15 nëntor, SKV ka dorëzuar në MAShTI kërkesën për heqjen e pagesave për ata që paraqesin provimet për herë të dytë e tutje. Sot, kemi marrë konfirmimin se këto pagesa janë larguar. Ky është një lajm tjetër i mirë për studentët duke i ofruar atyre mundësi të barabarta për t’iu nënshtruar provimeve dhe duke lehtësuar procedurat e tjera administrative”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

PARAQITJA E PROVIMEVE BËHET PA PAGESË

Më 15 nëntor, SKV ka dorëzuar në MAShTI kërkesën për heqjen e pagesave për ata që paraqesin provimet për herë të dytë e tutje.

Sot, kemi marrë konfirmimin se këto pagesa janë larguar. Ky është një lajm tjetër i mirë për studentët duke i ofruar atyre mundësi të barabarta për t’iu nënshtruar provimeve dhe duke lehtësuar procedurat e tjera administrative.

Gjatë ditës keni parë një komunikatë të Parlamentit Studentor (UDS-OPS-Paqja Studentore-USPE) në të cilën thuhet se: “Në këtë takim u shtruan ankesat dhe pakënaqësitë e studentëve ndaj këtij vendimi për znj. Nagavci, ku u njoftuam që pjesa ku përcaktohen pagesat për provime do të ndryshohet. Me plotësimet e reja parashihet që paraqitja e provimeve të jetë falas deri në tri herë”.

SKV mund të konfirmoj se ky është një keqinformim nga ana e tyre sepse pagesat janë larguar tërësisht sipas kërkesës sonë dhe jo vetëm deri në tri herë siç pretendojnë ata.

Tendencat e tilla për të përvetësuar kauzën tonë të kahmotshme janë tejet të ulëta. Të dashur kolegë studentë, ju kujtojmë se po me kërkesën tonë janë larguar edhe pagesat për regjistrimin e semestrit duke filluar nga ky vit akademik./KultPlus.com

Si e ndau një mollë, Ibrahim Rugova

Ahmet Selmani

Në vitin e largët 1989, kur isha student në Universitetin e Prishtinës, duke u solidarizuar me minatorët e Trepçës që ishin hedhur në grevë për të mbrojtur autonominë e Kosovës, ne ishim mbledhur në palestrën e sporteve mbi mensën e studentëve. Bashkë me ne, ia behnin edhe shumë profesorë universitarë, studiues, shkrimtarë, intelektualë etj. Në mesin e tyre më pat rënë në sy edhe dr. Ibrahim Rugova, i cili u afrua pranë një grupi studentësh prej 11 vetash, në mesin e të cilëve kisha rastisur edhe unë. Ngaqë nuk kishte vend për të gjithë, ne ishim ulur në parket. Po ashtu, edhe ai u ul këmbëkryq në mes nesh.

Ajo që më bënte përshtypje, ishin cigaret që i ndizte njërën pas tjetrës, qetësia engjëllore e tij, biseda e ngrohtë, modestia e pakundshok. Fliste pa asnjë eufori, por me një urtësi të rrallë. Teksa qëndronte me ne, në një çast më ra në sy se dikush u shpërndante mollë studentëve. Mirëpo, kur u afrua te ne, fatkeqësisht i mbeti vetëm një kokërr. Duke shprehur keqardhje që s’kishte për të gjithë ne, mollën e vetme ia zgjati dr. Ibrahim Rugovës, mbase në shenjë respekti si më i vjetër që ishte. Dhe ai e mori me një qetësi të mistershme duke e ngushëlluar atë që të mos mërzitej fare se do ta ndante bashkë me ne. Të them të drejtën, në fillim e mora si një shaka të tij. Por, pasi e përfundoi bisedën që e kishte nisur, ktheu kokën mbrapa dhe i numëroi sa veta ishim gjithsej përreth tij. Dhe, me gishtat e tij të gjatë e të ashpër e çau mollën përgjysmë. Pastaj ato i ndau në 11 pjesë të vogla dhe të gjithëve na e zgjati nga një copë. Më të voglën e mbajti për vete.

Kështu 11 studentë, si dhe dr. Ibrahim Rugova arritëm ta hanim një kokërr molle. E pabesueshme, por e vërtetë.Kështu u ngulit në kujtesën time ky njeri i jashtëzakonshëm. Dhe më vonë, kur u bë prijës i shqiptarëve të Kosovës, gjithnjë më binte ndër mend ndarja e mollës. Dhe thoja vetmevete: Ky njeri, një kokërr molle e ndan me gjithë Kosovën, e jo më me 11 veta sa ishim ne studentët afër tij. Këtë e dëshmoi deri në frymën e fundit, ai vetëm i dha Kosovës, nuk i mori asgjë./ KultPlus.com

Fotografi që nuk kanë humbur, nga protesta studentore e 1 tetorit 1997 (FOTO)

Protestat e 1 tetorit të vitit 1997 kanë luajtur rol të madh në atë se si sot është formuar shoqëria kosovare. Kanë kaluar 24-të vite qëkur studentët e Universitetit Paralel asokohe të Prishtinës protestuan për të drejtat e tyre, dhe për të drejtat e njeriut kosovar në Kosovën e atëhershme.

Lëvizja Studentore e 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Milot Cakaj, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Hajrullah Koliqi, Fetah Jagxhiu, Ahmet Gecaj dhe Albin Kurti, e përkrahur dhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë, i pati dhënë fund politikës paqësore të popullit shqiptar ndaj regjimit serb.

Kjo lëvizje vlerësohet se ka sensibilizuar opinionin ndërkombëtar se UÇK-ja buronte nga populli liridashës i Kosovës.

Me 1 tetor 1997, mijëra studentë por edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të shumtë kishin protestuar në Prishtinë për të kërkuar lirimin e objekteve të UP-së nga regjimi serb, i cili i kishte dëbuar studentët shqiptarë nga objektet e tyre universitare.

Fotografitë në këtë tekst janë marrë nga Prishtina Film Rolls në Instagram./ KultPlus.com

Hapet aplikimi për studime master në Universitetin e Prishtinës

Në këtë vit akademik, UP-ja do të regjistrojë 2228 studentë në programet studimore të 14 njësive akademike.

Kushtet e përbashkëta të konkursit, mënyrën e përzgjedhjes, afatet dhe dokumentacionin e nevojshëm për aplikim mund t’i gjeni duke klikuar në vegzën në vijim: https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,35,1463

“Aplikimi nis që sot dhe do të jetë i hapur deri më 6 tetor 2021, në orën 15:00”, thuhet në njoftimin e UP-së. / KultPlus.com

Vdes në moshën 91 vjeçare Ed Asner, aktori i ‘Lou Grant’dhe ‘Up’

Ed Asner, i njohur më së shumti për rolin e tij të Lou Grant, ka vdekur në moshën 91-vjeçare, shkruan KultPlus.

Aktori vdiq paqësisht të dielën në mëngjes, thanë familja e tij.

“Fjalët nuk mund të shprehin trishtimin që ndjejmë. Me një puthje në ballë – Natën e mirë baba. Ne të duam”.

Personazhi Lou Grant u prezantua për herë të parë si shefi i Mary Richards në The Mary Tyler Moore Show në vitet 1970.

Grant, redaktori i tërbuar i trilluar, më pas u bë personazh në një shfaqje më vete nga viti 1977 deri në 1982.

Ky rol ndihmoi që Asner të fitonte shtatë çmime Emmy përgjatë karrierës së tij, më së shumti për një interpretues mashkull.

Në vitin 2009, ai u bë i njohur për një brez të ri të audiencës duke luajtur burrin e moshuar Carl Fredricksen në hitin e animuar Up./KultPlus.com

AFP

UP-ja hap konkurs për pranimin e studentëve në nivelin bachelor

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka hapur sot konkursin për pranimin e studentëve të rinj në nivelin bachelor për vitin akademik 2021-22.

Në këtë vit të studimeve, UP-ja do të pranojë 6 mijë e 247 studentë të rregullt.

Afati aplikim online do të zgjas deri më 24 gusht, teksa afati për dorëzimin e dokumentacionit fizik do të bëhet nga data 25.08.2021 deri më datë 28.08.2021.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” e shpall të hapur konkursin për pranimin e studentëve të rinj në vitin e parë të studimeve themelore për vitin akademik 2021-22.

UP-ja në vitin e parë të studimeve themelore, në afatin e parë të konkursit për këtë vit akademik, do të regjistrojë 6247 studentë të rregullt.

Aplikimi online nis nga sot, më datë 06.08.2021 dhe zgjat deri më datë 24.08.2021 në ora 16.00. Ndërkaq, dorëzimi i dokumentacionit fizik, vetëm për kandidatët të cilët kanë aplikuar online, do të bëhet prej datës 25.08.2021 deri më datë 28.08.2021.

Konkursi është publikuar në uebfaqen zyrtare dhe në platformat e tjera të UP-së. / KultPlus.com

Marrëveshje për rifunksionalizimin e Sahat Kullës

Sot u nënshkrua marrëveshja për bashkëfinancimin e restaurimit të Sahat Kullës, me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP, përcjellë KultPlus.

Sahat Kullla, si një prej monumenteve me të shquara të trashëgimisë kulturore në Prishtinës, shumë shpejt pritet të rifunksionalizohet duke rikthyer kujtimet e së kaluarës sonë të përbashkët.

Projekti po realizohet me propozimin e studentëve të Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin “Hasan Prishtina”, nën mentorimin e profesoreshës Florina Jërliu dhe asistentit të saj Rron Beqiri dhe do të implementohet bashkë me organizatën CHWB./ KultPlus.com

Pas 23 vitesh, në mes të Prishtinës, mbahet liturgji në Kishën brenda oborrit të UP-së

Peshkopi Teodosije i Dioçezës së Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji në Kishën e braktisur në oborrin e UP-së për herë të parë prej vitit 1998.

Për festën që mbahet në ditën e 40 pas krishtlindjeve ortodokste që njihet si “Dita e Ngritjes së Krishtit”, Dioçeza e Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji së bashku me besimtarë dhe peshkopë të tjerë, shkruan KosovoOnline.

“Për herë të parë që nga viti 1998, një liturgji është mbajtur në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në qendër të Prishtinës. Liturgjia e shenjtë është shërbyer nga Peshkopi Teodosije me priftërinj dhe besimtarë në kishën e pambaruar, për nder të ditës së ngritjes”, thuhet në deklaratën e Dioçezës.

Në këtë liturgji ka marrë pjesë edhe deputeti i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq. / KultPlus.com

UP pas 52 vjetësh me rregullore për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale, kërkohen ndryshime

Era Berisha

Me rastin e reagimit të shoqërisë civile lidhur me miratimin e ‘Rregullores për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimi seksual dhe ngacmimi në Universitetin e Prishtinës’ nga Universiteti i Prishtinës, sot u shpalos deklarata publike e pjesëtarëve nga shoqëria civile dhe universitetit të përfshirë në procesin e draftimit të rregullores para Rektoratit të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës me 11 maj ka miratuar Rregulloren për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimi Seksual dhe Ngacmimi në Universitetin e Prishtinës e cila zbatohet për të gjithë personelin akademik, jo akademik dhe administrativ. Prandaj, Universiteti i Prishtinës ka aprovuar rregullore për parandalim dhe mbrojtje nga ngacmimi seksual pas dy dekadave kërkesave nga studentët, njësitë akademike dhe shoqëria civile.

Po ashtu është bërë e ditur se rregullorja e përkufizon ngacmimin seksual si ”çfarëdo forme të sjelljes së padëshiruar verbale, jo verbale apo fizike të natyrës seksuale dhe/apo psikologjike, me qëllim apo pasojë prekjen apo shkeljen e dinjitetit të një personi dhe krijimin e një mjedisi frikësues, armiqësor, degradues, nënçmues dhe fyes”.

Ngacmimi seksual është konsideruar formë e diskriminimit në bazë të gjinisë për shkak se i prek di proporcionalisht gratë dhe/apo i shënjestron ato për shkak se janë gra. Në 52 vite që nga themelimi i UP-së, nuk ka pasur asnjë udhëzues apo rregullore që e adreson problemin e ngacmimit seksual që nxit të gjithë studentët të raportojnë çfarëdo sjellje ngacmuese e diskriminuese në organet kompetente në UP dhe jashtë saj.

Rregullorja për mbrojtjen nga ngacmimi seksual është konsideruar hap i rëndësishëm historik për Universitetin e Prishtinës dhe respektimin e të drejtave të njeriut e në veçanti për të drejtën e trajtimit të barabartë.

Në këtë ngjarje u shpalosën aspektet pozitive të kësaj rregullore për mbrojtje nga ngacmimi seksual si:

1. Rregullorja e parasheh një pozitë pune të Zyrtarit/es për mbrojtje nga ngacmimi, i/e cila do të jetë përgjegjës/e, mes tjerash, për pranimin e denoncimeve për ngacmim dhe ngacmim seksual, për këshillim dhe informim të palëve lidhur me procedurat e paraqitjes së denoncimit dhe zhvillimin e procedurave disiplinore.

2. Zyrtari/ja mbrojtje nga ngacmimi do të raportojë një herë në vit para Senatit të Universitetit të Prishtinës për numrin e rasteve të paraqitura për këshillim, numrin e rasteve të hetuara, rasteve të përmbyllura dhe masave të shqiptuara ndaj personave përgjegjës për ngacmim dhe ngacmim seksual.

3. Procedura disiplinore për ngacmim seksual zhvillohet brenda universitetit pavarësisht nga procedura penale – pra edhe nëse ka paraqitur personi kallëzim penal në polici për rastin e njëjtë mund të zhvillohet procedura administrative brenda Universitetit.

4. Personat që nuk janë të sigurtë se a dëshirojnë të iniciojnë procedurë disiplinore mund ta denoncojnë ngacmimin seksual me raportim jo-formal, të cilin më vonë mund ta kthejnë në denoncim formal.

5. Në rastet ku pretendimet për ngacmim seksual konstatohen si të pasakta, denoncuesi/ja nuk mund të mbahet përgjegjës për deklarim të rrejshëm nëse denoncimin dhe informatat i ka paraqitur me mirëbesim.

Ndërsa, Qendra për Art dhe Komunitet ‘Artpolis’, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ‘ORCA’, Programi Universitar për Studime dhe Hulumtime Gjinore UP, Qendra Kosovare për Studime Gjinore ‘QKSGJ’, Rrjeti i Grave të Kosovës ‘RrGK’, Dr.Adriana Qosaj-Mustafa si dhe Rina Kika, gjithashtu kanë bërë të ditur edhe disa nga çështjet që do të vazhdojnë të kërkojnë ndryshimin e tyre në Rregullore si:

1. Afati për paraqitjen e raportimit të ngacmimit seksual, duke kërkuar që ky afat të jetë 5 vite, siç parashihet edhe me ligjin për mbrojtje nga diskriminimi, ndërkaq në UP ka marrë vendim jo transparent që ky afat të jetë vetëm 1 vit. Pra, subjektet raportuese mund ta raportojnë rastin e ngacmimit seksual deri në 1 vit pasi të ketë ndodhë. Ne vazhdojmë ta konsiderojmë këtë afat shumë të shkurtër duke rikujtuar se viktimat pavarësisht nga afati 1 vjeçar i UP-së, mund të paraqesin ngacmimin seksual në polici si vepër penale ose të paraqesin padi për diskriminimin në gjykatë.

2. Ne kemi kërkuar që trajnimi për ta kuptuar ngacmimin seksual dhe mbrojtjen nga ai, duhet të jetë obligativ dhe për personelin akademik edhe për studentët, ndërkaq kjo është ndryshuar në fund duke ia lënë UP-së diskrecionin që sipas nevojës të përgatitë udhëzues për këto çështje.

3. Barra e provës është përcaktuar se bie në të dy palët procedurale, megjithëse kërkesa jonë ka qenë në përputhje me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, barra e provës të bie mbi subjektin e dyshuar.

4. Rregullorja përcakton se Denoncuesi/ja detyrohet të nënshkrua deklaratë për përgjegjësi morale, etike, disiplinore dhe penale që i bart lidhur me denoncimin. Edhe pse kjo mund të jetë menduar sa për ta rikujtuar denoncuesin/en për përgjegjësinë e raportimit, konsiderojmë se është formalizëm i tepruar që mund të ketë efekt frenues te viktimat e ngacmimit seksual në paraqitjen e rasteve të reja.

5. Zyrtari/ja në bazë të Rregullores ka afat 24 ditë pune për ta njoftuar Këshillin e Etikës për raportimin e denoncimit. Ky afat gjatë procesit të konsultimit dhe draftimit të rregullores ka qenë 24 orë. Afati 24 ditë pune është krejt i paprecedent në rregullore, ligje, akte administrative etj. Ky gabim është shembull i  pasojave të mos-transparencës në vendimmarrje, siç ndodhi në fazën e fundit të miratimit të rregullores ku ne nuk u konsultuam e as nuk u njoftuam me draftin përfundimtar.

Këto vërejtje dhe kritika janë parashtruar për arsye se Rregullorja duhet të jetë një kornizë që ofron mbrojtje nga ngacmimi seksual dhe inkurajim për të gjithë personat e prekur nga ky fenomen negativ dhe prandaj duhet të raportohet në Universitetin e Prishtinës.

Kështu krejt në fund, u bë thirrje ndaj Universiteti të Prishtinës që zyrtari/ja për ngacmim seksual të emërohet në një proces transparent të monitoruar nga afër prej organizatave të shoqërisë civile, me ç’rast u ofrua asistencë, ndarje të praktikave më të mira për zyrtarin ose zyrtaren e përzgjedhur për ngritjen e kapaciteteve në trajnimin e raportimeve të ngacmimit seksual, ndihma e tyre ndaj studentëve duke i informuar dhe vetëdijesuar ata mbi ngacmimin seksual. / KultPlus.com

UP-ja ndërmerr masa ndaj Ardian Kastratit

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, e ka dërguar çështjen e profesorit Ardian Kastrati në Këshillin e Etikës.

Në njoftimin e Universitetit thuhet se ky institucion arsimor distancohet nga përdorimi i gjuhës denigruese, të përdorur nga Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik, në një postim në “Facebook”.

” Pas njoftimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” lidhur me distancimin dhe dënimin e gjuhës denigruese, të përdorur në postimin e z. Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik, UP-ja njofton opinionin se këtë çështje e ka dërguar për trajtim me prioritet në Këshillin e Etikës”, thuhet në njoftim.

Profesori Ardian Kastrati njëherësh edhe deputet i PDK-së ka cituar pjesë të një përshkrimi satirik të veprimtarit të çështjes shqiptare, Faik Konicës, në kohën sa po votohej Vjosa Osmani për presidente në Kuvend.

Kastrati, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, ndonëse nuk ka sqaruar nëse postimi i tij ka cak ndonjë figurë të caktuar publike, ka bullizuar me peshë nëpërmjet vargjeve të Konicës.

“Në një shkrim të botuar në ‘ Gazeta Dielli’ mes tjerash gjeta këtë përshkrim satirik të Konicës (për një ish zyrtare të lartë të Stambollit) që sonte më bëri të qesh me lot:

“…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit”.”, shkruhet në postim.

Kastrati me bashkëpartiakët e tij, nuk morën pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po votohej Osmani për postin e të pares së vendit.

Njoftimi i plotë i UP-së:

Pas njoftimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” lidhur me distancimin dhe dënimin e gjuhës denigruese, të përdorur në postimin e z. Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik, UP-ja njofton opinionin se këtë çështje e ka dërguar për trajtim me prioritet në Këshillin e Etikës.

Këshilli i Etikës është organ i pavarur i UP-së, i emëruar nga Senati, me qëllim të trajtimit në mënyrë meritore dhe sipas ligjit, çështjet e tilla brenda UP-së.

Meqenëse puna në Universitetin e Prishtinës bazohet në vlerat themelore të arsimit të lartë, jemi të përkushtuar që mjedisi universitar të jetë i sigurt, nxitës, pa diskriminim dhe respektues i plotë i të drejtave të njeriut. / KultPlus.com

Protestohet për shkarkimin e Adrian Kastratit: Seksizmi nuk do të financohet nga taksat tona

“Seksizmi nuk do të financohet nga taksat tona”, “Gjuha seksiste është urrejtje”, “Seksistat jashtë”, “Universiteti për studim. Trupi im s’është turpi im”, ishin këto vetëm disa nga thirrjet që u bënë sot në protestën e mbajtur para rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku po kërkohej shkarkimi i profesorit Ardian Kastrati, shkruan KultPlus.

Ishte Liridona Sijarinës nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore që mbrëmë përmes një statusi në Facebook bëri thirrje për protestë e secilës sot ju bashkuan një numër i konsiderueshëm i njerëzve.

Përmes kësaj proteste e cila erdhi si pasojë e kundërshtimit të gjuhës së urrejtjes dhe seksizmit që profesori i UP-së përdori ndje në një status në Facebook, pa zgjedhjes së Vjosa Osmanit, presidente të Republikës së Kosovës, po kërkohej edhe përjashtimi i tij nga Universiteti i Prishtinës.

Në këtë protestë u shpalosën tri kërkesa kryesore të cilat nëse nuk do të miratohen, atëherë u paralajmërua se do të zhvillohet një protestë tjetër.

Kërkesat përfshinin: Përjashtimin e Ardian Kastratit nga stafi akademik. Një inicim të menjëhershëm rast-dhënë nga rektori i UP-së ndaj Këshillit të Etikës lidhur me deklaratën dhe kërkimin për përjashtimin e Kastratit për shkeljen e kodit të etikës dhe promovimin e gjuhës së urrejtjes. Andaj, Rektori duhet që menjëherë të themelojë një komision drejtues i cili do ta hetojë procesin e punësimit të Adrian Kastratit në stafin akademik. Kërkesa nga Ministri i Arsimit i cili duhet të shkarkojë këshillin drejtues të UP-së për zvarritjen 3 vjeçare të miratimit të rregullores dhe për parandalimin e mbrojtjes nga ngacmimet seksuale dhe Miratimin e rregullores për parandalim dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale ashtu siç është dorëzuar nga grupi punues, nga Këshilli apo Rektorati deri të premten.

“Mbrëmë deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe profesori universitar Ardian Kastrati, bëri një deklaratë seksiste dhe fyese ndaj presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu. Ai e komentoi në mënyrë fyese dhe ofenduese pamjen fizike të saj. Kjo deklaratë e cila është cilësuar si satirike, assesi nuk është satirike prandaj një qasje e tillë nuk guxon assesi të lexohet si gabim, i cili mund të administrohet dhe të tejkalohet si rast i izoluar. Por duhet lexuar si një mundësi e shkarkuar e cila është krejtësisht patriarkale”, tha Liridona Sijarinës nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Sipas saj, të gjithë janë dëshmitarë që kjo mundësi është dominante ndaj personave të tillë, kryesisht burrave të cilët vazhdojnë ti konsiderojnë gratë thjesht si objekte duke e cenuar kështu integritetin e tyre. Kjo gjuhë e cila prodhon gjuhë të urrejtjes është një ndër shkaktarët kryesorë të nënshtrimit të grave, dhunës dhe vrasjes së tyre. E kur kjo bëhet nga personat publikë e aq më shumë personave universitar, kjo është e patolerueshme dhe duhet të dënohet.

Duke e ndëshkuar fuqishëm këtë mendësi të shpërfaqur nga Kastrati, Sijarina së bashku me protestuesit e po ashtu edhe aktivistin Rron Gjinovci deklaruan se do të qëndrojnë pas kërkesave deri në plotësimin e tyre.

“Seksistët nuk duhet të paguhen nga taksat tona prandaj duhet tu përdorim të gjitha mjetet tona demokratike për luftimin e patriarkalit brenda institucioneve publike dhe krijimin e mjediseve të sigurta dhe të drejta për secilin nga ne”, përfundon Sijarina.

Pas kësaj deklarate u kërkua edhe shpërndarja e protestuesve për shkak të rrethanave pandemike, por që qëllimi i tyre do të vazhdojë përpara. / KultPlus.com

UP-ja distancohet nga deklarata e profesor Kastratit dhe dënon fuqishëm gjuhën denigruese të përdorur

Para rektoratit të UP-së janë mbajtur sot protesta ku është kërkuar përjashtimi i Ardian Kastratit nga Universiteti i Prishtinës.

Ky reagim erdhi pasi deputeti Ardian Kastrati i cili është edhe profesor në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës, pas përzgjedhjes së Vjosa Osmanit si Presidente e Republikës së Kosovës, ka publikuar një status në rrjetin social Facebook, duke ironizuar me satirën e Faik Konicës. Komentuesit e shumtë e kanë kritikuar për seksizëm dhe gjuhë të urrejtjes dhe si pasojë e kësaj po kërkohet edhe shkarkimi i tij, shkruan KultPlus.

Për këtë çështje, ka reaguar sot edhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” të cilët njoftojnë se kanë ndjekur me shqetësim situatën e krijuar si pasojë e një shkrimi të publikuar dje në llogarinë e tij në Facebook nga Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik të UP-së.

“Universiteti i Prishtinës ka mirëpritur krijimin e institucioneve të reja dhe shpreson në stabilizimin e rrethanave politike në vend. Por, në situatën e krijuara nga rasti i lartpërmendur, UP-ja njofton opinionin që, si institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, kërkon nga personeli i tij që pavarësisht institucionit ku janë të angazhuar, me sjelljet, qëndrimet dhe deklaratat e tyre të ruajnë imazhin e UP-së”, shkruan në komunikatë.

Tutje, UP-ja distancohet nga deklarata individuale e profesor Kastratit si dhe dënon fuqishëm gjuhën denigruese të përdorur.

Në suazat e përgjegjësive të veta statutare, UP-ja në ditët në vijim do të trajtoj rastin në fjalë, në përputhje edhe me ligjet në fuqi. / KultPlus.com

Nesër protestohet për përjashtimin e Ardian Kastratit nga UP-ja

Liridona Sijarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se nesër para rektoratit të UP-së do të mbahet një protestë simbolike përmes së cilës kërkohet përjashtimi i Ardian Kastrati nga Universiteti i Prishtinës, përcjell KultPlus.

‘Pas një konsultimi të aktiviste/ëve, u vendos që nesër me fillim nga ora 11:00, në oborrin e rektoratit të UP-së mbahet protesta simbolike dhe tubimi përgatitor për fillimin e protestave me qëllim të ndërprerjes së gjuhës seksiste nga stafi akademik i UP-së, konkretisht përjashtimit të Ardian Kastratit nga UP ku ai është profesor.

Seksizmi nuk do të financohet nga taksapaguesit’‘, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Sot, 51-vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës

Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh në Kosovë dhe njëri nga më të mëdhenjtë në rajon.

UP u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969.

Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar.

Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë , më 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Ditë e Universitetit të Prishtinës. / KultPlus.com

Liridona Bregovina: Kosova ky vend me mentalitet diskriminues, me infrastrukturë përjashtuese

Sot teksa shënohet dita ndërkombëtare e personave me aftësi të veçanta, shumica e institucioneve publike nuk kanë infrastrukturë të duhur për këtë kategori të shoqërisë, shkruan KultPlus.

Pikërisht për këtë ka reaguar edhe Liridona Bregovina, e cila nëpërmjet shpërndarjes së 3 postimeve me fotografi, ka pasqyruar gjendjen diskriminuese për personat me aftësi të veçanta për hyrje në Bibliotekën Kombëtare, studime në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore.

KultPlus ua sjell të plota reagimet e Bregovinës:

Nese nje person ne karroce, i verber, me distrofi muskulore apo ndonje tjeter aftesi te kufizuar fizike don me hy ne biblioteke kombetare e ka te pamundur. Kosova ky vend me mentalitet diskriminues, me infrastrukture perjashtuese

Nese nje i verber, i cili e perdor shkopin don me kry studime ne UP e ka te pamundur, sepse mungon infrastrukutra(pllakat relievore)

Nese nje student qe perdor karrocen don me i vazhdu studimet ne FSHMN apo ne Fakultetin Filologjik e ka te pamundur.Te pamundur, sepse infrastruktura e perjashton ate. / KultPlus.com

Elbenita Kajtazi merr iniciativën e përkthimit në shqip të historive të operave të huaja

Sopranoja e mirënjohur, Elbenita Kajtazi ka marrë një iniciativë të re, e cila do të jetë pasurim kulturor për zhanrin e operës, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një video të publikuar në kanalin ‘YouTube’ sopranoja e cila vepron qe 7 vite në Gjermani ka dhënë detaje për iniciativën e saj më të re me emër “Opera në gjuhën shqipe”.

Nëpërmjet hapjes së një llogarie me këtë emër në këtë rrjet social, ajo ka vendosur të ndaj në gjuhën shqipe historinë e çdo roli që ajo deri më tani e ka jetësuar.

“Më ka ardhur një ide që historitë dhe shpjegimet e të gjitha roleve të cilat i këndoj, i performoj, i mësoj dhe studioj t’i ndaj me juve”, shprehet përgjatë videos Elbenita Kajtazi.

Iniciatorja e kanalit “Opera në gjuhën shqipe”, tutje ka rrëfyer se si kjo ka ardhur edhe për studentët e muzikës në kuadër të Universitetit të Prishtinës, të cilët kanë shumë pak material rreth historive të operës në gjuhën tonë.

“Unë kam studiuar në Prishtinë dhe e di se sa mungesë ka për përkthime të gjuhës shqipe të operave që janë jashtëzakonisht me rëndësi për të gjithë studentët e muzikës, e sidomos ata që studiojnë solo-këndimin”, ka thënë Kajtazi.

Elbenita ka theksuar se parasheh të bëj publikimin në gjuhën shqipe të dy historive të operave për çdo muaj në këtë kanal të “YouTube”.

Poashtu ajo ka thënë se iniciativa e saj nuk do të mbes vetëm me këtë formë komunikimi, por do të zgjerohet edhe nëpërmjet emailit që e ka krijuar. Në këtë formë, ajo do të jetë e hapur për idetë, pyetjet dhe dëshirat e punës së përbashkët me studentë dhe artdashës.  

Videon e plotë mund ta gjeni në: https://www.youtube.com/watch?v=If7CEjao6G0&fbclid=IwAR3orYIuN1MwXa7A8PKGEZFE7nQuFpz2B0Bw8fJYBTkhipi3wm7eZQNLQXY&ab_channel=Operan%C3%ABgjuh%C3%ABnShqipe / KultPlus.com

MKRS dhe UP nënshkruajnë memorandum për bursa studimi për trashëgiminë kulturore

Studentët e Universitetit të Prishtinës nga sot do të kenë mundësinë e përkrahjes për specializim në fushën e trashëgimisë kulturore. Për këtë u nënshkrua memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili ua mundëson studentëve të UP-së sigurimin e bursave me qëllim të aftësimit dhe avancimit në programet e specializuara për trashëgimi kulturore.

Memorandumi u nënshkrua me qëllim të zbatimit të programit për ofrimin e bursave për studime nga studentët që janë shtetas të Republikës së Kosovës, përkatësisht studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në universitetet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe rektori Marjan Dema, nënshkruan memorandumin bashkëpunimit i cili konkretisht parasheh bursa për studentët e shkencave arkeologjike – deri në katër bursa; antropologji fizike dhe/apo biologjike – deri në dy bursa; antropologji kulturore apo/dhe linguistike – një bursë; arkeologji klasike ose Histori e Artit-deri në një bursë; arkitekturë/konservim – restaurim deri në një burse.

Procesi i aplikimit dhe pranimit do të zhvillohet në dy faza, atë të selektimit të kandidatëve dhe fazën e intervistave.

Ministrja Dumoshi në fjalën e saj u shpreh se është një nder të jetë prezentë në Rektorat për të kryer ceremoninë e nënshkrimit të këtij memorandumi dhe tha se kjo është marrëveshja e tretë që MKRS-ja nënshkruan me UP-në.

“Sot është 15 shtatori dhe tani fillon Muaji i Trashëgimisë dhe mesazhi i këtij muaji është ‘Trashëgimia dhe Edukimi’, andaj MKRS-ja sot e nënshkruan një marrëveshje e cila është domethënëse për ekspertët e gjeneratave të reja të fushave të cilat janë shumë të ndjeshme si arkitektura, arkeologjia dhe antropologjia. Ne jemi të gatshëm që studentët më të mirë që do t’i përzgjedh UP-ja që t’i përkrahim që ata të studiojnë dhe të marrin ekspertizën në universitetet më të mira të BE-së dhe më pas ata të kthehen dhe të punojnë në vendin tonë,” tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Ajo theksoi se Kosova i ka institucionet e veta që janë nën ombrellën e MKRS-së. “Ne kemi nevojë për ngritjen e kapaciteteve njerëzore andaj këto marrëveshje kanë një domethënie dhe më këtë rast i ftoj të gjithë studentët t’i shohin këto fusha të rëndësishme ku hulumtohet e studiohet trashëgimia kulturore e Kosovës. Ne me shumë përkushtim e kemi ndarë buxhetin dhe do t’i financojmë këta studentë” tha ministrja.

Ndërkaq, Rektori i Universiteti të Prishtinës, Marjan Dema, tha se është në përfundim të mandatit të tij dhe nënshkrimi i kësaj marrëveshje në përfundim të detyrës ka një domethënie të madhe pasi që MKRS-ja i ka kushtuar një rëndësi të madhe Universitetit “Hasan Prishtina” ku studiojnë 42 mijë studentë.

“Investimi më i mirë në ndryshime pozitive është investimi në Universitet ku me anë të kësaj marrëveshje do të përfitojnë shumë studiues e hulumtues, shumë studentë dhe ky do të jetë një stimulim dhe do të jetë një entuziazëm më i madh për të studiuar e hulumtuar në tri fusha që fatkeqësisht nuk janë prekur përpara, në arkitekturë, antropologji dhe arkeologji. Dhe sigurisht që ato bursa që do të ndahen do të japin një mundësi më të madhe që të kemi ekspert në këto fusha”, tha ndër tjera rektori Dema, i cili edhe shprehu mirënjohjen për ministren dhe MKRS-në që UP-së i kanë kushtuar një kujdes të veçantë. / KultPlus.com

Rektorati i UP-së ndërpret punën, por fakultetet po i mbajnë provimet

Shtimi i rasteve me COVID-19 nuk është duke e penguar Universitetin e Prishtinës që ta vazhdojë mbajtjen e provimeve të afatit të qershorit. Dy ditë më parë, Rektorati i UP-së e ka ndërprerë punën për shkak të paraqitjes së disa rasteve pozitive në këtë institucion. Mirëpo, nëpër fakultete çdo gjë po zhvillohet normalisht.

Përfaqësues të njësive akademike thonë se mosmbajtja e provimeve nuk varet nga ta dhe se, përderisa Universiteti nuk merr ndonjë vendim tjetër, ata e kanë obligim t’i realizojnë, raporton KOHA.

Dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi, ka thënë se në bazë të të dhënave që i kanë deri tash, në këtë fakultet nuk është paraqitur ndonjë rast pozitiv.

Gjatë ditës, ekipi i Kohës qëndroi edhe në Fakultetin Filozofik, derisa po mbahej një provim. Aty respektohej distanca, por një pjesë e madhe e studentëve nuk mbanin maska dhe i vendosën vetëm pasi panë kamerat.

Prodekani i këtij fakulteti, Arben Hajdari, ka thënë se studentët e kanë obligim të mos futen në fakultet pa maska dhe këtë nuk duhet ta lejojnë as vetë profesorët. Deri tash, sipas tij, nuk janë në dijeni për ndonjë rast me COVID-19 në këtë njësi akademike.

Koha ka pyetur Rektoratin e UP-së nëse do të vazhdojë edhe më tutje mbajtja e provimeve apo ato do të ndërpriten, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës. Të enjten, në Universitetin e Prishtinës ka vazhduar procesi i zgjedhjeve të përgjithshme, ku është votuar fizikisht për dekanët e njësive akademike.

Që nga mesi i marsit, ligjëratat janë mbajtur online për shkak të shfaqjes së pandemisë. Javë më parë, Ministria e Shëndetësisë, me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, kishte lejuar që provimet të mbaheshin nëpër fakultete. Koha.net / KultPlus.com

Zgjedhja e dekanëve të rinj në UP shoqërohet me zhurmë e mospajtime

Zgjedhjet për dekanëve në fakultetet e Universitetit të Prishtinës u përcollën sot me shumë zhurmë dhe mospajtime.

Në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit për dekan u propozuan tre kandidatë: Musa Selimi, Ajvaz Berisha dhe Hazir Salihu. Por ky i fundit, siç raporton EO, u tërhoq, siç tha, për arsye personale.

E kandidatura e Ajvaz Berishës u përcoll me shumë paqartësi dhe me shumë zhurmë.

“Ju po tentoni ta eliminoni dikë nga kandidatura, por nuk do të ndodhë, ose shtyni zgjedhjet deri nesër edhe të shohim te gjitha procedurat”, tha Berisha.

Në fund dekan u zgjodh Musa Selimi.

Zgjedhjet për dekan u mbajtën edhe në Fakultetin Ekonomik dhe atë Juridik.

Për këtë të fundit kandidoi vetëm Avni Puka, i cili u zgjodh me 30 vota për, katër kundër dhe dy abstenime.

“Ndihem i nderuar dhe i privilegjuar që më keni zgjedhur, por në të njëjtën kohë ndihem me më shumë përgjegjësi ,por së bashku me juve do t’ia dalim”, tha Puka.

Ndërsa ish-dekani Haxhi Gashi tha se ka qenë privilegj që për dy mandate të jetë në krye të Fakultetit Juridik.

Në Fakultetin Filologjik u zgjodh për herë të dytë dekane Lindita Rugova, përderisa Blerim Saqipi u zgjodh në Fakultetin e Edukimit.

Në fakultetin Filozofik u zgjodh dekan Dashamir Burxulli. Vend për dekan pati edhe për një ish-ministër. Idriz Vehapi u zgjodh dekan në FShMN, e në Fakultetin e Arteve dekan u zgjodh Hazir Haziri.

Shtyhet për datën 20 shtator mbajtja e provimeve pranuese për studentë të rinj

Provimi pranues për studentët e rinj në institucionet e arsimit të lartë nuk pritet të mbahet deri rreth datës 20 shtator.

Kjo për shkak se në fund të muajit gusht do të mbahet testi i maturës. Rezultatet e tij nuk do të shpallen deri në fillim të shtatorit dhe tek atëherë do të hapen konkurset për pranimin e studentëve.

Prorektori për mësim dhe çështje të studentëve në Universitetin e Prishtinës, Hysen Bytyqi, ka thënë se gjithçka do të varet nga koha kur shpallen rezultatet e maturës. Edhe pse provimi pranues këtë vit do të mbahet me dy muaj vonesë, ai beson se do të jenë dy afate për pranim të studentëve.

Nëse testi nuk mbahet më 29 gusht, siç është paraparë nga MASh-i, Bytyqi ka thënë se duhet të mblidhet Senati i UP-së dhe do të gjejë forma të tjera alternative për pranimin e studentëve. Shtyrja e këtyre proceseve, sipas tij, do të mund të ndikojë që edhe viti i ri akademik të mos nisë më 1 tetor.

E Ministria e Arsimit përmes një përgjigjeje me shkrim ka theksuar se janë në kontakt të vazhdueshëm me universitetet publike e institucionet private të arsimit të lartë, në mënyrë që t’i koordinojnë aktivitetet rreth konkurseve për pranimin e studentëve në këtë situatë pandemie.

“Të gjitha vendimet janë marrë dhe do të merren duke u konsultuar me IKShP-në dhe MSh-në, në mënyrë që të gjitha veprimet të ndërmerren në përputhje të plotë me rekomandimet dhe masat mbrojtëse ndaj COVID-19, që në asnjë mënyrë të mos rrezikohet shëndeti i të rinjve, por edhe i stafit akademik e administrativ nëpër institucione gjatë aplikimit për pranim në institucionet e arsimit të lartë”, thuhet në përgjigjen e MASh-it.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, këtë vit janë gjithsej 25.837 mijë maturantë. /Koha.net /KultPlus.com

29 vjet nga masat e dhunshme të Serbisë në UP

Me ardhjen e kriminelit Sllobodan Millosheviq në krye të Serbisë, shkolla shqipe në Kosovë, në veçanti Universiteti i Prishtinës, mori goditje të mëdha që çuan deri në rrezikimin serioz me përmasat e shkatërrimit të arsimit shqip.

Pushteti nacionalist serb u angazhua për ndryshimin dhe ndalimin e shollës shqipe në Kosovë. Gjendja në universitet erdhi duke u përkeqësuar, krahas gjendjes në gjithë Kosovën. Qendra Universitare nuk ishte më streha e studentëve dhe as e profesorëve shqiptarë. Sapo u mbyll semestri veror i vitit akademik 1990/91 të Universitetit të Prishtinës, më 28 qershor 1991, në ditën e Vidovdanit, (festë fetare serbe) Kuvendi i Serbisë vendosi masat e dhunshme në Universitetin e Prishtinës.

Gjatë vitit të ri akademik udhëheqësja e dhunshme, e dominuar nga kuadrot serbo-malaziase, e rritën numrin e studentëve për 923 studentë, kryesisht studentë serbë të sjellë nga viset e ndryshme të Serbisë dhe të Malit të Zi. Më 21 gusht 1991 grupi i Helsinkit në Vjenë lëshoi një deklaratë, ku konstatohej se arsimi shqiptar në Kosovë më nuk ekziston dhe se është shkatërruar nga Serbia. Porse, me fillimin e vitit 1992, synohet të gjenden mundësitë dhe format që shkolla shqipe të fillojë të jetë aktive. Më 14 shkurt 1992 Universiteti i Prishtinës njofton se më datë 17 shkurt të po këtij viti do të fillonte mësimi në nivelin universitar në shkollat shtëpi. / KultPlus.com

I rikthehet akreditimi Universitetit Publik të Prizrenit ” Ukshin Hoti”

Universitetit te Prishtinës “Hasan Prishtina” i është vazhduar akreditimi institucional dhe për 5 vite.

Kështu ka vendosur sot, Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që UP të ketë akreditim institucional edhe për 5 vite.

Për këtë u pajtuan të gjithë anëtarët e KShC-së që votuan në mënyrë unanime.

KShC po ashtu në mbledhjen e sotme ua riktheu akreditimin tri universiteteve publike të Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës, të cilët kishin humbur akreditimin vitin e kaluar.