Bëhuni pjesë e fushatës “Në mbështetje të studentëve të Universitetit të Prishtinës”

Fushata “Në mbështetje të studentëve të Universitetit të Prishtinës” ka për qëllim ngritjen e fondeve që do të mundësojnë mbështetjen e studentëve të Universitetit të Prishtinës të cilët kanë synim fillimin e rrugëtimit të tyre në ndërmarrësi përmes Qendrës së Ndërmarrësisë dhe Inkubimit, VentureUp.

Kjo fushatë u mundësua falë biznesmenit dhe filantropit Shqiptaro-Amerikan, Ramiz Kukaj, pronar i restaurantit të mirënjohur në Nju Jork ‘Çka ka Qëllu’, i cili pranoi ftesën që t’i bashkohet kësaj iniciative duke e ditur nevojën e madhe që studentë e këtij Universiteti kanë për qasje ndaj mundësive dhe resurseve për të krijuar një të ardhme të suksesshme për veten dhe vendin.

“Vazhdimisht themi se rinia është e ardhmja e Kosovës, mirëpo shpesh-herë e shohim se rinia po vazhdon të ballafaqohet vet me sfidat dhe problemet, dhe rrallë herë marrin ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme drejt suksesit. Jemi me fat të kemi një rini kaq aktive, ambicioze dhe kapacitet të arrijë majat botërore, dhe tash e kemi mundësinë konkrete t’u japim një ndihmë të vogël, por që do të thotë shumë për ta, për ndërmarrjet që do të krijojnë dhe pashmangshmërisht në zhvillim të vendit” u shpreh Kukaj.

Venture Up është Qendra e Ndërmarrësisë dhe Inkubatori i Universitetit të Prishtinës. Kjo qendër ofron mbështetje për ndërmarrës, mentorim dhe trajnim për studentët të cilët dëshirojnë të transformojnë idetë e tyre në biznese reale, dhe organizata të vet-qëndrueshme.

Me fondet e ngritura, VentureUp synon të inkuboj 17 ndërmarrje të reja ‘startup’, me 51 ndërmarrës të rinj, të ofrojë trajnime online për 14 javë, të ofrojë 150 orë mentorim për studentët, si dhe 60 orë/muaj trajnime në Aftësi të Buta. Qëllim është që të aftësohen 4,800 të rinj deri në Shtator të 2020-së.

Ju mund të dhuroni duke klikuar në linkun:  https://bit.ly/2zTl8Ua

Studentët kërkojnë shtyrjen e vitit të ri akademik shkaku i provimeve të vonuara

Viti i ri akademik 2020/2021 në Universitetin e Prishtinës mund të mos nisë më 1 tetor, ashtu siç e parasheh Statuti i UP-së.

Kjo pasi që Parlamenti Studentor ka drejtuar një kërkesë që fillimi i tij të shtyhet për dy javë. Kërkesa është bërë për shkak se këtë vit mbajtja e provimeve në afatet e qershorit e shtatorit mund të marrë më shumë kohë sesa viteve të kaluara, pasi studentët duhet të ndahen në disa grupe për t’i respektuar masat e distancës sociale.

Sipas kryetarit të Parlamentit studentor, Bledian Geci, kjo shtyrje duhet të bëhet në mënyrë që organizimi i provimeve të mos interferojë me vitin e ri akademik. Ka thënë se presin që Universiteti ta miratojë kërkesën e tyre. Kurse, Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka bërë të ditur për KOHËN se kërkesa për shtyrjen e fillimit të vitit të ri akademik do të trajtohet të premten nga Senati.

Përveç tjerash, pritet të vendoset edhe për hapjen e afatit të provimeve të qershorit dhe mënyrën e mbajtjes së tyre. Koha.net / KultPlus.com

Kundërshtohen emërimet e reja në UP, studentët kërkojnë anulimin e zgjedhjeve

Disa nga organizatat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, të mbështetur nga shoqëria civile, kanë mbajtur sot një protestë para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Nëpërmjet kësaj proteste ata kanë kërkuar anulimin e vendimit të ministres në detyrë të Arsimit, Hykmete Bajrami, për emërimin e tre anëtarëve të këshillit drejtues, si dhe anulimin e mbajtjes së zgjedhjeve në këtë institucion të lartë arsimorë.

Me anë të kësaj proteste, përveç që shprehën pakënaqësi, ata gjithashtu kërkuan nga Ministrja Bajrami, që të tërheq vendimet ose të dorëhiqet nga pozita.

Pezullohet zgjedhja e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës për shkak të koronavirusit

Derisa nuk përmirësohet situata me pandeminë Covid-19, Senati i Universitetit të Prishtinës nuk pritet të vazhdojë me marrjen e vendimeve për zgjedhjen e personelit akademik, sipas konkursit të fundit të hapur muaj më parë.

Sipas përfaqësuesve të UP-së, trajtimi i propozimeve të fakulteteve për zgjedhjen dhe avancimin e stafit akademik është vështirë të realizohet online, raporton KOHA.

Për këtë arsye, sipas prorektorit për kërkime shkencore, Faton Berisha, nuk kanë planifikuar të mbajnë mbledhje online për trajtimin e këtyre kërkesave.

E me këtë ide nuk po pajtohen të gjithë anëtarët e Senatit. Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, ka deklaruar se nuk ka asnjë pengesë që mbledhjet e Senatit të vazhdohen online. Ai ka treguar se tashmë e ka bërë një kërkesë të tillë, por nuk ka marrë ende përgjigje nga menaxhmenti i UP-së.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi, ka treguar se për shkak të situatës së krijuar me pandeminë, mund të ketë vonesa në procesin e konkursit, por shton se shqyrtimi i kandidatëve që kanë aplikuar nuk do të duhej të realizohej në distancë.

Senati, që është përgjegjës për shqyrtimin e propozimeve për zgjedhjen dhe avancimin e stafit akademik, përbëhet nga 42 anëtarë prej tyre rektori, prorektorët, sekretari i përgjithshëm i UP-së, anëtarë të stafit akademik e administrativ dhe anëtarë nga parlamenti i studentëve.

“Koha” ka kërkuar të dhëna nga Rektorati për numrin e kandidatëve për staf akademik që janë në pritje të zgjedhjes ose avancimit sipas konkursit të fundit, mirëpo nuk ka marrë përgjigje tash e disa ditë. Koha.net / KultPlus.com

UP-ja shënon Ditën e Librit me diskutimin virtual

Me rastin e Ditës Botërore të Librit, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka mbajtur një diskutim virtuarl për librin në kohën e karantinës, transmeton Klan Kosova.

Sipas njoftimi të UP-së thuhet se nga kjo ligjëratë, qindra studentë përfituan këshilla e sugjerime për shfletimin e librave.

“Prof. dr. Sali Bashota, prof. ass. dr. Nerimane Kamberi, prof. asoc. dr. Rrahman Paçarizi dhe prof. ass. dr. Majlinda Bregasi, nën moderimin e ass. Durim Abdullahut, dhanë opinionet e tyre në lidhje me librin në kohën e karantinës, falë diskutimit virtual të organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, me rastin e Ditës Botërore të Librit”.

“Nga kjo ligjëratë, qindra studentë përfituan këshilla e sugjerime për shfletimin e librave, të cilat u cilësuan si libra që duhet lexuar në këtë kohë karantine. Ndër të tjera, në këtë ligjeratë u diskutua edhe për ndërlidhjen e leximit me mediat, universitetin dhe shoqërinë”.

“Përmes këtij aktiviteti, UP-ja ka shënuar 23 Prillin, ditë e cila është shpallur nga UNESCO si Dita Botërore e Librit dhe e së Drejtës së Autorit”, thuhet në këtë njoftim.

UP-ja ofron ndihmën e saj në luftimin e Covid-19

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” po vazhdon t’u japë ndihmë institucioneve shëndetësore në luftimin e pandemisë.

Përmes një komunikate të lëshuar të enjten, UP-ja ka bërë të ditur se ka vënë në funksion gjitha resurset. Po ashtu, ka bërë të ditur si i ka ofruar Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik disa pajisje KOHA.

“Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, që nga përhapja e pandemisë COVID-19 në vendin tonë, ka vënë në funksion resurset humane dhe ato materiale në ndihmë të institucioneve dhe komunitetit, me mision tejkalimin e situatës së krijuar sa më parë dhe me më pak pasoja. Në kuadër të kësaj, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP, ka kultivuar bashkëpunim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, për t’i shërbyer interesit të përbashkët për mbrojtjen e shëndetit publik”, thuhet në komunikatë.

UP-ja ka cituar edhe profesorin Kurtesh Sherifi, të ketë thënë: “Fakulteti ynë ka përkrah IKShPK-në me kite për 500 mostra për ekstrahim të ARN-së së virusit në realizimin e metodës molekular-biologjike RT-PCR, si dhe me huazim të pajisjes Thermocycler për amplifikim dhe detektim të gjenomit të virusit”.

Sipas tij, FBV-ja, po ashtu, i ka dhënë si huazim Institutit, për një kohë të pacaktuar disa pajisje laboratorike, si: centrifugë, termomikser, vorteks, pipeta dhe tri lampa UV për dekontaminim të kabineteve mikrobiologjike, pra aty ku testohen mostrat për analiza molekulare-biologjike me RT-PCR.

“Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë njëherësh ka shprehur vullnetin që në rast të nevojës, ata mund të shërbejnë edhe me staf profesional, të cilët mund ta ndihmojnë Departamentin e Mikrobiologjisë Molekulare në kuadër të institutit, në testimin e mostrave të pacientëve me SARS-CoV-2”, thuhet tutje në komunikatën e UP-së.

Mbrohet tema e parë e diplomës në mënyrë virtuale në UP

Besnik Emërllahu, tashmë ka marrë titullin inxhinier pasi ditë më parë diplomoi në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ai u bë studenti i parë që temën e diplomës arriti ta mbrojë në mënyrë virtuale me temën “Diagonstikimi kompjuterike i sistemeve të automjeteve në autoservisin “Fatoni”, njofton Klan Kosova.

Kjo formë e re e diplomimit, erdhi pasi UP-ja mori vendim që temat e diplomës të studentëve të mbrohen përmes platformave online, pas situatës së krijuar nga virusi Covid- 19.

Besniku thotë se kjo metodë është aq e mirë sa që duhet të përdoret edhe pas daljes nga karantina.

“Kjo metodë duhet të gjejë aplikim edhe pas kësaj pandemie sepse për studentët është më e lehtë, pasi që studenti është më pak i stresuar dhe ndjehet më lirë në mënyrën e të shprehurit”, tregon ai.

Këtë ceremoni e nisi dekani i FIM-it, prof. dr. Ahmet Shala dhe sipas procedurave mbrojtja u bë para komisionit i cili u përbë nga: prof. dr. Ilir Doçi (kryetar), prof. dr. Arbnor Pajaziti (mentor-anëtar) dhe prof. ass. ar. Ramadan Duraku (anëtar).

Kjo mënyrë e diplomimit ka nisur për nivelin baçelor, por pritet të vazhdohet edhe me atë master, me qëllim që të u mundësohet studentëve diplomimi në kohë.

Universiteti i Prishtinës hap faqe psikoedukuese për shëndetin mendor gjatë pandemisë


Departamenti i Psikologjisë i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, së bashku me studentët e programit master “Psikologji Shkollore dhe Këshillim”, sot, në kuadër të ueb faqes së UP-së kanë lansuar faqen shendetimendor.uni-pr.edu.

Faqja synon të ofrojë video psikoedukuese për shëndetin mendor dhe ruajtjen e tij gjatë pandemisë COVID-19.

“Situata e fundit e krijuar me pandeminë COVID-19 dhe masat e marra si kufizimi i lëvizjes, mungesa e kontakteve sociale, ndryshimi i rutinës ditore dhe frika nga e panjohura, mund të shkaktojnë potencialisht parehati të përgjithshme, që mund të manifestohet me stres dhe ankth me intensitet të ndryshëm tek qytetarët. Departamenti i Psikologjisë në bashkëpunim me studentët ideuan dhe realizuan një faqe praktike dhe të thjeshtë, ku qytetarët mund të marrin informata praktike përmes videove psikoedukuese për gjendjet e caktuara të shëndetit mendor si stresi apo ankthi dhe në të njëjtën kohë të informohen se si mund të ballafaqohen me ato në kushte shtëpie. Intervenimet e rekomanduara janë të bazuara në evidencë shkencore se kanë ndikim pozitiv në uljen e intensitetit të ankthit, stresit dhe gjendjeve të tjera të shëndetit mendor, që mund të vështirësojnë funksionimin e përditshëm të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Sipas njoftimit, faqja është e konceptuar me seanca.

“Në seancën e parë trajtohet stresi, në të dytën ankthi dhe në të tretën mendimet brengosëse. Për momentin, aktive është vetëm seanca e pare, ndërsa seanca e dytë dhe e tretë do të aktivizohen brenda javës së ardhshme. Secila seancë ka informata për gjendjet e caktuara dhe rekomandimet për ushtrime, se si mund të zbutet intensiteti i këtyre gjendjeve të shëndetit mendor. Gjatë javëve në vijim planifikohen që të shtohet edhe një seancë specifike për familje dhe fëmijë”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje njoftohet se projekti i realizuar i përgjigjet nevojave të shëndetit mendor publik.

“Adresimi i nevojave të shëndetit mendor në këtë periudhë, ku secili qytetar ndihet jashtë zonës së komfortit është shumë e rëndësishme. Po ashtu, projekti i realizuar teston ofrimin e shërbimeve online. Situata e krijuar ka sfiduar profesionet e shëndetit mendor, pasi ato janë kryesisht të varura nga ofrimi të shërbimeve ndaj personit. Universiteti i Prishtinës, së bashku me stafin dhe studentët, mbetet i përkushtuar të ndihmojë qytetarët në ruajtjen e shëndetit të vet, familjes dhe me këtë të kontribuojë në shëndetin e komunitetit në përgjithësi. Kostot përcjellëse të realizimit të projektit janë mundësuar nga Universiteti i Prishtinës dhe Kuvendi Komunal i Prizrenit”, njofton UP. Koha.net / KultPlus.com

UP ndanë mirënjohje post-mortem për Basri Çapriqin

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, ka pritur sot në Rektoratin e UP-së familjarë dhe bashkëpunëtorë të profesorit të ndjerë, prof. dr. Basri Çapriqi. Në këtë takim, ai ndau mirënjohje për profesor Çapriqin, me motivacion “për kontribut të vazhdueshëm shkencor dhe për universitetin – Post mortem”.

Rektori Dema e vlerësoi lart kontributin e profesor Çapriqit, duke kujtuar bashkëpunimin e afërt që e kishte me profesorin në kohën kur Çapriqi ishte kryesues i Këshillit Drejtues të UP-së.
“Profesor Çapriqi, me punën dhe me veprën e tij, la gjurmë të përjetshme në shoqërinë tonë. Emri i tij po kujtohet me respekt për kontributin e tij të çmuar që e ka dhënë si profesor për dekada të tëra në Fakultetin e Filologjisë, si kryetar i Këshillit Drejtues të UP-së për dy mandate, por edhe si studiues dhe si një poet i shkëlqyer,” theksoi Dema.

E nderuar me këtë mirënjohje u shpreh bashkëshortja e profesor Çapriqit, prof. asoc. dr. Sazana Çapriqi.
“Në emër të familjes, ju falënderoj të gjithë juve që jeni kujtuar për këtë mirënjohje, e cila na bën si familje të ndihemi krenarë. Kjo mirënjohje, përveç që na nderon neve, e nderon edhe institucionin, i cili dëshmon që nuk i harron ata që kanë kontribuar për të,” theksoi, mes tjerash, profesoresha Çapriqi.

Bashkëpunimin me profesor Çapriqin e kujtoi edhe shefi i Departamentit të Gazetarisë në UP, prof. asoc. dr. Milazim Krasniqi. Ai e cilësoi profesorin e ndjerë si person të paimponueshëm në rrethin ku ka vepruar, por tha që vlerat e tij janë imponuar vetvetiu.
“Ai është karakterizuar me prezantim intelektual dhe njerëzor, që do të cilësohen si vlera të tij të përhershme,” tha Krasniqi.

Prof. dr. Basri Çapriqi, pas një sëmundjeje të rëndë, ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare, në janar të vitit 2018. Çapriqi ishte profesor në Fakultetin e Filologjisë të UP-së për dekada me radhë, ku ligjëroi lëndët: Stilistikë, Semiologji dhe Poezi bashkëkohore. Ai ishte kryetar i Këshillit Drejtues të UP-së për dy mandate.

Studentët ia mësyjnë kurseve private, ligjëratat në UP nuk u mjaftojnë për provime

Në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës është bërë traditë që studentët ta kenë të vështirë t’i kryejnë provimet, rrjedhimisht ata ‘detyrohen’ të ndjekin kurse private, shkruan Literal Media.

Një gjë e tillë tregon kualitetin e ‘brishtë’ që Fakulteti Teknik, përmes ligjëratave dhe ushtrimeve, ofron te studentët.

Për të kuptuar më mirë arsyet pse studentët ndjekin kurse private, Literal Media ka pyetur një prej tyre.

“Lëndët që kanë nevojë për kurse më së shumti janë Bazat e elektroteknikes, Sinjale dhe Sisteme. Nëse nuk kalohet provimi, mundësohet përsëritja e kursit me të njëjtin çmim. Mendoj se asnjë provim nuk është i pakalueshëm vetem se pa kurse merr kohe shumëfish më shumë. Sa i përket ligjëratave në Fakultetin Teknik, shumica e tyre janë të pamjaftueshme për studentët, disa për shkak të orëve të pakta e disa edhe shkaku i profesorëve”, ka thënë njëra nga studentet që ka ndjekur kurse private.

Gazeta ka kontaktuar edhe njërin nga Profesorët që ofrojnë kurse private për studentët e Fakultetit Teknik, i cili tregoi se një nga arsyet pse studentët ndjekin kurse private është mungesa e efektivitetit të ligjëratave në UP.

“Studentët vijnë në kurs në ato raste kur duan ta përfundojnë fakultetin më shpejt. Në rast se edhe pas kursit nuk e kalojnë provimin, atëherë ata konsultohen me neve a ta ndërrojnë drejtimin apo të vazhdojnë përpjekjet”- shtoi Profesori.

Ndërsa Fakultetin Teknik nuk janë në dijeni për këto kurse private;

“Ne jemi në dijeni për kurset private që mbahen në disa lëndë dhe personalisht e kam diskutuar disa herë me studentë të vitit të parë. Nuk kam arritur me marr asnjë përgjigje e cila do të sinjalizonte se diçka nuk është në rregull me ligjeratat, ushtrimet dhe konsultimet me studentë. Thjeshtë ndjekin një praktikë, pa asnjë sqarim shtesë.  Stafi është në dispozicion për të gjitha kërkesat e studentëve dhe me sa jam në dijeni janë zvogluar dukshëm, por nuk është eliminuar në tërësi. Thënë shkurt, nuk ekziston arsye e bazuar për kurse të tilla dhe se deri sot nuk kemi pasur asnjë ankesë nga studentët, për ndonjë lëndë të caktuar”, tha Enver Hamiti nga Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës. /KultPlus.com

Përparim Rama: Pata menduar që është mirë ta bëjmë një Park të Memorialëve

Alberina Haxhijaj

Arkitekti Përparim Rama ka mbajtur sot një ligjëratë në Universitetin e Prishtinës për të diskutuar me studentët dhe të pranishmit rreth temës “Përtej Memorialëve”, duke vënë në fokus projektin e tij për kompleksin memorial “Adem Jashari”, shkruan KultPlus.

Ai fillimisht kujtoi momentin kur si i vogël shëtiste rreth Fakultetit Filozofik, ku edhe u mbajt diskutimi. Po ashtu kur kalonte kohë edhe afër Bibliotekës Kombëtare, ndërtesë kjo që ka ndikuar që ai të bëhet arkitekt.

Arkitekti Përparim Rama, këshilloi studentët që ajo që ka më shumë rëndësi është lidhshmëria që krijojnë njerëzit me ndërtesat dhe ndikim që kanë këto të fundit të njerëzit. Prezantuesi i parë i Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në vitin 2012 tha se interaksioni me hapësira është një ndër elementet kyçe te secili projekt që ai e bënë.

Këtë element ai e ka përfshirë edhe në memorialin Adem Jashari projektin e të cilit ai e ka realizuar në vitin 2012 mirëpo që ishte refuzuar nga Ministria e Planifikimit Hapësinor.

“Ideja kyçe e memorialit është që përveçse restaurimit dhe konservimit vizitorët të mund të afrohen sa më afër ngjarjes dhe mënyrës sesia ajo ka ndodhur. Pikërisht për faktin se tashmë ekzistojnë edhe mënyra të ndryshme teknologjike të cilat ne mundemi me i shfrytëzuar për të sjellë një përjetim sa më real afër vizitorëve”, u shpreh ai duke diskutuar për elementet që përbente projekti i tij më në detaje.

Në këtë diskutimi është folur edhe për ndërtimin e memorialëve nga ana e familjes diçka e cila është konsideruar një temë shumë e ndjeshme.

“Memorialët të cilat janë ndërtuar kryesisht në hapësira publike, rrugë, sheshe, apo edhe nëpër vende të tjera lënë ndikim te shoqëria. Në qoftë se nuk janë të menduara mirë lënë ndikimi negative edhe pse ato nuk janë ndërtuar me asnjë prapavijë pas tyre. Pata menduar që do të ishte mirë që të bëjmë një park të memorialëve ku mblidhen këto dhe në një mënyrë të ju ofrojmë strehim, një shpi, pra mos të i lëmë nëpër rrugë. Pra një vend ku do të mbroheshin institucionalisht dhe tregimi do të rrëfehej në atë mënyrë që të mos krijojë ndikim negativ”, tha Rama.

Sipas tij ndërtimi i memorialëve në hapësira publike është bërë pikërisht pas çlirimit kur ka ndodhur një vakum në sistemin shtetëror, kështu njerëzit e kanë konsideruar hapësirën publike si të tyren.

Profesoresha Linda Gusia e cila e kishte ftuar arkitektin Përparim Rama për këtë ligjëratë u shpreh se pjesa më e dhimbshme kur kemi të bëjmë me kujtesën kolektive sa i përket periudhës së luftës është zhdukja e anës humanitare te ngjarjet të cilat kanë lidhje me luftën.

“Kur kam vizituar shtëpinë e Jasharajve pas sulmit ka pasur shumë bredha e gëzhoja, pastaj gjësendet që i kanë lënë nëpër shpi anëtarët, e që të gjitha këto sot janë largu. Ajo që më shqetëson në përgjithësi të kumtesa e luftës është një gati dehumanizim. Në këtë procesin e heroizmit po i dehumanizojmë, po e zhveshim prej elementit njerëzor ngjarje”, tha ajo duke treguar se çfarëdo kujtimi që do i bëhet këtij memoriali duhet që të ketë në vete aspektin familjarë duke përfshirë gratë dhe fëmijët e kësaj familje.

Kujtojmë se projektin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, e ka fituar kompania sllovene “AG-Inzineering”, e që kosto e tyre ka dalë 6 milionë euro, si parashikim për punën që do zgjaste 2 vite. Shuma e njëjtë që ishte ofruar nga arkitekti Rama për projektin e tij./ KultPlus.com

“Universiteti Publik t’u kërkojë falje të gjitha grave të cilat kanë përjetuar ngacmim seksual brenda institucionit”

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis dënon gjuhën seksiste të Prorektores së Universitetit Publik të Prishtinës, znj. Teuta Pustina – Krasniqi, e cila justifikoi ngacmimet seksuale brenda Universitetit Publik në një deklaratë për media, duke i fajësuar studentet për mënyrën e veshjes së tyre, sipas të cilës, kjo është një prej arsyeve pse ndodhë ky fenomen në universitet.

“Por një porosi thotë për gjininë femërore, studentëve, stafit akademik, stafit administrativ ju apeloj që mos të provokojnë, mos të vishën në mënyrë provokative, sepse ky është një efekt psikologjik, i cili mund të ndikojë shumë negativisht në rrethin në të cilën një student i caktuar kryen ushtrimet, ligjëratat. Prandaj i apeloj vajzat e reja që janë një pjesë e një institucioni shumë serioz, në të cilin kryhen ligjërata nga profesorë dhe asistent, për këtë duhet të respektojnë kodin e veshjes”, kishte potencuar Prorektorja.

Ne si organizatë jemi mjaftë të shqetësuar, pasi e kemi përcjellë nga afër gjendjen e Ngacmimeve Seksuale në Universitetet Publike të Kosovës (Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Gjakovës, Universitetin e Mitrovicës dhe Universitetin e Prizrenit), madje përshkak të nevojës për t’u adresuar kjo problematikë kemi nxjerrë edhe raportin që adreson këtë fenomen “Adresimi i Ngacmimeve Seksuale në Universitetin Publik”.

Duke bashkëndje me të gjitha storiet që janë ndarë me neve gjatë përpilimit të raportit, jemi fuqimisht kundër riviktimizimit dhe tendencave mospërfillëse të zyrtarëve të Universitetit Publik rreth adresimit të këtyre rasteve.

Sipas raportit të kompletuar, gjatë intervistave me studentet, ato kanë pretenduar të jenë në dijeni të shfaqjes së rasteve të ngacmimit seksual, por ato nuk i raportojnë sepse nuk i besojnë institucionit. Ka pasur raste që studentët janë bindur të mos i çojnë rastet më tej për shkak të pasojave të mundshme akademike dhe personale.

Apelojmë që Universiteti Publik të distancohet nga kjo deklaratë dhe të marr masat e duhura karshi gjuhës seksiste të Prorektores, duke e shkarkuar znj. Pustina – Krasniqi nga të gjitha detyrat zyrtare brenda rektoratit. Njëherësh, kërkojmë që Universiteti Publik t’u kërkojë falje të gjitha grave të cilat kanë përjetuar ngacmim seksual brenda institucionit.

Në këtë mënyrë, me vazhdimin e miratimit të ngacmimeve seksuale – duke fajësuar viktimat dhe duke mbështetur mite të dhunës seksuale, e të ngacmimeve, vetëm se shfajësohen agresorët dhe mirëmbahet toleranca ndaj dhunës seksuale dhe ngacmimeve seksuale. Universitetet Publike duhet të krijojnë mekanizma që do të shërbejnë për t’i mbështetur studentët për ta raportuar ngacmimin seksual tek personat kompetentë, e jo t’ua zbehin ende më shumë besimin tek këto institucione./ KultPlus.com

Rreth 40 për qind e profesorëve në UP me plagjiaturë

Nga 70 (shtatëdhjetë) profesorë të cilët janë hulumtuar lidhur me punimet e tyre, 40 % kanë prezencë të plagjiaturës. Të njëjtit, si rezultat i punimeve thirren në titujt e tyre akademikë, por edhe në pozitat e tyre akademike brenda Universitetit të Prishtinës.

Këtë hulumtim e ka siguruar Radio Kosova, i cili është bërë nga Instituti Edguard, por që nuk është publikuar ende.

Punimet e disa prej profesorëve në Universitetin e Prishtinës, kanë rezultuar se kanë plagjiaturë. Sipas të dhënave që ka siguruar Radio Kosova, punimet të cilat janë rishikuar kanë qenë punime të doktoratave të profesorëve, por edhe publikime të tyre shkencore.

Rinor Qehaja nga Instituti Edguar, i cili është marrë më këtë hulumtim, tha se përkundër që janë cilësuar si të pranueshme nga universiteti gjatë procesit të avancimit të tyre, të njëjtat janë dëshmuar që kanë prezencë të plagjiaturës.

“Të gjeturat tregojnë se nga 70 (shtatëdhjetë) profesorë të cilët janë investiguar dëshmojnë se te numër i madh i tyre ka prezencë të plagjiaturës deri në 40 %. Kjo e bën shqetësues faktin pasi të njëjtit si rezultat i punimeve thirren në titujt e tyre akademikë, por edhe në pozitat e tyre akademike brenda UP-së”, tha Qehaja.

Qehaja sqaron se prezenca e plagjiaturës ka qenë në disa nivele, ku përfshihen temat mes kolegëve brenda vetë fakultetit, mes profesorëve dhe studentëve, e të tjera.

“Punimet e studentit janë përfshirë dhe nuk janë cituar në publikim dhe prezenca në përqindje më të madhe është ajo që nuk ka referenca të mirëfillta se kur është marrë pjesë, paragrafë të caktuar të pa referuara nga punimet ndërkombëtare. Prezenca më e madhe e plagjiaturës është nga tema dhe punime ndërkombëtare për të vazhduar me plagjiaturën që është bërë në bashkëpunim mes kolegëve dhe studentëve”, tha ai.

Ndërsa, Prorektori për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, Faton Berisha, tha për Radio Kosovën se Universiteti i Prishtinës ka dizajnuar një sistem vlerësimi të kredibilitetit të revistave shkencore, ku botohen punimet e stafit akademik. Ai tha se kontrollin e cilësisë dhe të plagjiaturës në publikimet shkencore të profesorëve, universiteti ua delegon recensentëve, të cilët e kontrollojnë punimin dhe e propozojnë për publikim.

“Unë nuk mendoj që sa u përket punimeve shkencore, Universiteti i Prishtinës ka problem me plagjiaturën. Këto janë punime në gjuhën angleze të publikuara në revista kredibile dhe i nënshtrohen syrit kritik të tërë komunitetit shkencor të fushës përkatëse dhe nuk mendoj që këtu Universiteti i Prishtinës ka ndonjë problem me plagjiaturën”, tha Berisha.

Nga ana tjetër puna qëndron ndryshe me botimet e doracakëve dhe teksteve interne për përdorim në gjuhën shqipe. Berisha, tha se mbetet çështja e cilësisë në përgjithësi e teksteve të tilla dhe veçanërisht problemi për plagjiaturën.

“Sipas rregullores për botime të teksteve universitare, UP ka një sistem kontrolli e balance që duhet të sigurojë kualitetin e teksteve të tilla, që të mos ketë plagjiaturë në brendi. Ky sistem fillon nga recensentët, me këshillin e fakultetit, redaktorët dhe në fund me këshillin e botimit. Kjo çështje e plagjiaturës do të adresohej mirë po të kishim në nivel kombëtar një sistem, i cili detekton pjesë të ndryshme të teksteve që përputhen ndërmjet botimeve të ndryshme. Është mirë që të jetë e rregulluar me ligj, ku për të gjitha temat që mbrohen nëpër universitete të kalojnë nëpër një sistem softuer dhe pastaj mblidhet fondi i teksteve në atë sistem, detektohen dhe nxirret përqindja se sa përputhen me një tekst tjetër”, tha ai.

Në rast se Senati i Universitetit ka të dhëna dhe fakte për plagjiaturë në punimet e profesorëve, atëherë ai ka një këshill të etikës, i cili në bazë të rregullores përcakton procedurat për masat konkrete. / KultPlus.com