Intervista për The Paris Review
Përktheu: Granit Zela
Në vitin 1966, kur Xhon Apdajkut iu kërkua për herë të parë të jepte një intervistë për Paris Review, nuk pranoi: “Ndoshta kam shkruar letërsi artistike, sepse çdo gjë e shprehur shumë qartë më duket disi e pashije; dhe kur tema është vetja ime, dua të tregohem i ashpër, dhe të vuaj. Po kështu, nuk kam shumë për t’u thënë intervistuesve; atë pak që kam mësuar për jetën dhe artin e të shkruarit përpiqem ta shpreh në veprën time”. Një vit më pas, u pranua kërkesa e dytë, por mundësia e një takimi me Apdajkun solli vonesë të mëtejshme. A duhej të bënim një takim të ndjekur nga një shkëmbim pyetjesh dhe përgjigjesh me shkrim, apo duhet të bënim të kundërtën? A ishte i nevojshëm një takim? (Apdajku druhej se mos bënte, qoftë edhe për një çast, “një monolog fjalëshumë.) Në fund, gjatë verës së vitit 1967, iu dorëzuan pyetjet me shkrim dhe më pas, u intervistua te ishulli në brigjet e Masaçusetit ku kalonte pushimet bashkë me familjen. Sapo e sheh, Apdajku të befason me sjelljen shumë të çlirët për një shkrimtar me një zanat dhe ndjeshmëri të tillë. Pasi përshkoi rrugën e ngushtë kryesore të qytezës së Edgartaunit, autori doli nga Shevroleti i vjetër – një i ri këmbëzbathur, flokë shpupurishur, i veshur me bluzë më krahë të shkurtër ngjyrë kaki dhe xhup. Apdajku është bashkëbisedues që flet rrjedhshëm, por padyshim jo një njeri që pret që biseda të zhduk largësinë midis të tjerëve dhe jetës së tij të brendshme. Prandaj, faza e fundit e kësaj interviste ishte rishikimi i komenteve të bërë nga ana e tij për t’i sjellë në përputhje me stilin e përgjigjeve me shkrim. Përfundimi është një intervistë e krijuar, në mënyrën e saj modeste, një vepër arti, dhe si rrjedhim e përshtatshme për një njeri që beson se vetëm arti mund të gjurmojë nuancat e përvojës.
Charles Thomas Samules: I keni përdorur vitet tuaja të hershme si lëndë letrare dhe keni diskutuar për to në intervista, por nuk keni treguar shumë për kohën e kaluar në Harvard. Pyes veten se çfarë efekti mendoni se ka pasur tek ju.
John Updike: Koha ime në Harvard, sapo u gjenda në mjedisin e qetë të studimeve të vitit të parë, ishte mjaft idilike dhe siç thonë ata, e suksesshme; por ndjeva, ndërsa ato vite kalonin, trazimin që duhet të ndiejë një larvë ndërsa qelizat trupore i ndërrohen për ta bërë flutur. Më kujtohet shkëlqimi i dritareve të Muzeut të Arteve të Harvardit ndërsa gruaja ime e ardhshme i jepte biçikletës duke kënduar nëpër oborrin me dëborë, edhe era e revistave të lagura të vjetra që ngrihej nga bodrumi i revistave të humorit “Fshikulli” e cila të ngacomte në hundë kur hyje në sallë, mjediset e shumta të këndshme në klasa ku ishin të gjitha gjurmët e njohurive të shumë të tjerëve që kishin kaluar aty dhe e ndjeje lavdinë e nderuar të të gjithëve, me pamje më hijerëndë se e imja, pasi për ta është shkruar kaq shumë. Gjithçka që më duket se kam qenë në gjendje të ruaj nga përvoja e Harvardit është rrëfyer në një tregim me titullin “Shokët e krishterë të dhomës”. Është edhe një tjetër, “Nderim për Paul Klinë”, e botuar në revistën “Konteksti liberal”, por nuk është pjesë e ndonjë libri. Foks Uitmani në romanin Çiftet, kujton disa nga gjërat që kam bërë. Ashtu si edhe mua, ato kujtime të krijojnë ndjesi të vagullta paqëtimi ngaqë bëhesh njeri i sjellshëm. Kam përshtypjen se unë nuk u besoj vendeve të shenjta, që kanë shumë rregull. Harvardi ka mjaft panegjirist edhe pa mua.
A mësuat shumë për artin e të shkruarit në revistën humoristike “Fshikulli”?
“Fshikulli” u tregua shumë i hapur. Krahas kënaqësive të këndshme të solidaritetit në grup, më dhanë edhe liri të plotë në revistë, fillova si karikaturist, shkrova shumë vargje argëtuese dhe gjithnjë e më shumë proza. Kishte shumë hapësirë për të mbushur. Pastaj, unë kam një dobësi romantike për hokat – e quanim veten hokatarë, vetë termi është shpotitës. Specialiteti im ishin shakatë kineze. Në një festë të vogël ditëlindjeje fëmijët po këndojnë dhe janë qendër të vëmendjes, “Gëzuar ditëlindjen, Tu Yu”. Ose njerëz të lezetshëm që dëgjojnë një njeri të agjitacionit dhe pyesin njëri-tjetrin: “Pse s’e bëjmë edhe ne një punë të tillë me një goxha pagë?”. Tjetër karikaturë – një princeshë përrallash në kullë, me flokët e varura në tokë, me tabelën “Rrugëdalja në rast zjarri”. Dhe më kujtohet karikatura e Bink Jangut, tani prift ipeshkvnor, me atletet e rrëgjuara mbi tavolinë, duke komplotuar solemnisht si të vidhte një luftanije nga porti i Bostonit. Ndoshta, si një larvë e shpërndërruar në mënyrë të papërsosur, ushqeja mirënjohje që isha në shoqërinë e fluturave të vërteta.
Keni hequr dorë tërësisht nga vizatimi? Vura re se rubrika e fundit “Letra nga Anguilla” ilustrohej nga ju.
Sa mirë që e keni vënë re. Për vite me radhë doja të përfshija vizatime në The New Yorker, dhe më në fund ia dola. Ambicia ime e parë ishte të bëja filma vizatimorë për Uollt Diznejn. Asokohe doja të bëhesha karikaturist reviste. I sapomartuar, vizatoja Merin me fëmijët dhe atë vit e kalova në shkollën e artit, por së fundi s’kam vizatuar, dhe nuk bëj më shkarravina në komo, anash telefonit. Është një humbje që më ngjall trishtim. Jam i interesuar për poezinë konkrete, përpiqem t’u kthehem dorëshkrimeve, të përdor hapësirën e faqes dhe mundësitë teknike. Libri im i ri, një poezi e gjatë e quajtur E mesmja e artë, përpiqet të bëjë diçka të tillë. Meqenëse shkruajmë për syrin, pse të mos shkruajmë vërtet për të, t’ia japim këtë kënaqësi? Shkronjat janë para së gjithash fotografi të vogla, kështu që le të kombinojmë imazhet grafike dhe fotografike, me fjalët. Dua të them t’i bëjmë njësh. Kjo më kujton shkronjat kineze të Ezra Paundit, natyrisht Apolinaire-in; dhe nga poezitë e mia, “Arrëthyesi”, me fjalën arrë me shkronja të zeza, më duket po aq e mirë sa krahët e engjëjve të Xhorxh Herbertit.
Pas diplomimit në Harvard, punuat për Nju Jorkerin për dy vjet. Çfarë lloj pune bëtë?
Shkruaja për rubrikën “Biseda të qytezës”, që do të thotë se shkoja andej – këndej fizikisht dhe pastaj përfundoja shkrimin. Një rol ngazëllyes! Ishte punë e këndshme që më hapi para syve qytetin. Isha njeriu që shkonte shëtitje me varkë ose në ekspozita elektronike në Koloseum dhe përpiqesha të bëja poezi impresioniste për objektet që shihja si dhe dëgjoja bisedat e të tjerëve.
Pse u larguat?
Pas dy vitesh dyshova se po zgjeroja zhanrin. Kur u bëmë me fëmijën e dytë dhe kishim nevojë për një apartament më të madh, papritmas na u duk se gjëja më e mirë që mund të bënim me time shoqe ishte të largoheshim por ta mbaja punën. Ata ende e mbajnë emrin tim si pjesë e stafit, vazhdoj të jap ndihmesë te rubrika “Shënime dhe komente”, dhe ndihem shumë mirë që kam një lloj shtëpie profesionale ku më shohin deri diku si të aftë. Amerika në përgjithësi nuk pret që shkrimtarët të jenë të aftë. Presin gjëra të tjera, por jo aftësi.
Si ndiheni që jeni lidhur me atë revistë për kaq shumë vite?
Shumë i lumtur. Që në moshën dymbëdhjetë vjeçare, kur tezja bëri pagesën e pajtimit me këtë revistë gjatë Krishtlindjeve, Nju Jorker më është dukur më e mira nga revistat e mundshme dhe pranimi i një poezie dhe një tregimi për ta botuar në qershor të vitit 1954 mbetet zbulimi më dalldisës i jetës time letrare. Kujdesi editorial dhe mirënjohja e tyre për një shkrim që u pëlqen janë të pakrahasueshme. Më pëlqen formati – nënshkrimi në fund, të gjitha me të njëjtën madhësi dhe lloji i titullit me shkronja zbukuruese, që të kujton Persinë e dikurshme dhe njëherësh të ardhmen.
Duket sikur i shmangeni shoqërisë letrare. Pse?
S’besoj, kështu mendoni? Ja ku jam duke biseduar me ju. Pasi u largova nga Nju Jorku në vitin 1957, e lashë pa keqardhje botën e përdalë letrare të agjentëve dhe të mëtonjësve të letërsisë, edhe po të mos ishe pjesë e saj, kjo botë dukej joushqyese dhe penguese. Hemingueji e përshkroi Nju Jorkun letrar si një shishe plot me tenja që përpiqeshin të ushqeheshin me njëri-tjetrin. Kur shkruaj, synoj me mendje jo drejt Nju Jorkut, por drejt një vendi të paqartë pak në lindje të Kansasit. Mendoj për librat në raftet e bibliotekës, pa ballinat e tyre të vjetra dhe një djalë adoleshent fshatar që i gjente dhe i kërkonte të flisnim për to. Recensionet, pirgjet me libra romantik, janë pengesa për t’u kapërcyer, për të renditur librat në raft. Gjithsesi, në vitin 1957, isha plot me gjëra të Pensilvanisë për të cilat doja të shkruaja, dhe Ipswich më dha hapësirën ku ta shpreh dhe në të cilën jetoj me modesti, rris fëmijët dhe kam miq prej asaj që kam bërë si individi në marrëdhëniet me ta dhe prej asaj që kam botuar.
A mërziten fqinjët në Ipswich, dhe të mëparshmit në Shillington, kur mendojnë se mund ta gjejnë veten faqet e librave tuaj?
Do të thosha që jo. Shpresoj që njerëzit të dinë dallimin midis jetës reale dhe letërsisë, dhe në përgjithësi e dinë. Në Shillington isha shumë larg nga qyteza dhe ka një element më të madh ndryshimi sesa mund të duket. Ka shumë pak personazhe në Tregimet e Olingerit që mund të duken lënduese edhe prej largësisë. S’kam shkruar shumë për përvojën në Ipswich. Një pjesë e gjeografisë së tij depërton te romani Çiftet, por vetë çiftet janë pak a shumë të rritur që mund të hasen kudo në lindje. Banorët e qytezës, ndonëse fillimisht u tronditën pak nga libri, mendoj se ishin të qetë pasi e lexuan.
Një javë pas botimit, kur gazetat e Bostonit po e pasqyronin me stilin e bujshëm tabloid, dhe revista Antlatik u shpreh me indinjatë me anë të Diana Trilling-ut, njerëz të zakonshëm si punonjësi i pikës së furnizimit me karburant dhe një grua e panjohur në fushën e golfit më ndalonin dhe thoshnin fjalë qetësuese, lavdëruese. Punoj në qendër të qytetit, ngjitur me një restorant, mund të shihem kur shkoj në zyrë gati çdo mëngjes, dhe mendoj se njerëzit në Ipswich ndiejnë keqardhje kur më shohin që përpiqem të siguroj jetesën në një punë kaq pa fitim. Merrem edhe me çështjet lokale, jam pjesëtar i komisionit për ndërtimin e kishës kongregacionale dhe pjesë e këshillit demokratik të qytetit, dhe ndërsa buja e Çiftet po përhapej, duke kulmuar me atë ballinën e revistës Time, po shkruaja një shkrim argëtues për jetën tonë në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Të dyja qytezat në mendjen time nuk janë edhe aq të tanishmet, më shumë janë vende ku kam qenë kur isha fëmijë dhe më pas i rritur. Dallimi midis Tregimet e Olingerit dhe qytezës së trilluar Tarboks te Çiftet, është më shumë si ndryshimi midis fëmijërisë dhe moshës madhore se sa ndryshimi midis dy vendndodhjeve gjeografike. Ato janë faza në përparimin e pelegrinazhit tim, jo pika në hartë.
Po prindërit? Duket se shfaqen shpesh në veprën tuaj. A kanë ndikuar reagimet e tyre ndaj dorëshkrimeve te versionet e mëvonshme?
Prindërit e mi s’duhet të krahasohen me asnjë prej baballarëve dhe nënave të trilluara. Por s’e kam problem të pranoj se Xhorxh Kolduelli ka marrë disa gjeste të gjalla dhe shqetësime tipike të tim ati, Ueslej Apdajkut. Një herë, pasi u botua Centauri, u qortova nga një nxënës i shkollës së tim ati për portretin e egër të babait, dhe im at, me një gjest tipik prej shenjtori, ndërmjetësoi, duke thënë: “Jo, është e vërteta. Im bir më ka protretizuar saktë.” Nëna, ka stil tjetër mbrojtës prej shenjtoreje, ajo është lexuese ideale, nënë ideale që i jep liri të pafund të birit shkrimtar. Të dy kanë një oreks ngazëllyes për të vërtetën që nuk është i klasës së mesme, sado e tmerrshme të jetë e vërteta, dhe pasi ma kanë mbushur fëmijërinë me ngrohtësi dhe ngjyra, më kanë lënë të kaloj në moshën madhore pa ndërhyrje. Gjithmonë kanë qenë vetëm nxitës, edhe kur temë e shkrimeve të mia ishin plagë të vjetra dhe vizionit fëminor për gjërat, apo kur i është dhënë autoriteti i panevojshëm i librit të botuar. Kam shkruar pa frikë se mos humbas dashurinë e tyre.
Pjesa më e madhe e veprës suaj ndodh në një vend të zakonshëm: Olinger. Kështu që ishte interesante të të shihje duke i lënë lamtumirën asaj bote për të cilën shkruan në parathënien tënde për Tregimet e Olingerit. Megjithatë në vitin pasardhës ju botuat Prej fermës. Pse ndiheni kaq të tërhequr nga kjo lëndë?
Tek Prej fermës ngjarjet ndodhin rreth qytezës Fajërtaun; ata vetëm shkojnë njëherë në supermarketin Olinger. Më tërheq Pensilvania juglindore sepse e di se si ndodhin gjërat atje, ose të paktën si ndodhnin dikur. Pasi të kesh thellë brenda teje mundësitë themelore të një vendi, mund ta imagjinosh atë lirisht.
Nuk dua të them këtë. Doja të pyesja pse të vazhdoni të shkruani për Olinger-in në vetvete, por shkruani kaq shumë për atë që shumica e njerëzve mendojnë se është adoleshenca dhe familja juaj. Për shembull, kritikë të shumtë kanë vënë në dukje ngjashmëritë midis Prej fermës, Centauri dhe histori si Gishtëza e gjyshes sime. Fluturimi për shembull duket një version më i hershëm i Prej fermës.
Ma merr mendja se është e pashmangshme, më dukej interesante koha e adoleshencës. Në njëfarë kuptimi, nëna dhe babai po e dramatizonin rininë time, kështu që si i rritur kisha një pjesë të lëndës tashmë gjysmë të gatshme. Është e vërtetë, gjendet një fill i fshehtë që lidh disa nga prozat, dhe mendoj se fijet e fshehta janë autobiografi. Kjo do të thotë se te Prej fermës, megjithëse mbiemri nuk është ai i njerëzve te Centauri, gjeografia s’ka ndryshuar dukshëm. Prej fermës ishte deri diku një vështrim në botën e Centaurit pasi centauri kishte vdekur. Meqë ra fjala, më duhet të përsëris se nuk doja që Kolduelli të vdiste te Centauri; vdes në kuptimin e të jetuarit, të kthimit në punë, të të qenit strehë për të birin. Në kohën kur Xhoi Robinsoni është tridhjetë e pesë vjeç, i ati ka vdekur. Gjithashtu, kemi edhe përmendjen e urës Raning Hors te Lepur, vrapo, i cili kthehet në Alton të Centauri. Dhe në njëfarë mënyre, Raning Hors është si urë mes dy librave, i lidh ato. Kur isha i vogël, vizatoja objekte të ndryshme në një copë letre – thekëse buke, topa bejzbolli, lule e gjithçfarë gjërash – dhe i lidhja me vija. Por çdo histori është fillim i ri për mua, dhe këto lidhje të vogla – përsëritjet e emrave, ose zakone, le të themi, si pagjumësia e Piet Hanemasit e kthen atë në të njëjtën shkollë të mesme që janë John Nordholm, David Kern dhe Allen Dow – janë aty si një lloj vijimësie e shpejtë, e zhdrejtë. Pasi trilloj një emër, ndihem krejtësisht i fshehur pas asaj maske, çfarë mbaj mend dhe çfarë imagjinoj bëhem e padallueshme. Nuk ndjej asnjë detyrim për të kujtuar të kaluarën. Ajo që unë krijoj në letër duhet, dhe për mua ashtu ndodh, të fluturojë mbi çfarëdo lloj fakti. A ju duket kjo me kuptim? Deri diku po.
Me fjalë të tjera, nuk pranoj asnjë lidhje thelbësore midis jetës sime dhe asaj që shkruaj. Mendoj se autobiografia është një zonë shqetësuese patologjike dhe e papërshtatshme, megjithëse mjaft e natyrshme – shumë shqetësime patologjike janë të natyrshme, por vepra letrare, fjalët në letër, duhet të qëndrojnë të ndara nga pranitë tona prej njerëzish të gjallë; ulemi në tavolinë dhe nuk bëhemi gjë tjetër veçse justifikimi për këto lëvozhga që i hoqëm. Por përveç lidhjeve deri diku të vogla, në këto tre romane dhe në tregimet e Pendët e pëllumbit imazhi kryesor ështëikjen, arratisjen ose humbjen, mënyra se si ikim nga e kaluara, një ndjenjë faji që u përpoqa ta shpreh në tregimin me titullin e gjatë, “Njeriu i bekuar i Bostonit, këllëfi i gjyshes sime dhe ishulli Faning”, ku tregimtari bëhet një banor i Polinezisë që përshkon zbrazëtinë. Aty shfaqet se si në kohë ashtu edhe në hapësirë ne i lëmë pas njerëzit me dëshirën tonë dhe në këtë mënyrë bëjmë faj dhe u kemi borxhe atyre, të vdekurve, të braktisurve, të paktën nderimin për ta. Trauma ose mesazhi që përcolla te tregimet e Olingerit kishte të bënte me dhimbjen e ndrydhur, me masën r sakrificës që besoj se është e detyruar të bëjë klasa e mesme, dhe me këtë mendoj se nënkuptoj jetën e qytetëruar.
Babai, cilido qoftë emri i tij, sakrifikon lirinë e lëvizjes, dhe nëna sakrifikon në një farë mënyre – e po, pasurinë seksuale, mendoj; të gjithë kanë ngecur dhe kur mendoj sërish për këto histori (dhe ju e dini, ato janë të dashura për mua dhe nëse do të më duhej t’i jepja dikujt një libër të mirë do të ishte Tregimet e Oliverit), mendoj veçanërisht për atë çast te Fluturimi kur djali, duke u përpjekur të arratiset, menjëherë pas takimit me Molli Bingamanin, ndihet pak më shumë burrë, por jo sa duhet, gjen nënën të përhumbur në letrat nga larg, në xhazin e Nju Orlinsit, dhe pastaj dëgjon zërin e gjyshit që zbret poshtë shkallëve duke kënduar: “Ka një tokë të lumtur shumë larg”. Kështu ka qenë, dhe është. Nuk ka pasur asnjë përvojë tjetër në jetën time kaq të ngjeshur dhe kaq komunikuese për fuqinë dhe vlerën, për pikëllimin e pashmangshëm të të jetuarit. Në të vërtetë, nuk mendoj se jam i vetëm ndër shkrimtarët që kujdesen për atë që kanë përjetuar në tetëmbëdhjetë vitet e para të jetës. Heminguej i vlerësonte historitë e Miçiganit tej mase, sipas meje, për meritat e tyre. Shikoni Tueinin. Shikoni Xhojsin. Asgjë që na ndodh pas të njëzetave nuk është e lirë prej vetëdijes, sepse atëherë kemi prirjen për të shkruar. Jeta e shkrimtarëve ndahet në dy gjysma. Në pikën ku ke pjesë të jetës tënde zejen e shkrimësisë, s’je më i hapur ndaj përvojës si dikur. Të shkruarit bëhet një lloj mburoje, një mënyrë fshehjeje, një mënyrë për ta shndërruar dhimbjen në butësi, ndërsa kur je i ri, je aq i pafuqishëm sa s’mund të mos përpiqesh të vëzhgosh dhe të ndjesh.
Në recensën e Letrave për Atin Flye të James Agee, ju mbroni profesionalizmin. Megjithatë, a ju shqetëson fakti që shkruani për të nxjerrë jetesën duke mos bërë asnjë punë tjetër?
Jo, gjithmonë kam dashur të vizatoj ose të shkruaj për të jetuar. Mësimdhënia, alternativa e zakonshme, dukej vërtet shterruese dhe korruptuese. Kam qenë në gjendje t’ia dal përgjithësisht me format më të respektuara – poezi, tregime, romane – por ajo që kam bërë në gazetari ka qenë e dobishme. Do të shkruaja reklama për deodorantët ose etiketa për shishet me keçap nëse do të më duhej ta bëja. Mrekullia e shndërrimit të ideve në mendime, të mendimeve në fjalë dhe fjalëve në fletë dhe libër s’më mërzit kurrë. Aspektet teknike të krijimit të librave, nga lloji i shkronjave deri te ngjitësi lidhës, më interesojn. Dallimi midis një gjëje të bërë mirë dhe një gjëje të bërë keq gjendet kudo – në të gjitha rrathët e Parajsës dhe Ferrit.
Shkruani shumë kritikë letrare. Pse?
E bëj (a) kur një autor, si Muriel Spark ose Borges, më emocionojnë dhe dua të përhap lajmin e mirë, (b) kur dua të shkruaj një ese, si për dashurinë romantike, ose teologjinë e Barth-it, (c) kur ndiej se jam i padijshëm për diçka, si frëngjishtja moderne, dhe pranimi për të shkruar një një recensë më detyron të lexoj dhe të mësoj.
A ju duket e dobishme për letërsinë tuaj artistike?
Mendoj se është mirë që një autor, i hutuar nga recensat e paqarta për të, të zbulojë se çfarë arti i pabindur është shkrim i një recense, sa e vështirë është të tregosh sa duhet subjektin e përmbledhur, dhe lëre pastaj të rendisësh reagimet e sinqerta. Por shkrimi i recensave s’duhet të bëhet zakon. E nxit një shkrimtar të mendojë për veten si specialist dhe një lloj eksperti, të mendoj për letërsinë si veprimtari mendore dhe shoqërore – të gjitha iluzione të dëmshme.
Do të doja të pyesja për zakonet tuaja të punës nëse mundem. Çfarë lloj orari ndiqni kur shkruani?
Shkruaj çdo mëngjes gjatë ditëve të javës. Përpiqem të ndryshoj atë që po bëj, edhe vargjet e poezive, kjo ndihmon. Kur nis një projekt të gjatë, përpiqem të merrem vetëm me të edhe në ditë të mërzitshme. Gjithsesi, pas çdo romani të botuar, kam pasur një të papërfunduar ose të flakur. Disa tregime – “Shpëtimtari”, “Shija e metalit”, “Gishtëza e gjyshes sime” – janë fragmente të shpëtuara dhe të riformësuara. Shumica janë shkruar herën e parë – nisën të shkriheshin, siç thotë Frosti për poezitë e tij. Nëse s’ka shkrirje, nëse historia vazhdon të rrijë në vend, më mirë lëre dhe bëj ndonjë gjë tjetër. Kur e shkruan duhet të ketë një “lumturi” që mund të mos jetë e vullnetshme apo e paracaktuar. Duhet të shkrep, të ketë diçka. Përpiqem në çast të vë në lëvizje një prirje të caktuar pezullie ose kureshtjeje përpara dhe në fund të tregimit ose romanit të korrigjoj drejtpeshimin, për të përfunduar lëvizjen.
Pasi përfundon dita e punës, a jeni në gjendje të shkëputeni apo ajo që keni shkruar ju ndjek pasditeve dhe i bën jehonë përvojës suaj?
E po, mendoj se nënvetëdija e zgjedh, dhe herë pas here një ndjenjë ose imazh shqetësues do të zgjidhet vetë, – dhe më pas ti e mban shënim. Nëse kam ngecur, përpiqem të çlirohem përpara se të ulem përsëri, sepse gjatë ditës i rrethuar nga njerëz, muzika dhe natyra është më e lehtë për të bërë lëvizje të mëdha në mendjen tënde se sa të jesh ulur para një makine shkrimi në një dhomë pak klaustrofobike. Është e vështirë të mbash një dorëshkrim në mendjen tënde, sigurisht. Ulesh pra tryezës dhe zbulon se zgjidhja në të cilën kishe arritur ndërkohë që ke pagjumësi në të vërtetë s’të përshtatet. Mendoj se nuk jam i pavetëdijshëm për veten si shkrimtar dhe për projektin tim të tanishëm. Disa vende janë veçanërisht të favorshme për frymëzim – makina, kisha – vende private. E krijova subjektin e Çiftet pothuajse tërësisht në kishë – bëja shënime idesh të shpejta në program dhe i çoja në zyrë të hënën.
E po, ju nuk jeni vetëm shkrimtar, por edhe i famshëm. A ka ndonjë problem me të qenit i famshëm?
Jam intervistuar më tepër se normalisht, i shmang, por edhe një është shumë. Sado të përpiqesh të jesh i sinqertë, intervistat në thelb janë të rreme. Ka diçka tmerrësisht të gabuar në lidhje me përkushtimin ndaj kësaj makine shkrimi dhe versionit tuaj të asaj që merrni nga pajisja, ndoshta nuk dëgjoni mirë ose makina mund të jetë me defekt. Të gjitha gjërat dalin të bashkangjitura me emrin tim, dhe në të vërtetë nuk janë të gjitha siç mund të jenë menduar. Marrëdhënia ime me ju dhe mënyra ime e drejtëpërdrejtë e shqiptimit me zë të lartë janë shfytyruese. Në çdo intervistë, thua më shumë ose më pak se sa ajo që mendon. Ndryshe nga Norman Mejlër dhe Bellou, s’kam shumë kohë për të folur për çështje të mëdha, për të reformuar vendin, për t’u zgjedhur kryetar i bashkisë së Nju Jorkut, apo për t’i shërbyer botës me të qeshur si heroi i dramës së Bellow-t Analiza e fundit. Jeta ime, në një farë kuptimi, është ajo që mbetet nga të shkruarit. Personi që shfaqet në kopertinën e Time ose monologu i të cilit do të shtypet në The Paris Review nuk jam unë që ekzistoj fizikisht dhe shoqërisht, as unë që nënshkruaj prozën dhe poezinë. Kjo do të thotë, gjithçka është në mënyrë të papërcaktuar në rregull, dhe çdo mendim është disi më i papërpunuar se struktura e gjësë reale. E kam të vështirë të kem mendime. Teologjikisht favorizoj Karl Barthin; politikisht, favorizoj demokratët. Por e çmoj një vërejtje të bërë nga Xhon Keixhe, se nuk është gjykimi, por çiltërsia dhe kureshtja janë puna jonë e duhur. Duke folur për çështje ku je i paditur, e zbeh fuqinë e zërit tënd ku flet për çështje ku di diçka.
Një nga gjërat që kam menduar gjithmonë se do të ishte e vështirë për shkrimtarët e famshëm është se ata marrin vazhdimisht dorëshkrime nga amatorë rishtarë. A e përjetoni këtë dhe nëse po, si i trajtoni?
Kam prirjen t’i humbas dorëshkrimet. E mbaj mend veten si një shkrimtar i tillë dhe e dini, s’e kam bërë kurrë. Mendova se shkrimtarët e botuar kishin punuar me dorëshkrimet derisa ishin bërë të vlefshme për t’u botuar, dhe thoja me vete se kjo është mënyra e vetme për ta bërë, dhe jam pak në mëdyshje kur marr nga të rinjtë letra dashamirëse që më sugjerojnë të zhvilloj një kurs shkrimi të improvizuar. Me sa duket, jam bërë pjesë e establishmentit që pritet t’i shërbejë rinisë – si presidentët e kolegjeve dhe policia. Ende po përpiqem të edukoj veten. Dua të lexoj vetëm atë që do të më ndihmojë të shfaq atë që mundem të bëj me të shkruarit.
Meqenëse jemi te tema e rolit tuaj publik, pyes veten se si reagoni ndaj përdorimit në rritje të letërsisë suaj në kurset e kolegjeve?
Oh, ashtu është? A e përdorin?
Unë e përdor shumë. Çfarë mendoni për këtë si shkrimtar? A mendoni se do të ndërhyjë mes veprës dhe lexuesit anë aspektin e të kuptuarit ose ndjenjës që krijohet për veprën tuaj. Dua të them, a jeni dakord me idenë e Trilling-ut, për shembull, se letërsia moderne dobësohet disi duke u shfaqur në kontekstin social të klasave, apo nuk ju shqetëson kjo?
Jo. Po t’i kthehem përvojës time të kolegjit, kursi ishte vetëm një mënyrë për të afruar me librat dhe pasi kjo ka ndodhur, marrëdhënia shkrimtar-lexues është krijuar. E lexova Dostojevskin për një kurs kolegji dhe kam qarë. Nëse ajo që thua është e vërtetë, kjo më ngazëllen. Mendoj se është e vështirë të japësh mësim, siç bëhet kaq shumë tani, kurse të vërteta të shkrimit bashkëkohor. (Në Oksford, ata shkonin deri te Tenisoni.)
Jeni mbi të tridhjetat – nuk jeni më i ri.
Mos…(qesh). Shumica e shkrimtarëve amerikanë nuk janë më të rinj. Ndoshta jam si Sherman Adamsi dhe Fats Domino dhe figura të tjera, e dini, deri diku të largëta që kanë ngjallur një interes të caktuar historik. Ne jemi në ankth në Amerikë për t’i paketuar gjërat tona shpejt dhe shkrimtari mund të bëhet një pako përpara se të jetë gati t’i gozhdojnë kapakun e arkivolit.
Në një intervistë që keni dhënë për Life, keni shprehur njëfarë keqardhje për qëndrimin “po, por” që kritikët kanë mbajtur ndaj saj. A çoi ankesa që kishit në shmangien e temave të mëdha në shkrimin e Çiftet?
Jo, dua të them që vepra ime thotë: “Po, por”. “Po”, te Lepur, vrapo, për pëshpëritjet tona të ngutshme të brendshme, “por” struktura shoqërore shembet në mënyrë vrastare. “Po”, te Centauri, për vetëmohimin dhe detyrën, “por” ç’të themi për agoninë private dhe zvogëlimin e qenies njerëzore? “Jo”, në Panairin i azilit të pleqve, ndaj homogjenizimit shoqëror dhe humbjes së besimit, “por” dëgjoni zërat, gëzimin e ekzistencës së përhershme. “Jo”, te Çiftet, për një bashkësi fetare të krijuar mbështetur në ndërdepërtimin fizik dhe psikik, “por” çfarë të bëjmë tjetër, kur Perëndia shkatërron kishat tona? Nuk mund të më interesojë shumë se çfarë thonë kritikët për veprën time; nëse është e mirë, do të dalë në sipërfaqe në një ose dy breza dhe do të notojë, e nëse jo, do të fundoset, duke më siguruar ndërkohë jetesën, mundësitë e kohës së lirë dhe kënaqësitë intime të një zejtari. Shkrova Çiftet sepse e kërkonte ritmi i jetës dhe krijimtaria ime, jo për të qetësuar zërat kritikë haluçinantë.
Do të doja të dija pse një akt seksual që paraqitet në mënyrë kaq neutrale në librin e mëvonshëm, Çiftet është kaq domethënës në librin e mëparshëm, Lepur, vrapo. E po, Çiftet, pjesërisht, ka të bëjë me ndryshimin e sjelljes seksuale që ka ndodhur që nga botimi i Lepur, vrapo; menjëherë më pas u botuan “Dashnori i Ledi Çetërlejt” dhe librat e parë të Henri Millerit. Tani nuk mund të hysh në një dyqan ushqimor pa parë pornografi në një stendë. E mbani mend Pietin e shtrirë në shtratin e Fredit duke admiruar koleksionin e librave të Fredit Grouv Press? Ajo që kërkohet në Lepur, vrapo, te Çiftet jepet lirisht. Çfarë tjetër? Është një mënyrë të ngrëni, e ngrënies së mollës, për të ditur. Së fundi, u habita, kur duke biseduar me një mikun tim biokimist, ai theksoi jo vetëm përbërjen kimike të enzimave, por edhe strukturën e tyre; ka rëndësi, për njerëzit që unë njoh, jo vetëm nga çfarë përbëhen, por saktësisht se si lidhen me njëri-tjetrin. Për seksin në përgjithësi, le ta kemi në letërsi, aq të detajuar sa duhet, por real, real në lidhjet e tij sociale dhe psikologjike. Le të heqim marrëdhënien seksuale nga kthina e fshehtë dhe nga altari dhe ta vendosim në vazhdimësinë e sjelljes njerëzore. Ka episode te Henri Milleri që kanë rezonancën e tyre njerëzore; seksi te Lolita, pas bukurisë së të çmendurit saj, ngjan i vërtetë; dhe mua më duket seksi te D. H. Lawrence i parë nga këndvështrimi i gruas, është mjaft bindës. Në mikrokozmosin e vetëdijes individuale, ngjarjet seksuale janë një eklips i madh, por jo i plotë; le të përpiqemi t’u japim madhësinë e tyre.
Por nëse nuk gabohem, ju keni shprehur dëshirën për të shkruar për filmat dhe mendoj se në veçanti “Lepur, vrapo”, është roman mjaft kinematografik. Keni ndonjë plan të tillë tani?
“Lepur, vrapo”, në fillim kishte nëntitullin, “Një film”. Koha e tashme deri diku ishte barasvlerëse e mënyrës kinematografike të rrëfimit. Skena e hapjes me çunat që luanin basketboll u përfytyrua në aspektin pamor me titra dhe emra aktorësh. Megjithatë, kjo s’do të thotë se doja shumë të shkruaja për filma. Do të thoshte se doja të bëja një film. Mund të afrohesha më shumë duke e shkruar në librin sesa duke u përpjekur të shkoja në Hollivud.
A mendoni se filmi ka shumë për t’i mësuar romancierit?
Nuk jam i sigurt. Mendoj se jetojmë në një epokë të orientuar drejt syve dhe se filmat, ashtu edhe grafika, artet e pikturës, na ndjekin, i ndjekin shumë njerëzit e fjalës. Kam shkruar për xhelozinë tonë në recensën tim për Rob Grije dhe teoritë e tij. Me pak fjalë, jemi xhelozë sepse artet pamore kanë magjepsur të gjithë njerëzit, të pasurit dhe të rinjtë.
Çfarë është ajo që mendoni se futet në shkrime të çastit që i shmangen prozës më të kujdesshme?
Bëhet fjalë për atë që është gjuha. Deri më tani, deri në këtë epokë të shkrimit dhe leximit masiv, gjuha ka qenë diçka e folur. Në të folur ka një minimum ngadalësie. Në përpjekjen për t’i trajtuar fjalët si goditje me daltë, rrezikon të humbasësh cilësinë e shqiptimit, ritmin e shqiptimit, lumturinë. Një fjali nga Mark Tueini përshkruan një trap që godet një urë dhe thotë se “u shkatërrua dhe u shkapërda si një kuti shkrepsesh e goditur nga rrufeja”. Bukurinë e “shkapërdarjes” e rrok vetëm një njeri fjalaman, një njeri i rritur mes njerëzve me të cilët kuvendonte ose që donte të fliste me veten. Jam i vetëdijshëm për një farë thatësie të këtij rezervuari, për këtë pasuri të të folurit. Një rumun më ka thënë se amerikanët gjithmonë tregojnë histori. Nuk jam i sigurt të jetë aq e vërtetë sa dikur. Dikur endnim fije rrëfimesh, tani rrimë para televizorit dhe shohim pamjet që na përcillen. S’jam i sigurt se brezi i ri di të bëjë thashetheme. Por, sa i përket një shkrimtari, nëse ka diçka për të treguar, ndoshta duhet ta shtypë gati po aq shpejt sa mund ta flasë. Mendoj se procesi i shkrimit duhet të jetë i larmishëm organikisht, por ka një lloj shtrëngimi që duhet ta ndjesh brenda vetes, pavarësisht se sa ngadalë apo shpejt je duke e rrotulluar bobinën.
Në aspektin teknik, sa mendoni se keni qenë jokonvencional?
Aq jokonvencional sa është e nevojshme të isha. Ka një liri absolute në faqen e pashkruar, kështu që le ta përdorim. Në në fillim kam qenë dyshues ndaj të rremes, reagimit prej automati. U përpoqa të mos e detyroja të kuptuarit e jetës si shumështresore dhe të paqartë, ndërkohë që mbaja parasysh njëfarë ndjesie ujdie, marrëveshjeje të arritur mes meje dhe lexuesit ideal. Agresiviteti në familjen e klasës së mesme, seksi dhe vdekja si gjëegjëza për kafshën që mendon, ekzistenca sociale si sakrificë, kënaqësitë dhe shpërblimet e papritura, korrupsioni si një lloj evolucioni, këto janë disa nga temat për të cilat shkruaj. Jam përpjekur të arrij objektivitetin në formën e rrëfimit. Vepra ime është meditim, jo shugurim, në mënyrë që intervistat si kjo t’i ndiesh si një detyrim për t’u rritur, një qëndrim. Nuk i mendoj librat e mi si udhëzime predikuese në një luftë idesh, por si objekte, me forma dhe struktura të ndryshme dhe misterin e çdo gjëje që ekziston. Mendimi im për artin që në krye të herës ka qenë se artisti sjell në botë diçka që nuk ka ekzistuar më parë dhe e bën pa shkatërruar diçka tjetër. Një lloj përgënjeshtrimi i ruajtjes së materies. Kjo ende duket se është kryesore, magjia, thelbi i kënaqësisë së të shkruarit./balkanweb/KultPlus.com