Ura e Kasabashit, destinacion turistik mes historisë dhe bukurive natyrore

Ura e Kasabashit, monument kulture me rëndësi historike e qytetit të Çorovodës, konsiderohet po ashtu një atraksion turistik në zonë.

E ngritur mbi një degë të lumit Osum, dikur në të kalonte rruga e karvaneve Berat – Skrapar – Korçë.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo urë, e cila ruhet në gjendje të mirë.

Demo tha se ura vazhdon të funksionojë si nyje lidhëse midis zonave të krahinës dhe vizitohet nga turistët e shumtë gjithashtu.

Ura e Kasabashit gjendet në afërsi të qytetit të Çorovodës dhe futet në tipologjinë e urave simetrike me tre qemerë me kurriz dhe me dritare shkarkuese.

Qemeri qëndror i cili ka një vëllim më të madh paraqitet me një konstruksion me majë të mprehtë me hapësirë drite 12 metra, ndërsa dy qemerët anësorë janë më të vegjël në vëllim dhe kanë formë gjysmë rrethore.

Monumentet e kulturës në vendin tonë po promovohen dhe po mirëmbahen nga specialistët përkatës, pasi këto vende po shndërrohen në atraksione turistike mjaft të pëlqyera nga turistët vendas dhe të huaj./KultPlus.com

Ura e Kasabashit, monument kulture realizuar nga mjeshtri i arkitekturës osmane

Ura e Kasabashit është një vepër inxhinierike që mban statusin “Monument Kulture”, Kategoria I. Ura gjendet në afërsi të qytetit të Çorovodës në rrethin e Skraparit. Ajo futet në tipologjinë e urave simetrike me tre qemerë me kurriz dhe me dritare shkarkuese.

DRTK Berat kujton se, dikur nëpër këtë monument kalonte rruga e karvaneve Berat-Skrapar-Korçë. Mendohet që ura të jetë një vepër e arkitekt Kasëmit nga fshati Grëmsh. Kjo mund të hamendësohet edhe nga emërtimi i urës (Kasabash-mjeshtër Kaso-Kasëmi).

Qemeri qëndror, i cili ka një vëllim më të madh, paraqitet me nje konstruksion me majë të mprehtë me hapësirë drite 12 m, ndërsa dy qemerët anësorë janë më të vegjël në vëllim dhe kanë formë gjysmë rrethore.

Ura e Kasabashit është ndërtuar mbi një degë të lumit Osum. Ajo ndodhet rreth 1 km larg qytetit të Çorovodës, në veri të tij. Specialistët mendojnë se është ndërtuar rreth shekullit XVI – XVII. / atsh / KultPlus.com