Nis restaurimi i Urës së Zogut

Kanë nisur punimet përforcuese në Urën e Matit, e njohur si “Ura e Zogut”, monument kulture, për vlerat e saj arkitektonike të kohës.

Lajmi bëhet me dije sot nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale.

Ministri Gonxhja inspektoi nga afër punimet e fazës së parë të Urës së Matit, e njohur ndryshe si “Ura e Zogut”. Faza e parë e punimeve përfshin përforcimin e këtij monumenti kulture dhe më pas do të pasohet me restaurimin thelbësor.

Krenari kombëtare që lidhi brigjet e Matit që prej 26 majit 1927, Ura e Matit është një prej veprave më të veçanta inxhinierike në Ballkan dhe njihet si një nga veprat e para inxhinierike, të këtyre përmasave, të shtetit shqiptar.

Projektuar nga inxhinieri zviceran Erwin Schnitter dhe ndërtuar nga firma triestine “Mazorana & Co Triest”, nën drejtimin e inxhinierit Gjovalin Gjadri, ura e gjatë 480 metra u ndërtua me gjashtë harqe (kampata), secili nga 54 metra.

Edhe pse një prej pjesëve u dëmtua gjatë Luftës së Dytë Botërore, ura mbetet një dëshmi e forcës krijuese dhe elegancës.

“Sot, ky monument kulture, në listën e pasurive në rrezik nga “Europa Nostra”, i është nënshtruar falë financimit nga Qeveria shqiptare, një ndërhyrjeje shpëtuese, si fazë e parë përforcuese, dhe në vijim pason restaurimi thelbësor, ku ekspertët po verifikojnë thellësinë e zhytjes së themelit dhe ndërthurjen e strukturës mbajtëse të çeliktë me këmbën e urës, veçanërisht për shkak të ndërtimit në mjedis me ujë dhe për shkak të cedimit dhe animit të këmbës së urës”, tha Gonxhja.

Ky projekt pritet të kthejë për publikun, për qëllime panoramike e pelegrinazhi, një tjetër objekt trashëgimie, të aksesueshëm e të kalueshëm nga vizitorët dhe të shfrytzueshëm për komunitetin e zonës./atsh/KultPlus.com

Miratohet fondi për ndërhyrjen emergjente në Urën e Zogut

Qeveria e Shqipërisë ka miratur fondin prej 57,5 milionë lekësh për ndërhyrjen emergjente në Urën e Zogut.

Ministria e Kulturës ka publikuar lajmin e vendimit të qeverisë këtë javë për miratimin e fondit për të shpëtuar një trashëgimi të arkitekturës siç është ura e Zogut mbi lumin Mat.

“Një lajm i mirë për trashëgiminë kulturore, për komunitetin dhe në veçanti për një objekt të rëndësishëm infrastrukturor dhe monumental siç është Ura e Matit apo siç njihet: Ura e Zogut”, thekson Ministria e Kulturës.

“Në mbledhjen më të fundit të Qeverisë u miratua fondi prej 57,5 milionë lekësh, që mundëson zbatimin e projektit për ndërhyrjen emergjente në të këtë objekt, i cili pësoi dëmtime të rënda për shkak të reshjeve të disa muajve më parë.Ka qenë një proces intensiv pune, me shkëmbime idesh, punë në terren, çka nuk ka qenë aspak e lehtë për shkak të kushteve të vështira atmosferike” thuhet në njoftim.

“Pas miratimit në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale të projektit të ndërhyrjes emergjente në Urën e Matit, nën kujdesin e zv.kryeministres, Belinda Balluku, u mblodh dhe u angazhua Komiteti Mbrojtjes Civile, me qëllim sigurimin e fondit të nevojshëm për zbatimin e tij.Projekti është rezultat i një pune profesorësh e ekspertësh të nderuar të Fakultetit të Inxhinierisë në Universitetin Politeknik dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, që me urdhrin e kryeministrit, u bënë bashkë për hartimin e projektit, brenda një kohe të shkurtër me shumë përgjegjësi e profesionalizëm”, njofton Ministria e Kulturës.

Po ashtu, Ministria e Kulturës shton se, miratimi i projektit u parapri nga vendosja e pajisjeve monitoruese, për të mundësuar të dhënat teknike e shkencore për hartimin e projektit të zbatimit.

Në grupin e punës u bënë pjesë profesorët e nderuar Markel Baballëku, Neritan Shkodrani, Iralda Xhaferraj, Esmerald Filaj, Ervin Paçi, Rikard Luka, Altin Seranaj, Andrin Kërpaçi, Shkëlqim Daja.

Ministria e Kulturës ka pasur takime dhe konsultime të vazhdueshme edhe me përfaqësuesit e “Europa Nostra”, të cilët janë treguar të gatshëm për të dhënë ndihmën e tyre, duke shprehur konsiderata për këtë operacion të ndërmarrë përgjatë muajve të fundit.

Miratimi i këtij fondi, jo vetëm mundëson ndërhyrjen emergjente, por krijon kushtet për zgjidhjen përfundimtare të problematikës në Urën e Matit

Ura e Matit është inauguruar më 26 maj 1927 dhe është projektuar nga inxhinieri zviceran, Erwin Schnitter.

Ura është e ndërtuar me gjashtë harqe, secili nga 54 metra i gjatë. E ndërtuar me çimento dhe hekur në një sistem nga më modernët për ndërtime urash (për atë kohë), edhe sot e kësaj dite nuk e ka humbur bukurinë dhe vlerën./atsh/KultPlus.com

Rrezikon shembjen Ura e Zogut

U përurua më 26 maj, të vitit 1927. Ura ku, inxhinieri Gjovalin Gjadri, zbatoi projektin e kolegut të ri zvicerian, asokohe vetëm 30 vjeç, Erwin Schnitter, i punësuar nga firma triestine “Mazorana & Co. Triest” do të ishte një ndër më të rëndësishmet sa dhe të bukurat, jo vetëm në Shqipëri.

Ndërtimi mbi lumin e Matit, do të shërbente për rrugën kryesore kombëtare, nga Jugu në Veri të vendit, si një nevojë urgjente e kohës. Ishte ministri i Punëve Botore, Musa Juka që u kujdes për punimet e një ure që shkonte afro 500 metra në gjatësi e me këmbët e ngulura në thellësi të madhe në lumin Mat.

Ura e re mbi Mat, u ndërtua me çimento dhe hekur, me një sistem nga më modernit për ndërtimin e urave për kohën. Në përurim morën pjesë deputetë, senatorë, si dhe autoritete nga Shkodra dhe Lezha.

Që gjatë të ndërtimit, ura njihej si “ura e Zogut”, pasi vetë mbreti – atëherë ende president – ishte ideatori i ndërtimit e ndoshta edhe krenaria e krahinës nga vinte.

Ura u bë pikëtakimi dhe kalimi nga Shqipëria e poshtme me atë të epërmen. Kur më 2001-in, u rikonstruktua nën financimin gjerman, u shpall edhe si më e bukura në Ballkan, për vlerat arkitekturore dhe inxhinierike.

Ndërsa, aktualisht është “Europa Nostra”: Zëri Evropian i Shoqërisë Civile, i përkushtuar ndaj Trashëgimisë Kulturore, që ka publikuar listën me 7 monumentet më të rrezikuara në Evropë, për vitin 2022 dhe mes tyre, Ura e Zogut në Shqipëri.

Në faqen zyrtare të Europa Nostra, thuhet se Ura e Zogut është një kryevepër e inxhinierisë së ndërtimit të fillimit të shekullit të 20-të në Ballkan. “E ndërtuar në vitin 1927 mbi lumin Mat, në Shqipërinë e Veriut, ura është e njohur për strukturën arkitekturore, gjatësinë dhe stilin e harqeve prej çeliku. Konsiderohet një arritje e rëndësishme në fushën e konstruksioneve metalike dhe strukturave prej betoni të ndërtuara mbi lumenjtë, në Evropën Jugore.

Me emrin e mbretit Zog I të Shqipërisë, ura njihet edhe si “ura me pesë harqe”. E projektuar nga inxhinierë gjermanë dhe zviceranë, ndërtimi i urës u zbatua nga inxhinieri shqiptar Gjovalin Gjadri, duke përdorur materiale të importuara nga Italia. Fillimisht, ajo përbëhej nga gjashtë harqe, por një nga harqet u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pavarësisht rëndësisë së trashëgimisë industriale dhe faktit që Ura e Zogut është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri, ura nuk është mirëmbajtur dhe është thuajse e prishur.

Struktura është në rrezik të menjëhershëm shembjeje për shkak të dëmtimit të shkaktuar në njërën prej kolonave. Me ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Mat, në vitin 1987 dhe vitin 2000, Ura e Zogut është shfrytëzuar, por më shpesh vizitohet nga turistët, duke pasur parasysh dizajnin origjinal dhe vlerën historike. /KultPlus.com