“Polemika” e Uran Butkës, diskutime me gjuhëtarë e gazetarë në 32 vite të përmbledhura në një libër

Historiani Uran Butka ka përmbledhur në një libër gjithë polemikat e tij me gjuhëtarët, historianë, gazetarë dhe shkrimtarë përgjatë 32 viteve.

Polemikat mbajnë tema mbi të kaluarën tonë, ngjarjet dhe debatet e së tashmes, por edhe perceptimin tonë për të ardhmen.

Ka qenë shqetësimi i tij, raporti me të vërtetën historike, mëkatet dhe krimet e diktaturës komuniste, si dhe personazhet simbol të saj.

Libri “Polemika” erdhi si rezultat i gati tre dekadave polemika mbi çështje të nxehta të historisë së luftës, të diktaturës dhe demokracisë. Studiuesi Uran Butka përmes këtij libri ka pasur qëllim të ndërtojë ndër të tjera dhe hartën e të vërtetave të manipuluara të historisë së Shqipërisë, sidomos atë të viteve të komunizmit./TopChannel/KultPlus.com

Screenshot

Dëshmitari i masakrës së Tivarit: Kur i pushkatonin rekrutët shqiptarë, ne të Kosovës qanim me dënesë

Studiuesi dhe historiani i njohur, Dr. Uran Butka, publikon dokumentet me urdhrin e Enver Hoxhës, ku ai shkruan: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë, brenda e jashtë kufijve të Jugosllavisë, pa toleruar…”!

Masakra e Tivarit, apo më gjerë, tragjedia e Tivarit, është një nga plojat më të mëdha, më të përgjakshme dhe më të pabesa, realizuar ndaj shqiptarëve. Është folur dhe shkruar për atë në mënyrë të njëanshme dhe të paplotë, sepse nuk është marrë në shqyrtim pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e pushtetit komunist të Shqipërisë në këtë masakër, për mungesë të dhënash e dokumentesh, por edhe për fshehje të së vërtetës. Shteti jugosllav, megjithëse ishte projektuesi dhe realizuesi i masakrës, e ka pranuar atë, qoftë edhe si aksidentale e të mpakur, por gjithsesi ka nxjerrë disa konkluzione dhe disa përgjegjësi. Ndërsa shteti shqiptar, i implikuar në këtë kasaphanë, shkaktuar kundrejt popullit të vet, ka heshtur për gjysmë shekulli, duke e mbuluar me harresë dhe papërgjegjshmëri të plotë, aq më tepër që akti i parë i kësaj tragjedie, ku u masakruan dhe u vranë me mijëra shqiptarë të pafajshëm, u luajt brenda territorit të Shqipërisë. Kjo masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav në marrëveshje dhe bashkëpunim me pushtetin komunist shqiptar.

Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar, ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, që u bënë, për fat të keq, edhe platforma e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim”. Për Çubriloviçin dhe ata që zbatuan masivisht gjenocidin kundër shqiptarëve, kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër, ishte kolonizimi i trojeve shqiptare të zbrazura, me kolonë serbë, Hercegovina, malazezë e maqedonas nëpërmjet ushtrisë dhe këshillave nacionalçlirimtare.

Këto projekte kriminale antishqiptare dhe antinjerëzore, u bënë program dhe veprim konkret i Partisë Komuniste Jugosllave dhe i Lëvizjes Nacional-Çlirimtare Jugosllave ndaj shqiptarëve. Në fillim të nëntorit 1944, komandave të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave iu dha, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50 % të banorëve shqiptarë” (Arkivi i Kosovës, F. OKKM k.10/29, 335 nr.1)

Ky gjenocid shpërfaqej hapur në formën e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nga forcat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë, të OZN-ës dhe nga detashmentet çetniko-drazhiste, si edhe të shpërnguljes masive të shqiptarëve nga trojet e tyre. Këtë luftë kundër shqiptarëve, Partia Komuniste Jugosllave e propagandonte si luftë kundër “reaksionit shqiptaromadh”, kundër “bashkëpunëtorëve” të nazifashizmit etj. Kosova u konsiderua dhe u trajtua si reaksionare, kundër-revolucionare, irredentiste, që duhej nënshtruar dhe tjetërsuar etnikisht.

Por, në kushtet e Luftës së Dytë dhe menjëherë pas saj, ky nënshtrim e spastrim i plotë etnik, ishte tepër i vështirë për udhëheqjen politike dhe ushtarake të Jugosllavisë, sepse populli i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare ishte i gjithi më këmbë, i ndërgjegjësuar dhe i armatosur për të mbrojtur qenien shqiptare dhe kufijtë kombëtarë, përkundër politikave e praktikave antishqiptare e kriminale të Partia Komuniste Jugosllave dhe të Ushtrisë Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë. Titos dhe udhëheqësisë jugosllave nuk u interesonte edhe një luftë tjetër. Këtë gjë mund ta arrinin më lehtë e më tinëzisht, me ndihmën e propagandës dhe të armëve të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë.

Këtë bashkëveprim ndërmjet Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë dhe Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë për të luftuar së bashku, për të nënshtruar reaksionin anti-serb në Kosovë dhe për ta ripushtuar atë me ndihmën e forcave ushtarake të Shqipërisë, e kërkonte qysh në muajin mars 1944, komandanti i Korpusit II-të Sulmues të Jugosllavisë, gjeneral-lejtnant Peko Dapçeviç.

Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë i kërkonte Enver Hoxhës kalimin e formacioneve të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”. Kjo kërkesë e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave, u formulua në fund të muajit maj, u përsërit në korrik e gusht të vitit 1944. Misioni Ushtarak Jugosllav në Shqipëri prej shtatë ushtarakësh, me në krye kolonelin Velimir Stoiniç, i bashkërendonte veprimet e të dyja palëve. Kjo kërkesë u ribë edhe më 26 gusht 1944 nga Shtabi i U.N.Ç.J. për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari Boshko Çakiç. (Arkivi i FA, Fondi Shtabi i Përgj.).

Pala shqiptare u tregua e gatshme. Pasi vrau me mijëra nacionalistë të Ballit, Legalitetit dhe krerëve të veriut përgjatë luftës civile në Shqipëri (1943-1944), komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, Enver Hoxha, më 12 shtator 1944, i dha urdhër Korparmatës I-rë të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë. (Dokumente, Shtabi Përgj., vol.II)

Po në këtë datë, mentari i Enver Hoxhës, Miladin Popoviç, i shkruante Liri Gegës, e plotfuqishme e Komitetit Qendror të PKSH-së për Korpusin I-rë: “Lajmëro Pavlen (Pavle Joviçeviç, shën. im U.B.) se dy brigadat shqiptare së shpejti do të marrin drejtim për Kosovë. Vetëm të mos dekonspirohet”! (AQSH, Fondi 14) Dërgimi i brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë, u mbajt në konspirativitet edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi. Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës I:

“Të mos i tregohet Inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”. (AQSH, F.14). Në Kosovë ishin krijuar dhe vepronin organizata të fuqishme politike dhe ushtarake nacionaliste, si Balli Kombëtar, Lëvizja Irredentiste, Lidhja e Dytë e Prizrenit, e më pas “Besa Kombëtare” dhe Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare (ONDSH), që kishin me vete thuajse gjithë popullin shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Bashkëpunonte me ta edhe Muharrem Bajraktari dhe forcat e tij nacionaliste. Në këto kushte, Josif Broz Tito, thirri brigadat dhe divizionet e Ushtrisë N.Ç. të Shqipërisë “për të luftuar kundër armikut dhe reaksionit”, por i përdori kryesisht në luftën kundër “reaksionit shqiptar”. Enver Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte, urdhëronte brigadat e Divizionit I-rë: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë.” (Arkivi i FA, dosja 45, v.1944)

FOTO GALERI

Në muajin nëntor 1944, u angazhua në këtë luftë edhe Divizioni V-të, që përfshiu Brigadat III-të, V-të dhe XXV-të, dhe Divizioni VI-të (brigadat VI, VII, VIII dhe XXII), pasi u kthyen nga Sanxhaku e Bosnja, ku luftuan kundër gjermanëve. Komisari politik, Ramiz Alia, thotë në një intervistë se ka qenë në Bosnjë kur ndodhi masakra. Nuk është e vërtetë. Në 3 mars 1945, ai dhe Divizioni V-të ndodheshin në Mitrovicë, mandej në gjithë Kosovën. (Dokumenti i datës 3.03.1945 i Shtabit të Përgjithshëm)

Divizionet V dhe VI të Shqipërisë u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë N.Ç. Jugosllave. Në urdhër-veprimin e Armatës V-të të Jugosllavisë, përfshiheshin edhe divizionet e Shqipërisë:

“Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht…! Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhtarëve që rezistojnë dhe bëjnë fortesë…! Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur. T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjaktorëve, do të dënohet…”! (AQSH, Fondi.181, d.45). Urdhrat për mësymjen kundër forcave të Adem Vocës dhe të Shaban Polluzhës, që refuzuan të largohen nga Kosova, në kohën që kishin nisur masakrat kundrejt popullsisë shqiptare në Mitrovicë e Drenicë, i dhanë, më 1 shkurt dhe më 5 shkurt 1945, komandanti i Shtabit Operativ të Kosmetit, kolonel Fadil Hoxha dhe komisari politik, nënkolonel Kristo Filipoviç. (Arkivi historik i Jugosllavisë, k.1411)

Masakra e Drenicës dhe zhbërja e Brigadës VII-të kosovare që u nis për në Srem, ishin prologu i masakrës së Tivarit. Më 8 shkurt 1945, u shpall me urdhër të komandantit suprem të UNÇ të Jugosllavisë, Josif Broz Tito, pushteti ushtarak. Divizionet e U.N.Ç. të Shqipërisë u bënë pjesë e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë, për shtypjen e rezistencës kosovare, për ripushtimin jugosllav të Kosovës dhe forcimin e pushtetit jugosllav. Ato qëndruan në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare edhe pasi ishin larguar gjermanët nga Kosova dhe Jugosllavia, qysh nga shkurti i vitit 1945 e deri në dhjetor 1945, pra për 10 muaj, derisa Kosova e viset e tjera shqiptare, u bënë pjesë e Jugosllavisë dhe derisa u bënë zgjedhjet, ku fitoi Fronti Nacional-Çlirimtar i Jugosllavisë.

E konfirmojmë këtë edhe me Radiogramin e Reiz Maliles, zv/komisarit të Divizionit V-të: “Me rastin e zgjedhjeve që do të zhvillohen më 11 nanduer 1945 këtu në Kosovë, bëni konferenca speciale me kosovarët. Ditën e zgjedhjeve, nxirrni forca të armatosura jo afër qendrave të votimeve, por gati para çdo gjëje të papritur. Reaksioni mund të tentojë për të sabotuar zgjedhjet. Prandaj të kihet kujdes. Pikë.”

Ndihmesën më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim tek brigadat e batalionet e Divizioneve V-të dhe VI-të të Ushtrisë N.Ç. të Shqipërisë, e dhanë komandat e divizioneve e brigadave të Ushtrisë N.Ç. të Shqipërisë, që u vunë nën urdhrat e Komandës së Përgjithshme Jugosllave. Siç është zbuluar tanimë nga dokumentet arkivore, Divizionet V-të dhe VI-të të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë, përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë e trevat e tjera shqiptare dhe kur u nisën tri kolonat (eshalonët) me rekrutët shqiptarë për në Tivar më 24-27 mars 1945 dhe tri kolonat e tjera më 19-24 prill 1945.

Bashkëpunimi i ngushtë dhe implikimi i divizioneve dhe brigadave të Ushtrisë N.Ç. të Shqipërisë për mobilizimin e rekrutëve shqiptarë dhe dorëzimin e tyre tek ushtria jugosllave, është evident dhe i dokumentuar. Kemi në dorë dokumentet arkivore me radiogramet e shtabit të Divizionit V-të dhe VI-të, nënshkruar nga Komisari Politik Ramiz Alia dhe komandantët Gjin Marku, Rahman Parllaku etj., dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë N.Ç. të Shqipërisë, gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim, si edhe listat emërore të të arratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e Divizioneve V-të dhe VI-të te Ushtria Jugosllave.

Lista e parë përmban 190 vetë, kryesisht vullnetarë shqiptarë të dorëzuar nga prefekturat e Mitrovicës dhe të Pejës. Lista e dytë përmban 104 emra ushtarësh shqiptarë të ikur nga ushtria jugosllave, por dhe vullnetarësh shqiptarë të bashkuar me Divizionin V-të të Shqipërisë. Lista e tretë, e bashkëngjitur, ngërthen 131 shqiptarë vullnetarë, të dorëzuar. (AQSH, F.14, d.206, v. 1945). Po kështu edhe lista të Divizionit VI-të dhe brigadave partizane të Shqipërisë, që u bënin thirrje shqiptarëve të Kosovës që të bashkoheshin me ta, por që pabesisht i dorëzonin te ushtria jugosllave.

Ja edhe përgjigjja e Enver Hoxhës:

“T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”.(AQSH, F.206, v.1945). Si rezultat i këtij bashkëveprimi të ndërvarur ushtarak, vullnetarët dhe të mobilizuarit shqiptarë të Kosovës, që besonin tek thirrjet e Komandës së Divizioneve V-të dhe VI-të të Shqipërisë, u dorëzoheshin pabesisht OZNA-s dhe komandës Ushtarake Jugosllave dhe përfundonin si mish për top në kolonat e vdekjes, që ushtria jugosllave i largonte nga Kosova dhe i dërgonte për t’i asgjësuar në Tivar apo më tutje.

Për shoqërimin e tyre ishin caktuar disa batalione të Divizionit të 46-të dhe një batalion i Brigadës 27-të të Serbisë, si edhe një grup prej 50 ushtarakësh nga Armata IV-të, mandej nga Brigada X-të malazeze, tregonte se sa rëndësi i kishin kushtuar autoritetet jugosllave këtij marshimi, që duhej të përfundonte në një kasaphanë, ku do të merrnin pjesë pritësit dhe vetë shoqëruesit. Të dhënat burimore ushtarake jugosllave, tregojnë se u mobilizuan dhe u dërguan për në frontin e Adriatikut 13.323 rekrutë shqiptarë. Nuk kishte asnjë rekrut serb, malazez apo maqedonas. Përse? Dihet, për të asgjësuar vetëm shqiptarë. Përse i kaluan nëpër territorin e Shqipërisë, kur kishin edhe rrugë të tjera për në Istria?! Për t’i asgjësuar bashkërisht me ushtrinë shqiptare. Qeveria shqiptare, së pari, lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër territorin e Shqipërisë, jashtë çdo kontrolli dhe të vepronin si t’ua donte interesi. “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar, pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur ‘Golgota e madhe Shqiptare’”- konstatonte historian dhe veprimtari i njohur, Zekeria Cana.

Nga raporti i shtabit të Kolonës IV-të të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945: “Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rrëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetash. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën.(Arkivi i Luftës i Jugosllavisë, k.1411)

Siç shihet qartësisht nga ky dokument, asgjësimi i rekrutëve shqiptarë të Kosovës, u krye në bashkëveprim të forcave ushtarake të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, në këtë rast brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë: “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto masakra të pashembullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm” (Ark. Min. Jashtme, v.1949, D.191).

Këtë masakër brenda kufijve të Shqipërisë, e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu: “Xhelatët e Rankoviçit-it, që janë shquar për krimet e tyre alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundra tyre nëpërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo, një rrugë e përgjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin” (Bedri Spahiu, Pretenca në gjyqin e Koci Xoxes, viti 1949).

Autorizimin (lejen) për futjen e kolonave me rekrutët e Kosovës dhe asgjësimin e mëse 1000 kosovarëve të pafajshëm, siç e cilësojnë dokumentet e mësipërme, e ka sigluar ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Haxhi Lleshi, por autoritetet e Shqipërisë i’a faturuan Koci Xoxes, si një “kokë turku”, për t’ia ngarkuar atij gjithë përgjegjësitë e kësaj masakre.

Natyrisht, ky është akti më antikombëtar dhe më i turpshëm i qeverisë komuniste shqiptare, jo vetëm në atë kohë kur u krye kjo masakër, por edhe për gjysmë shekulli, kur u hesht plotësisht për shkak të bashkëfajësisë.

Këtë na e dëshmon edhe deklarata e Zoi Themelit, shef i Divizionit të Mbrojtjes së Popullit të krahinës III-të (Shkodër), i cili pranon se rekrutët e mobilizuar kosovarë, jugosllavët “i vrisnin në masë rrugës, në Shqipëri, pa pasur faj”, se rekrutët shqiptarë që iknin nga kolonat për të shpëtuar kokën dhe u dorëzoheshin organeve të shtetit shqiptar, u ktheheshin, nga organet shtetit shqiptar, komandove jugosllave, prej të cilëve ata gjenin vdekjen.

Zoi Themeli, gjithashtu, pohon se dorëzimi i rekrutëve kosovarë tek autoritetet jugosllave, bëhej me urdhër të krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, pa marrë parasysh faktin se rekrutët ishin shqiptarë dhe nuk kishin bërë asnjë faj. Qeveritarët e Shqipërisë, jo vetëm që nuk bënë asgjë për të mbrojtur dhe siguruar jetën e tyre, jo vetëm që nuk protestuan për keqtrajtimin dhe vrasjet masive të shqiptarëve brenda kufijve të shtetit shqiptar, por i dorëzuan te jugosllavët edhe ata bashkëkombës që përpiqeshin të iknin nga kolonat e vdekjes. (Arkivi M.B., D. 1623)

Po tragjedia më e madhe ndodhi me kolonën e dytë, pjesë e së cilës ishte edhe rekruti Azem Hajdini – Xani, i cili përjetoi tmerret e Masakrës së Tivarit, por rastësisht shpëtoi nga vdekja dhe dëshmoi për këtë tragjedi kombëtare. “Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, – parashtron Azem Hajdini, – duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë, dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës…! Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish.”(A. Hajdini, Letër e hapur).

Sipas të dhënave të arkivave jugosllave, në Fushë-Arrëz u vranë 126 rekrutë shqiptarë në gjendje agonie, kur ishin në gjumë. Masakër dinake, jonjerëzore, në kundërshtim me çdo moral, fe dhe ligj. “Kur kaluam Pukën, i nxorën nga kolona tre të rinj shqiptarë, të veshur me rroba kombëtare, dhe i pushkatuan para syve të kolonës si edhe para një skuadre ushtarësh të Shqipërisë. Dhe, për çudi, derisa ne qanim me dënesje, ushtarët e skuadrës së Shqipërisë e përcollën pushkatimin e tyre me duartrokitje”! (A. Hajdini, Masakra e Tivarit).

Në Gomsiqe ranë në kanionin e thellë dhe gjetën vdekjen 36 rekrutë dhe 14 u plagosën. E njëjta gjë ndodhi edhe në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna dhe në Shkodër; gjetën vdekjen qindra rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh të plagosurish. Në kazermat e Shkodrës u pushkatuan 11 shqiptarë, ndërsa në kalimin e Bunës, 18 të tjerë. Në mesditën e datës 31 mars 1945, në qytetin e vogël të Tivarit, ishte ngritur kurthi, sipas një plani të parapërgatitur, për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë.

Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X-të malazeze, pikërisht në Tivar, qytet shqiptar, që përfshihej në Malin e Zi.

Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, mandej arriti pikun e saj në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Sipas përllogaritjeve, rezulton se vetëm në Tivar u vranë 1.560 shqiptarë të kolonës së dytë prej Brigadës X-të malazeze, të komanduar nga krimineli Markoviç. Edhe nga kolonat e tjera, me rekrutë shqiptarë të mobilizuar kryesisht në viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit, gjatë marshimit nëpër Shqipëri, të njëjtin fat patën.

Sipas burimeve jugosllave dhe shqiptare, rezulton se janë vrarë dhe zhdukur në këtë masakër 2.947 – 3.447 shqiptarë të pafajshëm. Por sipas dëshmive të të mbijetuarve, ky numër i kalon të 4.000-jët. Nga këta, sipas dokumenteve të Arkivave të Shqipërisë, mbi 1000 shqiptarë të Kosovës u vranë përgjatë rrugës nga Kukësi në Shkodër. Sipas Azem Hajdinit dhe dëshmitarëve të tjerë, nëpër territorin e Shqipërisë u vranë dhe u zhdukën 1.500 shqiptarë të Kosovës. Heshtja 50-vjeçare e shtetit komunist shqiptar dhe e udhëheqjes kriminale të Enver Hoxhës, por edhe e udhëheqësve të Kosovës, si Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Mehmet Hoxha etj., ishte një përpjekje tjetër për të fshehur të vërtetën dhe bashkëfajësinë në këtë masakër ndaj bashkëkombësve të tyre.

Për shkaktarët e kësaj masakre me përmasa ballkanike, deri më tani nuk është marrë ndonjë përgjegjësi, nuk janë nxjerrë mësime, përkundrazi, janë vlerësuar e nderuar ekzekutorët e saj dhe krimi është fshehur. Ndaj edhe është përsëritur në përmasa edhe më të mëdha, deri në ditët tona. Krimi, në çdo kohë, duhet evidentuar e ndëshkuar, përndryshe të ndëshkon sërish. Një komb nuk mund të jetë plotësisht i lirë nëse nuk e njeh historinë e tij, nuk mund të jetë i kulturuar nëse nuk distancohet nga çdo lloj krimi e dhune, nuk mund të jetë i qetë e të përparojë nëse nuk është në paqe me veten dhe me të tjerët.

Krimet, me përmasa, implikime dhe pasoja tragjike kombëtare e ndërkombëtare, si Masakra e Tivarit, duhen ndriçuar, drejtpeshuar e gjykuar drejtësisht, jo vetëm që të zbulohet e vërteta historike, por edhe që të dalin përgjegjësitë dhe të ndëshkohet krimi, në mënyrë që ai të mos mbetet si një kërcënim, si një njollë e pashlyer, si një plagë e hapur dhe si një urrejtje vepruese midis njerëzve dhe ndërmjet popujve, por të kthehet në një mësim, në një çlirim dhe në një mirëkuptim në rrugën drejt paqes dhe integrimit europian. / KultPlus.com

Letra e panjohur e Musine Kokalarit: Ky qe fati im, më i hidhur se vdekja

Ese mbi dy shpirtra të letërsisë dhe kulturës

Nga Uran Butka

Qysh në vitin 1992, si një brengë pamundësie të mëparshme, hulumtova nëpër arkiva veprat e shkrimet e Musine Kokalarit, gazetën e saj “Zëri i Lirisë”, dokumentet arkivore mbi fatin e saj tragjik dhe shkrova esenë “Mesazi i Musine Kokalarit” si edhe një skenar filmi dokumentar për të. Meqenëse këto sprova ishin të paplota dhe joshteruese, jam marrë në vazhdimësi, çdo herë duke gjetur diçka të re në jetën dhe veprën e saj, ende te pazbuluar tërësisht.

Në Arkivin e Shtetit zbulova këto ditë një letër të panjohur të Musine Kokalarit drejtuar mikut dhe dijetarit Sotir Kolea. Në arkiv ruhen gjithashtu disa letra të shkrimtares me personalitetet kulturore të botës shqiptare e të huaj, që hedhin dritë mbi personalitetin e saj intelektual të jashtëzakonshëm për atë kohë, procesin e saj krijues, vetëdijen e shkrimit dhe veprimtarinë e saj jetësore, kulturore e politike. Më i spikatur është letërkëmbimi me Midhat Frashërin, Aleksandër Xhuvanin, Sotir Kolenë, Ernest Koliqin, Eqrem Çabejn, Xhuzepe Skiron, Angelo Leotin etj., letërkëmbim tashmë i botuar.

Sotir Kolea ishte studiues, leksikograf, autor i një fjalori disagjuhësh me bazë shqipen, autor i “Një tufë proverbash”, publicist dhe botues i gazetës “L’Albanie” në vitin 1914 në Zvicër, si edhe veprimtar i spikatur i çështjes sonë kombëtare, drejtor i Bibliotekës Kombëtare gjatë viteve 1928-1937. Pas kësaj kohe, ai u vendos në Elbasan, qendër e arsimit dhe e studimeve shqiptare. Pikërisht atje ia dërgonte letrat Musineja dhe i kërkonte gjykim kritik për veprat e saj të para, meqenëse mungonte një kritikë e vërtetë, siç shkruante ajo: “Në Shqipëri nuk gjen kënaqësi ose nxitje, se nuk ka një kritikë në kuptimin e vërtetë të fjalës”.

Shkrimtarja e parë shqiptare ishte e ndërgjegjshme për udhën që kish zënë, origjinalitetin, por edhe vështirësitë në drejtimin letrar të saj dhe botimet, duke u nisur që nga libri i parë (1944) “Siç më thotë nënua plakë”, ku botën ajo e vështëron me sytë e mendësinë nënos plakë, ndërsa te libri me përralla “Rreth vatrës” (1944), rrëfimi përrallor vjen nga gjyshja plakë, por bota këqyret dhe jepet me syrin dhe mendësinë e fëmijës edhe për fëmijën. Musineja, siç e pohon edhe vetë, del nga vetja e zbret në moshën e fëmijëve, komunikon e dialogon thjeshtë me ta si një fëmijë, ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë që flasin e shkruajnë së lartmi nga mosha e përvoja e tyre letrare dhe mbeten të ftohtë e të huaj. Ndonëse disa shkrimtarë të njohur të asaj kohe kishin shkelur ne këtë taban, si Mitrush Kuteli me “Tregime të moçme shqiptare”, Ali Asllani me “Hanko Halla”, apo Ernest Koliqi me “Hija e maleve” etj., por ndryshe nga ata, vepra e të cilëve është mirëfilli letrare, apo ndryshe nga “Përrallat” e Sotir Kolesë që ishin mirëfilli nga goja e popullit, Musineja ndjek udhën e vet origjinale, ndërmjet narrativës popullore dhe autorësisë së saj letrare.

“Mendimi im ka qenë që t’u jap të vegjëlve një libër, që të mos i lodhë dhe vehten e tyre të mos e gjejnë në një botë të huaj. Në një botë shqiptare, në një vatër, ku edhe të mëdhënjtë të thonë se vërtet kështu kemi rrojtur. Kur e kam shkruar, nuk kam qenë unë, po një Musine e vogël dhe si e tillë- me mendime të thjeshta dhe gjuhën pyetje-përgjigjeMë duket që kam mundur të hyj në shpirtin e të vegjëlve” – përsiat Musineja.

Po ju dërgoj ‘Dasmën gjirokastrite’ – i shkruante ajo Kolesë në një letër të mëparshme – “por jo të gjithë, mbasi ende nuk ka mbaruar. Puna ecën ngadalë në shtypshkronjë. U rri në kokë punëtorëve, por megjithëkëtë ka disa gabime. Të shohim sesi do ta gjeni ju”…

Letra e sapozbuluar, mban datën 8 shkurt 1945, është e panjohur dhe e papërfshirë në botimet e Musinesë. Ajo e shkruan këtë letër në çastin më të mjeruar të jetës së saj. Dikush mund të mendojë se koha më e tmerrshme e jetës së saj ishte ajo e burgut të Burrelit, më pas e internimit të gjatë dhe e sëmundjes së rëndë të kancerit që i mori përfundimisht jetën. Por jo, këto periudha të vuajtjes së parrëfyer të jetës së saj ajo i kishte përballuar me dinjitet, me forcën e karakterit, të vetmisë dhe të lirisë së brendshme.

Shpirti ka nevojë për vetminë për të qenë i lirë” – shkruan ajo. “Ne e kërkojmë lirinë jashtë vetes, ndërkohë që ajo është brenda nesh”.

Në letrën që po shqyrtojmë, gjejmë momentin më të keq shpirtëror të jetës së saj, “e goditur rëndë, e mbuluar me zinë dhe në dallgën më të madhe të jetës”.

Sapo regjimi komunist i kishte pushkatuar pa gjyq vëllezërit e saj, Muntazin dhe Vesim Kokalarin. “Plumbat që shtrinë përdhe Muntazin dhe Vesimin të vdekur, na kanë goditur edhe ne, nuk na lënë kufoma të gjalla për jetë, për të vuajtur gjithnjë sa të jemi në jetë” – shkruan hidhur ajo në këtë letër.

Musineja ishte nga një familje e njohur e Gjirokastrës. Vajzë e vetme e juristit të njohur Reshat Kokalari, motër e vëllezërve Muntaz, Vesim dhe Hamit Kokalari, veprimtarë të shquar të kulturës shqiptare, themelues të librarisë “Venus” dhe të shtëpisë botuese “Mesagjeritë shqiptare”, themeluar më 1942, që botonte dhe përhapte vepra të vyera nga literatura botërore e shqipe, si “Hamleti” e “Makbethi” të Shekspirit, “Rubairat” e O. Khajamit, “20 vjet ngatërresa ballkanike” të Durhamit, “Ivanhoe” të Skottit, “Kosova – djepi i Shqiptarizmit” të Hamit Kokalarit, librat e Musinesë e të tjera.

Vetë Musineja ishte një intelektuale që ishte ushqyer me ideologjinë kombëtare të rilindësve tanë të mëdhenj, e quante veten nxënëse të Sami Frashërit, kishte idhull Naimin dhe Mid’hat Frashërin, ndërkohë qe kishte kulturë perëndimore, ishte demokrate dhe kundërshtare e çdo ideilogjie e praktike totalitare.

“Në odën time të vogël” – shkruan ajo në ditarin e saj – “përballë kam vënë fotografinë e iluministit të shquar, Samiut, të poetit Naim, të patriotit Sotir Kolea, të punëtorit të gjuhës shqipe e të lëvizjes Kombëtare, Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, të mendimtarit Naum Veqilharxhi, të të nderuarit De Rada dhe të të urtit Aleksandër Xhuvani. Në vetminë time nuk jam vetëm, jetoj me njerëz të nderuar, të ditur e demokratë, që kanë punuar për vendin, për mëmëdhenë gjersa mbyllën sytë…Unë jam nxënësja e tyre…”

Kryetari i komunistëve, Enver Hoxha, i cili e kishte kushërirë të dytë Musinenë, nuk e kurseu jo vetëm atë, por tërë fisin e Kokalarëve. Më 12 nëntor 1944, terrori i kuq me urdhër të tij dhe zbatuar nga Kristo Themelko, pushkatoi pa gjyq e pa faj pranë hotel “Bristol”, 11 personalitete të shquara të Tiranës, ndërmjet tyre vëllezërit e saj Muntaz Kokalari dhe Vesim Kokalari. Po ashtu u pushkatuan pa gjyq Syrja dhe Emin Kokalari, Hivziu vdiq në burg dhe Isai në internim. Muniri vrau veten. Musineja u burgos dhe u internua. Bijtë dhe nipërit e tyre u hodhën rrugëve, u internuan dhe u persekutuan pafundësisht.

Arsyen e këtij persekutimi familjar na i rrëfen Muntaz Kokalari, vëllai i Musinesë, tek një letër më 9 nëntor 1944, që e kishte shkruar për znj. Makbule tri ditë para pushkatimi të tij:

“Po përjetojmë ditë të vështira. Kam vendosur me brengë në zemër, të largohem nga Shqipëria ime e bukur, nga familja e dashur… Këtë vendim e mora mbasi më njoftuan disa nga miqtë e mi të besuar, se jeta ime dhe e të afërmve të mi është në rrezik nga bashtua, Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq kundër nesh. Kjo kuptohet: thjesht për motive personale.Kjo është fatkeqësi e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë, që ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist, kumarxhi e gënjeshtar, që i do njerëzit nën vete; edhe kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove etj. Ne intelektualët gjirokastritë ia dimë të gjitha sa i vlen lëkura, prandaj kërkon të na asgjësojë..”

Dhe i asgjësoi.

Musinenë e vrau shpirtërisht persekutimi absurd e kriminal i familjes së saj. “Ky qe fati im, më i hidhur se vdekja” – i  shkruante ajo S.Kolesë.

Njëherësh, edhe fati hidhur i ndërprerjes së dhimbshme të krijimtarisë së saj:

“Sot mora nga shtypi librin e parë dhe po jua dërgoj. Ta kini për vete si kujtim të punës sime më të mirë, që pandeh se kam bërë, dhe të fundit. E mbani për vete, mbasi nuk e nxjerr në shitje. E para, se është dasmë dhe në zi’ duket qesharake; e dyta, se nuk dua më as të punoj, as të shkruaj”.

Është fjala për librin “Sa u tund jeta” (Dasma gjirokastrite, ku shkrimtarja paraqet saktësisht antropologjinë, ritet, zakonet, veshjet, dialogët, këngët e vallet, lotët dhe gëzimet e dasmës shqiptare, rezultat i një punë të gjatë, pasionante e të palodhshme ndaj folklorit – por në funksion të tekstit letrar) ), libër që M. Kokalari ia dërgonte të porsabotuar Sotir Kolesë si një kujtim të mbramë në një kohë zije, por që e konsideronte edhe si punën e saj më të mirë, që për fat të keq ishte edhe botimi i saj i fundit, sepse nuk mund të shkruante më.

“Përse të punosh? Përse të shkruash? Përse të jetosh?” – klithte shkrimtarja Kokalari, në dëshpërimin e saj të pafund.

Ky dëshpërim, por edhe revoltë njerëzore dhe intelektuale e përfshin edhe atin e saj shpirtëror, Sotir Kolenë, të nderuarin atë – siç i thoshte ajo. Në letrën e përgjigjes së Sotirit (dorëshkrimi gjendet në Arkivin e Ministrisë së brendshme, Fondi 140, dosja 2912, viti 1945, letër e pabotuar më parë), gjejmë dhimbjen e lotët e Kolesë për humbjen vëllezërve të saj Muntaz dhe Vesim Kokalari, për të cilët “kam qarë së largu dy miqtë e çmuar që hikën’ e na lanë në lulen’ e moshës; kam qarë të dy të rinjtë që nuk qenë vetëm lavdijë për të vehtët, po qenë së bashku dhe shpresa për ne, për të paskëtajmen, se kombi ka nevojë për bij që qenë Mumtazi dhe Vesimi, me zëmër për së mbari, me gjykim të matur dhe mendje të pjekur”, por gjejmë edhe papajtueshmërinë e tij ndaj persekutimit “me kaqë egërsim”.

Ai i shkruan Musinesë: “Shuplaka e fatit’ që shkrepi mbi ju, zonjëzë dhe mbi der’ të juaj është aq e tmerrshme sa ndofta as emër nuk ka të posaqëm në gjuhën tënë, në gjuhën e një kombi që për të gjat’ shekujve, ka pas’ qënë rrahur dhe pjekur’ e djegur’ ndër cen e rrëbjera. As fjalë ngushëllimi nuk kam ku t’i gjenj se helëm i zi, që ju shtrydhi zemrën juve dhe të juajve, është nga ata që nuk kan të zbutur me fjal as me lotë. Bashkë me ju dhe me miqt të mirë të derës’ së juaj, kam qarë së largu dy miqtë e çmuar që hikën’ e na lanë në lulen’ e moshës; kam qarë të dy të rinjtë që nuk qenë vetëm lavdijë për të vehtët, po qenë së bashku dhe shpresa për ne për të paskëtajmen, se kombi ka nevojë për bijë që qenë Mumtazi dhe Vesimi, me zëmër për së mbari, me gjykim të matur dhe mendje të pjekur. Zemërës së juaja dhe Zotit Hamit ju qoftë ngushëllimi të kryerët të detyrave të ra dhe të rënda që her’ e prap’ e sotëme ju shtroj mbi gjithë të tjerat edhe faqe pindërvet dhe faqe të miturve dhe nënave të tyre, që jeta nëpërkëmbi me kaqë egërsim”.

Gjithsesi, i urti Kolea, edhe ai në prag të vdekjes, i jep kurajë, forcë dhe uzdajë Musinesë, për ta vazhduar jetën dhe punën e saj, se puna është ilaçi i gjithçkaje, por edhe detyra ndaj vetes, njerëzimit, kombit dhe botës.

Një gurrë ngushullimi gjithë aq të vërtetë do t’ ju falinj puna, kjo detyra e shenjtë edhe faqe vehtesë edhe faqe botësë, që është prejt’ e zemrës, shëndet i trupit dhe pus’ i harrimit për troces të jetës; detyrë faqe vehtes jo vetëm sa rreh zemëra po dhe më pas, se jeta zgjatet pak a shumë edhe përtej varrit, detyra faqe hjerësvet, që ka njeriu te të vetët dhe faqe atyre që kanë qenë më parë, detyra faqe miqve dhe faqe njerëzimit, detyra faqe kombit, atdheut edhe botës”. /GazetaExLibris/ KultPlus.com

Lidhja Shqiptare e Prizrenit nga këndvështrimi Mid’hat Frashërit

Mid’hat Frashëri e ka trajtuar më se një herë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në disa këndvështrime: herë nën këqyrjen e filozofisë së historisë, herë nën prizmin e kritikës historike e herë si një parashtesë dokumentare, shkruante Dr. Uran Butka.

1. Nën këqyrjen e filozofisë historike

Filozofi Mid’hat Frashëri ngrihet në përgjithësime historike e filozofike, mbi ngjarjet dhe faktet historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Së pari, ai zbulon shkaqet historike të lindjes së Lidhjes Shqiptare:

“Për ta cilësuar këtë lëvizje si ndjenjë kombëtare dhe për ta konkretizuar atë në një koncept të qartë historik,shkruan Mid’hat Frashëri,-u desh tronditja e madhe e luftës ruso – turke e vitit 1877 – 1878 dhe traktatet e Shën Stefanit, që e pasuan atë. Në këto traktate, rajone të tjera të banuara nga shqiptarët ishin caktuar që të zgjeronin Serbinë dhe Malin e Zi ose të krijonin shtetin e ri bullgar. Më vonë ishte i njëjti problem, për t’ia lëshuar Greqisë, së bashku me Thesalinë edhe pjesën jugore të vilajetit të Janinës.

Për Shqipërinë ky ishte fillimi i copëtimit, pranim dhe pasojë e zhbërjes së Perandorisë Osmane, mbasi vetë Shqipëria nuk llogaritej si entitet etnik. Kjo mjaftonte për të reaguar; rreziku ishte tepër i madh dhe tepër i dukshëm: edhe një luftë tjetër fatkeqe për Turqinë dhe Shqipëria do të zhdukej bashkë me perandorinë e krijuar nga pasardhësit e osmanlinjve. Pra, duhej shpëtuar ngarkesa e saj e vogël dhe të mos lihej të tërhiqej nga anija, e cila po fundosej. Goditja u ndje dhe ndodhi reagimi”. (L.Skëndo, Rilindja Shqiptare, Lozanë, 1919) Për pasojë, “përballë rrezikut, që u kanosej, shqiptarët u zgjuan dhe vepruan energjikisht.

Sigurisht, erdhi koha për këtë. Kongresi i Berlinit dhe rreziku i copëtimit. Dhe u organizuan disa mbledhje për të rënë dakord lidhur me masat që duheshin marrë. U mbajtën mbledhje si në veri, edhe në jug dhe qendrat kryesore ishin Preveza, Janina, Shkodra, Prizreni e qendra të tjera të dorës së dytë dhe pak nga pak në të gjithë qytetet. Mbledhjet në veri kishin si synim të drejtpërdrejtë të parandalonin ndarjen nga Shqipëria e Guxisë, Plavës, Nishit, Vranjës dhe Kurshumlijes.

Mbledhjet e jugut duhet të shmangnin rrezikun nga ana e Greqisë”, – argumentonte Mid’hati dhe konkludonte: “Konfliktet që shqiptarët kanë pasur me fqinjët, të cilët kërcënonin bazën e ekzistencës së Shqipërisë, nuk kanë qenë aspak konflikte fetare, as edhe një konflikt i rëndomtë kaçakësh, por rrjedhojë e natyrshme e një lufte midis një populli që dëshiron të jetë i lirë në shtëpinë e vet dhe pushtuesve të panginjur ballkanikë. Shqiptari, para se të jetë katolik, mysliman apo ortodoks, është shqiptar”, thekson ai. (Shqiptarë dhe sllavë, Lozanë, 1919) Midhati zbulon thelbin dhe shfaqjen e përpjekjes së Lidhjes së Prizrenit: “Qëllimi i vërtetë i ndjekur nga Komiteti i Lidhjes ishte ta shpëtonte vendin nga copëtimi, të bënte që të njihej e të pranohej ekzistenca e një Shqipërie dhe e një kombi shqiptar”. Si rrjedhojë, kjo përpjekje nuk ishte lokale apo lëvizje e një prijësi të caktuar, por u kthye në një lëvizje të përgjithshme, në një aspiratë kombëtare dhe këtu qëndron edhe rëndësia e saj kryesore, për në atë kohë dhe për të ardhmen.

“Kushtrimi dhe poterja e zakoneve të vjetra po transformohej në një aksion diplomatik; brenga e thjeshtë dhe instinktive e katundit po merrte formën e një aspirate kombetare dhe patriotike, me një qok më të lartë dhe natyrisht më të largët…

Për shumë njerëz, Lidhja e Prizrenit mund të paraqitet si një prej atyre kryengritjeve që populli ynë e ka pasur kurdoherë në vetijën e tij, sidomos në shekullin e nëntëmbëdhjetë, me Ali Tepelenën dhe Bushatlliun, si edhe më pas tyre. Por ndryshimi qëndron në pikën që në këto lëvizje ishte për shtytkë iniciale aktiviteti i një njeriu të vetëm, duke u mbështetur mbi tendenca lokale të nevojshme prej rrethanave të ditës; këtë radhë iniciativa merrej prej popullit dhe qëllimi ndehej mbi tërë Shqipërinë etnografike, mbi ditën e veprimit, si edhe mbi kohën e ardhme”. (Lidhja e Prizrenit, rev. “Diturija”, 1928) Si filozof i historisë, Mid’hati arsyeton: “Një veprim, një përpjekje, është kurdoherë pjellore, është lindja dhe nisja e një ekzistence së re, edhe në qoftë se nuk rrëfehet sish një rezultat imediat. Në këtë botë, sforcimi për t’arritur një qëllim ka mbase një rëndësi dhe një vleftë më të madhe se nga qëllimi vetë.

Një luftim i sotëm është kapitali i magazinuar për kohën e ardhme, një fuqi e mbetur e gjallë, që ushtrohet në çdo minutë dhe shfaqet me forcë në ditë nevoje. Kështu, Lidhja e Prizrenit, tërë duke pasur si pemë shpëtimin e Shqipërisë, pati edhe fitimin më të madh akoma të përgatiste jetën tonë kombiare, t’u jepte një kuptim të ri aspiratave të popullit. Që nga ajo ditë, vërtet fillon shpresa e një shpëtimi, e një jete më të kuptimtë, në formë të caktuar; që atëherë merr një trajtë të kthjelltë ideja e përfytyruar për fjalën Shqipëri; mbryhen dhe gatuhen aspiratat për një qok të shënuar.

Lokalizma dhe kantonizma i lënë vend patriotizmës; tendencat ndarëse dhe mërgonjëse fillojnë të peshojnë drejt një pike të vetme; krahinat dhe elementet që e kishin kujtuar veten e tyre të ndarë dhe të huaj nga njëri-tjetri, nisën të njësohen e të ndihen solidarë. Me një fjalë, fisi bëhet komb. Shqipëria e kuptoi se më nuk e shpëtonte dot veten e saj pa kërkuar dhe ajo të drejtat në emër të kombësisë, në emër të një mëmëdheu, të një kombi”. (Po aty). Ai çmon si kushtimin e Veriut, ashtu edhe koshiencën e Jugut e mbi të gjitha veprimin e tyre të përbashkët, karakterin e përgjithshëm panshqiptar të Lëvizjes:

“Këtu shfaqet për ne influenca e degës jugore. Në Prizren, populli kompakt dhe me armë në dorë, me ndërgjegje për fuqinë luftarake të tij, i bazonte shpresat mbi forcën e numrit dhe mbi të drejtën e pronës. Jugu, më pak i fortë, po më koshient për të drejtat si racë dhe si komb, vinte në peshë parimet e rinj, që kishin përmbysur sisteme të vjetra. Këtu fillon për ne rëndësia dhe vlera e Lidhjes së Prizrenit dhe këtu nis shërbimi i vërtetë i Abdyl Frashërit. Kjo influencë e delegatit të Jugut u manifestua në një mënyrë më definitive, duke i dhënë lëvizjes një karakter të përbashkët, të përgjithshëm, panshqiptar, duke e nxjerrë nga forma e rivendikimeve lokale për vatanin e vogël, për vilajetin dhe kazanë; tani mendimet dhe kërkesat ishin për Shqipërinë e tërë, për mëmëdhenë, për Jugun, si dhe për Veriun, për myslimanët dhe të krishterët, për çdo çip të truallit dhe për çdo individ, që fliste gjuhën shqipe. Ishte mbase hera e parë që lulja e kuptimit të kombësisë po zinte rrënjë në shkrepat e Arbërisë dhe kuptohet vetiu se bima e re do të zhvillohej me gjithë ngjyrat e saj: nga e sotmja në të ardhmen ishte një i vetëm çap për t’u bërë. Dhe dita e nesërme zuri të preokuponte Lidhjen dhe degët e saj më tepër se gjendja e keqe e ditës: duhej siguruar jeta e kombit dhe e mëmëdheut, duke e bërë këtë komb dhe këtë mëmëdhe t’u njiheshin të drejtat e tyre, të respektoheshin në një mënyrë baras me të drejtat e atyre popujve, në favor të të cilëve kërkohej të shqyhej trualli shqiptar”.

M.Frashëri mendon se çdo përparim i një populli dhe i një vendi vjen nga idetë e përparuara dhe vullneti për t’i vënë në jetë ato. Nuk është e rastit që Lidhja Shqiptare e Prizrenit lindi e kulmoi thuajse në të njëjtën kohë me Rilindjen tonë Kombëtare, me idetë e saj dhe me veprimtarinë e rilindësve, veçanërisht të Abdyl Frashërit, i cili në fund të vitit 1877 u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (Komiteti i Stambollit), që dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike, që adoptoi edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ku Abdyli u shqua si udhëheqës dhe diplomat i shquar i saj.

Midhat Frashëri konkludon se Lëvizja për autonomi e mandej për shkëputje nga Turqia, “kjo mbryjtje e shpirtit dhe e dëshirave të shqiptarëve, krijimi i këtij karakteri të ri, nuk bëhej dot pa një platformë kombëtare siç ishte Rilindja, pa një edukatë këmbëngulëse dhe të gjatë, bazuar mbi stërvitjen morale dhe intelektuale. Edhe një pemë jo më pak e çmueshme e Lidhjes së Prizrenit qe për ne krijimi i “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”. E harruar, e përbuzur, si një patois, e shikuar jo si një vegël qytetërimi, po mbase si një ndalesë përparimi, shqipja, me themelimin e Shoqërisë së Stambollit, nis të bëhet e gjallë dhe shpirtdhënëse, të jetë një organ për të dhënë ide dhe aspirata, të zgjojë ndjenja dhe të frymëzojë mendime. Ç’shohim sot, ç’presim nga e ardhmja, ç’ kemi të drejtë të kërkojmë nga pritmi, buron nga Shoqëria e të Shtypurit shkronja shqip, lindur nga Lëvizja e Lidhjes së Prizrenit”.

Dhe Mid’hat Frashëri sintetizon: “Pikërisht për këtë arsye, viti 1878 duhet konsideruar si fillimi i rilindjes intelektuale të shqiptarëve, ashtu sikurse ishte fillimi i rilindjes politike Lidhja e Prizrenit”.

2. Në prizmin e kritikës, por edhe të meditimit të tij origjinal

Mid’hati bën një analizë kritike mbi vepra të autorëve shqiptarë e të huaj për Lidhjen e Prizrenit, por jep edhe mendimet, argumentet dhe vlerësimet e tij ndryshe e krejt origjinale.

“Gjer më sot rëndësia e Ligës ka mbetur e panjohur nga shkaku se askush s’e ka studiuar në tërësi të saj; çdo autor e ka parë vetëm mënjanë.
Kështu, për shembull, publicisti Spiridion Gopçeviq, në librin e tij “Oberalbanien und seine Liga” (Leipzig, 1880) e shikon Lidhjen vetëm në përpjekjen për nga ana e detit dhe pothuaj nuk di çfarë ngjau matanë kufirit të malësive. Kjo injorancë e autorit dhe armiqësia e tij për kombin shqiptar (Gopçeviqi është i njohur si një sllav shoven dhe me urrejtjen e tij kundër shqiptarëve) e bëjnë autorin që të mos thotë gjithë sa duhej mbi Lidhjen Patriotike”.( Liga e Prizrenit).

Mid’hati merr në shqyrtim edhe librin “Histori e Shqipërisë” prej K.A. Çekrezit, që ngërthen edhe kapitullin “Formimi i Ligës së Prizrendit”. “Për fat të keq,-shkruan M.Frashëri,-nuk gjejmë dot një lëndë kënaqëse, sado që autori e quan ‘këtë lidhje të besës shqiptare, nisje e lëvizjes së kthjellët kombëtare’, por, pa na thënë ç’janë veprat, ç’kanë qenë aspiratat, ç’rezultate arriti dhe ç’dëshirë e shtynte për të pritmin”. Ai bën një analizë kritike edhe mbi librin e Kristo Dakos mbi Lidhjen e Prizrenit, po ashtu edhe të disa autorëve të tjerë, duke polemizuar me argumente politike, historike dhe filozofike. Ndryshe nga ata studiues që kritikojnë kërkesën për autonomi të Lidhjes apo të atyre që thonë se Lidhja ishte një lëvizje për pavarësi, Mid’hat Frashëri e shikon këtë Lëvizje në kushtet dhe mundësitë e asaj kohe kur ndodhi.

Ai shprehet se së pari Lidhja kishte si qëllim kundërqëndrimin ndaj pretendimeve të fqinjëve, kundërshtimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit për copëtimin e tokës shqiptare dhe qenies shqiptare, si rrjedhim i zgjimit të ndjenjës kombëtare.

“Mbi këtë pikë,-thotë Mid’hati,-nis shërbimi i dytë i Lidhjes. Veprimtaria politike e Lidhjes se Prizrenit ndoqi një program për autonominë, që duhej të fillonte me bashkimin administrativ të katër vilajeteve të Turqisë europiane të vjetër (Janina, Manastiri, Shkupi, Shkodra), në një vilajet të vetëm me kryeqendër Manastirin dhe shqipen si gjuhë zyrtare. Bëhet fjalë për krijimin e një atdheu brenda kufijve të vetë etnikë”. Bëjmë të ditur,-thotë Frashëri,-se shqiptarët nuk kanë formuluar kurrë pretendime mbi krahinat e banuara nga grekë dhe sllavë të këtyre vilajeteve. Rivendikimet shqiptare kanë synuar vetëm rrethet e banuara tërësisht prej shqiptarësh). (L.Skendo, Rivendukimet shqiptare, Lozanë 1919).

Me këtë reformë do të bashkohej kombi shqiptar nën një administratë dhe do t’i vihej një kufi Shqipërisë, një kufi i njohur zyrtarisht, i cili në një copëtim tjetër të Turqisë, të mund të shpëtonte të drejtat e kombit të vogël dhe të mëvehtësohej. “Një përpjekje për kombësi, larg zënkave dhe ambicieve personale, një luftë thjesht patriotike për Shqipërinë, për Shqipërinë e bashkuar dhe jo për regjionalizëm, ishte një gjë e pashembullt në historinë e popullit shqiptar”,-thekson M.Frashëri.

Sipas tij: “Autonomia, pa dyshim, me kohë do të përfundonte me independencë”, nënvizon ai. Pra, autonomia si hap të parë i Pavarësisë. Kjo kërkesë dhe kjo frymë e shtoi edhe njëherë akoma mosbesimin dhe shqetësimin e Turqisë, mandej edhe armiqësimin e saj ndaj Lidhjes.

“Sulltan Hamiti dhe njerëzit e tij,-shkruan Mid’hati,-e kishin toleruar e mbrojtur Ligën aq sa të kufizohej në mbrojtjen e kufijve të Turqisë, por kur ky bashkim u zgjat nga Kosova në Prevezë dhe nga Shkodra në Manastir, kur shqiptarët e fuqizuar kërkonin edhe autonominë, atëherë kundërshtimi i Portës së Lartë u zgjua. Mbase dhe këshillat e Rusisë, përpjekjet e Patrikanës Ortodokse s’qenë të huaja në masat që do të merrte Turqia. Sulltan Hamiti donte shkatërrimin e Ligës së Prizrenit. Mentaliteti turk në atë kohë nuk pranonte një ide nacionaliste, një aspiratë të përbashkët dhe një bashkim të shqiptarëve; politika e sulltanit qe bazuar mbi ndarje dhe përçarje.

Shpresa e sundimit ishte ngrehur mbi antagonizmin ndërmjet toskëve dhe gegëve, të krishterëve dhe myslimanëve. Pranonte që malësorët tanë të luftonin për shtëpitë dhe kullotat e tyre, po jo për një entitet moral, që i thonë mëmëdhe” .

Kështu që, “një njeri i zoti, dinak, energjik dhe fare pa skrupull, Dervish Pasha, biri i një prifti bullgar prej Lofshe dhe i blerë, thonë, prej sllavëve, do të shërbente dëshirën e të zotit. Duhej dobësuar më parë Liga së brendshmi dhe kjo nuk do të qe gjë e rëndë”, mandej edhe me forcën e armëve.

“Lidhja pushoi së ekzistuari, veprimtaria e Lidhjes nuk ishte e vetëmjaftueshme, nxjerr mësimet M.Frashëri, – por ajo kishte funksionuar për dy vjet, duke dhënë fizionominë e një administrate autonome, duke krijuar një milici të vogël dhe një buxhet – gjë që është edhe më e rëndësishme – duke krijuar shkakun për të forcuar ndjenjën dhe ndërgjegjen për një nacionalizëm të kristalizuar, duke e kthyer një gjë të vogël e të pandërgjegjshme, në diçka të qartë e të ndërgjegjshme”.

3. Trajtimi i Lidhjes mbi bazën e dokumenteve
M. Frashëri kërkon në arkivat e shteteve të huaja, mbledh dokumente dhe hulumton për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ai u rekomandon edhe studiuesve të tjerë se ku gjenden dhe ku mund të gjenden dokumentet, si te studimi “Lidhja e Prizrenit-Mbledhja e dokumenteve” , “Burime te historisë shqiptare”, 25 vjet më parë” etj. … Për mungesë kohe, nuk po i përmend këto arkiva, por po citoj vetëm dy burime arkivore, që i ka hulumtuar ai vetë: “Autori i këtyre radhëve mundi vetëm të shoshitë koleksionin e gazetës turqisht Terxhuman-i-Shark, që e ka botuar Sami bej Frashëri, vëllai më i vogël i Abdylit në Stamboll, që nga data 10 (22 qershor) 1878 gjer më 24 tetor (5 nëntor 1878); censura turke e ndaloi 20 ditë ditaren. Kjo gazetë, pa dyshim, ka një rëndësi të madhe.

Fakti tjetër që vetë Mid’hati zbuloi në Arkivin e Vjenës Memorandumin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1879, drejtuar Fuqive të Mëdha nga Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni. Madje, e përktheu atë nga frëngjishtja dhe e botoi te “Kalendari Kombiar” i vitit 1903, nën titullin “25 vjet më parë”, ku edhe nxjerr përfundimet: “Pemët e këtyre lëvizjeve, q’u bënë njëzet e pesë vjet më parë në Shqipëri, janë disa llojesh:

1. E para dhe më e dobishmja ishte që u dëgjua në tërë Shqipërinë që po bëhej një lëvizje kombëtare për shpëtimin e mëmëdheut; veç kësaj, meqenëqë mbledhjet bëheshin në tërë Shqipërinë, një afrim u bë ndërmjet toskëve, gegëve, myslimanëve e të krishterëve; me një fjalë u hapën pak mendjet dhe veprimet e përbashkëta.

2. Do nga telegrafët q’u hoqën, do nga vajtja e të dy të dërguarve n’Evropë, do nga Liga e Prizrenit, u ndalua dhënia e Janinës te Greqia; u ndalua dhe dhënia e Gucisë dhe e Plavës te Mali i Zi, po në vend të këtyre dy krahinave, u dha Ulqini. 3. U dëgjua pak edhe në botën e qytetëruar që paska një Shqipëri, e cila kërkonte të rronte. Këtu hapim një kllapë: kur u poqën të dërguarit e Shqipërisë në Paris me Vadingtonin, ky i pyeti pse nuk duan që të bashkohet Janina me Greqinë, apo u pëlqen të rrojë nën turkun.

“Jo,- u përgjigjën Abdyli me Mehmet Aliun, – nuk na pëlqen turku, po kemi shpresë që dhe ne një ditë të bëhemi më vete dhe të rrojmë si njerëz”. Për këtë, ministri i Francës u shtrëngoi dorën të dy shqiptarëve, duke thënë: “paskëtaj do jem dhe unë më tepër shqiptar se ju!”. Me këtë s’duam të themi se Vadingtoni vdiq shqiptar, po që fjala me mend dhe e drejtë mbetet”.( Lumo Skendo, “Kalendari Kombiar”, 1903)./ KultPlus.com

Letra e panjohur e Musine Kokalarit: Ky qe fati im, më i hidhur se vdekja

Ese mbi dy shpirtra të letërsisë dhe kulturës

Nga Uran Butka

Qysh në vitin 1992, si një brengë pamundësie të mëparshme, hulumtova nëpër arkiva veprat e shkrimet e Musine Kokalarit, gazetën e saj “Zëri i Lirisë”, dokumentet arkivore mbi fatin e saj tragjik dhe shkrova esenë “Mesazi i Musine Kokalarit” si edhe një skenar filmi dokumentar për të. Meqenëse këto sprova ishin të paplota dhe joshteruese, jam marrë në vazhdimësi, çdo herë duke gjetur diçka të re në jetën dhe veprën e saj, ende te pazbuluar tërësisht.

Në Arkivin e Shtetit zbulova këto ditë një letër të panjohur të Musine Kokalarit drejtuar mikut dhe dijetarit Sotir Kolea. Në arkiv ruhen gjithashtu disa letra të shkrimtares me personalitetet kulturore të botës shqiptare e të huaj, që hedhin dritë mbi personalitetin e saj intelektual të jashtëzakonshëm për atë kohë, procesin e saj krijues, vetëdijen e shkrimit dhe veprimtarinë e saj jetësore, kulturore e politike. Më i spikatur është letërkëmbimi me Midhat Frashërin, Aleksandër Xhuvanin, Sotir Kolenë, Ernest Koliqin, Eqrem Çabejn, Xhuzepe Skiron, Angelo Leotin etj., letërkëmbim tashmë i botuar.

Sotir Kolea ishte studiues, leksikograf, autor i një fjalori disagjuhësh me bazë shqipen, autor i “Një tufë proverbash”, publicist dhe botues i gazetës “L’Albanie” në vitin 1914 në Zvicër, si edhe veprimtar i spikatur i çështjes sonë kombëtare, drejtor i Bibliotekës Kombëtare gjatë viteve 1928-1937. Pas kësaj kohe, ai u vendos në Elbasan, qendër e arsimit dhe e studimeve shqiptare. Pikërisht atje ia dërgonte letrat Musineja dhe i kërkonte gjykim kritik për veprat e saj të para, meqenëse mungonte një kritikë e vërtetë, siç shkruante ajo: “Në Shqipëri nuk gjen kënaqësi ose nxitje, se nuk ka një kritikë në kuptimin e vërtetë të fjalës”.

Shkrimtarja e parë shqiptare ishte e ndërgjegjshme për udhën që kish zënë, origjinalitetin, por edhe vështirësitë në drejtimin letrar të saj dhe botimet, duke u nisur që nga libri i parë (1944) “Siç më thotë nënua plakë”, ku botën ajo e vështëron me sytë e mendësinë nënos plakë, ndërsa te libri me përralla “Rreth vatrës” (1944), rrëfimi përrallor vjen nga gjyshja plakë, por bota këqyret dhe jepet me syrin dhe mendësinë e fëmijës edhe për fëmijën. Musineja, siç e pohon edhe vetë, del nga vetja e zbret në moshën e fëmijëve, komunikon e dialogon thjeshtë me ta si një fëmijë, ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë që flasin e shkruajnë së lartmi nga mosha e përvoja e tyre letrare dhe mbeten të ftohtë e të huaj. Ndonëse disa shkrimtarë të njohur të asaj kohe kishin shkelur ne këtë taban, si Mitrush Kuteli me “Tregime të moçme shqiptare”, Ali Asllani me “Hanko Halla”, apo Ernest Koliqi me “Hija e maleve” etj., por ndryshe nga ata, vepra e të cilëve është mirëfilli letrare, apo ndryshe nga “Përrallat” e Sotir Kolesë që ishin mirëfilli nga goja e popullit, Musineja ndjek udhën e vet origjinale, ndërmjet narrativës popullore dhe autorësisë së saj letrare.

“Mendimi im ka qenë që t’u jap të vegjëlve një libër, që të mos i lodhë dhe vehten e tyre të mos e gjejnë në një botë të huaj. Në një botë shqiptare, në një vatër, ku edhe të mëdhënjtë të thonë se vërtet kështu kemi rrojtur. Kur e kam shkruar, nuk kam qenë unë, po një Musine e vogël dhe si e tillë- me mendime të thjeshta dhe gjuhën pyetje-përgjigjeMë duket që kam mundur të hyj në shpirtin e të vegjëlve” – përsiat Musineja.

Po ju dërgoj ‘Dasmën gjirokastrite’ – i shkruante ajo Kolesë në një letër të mëparshme – “por jo të gjithë, mbasi ende nuk ka mbaruar. Puna ecën ngadalë në shtypshkronjë. U rri në kokë punëtorëve, por megjithëkëtë ka disa gabime. Të shohim sesi do ta gjeni ju”…

Letra e sapozbuluar, mban datën 8 shkurt 1945, është e panjohur dhe e papërfshirë në botimet e Musinesë. Ajo e shkruan këtë letër në çastin më të mjeruar të jetës së saj. Dikush mund të mendojë se koha më e tmerrshme e jetës së saj ishte ajo e burgut të Burrelit, më pas e internimit të gjatë dhe e sëmundjes së rëndë të kancerit që i mori përfundimisht jetën. Por jo, këto periudha të vuajtjes së parrëfyer të jetës së saj ajo i kishte përballuar me dinjitet, me forcën e karakterit, të vetmisë dhe të lirisë së brendshme.

Shpirti ka nevojë për vetminë për të qenë i lirë” – shkruan ajo. “Ne e kërkojmë lirinë jashtë vetes, ndërkohë që ajo është brenda nesh”.

Në letrën që po shqyrtojmë, gjejmë momentin më të keq shpirtëror të jetës së saj, “e goditur rëndë, e mbuluar me zinë dhe në dallgën më të madhe të jetës”.

Sapo regjimi komunist i kishte pushkatuar pa gjyq vëllezërit e saj, Muntazin dhe Vesim Kokalarin. “Plumbat që shtrinë përdhe Muntazin dhe Vesimin të vdekur, na kanë goditur edhe ne, nuk na lënë kufoma të gjalla për jetë, për të vuajtur gjithnjë sa të jemi në jetë” – shkruan hidhur ajo në këtë letër.

Musineja ishte nga një familje e njohur e Gjirokastrës. Vajzë e vetme e juristit të njohur Reshat Kokalari, motër e vëllezërve Muntaz, Vesim dhe Hamit Kokalari, veprimtarë të shquar të kulturës shqiptare, themelues të librarisë “Venus” dhe të shtëpisë botuese “Mesagjeritë shqiptare”, themeluar më 1942, që botonte dhe përhapte vepra të vyera nga literatura botërore e shqipe, si “Hamleti” e “Makbethi” të Shekspirit, “Rubairat” e O. Khajamit, “20 vjet ngatërresa ballkanike” të Durhamit, “Ivanhoe” të Skottit, “Kosova – djepi i Shqiptarizmit” të Hamit Kokalarit, librat e Musinesë e të tjera.

Vetë Musineja ishte një intelektuale që ishte ushqyer me ideologjinë kombëtare të rilindësve tanë të mëdhenj, e quante veten nxënëse të Sami Frashërit, kishte idhull Naimin dhe Mid’hat Frashërin, ndërkohë qe kishte kulturë perëndimore, ishte demokrate dhe kundërshtare e çdo ideilogjie e praktike totalitare.

“Në odën time të vogël” – shkruan ajo në ditarin e saj – “përballë kam vënë fotografinë e iluministit të shquar, Samiut, të poetit Naim, të patriotit Sotir Kolea, të punëtorit të gjuhës shqipe e të lëvizjes Kombëtare, Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, të mendimtarit Naum Veqilharxhi, të të nderuarit De Rada dhe të të urtit Aleksandër Xhuvani. Në vetminë time nuk jam vetëm, jetoj me njerëz të nderuar, të ditur e demokratë, që kanë punuar për vendin, për mëmëdhenë gjersa mbyllën sytë…Unë jam nxënësja e tyre…”

Kryetari i komunistëve, Enver Hoxha, i cili e kishte kushërirë të dytë Musinenë, nuk e kurseu jo vetëm atë, por tërë fisin e Kokalarëve. Më 12 nëntor 1944, terrori i kuq me urdhër të tij dhe zbatuar nga Kristo Themelko, pushkatoi pa gjyq e pa faj pranë hotel “Bristol”, 11 personalitete të shquara të Tiranës, ndërmjet tyre vëllezërit e saj Muntaz Kokalari dhe Vesim Kokalari. Po ashtu u pushkatuan pa gjyq Syrja dhe Emin Kokalari, Hivziu vdiq në burg dhe Isai në internim. Muniri vrau veten. Musineja u burgos dhe u internua. Bijtë dhe nipërit e tyre u hodhën rrugëve, u internuan dhe u persekutuan pafundësisht.

Arsyen e këtij persekutimi familjar na i rrëfen Muntaz Kokalari, vëllai i Musinesë, tek një letër më 9 nëntor 1944, që e kishte shkruar për znj. Makbule tri ditë para pushkatimi të tij:

“Po përjetojmë ditë të vështira. Kam vendosur me brengë në zemër, të largohem nga Shqipëria ime e bukur, nga familja e dashur… Këtë vendim e mora mbasi më njoftuan disa nga miqtë e mi të besuar, se jeta ime dhe e të afërmve të mi është në rrezik nga bashtua, Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq kundër nesh. Kjo kuptohet: thjesht për motive personale.Kjo është fatkeqësi e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë, që ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist, kumarxhi e gënjeshtar, që i do njerëzit nën vete; edhe kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove etj. Ne intelektualët gjirokastritë ia dimë të gjitha sa i vlen lëkura, prandaj kërkon të na asgjësojë..”

Dhe i asgjësoi.

Musinenë e vrau shpirtërisht persekutimi absurd e kriminal i familjes së saj. “Ky qe fati im, më i hidhur se vdekja” – i  shkruante ajo S.Kolesë.

Njëherësh, edhe fati hidhur i ndërprerjes së dhimbshme të krijimtarisë së saj:

“Sot mora nga shtypi librin e parë dhe po jua dërgoj. Ta kini për vete si kujtim të punës sime më të mirë, që pandeh se kam bërë, dhe të fundit. E mbani për vete, mbasi nuk e nxjerr në shitje. E para, se është dasmë dhe në zi’ duket qesharake; e dyta, se nuk dua më as të punoj, as të shkruaj”.

Është fjala për librin “Sa u tund jeta” (Dasma gjirokastrite, ku shkrimtarja paraqet saktësisht antropologjinë, ritet, zakonet, veshjet, dialogët, këngët e vallet, lotët dhe gëzimet e dasmës shqiptare, rezultat i një punë të gjatë, pasionante e të palodhshme ndaj folklorit – por në funksion të tekstit letrar) ), libër që M. Kokalari ia dërgonte të porsabotuar Sotir Kolesë si një kujtim të mbramë në një kohë zije, por që e konsideronte edhe si punën e saj më të mirë, që për fat të keq ishte edhe botimi i saj i fundit, sepse nuk mund të shkruante më.

“Përse të punosh? Përse të shkruash? Përse të jetosh?” – klithte shkrimtarja Kokalari, në dëshpërimin e saj të pafund.

Ky dëshpërim, por edhe revoltë njerëzore dhe intelektuale e përfshin edhe atin e saj shpirtëror, Sotir Kolenë, të nderuarin atë – siç i thoshte ajo. Në letrën e përgjigjes së Sotirit (dorëshkrimi gjendet në Arkivin e Ministrisë së brendshme, Fondi 140, dosja 2912, viti 1945, letër e pabotuar më parë), gjejmë dhimbjen e lotët e Kolesë për humbjen vëllezërve të saj Muntaz dhe Vesim Kokalari, për të cilët “kam qarë së largu dy miqtë e çmuar që hikën’ e na lanë në lulen’ e moshës; kam qarë të dy të rinjtë që nuk qenë vetëm lavdijë për të vehtët, po qenë së bashku dhe shpresa për ne, për të paskëtajmen, se kombi ka nevojë për bij që qenë Mumtazi dhe Vesimi, me zëmër për së mbari, me gjykim të matur dhe mendje të pjekur”, por gjejmë edhe papajtueshmërinë e tij ndaj persekutimit “me kaqë egërsim”.

Ai i shkruan Musinesë: “Shuplaka e fatit’ që shkrepi mbi ju, zonjëzë dhe mbi der’ të juaj është aq e tmerrshme sa ndofta as emër nuk ka të posaqëm në gjuhën tënë, në gjuhën e një kombi që për të gjat’ shekujve, ka pas’ qënë rrahur dhe pjekur’ e djegur’ ndër cen e rrëbjera. As fjalë ngushëllimi nuk kam ku t’i gjenj se helëm i zi, që ju shtrydhi zemrën juve dhe të juajve, është nga ata që nuk kan të zbutur me fjal as me lotë. Bashkë me ju dhe me miqt të mirë të derës’ së juaj, kam qarë së largu dy miqtë e çmuar që hikën’ e na lanë në lulen’ e moshës; kam qarë të dy të rinjtë që nuk qenë vetëm lavdijë për të vehtët, po qenë së bashku dhe shpresa për ne për të paskëtajmen, se kombi ka nevojë për bijë që qenë Mumtazi dhe Vesimi, me zëmër për së mbari, me gjykim të matur dhe mendje të pjekur. Zemërës së juaja dhe Zotit Hamit ju qoftë ngushëllimi të kryerët të detyrave të ra dhe të rënda që her’ e prap’ e sotëme ju shtroj mbi gjithë të tjerat edhe faqe pindërvet dhe faqe të miturve dhe nënave të tyre, që jeta nëpërkëmbi me kaqë egërsim”.

Gjithsesi, i urti Kolea, edhe ai në prag të vdekjes, i jep kurajë, forcë dhe uzdajë Musinesë, për ta vazhduar jetën dhe punën e saj, se puna është ilaçi i gjithçkaje, por edhe detyra ndaj vetes, njerëzimit, kombit dhe botës.

Një gurrë ngushullimi gjithë aq të vërtetë do t’ ju falinj puna, kjo detyra e shenjtë edhe faqe vehtesë edhe faqe botësë, që është prejt’ e zemrës, shëndet i trupit dhe pus’ i harrimit për troces të jetës; detyrë faqe vehtes jo vetëm sa rreh zemëra po dhe më pas, se jeta zgjatet pak a shumë edhe përtej varrit, detyra faqe hjerësvet, që ka njeriu te të vetët dhe faqe atyre që kanë qenë më parë, detyra faqe miqve dhe faqe njerëzimit, detyra faqe kombit, atdheut edhe botës”. /GazetaExLibris/ KultPlus.com

Uran Butka zbardh masakrën e Tivarit në një libër

Libri “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” prezantohet nga studiuesi Uran Butka si homazh në përvjetorin e 64 të masakrës më të përgjakshme ndodhur në viset shqiptare nga shteti komunist jugosllav. Butka sjell fakte të reja dhe të panjohura përmes arkivave të Jugosllavisë, të Shqipërisë, Kosovës, Britanisë dhe Amerikës.

Edhe pse kanë kaluar 64 vjet nga Masakra e Tivarit që prej 25 vitesh, studiuesi dhe historiani Uran Butka i është dedikuar zbardhjes së saj, që konsiderohet si një nga më të përgjakshme kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga pushteti komunist jugosllav në vitit 1945. Në përvjetorin e 64-të, ai risjell për lexuesit fakte të reja rreth kësaj ngjarje, të cilat i ka përmbledhur ne librin “Maskra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”.

Arsyeja kryesore, sipas studiuesit, është zbardhja e të vërtetës historike se kjo masakër u projektua nga shteti jugosllav, por pati mbështetje nga shteti komunist shqiptar. Autori sjell përpos listave të viktimave që nuk janë identifikuar ende edhe dëshmi të mbijetuarve, të cilët e rrëfejnë tmerrin që jetuan asokohe. Uran Butka thotë se ka ardhur koha që të njihet kjo masakër dhe nga ana tjetër të kërkohet falje publike nga përgjegjësit.

Nga kjo masakër, bilanci i viktimave është tragjik 1000 veta u vranë në territorin shqiptar, 1560 në Tivar dhe përgjatë rrugëtimit shifrat e dokumentuar deri më sot janë 3500 njerëz të pafajshëm së bashku me numrin e konsideruar të zhdukur numri arrin deri në 4000 veta./abcnews.

Vepra e Mid’hat Frashërit, Uran Butka: Parashikoi çlirimin e Kosovës, foli edhe për çamët (VIDEO)

Vepra historike të botuara në shtypin periodik prestigjioz të Parisit, Londrës, Brukselit e Gjenevës, por edhe çështja e Epirit, marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë, Turqinë dhe marrëdhëniet shqiptaro-sllave, shohin dritë në vëllimin e dytë dedikuar veprës së Mid’hat Frashërit.

Nipi i Abdyl, Sami e Naim Frashërit, ligjërimet e Mid’hat Frashërit, figurës historike në mbrojtjen e çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris dhe Lidhjen e Kombeve nën cilësinë e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar, vijnë për lexuesin për herë të parë nën optikën e një njeriu avangardë, që e shihte të ardhmen e Shqipërisë, shumë vite përpara.

“Ai sa një njeri që parashikon ngjarjet, është një parashikues gjenial i zhvillimeve historike në Shqipëri, parashikon edhe çlirimin e Kosovës, parashikon edhe zhvillime të tjera shqiptare, por në këtë botim veçoj shqetësimin e tij të madh për çështjen çame, që është edhe aktuale sot dhe pastaj relacionet e marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, një kontribut shumë i madh, por edhe një mësim shumë i madh për politikën, për historinë, por edhe qytetarinë shqiptare”, tha Uran Butka, shkrimtar, studiues.

Butka shton se nga vepra e pasur e Lumo Skëndos janë ende 13 vëllime të tjera të pabotuara si edhe një biografi e tij./Top Channel/ KultPlus.com