AIDSSH publikon dosjen e shkrimtarit Uran Kostrecit, dënuar nga diktatura

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka vënë në dispozicion të studiuesve dhe të interesuarve dosjen e Uran Kostrecit, i burgosur politik nga diktatura komuniste.

“Ju thoni liria, në fakt nuk ekziston. Në rast se ka liri, përse atëherë nuk lejohet edhe Shqipëri demokracia, grevat e të tjera si në vende të botës? Këtu nëse flitet kundër partisë ose pushtetit juve të fusni menjëherë në burg. Atëherë, pse thoni ka liri?”.

Mendimet e Uran Kostrecit për barazinë, lirinë dhe demokracinë mund t’i lexoni në dosjen e përpunimit me nr. 5997, deklasifikuar me vendim të KDZH nr. 2, më 22.01.2018.

Uran Kostreci lindi më 1938 në Sarandë. U arrestua më 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961 Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet.

Më 28 qershor 1973 Gjykata e Matit e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botonte për arsye biografie.

Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime me poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty, sepse e mësoi përmendësh.

Uran Kostreci ishte kryeredaktori i parë i gazetës “Liria” gazetë e të përndjekurve politikë, ku solli për herë të parë frymën antikomuniste, lëvroi dhe publikoi dosje, figura, klerikë të persekutuar nga regjimi komunist.

Shkrimtari, poeti, gazetari Uran Kostreci u nda nga jeta në korrik të viti 2021, në moshën 83-vjeçare. / KultPlus.com

Kont Urani, poeti me republikë mbi krye

Nga: Visar Zhiti

Më vjen të vë titullin “Kont” kur them emrin…Uran Kostreci. Jo vetëm pse kemi një Kont Urani në historinë e lavdishme të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, të atij burrit plot besë, që i qëndroi në krah Heroit Kombëtar dhe, edhe kur Sulltan Murati I a II, a të dy, ishin gati që t’i jepte mushka me florinj, që ta shiste Skënderbeun dhe ai s’u korruptua kurrë. Kështu edhe Urani im i qëndroi besnik vuajtjes së tij, burgut, idealit, nuk u korruptua asnjëherë, i paepur deri në ashpërsi, nga shkaku i drejtësisë. I dhembshur deri në lot, nga shkaku i mirësisë, poet, madje i sonetit, tringëllimës në shqip, që e shkroi pa ndërprerje, e buronte me një begati rimash, duke e bërë armën e tij si një shpatë argjendi marciale plot gurë të çmuar. Me atë godiste të keqen që i dilte përpara dhe nderonte si një kalorës virtytet dhe emrat e lartë, ata të nacionalizmit.

Secilit më të shquarve u ka kushtuar nga një sonet, që ua ka dhënë si dekoratë. Vërtet Uran Kostreci kishte diçka kalorësiakë prej konti, një vetmi fisnike dhe me miq plot, bredharak dhe i qëndrueshëm, që s’të falte dhe falës, zëlartë dhe i urtë, dinjitoz e i hijshëm, i gjatë, me një kapelë republike mbi krye, si një enigmë, me një shkak. Dhe me mendime republikane, konservatore, me cigaren në buzë si një shpotí, duhej ca tym, duhej. Portret dhe poeti dhe ashtu ishte. I përkiste letërsisë tjetër, asaj që erdhi nga burgjet dhe internimet. Dhe në librin tim, në sprovën “Kartela të Realizmit të Dënuar”, është dhe ajo e ustait të soneteve, qendrëstarit të burgjeve që tha: “Burgu s’më bëri asgjë mua”. E gjithë vuajtja për këtë sfidë…

… pasionanti i soneteve të klasicizmit, i atyre tringëllimave që duket se u krijuan qysh në shekullin XIII për t’i kënduar dashurisë dhe gëzimeve, por që në poezinë moderne shqipe, në letërsinë tjetër, u kthyen në klithma apokaliptike. Që i vogël, Uran Kostreci u njoh me persekutimin komunist: i arrestojnë babanë si nacionalist antikomunist, i nxjerrin nga shtëpia familjarisht… Duke u rritur, duke iu shtuar dëshira për shkollë, ia del të mbarojë “Normalen” e Elbasanit, bëhet edhe mësues, por do të shkruante keq në një poezi për Enverin. Vetëm arratisja do të mund ta shpëtonte, por e kapin në Liqenin e Pogradecit dhe e dënojnë me burg, e mbyllin në Burrel… I burgosuri Ejëll Çoba i dha mësime italishteje dhe Danten; Koço Tasi i bëri filozofi; Kudret Kokoshi i përforcoi sonetin dhe nacionalizmin, ndërsa rebelin e kishte vetë në gjak.

Kur ishte në vitin e 15-të, e dënojnë prapë me tetë vjet të tjera, me akuzën se kishte sharë Enverin – hakmarrje për poezinë që nuk ia gjetën dikur. Mbas 20 vitesh burg e lirojnë, sipas tij nga shkaku i “Lëvizjeve në Kosovë”. Punon hamall dhe e arrestojnë prapë dhe prapë në internim dhe ai prapë do që të arratiset dhe arrestojnë në tren dhe ai u ikën prapë… kur përmendet nga goditja me hekur në kokë, e sheh veten me pranga në duar. Mbas torturave të shpejta, një gjyq i shpejtë në Elbasan dhe e dënojnë me 3 vjet të tjera burg. “Epopeja e karkalecave”, poemë e Uran Kostrecit, doli nga burgu bashkë me të, jo e shkruar, e kishte në mbamendje dhe u bë e njohur si satirë.

S’bëhet fjalë për epideminë e karkalecave, që ra kur komunistët morën pushtetin, por është si një kacafytje letrare me një satirë tjetër të një shkrimtari të socrealizmit, e cila qe futur dhe në tekstet e shkollave ngaqë përqeshte patriotët dhe luftën e tyre, duke shtrembëruar të vërtetat historike. Urani i soneteve, i zgjedhur dhe si kryetar i Partisë Demokratike në Elbasan, i përvishet punës së antigenocidit, heton nga ata që ishin përgjegjës për persekutimet komuniste, nja 30 të tillë i bëjnë gati dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, por lirohen shpejt nga rrëmujat e ’97 dhe mbetet i rrezikuari përsëri Urani i burgjeve dhe ikën.

Tani ia del, shkon në ShBA, kërkon strehim politik dhe strehohet te shoqata shqiptaro-amerikane “Vatra”. Më 2007 kthehet në atdhe, boton një libër me sonete dhe një novelë. Shkruan sonete vazhdimisht, edhe si 80 vjeç, ja atje mes njerëzve te një tryezë në kafenenë “Piazza” në qendër të Tiranës dhe nuk e heq nga kryet borsalinën. “Ca kuqo artistë, a për frik’ a për pare / Kur ferr qe Atdheu, iu lëpin tiranit: Ja shitnë ata, gjer dje, shpirtin shejtanit”! “Duke u tërhequr… këmba-dore zvarre / Bënë ata filma e rrejtën ashiqare / Se kuqot gjasme i dhan’ dërmën gjermanit… “. “Ndonse vran’ shqipo për qejf të Dushanit! / Çka u bë dje, s’po thotë askush gjë fare / Po qysh dhe sot… ca filma me kulakë / Spiunë amerikanë e priftërinj / Prap’ shfaqen… çoroditin mjaft të rinj,  /Që s’njohin komunizmë e s’dinë aspak / Qysh kuqua Atdhen burgosi, derdhi gjak / E n’ internim ai vrau dhe çiliminj”. Ishte soneti “Çoroditje”, por a dini pse e mban borsalinën? Nuk do që t’i duket në kokë një vragë e thelluar plumbi.

E ka që nga atëherë, kur e qëlluan rojat në burg, teksa u ishte hedhur përsipër telave me gjemba të ferrit për t’u vrarë. Xhupi i të burgosurit iu shpupurit nga plumbat duke shpërndarë copëza pambuku të zi si pendë korbash dhe ai ra i vrarë. Kur ia zvarritën kufomën për te një nga birucat, një Zot e di se ç’engjëll erdhi dhe e ringjalli… “Që të mos duket as si hero dhe as si viktimë”, shkruan studiuesi Uran Butka, “ai mban atë kapele republike”. Kaq herë i bëri dredha vdekjes dhe s’ia kishte frikën asaj. Dilte nga spitali si më buzagaz, pas çdo operacioni, edhe me koronavirusin sikur tallej. Le të rivinte! E donte jetën, por më shumë nderin e saj.

I palodhur, më së fundmi vendosi të çlodhej. 83 vjeç mbylli sytë përgjithmonë. Sot, dje, nesër, s’ka rëndësi, rëndësi ka që ai pa edhe ferr, edhe parajsë, edhe sytë i xixëllonin njëlloj. Në fakt, tek ai më shumë panë… Ndizte një cigare dhe nën tymin e saj shkruante një sonet tjetër. Ai vërtet u bë një lloj konti i vonë i sonetit të harruar. Atdhetar së pari. Dhe shkruante edhe për Kosovën, edhe për Çamërinë, për demokracinë, ShBA-në, për burrat sërish, për politikën e ditës… sonete morali, si porositë. Pa zor! Dhe, si të ishin frymëmarrja e fundit. Si poet ai ka shumë frymëmarrje të fundit. Lajmi u dha se do të ketë homazhe në nderim të tij. Dhe ku?

Në Godinën e ish-të Përndjekurve Politikë. Atje… një tjetër trishtim dhe ky, i përndjekur deri në vdekje. I ndarë. Atje… Duket sikur homazhet kështu mund të bëheshin njëlloj dhe në qelitë e burgut të Burrelit. A s’kishte shteti salla institucionesh të kulturës, ku nën hijen e Flamurit Kombëtar, të silleshin dhe kurorat me lule, se Uran Kostreci u bë emër i njohur i poezisë së tanishme, mediatik me intervistat, emblematik si qëndrestar, zë i kujtesës së vuajtjes së madhe, që përbashkon dhe jo që e ndan popullin./ KultPlus.com

Vdiq Uran Kostreci, shkrimtari që i rezistoi komunizmit

U nda sot nga jeta, në moshën 83-vjeçare, pas  një varg sfidash shëndetsore, me të cilat u përball gjatë dy viteve të fundit, Uran Kostreci,  një prej qëndrestarëve të rrallë,  luftëtari i përjetshëm ndaj regjimit dhe ideve komuniste, njeriu i veçantë që e jetoi jetën në çdo fazë të saj me hov dhe energji djaloshare, dëshmitari i rrallë i viteve të vuajtjes gjatë epokës së errët të regjimit komunist dhe poeti i veçantë që la një varg librash të vyer me poezi…

Me kostum të zi, kapelë republike dhe një cigare të ndezur gjithmonë në duar, Uran Kostreci ishte një burrë simpatik, që kush e kish njohur një herë do ta donte përgjithmonë. E donin për oratorinë, humorin dhe shpirtin fisnik që kishte duruar kaq shumë vuajtje, por nuk ishte mposhtur.

Uran Kostreci ishte 83 vjeç, por e jetonte jetën me një pasion rinor. Ai ishte një shpirt i ri, ndërsa vitet më të bukura të rinisë i kishte kaluar nëpër burgjet e diktaturës komuniste. I arrestuar që në moshën 23 vjeçare ai do të dilte prej qelive të burgut, nga Tirana në Burrel, vetëm pas 20 vitesh.

“Fara e komunizmit çel vetëm një bimë: terror dhe gjak, por një shpirt i fortë e shpëton edhe një trup të dobët” – thoshte Uran Kostreci, i cili e luftoi komunizmin me shpirtin e tij të fortë dhe me poezi.

Kostreci ishte një dëshmitar i rrallë i krimeve të komunizmit. Përjetoi që në fëmijërinë e hershme burgosjen e të atit. Ishte viti 1946, kur ai 6-7 vjeç, përjetoi vuajtje ekstreme, që nga uria deri tek privimet e shumta në shkollë, për të përfunduar po në qelinë, ku kishte vuajtur i ati në burgun e Burrelit.

Uran Kostreci lindi më 1938, në Sarandë dhe  u rrit me ndjenjën e antikomunizmit e cila e nxiti të arratisej në moshën 23 vjeçare. Por u arrestua më 5 gusht 1961 dhe më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet. Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi.

Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi që t’i botonte për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në copa gazetesh në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty sepse e mësoi përmendësh. /kujto.al/ KultPlus.com