Skuadra e DRTK Shkodër, ka nisur punën për identifikimin dhe dokumentimin e pasurive kulturore me vlerë të rëndësishme historike me qëllim mbrojtjen e vlerave të tyre unike dhe shpalljen e tyre si interes kulturor.
Kësaj here DRTK Shkodër sjell në vëmendje urat në malin e Sheldisë.
Në lartësinë rreth 280 m. ruhen si pjesë e trasesë së rrugës dy ura në distancë rreth 300 m nga njëra tjetra. Vepra inxhinerike në gurë shërbenin si mbikalime mbi vërshimet e përrojve nga Mali i Sheldisë.
Urat janë prej guri, të ndërtuara mbi skarpatin e malit. Në fasadë i është kushtuar kujdes anës estetike në puthitjen mirë të gurëve, skuadrimin e tyre, fugave dhe parapeta.
Ura e parë që ngrihet rrëzë malit të Sheldisë, mbi fshatin Juban me një gjatësi 14 m, ngrihet mbi një qemer njëfish i punuar me gurë të skuadruar me rreze drite 2.70 m. E gjithe ura ka një lartësi 2.10 m dhe gjerësi 3.30 m.
Ura e dytë rreth 300 m në distancë nga e para është më e lartë për shkak dhe të relievit më të thepisur. Për ndërtimin e saj është punuar dhe terreni mbi të cilin janë ngritur këmbët e urës. Me gjatësi 23.40 m, ura ka një lartësi 6.45 m e pajisur me një qemer njëfish me rreze drite 2.70 m dhe gjeresi e trasesë 3.50 m.
Historia e urave mbi fshatin Ganjolle, lidhet me pozicionin gjeografik të Shqipërisë, që e bënte atë të rëndësishme për lidhjen vitale detare të Perandorisë përmes Adriatikut. Për këtë arsye, në vitin 1832 ishte hapur një konsullatë në Shkodër, e cila u bë një qendër e rritjes dhe shpërhapjes së influencës austriake në rajon. Si rrjedhojë, në ultësirën perëndimore u planifikua të ndërtoheshin hekurudha për dekovilët si dhe teleferikë që shërbenin për transportimin e materialeve të luftës, ushtarëve, furnizimeve ushqimore etj. Vija më e njohur e dekovilit por dhe teleferikëve ishte Shëngjin Lezhë-Vorë, 40 km i gjatë dhe do të shërbente për transportin e municioneve e ushqimeve madje dhe të trupave./atsh/KultPlus.com
Me lumenjtë e saj të shumtë, Shqipëria ofron gjithashtu edhe ura të veçanta, të cilat zbukurojnë vendin duke treguar njëkohësisht edhe historinë e tij.
Pse janë urat objekte kaq interesante për ne? Shumë mendojnë se adhurimi jonë vjen nga fakti se urat dëshmojnë dëshirën e njeriut për të bashkuar. Teksa ne i shohim, ato na transmetojnë këtë mesazh bashkimi e kjo na qetëson e na jep shpresë.
Të gjitha urat e Shqipërisë tregojnë po këtë gjë. Ato dëshmojnë gjithnjë për lidhjet që janë krijuar gjatë historisë mijëvjeçare të vendit. Pasqyrimi i tyre mbi sipërfaqen e ujit thjesht i shton harmonisë së tyre dhe i bën ato muzat e shumë piktorëve e fotografëve.
Më poshtë, lexoni mbi disa nga urat më të njohura në Shqipëri.
Ura e Mesit (Shkodër)
Ndoshta ura më e dashur në vend, Ura e Mesit ndodhet 5 km larg qytetit të Shkodrës. U ndërtua në fillim të shekullit të 18-të pikërisht për të bashkuar Shkodrën me Drishtin dhe Cukalin. Ajo zgjatet mbi 108 metra mbi lumin Kir, dhe përfshin 13 harqe! Është ura më e madhe nga periudha osmane në vend, si dhe më e fotografuara dhe e skicuara, duke përfshirë këtu edhe skicimet e poetit dhe udhëtarit britanik të shekullit të 19-të, Edward Lear.
Ura e Goricës (Berat)
Ura e Goricës është një vepër e arkitekturës osmane, e cila mban emrin e lagjes historike të Beratit. E përbërë nga gjithsej shtatë harqe që shtrihen mbi 130 metra, kjo urë me hark elegant lidh qytetin me lagjen Gorica. Fillimisht e ndërtuar në dru në 1780-ën, ura u rindërtua edhe në gur në vitet 1920, në formën e saj origjinale. Vlen të përmenden edhe dy ura të tjera të mrekullueshme pranë Beratit, Ura e Kasabashit (26 metra) e shekullit të 17-të dhe Ura e Velabishtit e shekullit të 18-të.
Ura e Tabakëve (Tiranë)
Ura e Tabakëve është e vetmja urë që mbetet në kryeqytet nga periudha osmane! Ndodhet pranë bulevardit kryesor, e rrethuar prej ndërtesave moderne. Kjo urë e shekullit të 18-të u ndërtua fillimisht për të transportuar produkte bujqësorë përtej lumit Lana, deri sa ky i fundit u ridrejtua në vitin 1930. Kjo është edhe arsyeja pse sot lumi nuk rrjedh poshtë kësaj ure. Ajo mbetet një ndër monumentet më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore në Tiranë.
Ura e Katiut (Përmet)
Kjo urë e shekullit të 19-të, e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, është bërë një prej urave më të vizituara në vend kohët e fundit. Kjo sepse pranë kësaj urë të bukur historike gjenden Vaskat kurative të Bënjës, një prej destiancioneve më popullore. Urën, dhe vaskat, i gjeni 8 km larg Përmetit. Ndonëse jo e gjatë si urë, harku i saj i madh shtrihet vertet bukur mbi lumë. E gjithë zona përreth njihet për gjetjet parahistorike nga periudhat e Neolitit (7000-3000 p.e.s.) dhe Eneolitit (3000-2000 p.e.s).
Ura e Ali Pashës (Gjirokastër)
Ali Pashë Tepelena është përgjegjës për shumë prej urave të ndërtuara në vend, veçanërisht në zonën e Tepelenës, rajoni ku u rrit. E ashtuquajtura Ura e Ali Pashës, ndryshe Ura e Dunavatit, ndodhet 30 minuta me këmbë larg Gjirokastrës. Dikur ura ishte pjesë e një kompleksi madhështor ujësjellësi të shekullit të 19-të, porositur nga Ali Pasha për të furnizuar Gjirokastrën me ujë nga mali i Sopotit. Tani ajo mbetet i vetmi fragment që ka mbijetuar. Ura është gjithashtu një ndër subjektet e skicave të famshme të Edward Lear.
Një tjetër urë e Ali Pashës që vlen të përmendet është ajo e Beçishtit, e vendosur poshtë Kalasë së Tepelenës në lumin Vjosa. Me fragmente nga periudha romake, mesjeta dhe shekulli i 17-të, ura me gjatësi 260 metra është vërtet magjepsëse. Ajo lidh Tepelenën me shtatë fshatra, njëri nga të cilët është Beçishti, vendlindja e Ali Pashë Tepelenës.
Vlen të përmendet: Ura e Zvërnecit (Vlorë)
Edhe pse jo historike, ura prej druri e Zvërnecit nuk mund të mos përfshihet në këtë listë. I pozicionuar veçse 12 km nga qyteti, ishulli Zvërnec është një nga vendet më të bukur dhe historikë të vendit. I mbuluar nga pisha të larta, ishulli është vendi ku ndodhet Manastiri i Shën Marisë, ndërtuar në shekullin e 13-të. Pjesa më interesante është fakti që, për të arritur aty, duhet të përshkoni urën 270 metra të gjatë në këmbë! /intoalbania/ KultPlus.com