Presidentja Osmani ndan për Rifat Jasharin “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja Vjosa Osmani i ka ndarë Rifat Jasharit “Urdhrin e Lirisë”.

Këtë e ka bërë në një vizitë në shtëpinë e Jasharëve në 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së.

Osmani bashkë me kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe te varret e familjes Jashari në Prekaz.

Manifestimi “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” vazhdon në ditën e dytë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti së bashku me ministra e bashkëpunëtorë nga Qeveria e parlamenti nisin homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Sot dita e dytë e Epopesë së UÇK-së, Kuvendi mban seancë solemne

Aktivitetet për shënimin e përvjetorit të 25-të të kësaj ngjarjeje historike që nisi dje më 5 mars do të vazhdojnë më sot dhe nesër kur edhe përfundojnë me atë që quhet `Nata e Zjarreve`.

Sot, me 6 mars do të mbahet seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, do të bëhen Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz si dhe do të mbahet një akademi përkujtimore.

Në ditën e tretë të Epopesë, dhe e fundit, me 7 mars, duke filluar nga ora 18:00, fillon ndezja e flakadanëve në shtatë rajone të Kosovë, duke vazhduar me manifestimin “Nata e Zjarreve” në Prekaz që shënon edhe përmbylljen e manifestimit gjithëpopullor, Epopesë së UÇK-së.

Dje u shënuat 25 vjetori i rënies së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij. Në përvjetorin të 25-të të kësaj ngjarjeje historike, u mbajt parada e FSK-së, ku Kuadratet e Ushtrisë së Kosovës u rreshtuan në nderim të ,,Epopesë së UÇK-së”. Në këtë 25 vjetor të Epopesë së UÇK-Së, nderime pranë Obeliskut të Lirisë, si simbol i nderimit të epopesë së UÇK-së, bënë ushtarakët, komandantja supreme, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.

Ngjarjet e fillim-marsit të vitit 1998 do të mbeten një dëshmi e gjallë për botën perëndimorë dhe për vetë historinë e Kosovës. Më 5 mars të vitit 1998, forcat paramilitare e ushtarake serbe rrethuan Jasharajt dhe Prekazin duke hasur në rezistencë nga familja Jashari të cilët nuk kursyen asgjë në mbrojtje të vendit.

Në ditën e dytë të sulmit mbi familjen Jashari, gjegjësisht me 6 mars 1998, luftimet po ashpërsoheshin, derisa dita e tretë e sulmit, me 7 mars 1998, konsiderohet edhe si dita e rënies heroike të Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij, dita e lavdishme e Epopesë së UÇK-së.

Nga këto luftime të ashpra që u zhvilluan tri ditë radhazi me forcat policore dhe ushtarake serbe, së bashku me Komandantin e UÇK-së Adem Jashari, nga familja e tij në fushën e nderit ranë heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë, atdheut dhe kombit, 55 persona, shumica anëtarë të familjes Jashari. / KultPlus.com

Presidentja Osmani dekoroi me medaljen ‘Urdhri i Lirisë’, veprimtarin e njohur, Xhim Xhema


Presidentja Osmani, ka pritur në një takim një delegacion shqiptaro-amerikan, të kryesuar nga veprimtari i njohur i diasporës shqiptare të Amerikës, Xhim Xhema, të cilit ia ka dorëzuar medaljen Urdhri i Lirisë, të dhënë me motivacion për kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, përcjell KultPlus.

Presidentja Osmani ka theksuar se mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është urë e fortë lidhëse ndërmjet Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptar në Ballkan me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar se Xhim Xhema është ikonë e mërgata shqiptare në Amerikë, i cili për më shumë se tri dekada ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidentja Osmani shprehu respektin dhe mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Republikës se Kosovës për rolin e pazëvendësueshëm të mërgatës shqiptaro-amerikane për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në këtë takim, Presidentja Osmani foli edhe për të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës dhe nevojën për bashkërendim dhe unitet ndërmjet institucioneve te Kosovës me mërgatën shqiptare në SHBA.

Ndërkaq veprimtari Xhim Xhema shprehu mirënjohjen e thellë për Presidenten e Republikës se Kosovës dhe institucionet e Kosovës për mikpritjen dhe respektin. Ai tha se liria dhe pavarësia e Kosovës ka qenë beteja jetësore e tij dhe e të gjithë shqiptaro-amerikanëve.

Ai tha se dekorimi me medaljen “Urdhri i Lirisë”, është respekt dhe mirënjohje jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj veprimtarëve shqiptaro-amerikan, të cilët për vite dhe dekada kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës se Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës. / KultPlus.com