Restoranti shqiptar në New York ​po mahnit amerikanët me ushqime tradicionale

Photo: Melissa Hom

Një restorant autentik shqiptar në New York po ua shfaq klientëve të tij një botë të re ushqimesh për ta, shoqëruar me dekorime të stilit antik. Restoranti i quajtur “Çka Ka Qëllu” po i kthen në kohë vizitorët përmes pamjes së tij.

Në muret e restorantit përmes fotografive paraqitet Ballkani i shekullit të nëntëmbëdhjetë, e përpos fotografive, aty mund të shihni edhe artefakte që janë edhe më të vjetra. Për shembull, e varur në mur qëndron veshja tradicionale e shqiptarëve. Pronarit të restorantit i janë nevojitur disa vite për t’i mbledhur ato. Ai i ka grumbulluar artefaktet sa herë ka shkuar në Shqipëri dhe në Kosovë.

“Këtu është një pjesë e historisë, traditës dhe kulturës sonë. Është historia e gjyshërve tanë”, thotë Elona Paja. Ajo është kryekuzhiniere e restorantit dhe gatuan në një kuzhinë dhe skarë të hapur përballë mysafirëve të restorantit.

Në restorantin shqiptar mund ta shijoni bukën tradicionale të misrit, kombinimet e ndryshme të mishit dhe djathit. Së pari, restoranti ishte piceri, por pronari Ramiz Kukaj i shërbente picat dhe byrekët bashkë me disa specialitete tjera shqiptare, ndërsa më vonë filloi të sillte edhe artefakte të ndryshme në restorant.

Ky ishte vetëm fillimi. Dhjetorin e kaluar, ai vendosi që ta hapte restorantin që tash ofron shumë specialitete tradicionale të kuzhinës shqiptare. Ai ia la emrin “Çka Ka Qëllu”, e cila është një shprehje e vjetër e mikpritjes në vendin që ka vuajtur një kohë të gjatë nga regjimi komunist. I gjendur në Belmont, prapa “Arthur Avenue”, restoranti duket si një muze i gjallë.

Pamja e tij ngjan me shtëpitë e vjetra mesjetare, me veglat antike të varura në mur dhe me tavanin e ndërtuar nga druri. Në fund të menysë së restorantit shkruhet: “Shumica e gatimeve tona përmbajnë vezë, miell dhe prodhime bylmeti. Rrjedhimisht, personat që janë alergjikë ndaj laktozës dhe glutenit, ndoshta është mirë që të mendojnë dy herë para se t’i shijojnë këto ushqime.

Menyja e restorantit nuk ka si të mos jetë e pasur edhe me brumëra. Ajo është e mbushur me emra ushqimesh që janë vështirë të shqiptueshëm, por lehtë për t’u dashuruar në to. Këtu përfshihet leqeniku, flia dhe mantiat.

Aty madje nuk mungon as kaçamaku. Përpos këtyre ushqimeve, restoranti dallohet edhe me bakllavanë e tij. Në këtë restorant është ndjesi mahnitëse ta shijosh kafenë turke, e shërbyer nga ibriku. I tërë shërbimi duket si një ceremoni festuese dhe kjo e ilustron më së miri atmosferën mikpritëse, që është pjesë e pandashme e restorantit./gazetaexpress.com/ KutlPlus.com