Vendoset “Ushtari i Panjohur” në Prishtinë, artisti Berisha: Skulptura çarmatoset prej formave estetike që fokus kanë bukurinë

Një skulpturë tejet e veçantë e krijuar nga artisti Burim Berisha së fundmi është vendosur në lagjen Dardania në Prishtinë, realizimi i së cilës mori gjithsej gjashtë muaj e që zbulimi i saj pritet të bëhet pas përfundimit të rregullimit në park si dhe ndriçimit. Andaj, zbulimi zyrtar do të vjen pas datës 21 mars, shkruan KultPlus.

Epiteti për skulpturën nga disa banorë të lagjes gjatë instalimit fillimisht mendohej të ishte “Bukuroshja Dardane”, por tani ajo mban emrin “Unknown soldier” (Ushtari i Panjohur), emërtim i cili në gjuhën shqipe konsiderohet se “ngacmon” si epitet mashkullor dhe si fakt që ka edhe “ushtare” të cilat luftojnë çdo ditë për zhvillimin e shoqërisë.

Duke pasur parasysh se portretet kryesisht janë format artistike skulpturale me anë të së cilave artisti Berisha i komunikon përjetimet, ngjarjet, dashurinë, mirënjohjen e shumë të tjera, ai ka vendosur që në këtë rast, emocionet e tij t’i paraqes me anë të akustikës dhe interaksionit si formë e re e skulpturës kosovare.

Ideja e tij për të realizuar këtë skulpturë në formë të artit publik ku komunikimi është direkt, ka ardhur si rezultat i kohës së tranzicionit që po ndodh në shoqëri, shenjave të ngritjes së vetëdijes në shoqëri ku kontributi i grave ka filluar të njihet. E tëra kjo mendohet të ketë ardhur si pasojë e punës dhe mundit të jashtëzakonshëm që kanë bërë gratë në të gjitha fushat e mundshme, por edhe si pasojë e vështirësive që kanë pasur, pas gjithë obligimeve dhe ndalesave të shtyra nga një shoqëri tradicionale dhe mjaft patriarkale. Andaj dhe është dashur të gjendet një kohë edhe për ngritje kulturore dhe akademike, të cilën e kanë arritur me mjaft sukses për një kohë të shkurtër.

“Ideja ishte që të bëhet diçka që të jetë si formë monumenti kushtuar këtij kontributi dhe kësaj vlere e cila nuk gëzon mirënjohjen e mjaftueshme akoma. Kjo skulpturë është e “çarmatosur” prej formave estetike, trupit dhe format e tjera të trupit me fokus të veçantë tek bukuria, dhe ka vetëm portretin që e përfaqëson së bashku me formën e modelimit ekspresiv, dimensioneve relativisht të mëdha që tregojnë prezencë, qëndrim stabil e të fortë edhe pse ka gjurmë dhune nga jeta. E gjitha kjo besoj që do të krijojë një ndjenjë mirënjohjeje dhe emancipimi, deri te barazia gjinore”, thotë Berisha për KultPlus.

Sipas tij, portreti i ka sytë mbyllur si shenjë force edhe përkushtimi ndaj “luftës” për emancipim duke fshehur të gjitha vështirësitë të cilat prapëseprapë fshihen përmes gjurmëve të jetës të cilat po ashtu artisti i ka shfaqur përmes formës së modelimit.

“Edhe pse shpjegimi i punimit artistik nga ana e artistit e dëmton veprën dhe i ndalon apo udhëheq përjetimet e shikuesit, skulptura në këtë rast duhet të komunikoj vetëm përmes përjetimit dhe prezencës e interaksionit, kurse unë po jap vetëm disa nga ato mendimet, përjetimet apo botëkuptimet e mija të cilat më kanë udhëhequr gjate realizimi të kësaj skulpture”, thotë Berisha për KultPlus.

Ndërsa, rolin e gruas në shoqëri artisti e sheh shumë të rëndësishëm dhe të barabartë, bazuar në kapacitete psikofizike të çdo personi pa dallim gjinie. Por që tek ne dhe shume vende tjera në zhvillim roli i gruas vlerësohet pak dhe rrjedhimisht ka minimizim te barazisë gjinore.

“Me këto ndryshimet e viteve te fundit sidomos pas luftës 98-99 shohim një ngritje të rolit të gruas. Shembulli konkret është prezenca e gruas në te gjitha fushat dhe institucionet më të larta shtetërore. Kjo është një shenjë e emancipimit të shoqërisë kosovare edhe vetë fakti që po realizojmë një portret si ky i fundit mendoj që tregon rëndësinë e rolit të gruas në shoqëri në të gjitha fushat”, shpalos ai.

Ndërkaq, skulptura edhe mund të jetë “sitespecific”, por në këtë rast mund të ndërlidhet me emrin e lagjes dhe emrin e sheshit, lokacion të cilin e ka përzgjedhur Komuna e Prishtinës, duke e përshtatur me këto dy fakte.

Kjo skulpturë e punuar nga artisti Burim Berisha është financuar nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Zhvendosja e padrejtë e “Ushtarit të Panjohur”

Ilir Muharremi

Gjilani mbeti lakuriq pa shtatoren “Ushtari i Panjohur”, tashmë e zhvendosur dhe e premtuar të vendoset në ndonjë lokacion tjetër. Hapësira është e rëndësishme për skulpturën ja pse: Çdo trup fizik i zhvilluar i krijuar gjithmonë zë vend në hapësirë reale, ndërsa iluzioni i takon vetëm motivit. Hapësira u krijua për skulpturën si skulptura poashtu për hapësirën, janë ngushtë të lidhura sikurse trupi dhe zemra. Ndërsa, për piktorin hapësira është vetëm iluzion, ose mashtrim optik, ngaqë ajo qëndron bukur kudo. Piktura i ka dy dimensione (gjatësinë dhe gjerësinë) derisa skulptura tri (gjatësinë, gjerësinë dhe thellësinë.) Skulptura më shumë ka zhvillim te thellësia (dimensioni i tretë), në raport me hapësirën, vështrimin nga distanca, optikën, nga pjesa poshtë dhe lartë, poshtë anash prapë lartë, dhe në rrotullim nga distanca të ndryshme.

Ana artistike e veprës

Shpirti i skulpturës është thellësia, dhe rasti në fjalë “Ushtari i Panjohur”, i punuar në bronz komunikonte ndjeshëm me hapësirën, frymonte me lojën e hijes dhe dritës, frymëmarrjen e formës, plasticitetin e veçantë, raporte mahnitëse të masave, veçanërisht këmbëve, thuajse të ngjitura, ose të fëmijës së vdekur që e mbanë në duar. Është në lëvizje, me ritme të ngërthyera dhe krijojnë lojë me drithërima të shqetësuara, jo patetike, e as soc-realiste, sepse vërtetë i shkon koha në të cilën skulpturat ishin patetike, kjo është shumë moderne dhe modernizmi i jep frymë veprës.

Figura është në raport me figurën tjetër. Në dorë mban një fëmijë të plagosur që duket si i vdekur me gjysmë trup, viktimë e terrorit fashist që kishte ndodhur kudo nëpër botë. Fytyrën e ka gjeometrike, hunda është e bashkuar me ballin, ndërsa sytë janë të pikëlluar të tërhequr, derisa ushtari i plagosur pothuajse është pa frymë si i vdekur. Vepra është në lëvizje, me pak detaje, më shumë e formësuar si formë e plotë, dhe gjymtyrë jo të vendosura harmonishëm njëra afër tjetrës, të shkapërderdhura në kompozicion, të stilizuara, dhe kjo dukshëm për atë kohë kopjonte artin e modern nëpër botë i cili tamam edhe lulëzoi. Kjo vepër nuk është reale, më shumë gjeometrike nga këmbët ngjashëm me cilindrin që ka lakime, lëmime tek gjunjët për ti veçuar, ose pulpat për tu dukur, por nuk anon ka arti realist i cili edhe detajet më të imëta i shprehë. Nga jashtë ka vija sidomos kraharori dhe dora merr formën e trekëndëshit ose parakrahu poashtu. Është kubiste.

Estetika qëndron te forma, shprehja e fytyrës, linjat, fryma e skulpturës dhe poetika e saj. Poetika as që mund të paramendohet pa hapësirën. Te forma hermetike duhet të qëndroj hapësira me skulpturën sepse ka efikasitet, ritëm, perspektivë, dritë- hije të cilët poashtu ndikojnë në estetikën dhe komplet trupin e veprës. Hapësira është një kufij i mirëfilltë i skulpturës, poashtu këtu i bashkëngjitet edhe rrethina, ngaqë ka projektin e ndikimit te shikuesi, i cili nëse sheh skulpturën të rrethuar me objekte të mëdha ose afër shumë, minimizohet vepra, kurse në rastin në fjalë, objektet janë larg dhe ajo frymon e lirë. Komunikimi është në nivel. Kjo vepër është e plotë vetëm në këtë hapësirë dhe e çuditshme se si kryetari Lutfi Haziri tenton t’ja ndërroj lokacionin, disi poshtë bie vlera e artit këtu dhe vlera e kryetarit me këtë gjest të dobët dhe nuk e dijë përse ministri i kulturës nuk reagon me këtë gjest. Ndoshta është edhe mungesë njohurie për skulpturën dhe hapësirën, e cila po zhvendoset pa ndonjë debat publik.

I nderuar kryetar, hapësira si kufizuese e formës së skulpturës e jetëson veprën, e kufizon dhe zbukuron shtrirjen e saj, mbanë në kontroll lojën e relieveve, thellësive dhe plotësisë së formës, përmasat, ekzagjerimin që në këtë rast i shkon. Nga kjo duket shumë sintetike vepra, porse nga bazamenti, ose më poshtë nga vështrimi optik, nga të tri anët, koka duket paksa më e vogël në perspektivë krahas me përmasat e mëdha të trupit (kur dihet që objektet më larg rriten për pak, me qëllim të peshohen dhe t’i shkojnë përmasave.) Kurse hapësira dhe rrethi i ndihmon kësaj skulpture në përhapjen e formës, dritën e cila depërton te format e përthyera, pjesa e belit, këmbëve dhe duarve, e fuqizon skulpturën ndërmjet komunikimit të dritës, hijeve nga pemët që janë afër, e bëjnë më të bukur. Sa është kjo vepër në lëvizje? Sipas Kalderës skulptura është objekt fizik i palëvizshëm, me gjest shprehës natyrisht, por i zënë nga ndonjë pozitë, qoftë në ecje, pushim, kalërim, ulje, meditim…. Lëvizja këtu më shumë është iluzive, është një imazh i fotografuar dhe më shumë le hapësirë për të menduar dhe gjykuar për të. Artistoteli shumë e vlerëson skulpturën e cila qetësisht rri në hapësirë. Dakord, më shumë vlerësohet qëndrimi se aksioni ose lëvizja. Rasti në fjalë është në aksion, qëndrim dhe lëvizje, nuk është e qetë. Qëndrimi nuk është mashtrim optik, ose ideja më e bukur se e vërteta. Skulptura në fjalë paraqet revoltë të luftës dhe humanizëm ndaj ushtarëve të vet. Kjo skulpturë ka shumë estetikë, (e veçanta e skulpturës), madje më nuk është e rëndësishme biografia e saj krahas bukurisë dhe pranë bukurisë çdo gjë përulet.

Andaj, mbas Lesingut prezantimi i çastit të skulpturës në hapësirë është më i rëndësishëm se vet vepra, edhe është çast i patejkalueshëm, shumë i rëndësishëm. Në fakt mbartja e ushtarit të plagosur nga fashistët gjermanë. Kjo skulpturë nuk e reprodukon çastin, lëvizjen, aksionin, punën, por edhe përjetësinë e saj. Disi gjesti i saj ndal për një çast kohën e 1944, luftën ekstreme.

Ndryshimi i lokacionit

A duhet t’i ndryshohet lokacioni pasi po e quajnë si vepër jo shqiptare? Nëse qenka siç pohojnë atëherë, duhet të asgjësohet, por nuk qenka ashtu. Në vend të kësaj do vendoset shtatorja e Idriz Seferit, derisa ajo u mohua të vendoset përkrah shtatores së Agim Ramadanit ngaqë aty ishte ajo e Car Lazarit. E si bënë të vendoset kjo në vendin e asaj që tashmë nuk është më? Absurditet jo kulturor dhe mungesë e njohjes historike si dhe artistike. Qytetarët e Gjilanit me të drejtë reagojnë ja një pjesë e reagimit të tyre: “Kjo shtatore ka identifikuar qytetin për dekada të tëra dhe është bërë pjesë e memories kolektive të Gjilanasve.

“Ushtari i Panjohur” është simbol i qytetit të Gjilanit që prej vitit 1963. Është e vetmja statujë që ka një qëndresë kaq të gjatë në komunën e Gjilanit, i mangët në objektet e trashëgimisë kulturore. Kjo shtatore ka kuptim të plotë vetëm në vendin ku ndodhet tani. Gjilanasit janë mësuar ta asocojnë qendrën e qytetit me këtë shtatore të punuar bukur. Nëse ndryshohet lokacioni kjo do të mbytë një objekt që i jep kuptim qendrës së qytetit tonë. Ruajtja dhe respektimi i monumenteve që sjellin emocione e që na bëjnë të konsiderojmë Gjilanin “shtëpi” duhet të jetë prioritet i komunës tonë, andaj ndryshimi i lokacionit të shtatores duhet të ndalohet. Ne kërkojmë që për vendime të tilla shumë të rëndësishme të mbahen debate publike dhe të vendos zëri qytetarë. Shtatore të tjera që nderojnë kontribuuesit e vendit tonë janë shumë të respektuara. Ato nuk duhet të vendosën në lokacione për të zëvendësuar shtatoret e mëparshme por, të krijojnë një raport të ri e të veçantë me qytetarët. Objektet e tilla i japin kuptim hapësirës. Mos i lëvizni! Nënshkruaj peticionin dhe ndaje me të tjerët ta ndalojmë largimin e shtatores. Mos të lejojmë të shkatërrohet shpirti i qytetit tonë!” përfundon reagimi.

Ana historike e veprës

Në një fotografi të vjetër shihet kjo përmendore, në të shkruan: “Përmendorja e luftëtarëve të ramë të Pomoravles së Kosovës në Gjilan, vepër e skulptorit A. Rzhetiq 16.11.1964”. Çfarë do të thotë kjo? Bëhet fjalë për luftëtarët që luftuan kundër Nazizmit, e jo serbë kundër shqiptarëve ose shqiptarë kundër serbëve. Mos të përzihet kjo. Ky monument flet për historinë e Kosovës, jo vetëm për anën estetike artistike. Shprehë luftën e ndodhur në Gjilan, luftën kundër Fashizmit dhe dhunën e partizanëve që masakruan civilë në vitin 1944. Atëherë, përmendorja është fakt, dëshmi e komunizmit mbi historinë e qytetit të Gjilanit. Dëshmitë a duhet të zhdukën? Natyrisht që jo. Atëherë, pse të hiqet skulptura plotë dëshmi, sakrificë, luftë, revoltë dhe paqe? Kryetar mendoje mirë këtë. Kjo i bie që ky qytet nuk ka më të kaluar, jeton vetëm me një histori folklorike tonën, kurse ajo botërore nuk ka ekzistuar kurrë. Kjo përmendore përfaqëson dëshmorët e rënë në Luftën Nacionalçlirimtare dhe është ngritur me motive të një politike të re të forcimit të vëllazërimit e bashkimit të të gjithë popujve të Jugosllavisë dhe atyre të Gjilanit e rrethinës në veçanti.

Ata që shkatërrojnë kulturën janë barbarë, disi si pa qeliza nervore, pa emocione. Atëherë, edhe ndërtesat e ndërtuara në ish jugosllavi duhet të rrënohen, çdo metër katrorë beton. Skënder Zogaj, analist politik, i del në mbrojte Lutfi Hazirit, duke pohuar se , “Kjo statujë është një simbol sllav që simbolizon riokupimin e Kosovës nga ana e Serbisë komuniste.” Kjo përmendore është përgjithësuese i nderuar, i përket të gjithëve kundër nazizmit, nëse hiqet përkrahet nazizmi ose tentohet të fshihet historia e tij. “Çështja e përmendoreve është problem shprehimor i regjimeve që, me rastin e sundimit të tyre në hapësira të caktuara, përpiqen që të etiketojnë edhe ambientin gjeografikë me sa më shumë shenja të vetat, sepse kjo është një nga mundësitë e shumta për t’ia imponua influencën e tyre të sundimit tek popullata.”, thotë Zogaj. Nuk e dijë në cilat media u përmend ndonjëherë kjo përmendore si etiketim gjeografik ose si përvetësim i veti.
Kjo është shumë e thjeshtë: revoltë kundër nazizmit. “Prandaj, unë mendoj se përmendorja “ushtari i panjohur” e vitit 1945 në Gjilan, është një përmendore koti, që nuk e ka asnjë vlerë për nën qiellin e Kosovës dhe traditën kulturo-historike shqiptare, pos tjerash edhe për faktin se është përmendore një rrëgjimi dhe për qëllime antishqiptare”, shprehet ai. Nuk është përmendore koti, është futurizëm i asaj kohe dhe estetikisht është shumë e qëlluar. Cili regjim? Fashistët normal që ishin kundër, kurse qëllime anti-shqiptare, askund nuk shprehë kjo. Ushtari mbartë një ushtarë të plagosur nga nazistet. Kjo vepër nuk i përket asnjë kombi sepse mund të përdoret për të gjitha kombet. Parullën e ka të thjeshtë: Kundër Nazizmit. Pse a nuk ndodhi kjo gjatë historisë? Kjo nuk lidhet me traditën shqiptare sepse skulptura nuk e prezanton këtë, andaj edhe s’le hapësirë të kritikohet në kuadër të kësaj. Dakord dhe është gjë e bukur të vendoset shtatorja e Idriz Seferit, por jo mbi fatkeqësinë e tjetrës të ndërtohet një fat i mirë. Më së paku duhet të pyeten politikanët për shtatorët, kjo është punë e historianëve, dhe historianëve të artit, pastaj edhe popullit.

Me të drejtë ka reaguar ish kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa i cili ka shkruar se historinë nuk mund ta bësh mbas shijes tënde duke e përdhosur apo mbuluar kulturën e pararendësve tu. “Këtë përmendore (që ishte e vetmja trashëgimi e këtij lloji për historinë e mesit të shekullit të kaluar në këto hapësira) nuk e rrezoi përtokë populli i Gjilanit në vitin më kritik e më frustrues 1999 kur, me plotë të drejtë e rrëzoi atë të Car Llazarit.”, shënon Mustafa. Shtrohet pyetja pse? Kjo përfaqëson të gjithë të rënët kundër nazizmit, të gjithë të bashkuar. Nëse hiqet mbas asaj bindje se kinse është sllave, atëherë edhe piramidat e Egjiptit duhet rrëzuar, ngaqë faraonët qenë diktatorë të mëdhenj. Kulla Eiffel, të hiqet sepse nuk u ndërtua në kohën e demokracisë. Skulpturat greke duhet rrënuar ngaqë shprehin fëmijërinë naive për ne, por bota ruan me fanatizëm këtë nostalgji për këtë fëmijëri. Edhe kryeveprat e renesancës duhet djegur. Definitivisht kjo iniciativë kundër artit shprehë një naivitet dhe jo njohuri për vlerat. Historia nuk ndërtohet nga e sotmja e as folklori, por nga arkivi i së vërtetës. Pa vullnetin e popullit u hoq nga një grusht njerëzish të politikës, pothuajse kjo e vetmja skulpturë pas luftës së dytë botërore e mbijetuar në Gjilan derisa në qendra tjera u hoqën nga analfabetët, injorantët dhe servilët.

Trashëgimia jonë ka nevojë për katarsis, e them jonë sepse “Ushtari i Panjohur” na përket të gjithëve. Problemin e trashëgimisë komuniste duhet kuptuar në Kosovë, por Kosova kishte më shumë probleme me nacionalizmin se sa me komunizmin. Edhe sot më shumë ka probleme me nacionalizmin se sa me demokracinë. Disi më duket se heqja e ushtarit tenton t’i manipulojë faktet e fashizmit, por kjo kujtesë është shumë e kristaltë te populli dhe librat.

Shtatorja “Ushtari i panjohur” largohet nga qendra e Gjilanit (FOTO)

Shtatorja “Ushtari i panjohur” tashmë është bërë temë e medieve sociale,pasi që është marë një vendim për ndërrimin e lokacionit të kësaj shtatoreje, për ta vendosë shtatoren e Idriz Seferit, shkruan KultPlus.

Një vendim i tillë nuk është pritë mirë nga një numër i madh i qytetarëve, të cilët tashmë kanë nisë nënshkrimin online të një peticioni, të cilët kundërshtojnë ndërrimin e lokacionit për këtë shtatore.
Por, përderisa po nënshkruhet ky peticion, shtatorja “Ushtari i panjohur”, është larguar nga vendi, në të cilin kishte qëndruar prej vitit 1945, dhe e njëjta është lënë në parkun e qytetit.

Ky është reagimi i iniciatorëve për moslargimin e shtatores:
Ndryshimi i lokacionit të shtatorës së Luftëtarit të Panjohur në Gjilan ka shqetësuar në masë të madhe qytetarët e Gjilanit. Kjo shtatore ka identifikuar qytetin për dekada të tëra dhe është bërë pjesë e memories kolektive të Gjilanasëve.

“Ushtari i Panjohur” është simbol i qytetit të Gjilanit që prej vitit 1945. Është e vetmja statujë që ka një qëndresë kaq të gjatë në komunën e Gjilanit, i mangët në objektet e trashëgimisë kulturore.

Kjo shtatore ka kuptim të plotë vetëm në vendin ku ndodhet tani. Gjilanasit janë mësuar ta asocojnë qendrën e qytetit me këtë shtatore të punuar bukur. Nëse ndryshohet lokacioni kjo do të mbytë një objekt që i jep kuptim qendrës së qytetit tonë. Ruajtja dhe respektimi i monumenteve që sjellin emocione e që na bëjnë të konsiderojmë Gjilanin “shtëpi” duhet të jetë duhet të jenë priorit i komunës tonë, andaj ndryshimi i lokacionit të shtatorës duhet të ndalohet.

Ne kërkojmë që për vendime të tilla shumë të rëndësishme të mbahen debate publike dhe të vendos zëri qytetarë. Shtatore të tjera që nderojnë kontribuesit e vendit tonë janë shumë të respektuara. Ato nuk duhet të vendosën në lokacione për të zëvendësuar shtatoret e mëparshme POR që të krijojnë një raport të ri e të vecantë me qytetarët.

Objektet e tilla i japin kuptim hapësirës – mos I lëvizni! Nëshkruaj peticionin dhe ndaje me të tjerët ta ndalojmë largimin e shtatorës. Mos të lejojmë të shkatërrohet shpirti i qytetit tonë! / KultPlus.com