Ministri Mehaj në përvjetorin e formimit të Ushtrisë së Kosovës: Urime ushtarakë, ju gardianë të Lirisë e Republikës sonë

Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, katër vjet më parë miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri, shkruan KultPlus.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si “një  ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.

Sot, në këtë përvjetorë, ka shprehur urimin e tij edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i cili shprehet se ky përvjetor na gjenë me suksese të mëdha.

Ai tutje thotë se Ushtria u ndërtua, zhvillua dhe avancua mbi gjakun, djersën e mundin e heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit ndër breza.

Ky është postimi i plotë i ministrit Mehaj:

Përvjetori i katërt i Forcës sonë me mandatin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës na gjenë me suksese të mëdha.

Përkundër sfidave të ndryshme, rrugëtimi ynë me vizion të qartë është i pandalshëm drejtë synimit tonë.

Ushtri me ushtarakë me moral të lartë, të arsimuar, stërvitur, të pajisur dhe të gatshëm për realizimin e misionit të shenjtë në mbrojtje të Atdheut dhe qytetarëve tanë.

Ushtri e ndërtuar, zhvilluar dhe avancuar mbi gjakun, djersën e mundin e heronjve , dëshmorëve e martirëve të kombit ndër breza.

Urime qytetarë të dashur!

Urime ushtarakë, ju gardianë të Lirisë e Republikës sonë! / KultPlus.com

Katër vjet nga formimi i Ushtrisë së Kosovës

Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, katër vjet më parë miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

Ligjet e miratuara ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amendamentet e ligjeve u votuan një nga një.

Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë, pasi që ata ishin kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si “një  ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”./ KultPlus.com

​Nga sot në Ushtrinë e Kosovës të drejtë aplikimi kanë të gjithë të rinjtë deri në 25 vjeç

Nga sot, Ushtria e Republikës së Kosovës nuk ka kufizim në numër, dhe të drejtë aplikimi kanë të gjithë të rinjtë deri në 25 vjeç, transmeton KultPlus.

Siç njofton Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Kuvendi sot me shumicë votash miratoi tri projektligjet themelore me të cilat avancohet fuqishëm baza ligjore e organizimit dhe funksionimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

“Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Ministrinë e Mbrojtjes. Miratimi edhe në lexim të dytë i këtyre projektligjeve krijon dhe fuqizon bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së dhe të drejtat e obligimet për pjesëtarët e FSK-së. Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK, e po ashtu përmes ndryshimit të kriterit të moshës së lejuar për aplikim, krijon mundësi më të mëdha për të gjithë ata të rinj deri në 25 vjeç të cilët duan të bëhen pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Mehaj.

Ai gjithashtu tha se projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, rregullon kompetencat, organizimin, funksionimin dhe fuqizimin e saj përmes inicimit të programeve të veçanta financiare por edhe heqjen e kufizimeve sa i përket rekrutimit të pjesëtarëve aktiv dhe rezervë të FSK-së.

“Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, rregullon kompetencat dhe fushëveprimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrit te Mbrojtjes. Gjithashtu, ky ligj rregullon edhe përbërjen e personelit të Ministrisë së Mbrojtjes, personel ky ushtarak dhe civil, si dhe fuqizimin e kontrollit dhe mbikëqyrjes civile demokratike të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Miratimi i këtyre tri ligjeve mundëson rishikimin e akteve në fuqi si dhe nxjerrjen akteve tjera, si rregulloreve dhe udhëzimeve administrative, për sistemin organizativ dhe funksional të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe sistemin organizativ dhe operacional të FSK-së”, ka thënë ai.

Më tej, Mehaj tha se këto projektligje janë sukses i madh i Kosovës, sepse sipas tij, është avancuar baza ligjore në përputhje me interesat shtetërore dhe standardet më të larta të legjislacionit të vendeve anëtare të NATO-s. /KultPlus.com

Ministri Mehaj: Vetëm së bashku mund të arrijmë ushtrinë tonë moderne dhe të pajisur sipas standardeve të NATO-së

Ministri i Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë, Armend Mehaj ka kërkuar që të mbështetet “Fondi i Sigurisë” që është hapur në shërbim të institucioneve të sigurisë së vendit tonë, përcjell KultPlus.

“Është e domosdoshme që Ushtria e Kosovës të forcohet. Është e vështirë ta bëjmë këtë vetëm me buxhetin që e kemi. Donacioni i secilit është i çmueshëm dhe i pa zëvendësueshëm”, ka shkruar Mehaj në rrjetet sociale.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Përshëndetje të gjithë shqiptarëve kudo që jetoni, veproni e punoni,

Është e domosdoshme që Ushtria e Kosovës të forcohet. Është e vështirë ta bëjmë këtë vetëm me buxhetin që e kemi.

Për ta bërë këtë kemi hapur ‘’Fondin e Sigurisë’’, i cili do të jetë në shërbim të institucioneve të sigurisë së vendit tonë.

Atdheu ynë ka nevojë për ne, jam i bindur që do t’i përgjigjemi pozitivisht siç kemi bërë gjithmonë.

Donacioni i secilit është i çmueshëm dhe i pa zëvendësueshëm.

Vetëm së bashku mund të arrijmë qëllimin jetik – Ushtrinë tonë moderne dhe të pajisur sipas standardeve të NATO-së.

Fondi i Sigurisë do të menaxhohet nga Ministria e Financave me transparencë dhe llogaridhënie të plotë.

Fondi është hapur në Bankën Qëndrore të Republikës së Kosovës.

Emërtimi i llogarisë/Account name Fondi i Sigurisë

Nr. i llogarisë/Acc. number 1000400070008619

IBAN XK051000400070008619

SWIFT-BIC CBRKXKPRXXX

Ju falënderojë për të gjitha mesazhet që më keni dërguar, ekziston një mobilizim dhe vullnet i jashtëzakonshëm për të dhënë donacione për ushtrinë tonë.

Ushtria jonë buron nga populli.

Ajo i shërben vetëm popullit dhe paqes! / KultPlus.com

Osmani: Djemtë e vajzat tona në FSK po na bëjnë krenar

Dy vite më parë, Kuvendi i Kosovës, me 106 vota pro miratoi ndryshimet e nevojshme ligjore që hapën rrugën për transformimin e FSK-së në Ushtri të shtetit të Kosovës dhe themeluan Ministrinë tonë të mbrojtjes.

Kjo votë, do të mbetet e shënuar në historinë e re të Republikës sonë si ndër momentet kulminante të përpjekjeve tona të përbashkëta për fuqizim të shtetësisë, mbrojtje të sovranitetit dhe konfirmim të aspiratave tona për anëtarësim në NATO.

Djemtë e vajzat tona në FSK, po vazhdojnë të na bëjnë krenar dhe ta mbajnë Kosovën në piedestalin më të lartë duke lartësuar flamurin tonë e Ushtrinë tonë të përbashkët.

Është detyrë e jona kombëtare që të kontribuojmë në fuqizimin e mëtejmë të ushtrisë sonë, në mënyrë që në bashkëpunim me miqtë e partnerët tanë strategjik, ta shohim atë si ndër ushtritë më të sukseshshme që kontribuojnë në paqe e siguri në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën në mënyrë që ne sot të gëzojmë Ushtrinë e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com