Uta Ibrahimi në vitin 2017 u bë gruaja e parë shqiptare që ngjiti Everestin duke rrënuar kështu paragjykimet gjinore e etnike si dhe duke lobuar në mënyrën më të veçantë për Kosovën e Shqipërinë.
Këtë vit, Uta bototi edhe librin e saj të parë për fëmijë “Uta e Maleve”. Libri u prit shumë mirë dhe fëmijët që tashmë e kanë lexuar atë, kanë krijuar ilustrimet e tyre unike të inspiruara nga libri duke ia dorëzuar ato heroinës së tyre të maleve – Utës.
Libri përmes ilustrimeve dhe rrëfimit flet për eksperiencën e ngjitjes së majës më të lartë të botës nga Uta dhe e ndërlidh atë me dashurinë e pangopshme që ajo kishte për natyrën qysh si vajzë e vogël. Qëllimi i Utës është që me rrëfimin e saj të inspirojë fëmijët për të vazhduar ëndrrat e tyre deri në realizim si dhe t’i vetëdijesojë ata për madhështinë e rëndësinë e natyrës.
Ndërkaq, sot, Uta njoftoi përmes një statusi në rrjetin social Facebook, se ‘Uta e Maleve’ do të shpërndahet në 5000 familje nëpër gjithë Kosovën dhe do të jetë në gjuhën shqipe, rome dhe serbe.
”Java e mirë, niset të hanën 😍
Jam tepër e gëzume me kuptu që libri dhe libri për ngjyrosje ‘Uta e Maleve’ ka me u shprenda në 5000 familje, nëpër gjithë Kosovën, në gjuhën shqipe, rome dhe sërbe.
Ska shpërblim ma të mirë se sa fakti që puna që e bajmë çdo ditë, po inspiron të ardhmen e Kosovës.
Projekti URRA, i financuar nga @unicef_innovations_lab_kosovo dhe menaxhuar nga Fondacioni Utalaya, sapo ka filluar një rrugëtim të bukur dhe me shumë ngjyra!
Faleminderit të gjithëve që jeni pjesë e këtij rrugëtimi”, shkruan Uta në Facebook. / KultPlus.com