Lëndohet rëndë në Valbonë alpinistja Uta Ibrahimi

Alpinistja Uta Ibrahimi është lënduar në pjesën e këmbës teksa po ngjitej në malin e Rragamit në Parkun Kombëtar të Valbonës, bën të ditur Standard.

Mësohet se alpinistja ka qenë duke u ngjitur së bashku me alpinistin Aurel Duka në një faqe shkëmbore ku është shkëputur nga mali një gurë, i cili i ka rënë në këmbën alpinistes duke i shkaktuar dëmtime serioze.

Në këto momente një grup alpinistësh, banorë të zonës dhe një grup nga emergjenca civile ndodhen në vendin e ngjarjes, ndërsa po transportojnë alpinisten drejt lagjes Kukaj në Vlabonë, aty ku ndodhet ambulanca dhe shërbimi mjekësor. / KultPlus.com

Uta Ibrahimi pushton edhe vargmalet e Pakistanit, maja e 11-të më e lartë në botë

Më 12 korrik, rreth orës 08:00, alpinistja Uta Ibrahimi ngjiti edhe majën “Gashurburum 1” (8,058 metra lartësi mbidetare), majën e 11-të më të lartë në botë, pjesë e vargmalit Karakorum, në Pakistan.

Rruga deri në maje të tilla asnjëherë nuk është pa të papritura, për shkak të terrenit të egër, motit të paparashikueshëm, akullnajave dhe orteqeve.

Për të arritur deri në kampin bazë (5,200m), është dashur të ecë 150-160 km nëpër kampe të ndryshme, një shteg i përzier me gurë (morane) e akullnaja. Ngjitja prej Kampit bazë deri në Kampin 2 (6500m) ka qenë ngjitje krejtësisht pa litar dhe mjaft e rrezikshme sidomos për faktin e cravasasve – mirëpo ngjitjet janë bërë me litar në mes të ngjitësve të ndryshëm.

Për në Kampin 3 (7,200m), ngjitja ka qenë kryesisht teknike, me pjerrtësi prej 50-65% dhe gurë e akull.
“Ngjitjet nga kampi në kamp janë përgatitje e rëndë për sulmin drejt majës, por janë edhe mundësi e mirë për të takuar dhe biseduar me alpinistë nga e gjithë bota dhe kuptohet, për të ju treguar për Kosovën tonë, për malet tona. Me shumë prej tyre e vazhdoj bisedimin edhe pas ekspeditës, dhe në raste të njëjta, disa edhe e kanë vizituar Kosovën”, shprehet Uta Ibrahimi.

“Kjo është maja e 5-të 8,000 metërshe që e kam ngjitur, çka zyrtarisht më bën alpinisten e vetme në Ballkan që i ka ngjitur 5 maje mbi 8,000 metërshe – duke e kaluar alpinisten nga Sllovenia (e cila i ka 4 maje të ngjitura). Kam ende maje për ti ngjitur (edhe 9 tjera), por nuk do të ndalem. Jam shumë e lumtur që vazhdoj të promovoj Kosovën nëpër ngjitje, të vendosi flamurin tonë kudo që ngjitem, dhe të ju tregoj botës për bukuritë tona natyrore që vlen të vizitohen”, ka thënë Uta nga Islamabadi, Pakistan.

Maja Gasheburum 1 (8,058 m) është ngjitë për herë të parë prej Amerikanëve në 1958 nga një rrugë tjetër, dhe më pas ne vitin 1980 nga një ekspeditë japoneze, kah faqja veriore, shteg të cilin e ka ndjekë edhe Uta Ibrahimi.

Kjo ngjitje është pjesë e ekspeditës “14 majet e Himalajeve”, e filluar nga Uta Ibrahimi për të ngjitur gjithsej 14 majat më të larta të botës – një ekspeditë që shumë pak e kanë realizuar në botë (deri mëtani 3 gra te vetme nga e gjithë bota).

Kjo ekspeditë është përkrahur nga: Ministria e Kultures, Rinisë dhe Sportit te Kosovës, Red Bull, Park Hote- Shkup, Aeroporti i Prishtines-Limak, Turkish Airlines dhe Familja Begeja.

Ministri Gashi takoi alpinisten Ibrahimi, ia dha flamurin e Kosovës që ta vendosë në Himalaje

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim alpinisten Uta Ibrahimi. Fillimisht ministri e përgëzoi alpinisten Ibrahimi për sukseset e treguara deri më tani dhe gjatë këtij takimi ia dhuroi asaj flamurin e Republikës së Kosovës për ta vendosur në majat e Everestit gjatë këtij sezoni.

Në kuadër të mbështetjeve të shumta të cilat MKRS-ja ofron për sportistët tanë, Ministri Gashi i ofroi mbështetje financiare në vlerë prej 8 mijë euro alpinistes Uta Ibrahimi për ekspeditën e radhës të cilën do ta filloj në fund të muajit prill 2019.

Bëhet fjalë për ekspeditën në Himalaje në Nepal, në ngjitjen e radhës në majën Lhotse Jug 8516m (Lhotse South) e cila do të përcillet nga ekipi i National Geographic, ku do të bëhet edhe dokumentar për këtë ngjitje. Uta është pjesë e ekipit të ngjitëseve nga e gjithë bota, Koreja, Kina, Spanja, Kolumbia, Nepali dhe Kosova.

Me ketë rast ministri Gashi tha se ne po mbështesim në vazhdimësi sportistët të cilët kanë nevojë që të përkrahen për zhvillimin e aktiviteteve të tyre sportive dhe në pajtim me dispozitat e Ligjit për Sport dhe akteve tjera nënligjore të përcaktuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Duke pasur parasysh imazhin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, iniciativa e projekte të këtilla janë të mirëseardhura, u shpreh ministri Gashi.

Ndërsa Alpinistja Uta Ibrahimi u shpreh e kënaqur me mbështetjen financiare dhe falënderoi ministrin Kujtim Gashi për mbështetjen e vazhdueshme që po iu jep sportistëve. / KultPlus.com

Uta Ibrahimi, ambasadorja e parë e kompanisë Bight Gear


Uta Ibrahimi, bëri historinë pasi u ngjit në Everest e në Manaslu, por ajo nuk u ndal asnjëherë, ajo vazhdon ngjitjet e saj me synimet më të larta, shkruan KultPlus.

Por, për të qenë sa më e përgatitur për këto ngjitje, prapa saj gjithmonë qëndrojnë njerëz që e përgatisin sa më mirë.

Bight Gear, kompania e njohur për veshmbathje kualitative për ekspedita, kanë zgjedhur ambasadoren e tyre të parë.

Ura Ibrahimi tashmë është zyrtarisht ambasadorja e parë e Bigt Gear dhe kjo gjë e ka bërë shumë të lumtur alpinisten shqiptare.

Përmes një statusi në Facebook, Uta ka shprehur falënderimin e saj për këtë Bight Gear të cilët i ka falënderuar që gjithmonë i kanë qëndruar pranë dhe e kanë përgatitur për ekspeditat e saj.

“Me njerëzit e mirë të Bight Gear njihem që nga 2018, kur më ndihmuan me veshmbathjet e tyre të kualitetit të lartë, për ekspedita, dhe gjithashtu më ndihmuan me përgatitjet fizike për ekspedita, së bashku me guidat e famshëm nga RMI Guides. 
Në thelb, Bight është më shumë se biznes. Është një kombinim i punës me dashni, e një grupi të ngushtë të personave të apasionuar pas maleve që e kanë vetëm një qëllim: të lehtësojnë dhimbjen e ngjitjeve në male.

Sot, ndihem krenare dhe e nderuar që ata më zgjodhën mua si Ambasadoren e parë të tyre.
Jam shumë falënderuese për mbështetjen dhe besimin e tyre, dhe me gjithë qejf do ti veshi teshat e tyre.”, ka shkruar Uta në Facebook. /KultPlus.com

Uta Ibrahimi nga Nepali me mesazh inspirues për fuqinë e vajzave

Sot në Ditën Internacionale të Vajzave, Uta Ibrahimi përmes një video ka ndarë një urim të veçantë. Në këtë video Uta Ibrahimi dërgon mesazhe nga Namche Bazaar, Nepal, shkruan KultPlus.

Ajo me këtë video u është drejtuar vajzave duke thënë se kjo ditë njihet për të drejtat e paprekshme të tyre ndërsa ajo është duke përdorur zërin e saj në avokim të secilës vajzë që të ketë të drejta të barabarta që të shkëlqejë në jetën e saj.

“Si një vajzë që po ngjitet na majat më të larta të botës, ti duhet ta dish që çdo hap që e bëjë, unë i marr ambiciet dhe shpresat e juaja me mua. E konsideroj një mision timin që t’i rrezojë barrierat gjinore dhe të kundërshtoj konceptin e gabuar se vajzat janë të liga”, thotë në videon e saj Uta Ibrahimi me mesazhin që secila vajzë të besoj në vete./ KultPlus.com

Uta Ibrahimi nuk ndalet, pushton majën Cho Oyu në Himalaje

Uta Ibrahimi, alpinistja e parë dhe e deri tash e vetmja shqiptare që po ngjitet majave më të larta të botës, pas ngjitjes së më të lartë në botë – Majës së Everestit, pas ngjitjes së dy majeve tjera – Manaslu (e 8-ta më e larta) dhe Lhotce (e 4-ta më e larta) – më 26 shtator, në ora 11.06 (China Time) e ngjiti me sukses edhe Majën Cho Oyu (maja e 6-ta më e lartë) 8,201 metra lartësi mbidetare, Tibet- Kinë. Këtë ngjitje ajo e bëri pa sasi shtesë të oksigjenit, edhe shënon edhe një rekord të ri për alpinistën shqiptare Uta Ibrahim.

“Kjo ngjitje ka qenë më sfiduese nga të gjithat deri me tani. Rotacionet e aklimatizimit kryesisht i kam bërë vet dhe të gjitha paisjet personale i kam bajt vet, pra pa ndihmën e Sherpave, deri në ditën e majës kur ju kam bashku ekipeve të tjera. Këtu kam pas pak ndihmë nga sherpat e ngjitjes, por kryesisht jam ngjitur me shumë peshë shtesë.” – thotë Uta.

Uta kishte planifikuar që të ngjitet pa sasi shtesë të oksigjenit, mirë në natën e majës, dikun në 7,800 metra, kanë filluar ti ngrihen gishtat e dorës, që e ka shtyer atë të përdor oksigjen vetëm deri në lindjen e diellit (afërsisht deri te maja e Cho Oyu-së).

“Këto ngjitje të harxhojnë shumë nga vetja. Të duhet forcë dhe motiv i bollshëm për me arritë drejt majës. Motivi dhe shtyrësi i ngjitjeve të mia është populli im dhe ndjenja e krenarisë kur valvoj flamurin e shtetit dhe të kombit. Për popullin tim, malet e mia” – shprehet Uta, e emocionuar.

Uta Ibrahimi tani gjindet në kampin bazë dhe së shpejti do të zbret në Kathmandu, Nepal. Pastaj me 7 tetor fillon ngjitjen në Amadablam, maje mjaft teknike, por jo e lartësisë 8,000m+.

Brenda 18 muajve, Uta Ibrahimi ka ngjitur 4 nga gjithsej 14 majeve më të larta në botë, që njihen si majet 8,000-jëshe (sepse të gjitha janë mbi 8,000m lartësi mbidetare).

Ekspedita është përkrahur nga: Qeveria e Kosovës, e në vecanti nga zv. Kryeministri Enver Hoxhaj, Federatën Bjeshkatare të Kosovës, Shba Pashtriku, Shba Dajti, Turkish Airlines, Familja Begeja dhe Birra Puka, UN Kosovo, UN Woman, UNICEF, UNFPA Kosovo.

Ekspedita “14 majet e Himalajeve” e ndërmarrë nga vet Uta Ibrahimi, ka për qëllim që të pushtojë të gjitha 14 majet më të larta në botë, që gjinden në malet e Himalajeve. Këtë e kanë bërë shumë pak njerëz në botë, dhe Uta synon që të jetë shqiptarja e parë që e arrinë këtë.

Uta Ibrahimi e vendos Kosovën edhe në këtë maje

Uta Ibrahimi, gruaja shqiptare që bëri historinë pasi u ngjit në Everest e në Manaslu, tashmë ka marrë një rrugëtim tjetër, për të përmbushur misionin e saj të ngjitjes në 14 maje të larta të Himalajeve, shkruan KultPlus.

Në fillim të kësaj jave më 5 dhe 6 gusht 2018, ajo ka realizuar ngjitjen alpine në malin ‘Mount Rainer 4392m, Washington State, USA / Southëest – via Kautz Glacier Route’ dhe kthimin në ‘DC Route’
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka shpjeguar gjithë eksperiencën e kësaj ngjitje.

Nisja me datë 5 Gusht në ora 06.30, 1120m Shtegu fillimisht rrugë pylli, deri te Ujvara ‘Comet’ e gjatë rreth 100 metra. Pastaj, ngjitje pa shteg dhe nëpër gurë dhe akull deri në vend kampimin. Arritem në kamp rreth orës 12, në lartësi 2800m.Mbledhja e kampit dhe nisja drejt majës u bë në mesnatë, në ora 00.30. Ngjitja ishte teknike, fillimisht akull dhe gurë dhe pastaj vetëm akull. Shtegu ishte me plot qarje te akullnajave – cravasa të mëdhaja, që na e bëri rrugën dhe më të gjatë për shkak të kalimit të tyre. Gjithashtu, shtegu ishte i pjerrët dhe terren shumë i vështirë për ngjitje për shkak të ‘snoë penitentes’ (akull që krijohet në altitudë në formën e gishtave)”, ka treguar alpinistja Ibrahimi duke thënë se shtegu konsiderohet si shteg i vështirësisë 3, AI2-3, sipas organizatës për mbikqyrjen e parkut dhe kompanive të tjera që organizojnë guida në këtë mal.

Uta thotë se këtë ngjitje e cilëson si një eksperiencë shumë të bukur dhe si një përgatitje për sfidat e reja në Himalajë, ndërsa ka uruar Kosovën e Shqipërinë që iu bashkuan vendeve nga mbarë bota alpinistët e të cilëve janë ngjitur në këtë maje.

Arritja në maje në 08.50 ( 8.20) dhe kthimi në shtegun bazë ose shtegun DC, ku pastaj takuam dhe shumë ekipe të tjera. Eksperiencë shumë e bukur, përgatitje fizike e teknike për sfidat e tjera në Himalaya. Faleminderit Mount Rainer dhe Casey Grom. Urime Kosovë dhe Shqipëri. Shteti jonë i vogël i madh, për herë të parë u bë pjesë e listës së gjatë të alpinistëve nga gjithë bota që e ngjesin ketë mal”, ka shkruar Uta Ibrahimi ne postimin e saj./ KultPlus.com

Uta Ibrahimi ‘pushton’ Majën Lhoste (FOTO)

Uta Ibrahimi, më 19 maj ka pushtuar Majën Lhoste-8516m, që është maja e katërt më e larta në tokë, shkruan KultPlus.

Kjo është maja e 3-të që po pushton Uta nga ekspedita “14 Majet e Himalayave”.

“Ditën e ngjitjes nga kampi 4 e deri në majë kam bërë 4 orë e gjysmë, që zakonisht në atë ngjitje bëjnë edhe ka 6 apo 7 orë. Ndërsa unë edhe jam kthyer po atë ditë në kampin bazë, që është një sukses i madh sepse rrallë kthehen. Tash për momentin jam në kampin bazë”, ka thënë për KultPlus Uta.

Edhe në Lohtse, Uta ka ngritur flamurin e kombit shqiptarë dhe atë të Kosovë, dhe ka thënë se ndjehet shumë krenare.

“Këtë ngjitje ua dedikoj të gjithë njerëzve të mirë të vendit tim, të cilët e kanë dëshmuar se kur përkrahim njëri tjetrin gjithmonë ecim përpara”, ka shkruar Uta në Facebook.

Uta përgjatë 1 viti i ka ngjitur 38000 metra që shumë pak alpinist e bëjnë./ KultPlus.com

Uta Ibrahimi sonte niset për në Himalaje

Uta Ibrahimi, gruaja shqiptare që bëri historinë pasi u ngjit në Everest e në Manaslu, sonte po niset për në Himalaje.

Uta ka treguar se është në gjendje të mirë se dhe po e presin sfidat e radhës, 14 majat e Himalajave.

Ajo me anë të një statusi ka treguar më shumë detaje për rrugëtimin të cilin e nisi sonte.

Maja Lhoste 8,516 metra, maja e 4-të më e larta në botë, do të jetë maja e parë, synim i Utës.

Ja çfarë thotë më shumë Uta Ibrahimi.

Përsëri në Himalaje ~ pas ngjitjes historike të majës #Everest8848 dhe #Manaslu8163, sot po udhëtoj për Himalaje, në tentim për të ngjitur maja të tjera, në kuadër të projektit madhorë për ngjitjen e ’14 Majat e Himalayave’

Maja Lhoste 8,516 metra, maja e 4-të më e larta në botë, do të jetë maja e parë që do të tentoj të ngjitem në këtë ekspeditë.

Jam mirë fizikisht dhe psiqikisht. Gjithë këto muaj ushtrim intenzive, vrapim sindhe ushtrime në CrossFit Prishtina më japin besim që këtë herë do të provoj edhe një maje tjetër, menjëher pas ngjitjes në Lhotse, e që ky projekt varret prej përgjigjjeve prej donatorëve potencial.

Kjo ekspeditë u bë e mundur kryesisht falë përkrahjes financiare të donatorëve individualë, sponzorëve të ngushtë dhe njerëzve dashamirës e adhuresve të alpinizmit.
Si në çdo ekspeditë tjetër dhe këtë herë nisem me besim te plotë dhe më e përgatitur se asnjëherë, për të valuar flamurin e shtetit të Kosovës dhe atij të zemrës – Shqipërisë, në majat më te larta të rruzullit tokë.

Ngjitjet e mia janë ngjitjet e popullit tim. Nëpërmjet ekspeditave të mia promovoj shqiptarinë dhe malet tona. Si alpiniste femër dua të ngre vetëdijen edhe për çështjet gjinore në shoqërinë tonë. Dua të motivoj sa më shumë vajza që të arrijnë të ngjiten në male dhe maja.

Deri më tani ekspedita është mbështetur nga: 103 përkrahës në Platformën Kosova Ideas, Bonevet, Baruti, Ekipi i Agjencive të OKB-së në Kosovë- UNKT, Komuna e Gjilanit, Bashkia Tiranë, Gekos, Birra Puka, Kontakt shpk, Turkish Airlines, Butterfly Outdoor Adventure, Soma, Sonder, Villa Gërmia, Sofra dhe donacione të tjera të nga persona privat. Ndërkohë, për herë të parë një ekspeditë e tillë përkrahet nga Salomon, kompani internacionale e cila në mesin e shumë atletëve në botë, këtë herë, për herë të parë po përkrah atlet nga Kosova si dhe me shumë përkrahje nga gjithë komuniteti bjeshkatar nga gjithë shqiptaria!

Me dashni
Uta <3

Uta Ibrahimi mbledhë rreth 9 mijë euro, për nisjen e pushtimit të 14 Majave të Himalajave

Kampanja për mbledhje të fondeve për pushtimin e 14 majave të Himalayave nga alpinistja Uta Ibrahimi përmes platformës Kosova Ideas, ka arritur fundin.

Me një rekord të mbështetësve, nga e gjithë bota, shuma e arritur nga kjo iniciativë është rreth 9 mijë euro, dhe do të mbulojë një pjesë të shpenzimeve të ekspeditës për pushtimin e majës Locte dhe Kanchenjunga që fillojnë në Prill të këtij viti dhe mbarojnë në Qershor.

Gruaja e parë Shqiptare që e ngjiti Everestin Uta Ibrahimi po vazhdon përgatitjet fizike dhe psikike edhe për tri javë të mbetura, duke u ndjerë më shumë se asnjëherë e motivuar për realizimin e ëndrrave, pikërisht falë përkrahjes që ka gjetur nga shumë njerëz që besojnë në këtë projekt.

Bota ka nevojë të njihet me malet tona, me dashurinë tonë për natyrën, kjo është arsyeja pse unë dua të ngjisë me sukses edhe 12 majat e mbetura në Himalaye, shprehet Uta.

“Gjithashtu, si alpiniste grua dua të ngre vetëdijen edhe për çështjet gjinore në shoqërinë tonë. Po, është e mundshme që një grua shqiptare të ngjitet në Mont Everest, majën më të lartë të botës. Dua të motivoj sa më shumë vajza që të arrijnë të ngjiten në male dhe maja. Dua të sjell shpresë, t’i frymëzoj njerëzit për t’i pushtuar majat e tyre, pavarësisht se çfarë sfidash personale mund të kenë”, ka thënë Uta.

Me moton “Për popullin tim, malet e mia” Uta falënderon të gjithë 103 donatorët si dhe platformën Kosova Ideas e cila ia dha mundësinë me e lancu projektin për mbledhjen e donacioneve si dhe përkrahjen e vazhdueshme gjatë gjithë projektit, dhe njerëz e bashkëpunëtorë të tjerë që në forma të ndryshme e kanë ndihmuar kampanjën, duke u shprehur përjetësisht mirënjohëse për këtë përkrahje, pa të cilët do të ishte shumë e vështirë realizimi i krejt kësaj pune.

Projekti për pushtimin e 14 Majave në Himalaye ka filluar muaj me parë dhe do të përfundojë në vitin 2023 atëherë kur alpinistja Ibrahimi do të tentojë majën e 14-të./ KultPlus.com

Alpinistja Uta Ibrahimi takohet me Erion Veliajn

Uta Ibrahimi, alpinistja shqiptare e cila ka arritur majat e ndryshme me anë të pasionit të saj për natyrën, është takuar sot me Erion Veliajn – të parin e Tiranës.

“Shumë kënaqësi të takoja Uta Ibrahimin dhe të dëgjoja eksperiencën në alpinizëm, dashurinë për natyrën dhe planin për të ngjitur 14 majat e Himalajave” ka shkruar Veliaj në Facebook derisa ka postuar fotografi me Utën, një vajzë e guximshme e cila ka inspiruar edhe të tjerët me vendosmërinë e saj.

“Shume kenaqesi me e taku nje kryetar komune kaq te afert me popullin e vet! Faliminderit per mbeshtetjen dhe kohen” është përgjigjur Uta Ibrahimi.

Uta është ngjitur edhe në Maja Yalung, Olimp, Maja Nurbu, Maja Ramadung dhe në disa lokacione të tjera për ngjitje.

Veliaj e ka shpërndarë edhe linkun për të ndihmuar Utën në rrugëtimin dhe planet e saj. / KultPlus.com

Uta Ibrahimi prezantoi ekspozitën personale në Gjilan (FOTO)

Me mbështetjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, Uta Ibrahimi dje ka hapur ekspozitën personale në Galerinë e Qytetit, në Gjilan, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë janë prezantuar fotografitë dhe pajisje nga ngjitja e Uta Ibrahimit në majën më të lartë në botë, në Everest.

Kryetari Lutfi Haziri, para të pranishmëve në këtë ekspozitë ka thënë se Uta Ibrahimi, është një dëshmi dhe përfaqësuese e denjë e shqiptarëve anë e kënd botës. Ajo është e vetmja femër shqiptare që ngrit flamurin e Kosovës dhe Shqipërisë në majën më të lartë në botë.

“Në këtë ekspozitë po shohim fotografi të ndryshme gjatë ngjitjes në këtë maje. Gjithashtu përpos fotografive, kemi rastin të shohim nga afër edhe veshjet dhe pajisjet tjera që kanë shërbyer për ngjitje. Komuna e Gjilanit e ka mbështetur këtë ekspeditë të saj dhe do të jetë edhe në të ardhmen mbështetëse. Ftoj qytetarët e Gjilanit dhe komunitetin e biznesit që ta mbështesin Utën edhe në ekspedita dhe projekte të tjera që do t’i realizoj gjatë të ardhmes”, ka thënë kryetari Haziri.

Kurse, Uta Ibrahimi, për ekspozitën dhe ekspeditën ka thënë se është një moment që përpos vështirësive gjatë ngjitjes, në vete bartë krenari dhe kur interesimi për të parë këtë ekspozitë është i madh atëherë kjo është edhe çlodhja.

Ajo ka falënderuar kryetarin Haziri dhe Komunën e Gjilanit, për mbështetjen e deritanishme dhe ka paralajmëruar se edhe në të ardhmen do të realizoj planifikimin që ka në funksion të përfaqësimit të shqiptarëve, në pushtimin e të gjitha majave më të larta të botës.

Kjo ekspozitë do të qëndroj e hapur për gjashtë ditë dhe qytetarët e interesuar mund t’i shohin nga afër fotografitë dhe pajisjet e përdorura nga Uta Ibrahimi për ngjitjen në Everest./ KultPlus.com

Uta Ibrahimi me ekspozitë personale edhe në Gjilan

Uta Ibrahimi, përfaqëson emrin e gruas së parë shqiptare që u ngjit në majën më të lartë të tokës, në Majën e Everestit, në Himalaje, Nepal, shkruan KultPlus.

Ajo ditë më parë solli rrugëtimin e saj të kësaj ngjitje përmes fotografive, në ekspozitën “Kujtimet nga Himalajet”, që u hap në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Kurse qytetarët e komunës së Gjilanit, tashmë këtë ekspozitë do të mund ta shohin më afër se kurrë, në qytetin e tyre.

Me mbështetjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, nesër do të hapet e ekspozita personale e Uta Ibrahimit në Galerinë e Qytetit, në Gjilan, duke filluar nga ora 18:00. / KultPlus.com

Gratë e Kosovës që lanë gjurmë nëpër botë

Në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kur po specifikohen figura të ndryshme që e kanë bërë krenarë Kosovën, nuk është vetëm fusha e muzikës që po lë shenja ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Edhe në fushën e sportit, kemi shumë figura të rëndësisshme shqiptare, por KultPlus ka përzgjedhë ato gra, që tashmë kanë shënuar historinë për Kosovën.

Uta Ibrahimi është alpinistja shqiptare, që është edhe gruaja e parë shqiptare që është ngjitur në majën e Everestit, e cila, për këtë vit poashtu ka paralajmëruar ngjitje të reja.

Pastaj është Getta Beqa, e cila poashtu u bë kampione botërore për vitin 2017, në fitness, sikurse është edhe Nora Gjakova, e cila është poashtu një xhudiste mjaftë e suksesshme, ku shpesh herë ka marrë medalje të ndryshmë në gara botërore./KultPlus.com

“Kujtime nga Himalajet”, vjen ekspozita personale e Uta Ibrahimit

Më 1 shkurt në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, hapet ekspozita personale e Uta Ibrahimit, shkruan KultPlus.

“Kujtime nga Himalajet”, titullohet ekspozita e gruas së parë shqiptare që ngjiti Majën Everest. Kjo ekspozitë, vjen në mbështetje të ekspeditës e “14 majat e Himalajeve”.

Ekspozita, hapet më 1 shkurt e enjte me fillim nga ora 19:00 në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës./ KultPlus.com

Uta Ibrahimi, lansoi kampanjën për pushtimin e “14 Majave të Himalajeve”

Alpinistja e parë shqiptare Uta Ibrahimi ka ngritur flamujt shqiptar në majën më të lartë të tokës, Everest 8848. Ndërsa Dita e sotme shënon edhe fillimin e rrugëtimit të saj të për të pushtuar edhe 12 maje të botës, shkruan KultPlus.

Uta Ibrahimi sot përmes një konferencë për media në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë nisi fushatën “14 Majat e Himalajeve”. Përmes kësaj kampanje Uta synon mbledhjen e një pjese të donacioneve e cila do të shkon nëpërmjet Kosova Ideas dhe të njëjtën kohë do të shpalosë programin dhe planet e “14 Majat e Himalajeve” të cilat do të nisë ti realizoj këtë pranverë.

Uta do ta filloj ekspeditën e saj për pushtimin e 14 Majave në Himalaje me ngjitjen në majën e katër më e lartë në botë, në majën Lhotce (8516) gjatë muajit prill dhe maj të këtij viti dhe pastaj në majën më të rrezikshme në majën K2 (7,221m) gjatë muajve korrik dhe gusht të këtij viti. Uta Ibrahimi, sot tha se ky projekt do të përcillet me një brend dhe lansim të një ueb faqe, ku do të plasohen online të gjitha ekspeditat e alpinistes Ibrahimi. Ajo tha se ka shume arsye për tu ngjitur në këto maje.

“Menduam që ta vazhdojmë projektin mirëpo kësaj herë i konceptuar pak më ndryshe me një brend “Utalya Himalaya”. Këtë vit plani im është të ngjitem në dy maje të tjera, kam shumë arsye për t’u ngjitur në këto maje, të cilat janë arsye të mijat personale por edhe arsyeje të kombit. Unë e kam kuptuar kur jam kthyer prej Everestit, e kam kuptuar se sa ka qenë e rëndësishme ajo ngjitje, jo vetëm për mua po për tërë popullin shqiptar për shkak se ngjitja e flamurit tonë kombëtar dhe shtetëror i ka bërë shumë njerëz të ndihen krenar”, tha Uta, ku edhe lansoi videon që do ta përcjellë këtë projekt.

“Shpresoj që do të ngjitem dhe do të kthehem përsëri këtu me ju”, pohoi ajo.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe shoqatat bjeshkatare nga Gjakova, Prizreni dhe Prishtina e gjithashtu Shoqata Dajti nga Shqipëria si dhe Federata Bjeshkatare Alpine e Kosovës. Uta në përkrahje ka edhe shumë bashkëpunëtor të cilët ndihmuan në realizimin e kësaj kampanje./ KultPlus.com

Uta Ibrahimi sjellë veriun e Shqipërisë (FOTO)

Alpinistja shqiptare Uta Ibrahimi ka bërë një ekspeditë në veriun e Shqipërisë, e cila tashmë ka ndarë me ndjekësit e saj edhe disa fotografi mjaftë të vecanta, shkruan KultPlus.



Në faqen zyrtare të saj, tashmë të emëruar me emrin Utalaya, ajo ka ndarë me ndjekësit e saj këto fotografi që na afrojnë jetën e veriut të Shqipërisë, por edhe pamjet e bukura që ka ky vend.
Për më shumë mund ti shikoni fotografitë e sjella nga vetë Uta Ibrahimi./KultPlus.com



Uta Ibrahimi: Të ngjitesh në majën e botës është një ndjesi sikurse po të prekë Zoti me dorë

Flutura. E fuqishmja Flutur. Flutura e Kosovës, e njohur si Uta, zbardhi zemrat e qytetarëve të vendit të saj ashtu siç është e bardhë Maja e Himalajës. Flamujt nuk i munguan, kuq e zi ishte ai me të cilin është rritur, ndërsa bardhë, kaltër e verdhë është flamuri me të cilin e prezanton shtetin. Uta Ibrahimi, gruaja e parë shqiptare që pushtoi Majën më të lartë në botë Everest (8848m), vjen me një rrëfim ndryshe për KultPlus. Uta me plotë dashni, në intervistën e fundvitit për KultPlus, shpalosi emocionet e ngjitjes së majës së Everesiti, që nga entuziazmi, vdekja e deri te dashuria që ka ndjerë kur ka pushtuar këtë majë. Uta, me flokët e bardhë, sytë e kaltër e buzëqeshje që nuk i ndahet asnjëherë nga fytyra, tregoi për të rejat që do sjellë në vitin 2018-të, dhe qëllimin e saj në pushtimin edhe të 14 majeve të tjera të larta në botë gjerë në vitin 2023.

Sarandë Selimi

KultPlus: Ju jeni gruaja shqiptare që keni bërë historinë me ngjitjen në majën e Everestit, cila është më e rëndësishme për ju, që jeni gruaja e parë shqiptare që jeni ngjitur në këtë maje, apo vetë pushtimi i kësaj maje?
Uta Ibrahimi:
Ngjitja në majën më të lartë të tokës, Everest 8848m, për mua dhe gjithë popullin shqiptar, është ngjitje historike. Është fakt që për të gjithë alpinistët, ngjitja nëpër maje të larta të Himalayave është shumë e rëndësishme, jo veç për faktin e ngjitjes, por edhe për faktin e shënimit të historisë dhe kthimit shëndoshë e mirë në vend. Do të isha edhe më shumë e lumtur nëse në majën e botës do të kishte mbërri dikush nga gjeneratat e gjyshes apo nënës … mirëpo, si në shumë fusha të tjera edhe në alpinizëm jemi të vonuar, dhe tani ne jemi ata që po shënojmë histori për kombin dhe shtetin. Krenaria për sakrificën dhe mundin gjatë gjithë këtyre viteve, po vlerësohet shumë e më shumë, e sidomos nga populli nëpër të gjitha trojet tona shqiptare.

KultPlus: Nëse mund të krahasohet emocioni i ngjitjes në një ndër majet më të larta të botës me ndonjë emocion tjetër, më cilin do ta krahasoje?
Uta Ibrahimi:
Është ndjenjë e pakrahasueshme … është edhe ndjenjë vështirë që mund të përshkruhet, ishte… ishte… sikur me të prekë dora e Zotit e me të përndritë .. kurrë në jetë nuk do ti harrojë momentet e para të lindjes së diellit të datës 22 Maj 2017 … Ndihem shumë mirë që kam qenë e vetëdijshme dhe çdo moment të kësaj ngjitje e kam përjetuar maksimalisht.
KultPlus: Çfarë keni menduar në ato momente drejt ngjitjes?
Uta Ibrahimi: Nuk mund të them se kam pas shumë momente që kam menduar për tema të caktuara … më shumë kam kujtuar njerëzit e dashur, njerëzit e familjes dhe shoqërinë të cilët bashkë me mua, kemi kaluar një fazë me sfida dhe sakrifica. Një moment që do ta veoja, ëshë kur arrita në maje, edhe gjatë kohës kur pushoja dhe shihja atë mrekulli, me shkoi mendja te njerëzit e vendit tim, sa të vogla e sa të parëndësishme m’u dukën krejt grindjet, inatet, kacafytjet mes njerëzve. Toka prej atje lartë, ishte shumë e bukur e qetë e me shumë dashni.

KultPlus: Përgjatë rrugëtimit drejt majës së Everestit, a ka pasë raste kur i ke thënë vetes se pse i ke hyrë kësaj rruge?
Uta Ibrahimi:
Ka pas shpesh momente të tilla, sidomos kur lodhja ishte shumë e madhe .. mirëpo asnjëherë aq serioze sa të më kthente poshtë … ose ndoshta pse dashnia për ngjitje në maje ka qenë shumëfish më e madhe se sa mendimet për lodhjen.

KultPlus: Në anën tjetër edhe rreziqet nuk mungojnë drejt këtij rrugëtimi, pikërisht brenda asaj periudhe, kjo majë i mori jetën afro 16 alpinistëve nga vende të ndryshme të botës, keni menduar për vdekjen?
Uta Ibrahimi:
Po është e vërtetë. Numri i vdekjeve në Everest është shumë i lartë për shumë arsye. Para se të filloja ekspeditën, ndonjëherë shikoja video në youtube, edhe pse refuzoja të shihja video e dokumentar, tmerrohesha kur i shihja këto video … atje, kam parë njerëz që kanë qenë të sëmurë, njerëz që kanë qenë afër vdekjes, kam parë edhe trupa të njerëzve të vdekur … Momentin e parë që jam përballë me një alpinist sllovak, i cili veç ishte afër vdekjes ka qenë e tmerrshme. Ishte zona mes kampit 4 dhe majës, diku në 8400-8500 metra ku edhe ish një pjesë shumë e pjerrët dhe ishte kombinim i gurit dhe akullit, dhe me këtë rast ngjitja ishte edhe më e vështirë … dhe për ta tejkaluar këtë alpinist duhej që të afroheshe dhe të zhvendosje siguresat prej njërës anë në tjetrën, dhe në këto raste ishe fizikisht shumë afër njerëzve dhe kishe mundësi që të kuptoje më mirë gjendjen e të tjerëve…Më kujtohet që jam ndal dhe kam dashur ti jap diçka prej ushqimeve të pakta që i kisha në njërin xhep … dhe në ato momente kanë filluar disa alpinistë nga mbrapa të bërtasin, dukë më thënë që të vazhdoja me ecje.
E kam kuptuar që në momente të tilla duhet të ecësh, sepse nuk ke asnjë mundësi që të ndihmosh njëri tjetrin. Pas kësaj, kam parë edhe disa trupa të cilët kishin vdekur disa ditë përpara … edhe ajo në momentet e para ishte e tmerrshme, dhe më pas .. sikur gjithçka normalizohej dhe ëndrra drejt majës vazhdonte të mbetej prioritet.

KultPlus: Dhe pavarësisht rreziqeve, suksesi i Everestit duket se ju magjepsi, ju po brenda këtij viti pushtuat edhe majën tjetër, atë të Nepalit, cilën përvojë e konsideroni më të veçantë?
Uta Ibrahimi:
Për herë të parë në Himalaya kam qenë në dhjetor të vitit 2016 .. ku u magjepsa me mrekullinë që ka ditur nëna natyrë të krijojë. U mahnita me kulturën, malet e sidomos me njerëzit dhe dashninë e pasionin e tyre për malet. Krejt kjo ka ndikuar në mënyrë madhështorë në Utën e maleve. U ktheva me plot jetë dhe ëndrra. E fillova ëndrrën e 14 Majeve të Tokës. Gjithsej janë 14 maje më të lartat në rruzullin tokë, e të cilat janë mbi 8000 metra lartësi mbidetare. Kjo ëshë ëndrra të cilën do ta ndjek edhe për 6 vitet e ardhshme (2023) ku do të provoj ngjitjen edhe në 12 Maje të tjera … 2 prej tyre tani veç i kam realizuar me sukses, Everestin 8848 dhe Manaslu 8163. Më e veçanta në krejt këto ngjitje ëshë maja më e lartë e tokës! Fakti që s’ka më më lartë, të bën të ndihesh si njeriu me më shumë fat në këtë tokë.

KultPlus: Pavarësisht këtyre sukseseve, udhëheqësve të Kosovës duket se nuk iu bëri shumë përshtypje ky fakt, ata nuk organizuan ndonjë pritje për këtë sukses, edhe përkundër asaj se ju vendosët flamurin e Kosovës në të dy majet, të ka zhgënjyer ky fakt?
Uta Ibrahimi:
Kam vendos që këto ngjitje ti bëj me 2 flamujt, atë me të cilin u rrita dhe atë me të cilin shtet prezantoj. Udhëheqësit na nderuan duke shkruar nga një status në FB, ashtu sikurse shumë organizata të tjera në Kosovë dhe Shqipëri. Nuk u bë asgjë tjetër më shumë … përveç nderit që më bëri presidenti i Shqipërisë Ilir Meta. Do të vazhdoj ngjitjet e mia bashkë me përkrahjen e popullit shqiptarë, gjithandej nëpër trojet shqiptare, ndërsa politika dhe njerëzit në krye, sot janë dhe nesër nuk janë … e kur nuk janë më, janë të pavlerë. E ne jemi këtu gjithmonë.

KultPlus: Por në anën tjetër populli u entuziazmua nga guximi i juaj, është më e fuqishme kjo dashuri e njerëzve se sa vetë injoranca e udhëheqësve?
Uta Ibrahimi:
Populli ka qenë dhe vazhdon të jetë motivi im kryesor i ngjitjeve të mia. Pa dashninë e popullit, këto ngjitje do të ishin të pamundura. I kam falënderuar prej zemrës shumë herë e vazhdoj ta bëj sa herë ta kem mundësinë.

KultPlus: Dhe emri i juaj zyrtar është Flutura, një emër që simbolizonë lirinë, mu sikurse pasioni i juaj, të vjen keq që tashmë nuk njiheni me emrin Flutura por Uta?
Uta Ibrahimi:
Flutura është emri që ma ka vënë gjyshja, e Uta është emri që ma kanë lënë mbesat, e që dy emrat janë të lidhur shumë me mua, dhe nuk më vjen keq cila do që përdoret.

KultPlus: Dhe për fund, Uta Ibrahimi u shndërrua brenda një viti në një alpiniste tejet të shkëlqyer duke pushtuar dy maje shumë të rëndësishme, çfarë sfida keni vënë para vetës për vitin 2018?
Uta Ibrahimi:
Viti 2018 do të jetë po ashtu me plot ngjitje dhe aktivitete në Kosovë dhe më gjerë. Do të vazhdojë prezantimet nëpër shkolla fillore, universitete, organizata etj. për të ndarë eksperiencën time me të rinjtë e kësaj toke, me qëllimin e inspirimit të gjeneratave të reja dhe ndjekjes së ëndrrave. Do të vazhdoj promovimin e Kosovës dhe Shqipërisë si destinacion për turizëm nëpërmjet organizimit të toureve për turistët e huaj nëpërmjet kompanisë time, Butterfly Outdoor Adventure. Si dhe qysh edhe e ceka më lart, përveç ngjitjeve të mia nëpër Kosovë dhe rajon, plani kryesor është të ngjiten në 12 maja të tjera të Himalayave, 2 prej tyre do ti kem në 2018 … më shumë informata do ti lancojmë në Janar 2018.
Për fund, të gjithë njerëzve të kësaj toke ua uroj Vitin e Ri, duke ua kujtuar që jeta është shumë më e bukur kur jemi një me natyrën, kur e ruajmë ambientin ku jetojmë, kur e përkrahim njëri tjetrin e kur japim dashni te njëri tjetri.
Gëzuar 2018. Utalaya Himalaya!/KultPlus.com

Gruaja e parë shqiptare që pushtoi majën e Everestit, ndanë përvojën e saj me audiencën në Beograd (FOTO)

Alpinistja shqiptare Uta Ibrahimi është pritur sot nga audienca në Beograd, për një prezantim publik të organizuar nga Belgrade Fund for Political Excellence, shkruan KultPlus.

“Himalajet më kanë sjellë paqen me veten, ma ka mësuar tolerancën dhe më ka mësuar të pranoj njerëzit ashtu si janë. Ky është një stad psiqik dhe emocional, që pak njerëz në jetë mund ta arrijnë”, ka thënë ajo para audiencës beogradase.

Ajo gjatë prezantimit foli edhe për atë se si përkrahja e institucioneve kosovare dh atyre shqiptare po rritet. “Institucionet duan ta shohin vendin që ngjitet në majat e larta të botes, bashkë me vendet e tjera dhe kjo është gjë e mirë, sepse konsideroj që ngjitjet e mia nuk janë të Uta Ibrhahimit, por janë ngjitje të popullit shqiptarë”, ka thënë ajo.

Ngjarja është pjesë e projektit të titulluar “Ndryshimi mendësisë, ndërtimi i besimit përmes inovacionit”. Pjesë e shumë aktiviteteve të këtij projekti nga Belgrade Fund for Political Excellence bashkë me partneret e tjerë si organizata Aktiv Democracy for Development, janë edhe prezantimet publike të personave të suksesshëm.

Uta si gruaja e parë shqiptare që pushtoi majën më të lartë të botes Everest u shpreh të jetë e kënaqur me këtë ftesë dhe e lumtur që i është dhënë rasti ta ndajë përvojën e saj me njerëzit në Beograd. Uta për momentin është në përgatitje për udhëtimin e radhës në Himalaje për të pushtuar maja të tjera./KultPlus.com

Serbët e Beogradit do të dëgjojnë rrëfimin e Uta Ibrahimit, gruas së parë nga Kosova që ka pushtuar Everestin

Fondi i Beogradit për Ekselencë Politike ka ftuar alpinisten kosovare Uta Ibrahimi, që në Beograd të tregoj rrëfimin e saj për ngjitjen në majën e Everestit, ngjitje kjo që e bëri edhe si gruan e parë shqiptarë që ka pushtuar këtë majë të lartë prej 8.848 metrave, shkruan KultPlus.

Ky takim me Uta Ibrahimin do të mbahet më 16 nëntor, prej orës 19:00, në Qendrën Kulturore për Dekontaminim.

Uta Ibrahimi është alpiniste nga Kosova e cila brenda vitit ka bërë dy ngjitje, në atë të Everestit, e cila edhe i dha titullin e gruas së parë shqiptare në pushtimin e Everestit, më pas ka pasuar edhe ngjitja në majën e Nepalit, për të shënuar kështu dy ngjitje tejet të suksesshme Brenda vitit. /KultPlus.com

Uta Ibrahimi dhuron për Muzeun e Gjilanit kazmën me të cilën u ngjit në Everest dhe Manaslu

Uta Ibrahimi është femra e parë që është ngjitur në dy maje të larta brenda një viti, shkruan KultPlus.

Uta është gruaja e parë shqiptare e cila me sukses është ngjitur në majën Everest – 8848 metra mbi nivelin e detit, në muajin maj të këtij viti si dhe në muajin shtator ajo ka shënuar ngjitjen e dytë, atë në majën e Manasolus, 8160 m e lartë.

Gjithë këto ngjitje Uta i bëri edhe me ndihmën e një kazme e cila do të mbetet histori për shqiptarët.

Për tu ruajtur në mënyrën dhe vendin e duhur, kjo kazmë historike sot i është dorëzuar Muzeut të Gjilanit.

Për këtë gjë ka njoftuar vetë Uta e cila është shprehur e lumtur që ka kontribuuar në këtë Muze.

“Gjilani nuk ka autostradë, por ka histori e njerëz të edukum. E ka muzeun e vet e që asht i mbushun me gjana që i kanë sjell vet njerëzit… Sot, me shumë kënaqësi, pas kërkesës së drejtoreshës së Muzeut të Gjilanit znj. Gjylishen e dhash edhe unë kontributin tim … dhurova kazmën historike me të cilën u ngjita në 2 çatitë e tokës, si gruaja e parë shqiptare, Everest 8848 dhe Manaslu 8163”, ka shkruar ajo në Facebook. / KultPlus.com

Uta në majën Manasolus vendos flamurin e Shqipërisë dhe të Kosovës

Alpinistja shqiptare Uta Ibrahimi dje, në të gdhirë, me orën lokale të Nepalit, është ngjitë në majën e Manasolus, 8160 m e lartë, shkruan KultPlus. Pikërisht kjo ngjitje ia ka siguruar Utës një tjetër sukses i cili do të mbetet në histori.

Kësisoj sot nëpërmjet rrjetit social Facebook, Uta, ka publikuar fotografinë nga maja Manasolus, aty ku edhe ka ngritur flamurin kombëtar dhe atë të Kosovës. Edhe pse, në një lartësi shumë të madhe e me shumë pak oksigjen Uta Ibrahimi ka thënë se, zemra i rrah nga emocionet e forta, pasi që, në xhep ka dy flamujt njërin me të cilin Uta është rrit e tjetri që po mësohet me e dashtë e me mbajt pas vetës.

Po sjellim shkrimin e plotë bashkë me fotografi nga Uta Ibrahimi:

“Urime Kosovë e Shqipëri ngjitja në Manaslu 8163m.
Edhe pse në këtë copë të vogël të akullit e borës e gurëve, 8 mij e 163 metra nalt prej lartësisësë detit, ku sasia e oksigjenit asht dikun 35a% … e të dridhen komt pak pi tute e lodhje … e zemra t’rreh edhe ma fort pi gzimit e emocioneve të forta .. kur në njërin prej 2 xhepave te vetme që i ke leht me ju qas, eh atë të majtin e ruan për 2 flamujt e mi, … me njanin që u rrita e tjetrin që po mësohna me e dasht, do ti mbaj me vete ne secilën Çati të Botës, tash e 7 vitet e ardhshme.
25 Tetor 2017, në ora 05.00 unë u ngjita në njërën prej tyne … pas Everestit me të lartës në botë, vitin 2017 e mshela me Manaslu 8163, si e teta më e larta prej 14 në total dhe si maja më e bukur dhe sfiduese për këtë vit.
Manaslu8163, ti boj hallall 3 kg që ti lash edhe plot njers e lodhje të pafundme …. veq për shkak të bukurisë që ma ki edhe dashnisë që ma ki dhan …
Dashni
Uta
Falemderoj Shoqaten Dajti dhe Pashtriku, anetare krenare e se cilave jam, falemderoj Komunë e Gjilanit, Frutomania, Birra Puka dhe Familja Begeja, Butterfly Outdoor Adventure per perkrahjen financiare në këtë ekspeditë”, ka shkruar Uta./ KultPlus.com

Ekskluzive: Uta Ibrahimi pushton majën e Manasolus (FOTO)

Uta Ibrahimi është femra e parë që ngjitet në dy maje kaq të larta brenda një viti,duke kujtuar se Uta është femra e parë shqiptare që është ngjitë në majën e Everestit, shkruan KultPlus.

Alpinistja shqiptare Uta Ibrahimi ka shënuar një tjetër histori, sa i përket ngjitjeve, shkruan KultPlus. Sot, në të gdhirë, me orën lokale të Nepalit, Uta Ibrahimi është ngjitë në majën e Manasolus, 8160 m e lartë.

Xhimi Begeja ka thënë se Uta Ibrahimi është femra e parë që ngjitet në dy maje kaq të larta brenda një viti,duke kujtuar se Uta është femra e parë shqiptare që është ngjitë në majën e Everestit, ngjitje kjo që ka ndodhë në maj të këtij viti. /KultPlus.com

Uta Ibrahimi arrinë në kampin 2 drejt majës Manaslu (FOTO)

Uta Ibrahimi e cila ka më shumë se dhjetë ditë që është nisë të pushtojë edhe Majën e Manaslu, ka arritë tashmë në bazën 2, shkruan KultPlus.

Vetë Uta Ibrahimi ka njoftuar për KultPlus se ajo tashmë ka arritë në kampin 2, në lartësi prej 6200 metrave lartësi, duke përshkuar kështu rrugëtimin e saj fillimisht në kampin bazë, pastaj në atë të parin, e tash është vendosur në kampin 2.

Maja në Manaslu është 8163 metra e lartë dhe është në dhjetëshen e majave më të larta të botës. kjo ngjitje në një ndër majat më të larta të botës është duke u mundësuar nga Shoqata Dajti, ajo e Pashtrikut, Frutomania, Komuna e Gjilanit, Birra Puka dhe Butterfly Outdoor Adventure./KultPlus.com