Aurela Gaçe rrëfen takimin me ikonën e skenës Vaçe Zela: Një kujtim i shtrenjtë

“Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë”, ishte shprehur shkrimtari Dritëro Agolli për këtë artiste shqiptare, shkruan KultPlus.

Por, figurën e saj, e kujtojnë e vlerësojnë të gjithë ata që e njohën, dëgjuan e jetuan me muzikën e saj.

Vaçe Zela, e cila ka ndërruar jetë vite më parë, do të qëndrojë gjithmonë në memorien e publikut me hitet e saj të pavdekshme si ‘Rrjedh në këngë e ligjërime’, ‘Lemza’, ‘Vals i lumturisë’, ‘Moj e bukura Shqipëri’ etj.

Por, për takimin me ikonën e muzikës shqipe ka rrëfyer edhe këngëtarja Aurela Gace, e cila ka treguar rreth emocioneve që ka ndierë në ato momente.

“Një kujtim i shtrenjtë. U hutova aq shumë kur e takova . Emocionet ishin aq të forta sa nuk haja dot asnjë copë nga keku që më ofroi…. Vaçe Zela, dëgjoj zërin e saj dhe them “sa me fat jemi që e kishim një zë-shpirt-art-magji-si i saji” . Mund të ishte artiste e një kombi tjetër , por ja që është e jona. Histori. Krenari. Sigurisht nuk ishte thjesht zëri i saj që e bëri të pavdekshme. Një zë i veshur me shpirt, me zgjuarsi, me ndjenjë, me vizion të qartë në atë që thoshte e këndonte …fuqia e magjia që kishte për të të rrënqethur, ishte dhe është e njëjtë”, ka shkruar Aurela Gace në Instagram. / KultPlus.com

Nexhmije Pagarusha: Nuk i ka kënduar kurrkush këngët e mia

Për herë të parë, Nexhmije Pagarusha në Tiranë shkon në vitin 1971. Pak vonë për këngëtaren shqiptare por megjithatë kjo ishte koha kur rrethanat e mundësuan një udhëtim të tillë.

“Atëherë kur hapen pakëz rrugët, kur takohet me këngëtarë në zë të asaj kohe, sidomos me Vace Zelën, me të cilën thotë se e lidhin shumë gjëra të përbashkëta, se kanë shumë ngjashmëri shpirti” tregon Nexhmija kur flet për këtë përvojë në librin e shkruar nga Sanije Gashi – “Ecje nëpër kujtesë”, shkruan KultPlus.

“Me vetë paraqitjen e saj në skenë, Vaçja ka pasur diçka madhështore, ka qenë një mrekulli. Kur e kam parë së afërmi- kam menduar – s’ka krijesë më të bukur, me fjalët që fliste, me atë pasurinë shpirtërore. Fatkeqësisht, nuk kemi mundur të rrinim gjatë së bashku, se, siç e dimë, ishte kohë pa kohë. E kam vizituar edhe në Zvicër, kisha takuar edhe Luçie Milotin, edhe Fitnete Rexhën, tani që të dyja të ndjera. Fitnetja ka qenë një shpirt i madh, këngëtare e madhe, por ka pasur një jetë të rëndë, gjithë vuajtje… Po më vjen mirë që sot këngët e Vaçes po i këndojnë të gjithë këngëtarët. Se, ka pasur vërtet, repertor të pasur! Unë kam një repertor shumë të larmishëm, por s`i ka kënduar kurrkush këngët e mia, nuk e di c`është puna, ndoshta pse nuk kam CD, pse nuk më kanë dëgjuar shumë, veç “Bareshës” e cila ka qenë në long play, e incizuar shumë herët nga Lidhja Turistike e Kosovës (Botim i Beogradit) dhe më vonë, në një audiokasetë të botuar në Shtëpinë e kasetave në Prishtinë, para shumë vjetësh. Përzgjedhjen e atyre këngëve e kanë pas bërë ata të radios, natyrisht që nuk më ka pas pëlqyer, por edhe ka qenë ndaluar shitja e saj! Eh” tregon Nexhmija në një pjesë të bisedës së saj realizuar brenda librit.

Marrë nga “Ecje nëpër kujtesë” – Sanije Gashi.

Çka thanë për njëra tjetrën Nexhmije Pagarusha dhe Vaçe Zela?

Nuk mund të dalin asnjëherë në peshore, sepse të dyja janë figura që kanë hyrë në historinë e kulturës dhe artit shqiptar.

Njëra me zërin e saj madhështor dhe tjetra me vokalin e saj hyjnor, Nexhmije Pagarusha dhe Vaçe Zela ndër vite i kanë dhënë shikuesit shqiptar emocione të fuqishme, rrahje zemre të forta dhe këngë e performanca gati gati teatrore të cilat vështirë se mund të përsëriten.

Për njëra tjetrën, të dyja kanë thënë fjalët më të mira, lavdet që e çojnë në piedestal njëra tjetrën.
“Nexhmija është një këngëtare e madhe dhe unë kam përjetuar kënaqësinë kur e kam parë për herë të parë në skenën tonë. Ishte një grua e bukur, me një dinjitet të plotë artistik” ka thënë dikur Vaçe Zela për Nexhmije Pagarushën, shkruan KultPlus.

“Ajo ndiente nevojë të madhe shpirtërore të këndonte para spektatorit tonë. Atëherë, te Nexhmija pashë një emocion që e kam vërejtur herë pas here te vetja ime. Zëri i saj ishte një vokal në një lirizëm të ëmbël, kishte shumë kolorit popullor, amtar. Ajo kishte një zemër shumë të madhe dhe unë personalisht e vlerësoj këtë virtyt njerëzor” citohet Vaçe Zela kur përmend talentin e madh të Nexhmijes.

Por edhe Nexhmija – Bilbili i Këngës Shqipe, nuk është kursyer kur ka folur për mënyrën e këndimit të Vaçes.
“Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela” thotë Nexhmija kur pyetet për Vaçen.

https://www.youtube.com/watch?v=kYD5dtQjGNY

“Nuk di çtë them me fjalë se çka ka qenë ajo në shpirtin tim, në jetën time. Si këngëtare, për mua ka qenë krejt diçka tjetër” është shprehur Nexhmije Pagarusha kur ka marrë lajmin për vdekjen e Vaçe Zelës. / KultPlus.com