Ndre Mjeda
Po shkrihet bora,
Dimri po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?
Pushoi murrlani
Me duhi t’vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou, mos rri shkret.
Gjith’ fushët e malet
Blerimi i mbëloi;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoi.
Ndër pyje e ograja,
N’ma t’mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjithkend.
E tuj gjimue
Shkon rreth e rreth
Nji prrue që veret
Rrjedh nëpër gjeth.
A çilë kafazi,
Bylbyl flutro;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.
Kurrkush ma hovin
Atje s’ta pret;
Me zeher hajen
Kurrkush s’ta qet.
Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim;
E gjith’ ku t’rreshket
Shkon fluturim.
Nëpër lamie,
Ke me gjrtë mel;
Për gjith’ prendverën
Njajo buk’ t’del.
E kur t’zit edi
Ndër prroje pi;
Te njato prroje
Që ti vetë di.
Tash pa frikë çerdhen
E mban n’ndo’j lis;
Nuk je si ‘i nieri
Që nuk ka fis.
E kur t’vij’ zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.
Rreth e rreth gjindja
Me t’ndie rri;
Prej asi vendit
Ndahen me zi.
A çilë kafazi,
Bylbyl, fluturo;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.
Ndër drandofille,
Ndër zambakë nga;
Ku qeshte kopshti,
Idhnim mos mba.
Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfen,
Pse po gjimon?
II
Por vaj! Se ‘i dimën tjetrë
Paske, o bylbyl i shkreti;
Pa da ty zemra t’treti
Mbas vajit që t’rrethon.
Me lulzim t’vet prendvera
Ty s’ta përtrin gazmendin:
Jo kurrë s’e njifke shendin,
Bylbyl, që po vajton.
A thue po kjan, se çerdhen
Ta ka shkatrrue skyfteri?
A thue po kjan, o i mjeri,
Se me rrnue gjallë s’ke mel?
Ndrrojn’ edhe stinët e motit,
E për çdo herë ndron era.
Mbas dimrit vjen prendvera,
Mbas borës blerimi del.
Veç ti me idhnime t’tuja
N’zemër gjithmonë po pihe,
E ditë e natë po shkrihe
Mbas vajit që t’mundon.
Kur a tuj ardhun drita
Ndihet tuj këndue shpendi,
E n’këngë i duket shendi,
Që zemrën ia gazmon.
Gjetiu ndër pem, ndër lule
Shkon e fluturon bylbyli;
N’at erë që jep zymbyli
Vjollca e zambaku nget.
Por ty, n’kafaz t’shtrëngueshëm,
Ty t’paska ndry mizori,
E kurrnjiherë nuk t’nxori
Me t’lëshue ku zemra t’thrret.
Ti kurr, nji kangë s’ia këndove
Diellit kur nadje çohet;
Zemra me vaj t’coptohet
E me pajtue nuk don.
Ndoshta kujdesi i t’tujve
Gjith’ ket hidhnim ta qiti,
E shendin ta shutiti
E vshtira që i mundon.
T’burguem i bani gjindja
Veç përse donë me ndie
Njat za që lëshojnë me hije
Që t’knaq e që t’ban rob.
Çdo krajl i madh ndër shpija
Ty t’mba m’u thanë i veti;
Vetë bukuria, o i shkreti,
Kena për ju nji kob.
Përse tu ndeja e t’mëdhajve
Nji shpend i vogël s’ndalet;
Shpendit i kande malet,
Çerdhen e t’parve do.
Me at zanin tand t’përmallshëm
Ndoshta ti ankon këto t’vështira;
Derisa t’kthejn’ e mira,
Bylbyl, papra gjimo.
III
Por njaj vaj që je tuj lëshue,
Bylbyl, zemrën ma copton;
Ditë e natë rri tuj prigjue,
Vaj për mue! Kush mund t’ngushëllon?
Gjama jote a porsi ankimi
I nji fëmijës që vetun mbet;
Gjama jote a si shungllimi
I nji t’zezës që gja s’ pre.
Porsi dnesë me futë në krye
Nana e shkretë që mbet pa djelm;
Njashtu tine rri tuj shfrye
Njat idhnim që t’u ba helm.
Puna jote, o i mjeri, m’mbyti
E kurrkund nuk m’len pushim,
Shkoi nji muej, po shkon i dyti
T’zezat t’tua s’kanë mbarim.
Tash ndër arë lulzoi qershia
E me borë dimni po shkon:
Kurr s’mbarojn’ t’zezat e mia,
Gjama jote kurr s’mbaron.
Si t’burguemit n’ishull t’detit,
Ku tallazi i thekshëm vrret,
O t’vijë t’ftoftit, o t’vijë t’nxetit,
Vaji zemrën ia pëlset;
E papra n’ankime t’veta
Vajton fisin që larg la;
E tu fëmija i shkon si zgjeta
Mendja e shkretë se mbet pa ta;
Njashtu ti rri tuj vajtue
N’njat kafaz që shungullon;
Fisin tand rri tuj mendue
T’zinë atdhe që s’e harron.
Për fat tand, për zogj që kishe
Ndoshta zemra, i mjeri, t’dhemb;
Me e pat dit’ të mjerët ku rrishe
Kërkue t’kishin gemb mbi gemb.
Me e pasë ndie njat za që lëshoshe,
Me e pasë ndie njat vajin tand,
Kishin ardhë kudo që t’shkoshe,
T’kishin lypun kand e kand.
Njat vaj tandin tuj kujtue
Pa mbyllë syt’ kan’ shkue sa net;
Pveshtin hanën tuj gjimue,
Pvetshin hyjt për prind të vet.
Por aj kob që hana e diti
E njaj vaj që ylli pau,
T’shkretve n’vesh kurr nuk iu mbrriti,
E kurr zemra nuk ju ndau.
Me ditë hyjt me bisedue,
Me pasë sy që me derdhë lot,
Vajin tand ju kishin prue
T’kishin kja për jet’e mot.
Nëpër fush’ e nëpër shpija,
Me kujdes që s’nep afat,
Rreth e rreth t’kishin ardhun fëmija,
Kjamun t’kishte i ngriti fat…
IV
Por ça ka toka, bylbyl, ndrron moti;
Ankimi e vaji nuk asht i zoti
Përgjithmonë zemrën me na coptue;
Fillo me gëzue.
Mbas boret t’dimnit çilet prendvera;
Nji ditë nuk gjindet që s’po ndrron era;
Sendet që patmë nuk janë tuj mbarue;
Fillo me gëzue.
Tuj dnes’ i vorfni se e mbluene t’kqijat,
Me ankime t’veta mbush rrugët e shpijat;
Lehtsim por s’mbramit gjen tuj punue;
Fillo me gëzue.
Kjajnë fëmijn e dekun prindt e shkretnuem
Me ‘j vaj që duket se s’ka t’pajtuem!
Por zemrën moti jua ndrron tuj shkue:
Fillo me gëzue.
Ndër ishujt t’detit kjan i burguemi
Për fmij, për grue që s’shef i shuemi,
Por prap durimi ka me ja prue,
Fillo me gëzue.
Shpend tjerë burgosi sa herë mizori,
E rishtas jashtë dikur i nxori;
Ndër fushë e male janë tuj fluturue;
Fillo me gëzue.
Flutrojnë ndër male, flutrojnë ndër lule,
Flutrojnë ku çerdhen motit e ngule,
E kangët e parshme nisin me këndue:
Fillo me gëzue.
Ndër zogj që kishe ndonjëherë do t’hasin,
Ndër pemë, ndër lule bashkë me ta ngasin;
Për ty t’vorfnuemit rrijnë tuj shpnesue:
Fillo me gëzue.
Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet:
Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;
Edhe natyra po don m’u ndrrue:
Fillo me gëzue.
Porsi motmoti ndrrojmë dhe na vetë,
Herë-herë gazmohna, herë rrijmë të shkretë,
Por vaji e ankimi kanë për t’u shue;
Fillo me gëzue.
Mbas vajit t’tashëm ka me t’ardhë shendi,
Ka me ta shëndodhun zemrën gazmendi,
Për mall, si motit, zanë ke me e lëshue:
Fillo me gëzue.
Kur t’shkojsh ndër fush, kur t’shkojsh ndër male,
Afër shpisë seme hovin tand ndale;
Mahnit’ at zanin tand tuj prigjue
Kam për t’u gëzue.
Forma e përkyer, gjatësie e vargut nis me katër-gjashtë rrokësh në pjesën e parë, tetë në të dytën, nëntë në të tretën, dhejtë dymbëdhjetë dhe gjashtë rroksh në të katërtën. Rrima abcb në pjesën e parë, abbc në të dytën, abab në të tretën, aabb në të katërtën. A ka bylbyl të këndojë më larmishëm e më gjatë pa iu dridhur zëri një herë të vetme?
Vargje shekspiriane:
Me ditë hyjt me bisedue,
Me pasë sy që me derdhë lot,
Vajin tand ju kishin prue
T’kishin kja për jet’e mot.
për Bylbylin, presje mbas çdo shkrimi të fjalës si një përulje të thellë për të.
Dymbëdhjetë herë, aq sa muaj ka viti, grishje “Fillo me gëzue”, e mbas tyre një mbyllje e papritur “Kam për t’u gëzue” që na bën ta nisim recitimin (leximi është i pakët) nga e para e nëse gjendet bylbyl të na shoqërojë të shohim kush i vajton më bukur fitores së jetës ndaj vdekjes, gazmendit ndaj idhnimit, lirisë ndaj burgut.
Me e pasë ndie njat za që lëshoshe,
Me e pasë ndie njat vajin tand,
Kishin ardhë kudo që t’shkoshe,
T’kishin lypun kand e kand.
Ne erdhëm. Bylbyl, fillo me gëzue./ KultPlus.com
