‘Shoka’ e nusërisë së vajzave arbëreshe (FOTO)

Në fotografinë e mëposhtme shihet një vajzë arbëreshe, e veshur me kostumin e nusërisë, në komunën e Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi).

Kjo veshje, nga banorët njihet si “shoka”. Në vetvete, shoka paraqet një element të rëndësishëm dhe të pandarë të veshjes tradicionale shqiptare. Kjo veshje për femrat paraqet një fustan të qëndisur me dorë, me fije ari dhe plot ngjyra.

Gjithashtu me emrin “shoka” njihet edhe brezi që përdorin burrat, në veshjet tradicionale arbëreshe.

Shoka, ndryshe brezi, punohet prej leshi në vegje, e kombinuar me pet, e ngjyrosur afërsisht me ngjyrat e ylberit, e gjatë sa sillet disa herë rreth mesit dhe e ka origjinën nga rripi ilir.

Këndohet edhe një këngë me këtë emër, e zakonshme për trekëndëshin magjik arbëresh të përfaqësuar nga bashkësitë Carfizzi-Hora, Pallagorio-Puheriu dhe San Nicola dell’Alto-San Koghi në provincën e Crotone, që shoqëron ritualin martesor arbëresh: Shoka.

Sipas shpjegimeve të Gianni Belluscios, teksti është një variant i punuar i rapsodisë së “turkut që rrëmbeu vajzën shqiptare”. E njëjta këngë, por me një tekst më të plotë e më të kuptueshëm, u regjistrua nga Giuseppe Gangale, gjithashtu në Carfizzi (Diskografia Gangale, 1998).

Në materialin e publikuar nga Mario Bellizzi shkruhet:

“Kërce, kërce vajzë vallen-loj loj vasha valle”, që e shohim këtu është marrë nga hulumtimet etnografike dhe regjistrimet e vitit 1954, nga Diego Carpitella dhe Ernesto de Martino, që Antonello Ricci dhe Roberta Tucci, kanë publikuar për shtëpinë botuese “Squilibri” në 2006-ën. / KultPlus.com

Letra e rrallë e Lasgush Poradecit për vajzën e tij

Poeti dhe shkrimtari i madh shqiptar Lasgush Poradeci, i cili vdiq në vitin 1987, la pas vetës një trashëgimi të madhe të veprave të tij.

Ai ishte mjaft i veçantë në krijimet e tij dhe jo vetëm. Edhe në letrat që ua shkruante më të dashurve të tij i shkruante me mjaft përkushtim shkruan kultplus. Kësisoj sjellim një letër ku Lasgush Poradeci ia kishte shkruar vajzës së tij të madhe Kostandina, në vitin 1974.

Sjellim një pjesë nga kjo letër e shkruar nga Lasgush Poradeci:

“… që të jetë njeriu vetëm duhet fuqi e madhe e zemrës, si dhe fuqi e madhe e shpirtit, them që e kam atë fuqi durimtare aq të madhe, d.m.th.aq sa më duhet për valët e jetës. Shumë herë dëshpërohem me një dëshpërim humbas kurajën, kurajën e madhe, shumë herë më ka lëshuar kurajo po prapëseprapë kam mundur t’a marr veten, t’i kaloj valët, t’a kaloj ujin, edhe kështu, bijë e babit, jam si një gur në lumë, që uji shkon, po guri mbetet. Kjo është filozofija e babkës tënd, tjetër filozofi nuk gjeta dot, tjetër filozofi nuk kishte si të qëndroj të mos rrëzohem dhe të kaloj një çikë më tej”, kishte shkruar Poradeci. /KultPlus.com/

Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Melisa Ibrahimi

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

Në vazhdim, KultPlus iu sjell pianisten tjetër që ka arritur suksese të mëdha në arenat ndërkombëtare, Melisa Ibrahimi, e cila vitin e kaluar ka fituar medaljen e bronztë në “The Nodric Piano Competition-Northen Lights” në Suedi.

Ibrahimi, gjithashtu ka zënë edhe vendin e dytë në ‘International Music Competition Belgrade, Serbia’ dhe triumfojë në Rusi, duke zënë vendin e parë në ‘International Music Competition Moscow’. /KultPlus.com

Vajza e shkrimtarit Amos Oz denoncon të atin për abuzim në autobiografinë e saj

“Nuk ishte një humbje e përkohshme e kontrollit, jo një shuplakë këtu ose atje, por një rutinë e abuzimit sadist”, thotë Galia Oz në libër, përcjellë KultPlus.

Galia, një nga vajzat e shkrimtarit izraelit Amos Oz, i cili vdiq në dhjetor 2018, pohon në një autobiografi që sapo ka botuar, se babai i saj ishte i dhunshëm ndaj saj dhe se “ngacmimet dhe abuzimet vazhduan deri në ditën kur ai vdiq”.

Në libër, me titull ‘Diçka e maskuar si dashuri’, Galia Oz denoncon “abuzimin e vazhdueshëm fizik dhe mendor” të autorit, kandidatit të përjetshëm për Çmimin Nobel në Letërsi dhe i cili në 2007 u shpërblye me Çmimin “Príncipe de Asturias de las Letras.”

“Në fëmijërinë time, babai im më rrahu, më shau dhe më poshtëroi. Dhuna ishte e vazhdueshme: ai më tërhoqi zvarrë nga brenda shtëpisë dhe më hodhi jashtë,” pretendon Galia në libër, në të cilin ajo detajon marrëdhëniet e vështira që mbanin me babain, raporton agjencia ANSA.

“Nuk ishte një humbje e përkohshme e kontrollit, ose një shuplakë këtu ose atje, por një rutinë e abuzimit sadist”, tregon Galia.

Nga ana tjetër, menjëherë pasi dëgjoi këto akuza, shkrimtari dhe gjithashtu vajza e Oz, Fania Oz-Salzberger reagoi në Tëitter duke mbrojtur pafajësinë e babait të saj: “Ne, Nili (nëna), Fania dhe Daniel (vëllai), njihnim një baba tjetër. Një baba i ngrohtë, i mirë, i kujdesshëm që e donte familjen e tij me dashuri të thellë plot shqetësim, devocion dhe sakrifica”.

Fania shpjegoi në të njëjtën fije në Twitter se, shtatë vjet më parë, motra e saj vendosi të prishë marrëdhëniet me familjen e saj, kështu që ata janë ndjerë të “befasuar” me akuzat që ajo tani hedh në autobiografinë e saj. / KultPlus.com

https://twitter.com/faniaoz/status/1363522719313240066?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1363522719313240066%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.abc.es%2Fcultura%2Flibros%2Fabci-hijas-amos-denuncia-autobiografia-padre-abuso-ella-202102221839_noticia.html

Nëse do të rris ndonjëherë një vajzë…

E dashur çupkë që ke filluar të lexosh këto rreshta!

Qofsh adoleshente në fshat; qofsh grua në mes të qytetit me shkollim e karrierë; qofsh e kamur që ditën që erdhe në Tokë dhe mbase babai të thërret princeshë; jeta për ne është në 100% të rasteve me shumë më shumë gropa, ferra e tehe se për meshkujt që na rrethojnë.

Shpirti ynë e di.

Disa nga ne as jemi të vetëdijshme, e marrim këtë jetë siç na e japin, dhe pas gjimnazit koha për aktivizëm tretet me shpejtësi marramendëse. Disa nga ne të tjerat na del gjumi rëndom të mërkurën në 2 të natës, pasi na kujtohet një ndodhi në oborr të lagjes kur ishim 11 vjeç, dhe vetëm sot i japim dum se pse ka ndodhur: asgjë më shumë as më pak se dallim gjinor, mësuar që në djep.

Nëse mua sot, mbi 3 dhjetëvjeçarë në këtë Tokë, e vetëdijshme, dhe pa asnjë lloj energjie për të toleruar më diskriminim gjinor… Nëse mua do të më jepej shansi të lëmoja një vajzë gati për ta lëshuar më pas në jetë…

Do t’i çaja kokën.

Nuk do e lija rehat.

Do më mbyllte derën e dhomës me çels.

Të gjitha hilet që mësoj çdo ditë, do ia jepja pa më pyetur fare.

Do i rrija si hije nga mbrapa jo për ta ruajtur, po për t’i thënë si duhet të reagojë në këtë botë të pabarabartë.

Do e mësoja si kur t’i thonin djemtë e lagjes që futbolli nuk është për të… T’ua merrte topin e të vizatonte mbi të një penis me manikyr e t’ia mbushte me xixa.

Kur t’i thonin në park apo plazh “Ku e ke mamin?” T’i thoshte “Kam dhe baba. Ai kujdeset për mua madje më ndërron të mbathurat”.

Kur t’i thoshin mos të shëmtohej e të prishte gojën se gocave s’i ka lezet… Të lëshonte gjithë arsenalin e fjalëve të pista që do ia mësoj unë, plus ca spërdredhime mimikash.

Po t’i thonin ti s’je si gocat e tjera, je si çun… T’u thoshte “Kurse ti je identik si çunat (apo vajzat) e tjerë/a.”

Kur t’i thonin zysh-ndrikullat në shkollë “pse i ke hequr vetullat”… T’i thoshte “më trego rregulloren ku ndalohet. Për të gjitha gjinitë e klasat”.

Nëse dikush guxon ta quajë “Kur*ë”, ajo t’i thotë “Si çdo mashkull i familjes tënde”.

Do i thoja të rregullojë krevatin pasi rrëmuja di me qenë dhunë, dhe jo sepse është gocë.

Do e mësoja të gatuante e të pastrojë sepse në një pike të jetës do i duhet.

Siç po ia mësoj dhe djalit.

E nëse gatimi s’e tërheq, në dreq me të. Fito aq sa mos të kesh nevojë të gatuash kurrë, pra.

Do e mësoja që pavarësia financiare është liri thelbësore.

Kur t’i mblidheshin meshkujt si miza pas …. kur ajo del nga vendparkimi, të ulë xhamin ngadalë, dhe t’u tregojë gishtin e mesit me buzëqeshje teksa i përshëndet me dorën tjetër.

Do e mësoja të ulej nëpër dreka e darka në karriken në vendin më të palëvizhshëm, në mënyrë që mos ta thërrasë njeri lart e poshtë për të larë enë e për të shërbyer; por ajo të merrte pjesë nëse ka dëshirë.

Nëse ajo është hetero dhe i dashuri kërkon që ajo të ndryshojë qoftë dhe modelin e flokëve… Ta lërë direkt.

Nëse ai tenton të kontrollojë çfarë bën ajo dhe ku është…. Ta lërë direkt.

Nëse ai nuk tregon asnjë lloj altruizmi në shtrat… Ta lërë, e ta turpërojë publikisht.

Do e mësoja që kur t’i thoshin “Aha je me ato”, t’u thoshte “Po, o karafil pa erë që s’njeh anatominë e gruas”.


Do e mësoja të  paketonte lehtë, të mbushte çantën pas shpine pa harruar buzëkuq e parfum, dhe të bridhte të 5 kontinentet duke fishkëllyer pa gishta.
.
Do e mësoja të pyeste veten: a do martesë? A do fëmijë? Dhe nëse ka diku një zë që mezi dëgjohet dhe që thotë “jo”… Atë zë ta hipë në podium për një rrëfim të plotë.

Do e mësoja që nëse do ketë fëmijë dhe do e rrisë me dikë… Atëherë nuk ka më pak se 50/50 për ndarje detyrash.

Do e mësoja të punonte, punonte e punonte.
Të mos nënshtrohej në asnjë rrethanë, të jepte mendimin pa asnjë tremë, dhe të merrte vendime pa kthyer kokën prapa, pa u destabilizuar nga askush, përveç nga zëri i saj i brendshëm i së vërtetës.

Nëse ndonjëherë do rris ndonjë vajzë… Do i mësoj që gjinia… E çfarë është gjinia?

ASGJE. /laralarablog/ KultPlus.com

Kur u bëra 60 vjeç, u binda: Nuk ka si babai im

– Kur isha 4 vjeç, mendoja: Si BABAI im nuk ka.

– Kur u bëra 6 vjeç, thoja: BABAI im i di të gjitha.

– Kur u bëra 10 vjeç, thoja: BABAI im është i shkëlqyeshëm, por pak i vështir.

– Kur isha 12 vjeç, thoja: BABAI im ka qenë i mirë, por sa ka ndryshuar aman.

– Kur isha 14 vjeç, thoja: Sa nuk duron ky BABAI im.

– Kur isha 16 vjeç, thoja: BABAI im nuk ecën me kohën.

– Kur isha 18 vjeç, mendoja: BABAI im bëhet gjithnjë e më i vështirë.

– Kur isha 20 vjeç, e kisha shumë të vështirë të pranoja fjalët e BABAIT. Thoja: Çudi si e ka duruar nëna ime gjithë këtë kohë.

– Kur isha 25 vjeç, mendoja: BABAI nuk pëlqen asgjë që bëj unë.

– Kur isha 30 vjeç, mendoja: Vështirë se do merrem vesh me BABAIN ndonjëherë. Kushedi sa e ka lodhur edhe gjyshin ky.

– Kur u bëra 40 vjeç, u binda: BABAI më paska edukuar me vlera. Duhet të eci në gjurmët e tij, më fëmijët e mi.

– Kur u bëra 45 vjeç, kuptova realitetin dhe thoja: Habitem sesi ka arritur BABAI të na edukojë të gjithëve ne fëmijëve të tij mistreca.

– Kur u bëra 50 vjeç, kuptova: Sado të përpiqem me fëmijët e mi, nuk do të arrij kurrë edukimin që na e dha BABAI ne.

– Kur u bëra 55 vjeç, kuptova: BABAI im ishte largpamës dhe na mësoi për shumë gjëra. Babai im ishte i veçantë.

– Kur u bëra 60 vjeç, u binda më: Nuk ka si BABAI im.

Të dua Baba! / Familjadheshëndeti / KultPlus.com

Vajza e George Floyd merr një dhuratë të madhe, bëhet aksionare e Disney

Falë bujarisë së Barbra Streisand, Gianna, vajza më e vogël e George Floyd, afroamerikanit që u vra nga polici, është aksionare e Disney.

Nuk është zbuluar vlera e aksioneve të saj, por Gianna ka postuar një foto me certifikatën.

Edhe Kanye West mori përsipër të paguajë kolegjin e Gianna-s derisa të përfundojë shkollimin.

Vajza i ka falënderuar të dy, në emrin e saj dhe të nënës. / KultPlus.com