Vajza e ëndrrave të mia

Poezi nga Bujar Meholli

Ah, duke kaluar tallazeve të jetës
i kredhur në mendime të thella
përherë më kapte trishtimi,
misticizmin rrekesha ta kuptoja
kur ja, ashtu befas m’u shfaqe,
dhe trishtimin si me dorë ma hoqe.
Gjallëri i dhe shpirtit tim,
s’di si ta shpjegoj këtë mrekulli.

Nga vështrimet e shumë vajzave
nuk më lëvizi fytyra,
kur u afrove ti, më fole,
thjesht mora pamje fëmijërore
me dëshirën për të qarë…

O vajzë me thjeshtësi shenjtërore!
Kur t’i ngula sytë dhe thellë të zhbirova
e kuptova sakaq se ishe ajo vajza
që gjithmonë e kam dashur,
kam ëndërruar që ta takoj një si ti.

Kur t’i shoh ata sy, bukuroshe,
nuk ma ka ëndja të sodis asgjë,
as ndërtesat qindravjeçare italiane,
as mrekullitë e Luvrit,
madje as peizazhet zvicerane.

Fjalët që ti nxjerr nga goja
rrjedhin si muzika e Bahut,
edhe sot e kësaj dite kur më flet
dhe fytyrën buzëqeshja ta ndriçon,
unë e marr prapë atë pamje prej fëmije
dhe lotin në majë të syrit prapë e kam
gati të më shpërthej… /KultPlus.com