Vajzat shqiptare që ia kanë dalë në botë

Vajzat shqiptare janë kthyer në një model suksesi nëpër botë.

Tashmë është dëshmuar se një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në botë po depërtojnë në shumë fusha të ndryshme, duke treguar suksese të mëdha.

Duke qenë se me punë e angazhim individual çdokund në botë mund të dalë sportist a sportiste, studiues a studiuese, artist a artiste, e madje edhe shkencëtar a shkencëtare kulminante, kohët e fundit këtë primat e kanë marrë edhe vajzat shqiptare nëpër botë.

Kësaj radhe, për dallim nga herët e tjera, Albinfo.ch ju sjell disa storie suksesi që kanë të bëjnë me profesione të ndryshme të vajzave shqiptare.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Yllka Ibrahimi – Gjermani, me origjinë është nga Kosova, tani jeton në Gjermani. Ajo ka diplomuar në HAMK International Business më 2017, ka pasur një karrierë shumë të gjithanshme, duke përfshirë punën për Applift dhe aktualisht është e angazhuar në TikTok, shkruan albinfo.ch.

Yllka mban diplomë të dyfishtë në Gjermani në Technische Hochschule Deggendorf, ku filloi një praktikë në zhvillimin e biznesit në Berlin. Dhe, tani në kompaninë Tik Tok mban pozitën e Menaxherës së Brendeve të Ndryshme.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Plarenta Deshishku – Irlandë, jeton dhe zhvillon karrierën e saj në Dublin, ka diplomuar për Administrim Biznes dhe Menaxhim të Përgjithshëm në “ESCP Business School”, kurse studimet pasuniversitare i ka ndjekur në “Trinity College Dublin”.

Nga viti 2021 ajo është bërë pjesë e departamentit të “Global Operations” në rrjetin social Facebook, si “Market Specialist”. Plarenta Deshishku është lindur dhe rritur në Kosovë dhe tani konsiderohet storie suksesi në Irlandë, shkruan tutje albinfo.ch.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Arbenita Sopaj – Japoni, punon si ligjëruese në Universitetin Kobe në Japoni dhe asistente pranë Organizatës Globale të Paqes, gjithashtu është edhe asistente pranë Këshillit Akademik në Sistemin e Kombeve të Bashkuara me zyrë në Tokio.

Ajo ka përfunduar shkollimin e mesëm në Kosovë, më pas studimet në Universitetin e Prishtinës dhe mandej në Poloni, në Universitetin e njohur dhe historik të “Jagiellonian” për Integrime Europiane. Ndërkohë studimet master i ka përfunduar në Japoni, në Universitetin “Kobe”.

Albiona Ajeti – Kanada, është 23-vjeçe, e diplomuar në Fakultetin e Biznesit Global dhe Artit Digjital në Univeristy of Waterloo.

Ajo është storie suksesi e lindur dhe rritur në Ferizaj. Tashmë në Kanada llogaritet krijuese e lojërave për dyqanin e aplikacioneve të Apple dhe Google Play. Albiona së fundmi ka krijuar dy lojëra për gjigantin botëror Apple dhe Google Play, lojëra të cilat quhen “Balkan Hero” dhe “Flaming Target”, shkruan albinfo.ch.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Aldona Doku – Itali, tash e sa vjet është pjesë e kompanisë së njohur për modë dhe një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Donatella Versace.

Fillimisht Aldona u angazhua me auditimin ligjor të disa prej kompanive më të mëdha në Itali, si Luxottica, ndër kompanitë më të mëdha në rang botëror për dizajnim, prodhim dhe tregtimin e syzeve Pirelli, lider në industrinë e prodhimit të gomave, Cameron e Shlumberger Italy që janë ndër kompanitë numër 1 në prodhimin e valvulave në industrinë e vajit dhe gasit. Pas gati tre vjetësh eksperiencë profesionale në auditim në Milano, ajo mori ofertën për të punuar në kompaninë prestigjoze Gianni Versace Srl.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Mihane Beqiri – Kosovë, është diplomate, poliglote, aktiviste për të drejtat njerëzore, anëtare e Aleancës Rinore Botërore, ambientaliste dhe poete. Ajo është përfaqësuese zyrtare nga Kosova në Organizatën Botërore të Prosperitetit (WPO), shkruan tutje albinfo.ch.

Mihanja është aktiviste për të drejtat e njeriut dhe anëtare e Aleancës Rinore Botërore të themeluar në Belgjikë. Ajo flet rrjedhshëm 5 gjuhë të botës, si: anglisht, frëngjisht, italisht, turqisht dhe hindi dhe dëshiron që imazhi i Kosovës të shihet dhe të vlerësohet në mbarë botën.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Juliana Cici – Zvicër, ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, ndërsa Masterin në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare pranë Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Gjenevës.

Ajo aktualisht punon si konsulente ligjore pranë kompanisë ndërkombëtare Business Cost Management (BCM), me seli në Gjenevë. Një kompani lider prej 30 vjetësh në menaxhim risku dhe rritjen e të ardhurave; prokurime dhe konsulenca ligjore me një prezencë në tri kontinente.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Mira Mezini – Gjermani, autore e 233 artikujve shkencorë të indeksuar në Scopus List dhe i 293 artikujve të kuotuar në Research Gate, e cilësuar kërkuese shkencore ekselente, me njohje dhe vlerësim ndërkombëtar në fusha shumë të rëndësishme të shkencave kompjuterike, si gjuhët e programimit dhe paradigmat, zhvillimi i softuerëve të automatizuar, analiza e programeve dhe siguria e softuerëve; bashkëthemeluese e nëndisiplinës mbi paradigmën e zhvillimit të softuerëve të orientuar, duke vendosur parime të reja shkencore.

Ajo është inxhiniere për shkencat kompjuterike në Universitetin Teknik të Darmshtadit në Gjermani. Së fundmi ka fituar çmimin prestigjioz “LOEWE Top Profesorship“. / KultPlus.com

“The Christian Science Monitor” më 1926: Motrat Qiriazi dhe godina e re e kolegjit të tyre shembullor për vajzat shqiptare

 

Nga Aurenc Bebja

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të shtunën e 4 shtatorit 1926, në faqen n°11, një shkrim rreth godinës së re të Kolegjit Qiriaz dhe suksesit të tij në edukimin e vajzave shqiptare të të gjitha shtresave dhe besimeve fetare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Vajzat shqiptare të kolegjit në një mjedis demokratik

Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 4 shtator 1926, faqe n°11
Korrespondencë speciale

Kolegji Qiriaz për vajza hapi dyert e tij për vajzat e varfëra shqiptare në vjeshtën e vitit 1891, në Korçë, falë zonjushës Sevasti Qiriazi, tani zonja C. A. Dako (Kristo Anastas Dako). Në atë kohë zonja Dako sapo kishte mbaruar Kolegjin e Kostandinopojës. Shkolla ka njohur fate të ndryshme. I është dashur të luftojë forcat e bashkuara të persekutimit turk për shkak të krishterimit dhe propagandës greke për shkak të protestantizmit të saj, për të mos përmendur faktin se nuk kishte asnjë lloj manuali në gjuhën shqipe, pasi kjo gjuhë ishte ndaluar të përdorej nga autoritetet turke.

Shkolla vazhdoi punën e saj me gjithë vështirësitë e tilla deri më 6 korrik 1914, kur trupat e parregullta greke pushtuan të gjithë rajonin e Shqipërisë së Jugut, kështu zonja Dako dhe të mbrojturit e saj u detyruan të iknin për sigurinë e tyre. Ky incident e solli punën në një përfundim të detyrueshëm për një periudhë tetë vjeçare. Që atëherë, zonja Dako, motra e saj trime, zonjusha P. D. Qiriazi (Parashqevi Dhimitër Qiriazi), dhe grupi i tyre migruan nëpër shtetet e Ballkanit; më pas kërkuan strehim në Bullgari, më pas në Rumani dhe më në fund në SHBA, ku qëndruan deri në vitin 1920.

Në vitin 1922, dy motrat, zonja Dako dhe zonjusha Qiriazi, vendosën të rihapin shkollën, në Tiranë, kryeqytetin e vogël piktoresk të Republikës së Shqipërisë tashmë të lirë dhe të pavarur. Tani turqit nuk mund t’i pengonin më në punën e tyre dhe kisha greke nuk mund të kundërshtonte më protestantizmin e tyre. Sigurisht, shkolla funksionoi për njëfarë kohe në një ndërtesë të pajisur keq : por këtë vit, megjithatë Kolegji Qiriaz do të fillojë vitin e tij të katërt akademik në Tiranë, në strukturën e re të shkëlqyer rreth tre milje jashtë qytetit. Godina e re është e pajisur mjaftueshëm me laboratorë për punë të shkencave natyrore, konvikte, klasa, kampus dhe gjithçka që i nevojitet një shkolle moderne në kuptimin e plotë të fjalës.

Sot, vajza shqiptare mund të përgëzojë veten që edhe ajo ka një kolegj ku mund të gjejë mundësi të veçanta. Kolegji i saj nuk është plotësisht i pajisur sa ndoshta kolegjet e motrave të saj amerikane, megjithatë ajo mund të studiojë dhe të mësojë nga të diplomuarit e kolegjit dhe për një shumë të vogël prej më pak se 200 dollarë në vit! Kjo është ajo që Kolegji Qiriaz po arrin për vajzat e reja shqiptare.

Trupi kolegjial i shkollës përbëhet nga drejtoresha, zonjusha Parashqevi D. Qiriazi (A. M. Oberlin), e ndihmuar nga dy të diplomuar nga Wellesley dhe dy të diplomuar në Universitetin e Gjenevës (Zvicër). Z. Dako, autori i “Albania: The Master Key to the Near East” dhe i disa veprave në shqip, i ndihmon dy motrat në administrimin e shkollës dhe në përgatitjen e teksteve shkollore.

Ajo që e bën Kolegjin Qiriaz më interesant është fakti se ekziston një sistem aktual i demokracisë në arsim : sepse atje vajzat e të gjitha shtresave të jetës jetojnë dhe studiojnë së bashku, hanë të njëjtin ushqim, flenë në dhoma të ngjashme, veshin të njëjtat kostume dhe studiojnë me të njëjtët instruktorë. Dikur ishin të pranishme dy motrat e Ahmet Zogut, tashmë president i Shqipërisë.

Një pikë tjetër domethënëse në lidhje me këtë shkollë është mungesa e diskriminimeve fetare që u bëhen vajzave. Vajza myslimane studion dhe luan me motrat e saj të krishtera – dhe ato në fakt jetojnë si motra. Vetëm ky faktor është epokal në historinë e Republikës së Shqipërisë. Këtu është më në fund një vend ku vajzat e reja shqiptare të të gjitha shtresave shoqërore dhe besimeve fetare mund të takohen dhe të njohin njëra-tjetrën.

Një deklaratë e lëshuar nga zonjusha Qiriazi thotë ndër të tjera : “Së pari duhet të zgjedhim një grup të madh vajzash premtuese nga të gjitha shtresat dhe besimet dhe nga të gjitha rrethet e vendit, dhe t’i stërvitim, pajisim dhe edukojmë për t’i bërë ato ndikuese të vërteta në shërimin e sëmundjeve sociale dhe në drejtimin e kombit drejt rrugës që të shpie drejt shpëtimit.”

Qeveria për fat po i jep çdo ndihmë të mundshme shkollës : qeveritë shqiptare, për shkak të paqëndrueshmërisë politike, janë ngritur e kanë rënë disa herë që nga viti 1922, por asnjëra prej tyre nuk e ka penguar apo ndërhyrë në punën e saj të mirë. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/the-christian-science-monitor-1926-motrat-sevasti-dhe-parashqevi-qiriazi-dhe-godina-e-re-e-kolegjit-te-tyre-shembullor-per-vajza-ne-shqiperi/

Vajza shqiptare

Poezi nga Ali Asllani

Kush të ka dërguar, hëna apo djelli?
Pa më thuaj, të lutem, sa pate ka qjelli?
Nëpër ato pate, madhëri e artë,
Ka të tilla shtate, si të zotris’ sate?

Në je ndonjë ëngjëll, udhën ke lajthitur,
Apo sjell melhemin zemrës së goditur?
Në je ndonjë valë, kush ësht’ ai mall,
Që të ndez e derdhe e utrin’ mbi zall?

Në je ndonjë çupë, do të mbaj mbi sup,
Do të ngjesh në zemër, do të pi me kup’!
Në je ndonjë lule, e ku do keç mbirë,
Si mundet e bënet lulja kaq e mirë?

Në se je sorkadhe, lumthi kush ka çapa,
Lum ai q’i vete zotris’ sate prapa!
Kush të paska rritur, kush të ka selitur?
Trupi i yt i bukur si flori i situr!

Në je ndonjë xhinde, xhinde e arratisur,
Cilin ke vithisur, kujt i je kolisur?
Ku është ai pyll, ku është ai mur
ku ti vete fute dhe qëllon me gur?

II
Kush të ka dërguar, Hëna apo Djelli?
Pa më thuaj, të lutem, sa yje ka qjelli?
Ka të tilla pyje nëpër ata yje?
Ka të tilla xhinde nëpër ata pyje?

Qofshi të ërgjënda, ka të tilla xhinde?
Rrofsh e qofsh, sa malet, zotrote ku linde?
Desha që ta dija ku është ylli yt,
Desha që ta dija ku ësht’ pylli yt!

Në je ndonjë dritëz, dritëz perëndie,
Lum kush të ka afër, kurse nata bie;
Në je ndonjë hije, hije hyjënore,
Kthema zemrën time, zemrën që ma more!

Në je ndonjë erë, një veri në ver’,
Nga se po të digjet trupi ylyver?
Në je ndonjë ëndërr, shum’ të lutem shum’,
Në të dasht’ qejfi të të shoh në gjum’!

Në je xhevahire, nga se ku je dukur?
Nga se xhevahiri rri në kuti futur?
Në je ndonjë flutur, kush të ka qëndisur?
Kush është ajo dorë, që të ka stolisur?

Pa le ta dëgjojmë një herë e dy herë,
fol, moj dallëndyshe, që këndon mbi derë!
Fol moj dallëndyshe, se sa më vjen mirë,
Mos je ndonjë vajzë nga një vend i lirë?

– Un’ jam një arbreshe, rroj këtu në rrëza,
Një gjak e një gjuhë kemi me thëllza;
Pullumb e sorkadhe jemi farë e fis,
Kemi dhe shqiponjën gjyshen e shtëpisë!

Çdo të mira kemi, djelli si ar
Derdhet përmbi neve nga çdo vënd më par’,
Lul’ e vëndit tënë katër stinat çel
Edhe erë e bukur na deh e na vel!

A e more vesh kush më ka qëndisur?
Është dritë e djellit që më ka stolisur,
Është drtië e djellit, është dritë e hënës,
Më shum’ nga të gjithë është sisë e nënës!./ KultPlus.com

Rituali i hershëm i vajzave shqiptare me tatuazhet pranverore

Për të rinjtë, tatuazhet janë trend i kohës. Por, në Shqipëri kjo traditë është njohur shumë herët nga vajzat shqiptare.

Kremtimi i 19 marsit, në origjinë ka lidhje me vitin e ri të romakëve të lashtë, që fillonte më një mars.

Janë me interes të veçantë në pikëpamje krahasimi afritë dhe pikëtakimet në terminologji dhe praktika rituale në mes të kësaj feste të lashtë shqiptare me atë romake.

Nënkuptohet se këtu kemi të bëjmë me rite e besime që populli ynë i trashëgoi që nga lashtësia dhe jo nga huajtje mekanike, pa mohuar disa ndikime romake.

Ndoshta këtu kemi të bëjmë me një shkrirje festash të përafërta të së njëjtës datë, që u përgjithësuan me kohë në vitin e ri romak, shumë kohë pas shfuqizimit të tij zyrtar, po që jetoi, u përforcua e u përgjithësua dhe më tepër në popuj të ndryshëm gjatë antikitetit të vonë dhe në mesjetë.[…]

Kjo festë bie në afërsi të kthesës pranverore të diellit, kur dita e nata bëhen njësoj (ekuinoksi i pranverës).

Me këtë festë, siç duket, ka lidhje dhe 19 marsi – një festë e vjetër që kishte të bënte me gratë e me vajzat. Më 19 mars, bëhej tatuimi i vajzave në Shqipërinë Veriore e në Mal të Zi, sipas të dhënave që na jep M. Durham. Kjo e kremte ka shumë gjëra të ngjashme me ditën e verës, me ringjalljen pranverore të natyrës e të jetës në përgjithësi.

Në këtë ditë kemi të gërshetuara rite dhe besime kristiane a islamike, me rite e besime të lashta që kanë të bëjnë me pjellorinë.

Shkëputur nga  “Etnografia shqiptare” – Akademia e Shkencave, 1978

Fotografitë: MARUBI. / KultPlus.com

Vajzat shqiptare, kampione të teknologjisë në Silicon Valley

Tri vajza nga Shqipëria fituan vendin e parë në një konkurs teknologjie, duke lënë pas SHBA-në, Indinë, apo Spanjën e kjo ndodh për herë të parë!

Dea Rrozhani, Arla Hoxha dhe Jonada Shukarasi, tri gjimnazistet shqiptare të talentuara, me aplikacionin e tyre ‘GjejZa’ rrëmbyen zemrat dhe votat e jurisë profesioniste të Technovation Challenge që u mbajt pak orë më parë në Silicon Valley, në Kaliforni.

Vajzat e ekipit ‘D3C0ders’, falë përkushtimit të tyre dhe mbështetjes të Ambasadës Amerikane, shënuan kështu arritjen më të madhe të Shqipërisë së vogël në fushën e teknologjisë. /koha.net/ KultPlus.com