Të paktën 1.4 milion jetë janë shpëtuar në Evropë falë vaksinave kundër COVID-19, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke ripërsëritur se virusi ende nuk është zhdukur.
Në rajonin evropian të OBSH-së – ku përfshihen 53 shtete, edhe ato në Azinë Qendrore – janë regjistruar 277.7 milionë raste me COVID-19 dhe mbi 2.2 milionë vdekje, sipas të dhënave më të fundit, që datojnë që nga dhjetori i vitit 2023.
“Sot, 1.4 milion njerëz në rajonin tonë – shumica të moshuar – po e shijojnë jetën me më të dashurit e tyre për shkak se u vaksinuan kundër COVID-19”, tha drejtori për Evropë në OBSH, Hans Kluge.
“Vetëm doza e parë vlerësohet se ka shpëtuar 700.000 jetë”.
Kluge tha se është qenësore që njerëzit të mbrohen gjatë dimrit, veçmas ata që janë më të cenueshëm.
“Teksa ne mësohemi të jetojmë me COVID-19 dhe me viruset e tjera që prekin organet e frymëmarrjes, është absolutisht thelbësore që popullata, që është më e cenueshme që t’i rri gati vaksinimit kundër COVID-it dhe të vaksinohet edhe kundër gripit sezonal”.
Ai insistoi që Evropë duhet të vazhdojë të investojë në sistemet e kujdesit shëndetësor.
Kluge tha se duhen po ashtu më shumë fonde për të adresuar çështjen e mungesës së punëtorëve shëndetësorë dhe furnizimeve me ilaçe esenciale.
Sëmundja e koronavirusit fillimisht u shfaq në Vuhan të Kinës në fund të vitit 2019 dhe më pas virusi u përhap në mbarë botën. Në botë janë regjistruar mbi 701 milionë raste me COVID dhe afër 7 milionë viktima./rel/KultPlus.com
Ministria e Shëndetësisë ka apeluar sot te qytetarët që të marrin dozën e tretë të vaksinës anti-Covid.
Nga Ministria kanë njoftuar se vaksinimi kundër COVID-19 vazhdon të kryhet në njësitë e vaksinimit në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor nëpër komunat e Kosovës.
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen pa hezitim.
Postimi i plotë i Ministrisë:
Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar ditë më parë dhënien e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 edhe për grup-moshën 12 + vjeçare, për personat të cilët kanë marrë dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19 së paku pesë muaj më parë.
Vaksinimi kundër COVID-19 vazhdon të kryhet në njësitë e vaksinimit në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor nëpër komunat e Kosovës.
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen pa hezitim.
Vaksinimi është dëshmuar të jetë mënyra më e mirë dhe më efikase për të parandaluar infeksionin nga COVID-19, format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet nga COVID-19. / KultPlus.com
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po vazhdon thirrjet e vazhdueshme për vaksinim, shkruan KultPlus.
“Festo, sigurt festo me familjen”, ishte mesazhi kryesor që janë munduar të përcjellin IKSHPK-ja në postimin e tyre të fundit, ku gjithashtu kanë inkurajuar që qytetarët të marrin të dy dozat dhe gjithashtu edhe dozën e tyre përforcuese.
“Vendi ku të gjithë ndjehemi të sigurt është familja. Prandaj, kujdesu për veten dhe familjen tuaj. Merrni të dy dozat e vaksinës dhe sapo të ju vijë koha edhe dozën përforcuese dhe dozën e tretë. Festo sigurt, festo me familjen! Festo shëndetshëm!”, shkruhet në njoftimin e tyre.
Minstria e Shëndetësisë vazhdimisht është duke bërë thirrje që t’i besohet shkencës dhe të merren të gjitha dozat që sigurojnë shëndet të plotë për të gjithë qytetarët. /KultPlus.com
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.432.135 doza të vaksinës anti-COVID-19.
Sipas njoftimit, deri më sot 608.939 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 156.182.
Në total numri i rasteve aktive është 1.226. / KultPlus.com
Deri më sot, me dy doza të vaksinës janë vaksinuar mbi 500 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës.
Kështu kanë njoftuar nga Qeveria e Kosovës teksa thonë se vetëm gjatë muajit shtator janë rezervuar mbi 400 mijë termine për vaksinim.
Njoftimi i plotë:
Deri më sot, me dy doza të vaksinës janë vaksinuar mbi 500 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës.
Kosova, që procesin vaksinimit e ka filluar e fundit në rajon, falë vaksinimit masiv, sidomos gjatë muajve gusht dhe shtator, tani ka lënë prapa katër shtete të Ballkanit Perëndimor, për nga përqindja e banorëve të vaksinuar. Vetëm gjatë muajit shtator janë rezervuar mbi 400 mijë termine për vaksinim.
Për këtë, meritë kanë ekipet e vaksinimit, ekipet menaxhuese, komiteti i imunizimit dhe qytetarët e Republikës që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjeve tona dhe të ekspertëve shëndetësorë.
Vaksinimi po vazhdon. Çdo ditë të javës, përfshirë fundjavët. Andaj caktoni terminin tuaj, për veten dhe familjarët tuaj.
Vlerësimi do të bëhet në bazë të të dhënave të paraqitura nga kompania farmaceutike dhe rezultati pritet “brenda javëve të ardhshme, përveç nëse kërkohet informacion shtesë”.
Agjencia Evropiane e Barnave ka filluar të vlerësojë aplikimin për përdorimin e një doze përforcuese të vaksinës Comirnaty (Pfizer-BioNTech) që do të administrohet gjashtë muaj pas dozës së dytë te personat e moshës 16 vjeç e lart.
“Dozat përforcuese u jepen njerëzve të vaksinuar (d.m.th. njerëzve që kanë përfunduar vaksinimin parësor) për të rikthyer mbrojtjen pasi të ketë rënë”, shpjegon EMA, transmeton CNN.
Ndër informacionet e siguruara nga Pfizer-BioNTech për shqyrtimin e Komitetit për Mjekimet Njerëzore (CHMP) të EMA-s janë edhe rezultatet e një studimi klinik të vazhdueshëm, në të cilin rreth treqind të rritur me sistem imunitar të shëndetshëm morën një dozë përforcuese rreth gjashtë muaj pas dozës së dytë. / KultPlus.com
Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate drejtuar mediave ka njoftuar qytetarët se gjatë vaksinimit kundër COVID-19, mund të bëhet edhe kombinimi i vaksinave.
Në komunikatë thuhet se qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin llojin e vaksinës të cilën donë ta marrin.
E zgjedhjet janë Astra Zeneca dhe Pfizer BioNTech. Megjithatë nëse dikush do t’i bëjë kombinim, dozën e parë mund ta marrin Astra Zeneca dhe të dytën Pfizer apo anasjelltas.
Gjatë ditës u raportua se kombinimi i vaksinave në Kosovë nuk lejohet në qendrat vaksinuese.
E Ministria e Shëndetësisë thotë se kushdo që pretendon se diçka e tillë nuk lejohet, është e pavërtetë.
Qëllimi i kombinimit të vaksinave është rritja e imunitetit.
Më poshtë gjeni komunikatën e plotë:
Kombinimi i vaksinave në Kosovë bëhet që kur ka nisur vaksinimi masiv kundër COVID-19
Ministria e Shëndetësisë i informon sërish qytetarët e vendit se ata që vaksinohen kundër COVID-19 kanë të drejtë të zgjedhin llojin e vaksinës të cilën do ta marrin prej dy llojeve të vaksinave të cilat përdoren në Kosovë si Astra Zeneca dhe Pfizer BioNTech.
Gjithashtu, që kur ka filluar vaksinimi i qytetarëve në masë kundër COVID-19 (qershor 2021), qytetarëve u është lejuar, me rekomandim të Komitetit të vaksinimit edhe kombinimi i vaksinave, që do të thotë se dozën e parë mund ta marrin të vaksinës Astra Zeneca dhe të dytën Pfizer dhe anasjelltas.
Deklaratat e kujtdo qoftë se në Kosovë nuk lejohet kombinimi i vaksinave janë të pavërteta.
Me respekt,
Divizioni i Komunikimit me Publikun-MSh. / KultPlus.com
Kosova do të jetë në mesin e tri shteteve të para që do pranojë nga SHBA’ja kontigjente vaksinash të dhuruara për imunizimin ndaj koronavirusit. Përzgjedhja e shteteve është bërë në bazë të miqësisë dhe prioritetit.
Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Ambasada e SHBA’së në Gjeorgji nëpërmjet një komunikate, derisa ka thënë se shteti respektiv, Kosova dhe Ukraina do jenë tri shtetet e para që do marrin vaksinat, shkruan Gazeta Express.
“Këtë javë Presidenti Biden njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndajë vaksinat COVID-19 me Gjeorgjinë. Gjeorgjia, Ukraina dhe Kosova janë tre vendet e para evropiane që marrin vaksina nga Shtetet e Bashkuara, bazuar në përparësitë dhe partneritetet rajonale”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Ndonëse nuk është bërë me dije numri i vaksinave që do dhurohen, presidentja Vjosa Osmani përpara disa ditësh ka bërë me dije se më 19 prill iu është pranuar kërkesa për dhurim dozash të vaksinave.
“Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës”, pati njoftuar Osmani.
Në komunikatë, tutje thuhet se Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu të përkushtuara për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia në këto vende. /Gazeta Express/ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden në emër të SHBA-së ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave për shtetin e Kosovës, përcjell KultPlus.
Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të presidentes Osmani.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Osmanit.
Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës.
Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për Presidentin Biden për këtë gjest bujar dhe për dhurimin e vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës pas kërkesës së adresuar atij në muajin mars. Njoftimi zyrtar i sotëm është tjetër dëshmi e mbështetjes së palëkundur që vendi ynë e gëzon historikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenti Biden ka qenë gjithmonë mik i Kosovës dhe ky donacion ilustron kujdesin dhe konsideratën e pakursyer që ai vazhdon të tregojë ndaj popullit tonë. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës e falënderoj përzemërsisht.
Kosova dhe institucionet tona vazhdojnë të mbeten të palëkundura në orientimin Euro-Atlantik dhe të njëjtën politikë e kanë ndjekur edhe në sigurimin e vaksinave.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës./ KultPlus.com
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se deri në fund të vitit në Kosovë dotë arrijnë 1.2 milion dozë vaksina Pfizer.
“Duhet të kuptoni një gjë, për shkak të shumë termave të konfidencialitetit që i kemi me kompaninë Pfizer, nuk mund të ju japim më shumë informata, por deri në fund të vitit pritet të arrijnë mbi 1,2 milion vaksina Pfizer.”, ka thënë ai në konferencë për media, përcjell KultPlus.
Marrëveshjen me Pfizer e ka bërë të ditur edhe vet kryeministri Kurti në mbledhjen e qeverisë.
“Posa janë përmbyllur në mënyrë të suksesshme negociatat për ardhjen e vaksinave në Kosovë me ç’rast kemi blerë vaksina nga prodhuesi ‘Pfizer’ dhe tash duke iu falënderuar kësaj ne do të mund të bëjmë vaksinimin edhe përtej grupeve me prioritet dhe të shkojmë në mënyrë të sigurt drejt zotimit që të përmbyllim imunizimin e popullsisë sivjet, përkatësisht 60 për qind të qytetarëve”, ka thënë Kurti.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen që pati para konferencës së Vitisë, ka miratuar me shumicë votash masat e reja antiCOVID.
Në kuadër të masave të reja do të heqet ora policore dhe do të zgjatet orari i punës për gastronominë deri në ora 23:00.
Shefi i dikasterit të Shëndetësisë ka thënë në mbledhjen e qeverisë se do të lejohet edhe lëvizja e qytetarëve pa maska kur janë vetëm dhe në ambiente të jashtme. /gazetaexpress/ KultPlus.com
Fitimet nga vaksinat kundër Covid-19 kanë ndihmuar të paktën nëntë njerëz të bëhen miliarderë, tha një grup fushate të enjten, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund “kontrollit monopol” të korporatave farmaceutike në teknologjinë e vaksinave.
“Midis tyre, nëntë miliarderë të rinj kanë një pasuri të kombinuar neto prej 19.3 miliardë dollarësh (15.8 miliardë euro), e mjaftueshme për të vaksinuar plotësisht të gjithë njerëzit në vendet me të ardhura të ulëta”, ka thënë në një deklaratë Aleanca e Vaksinave të Popullit.
Aleanca, një rrjet organizatash dhe aktivistësh që bëjnë fushatë për t’i dhënë fund të drejtave të pronës dhe patentave për inokulimet, thanë se shifrat e saj bazoheshin në të dhënat e Listës të së Pasurve të Forbes, përcjell Telegrafi.
“Këta miliarderë janë fytyra njerëzore e fitimeve të mëdha që po bëjnë shumë korporata farmaceutike nga monopoli që mbajnë në këto vaksina”, ka thënë Anna Marriott nga Oxfam, e cila është pjesë e aleancës.
Përveç mega-pasurëve të rinj, tetë miliarderë ekzistues kanë parë pasurinë e tyre të kombinuar të rritet me 32.2 miliardë dollarë falë shpërndarjes së vaksinave, tha aleanca.
Në krye të listës së miliarderëve të rinj të vaksinave ishin drejtori ekzekutiv i Moderna, Stéphane Bancel, dhe homologu i tij i BioNTech, Ugur Sahin.
Tre miliarderë të tjerë janë bashkëthemelues të kompanisë kineze të vaksinave CanSino Biologics.
Studimi vjen përpara Samitit Global të Shëndetit G20 të premten, i cili ka është vlerësuar si një mundësi për thirrjet në rritje për të hequr përkohësisht mbrojtjen e pronës intelektuale në vaksinat Covid-19.Ithtarët thonë se duke bërë kështu do të rritej prodhimi në vendet në zhvillim dhe do të adresonte pabarazinë dramatike në qasje.
Prodhuesit kanë theksuar se mbrojtja e patentave nuk është faktori kufizues në rritjen e prodhimit të vaksinave.
Ata thonë se një gamë e gjerë çështjesh – nga ngritja e vendeve të prodhimit, te sigurimi i lëndëve të para, te disponueshmëria e personelit të kualifikuar – do të mbanin lart procesin e prodhimit. / KultPlus.com
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u ka bërë thirrje gjithë fëmijëve nga mosha 12-vjeçare e më lartë që të marrin vaksinën Pfizer kundër COVID-19, pas lajmit se këshilltarët federalë të shëndetësisë kanë dhënë leje për vaksinimin e fëmijëve të asaj moshe, raporton agjencia AP.
Më herët këtë javë, Agjencia e Ushqimit dhe e Barnave në SHBA ka hapur rrugën për të zgjeruar përdorimin e vaksinës së Pfizerit, duke cituar dëshmi se vaksina ka funksionuar mirë te ata të moshës 12 deri 15 vjet dhe ata 16 e më tepër.
Por, shumica në SHBA kanë pritur rekomandimin e Qendrës për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve.
Të mërkurën, komiteti i pavarur këshillues ka votuar për të rekomanduar përdorimin e kësaj vaksine te fëmijët nga mosha 12 vjet e më lartë.
CDC-ja pritet të pranojë rekomandimin e komitetit këshillues.
“Ne do të kemi për herë të parë një vaksinë të sigurt dhe efikase kundër COVID-19 për adoleshentët mbi 12 vjet. Ky është një hap tjetër i madh në luftën tonë kundër pandemisë”, ka thënë Biden.
Biden ka thënë se administrata e tij është e gatshme për të shtrirë vaksinimin në atë grupmoshë.
“Ky grup i popullsisë do të ketë vaksinimin të shpejtë dhe efikase”, ka thënë Biden, duke shtuar se nga disa e enjte (sot) më tepër se 15 mijë farmaci do të jenë të gatshme dhe në dispozicion për të vaksinuar të gjithë amerikanët të moshës nga 12 vjet e sipër.
Biden ka thënë se vaksinat do të jenë në dispozicion edhe nëpër zyra të pediatrëve dhe të mjekëve familjarë. / KultPlus.com
Vaksinat e Pfizer/BioNTech dhe Moderna kundër COVID-19, është konstatuar se janë 94 për qind efektive kundër hospitalizimit të personave mbi 65 vjet që janë prekur nga COVID-19.
Ky konstatim është bërë nga Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, që realizoi një studim në të cilin mori pjesë edhe mjeku nga Kosova, Dr. Arbër Shehu.
Mediat prestigjioze si CNN e BBC kanë raportuar për studimin në të cilin mori pjesë edhe mjeku Shehu, i cili pa dyshim se me këtë e bën krenar çdo shqiptar.
Në anën tjetër të dhënat e vaksina të Pfizer/BioNTech dhe Moderna janë shpresë se pandemia e koronavirusit mund të marrë fund nëse në mbarë botën vazhdon me tempo të përshpejtuar procesi i vaksinimit të qytetarëve./dsh/ KultPlus.com
Në javën e imunizimit në botë, UNICEF ka organizuar një bashkëbisedim më epidemiologun Lul Raka, me të cilin u diskutua imunizimi me vaksinim të rregullt, dhe imunizimi nga COVID-19.
Vaksinat AstraZeneca të cilat u dhanë qytetarëve të Kosovës, sipas Lul Rakës pas 21 ditëve nga doza e parë të mbron 100% nga vdekja, ku edhe përmendi se qëllimi i vaksinimit është parandalimi i vdekjes, rihapja e shoqërisë dhe eliminimi i sëmundjes.
Ne këtë bashkëbisedim epidemiologu Lul Raka foli për rëndësinë e vaksinimit të rregullt tek fëmijët, vaksinim i cili për shkak të pandemisë është lënë anash duke e shtuar kështu rrezikun e shpërthimit të fruthit, paralizës së fëmijëve dhe lijës.
“Qëllimi i imunizimi me Covid-19 prej fillimit lajm i jashtëzakonshëm ka qenë sigurimi i vaksinës. Qëllimi kryesor ka qenë me ndal vdekjet. Unë thash që kategoria më e rrezikuar ka qenë të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike duke e ndalur vdekshmërinë, duke imunizu edhe për këtë arsyeje jo vetëm në Kosovë por edhe bota fokusin e ka pas tek imunizimi i të moshuarve mbi 65 vjeç[…]Vaksinat të cilat janë në përdorim në Kosovë është AstraZeneca për momentin, vetëm një dozë e AstraZeneca e cila merret pas 21 ditëve të mbron 100% nga vdekja[…]Qëllimi tjetër për vaksinim është edhe hapja e shoqërisë edhe e fundit është eliminimi i sëmundjes”, tha ai
Raka tha edhe se COVID-19 përpos vështirësive që ka shkaktuar në sistemin e shëndetësisë, problem ka shkaktuar edhe në vaksinimin e rregullt të fëmijëve, duke e shtuar kështu rrezikun për afër 20 sëmundje që mund të u ngjiten fëmijëve të pa imunizuar.
“Problemet që i ka shkaktuar në fillim COVID-19, sidomos në fillim kur ka qenë frika dhe paniku në maksimum edhe në atë fazë por edhe më vonë edhe tash kanë pësu një gamë të gjerë të pacientëve të tjerë që vuajnë prej sëmundjeve të tjera. Nuk e kemi veç COVID-in, kur jemi tek sëmundjet vaksinë parandaluese, sëmundje që mund të ndalen me vaksinë këtu janë afër 20 sëmundje tilla të cilët shkaktohen jo vetëm prej viruseve por edhe prej baktereve shkaktohen për të cilat ka shërim dhe kjo bëhet përmes vaksinave, gjatë kësaj pandemie imunizimi i rregullt është godit shumë”, tha ai
Raka tha se fruthi është një prej sëmundjeve më ngjitëse, ku një person i infektuar mund t’i infektojë 16 deri 18 persona të pa imuniziuar. Andaj prindërit që nuk kanë arritur të kryejnë vaksinimin e rregullt të fëmijëve të tyre mund të vazhdojnë vaksinimin duke u lajmëruar në QKMF-të më të afërt
“Edhe nëse ka vonesa (për vaksinim të rregullt) munden me mbërri prapë se prapë kalendarin duke u lajmërua në QKMF-të më të afërta[…]5-6 vitet e kaluara kemi pas shpërthime të fruthit jo vetëm në Kosovë po në krejt rajonin edhe ka ndodh pikërisht sepse nuk janë imunizu një pjesë e konsiderueshme e popullatës. Fruthi është një prej sëmundjeve ma ngjitëse nga të gjitha viruset. Mesatarisht një i sëmurë me COVID i infekton 2 deri në 3 persona të tjerë, te fruthi, një person i infektuar me fruth i infekton 16 deri 18 të tjerë të cilët nuk janë të imunizuar”, tha ai.
Për të u kthyer në normalitet, Raka tha se për shpëtimi i jetës së njerëzve, shmangia e shtretërve spitalorë, hapja e teatrove, stadiumeve dhe dasmave zgjidhja e vetme është vaksinimi
“Faktori më i rëndësishëm është imunizimi dhe mbrojtja e fëmijëve tanë. Vaksina është rruga e vetme e kthimit në normalitet e shpëtimit të jetës së njerëzve e shmangies së shtretërve spitalorë e kthimit në punë, në teatër, stadium, dasma po e përsëriti prapë andaj vaksinohuni”, ka theksuar Raka në bashkëbisedimin e organizuar nga UNICEF në javën e imunizimit në botë. / KultPlus.com
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar qytetarët në Komunën e Prishtinës se në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë nuk do të ketë vaksinime kundër COVID-19 gjatë ditëve të fundjavës dhe në ditët në vijim, meqë dozat e parapara për vaksinim në këtë qendër të vaksinimit, janë dhënë që të gjitha.
“Vaksinimi në këtë qendër do të fillojë kur të arrijnë doza të tjera, derisa në ato komuna (QKMF) ku ka ende doza të pa administruara, vaksinimi do të vazhdojë ditët në vijim, deri në dhënien e të gjitha dozave në dispozicion”, thuhet në njoftimin e MSH-së, përcjell KultPlus.
Deri tani, me dozën e parë të vaksinës AstraZeneca janë vaksinuar 22.096 persona nga 24.000 dozat e para të marra përmes mekanizimit COVAX në Kosovë. / KultPlus.com
Aktivistja adoleshente në mbrojtje të klimës, Greta Thunberg, duke denoncuar “tragjedinë” e pabarazisë së vaksinave, ka vendosur të dhurojë 100 mijë euro për programin Covax.
Thunberg i ka kërkuar Fondacionit që mban emrin e saj të kryejë transferimin e parave që do të mbështesin blerjen e vaksinave për popullatat më të rrezikuara dhe punonjësit shëndetësorë për disa nga vendet më të varfra të botës.
“Rreth një në katër njerëz në vendet me të ardhura të larta kanë marrë tashmë vaksinën. Vetëm një në 500 njerëz e kanë marrë atë në vendet e varfra,” shkroi Greta në Twitter.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë për të përballuar tragjedinë që është pabarazia në shpërndarjen e vaksinave. Ne kemi mjetet në dispozicion për të korrigjuar ç’ekuilibrin e madh që ekziston në botë sot, në luftën kundër Covid-19. Ashtu si me krizën klimatike, së pari duhet të ndihmojmë më shumë ata që nuk kanë mundësi. Duke e konsideruar Covax rrugën më të mirë për të siguruar barazinë e vërtetë në shpërndarjen e vaksinave dhe rrugëdaljen nga pandemia”, ka përfunduar ajo. / KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti, në ceremoninë e mbajtur në nder të arritjes së kontigjencës së parë të 24 mijë vaksinave “Astra Zeneca” në Kosovë të sjella nga Aleanca Gavi COVAX, ka deklaruar se duhet të ndërmerren masa të shpejta për parandalim të të infektuarve.
“Masat tona duhet të jenë të shpejta e të drejta që të parandalojnë numrin e infektimeve. Vaksinimi duhet të fillojë menjëherë dhe pa asnjë vonesë. Qeveria jonë, që ju keni zgjedhë, po punon ditë e natë dhe po bën të pamundurën që të sigurojë sa më shumë vaksina”, ka deklaruar ai.
Ai ka shprehur falënderim ndaj SHBA’së dhe BE’së për kontigjentin e siguruar të vaksinave “Astra Zeneca”, teksa ka thënë se Kosovës i duhet solidaritet nga të gjithë.
“Prandaj, më lejoni të falënderoj aleancën COVAX dhe të gjithë ata që po dhurojnë në këtë aleancë për një proces të barabartë të vaksinimit. Vendi ynë është i vogël edhe i varfër, andaj ka nevojë për solidaritet nga të gjithë, sidomos nga SHBA dhe BE, të cilët janë donatorët kryesor të aleancës COVAX”, ka thënë tutje i pari i ekzekutivit./express/ KultPlus.com
Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropë, Hans Kluge, ka konfirmuar se nesër do të vijnë vaksinat e para kundër Covid-19 në Kosovë.
Kluge përmes një cicërime në twitter ka konfirmuar shkurt se nesër do të vijnë vaksinat e parë në Kosovë.
Drejtori u pyet se kur do të vijnë vaksinat në Kosovë, derisa përgjigja e tij ishte e shkurtë dhe e qartë “Nesër”.
Kosova është vendi i vetëm në Evropë që deri tash nuk ka pasur vaksina, rrjedhimisht qytetarët kosovarë nuk janë vaksinuar./express/KultPlus.com