Në mëngjesin e sotëm, nxënëset e shkollës Model “Qamil Batalli” në Prishtinë, filluan vaksinimin me vaksinën Human Papilloma Virus (HPV).
Vaksina HPV ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shëndetin e vajzave, duke ofruar një mbrojtje efektive kundër kancerit të qafës së mitrës; një sëmundje që po shfaq një rritje shqetësuese në numrin e rasteve. Fillimi i vaksinimit në moshën 11 vjeçare për vajzat është zgjedhur për shkak të efektivitetit të saj të lartë në këtë fazë, duke mbrojtur deri në 99% të grave nga ky rrezik në të ardhmen.
Jehona Lushaku-Sadriu, nënkryetare e Prishtinës, tha se bashkë me Drejtorin e Shëndetësisë, Izet Sadiku, shkuan për të inkurajuar vajzat dhe “për të shënuar këtë datë të rëndësishme”.
“Ky lajm pozitiv për vaksinimin është i rëndësishëm për të gjitha vajzat, duke ofruar mbrojtje të duhur për t’i parandaluar këto sëmundje”, tha Lushaku-Sadriu./KlanKosova/ KultPlus.com
Komiteti për imunizim kundër COVID-19 i Ministrisë së Shëndetësisë informon qytetarët se gjatë ditës së nesërme, në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës do të aktivizohet një pikë e re e vaksinimit kundër COVID-19, me qëllim të ofrimit të sa më shumë mundësive për qytetarët për marrjen e vaksinës.
Me rastin e fillimit të vaksinimit në këtë pikë shtesë, të pranishëm do të jenë Ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi, kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama si dhe përfaqësues nga UNICEF-i, USAID-i dhe kontribuues të tjerë në procesin e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë.
Hapja zyrtare e kësaj pike të vaksinimit do të bëhet të enjten (10 shkurt 2022) në ora 12:30 në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Vaksinimi kundër COVID-19 në Prishtinë, përveç në QMF-7 në lagjen Kalabria (ish-Emshir), në Qendrën Tregtare “Albi Mall” dhe në sheshin “Zahir Pajaziti”, së shpejti do të fillojë edhe në një pikë tjetër të re në Kodrën e Trimave në Prishtinë (QMF-2).
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë çdo mundësi dhe të vaksinohen kundër COVID-19. /KultPlus.com
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka bërë të ditur se Drejtoria e Shëndetësisë në këtë komunë ka marrë vendim që duke filluar nga 12 janari, të zgjatet orari i vaksinimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare VII në lagjen Emshir.
Sipas kësaj qendre, vaksinimi nga e hëna deri të premten do të bëhet nga ora 07:00 deri në orën 19:00, ndërsa gjatë vikendit nga ora 07:00 deri në orën 15:00.
Njoftimi i plotë:
NJOFTIM
Të nderuar qytetarê,
Duke ju falenderuar për përpjekjet tuaja për ruajtjen e imunitetit dhe rritjen e kërkesave për vaksinim me vaksinën kundër Covid-19, me qëllim që pritjet e juaja të jenë sa më të shkurta dhe shërbimet më cilësore, Kujdesi Parësor Shëndetësor- Drejtoria e Shëndetësisë-Komuna e Prishtines në koordinim me Komitetin për Vaksinim dhe Sekretarin e Përgjithshëm në MSH kemi vendosur që duke filluar nga dita e mërkurë me dt. 12.01.2022 të zgjasim orarin e vaksinimit në QMF Vll nê Kalabri-Emshir si vijon:
Autoritet në Nju Jork po u bëjnë thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët pasi ka patur një rritje të fëmijëve të prekur me koronavirus të cilët po shtrohen në spital. Numri i tyre është katërfishuar që nga fillimi i dhjetorit. Ndonëse niveli i vaksinimit mes të rriturve është i lartë në Nju Jork, ai i fëmijëve është shumë i ulët.
Zyrtarët e Departamentit të Shëndetësisë në Nju Jork thanë se rritja së fundmi me katërfish e shtrimeve në spital të fëmijëve, e cila nisi prej 5 dhjetorit, ishte e përqendruar në qytetin e Nju Jorkut dhe zonat përreth, ku varianti tejet ngjitës Omicron po përhapet me shpejtësi.
Komisionerja në detyrë e shtetit për Çështje të Shëndetësisë, Doktoreshë Mary T. Bassett tha të hënën se niveli i vaksinimit tek fëmijët vazhdon të jetë shumë i ulët në të gjithë shtetin. Një situatë që siç tha ajo, duhet të ndryshojë.
“Të dhënat e njoftuara të premten nuk kishin qëllim të tregojnë se ka një epidemi infeksionesh në mesin e fëmijëve, por të motivojnë pediatrit dhe familjet që të nxisin vaksinimin në mesin e tyre. Shumë njerëz kanë menduar dhe vijojnë të mendojnë se fëmijët nuk infektohen me COVID. Kjo nuk është e vërtetë. Fëmijët infektohen dhe disa prej tyre shtrohen në spital“, tha ajo.
Zonja Basset tha se prindërit duhet t’i mbrojnë fëmijët që janë 5 vjeç e lart duke i vaksinuar plotësisht, ndërsa ata më të vegjël, duke u siguruar që të gjithë personat rreth tyre të jenë vaksinuar, e të marrin masa të tjera mbrojtëse, përfshirë vendosjen e maskave, shmangien e turmave të njerëzve e testimin.
Duke përforcuar mesazhin e zonjës Bassett, Guvernatorja Kathy Hochul u kërkoi njujorkezëve të përdorin periudhën e festave, kohë kur fëmijët nuk janë në shkollë, për t’i imunizuar ata. Ajo garantoi se shteti është më i përgatitur për t’u përballuar me një rritje të rasteve, sesa ishte një vit më parë.
“Ne po inkurajojmë Administratës Amerikane të Ushqimit e Barnave të japë miratimin që edhe fëmijët nën moshën pesë vjeç të vaksinohen, padyshim me një dozë më të ulët, pasi ne duan t’i mbrojnë fëmijët. Por aktualisht mënyra se si mund t’i mbrojmë ata, është që vëllezërit e motrat më të mëdhenj të vaksinohen”.
Javën e kaluar u njoftua vendimi për një reduktim të periudhës së karantinës për punonjësit e kujdesit shëndetësor që infektohen me koronavirus. Bëhet fjalë për ata persona të vaksinuar që nuk shfaqin simptoma, të cilët mund të kthehen në punë pas 5 ditësh dhe jo 10 sa parashikohet për pjesën tjetër të popullsisë. Zyrtarët e shtetësisë thonë se po përpiqen të shmangnin mungesat në personel mjekësor në një periudhë të vështirë, me synimin për të mbajtur nën kontroll përhapjen e virusit./ VOA / KultPlus.com
IKSHP-ja në një reagim të publikuar në faqen zyrtare në “facebook” ka bërë thirrje për respektimin e masave anti-covid, meqë shfaqja e variantit të ri të SARS CoV-2 Omicron (B.1.1.529) e rrezikon edhe Kosovën.
Nga IKSHP thonë se situata pandemike në vend mbetet stabile, megjithatë përmendin faktin se në botë dhe rajon gjendja është përkeqësuar javëve të fundit dhe se duhet respektuar masat anti-covid dhe duhet vaksinuar.
Reagimi i plotë:
Të nderuar qytetarë!
IKSHPK është duke e përcjellur në vazhdimësi situatën epidemiologjike në vend, në rajon dhe në botë.
Situata epidemiologjike në Kosovë aktualisht është stabile, por në rajon, Evropë dhe botë është rënduar javët e fundit me shfaqjen e variantit të ri të virusit SARS CoV-2 Omicron (B.1.1.529) i cili është raportuar tashmë në shumë shtete të botës dhe rrezikon përhapjen e këtij varianti edhe në Republikën e Kosovës.
Ne jemi duke vazhduar pandërprerë me gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik.
Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja, dhe kjo do të mund të paraqesë mbingarkesë të re për sistemin shëndetësor dhe për profesionistët shëndetësor.
Andaj, IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, për respektimin e të gjitha masave sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.
Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19.
Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës.Prej sot Ministria e Shëndetësisë ka filluar vaksinimin me dozën pērforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare.
Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë.
Doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues. Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë.
Duke u vaksinuar vetë, ju mbroni veten, mbroni edhe njerëzit për rreth jush, në rend të parë familjen.
Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin.
Të gjithë pa dallim dhe domosdoshmërisht duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësor!
Prandaj, në vazhdimësi vlen për secilin person dhe më tej vazhdojmë të bëjmë thirrje:
Shifrat e infeksionit të variantit të ri të coronavirusit Omicron po rriten në Afrikën e Jugut dhe po përhapet gjithnjë e më shumë tek të moshuarit, raportoi ministri i Shëndetësisë Joe Phaahla.
Në rajonin më të prekur në vend – në provincën Gauteng, e cila përfshin Johannesburgun dhe Pretorian, numri i rasteve u rrit me 400 për qind nga java në javë, njoftoi Phaahla.
Testet treguan se rreth 70 për qind të rasteve i përkisnin variantit Omicron.
Sidoqoftë, shifrat duket se konfirmojnë studimet fillestare të simptomave relativisht të buta dhe shtrimet më të shkurtra në spitale, sipas shkencëtares Glenda Grey dhe koleges së saj Michelle Groome nga Instituti Kombëtar për Sëmundjet Transmetuese.
Hulumtimi nga profesori i Afrikës së Jugut, Alex Sigal tregoi gjithashtu se ndërsa Omicron redukton mbrojtjen ndaj vaksinës, ai ofron ende një mbrojtje deri në 70 për qind, në varësi të numrit të antitrupave të zhvilluar.
Sigal tha se nuk shihte asnjë arsye për të besuar se vaksinimi nuk mbron nga infeksioni i rëndë Omicron. / KultPlus.com
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se interesimi i nxënësve të gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë, për t’u vaksinuar kundër COVID-19, ka qenë i madh sot.
Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, ka nisur sot vaksinimi përmes ekipeve mobile në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ku të pranishëm ishin edhe zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha – Bunjaku dhe sekretari i përgjithshëm i MSh-së, Naim Bardiqi.
“Shkolla është vendi ku çdo i ri takohet me dijen dhe me shkencën. U bëj thirrje gjithë nxënësve të shkollave të përfitojnë nga ekipet tona e të vaksinohen, sepse nxënësit janë e ardhmja e shoqërisë”, tha sot zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku.
Me këtë rast, zëvendësministrja Gexha Bunjaku dhe Sekretari Bardiqi, në cilësinë edhe të prindërve, përcollën nga afër edhe vaksinimin e fëmijëve të tyre.
Zëvendësministrja Gexha-Bunjaku dhe Sekretari Bardiqi, sipas MSH’së thanë se përmes shembullit personal duan t’i sigurojnë dhe inkurajojnë prindërit për vaksinimin e fëmijëve të tyre si rrugën më të mirë për t’i mbrojtur ata dhe për të siguruar mbajtjen e shkollave hapur.
“Shkolla është vendi ku çdo i ri takohet me dijen dhe me shkencën. Një nga zbulimet më të rëndësishme shkencore në dy shekujt e fundit ka qenë vaksina. Pa vaksina, shumë sëmundje nuk do të kaloheshin kaq lehtë sot. Edhe gripi dikur ka qenë një pandemi vdekjeprurëse në gjithë botën, të cilën njerëzimi e mposhti vetëm përmes vaksinave, dhe sot gripi konsiderohet ndër sëmundjet e lehta e të zakonshme”, tha Ministrja Gexha.
Ajo theksoi se Qeveria e Kosovës e Ministria e Shëndetësisë kanë siguruar vaksinat më cilësore në tregun botëror, pa pagesë, derisa u shpreh se tashmë këto vaksina administrohen pa termin, kudo, pavarësisht vendbanimit apo shtetësisë.
Zëvendësministrja Gexha u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen për ta fituar betejën kundër COVID-19.
“U bëj thirrje gjithë nxënësve të shkollave të përfitojnë nga ekipet tona e të vaksinohen, sepse nxënësit janë e ardhmja e shoqërisë. Rastësi, në këtë shkollë ndjekë mësimet edhe bija ime e madhe, e cila u vaksinua sot bashkë me shoqet e shokët e saj. Me këtë rast shpreh një falënderim e mirënjohje për administratën e shkollës për organizimin dhe profesionistët shëndetësor që janë në krye të detyrës”, tha Zëvendësministrja Gexha.
“Procesi i vaksinimit me ekipe mobile në shkolla do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, ndërkohë që u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve të moshës mbi 12 vjeçe që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e krijuara për t’u vaksinuar kundër COVID-19, duke qenë që nuk kanë nevojë për terminë, dhe mund të vaksinohen kudo në Kosovë”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë. / KultPlus.com
Ministria e Shëndetësisë përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka thënë se për 6 muaj Kosova i ka tejkaluar pothuajse të gjitha shtetet e Evropës Juglindore sa i përket vaksinimit të popullsisë, transmeton KultPlus.
Kjo sipas MSH-së është bërë falë angazhimit të punëtorëve shëndetësorë e qytetarëve.
Nga kjo ministri kanë publikuar një video me grafika për të treguar progresin që ka shënuar Kosova gjatë 6 muajve.
Me këtë rast, MSH u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.
“Falë angazhimit të pashoq të mjekëve dhe infermierëve tanë në luftën kundër pandemisë dhe falë besimit të qytetarëve, vendi ynë për 6 muaj i ka tejkaluar pothuajse të gjitha shtetet e Europës Juglindore me përqindje të popullatës së vaksinuar”, është thënë nga kjo ministri. / KultPlus.com
Tridhjetë e nëntë shkolla janë duke e organizuar mësimin në skenarin e rikthimit dhe 22 në grupe.
Kështu ka thënë zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Bërdyna në konferencën e rregullt, duke u bazuar në të dhënat e Inspektorit të Arsimit në Prishtinë.
Ajo është pyetur në lidhje me organizimet që janë duke u bërë në shkollat, ku do të organizohet procesi zgjedhor më 17 tetor.
“Planifikimi do të bëhet me institucionet e linjës. Për momentin nuk kemi një vendim rreth kësaj”, ka thënë ajo.
Maloku-Bërdyna u bëri thirrje nxënësve dhe mësimdhënësve që të respektojnë masat në fuqi.
“Për të vijuar me këtë skenar, ju bëjmë thirrje nxënësve dhe mësimdhënësve që të respektojnë të gjitha masat anti-COVID”, ka thënë ajo.
Më tej, ajo ka folur edhe për shpërndarjen e teksteve shkollore.
“Për klasat 3 dhe 8, këtë vit janë tekstet e reja. Ekipet e MASHTI-të sot kanë dalur në terren për të parë se si po shkon procesi i shpërndarjes së teksteve shkollore. Mbi 90 përqind e mësimdhënësve dhe stafit tjetër janë të vaksinuar”, ka shtuar ajo. / KultPlus.com
Deri më sot, me dy doza të vaksinës janë vaksinuar mbi 500 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës.
Kështu kanë njoftuar nga Qeveria e Kosovës teksa thonë se vetëm gjatë muajit shtator janë rezervuar mbi 400 mijë termine për vaksinim.
Njoftimi i plotë:
Deri më sot, me dy doza të vaksinës janë vaksinuar mbi 500 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës.
Kosova, që procesin vaksinimit e ka filluar e fundit në rajon, falë vaksinimit masiv, sidomos gjatë muajve gusht dhe shtator, tani ka lënë prapa katër shtete të Ballkanit Perëndimor, për nga përqindja e banorëve të vaksinuar. Vetëm gjatë muajit shtator janë rezervuar mbi 400 mijë termine për vaksinim.
Për këtë, meritë kanë ekipet e vaksinimit, ekipet menaxhuese, komiteti i imunizimit dhe qytetarët e Republikës që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjeve tona dhe të ekspertëve shëndetësorë.
Vaksinimi po vazhdon. Çdo ditë të javës, përfshirë fundjavët. Andaj caktoni terminin tuaj, për veten dhe familjarët tuaj.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se udhëtarët e vaksinuar nga 26 vendet e zonës Shengen, Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar, do të lejoheshin të hynin në tokën amerikane në fillim të muajit Nëntor. SHBA do të lejojë hyrjen për ata shtetas evropiane që janë vaksinuar me një nga vaksinat të cilat janë miratuar nga agjencia federale amerikane e Ushqimit dhe Barnave të cilat janë Moderna, Pfizer dhe Janssen e kompanisë “Johnson & Johnson”.
Agjencia Evropiane e Barnave ka miratuar të tre këto vaksina, si dhe vaksinën Astra Zeneca.
Kjo është arsyeja pse shumë udhëtarë shqetësohen se vaksina Astra Zeneca, me të cilën shumica e britanikëve dhe 70 milionë shtetas të BE’së janë vaksinuar, mund të mos pranohet për udhëtime në SHBA kur të hiqet ndalimi i udhëtimeve.
Pavarësisht kësaj, burime jo zyrtare nga FDA u kanë konfirmuar mediave amerikane se person i vaksinuar do të konsiderohet çdo person që është vaksinuar plotësisht me një vaksinë të miratuar nga FDA ose Organizata Botërore e Shëndetit. Nese kjo ndodh lista e vaksinave shtohet edhe me vaksinat kineze Sinopharm dhe Sinovac.
Komisioni i BE’së dhe organizatat ndërkombëtare të udhëtimit prej muajsh kanë bërë thirrje për heqjen e ndalimit të hyrjes për në SHBA, masë që është në fuqi për rreth një vit e gjysmë. Brenda BE-së, Portugalia tani është vendi me shkallën më të lartë të vaksinimit. Rreth 84% e popullsisë prej 10.3 milionë banorëve në këtë vend tani është plotësisht e vaksinuar.
Qëllimi i Portugalisë për të vaksinuar me dy doza 85% të popullsisë së saj tani është i arritshëm dhe vendi pritet të lehtësojë disa nga masat e vendosura për të frenuar përhapjen e sëmundjes. / KultPlus.com
Në mesin e vendimeve të reja të ndërmarra për parandalimin e transmetimit të koronavirusit, Qeveria e Kosovës e ka bërë obligative për klientët dhe stafin e qendrave tregtare të posedojnë vërtetim të vaksinimit ose testit negativ.Një vendim i njëjtë është marrë edhe për “Call Center”.
“Nga data 27 shtator 2021, klientët dhe stafi në qendra tregtare dhe qendra të thirrjeve (call center) duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt”, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Rrjedhimisht, qytetarët që ia mësyjnë qendrave tregtare dhe qendrave të thirrjeve duhet të kenë me vete njërën nga dokumentet në vijim: certifikatën e vaksinimit të marrjes së një doze të plotë, ose vetëm të parën; testi PCR negativ jo më i vjetër se 72 orë; test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë dhe dëshmi se dikush ka kaluar koronavirusin.
“Në qendrat tregtare dhe qendrat e thirrjeve (call center) është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4”, thuhet tutje në kategorinë e qendrave tregtare dhe operatorëve të tjerë ekonomik.
Përgjatë ditës, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka prezantuar të gjitha masat e reja që pritet të hyjnë në fuqi nga nesër. Vitia përmes një konference për media tha se këto masa mund të ndryshojnë edhe gjatë kohës sa janë në fuqi, varësisht nga situata në terren.
“Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor pezullohet deri me datë 26 shtator 2021. Ky pezullim vlen edhe për aktivitetin mësimor me prezencë fizike në institucionet publike dhe private të arsimit universitar.Për familjet me fëmijë të regjistruar në institucione parashkollore dhe me dy prindër të punësuar (ose qe ka vetëm një prind dhe ai prind është i punësuar), njëri prind lirohet nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë gjatë periudhës 13 – 26 shtator 2021 “, ka njoftuar ai.
Tutje drejtuesi i dikasterit të Shëndetësisë bëri me dije se nuk do të hiqet ora policore dhe se kufizimi i qytetarëve do të vazhdojë nga ora 22 deri në ora 5.
“Studentët për regjistrim në konvikt duhet të paraqesin testin ose kartelën e vaksinës. Institucionet publike dhe private deri më 26 shtator obligohen që në punë të paraqitet vetëm stafi esencial. Kufizimi i qytetarëve vazhdon nga ora 22 deri në ora 5. Biblotekat lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 30 përqind të hapsirës”, shtoi Vitia. / KultPlus.com
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të shtohet numri i Qendrave të Vaksinimit në mënyrë që të shpërndahet fluksi në Qendrën e Vaksinimit në sallën “1 Tetori”, por edhe që të lehtësohet qasja e qytetarëve në qendra të tjera më të afërta për qytetarë.
Në një komunikatë për media, KMDLNJ bën thirrje që në këtë kohë të pranohen edhe qytetarët, të cilët mund të mos kenë bërë terminin online për vaksinim.
“Duhet të kemi parasysh që ka një numër të caktuar të qytetarëve të Kosovës të cilët nuk kanë qasje në përdorimin e internetit apo pajisjeve të ngjashme, por edhe një pjesë të cilët kur mund ta kenë të caktuar terminin mund të mos e kenë mundësinë për të shkuar në qendër të vaksinimit për shkak të angazhimit në punë, e veçanërisht në sektorin privat”, thuhet në komunikatë.
KMDLNJ kërkon që në këtë kohë të mos jetë kriter i domosdoshëm termini për vaksinim, por të vaksinohen të gjithë qytetarët të cilët paraqiten në qendrat e vaksinimit.
Në këto kohë kur në Kosovë, por edhe gjithë botën është përhapur valë e re e infektimit me virusin Covid 19 po bëhet thirrje për vaksinim masiv të qytetarëve.
Komunikata e plotë:
KMDLNj vlerëson lartë organizimin dhe korrektësinë në Qendrat e Vaksinimit në gjithë vendin, duke përfshirë një rregull të paparë si në orientimin e qytetarëve në këto Qendra për procedurat por edhe shpejtësinë në procedimin e të gjithë procesit të vaksinimit. Është për t’u vlerësuar që qytetarëve nuk u bije që të presin kohë të gjatë në këto qendra dhe por edhe që janë shtuar numri i kabinave ku po bëhet injektimi i vaksinave. Gjithashtu, është angazhuar një numër i madh i stafit shëndetësorë por edhe i aktivistëve të Kryqit të Kuq të Kosovës për procedim të shpejtë të qytetarëve. E gjithë procesi por edhe siguria po garantohet nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
KMDLNj i bënë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të shtohet numri i Qendrave të Vaksinimit në mënyrë që të shpërndahet fluksi në Qendrën e Vaksinimit në Sallën 1 Tetori, por edhe që të lehtësohet qasja e qytetarëve në qendra të tjera më të afërta për qytetarë.
Gjithashtu, KMDLNj bënë thirrje që në këtë kohë të pranohen edhe qytetarët të cilët mund të mos kenë bërë terminin online për vaksinim. Duhet të kemi parasysh që ka një numër të caktuar të qytetarëve të Kosovës të cilët nuk kanë qasje në përdorimin e internetit apo pajisjeve të ngjashme, por edhe një pjesë të cilët kur mund ta kenë të caktuar terminin mund të mos e kenë mundësinë për të shkuar në Qendër të Vaksinimit për shkak të angzhimit në punë, e veçanërisht në sektorin privat.
Prandaj, KMDLNj kërkon që në këtë kohë të mos jetë kriter i domosdoshëm termini për vaksinim, por të vaksinohen të gjithë qytetarët të cilët paraqiten në Qendrat e Vaksinimit./KultPlus.com
Rradhë kilometrike për të hyrë në Kosovë, qindra automjete të Kosovës dhe të Shqipërisë po presin në rrugën e kombit për të hyrë në Kosovë.
Rradha është e gjatë deri në fshatin Morinë, kjo për shkak të masave anticovid që po zbaton pala kosovare në pikën e kalimit kufitar Vermicë por edhe të kthimit të kosovarëve nga pushimet në bregdetin shqiptar, mjetet po presin prej disa orësh për të hyrë në Kosovë.
Kjo situatë është prej 31 gushtit kur pala kosovare po kërkon test PCR ose certifikatë vaksinimi, ndërkohë që pranë pikës së kalimit kufitar është vendosur një laborator për test të shpejtë me 25 euro. / KultPlus.com
Gazeta e njohur zvicerane “Blick” në faqen e saj të parë në gazetën e shtypur shkroi edhe disa fjalë shqip.
Arsyeja është thirrja për vaksinimin e komunitetit shqiptar që jeton në Zvicër, për të cilin po raporton se ndikoi në rritjen e numrit të infeksioneve me COVID-19. “Ju lutem vaksinohuni!”, iu drejtua gazeta shqiptarëve. Numri i pacientëve të shtrirë në spital në Zvicër është rritur me shpejtësi kohëve të fundit, sipas Patrick Mathys, menaxher i krizave në Zyrën Federale të Shëndetit Publik.
Në një konferencë për media ai ka thënë se numri i pacientëve më koronavirus në spital ishte 30 herë më shumë që nga korriku. Sipas statistikave, të mërkurën mbi 26 përqind e të gjithë shtretërve të kujdesit intensiv ishin zënë nga pacientët me COVID-19, të cilët janë dukshëm më të rinj në moshë krahasuar me valën e parë. Spitalet janë të shqetësuar sidomos për udhëtarët që po kthehen nga pushimet. Javën e kaluar, zëdhënësi i spitalit të kantonit St. Gallen tha për Blick se shumica e pacientëve nuk janë të vaksinuar dhe janë të kthyer nga pushimet.
Sipas statistikave, më shumë se një e treta e të shtruarve në spital kanë treguar se për pushime kanë qëndruar në një vend të Europës Juglindore në kohën kur e kanë marrë infeksionin, kryesisht në Kosovë ose Maqedoninë e Veriut.
Lars Haefner, kryetar i Shoqatës Zvicër-Shqipëri, nuk është shumë i befasuar për këtë.
“Numri i infeksioneve është shumë më i madh në Kosovë, për shembull. Fatkeqësisht, rregullat e higjienës dhe distancës nuk respektohen rreptësisht atje”, ka thënë ai për Blick.
Gazeta zvicerane duke cituar të dhënat e OBSH-së thotë se në vendet ballkanike përqindja e të vaksinuarve është shumë më e ulët dhe se mungon gatishmëria nga qytetarët.
Sipas Haefner, shqiptarët derisa ishin në pushime nuk lexuan mediat e Zvicrës dhe e patën të vështirë të dinin për procesin e vaksinimit në Zvicër. Ai gjithashtu tha se shtypi shqiptar bën thirrje për vaksinim, por zor që ndihmon në ata të Zvicrës. / KultPlus.com
Shefi i Pfizer, Albert Bourla ka deklaruar se bota mund të përballet me një situatë të rëndë nëse nuk vaksinohet një numër i madh i popullsisë, përcjell KultPlus.
I pyetur nga “The Financial Times” se kur mendon ai se do të marrë fund pandemia, ai është shprehur se për botën e zhvilluar shpreson që një gjë e tillë do të ndodh para fundit të këtij viti.
Megjithse, këtu ai është shprehur se e vetmja e panjohur është nëse shtetet nuk ia dalin të vaksinojnë një numër të mjaftueshëm të qytetarëve.
“Për botën e zhvilluar . . . do të ndërrojë, shpresoj, para fundit të këtij viti. E vetmja e panjohur është nëse ata nuk ia dalin të vaksinojnë numër të mjaftueshëm të qytetarëve, jo për shkak se nuk ka vaksina, por për shkak të hezitimit. Mund të përballemi me situatë të keqe nëse njerëzit nuk vaksinohen”, ka thënë ai.
E profesori universitar Muhamet Hamiti, derisa ka publikuar deklaratën e shefit të Pfizer ka thënë se Kosova do të mund të bëhej pjesë e botës së zhvilluar në aspekt të përballjes me virusin nëse Qeveria e organizon më mirë sistemin shëndetësor e qytetarët e marrin vaksinën.
Ai ka thënë se shkenca e ka bërë punën e vet, ndërsa tani gjithçka mbetet në dorën e Qeverisë dhe qytetarëve.
“Kosova do të mund të bëhej pjesë e botës së zhvilluar në aspekt të përballjes me virusin po qe se Qeveria e organizon më mirë sistemin tonë shëndetësor dhe qytetarët tanë e marrin vaksinën, mbasi numri i vaksinave të kontraktuara deri tani (me Pfizerin) – 1.2 milionë – e mundëson këtë, do të thoshim ne. Në rastin tonë, si gjetiu, është në dorën e Qeverisë dhe të qytetarëve. Shkenca (mjekësia) dhe industria farmaceutike e kanë bërë punën e vet”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social Facebook. /gazetaexpress/ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani ju ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të vaksinohen, nën vazhdën e valës së rritjes së numrit të rasteve të të infektuarve me koronavirus, përcjellë KultPlus.
Ajo me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka përkujtuar rrezikshmërinë e variantit Delta të koronavirusit, derisa e ka cilësuar vaksinimin si “akt patriotik”.
“Vaksina ka mjaftueshëm për të gjithë, ndaj duhet të ndajmë pak minuta nga dita për ta bërë një veprim, i cili në kohën e sotme është më shumë se sa personal”, ka shkruar Osmani.
KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të saj:
Rritja e numrit të të infektuarve me variantin Delta kërkon shtimin maksimal të kujdesit, sepse po s`u vaksinuam të gjithë, të gjithë do të jemi humbës. Secili prej nesh ka përgjegjësi në raport me tjetrin për t`i zvogëluar dhimbjet, e para se gjithash humbjet.
Teksa shqetësimi për variantin e ri të virusit rritet, ne duhet t`i shtojmë përpjekjet për vaksinim. Është akt patriotik që secili prej nesh të vaksinohet sa më parë të jetë e mundshme. Vaksina ka mjaftueshëm për të gjithë, ndaj duhet të ndajmë pak minuta nga dita për ta bërë një veprim, i cili në kohën e sotme është më shumë se sa personal.
Për të mirën e të gjithëve, për sigurinë tonë, për mbarëvajtjen e shtetit tonë, vaksinohuni të gjithë!
Ne duhet dhe mund të ngadhënjejmë ndaj çfarëdo virusi!
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden u ka premtuar qytetarëve amerikanë birrë falas me kusht që të paktën 70% e tyre të vaksinohen kundër COVID-19 me dozën e parë deri më 4 korrik, përcjell KultPlus.
Fabrika e birrës Anheuser-Busch, e cila gjithashtu zotëron fabrikën e birrës Budëeiser, njoftoi se është bashkuar me Shtëpinë e Bardhë me këtë rast.
Sipas njoftimit të tyre, 200,000 amerikanë do të marrin një raund falas me birrë nëse vaksinohen dhe nëse janë 21 vjeç e sipër.
Përveç fabrikës së birrës, aksionit iu bashkua edhe marka e famshme amerikane e ëmbëlsirave Krispy Kreme, e cila gjithashtu do të dhurojë produktet e saj për amerikanët që janë vaksinuar. / KultPlus.com
Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollim e Sëmundjeve kanë rekomanduar gjatë javës së shkuar se personat që janë vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë që të bartin më maska as në ambientet e mbyllura e as në ato të hapura, dhe se mund të mos mbajnë as distancë sociale në shumicën e vendeve. Por kjo gjë ka prodhuar edhe dilema.
Udhëzimet e reja të Qeverisë amerikane lidhur me maskat mbrojtëse kundër koronavirusit për personat e vaksinuar plotësisht i kanë lënë amerikanët të hutuar teksa çështja ka ndikuar edhe që bizneset dhe shtetet federale të mos arrijnë t’i përshtatin masat me rekomandimin.
“Target” dhe “CVS” u bënë kompanitë më të fundit që ua kanë hequr blerësve dhe punëtorëve të tyre domosdoshmërinë për të bartur maska në dyqanet e tyre. Zyrtarët në New York kanë specifikuar se do ta zbatojnë masën që nga kjo javë, përderisa në California është vendosur që të pritet edhe një muaj.
Rreth 123 milionë amerikanë – 37 për qind e gjithë popullsisë – janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, kurse më shumë se 157 milionë të tjerë, apo 47 për qind, e kanë marrë vetëm njërën prej dy dozave të nevojshme për imunizim.
Cila është këshilla e re?
Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollim e Sëmundjeve kanë rekomanduar gjatë javës së shkuar se personat që janë vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë që të bartin më maska as në ambientet e mbyllura e as në ato të hapura, dhe se mund të mos mbajnë as distancë sociale në shumicën e vendeve.
Vaksinimi i plotë arrihet dy javë pas administrimit të dozës së dytë të ndonjërës prej vaksinave të aprovuara kundër COVID-19, “Pfizer” apo “Moderna”, apo dy javë pas dozës së parë të vaksinës njëdozëshe “Johnson & Johnson”.
“Nëse jeni vaksinuar, po themi se jeni të sigurt, mund ta hiqni maskën dhe nuk jeni në rrezik për t’u sëmurë rëndë apo për t’u hospitalizuar për shkak të COVID-19”, ka thënë drejtoresha e CDC-së, Rochelle Walensky në “Fox News Sunday”. “Nëse nuk jeni të vaksinuar, nuk jeni të sigurt. Ju lutemi që të shkoni e të vaksinoheni ose të vazhdoni me bartjen e maskës”.
A ka përjashtime?
Po. CDC-ja ka specifikuar se të gjithë – të vaksinuarit dhe të jovaksinuarit – duhet që të vazhdojnë të bartin maska në vende të caktuara. Maskat ende janë të obligueshme në mjetet e transportit publik – autobusët, trena dhe aeroplanë – dhe në hapësirat e tjera, si në spitale, burgje dhe në vendet për të pastrehët.
Disa shtete, biznese dhe dyqane po e heqin tanimë masën e vendosjes së maskës për personat plotësisht të vaksinuar, për shkak të ndryshimeve të bëra nga CDC-ja, kurse të tjerët jo. California ka vendosur që të presë deri muajin e ardhshëm për t’u dhënë kohë bizneseve dhe publikut për përgatitje.
Pse është bërë ky ndryshim?
Drejtoresha e CDC-së ka thënë se udhëzimet e reja shkencore të javëve të fundit e kanë mbështetur heqjen e masave për bartje të maskave dhe mbajtje të distancës sociale. Ajo ka shtuar se tanimë ka prova të reja që vaksinat kundër COVID-19 funksionojnë vërtet, se janë efektive kundër varianteve të virusit dhe e parandalojnë shpërndarjen e tij.
Kur ka njoftuar për këshillat e reja, ajo i ka theksuar rënien e infektimeve në SHBA, shpërndarjen e gjerë të vaksinave dhe fillimin e vaksinimit të personave mbi 12-vjeçar.
“Dua të specifikoj qartë se i kemi punuar masat sipas udhëzimeve shkencore”, ka thënë ajo.
Cilat janë vendimet për fëmijët?
Fëmijët, të cilët nuk janë vaksinuar duhet që të bartin maska dhe ta mbajnë distancën. CDC-ja ka rekomanduar se maskat duhet t’i bartin të gjithë fëmijët, duke nisur nga mosha 2-vjeçare. Fjala është për hapësira publike dhe atëherë kur ka njerëz të tjerë në shtëpinë e tyre.
Maskat këshillohen që të barten edhe në shkolla. Kjo gjë nuk do të ndryshojë gjatë këtij viti shkollor dhe “do të punojmë për udhëzime në shkollë për vjeshtë”, ka thënë Walensky.
Ajo ka theksuar se disa fëmijë mund të mos e kuptojnë pse duhet të bartin maska, kur pjesa tjetër e familjes jo.
“Mendoj se ky vendim duhet të merret brenda familjeve”, ka thënë ajo.
Por, a mund të vazhdohet me bartjen e maskës?
Sigurisht që po. Me gjithë udhëzimet e ndryshuara, “nuk ka nevojë që të gjithë t’i heqin maskat menjëherë”, ka thënë Walensky, duke folur së fundi për “NBC News”. “Është vështirë që t’i ndryshojmë shprehitë dhe nuk ka ndonjë ligj që nuk duhet ta mbani maskën më”, ka thënë ajo.
Në përgjithësi, ende nuk ekziston ndonjë sistem që i kontrollon të dhënat e vaksinimit të atyre që nuk bartin maska. Shkollat, bizneset dhe vendet e tjera mund të kërkojnë dëshmi të vaksinimit. Qeveria federale ende nuk ka plane për “pasaportë të vaksinës”.
“Ajo që po kërkojmë nga amerikanët është që të jenë të sinqertë me veten dhe të mos i heqin maskat derisa të jenë të sigurt”, ka thënë Walensky. /ap/ KultPlus.com
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas tollovisë së krijuar te salla 1 Tetori, ku qytetarët e moshës mbi 65 vjet po presin për t’u vaksinuar.
Sipas MSH’së, tollovia është krijuar, meqenëse aty kanë ardhur të vaksinohen edhe qytetarët e komunave të tjera.
“Grumbullimet e krijuara sot para sallës “1 Tetori”, vjen si pasojë se aty kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat e tjera, përkundër njoftimeve të bëra ditëve të kaluara dhe dje se qytetarët do të vaksinohen në komunën e tyre. Qytetarët e komunave të tjera të Republikës së Kosovës luten që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen”, thuhet në njoftimin e MSH’së.
Ministria ka apeluar te qytetarët e komunave të tjera që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre.
“Me që vaksinimi kundër COVID-19 është proces dinamik që do të vijojë deri në vaksinimin e të gjitha kategorive të parapara në Planin e vaksinimit, luten qytetarët që të përcjellin njoftimet e MSh-së dhe t’i shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit përderisa mundësia e vaksinimit do të jetë e hapur çdo ditë në secilën komunë”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë i MSH’së:
Procesi i vaksinimit kundër COVID-19 sot vijon sipas njoftimeve paraprake.
Njoftohen qytetarët që të kenë parasysh se në Prishtinë në sallën “1 Tetori” vaksinohen vetëm qytetarët e Prishtinës në bazë të rekomandimeve konform Planit Shtetëror të vaksinimit.
Grumbullimet e krijuara sot para sallës “1 Tetori”, vjen si pasojë se aty kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat e tjera, përkundër njoftimeve të bëra ditëve të kaluara dhe dje se qytetarët do të vaksinohen në komunën e tyre.
Qytetarët e komunave të tjera të Republikës së Kosovës luten që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen.
Me që vaksinimi kundër COVID-19 është proces dinamik që do të vijojë deri në vaksinimin e të gjitha kategorive të parapara në Planin e vaksinimit, luten qytetarët që të përcjellin njoftimet e MSh-së dhe t’i shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit përderisa mundësia e vaksinimit do të jetë e hapur çdo ditë në secilën komunë. / KultPlus.com
Me ardhjen e 24 mijë dozave të vaksinës Anti-COVID në Kosovë ka filluar vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë.
Shefja e imunizimit në IKSHPK, Edita Haxhiu ka thënë se sot ka filluar procesi i vaksinimit ku po vaksinohen punëtorët shëndetësorë të Klinikës Infektive kurse në sallën “1 Tetori” janë duke u vaksinuar punëtorët e kujdesit primar e vijës së parë të frontit.
Ajo ka thënë se sipas planit shtetëror, janë planifikuar 3 faza të vaksinimit, dhe deri në 70 për qind të popullatës planifikohen të vaksinohen deri në fund të vitit.
Sipas saj, janë 280 persona të cilët do të vaksinojnë në gjithë Kosovën.
“Në sallën ‘1 tetori’ është planifikuar që 760 persona të vaksinohen gjatë ditës, ndërkaq në Klinikën Infektive sot dhe nesër do të vaksinohet stafi”, ka thënë ajo.
Tutje, ajo ka shtuar se nga e enjtja do të fillojë vaksinimi edhe në komunat e tjera të vendit.
“Nga e enjtja fillon vaksinimi edhe në komunat e tjera. Në të gjitha rajonet se pari do të vaksinohen punëtorët shëndetësorë, e pastaj moshat mbi 80 vjet. Secili qytetar do të lajmërohet se kur e ka datën e vaksinimit”, ka deklaruar ajo.
Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se sot është ditë e mbarë dhe se Kosova po i bashkohet vendeve tjerë për vaksinimin e personelit shëndetësor dhe qytetarëve.
Ai ka bërë thirrje që edhe më tutje të respektohen masat anti-COVID, duke bërë thirrje që qytetarët të mos hezitojnë të marrin vaksinën.
“Ne jemi të vetëdijshëm që ky proces do të marrë kohë dhe qytetarët duhet ta kenë durimin. Vaksina është e sigurt dhe qytetarët duhet të ndihen të sigurt ta marrin. Sot kemi mbi 900 pacientë të shtrirë, prej tyre 37 janë në gjendje kritike dhe rreth 700 pacientë me oskigjenoterapi. Do të vaksinohem edhe unë”, tha ajo. / KultPlus.com
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka mbajtur takim virtual me këshillin e kryetarëve të komunave në lidhje me koordinimin dhe procesin e fillimit të vaksinimit antiCOVID-19.
Vitia njoftoi kryetarët e komunave rreth arritjes së kontingjentit të parë të vaksinave në Kosovë, e që të parët që do të vaksinohen janë personeli shëndetësorë dhe personave mbi moshën 80 vjeçare dhe me sëmundje kronike të mëdha.
Vitia ka treguar se vaksinimi do të filloj të martën në Klinikën Infektive dhe në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ndërsa nëpër komuna vaksinimi do të nis të enjten ose të premten e kësaj jave. Kështu thuhet në komunikatën për media të Asociacionit të Komunave.
Gjatë këtij takimi virtual, ministri Vitia ka kërkuar që të ketë një bashkëpunim sa më të mirë rreth menaxhimit me pandeminë COVID-19.
“Ministri Vitia në këtë takim kërkoj që të kenë një bashkëpunim sa më të mirë rreth menaxhimit me pandeminë, ku kërkoi nga komunat që të vazhdojnë të punojnë në respektim të masave të cilat janë fuqi. Ai poashtu tregoi që është duke u bërë një vlerësim i përgjithshëm i situatës epidemiologjike në vend, të cilën janë duke e bërë së bashku me ekspertët shëndetësorë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe për çfarëdo ndryshim të masave që mund të ketë do ta bëjnë në bashkëpunim me Komunat”, thuhet në komunikatën për media.
Në anën tjetër, Kryetarët e Komunave në këtë takim u shprehen të gatshëm që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe koordinimin sa më të mirë me Ministrinë e Shëndetësisë rreth procesit të fillimit të vaksinimit por dhe sfidave të tjera me të cilat janë duke u ballafaquar komunat.
Në këtë takim Kryetarët e Komunave kanë adresuar disa probleme me të cilat janë duke u ballafaquar në komuna e që janë, mungesa e stafit shëndetësor, problemet me furnizim me barna nga listat esenciale si dhe probleme të natyrave të ngjashme të cilat i kërkuan nga ministri që të adresohen sa më parë nga ana e ministrisë.
Në fund të këtij takimi i’u kërkua ministrit Vitia, që të shqyrtohet kërkesa e bërë nga komunat për një sasi të testeve rapide prej 100,000 teste e cila është adresuar nga komunat dhe presim të kemi një përgjigje nga ana e Ministrisë. / ATV / KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka postuar disa fotografi ku shihen pjesëtarë të personelit mjekësor të Kosovës duke u vaksinuar në Kukës kundër COVID-19, shkruan KultPlus.
“Jena1. Vaksinimi i bluzave të bardha të Kosovës në Kukës”, ka shkruar Rama në Facebook.