Dyshohet për të vdekur në Valbonë, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës niset për asistim

Dy turistë të huaj dyshohet se kanë humbur jetën në Luginën e Valbonës.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës, ka konfirmuar për Klankosova.tv, se kjo është arsyeja se pse janë nisur për në Valbonë, gjithashtu edhe për të oftuar ndihmë në aksionin e kërkim-shpëtimit, pasi që dyshohet se ka persona të tjerë të bllokuar.

“Dyshohet se turistët kanë rrëshqitur në një humnerë”, ka thënë njëri prej anëtarëve të këtij shërbimi, derisa ka treguar se nga Kosova është nisur një ekip prej 10 vetash për ta asistuar shërbimin e kërkimit dhe shpëtimit të Shqipërisë./klankosova/KultPlus.com

Alpet ndër destinacionet më të vizituara, mbi 210 mijë turistë në nëntë muaj

Parku Kombëtar Alpet që përfshin lumin e Gashit, Luginën e Valbonës, Thethin, Vermoshin e Bogën është ndër destinacionet më të vizituara gjatë këtij viti në vendin tonë.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër bën të ditur për ATSH-në se “gjatë këtij vitit ka pasur një fluks të lartë vizitorësh në Alpe, ku nga 1 janari deri në 30 shtator u vizitua nga 213 344 turistë, ku numrin më të lartë e zënë të huajt”.

“Konkretisht në këtë periudhë 93 095 ishin turistë vendas dhe 120 249 të huaj si gjermanë, francezë, sllovenë, etj”, tha AdzM Shkodër.

Të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, të përshkuara nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh që të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruar natyrën, me një bimësi të pasur, Alpet shqiptare përfaqësojnë një perlë me vlera unikale për Shqipërinë, madje edhe në botë.

Alpet shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij; kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit, janë të pakta dhe në gjendje të keqe.

Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat./ atsh / KultPlus.com

Valbona nën magjinë e dëborës (FOTO)

Lugina e Valbonës këto ditë të para të 2021, të magjeps me bukurinë e bardhësisë së ofruar nga flokët e dëborës që kanë zbardhur malet e larta dhe pishat.

E kthyer në një oaz çlodhës dhe përkëdhelës për të gjithë, në lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit, në këto ditë dimri Valbona ka pritur vizitorët e parë që  po shijojnë pamjen që ajo ofron.

Ky park kombëtar nuk njeh stinë, pasi vizitorë të shumtë e zgjedhin atë. Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror, por edhe atë të dimrit. Ndërkohë që turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve.

Parku Kombëtar i Valbonës është një kompleksitet bukurish interesante, ashtu siç janë vetë Alpet Shqiptare.

Këtu bukuritë e natyrës marrin formën e majave shkëmbore të larta e imponuese me faqe të veshura me pyje mes të cilave shtrihen e ndihet rrjedha e përrenjve edhe e lumit të Valbonës.

E parë nga lart të ofron imazhin e një krateri gjigand të zbukuruar mrekullisht me të gjitha ngjyrat e natyrës së gjallë. Në hyrje të kufirit lindorë, në afërsi të Shoshanit, të impresionon një peizazh i rrallë për nga bukuria.

Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996. Ky park ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri, qendra e rrethit të Tropojës.

Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur”Lumi i Gashit”. Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbone e Çerem.

Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave dhe duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte. /atsh/ KultPlus.com

“Në 7 vite shkundëm pluhurin e harresës në Tropojë”

Turistët vendas dhe të huaj u mirëpritën këtë sezon turistik në parkun kombëtar të Valbonës  nga Qendra e Zhvillimit të Turizmit.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga zyrë turistike, ndërsa theksoi se në këto 7 vjet kemi shkundur pluhurin e harresës së turpshme të atyre që Tropojën e kanë shfrytëzuar veç për vota.

“Mirëmëngjes dhe me Qendrën e re turistike të Valbonës, pjesë e programit të qendrave mikpritëse të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, e cila ka hapur dyert për turistët që të shijojnë mrekullitë e Tropojës së bukur, ku në këto 7 vjet kemi shkundur pluhurin e harresës së turpshme të atyre që Tropojën e kanë shfrytëzuar veç për vota e luftra absurde politike, ju uroj një të dielë të qetë”, – tha Rama.

Kjo qendër turistike u ndërtua nag Fondi Shqiptar i Zhvillimit me financim të qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës.

Turizmi malor është elementi bazë që mban të gjithë veprimtarinë e zonës. Për turistët e shumtë që vizitojnë Valbonën ka terrene dhe atraksione të reja ende për tu eksploruar, duke nxitur kështu aventurat turistike si dhe iniciativat vendase, për të ofruar kushte dhe shërbime dinjitoze, në prezantimin e zonës.

Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996. Ky park ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri, qendra e rrethit të Tropojës.

Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur”Lumi i Gashit”. Territori i saj përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbonë e Çerem.

Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave dhe duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte.

Parku Kombëtar i Valbonës ka vlera të larta shkencore, turistike, shoqërore kuruese, të cilat pasurohen me një biodiversitet me rëndësi kombëtare dhe më gjerë./ atsh/ KultPlus.com

Paketa më e re turistike në Valbonë, aventurë e pazakontë me helikopter mbi majat e Alpeve

Bukuritë e rralla natyrore të parkut kombëtar të Valbonës, Tropojë, tashmë mund të shijohen me një aventurë të pazakontë.

Me një shëtitje me helikopter për të apasionuarit e alpeve është paketa më e re turistike që ofrohet në Valbonë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet nga magjia që të dhuron Valbona, ndërsa shprehet se kjo zonë falë investimeve në turizëm vetëm në vitin 2019 u vizitua nga mbi 130 mijë turistë.

“Valbonë, Tropojë – Një aventurë e pazakontë ofrohet me helikopter mbi majat e alpeve. Kjo zonë falë investimeve në turizëm vetëm në vitin 2019 u vizitua nga mbi 130 mijë turistë, mes tyre edhe producentë të huaj që kanë zgjedhur Valbonën, panoramë të filmave të tyre”, – thekson Rama.

Në shëtitjen me helikopter, përveç bukurive që ofrohen, të apasionuarit pas skive mund të bëjnë ski në pistat e krijuara në kurrizet e maleve.

Ministri Klosi tha për ERTV se “Valbona është një parajsë e natyrës është një vend që jo vetëm kush e ka vizituar shqiptarë. Jemi në Valbonë për të bërë një bisedë me hotelierët e kësaj zone dhe me ata që posedojnë shërbime akomoduese në këtë zonë për të kryer regjistrimin e të këtyre guest house dhe hoteleve për ti futur ata në një sistem të certifikuar dhe të standardizuar për të qenë së bashku me ta për të dëgjuar problemet shqetësimet”.

“Parimi kryesor është që kjo zonë të mos dëmtohet nga investime të parregullta të cilat e prishin bukurinë e saj. Por po ashtu të shtojmë edhe kapacitetet. Promovojmë edhe një aktivitet shumë interesant turistik , që është një nga bizneset më të kushtueshëm, në botë që ofron mundësinë që nëpërmjet helikopterit të ngjitet në pikat më larta të majave dhe të zbresë me ski. Është mundësi unikale në rajon dhe duan shumë ta promovojnë, Kompania sllovene që e promovon është e kënaqur me destinacionin. Do të jetë një një bum i vërtet në promovimin e Valbonës”,- nënvizoi Klosi.

Një përfaqësuese e kompanisë sllovene tha se “natyra këtu është e mrekullueshme deri tani ne kemi sjellë këtu vetëm kompani të prodhimit të filmave që janë të fokusuar tek industria e skive. Prej dy vitesh ne kemi xhiruar këtu me një skuadër nga Amerika dhe vitin e kaluar me një skuadër nga Zvicra. Këtë vit kemi sjellë me vete disa njerëz nga industria , investitore potencialë.

Sipas saj imazhi flet më shumë se një fjalë, prandaj ne po promovojmë Valbonën përmes filmit, fitback-u që kemi marrë nga miqtë është i mrekullueshëm.

Ministri Klosi tha se “janari i këtij viti ka shënuar 17.8% më shumë sesa janari i 2019. Pra në Shqipëri kanë hyrë 234 mijë shtetas të huaj të cilët janë regjistruar në kufirin shqiptar.
Edhe shkurti ka nisur mbarë , 10 ditëshi i parë i shkurtit ka shënuar mbi 10% rritje krahasuar me shkurtin e vitit 2019. Kam bindjen e plotë se ky sezon do të jetë sezoni më i mirë historik në Shqipëri. Në 2019 kemi pasur një bum të vërtetë investimesh në fushën e turizmit nga hotelierët shqiptarë dhe shpresoj që gjatë gjithë sezonit deri sa të fillojë sezoni turistik të kemi me dhjetëra inaugurime të reja hotelesh në vendin tonë, duke shënuar mbi 200 milionë euro investime të drejtpërdrejta nga biznesmenët shqiptarë dhe të huaj në struktura të tilla”.

E kthyer në një oaz çlodhës dhe përkëdhelës për të gjithë, në lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit, Valbona të magjeps në të gjitha stinët e vitit, por në mënyrë të veçantë në dimër me bukurinë e bardhësisë së saj.

Ky park kombëtar nuk njeh stinë, pasi vizitorë të shumtë e zgjedhin atë. Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror, por edhe atë të dimrit. Ndërkohë që turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve.

Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996. Ky park ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri, qendra e rrethit të Tropojës./k.s/ KultPlus.com

Sulmohen gazetarët që po realizonin dokumentar për ndërtimin e HEC-eve në Valbonë (VIDEO)

Një grup xhirimi i Top Channel është sulmuar nga disa persona në Bajram Curr teksa ishte duke kryer filmime dhe po grumbullonte materiale mbi ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Valbonë nga firma “Gener 2”, e cila nuk e ka pezulluar aktivitetin edhe pse ka një vendim gjykate për ndërprerjen e tyre.

Momentet e agresionit i raporton gazetari Endrit Habilaj: “Grupi po xhironte pranë lumit, ku evidentuam një masakër mjedisore në këtë zonë, ku lumi është jashtëzakonisht i ndotur për shkak të inerteve që po hidhen këto. Pavarësisht se ka një vendim nga Gjykata e Apelit për pezullimin e punimeve, këtu punimet vazhdojnë intensivisht. Në këtë kohë, 3 persona që ishin të paidentifikuar ka nisur të na shajnë dhe ofendojnë. Më pas, u afruan pranë operatorit duke e sulmuar atë së bashku me personin që mbante dronin, ndërsa i merr edhe telefonin. Ishte një konflikt që ka zgjatur më pas një minutë”.

Gazetari thotë se sulmi ka ardhur nga persona të cilët janë të ngarkuar me “securityn” e firmës që po kryen punimet në Valbonë.

“Aktualisht kemi bërë edhe kallëzimin në Prokurori për një nga personat që është identifikuar si Mohamet Gjongeca, i cili është i afërm me ish-drejtorin e policisë së shtetit Erzen Breçani. Njëherësh, ky person punon edhe në “security” te kompania “Gener 2”, thotë gazetari.

Pavarësisht incidentit, grupi i xhirimit i Top Channel do të realizojë dokumentarin mbi ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Valbonë, duke sjellë dëshmi dhe fakte mbi atë që po ndodh në të vërtetë në një nga perlat e natyrës shqiptare.
Ndërkohë, për këtë rast, ka reaguar policia duke ndaluar shtetasin Muhamed Gjongeci. /KultPlus.com

Pse duhet të shkosh në Valbonë këtë verë

Shqipëria është një vend plot surpriza duke mahnitur edhe turistin më skeptik. E gjendur mes maleve dhe detit është një vend ku mund të befasohesh nga kultura dhe nga panoramat e saj natyrore.

Peizazhe shumëngjyrëshe, liqene, male të larta, lumenj, lugina, dete, kjo është panorama që ofron Shqipëria për çdo turist të huaj që dëshiron të eksplorojë një vend të panjohur më parë.

Bukuritë e rralla natyrore vijnë të gërshetuara me trashëgiminë kulturore dhe atë historike të trashëguara brez pas brezi. Të gjitha këto shoqërohen nga tradita mikpritëse e shqiptarëve, një vlerë kjo e njohur tashmë edhe nga bujtësit e huaj.

Për turistët e huaj, por edhe për ata vendas, janë disa zona turistike në Shqipëri, që nuk duhen lënë pa u vizituar.

E tillë është edhe Gryka e Valbonës, që gjendet në veri të vendit, në Tropojë.

Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete me peisazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse.

Lundrimi me tragetin Koman-Fierzë paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Tropojën në të katër stinët.

Pastaj të pret një luginë e bukur që shtrihet mes bjeshkëve të nemuna duke i ndarë malet shkëmborë për të krijuar këtë panoramë kaq të bukur të natyrës shqiptare.

Edhe emri i saj, Valbonë e thotë këtë – Luginë e Bukur… Këtu mund të përjetosh veç bukurive natyrore edhe jehonën e Kreshnikëve, Mujit dhe Halilit… Sipas eposit, Bjeshkët e Nemuna kanë qenë një ndër vendbanimet e tyre, mrizet e zanave.. e plot legjenda të tjera që i dëgjon mes banorëve vendas.

Por, udhëtimi për në Valbonë, në liqenin e Komanit është një ndër udhëtimet më të bukura që mund të bëhet, malet e larta përgjatë bregut, plot gjelbërim e shkrepa të thepisur, mes grykash, një udhëtim si në përralla. Më pas mund të akomodohesh në hanet zonës, shtëpitë e banorëve të vëna në shërbim të turistëve, duke ruajtur traditën dhe duke u shërbyer atyre në mënyrë tradicionale.

Zgjohesh dhe nën rrezet e diellit të mëngjesit të shfaqet përball maja e hekurave, grykët e hapura, Maja e Rodit, Mali i Thatë, të gjithë duken sikur prekin qiellin…

Edhe kthimi është një guidë turistike më vete duke kaluar përmes Gjakovës e Prizrenit, duke vizituar qytetet historike të lidhjes së Prizrenit, pazarin, kalanë etj…dhe në mbrëmje je në Tiranë… Këtë verë kushtoja ca ditë Valbonës së bukur./ KultPlus.com

Shtegu më i bukur i Shqipërisë, mbresat e një turisti nga Thethi në Valbonë

Nëse po mendoni të shkoni ekskursion në Shqipëri nga Thethi në Valbonë, atëherë ky postim është për ju, shkruan wanderlustingk.com.

Unë jam një ekskursionist amator që vendosa të bëj ekskursionin tim të parë ditor kur isha në Shqipëri. E pranoj se ekskursioni nuk eci aq mirë sa do të doja, sepse përfundova duke mbajtur çantën time të madhe të shpinës. Sidoqoftë, jam shumë i gëzuar që vendosa të bëj ekskursion në Shqipëri. Pamja është e mrekullueshme. Ky postim përmban këshilla për ecje më këmbë nga Thethi në Valbonë, çfarë të merrni me vete dhe çfarë të presësh nga shtegu më i famshëm shqiptar i marshimit.

Nuk është e mundur të marshosh nga Thethi në Valbonë gjatë gjithë vitit për shkak se qafa e malit ka akull në dimër – madje as me makinë nuk mund të shkosh nëpër rrugën e rrezikshme për në Theth. Nëse do të ecësh nga Thethi në Valbonë, duhet të shkosh gjatë muajve të verës. Ne shkuam në shtator, por kishim ndjesinë e verës. Nuk kërkuam udhërrëfyes, pasi shtegu ishte i lehtë për t’u ndjekur dhe çdo ekskursionist mund të ecte përpara. Nëse je vetëm, duhet të gjesh bashkudhëtarë të interesuar për udhëtim që në bujtinë përpara se të nisesh për në Theth.

Mirë është të shohësh parashikimin e motit pasi ky marshim është shumë i rrezikshëm në stuhi pasi je duke u ngjitur në malet më të larta në Shqipëri. Mirë është të harxhosh edhe një ditë në rast se moti është i keq.

Nuk ke pse ta bësh vajtjte-ardhje, prandaj është më mirë të planifikosh udhëtimin tënd duke u nisur nga Thethi dhe ecur drejt Valbonës përpara se të vazhdosh më tutje. Itinerari më i zakonshëm është të shkosh në Fierzë me makinë ku të marrësh tragetin përgjatë liqenit të Komanit përpara se të marrësh rrugën për në Shkodër megjithëse në verë nga/për në Valbonë ka edhe autobusë. Mund të marrësh autobusin për në Gjakovë, Kosovë. Nga Valbona mund ta organizosh me lehtësi udhëtimin duke diskutuar plane me pronarët e hoteleve.

Gabimi më i madh që bëra duke ecur në shtegun nga Thethi në Valbonë, dhe që ju këshilloj të mos e përsërisni: Të mbash një çantë 50 kilogramëshe me vete.

Megjithëse kjo mund të mos jetë problem për dikë me më shumë përvojë si marshues, është e nevojshme të mbash çantën e shpinës nga Thethi në Valbonë në qoftë se nuk ke ndër mend të kthehesh në Shkodër pasi të kesh mbaruar ekskursionin. Do t’ju rekomandoja të mbani një çantë të vogël ditore me ca rroba për t’u ndërruar për nja dy ditë-dhe ta përdorësh këtë për rrugë. Isha me fat që pata shokë të mirë të cilët më ndihmuan me çantën, por marshimi me të gjitha pajisjet nuk është i lehtë nëse e ke për herë të parë.

Çfarë duhet të marrësh me vete për udhëtimin tuaj nga Thethi në Valbonë?

Aparatin fotografik

Një palë atlete

Krem sepse do të jesh në kontakt me diellin për një pjesë të mirë të udhëtimit

Veshje për marshim dhe rroba për t’u ndërruar

Një shishe me ujë

Bukë

Lekë për katër ditë qëndrimi në hotel, ushqim dhe transport (me 130 euro mbaron punë më siguri për dy vetë)

Një çantë e vogël

Rruga për në Theth

Për të shkuar në Theth u desh të merrnim një makinë të përbashkët dhe ta ndanim me katër udhëtarë të tjerë. Kemi paguar rreth 40 euro për të shkuar nga Shkodra në Theth. Ju mund ta organizoni këtë udhëtim në mënyrë të tillë që të jeni sa më fleksibël dhe të ecni më shumë për në Theth, një nga perlat e pazbuluara të Shqipërisë. Unë do t’iu rekomandoja të rrinit edhe një ditë më shumë për të shijuar Syrin e Kaltër të Thethit, si dhe të pushoni nëse nuk jeni mësuar të ecni më këmbë për dy ditë rresht.

Na u deshën rreth 8 orë së bashku me një sërë ndalesash. Kishim dëgjuar për njerëz që e bënin rrugën për 3-4 orë, megjithatë ju duhet të jeni një person që ecën shpejt dhe i sigurt. Realisht duhen rreth gjashtë orë me më pak ndalesa, megjithatë kjo ishte mënyra më relaksuese për të shkuar atje. Rruga është e qartë dhe gjatë sezonit të verës mund të pyesni njerëzit që zbresin shtegun për të treguar drejtimin e duhur.

Rruga nga Thethi në Valbonë është rrugica që përshkon pjesën malore të Shqipërisë (dhe zonës përreth) pëpara se dalësh në rrugën e shtruar. Ende nuk ekziston një rrugë midis këtyre dy zonave, kështu që nëse nuk je i sigurt për mbartjen e sendeve, mund të punësosh dikë që të t’i sjellë me mushkë. Ju duhet ta organizoni më herët këtë përpara se të niseni edhe pse mund të shihni disa njerëz me mushka afër fundit të udhëtimit.

Na thanë se uji në këtë zonë ishte i sigurt dhe vinte nga burimet malore, prandaj mund të pini nga burimet që hasni gjatë ecjes. (Sigurohuni që të pyesni vendasit në rast se diçka ndryshon!) E mbusha ujin përpara se të niseshim, megjithatë kishte edhe burime të tjera me ujë të freskët gjatë udhëtimit tonë në ngjitje, por edhe në zbritje. Kjo na e lehtësoi ecjen duke qendruar të hidratuar pa qënë e nevojshme për të mbartur sasi të madhe të ujit me vete.

Pikënisja ishte nga një kodrinë që të çonte përreth një pylli. Ne arritëm pranë një burimi që ndodhej në kafenenë e parë gjatë gjysmës së rrugës që të çonte në kodër, i përsosur për një pije të ftohtë.

Pasi arritëm në majë të kodrës së pyllëzuar, ne vazhduam të ecnim përmes një lugine të bukur alpine me pamje panoramike të luginës përpara se të uleshim në një kafene që shërbente byrek dhe kafe (në rast se harroni mëngjesin si unë). Kafeneja ofronte një pamje mahnitëse të maleve.

Duke u nisur nga kjo pjesë e rrugës, gjatë udhëtimit për në kodër jeni të ekspozuar në mënyrë më të drejtpërdrejtë ndaj dritës së diellit derisa të arrini në majë.

Rruga drejt majës së Valbonës sa vjen dhe ngushtohet, edhe pse mund të përshkohet nga dy persona përkrah njëri-tjetrit. Sigurisht që është sfiduese kur arrihet në këtë pikë, pasi rruga bëhet mjaft e pjerrët. Sapo të arrini majën e Valbonës, do të keni mundësinë të gjeni një pikë vrojtimi opsionale në krye, duke i lënë çantat tuaja pranë një shkëmbi të qëndrueshëm. Kur arritëm në majë, gjatë orarit të drekës hëngrëm djathrat që solla nga Holanda. (Nëse keni lek me vete , mund të ndaloni në kafenet aty rrotull dhe të porosisni byrek.)
Nga maja e Valbonës , rruga poshtë është dredha-dredha dhe me rrëpira me gurë të rrëzuar.

Unë personalisht në të vërtetë e kam të vështirë të eci në kodrat e rrëpira pasi jam një person me pak me përvojë në këto lloj ecjesh , megjithatë kjo pjesë e udhëtimit do të bëhej shumë shpejtë me ndihmën e shkopat e hiking (për ata që janë më pak të sigurt).

Bashkëshorti im nuk pati asnjë problem me këtë pjesë të rrugës dhe praktikisht e zbriti me vrap malin, megjithatë pamjet përpara se të zbrisnim ishin mahnitëse. Në retrospektivë, unë jam i kënaqur që nuk e bëmë më këmbë rrugën nga Valbona në Theth, por u ngjitëm në kodër përmes rrëpirave duke na lehtësuar kthimin në zbritje.

Fundi i udhëtimit

Pasi mbërritëm, ne qëndruam në hotelin “Margjeka” në Valbonë. Ky hotel, i drejtuar nga një grua gjermane, kishte ushqim fantastik dhe një staf tepër miqësor. Nuk kishte shumë opsione në Valbonë, kështu që nëse do të shkosh gjatë sezonit të verës, unë do t’iu rekomandoja të bënit një prenotim të hershëm ose mund të merrni me vete çadrën dhe të kurseni para. (Çmimet e hoteleve në Valbonë janë më të lartat nga ato që pashë në Shqipëri.)
Kur të keni arritur në pjesën më të rrëpirët të rrugës dhe të keni ecur pak përmes një zone të pyllëzuar do të gjeni një kafene tjetër me pije të ftohta. Nëse vazhdoni të ecni do të shihni një fshat përpara se arrini përgjatë një lugine të sheshtë me pamje mahnitëse të Valbonës. Hotelet ndodhen më tej duke ecur përgjatë të njejtës rrugë./ ATA/ KultPlus.com

“Zâ Festival” sjellë katër artistë shqiptarë

Në ditët më të nxehta të vitit, nga kurora më e lartë e natyrës shqiptare, do të kumbojë muzikë dhe rrëfenja nën hijen e malit, shkruan KultPlus.

Më 26 gusht, edicioni i parë i Zâ Festival mbledh në Theth kantautorët më të mirë të muzikës shqipe: Elina Duni, Shpat Deda e Vlashent Sata do të performojnë në të parin festival që i dedikohet trashgimisë natyrore të Alpeve Shqiptare.

“Shpirti i Zâ Festival është i gjithë thesari gojor i “Bjeshkëve të Nâmuna”. Në skenën e festivalit, aktori i njohur edhe në nivel ndërkombëtare Arben Bajraktaraj do të na rrëfejë gojëdhënat, tregimet, legjendat dhe përrallat e moçme, si trashgimia më e vyer e paraardhësve tanë në këto vise”, thuhet nga organizatorët.

Ky festival premton të krijojë atmosferën e duhur për të shijuar traditën dhe natyrën e rrallë të Thethit. Një event që zhvesh nga harresa bukuritë e paçmuara të Alpeve. Zâ Festival, Theth, 26 gusht – Muzikë dhe rrëfenja nën hijen e malit. Festivali do të zhvillohet pranë Kishës në Theth.
Hyrja është e lirë për të gjithë pjesëmarrësit./KultPlus.com