Valdrin Thaqi në artin e regjisë, shpalosi shfaqjen surreale “Short poems and other tales”

Era Berisha

“Short poems and other tales”, titullohet shfaqja e cila u shpalos në kryeqytet këto ditë. Me një skenografi e tekst të veçantë, artisti Valdrin Thaqi i cili shpeshherë nëpërmjet artit vizual shpalos tema që lidhen rreth ballafaqimit me jetën e përditshme, duke shtruar pyetje të shprehive e të jashtëzakonshme në të njëjtën kohë, kësaj radhe vjen nën penën e një formati tjetër. Aq sa është i dhënë pas detajeve në piktura, aq ka qenë edhe në këtë shfaqje që e ka prodhuar vetë, shkruan KultPlus.

“Short poems and other tales”, ndeshet me identitetin dhe traumat kulturore. Është e mbështjellë me shumë simbolika dhe ngjarje surreale, por në thelb, është një përrallë klasike e një të riu që kthehet në shtëpi.

Është një shfaqje eksperimentale që prezanton disa mediume njëkohësisht, si: poezi, performancë, muzikë dhe imazhe. Megjithëse është një shfaqje shumë e shtresuar dhe jo gjithmonë ndjek një histori lineare, publiku ka pasur mundësinë të lidhet me temat universale që paraqet vepra.

Praktikat e artistit Thaqi ndërrojnë nga pikturat eksperimentale, skulpturat, instalacioni dhe intervenimi. Mirëpo, kësaj here na shpalos dhuntinë e artit regjisorial.

Premiera e shfaqjes qe më 24 tetor në katin e gjashtë të hotelit Grand. Vendi qe i mbushur plot, për të parë nga afër krijimin e bukur të artistit Thaqi. Pamjet vizuale janë ato që fillimisht shpojnë atmosferën këndshëm. Pastaj, gërshetimi i koreografisë me muzikën rrëqethëse, ka zgjuar emocione të shumta brenda katër mureve. Si një vegim i kamotshëm, teksti lulëzon mbi diçka unike që vjen nga brendësia e Thaqit, i cili me mjeshtëri ka prezantuar një shfaqje që kalon përtej “normales”. Ai arrin të krijoj një paralel mes reales dhe imagjinatës, në të cilën audienca mund të hyjë e të dalë, kur të dojë.

Në një intervistë për KultPlus, ai na tregon se shfaqja është shkruar nga vetë ai, vitin e kaluar në Berlin. Fillimisht, e ka menduar si një përmbledhje me poezi të shkurtra dhe tregime imagjinare, por tanimë ka gjetur dritën si një shfaqje tradicionale.

Shfaqja konsiderohet të jetë gjysmë-autobiografi, e frymëzuar nga ngjarjet e vërteta, qofshin ato ngjarje të përditshme apo nga mendimet e tij të përsëritura. Por, padyshim që është e përzier me elemente të fantazisë që ndërlidhen me kujtimet dhe ndodhitë nga jeta personale e artistit Thaqi.

“Short poems and other tales”, interpretohet nga dy aktorë: Art Pasha në rolin kryesor dhe Klara Grapci, me Ensar Lutaj valltar, si dhe tre muziciente live: Viola Rrecaj në piano dhe tastierë, Yll Krasniqi në bas kitarë dhe Lum Veseli në bateri.

Në qendër të shfaqjes është Arti, personazhi kryesor, ndërsa Klara dhe Ensar përfaqësojnë aspekte imagjinare të mendjes së tij – Klara anën pavetëdijshme të tij dhe Ensar, (përmes kërcimit), anën ëndërrimtare të tij.

Dinamikat e personazheve janë të dallueshme: Arti mbetet kryesisht i palëvizshëm, ndërsa Klara dhe Ensar lëvizin rreth tij, duke ndërvepruar dhe duke i dorëzuar objekte.

Ky kontrast në lëvizje zbulon botën e brendshme të tij, me dy karakteret tjera që mishërojnë mendimet dhe imagjinatën e tij. Për më tepër, një ekran shfaq Artin të heshtur, të izoluar, duke sugjeruar një person të vetëm që ndërton skenën përreth tij. Në thelb, gjithçka që ndodh në skenë pasqyron mendimet e brendshme të personazhit të sjella në jetë.

Frymëzimi për emrin e shfaqjes vjen nga një seri lektyrash që i kam dashur shumë qysh si fëmi, ‘Poezi dhe Tregime të Shkurtra’. Më ka pëlqy tepër, sesi çdo faqe e librit ofronte tregime të ndryshme, duke të leju të hidhesh e te lexosh kudo. Kam synu me e pasqyru këtë format në shfaqje, megjithëse në fund të fundit doli sfiduese, përfundova duke futë të dhëna delikate mes skenave për të kap ndjenjën e zbulimit”, thotë Thaqi.

Sipas tij, kjo ka qenë përvoja e tij e parë me një ekip relativisht të madh, dhe nuk mund të jetë më i lumtur me njerëzit me të cilët ka zgjedhë me bashkëpunu në këtë projekt.

“Natyrisht, kemi pasur sfida, sikurse menaxhimi i elementeve të performancës live, dhe gjithashtu mbajtja e gjithçkaje të sinkronizuar, ishte kërkuese. Përtej kësaj, kemi mbajt trajnim në gjuajtje me hark, seanca koreografike dhe kompozim muzikor për shfaqjen. Procesi ka qenë tepër i kandshëm dhe jam ndje që i gjithë ekipi ka qenë i investuar plotësisht, duke sjellë më të mirën si teknikisht ashtu edhe në pjesën kreative”, thotë tutje ai.

“Short poems and other tales”, është shfaqja e parë e artistit Thaqi. Regjia për të ka qenë një andërr e kahershme. Artet pamore, kryesisht piktura, ka qenë në thelb të krijimeve të tij, mirëpo gjithmonë ka qenë adhurues i teatrit dhe kinematografisë, dhe e konsideron veten një artist multidisiplinar.

“Besoj se mediumet e ndryshme të artit ekzistojnë për të mbështetur dhe përmirësuar vizionin e artistit, duke ofruar mjetet e nevojshme për të shprehur idetë plotësisht.”

Si një artist në zhvillim me bazë në Prishtinë dhe Berlin, tashmë artisti Valdrin Thaqi në plan ka që të vazhdoj të zgjeroj punën e tij. Ai nuk mund të parashikoj saktësisht se cili do të jetë projekti i ardhshëm, por ka një ndjenjë se për të është duke nisë diçka emocionuese. / KultPlus.com

Shpaloset ekspozita “Arti gjatë pandemisë”, kuratori Ejupi: Arti funksionon vetëm kur ka kaos

Era Berisha

Gjithsej 9 artistë vendor janë përzgjedhur për të shpalosur historitë e tyre personale të përjetuara gjatë pandemisë nëpërmjet krijimeve artistike të cilat përmes ekspozitës “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë” të kuruar nga Gazmend Ejupi, erdhën në një formë kaotike e krejtësisht të veçantë, me ç’rast secila pikturë, instalacion dhe performancë shfaqi një histori, një mendim e edhe ndjenja që hynin e bridhnin nëpër shpirtrat e pranishëm të mërkurën mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ora shënoi 19:00 kur dyert u hapën e një numër i madh i audiencës të cilët ndaheshin në grupe, po hynin dalëngadalë brenda ku fillimisht ata patën rastin që të shohin veprën e artistëve si Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, të cilët fillin e ekspozitës kishin vendosur të shndërrojnë në një gjendje kaotike, ashtu edhe siç ishte përjetimi i pandemisë. Një atmosferë e ndezur nga dritat me ngjyrë rozë ku teknologjia kishte zënë vendin dhe hapësirën në çdo kënd e që njëkohësisht portretizonte një përdredhje të ndjenjave njerëzore që digjeshin ngadalë si një kujtim i vyshkur.

Pas kësaj copëze hyrëse të instalacionit, të pranishmit vazhduan rrugëtimin drejt një hapësire ku magjia e pikturave të artistëve si: Avdi Hajdari, Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi, Jetullah Sylejmani, Luan Bajraktari, Renea Begolli  dhe Valdrin Thaqi, mbizotëronte në secilën moment që syri i njeriut mund të kapte e të përjetonte.

Ishte radha e pikturave të titulluara: “Proof of life”, “Aidofska” dhe “Jane playing ëith the cat”, të artistit Arbnor Karaliti, të cilat jepnin iluzionin se çdo ngjyrë e errët, çdo vështrim i pranishëm dhe çdo teknikë e ngjyrosjes, po hynte brenda zemrës së njeriut e po rrëmbente vëzhgimin e saj, duke mos e lëshuar në asnjë sekondë të vetëm.

Tutje, vepra “Definition” e artistit Valdrin Thaqi, nuk la vend për përcaktim e as përkufizim të ndjenjës së papërshkrueshme që piktura përçonte. E vendosur si një rastësi e veçantë, piktura solli elegancën e vdekjes pranë natyrës të qetë e aromës të dëlirë të një gjelbërimi unik. Ndryshe nga ngjyrat e ndezura e të dukshme të natyrës që zakonisht shfaqen në piktura, ishin ngjyrat pothuajse të përafërta e të një intensiteti të njëjtë që shpalosën një qetësi të çrregulluar e krejtësisht origjinale.

Ndërkohë, instalacioni “Dëgërrgjik 18,2021” i artistit Jetullah Sylejmani dhe skulptura “Pa titull” e artistit Luan Bajraktari, ishin të vendosura në një linjë horizontale ku një mur i vetëm e i bardhë ndante veprat nga njëra tjetra. Dy veprat në veçantitë e tyre portretizuan një gjendje nëpërmjet së cilës, njeriu i pranishëm tashmë veçse ishte i familjarizuar me të e i cili në këtë rast pati rastin të ndërveprojë me veprat artistike e ti shijojë nga afër në secilin kënd.

Ndërsa, pikturat e përmasave të mëdha të artistëve si: Brilant Milazimit dhe Renea Begollit, si dhe performanca e artistit Avdi Hajdari, futi publikun në ndjenjën e habisë, ku vezullimat e syve të tyre po dalloheshin që në momentin kur ata vunë sytë mbi këto vepra. Unike në stilin e tyre, pikturat kapluan vëmendjen e atyre që adhuronin ngjyrat e ndezura e kuptimet e fshehura. Ndërsa, performanca unike e vetë artistit Hajdari, vulosi mbrëmjen me prezencën fizike të njeriut në veprën artistike, me ç’rast aroma e dheut, luleve dhe vetmia e vendosjes së veprës, përqafoi publikun në një ngrohtësi admirimi të pandierë më parë.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth krijimit të ekspozitës dhe përshtypjeve të tij për KultPlus foli kuratori Gazmend Ejupi.

“Ideja erdhi nga Galeria Kombëtare për të pasur një ekspozitë kolektive me artistët e Kosovës. Koncepti i ekspozitës thirret: bazuar në ngjarje të vërtetë, ku trajtohet një temë që kur filloi pandemia dhe ideja ka qenë shumë e thjesht se si kemi funksionuar. Ndërsa, instalacioni në hapësirë fillon me kaos dhe punimet brenda në hapësirë janë shumë minimale dhe realizmi i veprave të artistëve ka njëfarë peshe që shndërrohet më shumë në një mesazh”, thotë Ejupi.

Sipas tij, përzgjedhja e artistëve ka qenë shumë e vështirë sepse ka pasur shumë artistë të talentuar që zgjodhën të aplikojnë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

“Për neve ka qenë me rëndësi se si janë trajtuar shfrytëzimi i konceptit, hulumtimi, shfrytëzimi i materialeve dhe paramendimet e tyre rreth shfrytëzimit të hapësirës që ne si kuratorë të kemi qasjen e të menduarit kritik paralel me artistin”, thotë ai.

Për Ejupin, pjesëmarrja e madhe e të pranishmëve për të parë ekspozitën dhe ndjenja e ringjalljes që ai ka marrë përgjatë natës, ishte përshtypja më e madhe që ai ka ndjerë.

“Arti funksionon vetëm kur ka kaos, kjo është fuqia më e madhe”, përfundon Ejupi për KultPlus.

Kurse, artisti Arbnor Karaliti për KultPlus tregoi idenë pas veprës artistike të tij.

“Në ekspozitën që veç e kemi parë sot, morra pjesë me katër punë të mija që janë krijime gjatë periudhës së karantinës për çka edhe është krijuar ekspozita. Punët në konceptin e tyre janë disa momente të kapura gjatë kësaj periudhe të izolimit që e kemi përjetuar secili nga ne dhe janë thjesht çaste përditshmërie ku mund të shihen disa njerëz që janë në fakt shoqëri e imja në pozitat e tyre gjatë asaj periudhe që ishin të mbyllur si pasojë e karantinës”, thotë Karaliti.

Sipas tij, piktura “Jane playing ëith the cat”, ka qenë vepra e tij e preferuar për arsye se ishte e para vepër në fazën e izolimit dhe se shijimi i procesit ishte në një nivel tjetër për arsye se mbyllja totale e tij në një dhomë ku vetëm pikturimi frymonte, ishte e dëshiruar për një kohë të gjatë për tiu përkushtuar punës.

“Vështirësia më e madhe ndoshta do të ishte puna e materialit sepse kemi qenë aq të izoluar saqë nuk kemi pasur mundësi të furnizohemi me material kurse si ekspozitë nuk ka pasur ndonjë vështirësi por thjesht ka qenë njëfarë kurorëzimi i krejt kësaj pune të artistëve të Kosovës gjatë pandemisë duke iu përmbajtur temës së izolimit”, thotë ai.

Për Karalitin, emocionet e mëdha për arsye të pranisë së madhe të njerëzve, malli i thellë për diçka të tillë në Galerinë Kombëtare si dhe ekspozimi i veprave të tij, ishin në një nivel jashtëzakonisht të madh e të dëshirueshëm tash e sa kohë.

Po ashtu, artisti Shkamb Jaka për KultPlus foli rreth konceptit të veprës së tij dhe artistes Laureta Hajrullahut.

“Ideja për të bashkëpunuar ka ardhur qysh moti por tani e gjetëm mundësinë që në këtë ekspozitë të aplikojmë së bashku. Idenë e kemi filluar për të sjell diçka organike dhe njëfarë estetike të programit ‘TikTok’ pasi që ka qenë influencë e madhe gjatë pandemisë. Disa drita dhe lule ishin si diçka organike që na kanë munguar gjatë kohës së pandemisë e që kanë qenë të vetmet gjëra organike që kemi mundur të përjetojmë në mbyllje e së bashku me videot tona që kanë treguar punët tona, kemi shfaqur përjetimin tonë të pandemisë”, thotë Jaka.

Sipas tij, ekspozita e tërë ka lënë përshtypjen e vetë për arsye se të gjithë artistët kanë qenë në bashkëpunim me njëri-tjetrin në mënyrë që të funksionojë tema e njëjtë, pra ajo e izolimit.

Ekspozita “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë” ka ftuar artistët me mediumet e tyre të përzgjedhura të paraqesin punët e tyre të krijuara gjatë kohës së pandemisë dhe në përgjigje ndaj saj. / KultPlus.com

‘Nothing like home’, ekspozita që bëri bashkë gjashtë artistë

Hapet ekspozita “Nothing like home” me Blerta Hashani, Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi, Dardan Murseli, Valdrin Thaqi & Ermir Zhinipotoku

E titulluar pas pikturës së Brilant Milazimit, ekspozita në grup
“Nothing like home” mbledh gjashtë pozicione nga brezi i ri i artistëve
kosovarë që janë të lidhur me kolektivin “Hap” ose duke qenë pjesë e tij
ose duke qenë bashkëpunëtorë / miq të ngushtë *

Piktura e Milazimit “Nothing like home” është si shëmbëlltyrë e
peizazhit politik dhe shoqëror në Kosovë. Artisti përdor metaforën e
krokodilëve që fshihen, sepse ata nuk gjuajnë në mënyrë aktive për
ushqim, por përkundrazi me plogështi qëndrojnë në pritje të preve të
tyre, duke parashikuar që ajo të bëjë një gabim. Kjo metaforë aludon në
organet në pushtet, të cilët nuk krijojnë në mënyrë aktive, por
pasivisht presin që dikush tjetër të bëjë një gabim, i cili nga ana
tjetër shfrytëzohet për shkatërrimin e këtij të fundit. Fluturat dhe
lepuri në skenë ndezin nocione shprese dhe lirie, por njëkohësisht
dikush është i vetëdijshëm se ata do të rrëmbehen nga krokodilët çdo
sekondë.

Brenda kësaj ekspozite ekzistojnë disa metafora – edhe të paqëllimshme –
qofshin çorapet e mbushura pa kokë të ngjashme me njeriun që lëvizin në
ritmin e një fshirësi të xhamave nga Dardan Murseli; Dora robotike e
Valdrin Thaqit duke numëruar rruaza (Tespih); shkrimi i automatizuar pa
kuptim nga Blerta Hashani; Zogjtë e Arbnor Karalitit nga seria e tij e
fëmijërisë; Silueta e Ermir Zhinipotokut si macet; ose qentë endacakë,
krokodilët ose lulet e Brilant Milazimit.

Brilant Milazimi, Dardan Murseli, Valdrin Thaqi, Ermir Zhinipotoku
janë bashkëthemeluesit e kolektivit “Hap”, i themeluar nga katër miqtë
gjatë studimeve të tyre në 2018. “Hap” përkthehet në “të shkel”, “në të
hapura ”dhe“ pilula ”në të njëjtën kohë dhe ishte menduar si një mjet
për të reaguar ndaj ngjarjeve në Kosovë, qoftë përmes ekspozitave apo
ngjarjeve.

Ekspozita është e hapur deri me 10 Prill, çdo të shtunë deri të dielën
nga 14:00-18:00 dhe me termine. / KultPlus.com