Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore përcolli mbrëmjen e djeshme në qytetin e gurtë të Gjirokastrës vlerat e traditës shqiptare.
Me shumë ovacione qytetarë e turistë që ndodheshin në qytetin e gurtë kërcyen e kënduan bashkë me artistët në sokakët e Gjirokastrës.
Artistët interpretuan një program të larmishëm me këngë, valle dhe kostumografi, duke pasqyruar përpara publikut dhe turistëve folklorin shqiptar dhe trashëgiminë kulturore.
Së bashku me orkestrinën, solistët dhe grupi i valleve të Ansamblit Popullor sollën këngët dhe vallet më të bukura shqiptare në skenën e madhe të Gjirokastrës në sheshin “Çerçiz Topulli”.
Ky koncert u organizua në kuadër të turit “Folk on Tour” të trupës artistike të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Mbrëmjen e sotme ky ansambël do të japë shfaqje në qytetin e Sarandës, ku pushues të shumtë vendas e të huaj do të ndjekin interpretimet e artistëve të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore./atsh/ KultPlus.com




