Vallja e Rrajcës, ansambli i Përrenjasit merr çmimin e parë në Festivalin Internacional të Folklorit në Itali

Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore të Përrenjasit fitoi çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit dhe Paqes në Agropoli në Itali duke promovuar vlerat e jashtëzakonshme të kulturës shqiptare.

Padyshim Vallja e Rrajcës ishte qershia mbi tortë e cila bindi jurinë që çmimi i parë, mes disa vendeve të botës, ti shkojë Shqipërisë.

Djem e vajza të ansamblit përshkuan rrugët e qytetit të vogël me flamurin kuqezi për t’i dorëzuar trofeun kryetarit të Bashkisë Përrenjas.

Për valltarët ky çmim ishte shpërblim për punën e jashtëzakonshme, por mbi të gjitha krenari e përfaqësimit të Shqipërisë ndërkombëtarisht.

Nuk mund të ndodhte ndryshe, kostumi plot ngjyra i Rrajcës, i qëndisur brez pas brezi nga zonjat e kësaj zone, solli gjithashtu në Përrenjas, çmimin e kostumografisë./TopChannel/KultPlus.com

Dokumentohet vallja e Rrajcës

Me mbështetjen e Fondit Kulturor Zvicerian një grup koreografësh të rinj, po riinterpretojnë dhe dokumentojnë trashëgiminë kulturore të Rrajcës, veçanërisht vallen e famshme origjinale dhe ritualet e dasmave që vijnë nga shekujt e kaluar.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëkohësisht deputet i qarkut Elbasan, ndau sot foto nga koreografët e rinj të cilët i bëjnë jehonë trashëgimisë kulturore.

“Ju uroj një fund jave të bukur me këto foto nga “Vallja e Rrajces” me balerinët Danja Kovaçi, Sara Dyrmishi, Bronilda Memaj, Daniela Gjuraj, Sara Hasani, Erta Sina, Erjon Vatnikaj, Halit Baçinofki, Uesli Alushi, Pllum Vatnikaj, Kristjan Kavalli, Sadik Peçi nën drejtimin e koreografit Artan Ibërshimi”, tha Balla.

Ai shtoi se dy këngëtaret polifonike të Rrajcës, Emliha Hana dhe Emliha Molla, i dhanë ngjyra shtesë kësaj dite.

“Rigjallërimi i trashëgimisë kulturore sjell një sens përkatësie dhe krenarie për komunitete si Rrajca jonë e dashur”, tha Balla. / KultPlus.com