Flonja Haxhaj
Festa e 28 Nëntorit frymoi ndryshe në KultPlus Caffe Gallery me prezencën e regjisores Blerta Basholli dhe producentit Valon Bajgora, të cilët për dy orë rrëfyen gjithë rrugëtimin e filmit ‘Zgjoi’, që nga ideja e deri tek prezantimi nëpër festivale ku po vazhdon të shënojë suksese të mëdha, shkruan KultPlus.
Nën moderimin e Vlora Merovcit, në mbrëmjen që shënonte edhe 109-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërsë, Basholli dhe Bajgora nuk hezituan të rrëfejnë për çdo sfidë, emocion, vështirësi dhe sukses, nëpër të cilat, ata dhe ky film kanë kaluar që nga fillimi.
‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrije Hotin nga Krusha e Madhe, e interpretuar nga aktorja Yllka Gashi, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient patriarkal e që nuk e mbështet iniciativën e saj.
E që e gjithë historia e Fahrijes të bëhet film, i kishte mjaftuar regjisores Basholli ta shohë e të dëgjojë rastësisht historinë e saj në televizor, sa ishte në Amerikë. Ajo shprehet para të pranishmëve se kur e ka dëgjuar rrëfimin e Fahrijes, menjëherë ka marrë vendimin që sapo të kthehet në Kosovë, të shkojë e ta takojë për të marrë të drejtën ta bëjë film tregimin e saj.
“Kur e kam pa tregimin në televizor që një grua e cila e ka burrin në mesin e personave të pagjetur në Kosovë, e ka marrë patent shoferin, ka fillu me punu edhe është paragjyku për këtë punë, fillimisht jam bërë nervoz për faktin që ajo po paragjykohet për atë punë, sepse në mendjen tem krejt katundi ish deshtë me u çu e me i ndihmu”- rrëfen Basholli duke potencuar se në kohën kur kishte dëgjuar për historinë e Fahrijes, ajo ishte duke punuar në një film në Amerikë bashkë me aktoren Yllka Gashi dhe producentin Armond Morina, e ku ky i fundit i kishte premtuar se kur të kthehen në Kosovë do ta takojë me Fahrijen.
Para publikut që ishin gjithë sy e veshë tek ajo, Basholli nuk la pa e përmendur se që në momentin kur e ka parë për herë të parë Fahrijen, ka parë në të një grua dhe një person shumë të veçantë, të fortë, shumë inspiruese e inkurajuese.
”Shkova ta pyesja nëse ma jep të drejtën që historinë e saj ta bëj film, nëse jo, ta inkurajoja me vazhdu punën çka kishte bërë deri atëherë, sepse është diçka e jashtëzakonshme. Mirëpo, një person si Fahrija nuk pati nevojë për kurajo aspak, e në fakt përfundova unë e inkurajuara prej atij takimi, sepse ishte shumë më e fortë kur e takova. Menjëherë u ndje e lirë të na e japë të drejtën për rrëfimin e jetës së saj.” – shprehet më tutje Basholli duke thënë se në atë moment e ka kuptuar se ky film nuk është veç një detyrë për të, por që ta portretizojë një grua kaq të fuqishme në një ekran të madh.
E pyetur nëse e kishte pritur që ‘Zgjoi’ do të kishte një sukses të tillë, ndonëse i ka mbajtur shpresa, regjisorja Basholli thotë se nuk e kanë pritur, pavarësisht se kanë punuar shumë që ky film të kishte një rrugëtim dhe një jetë të gjatë.
Kurse Valon Bajgora i cili së bashku me Yll Ukën janë producentë të filmit ‘Zgjoi’, thotë se që kur e ka lexuar skenarin, i është dukur interesant për ta vazhduar.
“E para, është ngjarje e vërtetë, e dyta, është karakteri shumë i veçantë i Fahrijes dhe e treta është ajo ndjesia që ta jep filmi, i cili fillimisht kalon në shumë paragjykime, batica, zbatica por në fund të jep një shpresë shumë të madhe, e kjo është ajo që më ka bërë mua si producent të them ‘po’”- deklaron Bajgora, shkruan KultPlus.
Meqë filmi flet për një person që është gjallë, Basholli thotë se frika e saj më e madhe gjatë gjithë procesit të realizimit ka qenë ajo se a do t’i pëlqejë filmi Fahrijes, a do të ketë pjesë ku ajo do të kërkojë që të largohen. E momentin e vështirë për të, kur ia tregoi për herë të parë filmin Fahrijes, regjisorja e ndau me pjesëmarrësit në KultPlus Caffe Gallery.
“Fahrija e ka pa filmin, s’ka lëvizë për 83 minuta. Sa e ka pa filmin s’ma jepke as një shprehje të vogël me ditë bile a po i pëlqen a jo, edhe në fund më tha ‘filmi i mirë, Yllka e paska portretizu shumë mirë rolin, shumë skena po duken qashtu qysh ka ndodhë, veç ni vërejtje e kam, pse s’më latë me ia hi personit që ka deshtë me më dhunu’”- thotë regjisorja Basholli duke i cituar fjalët e para të Fahrijes pasi e pa filmin.
Basholli dhe Bajgora, më pas flasin edhe për paraqitjen e ‘filmit Zgjoi’ në festivalin më të madh të filmit në SHBA ‘Sundance’, atje ku pati premierën dhe fitoi tre çmimet kryesore duke u bërë kështu filmi i parë në historinë e këtij festivali që i ka fituar të trija çmimet kryesore.
Regjisorja dhe producenti tregojnë se suksesi në festivalin ‘Sundance’ ishte një nismë e mirë që më pas ky film të shfaqet edhe në festivale të tjera të rëndësishme.
“Pas Sundance, ne e kemi kuptu që filmi ka shumë potencial edhe duhet me qenë filmi i cili do ta prezantojë Kosovën në Oscars”- thotë Bajgora.
Përveç se filmi u mirëprit shumë si në vend ashtu edhe ndërkombëtarisht, drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, iu drejtua regjisores me pyetjen se a ka marrë ndonjë Feedback nga Krusha pasi është bërë filmi.
“Nëse nuk ma kishin bërë pyetjen gazetarët ndërkombëtarë se qysh kanë reagu burrat e Krushës, nuk më kish shku mendja, sepse në momentin kur Fahrija e ka mbështet filmin, e kam harru edhe pjsesën e reagimeve. Gratë e Krushës e kanë pritë shumë mirë, ju ka pëlqy shumë edhe qajo ke një çlirim shumë i madh. Fahrija ka marrë mesazhe prej një personi burrë i cili i ka thanë ‘na e ke marrë fytyrën krejt fisit, marre të koftë’. Edhe një djalë i Krushës në Zvicër i cili më është drejtu mu. Por, që të dyja e kanë lëndu shumë Zonjën Fahrije’ – u përgjigj Basholli, duke shtuar se nuk mendon që në film të gjithë burrat e Krushës duken keq, ka burra që e mbështesin Fahrijen në film, e ata që nuk e mbështesin nuk iu shihet shumë fytyra.
Kurse Medaur Sadrija, një regjisor i ri e që kishte ardhur nga Austria vetëm për ta dëgjuar këtë rrëfim, iu drejtua ekipit me pyetjen se cili ishte feedback-u që e kanë marrë nga njerëzit jashtë Kosovës, në veçanti për pjesën e historisë, e sidomos për histori të tilla si rasti i Fahrijes, për të cilën Sadrija thotë se si një i rritur në Austri, nuk kishte dëgjuar më herët.
“Ne kemi marrë reagime shumë të mira. Mirëpo në këtë film nuk jam mundu me shpjegu gjithçka si në filmat e kaluar e të cilët më pas kanë dalë shumë përshkrues, por jam fokusu në karakterin kryesor, me tregim e me kamerë, në mënyrë që publiku me u lidh në nivel më human e njerëzor, si njeriu me njeriun, e pyetjet që i kanë, i gjejnë përgjigjet në google” – u shpreh regjisorja.
E në këtë mbrëmje ku i gjithë interesi i të pranishmëve ishte të dëgjojë gjithë rrëfimin e rrugëtimit të filmit më të sukseshëm të kinematografisë kosovare, ekipi i filmit ‘Zgjoi’ mori një dhuratë të veçantë nga piktorja, Qëndresa Krasniqi, e cila ka pikturuar posterin e filmit në ngjyra akril. Dhuratë kjo që i emocionoi dy pjesëtarët e ekipit të këtij filmi, si një shpërblim për punën që ata e kanë bërë.
Përveç suksesit që po e shijon me filmin ‘Zgjoi’, Blerta Basholli njoftoi se tani ka filluar të punojë një projekt të ri, e i cili do të flasë më shumë për jetën e saj personale.
‘Është një ngjarje e bazuar në jetën time, jetën time personale gjatë fundit të viteve 90-ta në Prishtinë. Është një ngjarje e rritjes si tinejxhere, e gjetjes së identitetit, me një prapavijë goxha politike. Ka shumë muzikë, ka shumë party, ka shumë pakënaqëi, protesta. Në draft e kam edhe fillimin e luftës dhe ikja jem bashkë me mamin, vëllain dhe djalin e axhës’ – tha Basholli duke mos dhënë më shumë detaje të reja rreth këtij projekti të radhës.
E producenti Bajgora thotë se pas suksesit të filmit ‘Zgjoi’ do të jetë shumë e lehtë edhe për mbylljen e financave të filmit dhe gjetjes së partnerëve për projektin e radhës.
Ndërkaq, ‘Zgjoi’ tashmë është në pritje të publikimit të listës së ngushtë të ‘Oscars’, e ku përfundimisht do të kuptohet nëse ky film do ta përfaqësojë Kosovën në këtë festival./KultPlus.com