Monografi për Muzeun Etnologjik të Prishtinës, punë disavjeçare e autorit Valon Shkodra

Jeta Zymberi

Për më se dy vjet, objekti kryesor i Muzeut Etnologjik i është nënshtruar procesit të renovimit, por kjo nuk e ka ndaluar punën që po bëhej për të sjell në dritë monografinë për të dhe funksionin e tij, shkruan KultPlus.

Instituti Albanologjik i Prishtinës këto ditë ka botuar monografinë, “Muzeu Etnologjik i Prishtinës dhe funksioni i tij”, të autorit Valon Shkodra.

Kjo monografi është rezultat i punës hulumtuese – shkencore di­sa­vjeçare të autorit i cili ka treguar për KultPlus që ideja për këtë temë i erdhi gjatë kohës sa punonte në Muzeun Etnologjik të Prishtinës (2006 – 2017).

“Duke e ditur rëndësinë e kësaj teme, vendosa që ta hartoja një material më të plotë i cili do t’iu shërbente vizitorëve, por edhe atyre që dëshirojnë të merren me fushën e muzeologjisë. Mbështetjen e parezervë për këtë temë e kisha nga mentorja ime e studimeve postdiplomike prof. dr. Afërdita Onuzi”, u shpreh Shkodra.

 Studimi i paraqitur në këtë monografi paraqet një realitet të punës muzeore në Muzeun Etnologjik të Prishtinës, që nga hapja e tij e deri në ditët e sotme. Por, autori i kësaj monografia është shprehur se për ta përmirësuar më tej këtë punë, është e nevojshme që në të ardhmen të punohet në platforma me bazë shken­core, me bashkëpunim të ngushtë midis etnologëve, muzeo­lo­gë­ve, historianëve, konservueseve, restauruesve, dizajnerëve, arkeologë­ve, pedagogëve, arkitektëve etj.

Kjo monografi përbëhet prej tre krerëve dhe për gjithë këtë punë, autori ka treguar më në detaje.

“Për këtë monografi, krahas materialit të studiuar në muze, kon­sul­timit të literaturës dhe dokumenteve (të publikuara dhe të pabotuara), hulumtimi ynë bazohet në intervista të realizuara me informatorë, me punonjësit e muzeve, vizitorë, zejtarë, artizanë, me banorë lokalë të fshatrave e qyteteve të Kosovës. Për këtë studim kemi realizuar disa ekspedita terreni, si në: Shqipëri, Mal të Zi dhe në Maqedoni. Për materialet të cilat i kam prezantuar dhe kam shfrytëzuar literaturë profesionale të fushës përkatëse, por gjithashtu kam realizuar intervista me informatorë pa dallim gjinie dhe moshe.”

Monografia për Muzeun Etnologjik të Prishtinës është prezantim i vlerave tradicionale të artit popullor të Kosovës. Me hapjen e Muzeut Etnologjik të Prishtinës, qytetarët kanë mundësi që të njihen, për së afërmi me mënyrën e jetesës në Kosovë në periudha më të hershme. Ky muze mund të themi se është shembull për prezantimin dhe promo­vi­min e trashë­gi­misë kulturore për vizitorë vendorë dhe ndër­kom­bëtarë, është vend i rëndësishëm për edu­ki­min e gjeneratave të reja të cilët vijnë në muze me pedagogët e shkollave, me prindër dhe sho­që­ri, gji­th­ashtu është vend i kujtimeve, frymëzimit, mësimit dhe kohës së lirë.  / KultPlus.com