Era Berisha
Dita e katërt e edicionit të dhjetë të festivalit “FemArt” solli performancën artistike me titull “Vals i këputun” nga koreografi Gentian Doda i cili në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës arriti të krijojë një frymëzim të gjallëruar përbrenda motiveve të paqarta të cilat u grumbulluan dhe morën formë atëherë kur trupat e tre balerinëve bashkoheshin për të formësuar një imazh të ngurtë që ngjallte kuriozitete të shumta, shkruan KultPlus.
Mbrëmë salla e Teatrit Kombëtar po mbushej dalëngadalë me prezencën e të pranishmëve të cilët fillimisht u përplasën me një mjegull në atmosferë e cila veçse po tregonte pak për formatin e kësaj performance. Ndonëse numri në publik nuk ishte edhe aq i madh, kjo megjithatë e bënte këtë mbrëmje edhe më të veçantë ngase ajo që pas pak do të shpalosej mbi skenë, do të ishte aq speciale dhe e mjaftueshme për të pranishmit që sytë i kishin të drejtuar me padurim drejt skenës.
Fiks në orën 20:14, nisi gjithçka. Terri zgjoi krahët sipër vendit dhe mbuloi gjithë hapësirën derisa drita rrethore mu në mes të skenës e përndjekur nga mjegulla e vazhdueshme përgjatë gjithë shfaqjes, shoqëroi lëvizjet, hapat dhe kërcimet e balerinëve si: Rosella Pellicciotti, Fjorald Doci dhe Elton Cefa. Të tre këta trupa shpalosën një mori intensitetesh që në thelb kuptimi i tyre ishte i fshehur por gjallërohej kur trupi i ndonjërit prekte një trup tjetër, kështu dhe rikrijohej lidhja e këputur mes tyre, me ç’rast evokohej një ndjenjë, një emocion dhe një fotografi nostalgjike.
Muzika origjinale nga kompozitori Çezar Aliaj vjen e frymëzuar nga një këngë e vjetër arbëreshe andaj dhe rrjedh lehtësisht nëpër gjymtyrët e tri balerinëve që mbi skenë krijonin përfytyrimin se po transformoheshin vazhdimisht e po merrnin formë të ndryshme nga çasti në çast. Ndërkaq, muzika si pjesë e pandashme e vallëzimit, i përngjante ‘tik-takut’ të një ore që po kalonte dhe ndërkohë ndjehej nevoja për ndërveprimin e performuesve në skenë.
Rosella Pellicciotti, Fjorald Doci dhe Elton Cefa shfaqën në pah një punë të fortë dhe mjaft të kontrolluar të këmbëve dhe krahëve, duke vënë fokusin mbi tkurrjen dhe lirimin e trupit në momente të paparashikueshme por jashtëzakonisht të bukura. Në anën tjetër, dalloheshin ndryshimet drastike në ritëm, shpejtësi dhe drejtim të cilat shpalosën karakteristika unike jo vetëm të lëvizjeve në këmbë, por edhe në dysheme, e sidomos në rëniet e tyre improvizuese.
Po ashtu, vetë koreografi Gentian Doda ka arritur të krijoj baraspeshën midis një tradite të lashtë arbëreshe dhe kërcimit bashkëkohor e lëvizjeve që erdhën në një nivel shprehës tejet të lartë. Talenti i tij krijues solli mbi skenën e Teatri Kombëtar të Kosovës një vepër që në esencë është sa tradicionale aq edhe moderne. Vetë shkëputjet e emocioneve dhe disponimit përbrenda teknikave të balerinëve ndërlidheshin në një mënyrë mbresëlënëse me stilin muzikor të përzgjedhur.
Gjetja e mënyrave për të kërkuar angazhimin moment pas momenti të të pranishmëve brenda një mjedisi siç është teatri, është bërthama kryesore para krijimit të një vepre. Koreografi Doda me këtë krijim të veprës siç është “Vals i këputun” ka hyrë brenda qosheve të zemrës së njeriut dhe ka ngjallë një ndjeshmëri të pakrahasueshme e cila ka lënë gjurmë që as koha nuk do të mund t’i fshijë dot.
Për të treguar më shumë rreth kësaj shfaqje, për KultPlus foli koreografi Gentian Doda i cili konsideron se folklori pa artin bashkëkohor dhe modern, nuk do të kishte jetëgjatësi.
“Është një festival shumë i rëndësishëm për vetë aktivizmin dhe socializmin e këtij qëllimi që ka si festival. Për mua është një kënaqësi e madhe sepse është hera e parë në Prishtinë por më vjen keq ngaqë nuk kishte publik shumë. Por ishte shumë interesante sepse po ndanim së bashku këto ndjenja”, thotë Doda.
Sipas tij, vepra është komplet e frymëzuar në motive shqiptare, më konkretisht në motivin e një kënge të vjetër shqiptare arbëreshe, në bashkëpunim me kompozitorin shqiptar Çezar Aliaj i cili jeton në Spanjë.
“Këtë vepër kemi që një vit që po e lëvizim. Zana Hoxha e ka parë para një viti në ‘Za Fest’ dhe ishte shumë e interesuar, andaj dhe më kontaktoi. Shpresoj që edhe këtij pak publiku, t’i ketë interesuar vepra e të ketë ndjerë diçka”, shpalos ai.
“Arti kontemporan dhe arti modern është shumë i rëndësishëm t’i japi jetëgjatësi, traditës dhe folklorit. Folklori pa artin kontemporan dhe pa artin modern nuk do të ketë jetëgjatësi, për shkak se duhet të ketë një zhvillim.”
Ndërsa, balerini Elton Cefa e cilëson këtë shfaqje si shumë të vështirë në realizim por tejet të bukur në pamje. Ai për KultPlus, koreorgrafin Doda e cilësoi si “shkollë më vete”.
“Është kënaqësi shumë e madhe që unë të kthehem pas pesëmbëdhjetë viteve në këtë skenë pasi kam punuar me trupën e Baletit të Kosovës gati shtatë vjet. Kam shumë kujtime të bukura këtu dhe shpresoj të kem lënë ndjesi dhe shije shumë të mirë tek spektatorët. Shfaqja është shumë e bukur për t’u parë por shumë e lodhshme për ne sepse kemi gati një vit e gjysmë që punojmë në këtë proces shumë të vështirë por aq edhe të bukur. Kur punohet me koreografin Gentian Doda është si të bësh një shkollë më vete nga të gjitha anët dhe shpresoj shumë që edhe trupa e Baletit të Kosovës të ketë një bashkëpunim të tillë me Gentian Dodën, sepse do të ishte një fitore e madhe për ne dhe për të gjithë”, thotë Cefa.
Kurse, balerina Rosella Pellicciotti për KultPlus tha se shfaqja nuk ka një narrativë apo histori logjike prandaj e gjithë shfaqja është një përpunim i kujtimeve.
“Kjo shfaqje është vendosur për herë të parë në muajin gusht të vitit 2021, në Shkodër ku pati premierën, ndërkohë që procesi ka filluar që në janar të 2021-tës. Pastaj është vendosur edhe në Tiranë dhe tani për herë të parë në Prishtinë. Mund të them që shfaqja nuk ka një narrativë apo histori logjike apo ngjarje por kompozitori ka krijuar një muzikë origjinale për shfaqjen dhe është bazuar në motive shumë të vjetra arbëreshe, kështu që e gjithë shfaqja është si një përpunim i kujtimeve që vinë bashkë nga një kohë e papërcaktuar mirë në formë imazhesh”, thotë Pellicciotti.
Gjithashtu, balerini Fjorald Doci foli rreth lëvizjeve që sipas tij vinë të bazuara në kujtime, fotografi apo imazhe.
“Lëvizjet janë të bazuara në kujtime, foto, imazhe të cilat mundohemi t’i rikthejmë nga një kohë e shkuar por që janë të ngrira në fragmente. Kjo sjell një qasje shumë interesante gjatë procesit dhe na ka bërë të eksplorojmë në fusha të cilat i kishim të reja”, thotë Doci.
Koreografi Robert Nuha për KultPlus tregoi se këso shfaqje janë shumë të nevojshme në Kosovë, ngase janë në një mungesë të madhe.
“Shfaqja ishte padyshim e nivelit evropian. Është një shfaqje e dansit bashkëkohor e cila tek ne në Kosovë, megjithëse ka tendenca, akoma mungon. Kështu që kjo që sonte e pamë këtu është shumë e mirë për artistët, artdashësit dhe kërcimtarët që duan të zhvillohen në dansin bashkëkohor. Ishte një shfaqje tejet mbresëlënëse dhe unë për vete kam pasur fat që të punojë me kërcimtarët që ishin në skenë por sonte ishte me të vërtetë diçka e jashtëzakonshme. Kur vjen një shfaqje nga një koreograf si Gentian Doda, sigurisht që pritshmëritë janë të tilla. Më bëhet qejfi shumë që FemArt po sjell shfaqje të tilla sepse na duhen shumë”, thotë Nuha.
Performanca “Vals i Këputun” vjen nga realizimi i ‘was bleibt kollektiv | Gentian Doda’.
‘was bleibt kollektiv’ është një nismë e koreografit të mirënjohur botërisht Gentian Doda. Një bashkëpunim mes artistësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Fokusi i tyre qëndron në zbulimin e gjendjes njerëzore nëpërmjet lëvizjes (ose mungesës së saj). / KultPlus.com