Sekreti i Van Gogh tek ‘Nata me yje’, çfarë zbuluan shkencëtarët për veprën artistike të vitit 1889

Van Gogh krijoi një vepër mbresëlënëse, megjithëse pësoi dhimbje të thella emocionale. Disa nga pikturat e tij zbulojnë shumë për gjendjen shpirtërore dhe për personalitetin e tij në përgjithësi. Një pikturë ikonë që shpreh agoninë dhe gjenialitetin e artistit është “Nata me Yje e vitit 1889.

Kjo vepër për shkencëtarëve është jashtëzakonisht në përputhje me parimet astronomike të qiellit tonë. Çka lë të nënkuptohet ose më saktë të aludohet se piktori ishte shumë përpara mendjeve shkencore të shekullit të 19-të.

Furçat e bojës së Van Gogh-ut duket se llogaritën pikat e rrjedhjes së barabartë të ajrit, të njohura si turbulenca, që do të shkaktonin ndryshime në pamjen vizuale të qiellit të natës. E çuditshme, por edhe e mrekullueshme në të njëjtën kohë se si ai kishte pikturuar veprën e gjallë të dritës së qiellit në një studio pa dritë.

Studimi, ka identifikuar atë që shkencëtarët e përshkruajnë si një “turbulencë të fshehur” brenda stilit yjor të van Gogh. Artisti duket se ka kompensuar për parimet në dinamikën e lëngjeve që nuk u shfaqën për pothuajse 100 vjet më vonë, siç është një shkallë për lëvizjet e energjisë ajrore të projektuar nga matematicieni George Batchelor në 1959.

Autorët aktualë të studimit ekzaminuan lloje të ndryshme të goditjeve të penelit në telajo, në rrethana të ngjashme si gjethet që fluturojnë në erë për të klasifikuar kushtet atmosferike të erës si forma dhe energjia e saj.

Faktorë të tjerë në lidhje me shkëlqimin brenda ngjyrave të ndryshme të bojës u ekzaminuan gjithashtu në lidhje me energjinë e lëvizjes.

Ajo që shkencëtarët mësuar nga vështrimi i 14 formave rrotulluese të “Nata me Yje”, ishte se piktori kishte një lidhje të çuditshme me lëvizjen e tokës dhe qiellit tonë natyror./KultPlus.com

U vodh 3 vite më parë, kthehet e mbështjellë me një këllëf jastëku piktura e Van Gogh

Pas vitesh kërkimi, piktura e Vincent Van Gogh “Kopshti i shtëpisë së famullisë në Neunen në pranverë” (1884), e cila u vodh nga Muzeu Singer Laren në Amsterdam në mars 2020, është gjetur më në fund.

Piktura u zhduk nga muzeu vetëm disa javë pasi institucioni u mbyll për shkak të pandemisë Covid-19. Edhe pse i dyshuari u arrestua një vit më vonë, vepra, e cila ishte huazuar nga Muzeu Groninger aty pranë, nuk ishte gjetur.

Megjithatë, Arthur Brand, një detektiv i famshëm holandez i specializuar në veprat e artit të munguara, arriti të gjurmojë pikturën e Van Gogh dhe ta marrë atë nga një person i paidentifikuar.

Kur i erdhi në duar piktura ishte e mbështjellë me një këllëf jastëku dhe u fut në një kuti, shkruan ArtNet.

Detektivi privat, i cili deri më tani ka ndihmuar në gjetjen e më shumë se 200 veprave të artit të vjedhura, thotë se personi që ktheu pikturën nuk ishte i përfshirë në vjedhje. / KultPlus.com

Piktura e vjedhur e Van Gogh është gjetur pas tre vitesh kërkime

Në një kthesë të jashtëzakonshme të fatit, një kryevepër e Van Gogh-ut e vjedhur në mars 2020 është gjetur, duke i dhënë fund një sage trevjeçare e gjysmë. Detektivi holandez i artit Arthur Brand luajti një rol kyç në kthimin e tij, përcjell KultPlus.

Piktura 139-vjeçare, “The Parsonage Garden at Nuenen in Spring”, iu kthye Brand-it në një çantë Ikea nga një person i panjohur. Duke punuar me policinë holandeze, Brand siguroi legjitimitetin e kthimit.

Hajduti, Nils M., u burgos për vjedhjen në vitin 2021, por piktura tashmë kishte ndryshuar “pronarin”. Fillimisht u vodh nga muzeu Singer në Laren.

Piktura tani është në muzeun e Van Gogh, në pritje të riparimit përpara shfaqjes publike. /KultPlus.com

Substancat narkotike dhe alkooli nuk i bëjnë artistët dhe shkrimtarët më krijues, sipas studimit

Në mendjen e shumë njerëz është rrënjosur fakti se alkooli dhe droga frymëzojnë artin e madh dhe jo më kot shumë mendojnë kështu, duke marrur si shembull pasionin e Hemingway dhe Bukowski për pije alkoolike, dashurinë e Van Gogh-ut për absinthe dhe konsumimn e drogës nga Andy Warhol-it, por e gjithë kjo është e gabuar.

Është ndoshta një mit i madh, thonë shkencëtarët, që droga dhe alkooli nuk inkurajojnë kreativitetin. Përkundrazi, udhëtimet, kultura, meditimi, ushtrimet janë më efektive në këtë fushë.

“Droga dhe alkooli nuk ndihmon në kreativitet. Njerëzit nuk përfitojnë prej tyre”, deklaron Dr. Paul Heinel i Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Essex.

“Ajo që dëgjojmë në media ka të bëjë me njerëzit që rrisin kreativitetin e tyre duke përdorur drogë. Por ajo që nuk dëgjojmë janë rastet e atyre që kanë përdorur drogë, kanë humbur ndjenjat dhe krijimtaria e tyre ka qenë më e vogël”, vëren ai.

Studiuesit nga Universitetet e Essex-it dhe Universitetit Humboldt në Berlin shqyrtuan qindra studime për të arritur në përfundimin e tyre. Një artikull shkencor i botuar pas studimit të tyre zbuloi se njerëzit që merrnin psilocybin (një substancë psikoaktive e prodhuar në mënyrë natyrale, kryesisht nga kërpudhat) ndiheshin më kreativë ndërsa ishin nën ndikim, por në realitet performanca e tyre ishte më e ulët se ata esëll.

“Idetë e lindura nën ndikimin e substancave shpesh duken të shkëputura ose të papërshtatshme si zgjidhje më vonë. Duke pasur parasysh bollëkun e efekteve anësore që lidhen me përdorimin e drogës, është shkencërisht e pasigurt të rekomandohet përdorimi i tyre për rritje të kreativitetit”, thotë Jennifer Haase, një nga autoret e studimit.

Megjithatë, Heinel pranoi se në kushte të caktuara, ndoshta disa ilaçe rrisin kreativitetin. Ajo përmend rastin kur dikush përdor halucinogjenë, sheh një vizion dhe frymëzohet prej tij.

Gjetjet e këtij studimi duket se diskreditojnë në mënyrë retrospektive artistë, shkrimtarë, gazetarë, interpretues që kanë pranuar publikisht se disa nga “artet” e tyre ishin rezultat i krijimtarisë nën ndikimin e substancave.

Megjithatë, sipas Rona Cran, profesoreshë e asociuar e letërsisë në Universitetin e Birminghamit, e cila studion shkrimtarë dhe poetë të prekur nga droga, kjo pikëpamje e romantizuar e krijuesve të varur buron nga kultura shoqërore konservatore e pasluftës dhe është gjithnjë e më shumë një gjë e së kaluarës.

“Kundërkultura e viteve 1960, dhe paraardhësi i saj në vitet 1950, ishte një kulturë e pijes/drogës me artistë që kalonin kohën e tyre duke u shoqëruar në bare, festa dhe klube të Nju Jorkut, ndanin ide, mbyllnin marrëveshje dhe “krijonin” partneritete”, thotë ajo, por duke shtuar se e gjithë kjo fshihte efektivisht problemet e varësisë, krimin, vdekjet e parakohshme, si dhe një kulturë përjashtimi për shumë njerëz. /abcnews.al/ KultPlus.com

Piktura e vjedhur e Van Gogh shfaqet papritur në muzeun e artit në Detroit

Një padi e ngritur kundrejt Institutit të Artit në Detroit, pretendon se një pikturë e Van Gogh e shfaqur në ekspozitën e këtij muzeu është e vjedhur.

Piktura, e quajtur “Lexuesja e romanit” dhe e njohur gjithashtu si “Zonja që lexon”, e vlerësuar të jetë 5 milion dollarë, ishte në pronësi të koleksionistit brazilian Gustavo Soter, deri në momentin që Instituti i Artit në Detroit e ka huazuar atë nga një palë e tretë e cila nuk është pronari i saj ligjor.

Gjykatësi në shqyrtim të çështjes ka urdhëruar përkohësisht muzeun e Detroit që të mos e zhvendosë, dëmtojë, shkatërrojë ose përdorë pikturën përgjatë shfaqjes së saj në ekspozitë në mënyrë që të ruhet vlera e saj.

Piktura e vitit 1888, e punuar me vaj në kanavacë, përshkruan një grua të re duke lexuar një libër të verdhë përpara një sfondi të verdhë të bibliotekës. Kjo pikturë do të qëndrojë si pjesë e ekspozitës deri në mbylljen e saj më 22 janar, teksa një seancë dëgjimore më 19 Janar do të vendosë për fatin e saj. /topchannel /KultPlus.com

Van Gogh dhe Monet tredimensional në Teatrin e Artit Dixhital në Dubai

Teatri i Artit Dixhital (ToDA) është një hapësirë ​​kulturore në Dubai për të apasionuarit pas teknologjisë dhe artdashësit. Vepra të famshme, mes tyre edhe të artistëve si Van Gogh dhe Monet janë shndërruar në peizazhe të projektuara 360 gradë mbi muret e një hapësire të artit bashkëkohor.

Daria Prodaevich, drejtoreshë  e ToDA, thotë se qëllimi është edukimi i audiencës për qasjen e teknologjisë ndaj artit.

“Ajo që i bën ekspozitat tona unike është se ne kemi një hapësirë ​​të mahnitshme që të përfshin,” thotë Prodaevich.

“Ne krijojmë përvoja nga arti dixhital bashkëkohor dhe jemi të vetmit në rajon që e bëjmë këtë.”

Në ToDA, veprat shfaqen në tre formate; ekspozita multimediale, instalime bashkëkohore dhe art në realitetin virtual. Ekspozitat përdorin pajisje audio-vizuale për t’i kthyer veprat e artit në një përvojë shumëshqisore me muzikë dhe animacione.

Për artistë si Serena Abou Daher nuk ka ndarje midis artit dhe teknologjisë. Vepra e Daherit, një NFT, është një vepër audiovizive.

“Arti dixhital po rritet”, thotë Daher dhe parashikon që artistët në të ardhmen do ta përdorin më shumë teknologjinë ​​për të bërë art.

Grupi ToDa ka çelur ekspozita në të gjithë botën, me hapësira të dedikuara në Dubai, Tajlandë, Gjermani, Zvicër, Arabinë Saudite dhe Rusi.

Ekspozita e parë, në vitin 2020, përfshinte vepra ikonike nga nëntë prej artistëve më të famshëm të botës, mes tyre Claude Monet, Vincent Van Gogh dhe Paul Cézanne./oranews/ KultPlus.com

Aktivistët mbulojnë me supë pikturën e Van Gogh

Aktivistët e mjedisit mbuluan me supë një pikturë të Van Gogh të mbrojtur nga xhami, një veprim i cili u dënua menjëherë nga ministria italiane e kulturës.

“The Sower”, një vepër e vitit 1888 që përshkruan një fshatar duke mbjellë arën e tij, me një diell të madh në sfond, është ekspozuar në Palazzo Bonaparte në Romë si pjesë e një ekspozite kushtuar piktorit holandez të shekullit të 19-të. Piktura nuk është dëmtuar.

 “Sulmi ndaj artit është një akt i neveritshëm që dënohet kategorikisht. Kultura, e cila është baza e identitetit tonë, duhet të mbrohet dhe sigurisht të mos përdoret si zëdhënës për forma të tjera proteste,” tha në një deklaratë ministri i Kulturës Gennaro Sangiuliano.

Në fillim të këtij muaji, dy aktivistë të “Brezit të fundit” hodhën pure patatesh në një pikturë të Claude Monet në muzeun Barberini në Potsdam, Gjermani. Aktivistë të tjerë mjedisorë u mbërthyen pas xhamit që mbron “Vajzën me vathë perle” të Johannes Vermeer në një muze në Holandë dhe disa hodhën supë mbi “Sunflower” të Van Gogh në Galerinë Kombëtare të Londrës. /abcnews.al/ KultPlus.com

Militantë ambientalistë përdhosin ‘Luledielli’-t 80 milionë euro të Van Gogut

Militantë ambientalistë, të përfshirë në fushatën e protestës kundër naftës ”Just Stop Oil” lëshuan një lëng, ndoshta domatesh, sipas informacioneve paraprake, kundër një prej veprave më të famshme të Vinsent Van Gog ”Luledielli”, e ekspozuar në Galerinë Kombëtare në Londër.

Fushata ”Just Stop Oil”, e nisur kundër hapave pas në politikën e emergjencës klimatike nga Liz Truss dhe qeveria konservatore, ka nisur në BM prej disa ditësh, me aksione kundër vendeve dhe transportit publik nga skuadrat e aktivistëve radikalë.

Imazhet e blicit në Galerinë Kombëtare tregojnë dy militante shumë të reja në veprim.

Të dyja hyjnë në muze të veshura me bluza të bardha me fjalët ”Just Stop Oil” dhe më pas hedhin dy kanaçe me lëng domate, me sa duket, kundër pikturës së Van Gogut.

”Luledielli” i Galerisë Kombëtare është një nga pesë versionet e së njëjtës temë të pikturuar nga artisti i madh holandez dhe ka një vlerë fillestare prej 80 milionë eurosh./KultPlus.com

Militantë ambientalistë përdhosin ”Luledielli” me vlerë 80 milionë euro të Van Gogut (VIDEO)

Militantë ambientalistë, të përfshirë në fushatën e protestës kundër naftës ”Just Stop Oil” lëshuan një lëng, ndoshta domatesh, sipas informacioneve paraprake, kundër një prej veprave më të famshme të Vinsent Van Gog ”Luledielli”, e ekspozuar në Galerinë Kombëtare në Londër.

Fushata ”Just Stop Oil”, e nisur kundër hapave pas në politikën e emergjencës klimatike nga Liz Truss dhe qeveria konservatore, ka nisur në BM prej disa ditësh, me aksione kundër vendeve dhe transportit publik nga skuadrat e aktivistëve radikalë.

Imazhet e blicit në Galerinë Kombëtare tregojnë dy militante shumë të reja në veprim.

Të dyja hyjnë në muze të veshura me bluza të bardha me fjalët ”Just Stop Oil” dhe më pas hedhin dy kanaçe me lëng domate, me sa duket, kundër pikturës së Van Gogut.

”Luledielli” i Galerisë Kombëtare është një nga pesë versionet e së njëjtës temë të pikturuar nga artisti i madh holandez dhe ka një vlerë fillestare prej 80 milionë eurosh. / KultPlus.com

“Më shumë parapëlqej të pikturoj sytë, sesa katedralet, sepse tek sytë ka diçka që nuk e gjen te katedralet”

“Më shumë parapëlqej të pikturoj sytë, sesa katedralet, sepse tek sytë, ka diçka që nuk e gjen te katedralet, edhe nëse ato janë madhështore dhe n’a sugjestionojnë…”
Van Gogh


30 mars 1890, dita e lindjes se Vincent van Gogh në Auvers-sur-Oise.

Një ditë me Van Gogh në Auvers-sur-Oise

Po zbrisja fushat e shkreta të kodrinës në Auvers-sur-Oise, përmbytur nga korbat e zinj që ende vinin vërdallë në qiell. Ishte korrik, por fushat me grurë që pikturonte Vincent Van Gogh nuk ishin më. Ishin fusha të shkreta. Dëgjoja krakëllimat e korbave dhe zbrisja për tu ndalur pak më tej ku mendoja se pikërisht aty duhej ta kishte qëlluar veten Van Gogh…
Ishte 27 korrik i vitit 1890 kur ai shkrehu armën pa e prekur zemrën. Sigurisht, do të donte të vdiste menjëherë në atë fushë gruri. I rrëzuar, i ngritur, me hapa të hedhura si një i dehur, ai kishte mundur të vinte deri në bujtinën e tij. Poshtë, çifti Ravoux kalonte mbrëmjen si të gjitha mbrëmjet e tjera, në bisedat e rëndomta të një jete të plogësht fshati. Hyrja e tij ishte e çuditshme, ndryshe nga herët e tjera dhe ata e vunë re ikjen e hepuar të qiraxhiut të tyre piktor që shkoi pa i përshëndetur si zakonisht, ashtu si një hije. Ai u ngjit në dhomë dhe ata prisnin që të zbriste. Atëherë, meqë ai nuk zbriti dhe ora kaloi, zoti Ravoux u ngjit vetë në shkallët e drunjta, drejt asaj dhome të mjerë, të zhveshur, veç me një krevat, një komodinë, një karrige… E pyeti se ç’kishte. Atëherë Vincent hapi xhaketën dhe i tregoi plagën në gjoks: «Doja të vrisja veten por nuk arrita dot ta bëja këtë!” – i tha ai me një të qeshur të hidhët.
Ravaux zbriti me nxitim të thërriste një mjek. Kërkoi doktorin Gachet. Ai erdhi e bashkë me të, më pas dhe një mjek tjetër. Të dy mjekët i lidhën plagën. Gjaku u pastrua por plumbi ishte brenda në trup, diku… Vincent kërkoi llullën e tij dhe e ndezi. Nuk fliste. Ishte i humbur, i vetëm në këtë botë. Menjëherë Gachet kishte njoftuar një mikun e Théo-s, piktor dhe ky që më së fundi të lajmëronte Théo-n që ishte në Paris. Kur Théo hyri në dhomën ku ai ishte shtrirë, Van Gogh i tha: “Dështova përsëri!»… Théo qante për fatin e vëllait të tij. – «Mos qa vëlla! Kështu është më mirë. Më mirë për ju, e bëra për të mirën e të gjithëve».
Orët kalonin. Meqë Vincent ndjehej gjithnjë e më keq, Théo njoftoi me një telegram gruan e tij Johana që të vinte dhe ajo. Por infeksioni i plagës po e linte atë pa frymë. Théo vinte rrotull pa mundur ta ndihmonte vëllain e mjerë e të pafat. I mori kokën në duar, i ledhatonte ballin… «Mos qa vëlla… – i thoshte përsëri Vincent, që dergjej në dhembje gjithnjë e më shumë, – doja të ikja për të mirën e të gjithëve, për mua, për ty, për Vincentin e vogël…» Pastaj, pas një kohë të gjatë me atë frymë të rënduar, Van Gogh gulçoi dhe vështroi nga vëllai: «Théo, mermë… Dua të kthehem në shtëpi!»
Erdhi mbrëmja dhe më pas ra nata. Ai nuk ndjehej më. Vallë ishte gjallë? Kishte vdekur?… Jo, ende… Më pas u dëgjua dhe një gulçimë e fundit. Me sa duket, e fundit. Ishte ora një e gjysmë e mëngjesit në një natë të errët, por me yje… si yjet që pikturonte Van Gogh. Ishte data 29 korrik. Auvers-sur-Oise flinte gjumë. Ata nuk e dinin se një piktor i madh sapo kishte vdekur në atë bujtinë të mjerë… Një artist në moshën 37 vjeçare sapo kishte vdekur. Tepër i ri, njëlloj siç do të vdiste një vit me vonë poeti Rimbaud, poeti i Zanoreve (Voyelles), që shikonte në to ngjyra, veç ngjyra… Në mëngjes, Ravoux, gruaja dhe vajza e tij, doktori Gachet, Théo, Johana e të tjerë, u mblodhën rreth të vdekurit. Gachet i vizatoi portretin. Meqë prifti nuk erdhi (ai nuk pranoi të varrosë një të vetvrarë – Zoti i madh nuk i pranonte ata!), Théo vendosi t’i bënin një varrim të thjeshtë dhe mos ta çonin atje, në atë kishë që ai e kishte pikturuar aq bukur, me ato ngjyra të rënda kobalti, pa e ditur se një ditë mund të ishte i shtrirë atje, në një arkivol të thjeshtë druri… Jo, nuk kishte ndodhur ashtu. Trupin e tij e nxorrën në heshtje dhe e përcollën drejt e në varreza, në majë të asaj kodrine që Vincent ngjiste çdo ditë, nën një diell të tmerrshëm që digjte dhe ku tutje, shquheshin ca lule dielli, lulet e dashura të tij. Kush i kishte pikturuar ato lule më bukur se ai në këtë botë? Cili vallë? Nga Parisi kishin ardhur disa miq të Théo-s, piktorë, që ju vinte keq për ikjen e atij artisti të vetmuar. Para varrit, doktor Gachet nuk arriti dot të fliste për pacientin dhe artistin e tij, pasi e mbytën lotët. Van Gogh hynte në dhé, mbulohej me dhé dhe tani një natë e errët ishte mbi kryet e tij, pa yje, një natë e zezë e pikturuar si në Saint Remy de Provence, dhe sytë e mbyllur përjetësisht. Artisti… Në shtypin periferik të qytezës Pontoise, jo larg Parisit, në L’Echo de Pontoise, një shënim i shkurtër ishte botuar të nesërmen: ”Auvers-sur-Oise. E djelë 27 korrik. Një i quajtur Van Gogh, hollandez dhe piktor, ka qenë kalimthi në Auvers dhe në fushë e qëlloi veten me revolver, por meqë u plagos, ai u kthye në dhomën e tij dhe të nesërmen vdiq.”
Vetëm 70 ditë në Auvers-sur-Oise të Van Gogh… dhe ato 70 ditë janë periudha e artë e veprës së tij, më prodhimtarja dhe koha kur u ngjizën pikturat më të jashtëzakonshme: Kisha e Auvers-sur-Oise, Fusha e Auvers-sur-Oise, Kështjella… Brenda dy muajve, 75 tablo të mëdha dhe 35 vizatime… një punë titanike! Kur ishte kthyer nga jugu i Francës në Paris, ai kishte qëndruar disa kohë në Paris, pranë vëllait të tij, por askush nuk kishte interes për pikturën tij, dhe ai e kuptonte dëshpërimin e të vëllait, edhe pse atë vetë kjo gjë nuk e dëshpëronte dhe aq shumë. Për të kishte rëndësi të jetonte me pikturën, të punonte, të zgjohej dhe të flinte pranë kavaletit të tij.
Ato ditë në Paris, Théo i kishte folur për krizën e shitjes së pikturave në përgjithësi dhe se shitja e tablove të artistëve të tjerë, por edhe të tij, nuk po ecte. Varfëria trokiste në derën e çiftit hollandez, në atë apartament të vjetër parisian ku banonte Théo me Johanën dhe Vincentin e vogël. Pra vëllai s’mund ta ndihmonte më si më parë, duke i siguruar bojrat, pëlhurat, duke e nxitur gjithnjë për artin e tij dhe se mundi nuk do t’i shkonte kot. Kjo gjë Van Gogh-un e dëshpëroi pa masë. Ndjeu një fajësi të madhe sikur ai ishte shkak i halleve të mëdha që e kishin pllakosur vëllain e tij. Edhe pse i kishte parë tablotë e tij të hedhura ashtu në atë apartament, nuk i kishte ardhur më keq, sesa kur pa fytyrën hijerëndë të të vëllait… Kur kishte shkuar në bodrumin e mikut të Théos, tregëtarit Tanguy dhe kishte parë tablotë e tij të hedhur atje, ishte tmerruar. Sikur kishin flakur fëmijët e tij. O Zot!… kishte pëshpëritur Vincent!… Dhe ashtu, me zemër të vrarë për të vëllain dhe pikturat e tij, ai ishte detyruar të nisej drejt Auvers-sur-Oise, rreth 60 kilometra larg Parisit, një vend paqeje dhe për piktorë të tjerë.
Në gjithë jetën e tij si piktor, Van Gogh kishte mundur të shiste vetëm një tablo dhe kjo ishte Hardhi e kuqe, për 400 franga. Kjo kishte ndodhur veç një muaj më parë… 400 franga, ja shpërblimi i gjithë atyre viteve punë, përpjekje, ëndrra… Kishte zbritur në stacionin e vjetër të atij vendi të gjelbëruar me katër telajo të bardha dhe një letër për doktor Gachet. Katër telajo dhe bota që i vinte vërdallë në kokën e tij me atë shpirt të trazuar. Katër telajo dhe një vend për të fjetur në katin sipër bujtinës me 3,5 franga nata përfshi dhe ushqimin. A nuk i kishte thënë Théo-s se “të pikturoj, kjo gjë do të ishte ilaçi më i mirë”? E megjithatë trishtohej dhe menjëherë i shkruante Theo-s: “Ndjehem i dështuar. Ky është fati im dhe kjo s’do të ndryshojë më… Megjithatë, duke lënë mënjanë ambicjen time, ne mund të jetojmë bashkë pa rrënuar njëri-tjetrin”. Përse vallë i shkruante kështu?…
Atje në Auvers-sur-Oise, buzë lumit Oise, Vincent kishte gjetur strehë në bujtinën e çiftit Ravaux, atje kishte gjetur dhe doktor Gachet që do të kujdesej për gjendjen e tij dhe ku ditë më vonë do të pikturonte portretin e tij. Atje do të bridhte nëpër fshat për të hedhur në telajo atë çka shikonte e pëlqente syri i tij, me ngjyrat që dote ai, me penelatat e tij ndryshe nga të tjerat, me atë shqetësim dhe dramacitet që ndihet në tablotë e tij. Théo i shkruante letra t’i ngrinte moralin, e po ashtu edhe Johana i shkruante. Atëherë Vincent i përgjigjej Teos se “letra e saj ishte evangjelike, si një çlirim nga një ankth në një kohë që të gjithë bashkë ndjejmë rrezikun për bukën tonë…”. Në një letër tjetër Vincent i shkruante të vëllait: “… U ktheva… mora fuçën, e cila pothuaj më bie nga dora… kam pikturuar tri tablo. Janë sipërfaqe të mëdha me grurë, me një qiell të shqetësuar, në një vetmi ekstreme…”
Jo shumë kohë më parë dy tablo të tij ishin paraqitur në “Sallonin e të Pavarurve” që organizohej atëherë në Paris. Vetëm dy tablo në një ekspozitë, ja jeta e një piktori të dëshpëruar… Megjithatë ato ishin tablo që do të hynin në historinë e mëvonshme: Irisët dhe Nata me yje… Dhe tani ai pikturonte fushën me grurë të kodrinës së Auvers-sur-Oise, “Fushë gruri nën një qiell me re (Champs de ble sous un ciel nouageux)… Pastaj po ajo fushë me grurë dhe korba, Fushë gruri me korba (Champs de ble aux corbeaux), qiej të shqetësuar dhe ato njolla të zeza që vinin rrotull në atë qiell të kaltër me re… Korbat!
Në letrën e tij, siç dukej bëhej fjalë për tablonë Fusha e grurit me korbat… Korbat si lajmëtarë zie. Njolla të zeza në atë të artë gruri. Qiej të thellë, blu e fortë, e errët, thellësi kuadri, dinamizëm i asaj që ishte atje tej si të ishte një qiell e tokë tjetër, ndoshta një vend tjetër për të shkuar… vallë dëshira e piktorit? Sigurisht… Tashmë edhe me doktor Gachet ishte zemëruar… Nuk e përmend më as në letrat e tij. Por doktori e donte hollandezin e gjorë. Dhe piktori i bindet. Punonte, ngjitej drejt kodrës në mëngjes dhe kthehet në bujtinë në muzg.

Adhuruesit e piktorit

Van Gogh nuk arriti t’i njohë adhuruesit e tij edhe pse e dinte se një ditë vepra e tij do të vlerësohej. Ata u shfaqën vonë. E kështu, gjithë bota do t’a adhuronte. Po kështu dhe shqiptarët… Më kujtohen gjithnjë tablotë e para që kisha parë nga veprat e piktorit. Sigurisht në revista. Në fillim, në shtëpinë e Ali Osekut, në një album të madh, ku piktori më tregonte me entusiazëm veprën e Van Gogh-ut. Atëherë në Tiranë, në fillimin e viteve 70-të, në rrethet e studentëve të artit si dhe ndër piktorët flitej ngado për këtë piktor. Vlash Droboniku, miku im i Kinostudios, fliste parreshtur për të e po kështu Gazmend Leka, Bujar Luca… Maks Velo na e tregon me një ironi therrëse sesi në hetuesi, i akuzuar për “joshjen ndaj artit dekadent borgjez” dhe “agjitacion e propaganda”, hetuesi i tij që e thoshte keq emrin e piktorit të madh e pyeste se cili na ishte ky Van Gong, pasi as që e kishte dëgjuar ndonjëherë në jetën e tij këtë emër. Ç’lidhje kishte Van Gogh me politikën e bunkerëve dhe të plumbit?… Të gjithë e adhuronin Vincent Van Gogh, piktorin me “veshin e prerë” kur ishte në jug të Francës dhe kur u grind me mikun e tij të ngushtë, piktorin Gauguin. Artur Muharremi, me të cilin punonim bashkë në Kinostudio, më kishte pikturuar një kopje të tablosë së piktorit Jeune fille au bois (Vajza në pyll) dhe Ullishtat të pikturuar nga Vincent kur ishte në Saint-Remy-de-Provence, të cilat i mbaja në dhomën time bashkë me nja dy pamje të prera revistash “Nata me yje” (Nuit etoilée) dhe “Kositësi” (Le Faucher). Ishin gjithnjë aty, të pranishme, ditën dhe natën, gjithnjë me magjepsjen pas penelit të trazuar, pas okrës dhe blusë së tij. Kur erdha në Paris që muajt e parë kërkova varrin e Van Gogh dhe aty mora vesh se Vincent nuk flinte në varrezat parisiane por 60 kilometra më larg, në Auvers-sur-Oise. Dhe unë shkova, mora rrugën për në Auvers-sur-Oise, midis një gjelbërimi të hatashëm.
Që nga ajo ditë pelegrinazhet e mia nuk kanë rreshtur, pasi sa herë vinin artistë shqiptarë në Paris unë i çoja te varri i piktorit të madh, aq sa m’u kthye në një lloj obsesioni. Kështu kam shkuar me Ali Osekun, Hasan Nallbani, Ilia Xhokaxhi, Edi Hila, Thoma Thomai, Vangjel Gjikondi… Kështu kam shkuar me miqtë e mi Artur Muharremi, Ylljet Aliçka e shumë të tjerë. Shkonim në varrin e piktorit, në atë varr ku krah tij, mbuluar të dy, përqafuar me një dredhëz jeshile të errët ishin dhe eshtrat e Teos, i cili pak kohë jetoi pas tij, pasi i sëmurë, i vrarë shpirtërisht dhe nga vdekja e vëllait, vdiq shpejt, duke lënë vetëm Johanën e tij bashkë me Vincentin e vogël, gjashtë muaj më vonë, në janar të vitit 1891… Dhe një ditë befasia ime ishte kur pikërisht në atë vend, gjeta dhe studion e një piktori shqiptar, Julian Tauland, të dashuruar pas Van Gogh… Dhe bashkë me të ne morrëm rrugën drejt fushës me grurë, atje ku piktori kishte qëlluar veten e tij… Ngritëm sytë në qiell dhe përsëri korbat… dhe Van Gogh që gjendej aty midis nesh, në imagjinatën tonë, në gjurmët e jetës së piktorit… Pikërisht ato ditë ishte rihapur legjenda sipas së cilës Van Gogh nuk kishte dashur të vriste veten, por se në kthim nga kodrina për në bujtinë, ai kishte ndeshur rrugës dy vëllezër të atij fshati që ziheshin dhe në përpjekje për t’i ndarë, dikush nga ata e kishte goditur padashje. Vallë e vërtetë? Historianët Steven Naifeh dhe Gregory White Smith thonë se kjo është e vërteta, por vështirë ta besosh, pasi Van Gogh do ia kishte thënë këtë ndodhi si zotit Ravaux ashtu dhe të vëllait Théo apo doktorit Gachet… Kisha e fshatit është po ajo që ka pikturuar Vincent në tablo që e bëri atë të njohur e ku gjithnjë vizitorët e shumtë nga e gjithë bota ndalojnë të bëjnë fotografi në oborrin e saj. Ti vështron kishën, fushat me grurë, qiellin e kaltër dhe të kujtohet paleta e këtij gjeniu të pikturës që kishte atë ndjesi të jashtëzakonshme të ngjyrës: “Në pranverë është e verdha, ngjyra e grurit të ri, me një jeshile të ngrohtë dhe mollët e kuqe rozë. Vjeshta ka konturin e gjetheve të verdha me tone ngjyrë vjollce. Dimri ka borën dhe personazhet e zeza. Pra, nëse në pranverë kemi ballafaqimin e ngjyrave blu me një element portokallie në grunajat ngjyrë bronxi të praruar, mund të bëjmë kështu një tablo që shpreh mirë atmosferën e stinëve me gjithë kontrastet e ngjyrave plotësuese (e kuqe dhe jeshile, blu dhe portokalli, e verdhë dhe vjollcë, e bardhë dhe e zezë)…”

Referenca universale

Pothuaj para një viti u hap në Paris një ekspozitë e Van Gogh duke vendosur krahë veprave të tij dhe interpretimin me tekstin e shkruar të Antonin Artaud. Dhe drejtori i Musée d’Orsay, Guy Cogeval kishte bërë një përzgjedhje të përkryer për të na treguar një tjetër “facete” apo këndvështrim në gjykimin e veprës së piktorit të famshëm. Edhe pse dukej se teksti i Artaud ishte disi i harruar, i shkruar në vitet e para pas lufte, ai tekst kishte një interpretim të jashtëzakonshëm të veprës së artistit të margjinalizuar nga shoqëria, pasi shkrimi i Artaud ishte një britmë e madhe e njeriut të dëshpëruar, Brenda saj ishte dhe britma e një poeti si Nerval apo vetë atij, pasi shoqëria i largoi këta artistë, sepse ata e shqetësonin atë.
Antonin Artaud e shkroi tekstin Van Gogh, le suicidé de la société (Van Gogh, i vetvrari i shoqërisë) në shkurt të vitit 1947, brenda tri javëve dhe për më tepër i shtyrë nga një revistë, e cila kishte botuar esenë e një psikiatri që e cilësonte Van Gogh-un si një “artist të dezikuilibruar”. Dhe kjo e tërboi atë. Atëherë, në Orangerie des Tuillerie në Paris sapo ishte hapur një ekspozitë e piktorit, pas shumë e shumë dekadash. Dhe kur Artaud kishte nxituar drejt asaj retrospektive dhe i kishte parë ato tablo, ishte magjepsur dhe tronditur njëkohësisht nga forca e gjeniut, pasi gjeti aty shëmbëllimin e vetes, në një periudhë të rëndë psikike, pas një rënie të madhe morale, edhe pse ai ishte një intelektual i rendit të parë, aktor dhe poet. Dhe ai tekst i shkruar në dhomën e tij të trishtë, ishte një klithmë e artistit kundër institucioneve, pasi siç shkruante Artaud, duke iu referuar dhe poetit Gerard de Nerval-it, «ai nuk ishte një i çmendur, por u akuzua si i tillë sepse po bëhej gati të tregonte ca të vërteta »… Vallë ishte kështu? Mundet, pasi raste të tilla artistësh e shkrimtarësh kanë ndodhur në botën e artit, ashtu siç çoheshin në çmendinë jo pak artistë në Bashkimin Sovjetik, apo Kasem Trebeshina dhe Selman Vaqarri në Shqipëri. Por sigurisht, Van Gogh s’kishte asnjë lidhje me politikën, por ishte e vërtetë që ai e ndjeu përjashtimin që i bënte shoqëria dhe së pari rrethi i artistëve zyrtarë. Pikërisht kundër kësaj ngrihej i revoltuar Artaud. «Van Gogh nuk ishte i çmendur! – shkruante ai në atë tekst të botuar si libër më vete, ku në kopertinë ishte një fushë me grurë. “Van Gogh, është poeti më i vërtetë i të gjithë piktorëve… Organist i një stuhie të ngrirë (në një telajo)!” Dhe padyshim, po të shohësh vetëm tablonë Fushë gruri me korba e kupton fare mirë thelbin e thënies së Artaud për Van Gogh si një “organist të një stuhie”… «Tani që po shkruaj këto rreshta, – vazhdonte më poshtë Artaud, – shoh fytyrën e përgjakur të poetit që vjen drejt meje, në një murale luledielli të zgaflluar… ai pikturon në konvulsion e sipër »…
Stuhia… po, një stuhi pikturale që vështirë të krijohet në kuadrin e një telajo, brenda një tabloje. Por kjo “stuhi” e Van Gogh, vinte pas një pune shumë vjeçare mbi paletën e tij, pas një pune të palodhur dhe udhë të shumta në një ethe të përhershme, siç dhe i shkruante vëllait të tij në një letër nga Borinage, më 1880: “Duhet të vazhdoj në këtë rrugë që kam nisur, pasi nëse nuk bëj asgjë, nëse nuk studjoj, nëse nuk kërkoj, atëherë jam i mbaruar. Mjerë unë atëherë! Ja si i mendoj gjërat: duhet të vazhdoj, të vazhdoj gjithnjë. Kjo është e nevojshme. Po cili është qëllimi përfundimtar, do thuash ti? Ky qëllim bëhet më i përcaktuar dhe ai skicohet ngadalë, por me siguri, ashtu si një “croquis” që kthehet në vizatim, si një vizatim që bëhet pastaj një tablo, punë që bëhet duke pikturuar seriozisht, duke kërkuar e duke u thelluar në idenë e turbullt të fillimit, disi fluturake e kalimtare gjersa ajo fiksohet mirë…” Dhe kështu nga viti në vit, nga tabloja në tablo, artisti ngjitej në rrugën drejt gjenialitetit. “Van Gogh, – shtonte Artaud, – është nga të vetmit që e ka tejkaluar pikturën, artin “inert” për të paraqitur thjesht natyrën, pasi ai bën të shfaqet me hov një forcë vibruese, një element i marrë drejtpërdrejtë nga thelbi i vet, nga zemra”… A nuk ishte kështu kur peneli i Van Gogh i jepte një tjetër “forcë vibruese” të njëjtës tablo që ai kopjonte nga Millet, duke e transformuar atë? A nuk thoshte ai se “në vend që të riprodhoj ngjyrat që kam para syve, unë i përdor ato në mënyrë arbitrare, që ta shpreh veten akoma më me forcë”?… Kjo ishte gjenia e tij.
Sigurisht, Van Gogh kishte problemet e tij, lidhur me ndjeshmërinë e jashtëzakonshme të tij, një brishtësi që sot konsiderohet si një “shqetësim bi-polar”, për çka disa herë u detyrua në Arles e gjetkë të ndiqej nga një psikiatër, dhe kjo kishte gjurmët e veta, gjurmë që vinin nga fëmijëria… Vallë një ndjesi faji, një hije që e ndiqte pas? Hija e vëllait që kishte vdekur para tij, pas lindjes dhe që i kishin quajtur me emrin Vincent? Dhe meqë ai nuk jetoi, më pas, kur ai lindi, i vunë po emrin Vincent? Vincent duhej të mbijetonte… dhe ja, piktori që endej nëpër Hollandë e Francë me emrin e një vëllai të vdekur, sikur ta mbante dhe atë në kurriz gjatë gjithë një jete, edhe pse një jetë fare e shkurtër, në erë e furtunë.
Nga ai korrik i vitit 1890 e deri sot kanë kaluar 126 vjet dhe fama e atij piktori të “mjerë” pushtoi jo vetëm botën pikturale por gjithë rruzullin. Tablotë e harruara të tij diku në një depo të Théo-s, do të ishin tablotë më të çmuara dhe më të shtrenjtat në historinë e pikturës. Dy stërnipa të Van Gogh erdhën këtë vit në Auvers-sur-Oise në jubileun e piktorit dhe përjetuan dhe njëherë ato imazhe të ditëve të fundit të Van Gogh, atë bujtinë të thjeshtë të çiftit Ravaux, atë dhomë gati bosh, me një krevat dhe një karrige të vizituar sot nga miliona njerëz, ku siç thotë Dominique-Charles Janssens, “Këtu s’ka asgjë për të parë, por gjithçka për të ndjerë”. Dhe ai që viziton atë dhomë përjeton vërtet një shpirt që endet në botën e tij të trazuar… Në vitin 1985, bujtina e çiftit Ravaux ishte në shkatërrim të plotë, një kafene e rëndomtë me mbishkrimin e vjetër “Commerce de vins-Restaurant” («Dyqan vere dhe restorant») por që mbarte një histori të madhe. Dhe ky njeri, me dashurinë për artin dhe së pari për veprën e Van Gogh, e bleu atë për ta kthyer në një vend pelegrinazhi për njerëzit e gjithë botës. Dhe turistët janë me mijra, si lumi i Oise, që rrjedh aty pranë, përjetësisht.
Duke u kthyer nga Auvers-sur-Oise, me një katalog në duar dhe një qiell të kaltër mbi sy, përpara m’u shfaq papritur pamja e asaj lule dielli të pikturuar nga artisti. Dhe menjëherë m’u kujtua ai fragment teksti ku Artaud shkruante: «Lule dielli në ngjyrë bronxi janë pikturuar nga ai. Janë pikturuar si luledielli dhe asgjë më shumë, por që të kuptosh një lule dielli të natyrës, tashmë duhet t’i rikthehesh Van Gogh-ut, ashtu si për të kuptuar stuhinë, nuk mund të mos i drejtohesh përsëri atij…» Kjo thënie mishëronte gjithçka ngjizte vërtet peneli i Van Gogh, pasi piktura e tij nuk ishte thjeshtë filozofi, poetikë, abstraksion, por që nga fillimet e veta e deri në fund, bota e tij ishte njeriu, fushat, mbledhësit e patateve, gratë e përvuajtura dhe njerëzit e vetmuar në ato dhoma të errta, pa dritë apo ato figura të përkulura mbi fushat e jetës, ishin korrësit dhe mbjellësit (Semeur au soleil couchant – Mbjellës në perëndim të diellit), pasi Van Gogh me mbjellësit e tij, mbillte kështu farën e një arti human… / Luan Rama / KultPlus.com

Jeta e artistit ikonik holandez Vincent van Gogh

Lehtësisht një nga holandezët më të famshëm që ka jetuar ndonjëherë, Vincent van Gogh është një artist jashtëzakonisht me ndikim dhe me famë botërore, i njohur kryesisht për goditjet e tij të guximshme dhe dramatike të penelit, të cilat mund të gjenden në shumë nga pikturat e tij më të njohura, duke përfshirë ‘Sunflowers’ dhe ‘The Starry Night’, transmeton KultPlus.

Por sa dini për njeriun që qëndron pas veprës së famshme artistike? Për nder të ditëlindjes së tij të 169-të, le të zhytemi në jetën e trazuar të Vincent van Gogh.

Jeta e hershme e Van Gogh në Holandë

I lindur në fshatin Zundert në Brabant më 30 mars 1853, jeta e hershme e Van Gogh ishte e mbushur me familje, natyrë dhe dashuri. Si djali i madh i ministrit protestant Theodorus van Gogh dhe Anna Carbentus, ai kishte tre motra më të vogla dhe dy vëllezër.

Duke u larguar nga shtëpia në moshën 11-vjeçare për të ndjekur shkollën me konvikt në Zevenbergen, Van Gogh nuk premtonte shumë si artist apo si student. Ai u transferua në një shkollë të mesme në Tilburg në moshën 13 vjeçare, përpara se ta braktiste në gjysmë të vitit të dytë.

Kur ishte 16 vjeç, xhaxhai i tij arriti t’i siguronte një punë si praktikant në Goupil & Cie, një tregtar ndërkombëtar arti me qendër në Hagë. Katër vjet më vonë, në 1873, ai u transferua në zyrat e kompanisë në Londër.

Vitet pa qëllim në Francë, Angli dhe Belgjikë

Van Gogh kaloi disa vite në Londër, ku vizitoi muze dhe galeri të ndryshme dhe mundi të admironte punën e një numri artistësh të njohur. Në 1875 ai u transferua në Paris, por megjithë dashurinë e tij në rritje për artin e të gjitha llojeve, ai luftoi për të gjetur ndonjë gëzim në punën e tij në Goupil & Cie. Ai u pushua nga detyra në 1876 dhe u kthye në Angli, ku punoi në shkollat në Ramsgate dhe Isleworth.

Duke u ndjerë pa qëllim, Van Gogh u kthye në Holandë në 1877 dhe kaloi disa muaj duke punuar në një librari afër Roterdamit përpara se të regjistrohej si student i teologjisë në Amsterdam – edhe pse kjo nuk zgjati shumë. Ai u largua nga Amsterdami, duke u zhvendosur në Belgjikë ku punoi si predikues laik. Devotshmëria dhe përkushtimi i tij ndaj besimit të tij e panë atë të mbiquajtur Krishti i Minierës së Qymyrit.

Fillimi i karrierës artistike të Van Gogh

Pikërisht pas kësaj, Van Gogh vendosi të ndiqte këshillën e vëllait të tij Theo dhe të ndiqte aftësinë dhe interesin e tij për vizatim, duke u bindur se mund t’i shërbente Zotit si artist. Ai kaloi vitet e para të karrierës së tij artistike duke përsosur teknikat e tij dhe duke takuar piktorë të tjerë, duke u kthyer në Brabant në 1881. Pas një debati shpërthyes me të atin, Van Gogh u transferua në Hagë ku ndoqi klasa pikture me Anton Mauve, një artist i famshëm dhe burri i një prej kushërinjve të Van Gogh.

Theo e mbështeti financiarisht vëllain e tij të madh gjatë gjithë kësaj periudhe, edhe kur, në 1882, Van Gogh ra në dashuri me Sien Hoornik, një ish-prostitutë dhe nënë e dy fëmijëve. Kjo lidhje ishte jetëshkurtër dhe Van Gogh u largua nga Haga për të udhëtuar nëpër fshatra në provincën e Drenthes për tre muaj përpara se të kthehej në shtëpinë e prindërve të tij në Nuenen në 1883.

Van Gogh punoi si “piktor fshatar” për shumë vite, duke marrë me qira një studio në fshatin Brabant. Pikërisht gjatë kësaj periudhe ai filloi punën për një nga pikturat e tij më të famshme: “Patato Eaters”. Në vitin 1885, ai u largua për herë të fundit nga Holanda, duke u regjistruar në akademinë e artit në Antwerp – të cilën e la pas vetëm disa muajsh. Ai vendosi të transferohej në Paris, ku vëllai i tij Theo e prezantoi atë me punën e artistëve të ndryshëm modernë.

Jeta e tij në Paris pati një ndikim të rëndësishëm në stilin e Van Gogh-ut, pasi ai hoqi ngjyrat më të errëta dhe tonet e zymta që preferonte në “The Potato Eaters” dhe i ndërroi ato me nuanca më të ndritshme. Ndikimi i artit modern bëri që Van Gogh të zhvillonte stilin e tij të pikturës; goditjet më të shkurtra të penelit për të cilët është i famshëm tani.

Vitet e fundit të Vincent van Gogh

Pas dy vjetësh në kryeqytetin francez, Van Gogh hoqi dorë nga ngutja dhe rrëmuja e qytetit për paqen e jetës në fshat, duke u zhvendosur në qytetin Arles në Francën jugore në 1888, ku jetoi me kolegun e tij artist Paul Gaugin. Ky ishte vendi ku, në vitet e fundit të jetës së tij, Van Gogh përsosi më tej stilin e tij dhe krijoi disa nga veprat e tij më me ndikim.

Marrëdhënia midis Gaugin dhe Van Gogh ishte e tensionuar, me Van Gogh duke u bërë gjithnjë e më i shqetësuar dhe i pakënaqur. Një debat mes të dyve rezultoi në përfundimin se Van Gogh ia preu veshin, e mbështolli me një copë gazetë dhe ia paraqiti një prostitute vendase. Pas kësaj, Van Gogh u shtrua në një spital lokal.

Pasi u lirua në janar 1889, Van Gogh vazhdoi të punonte, pavarësisht nga shëndeti i tij i dobët mendor. Disa muaj më vonë, ai u pranua në spitalin psikiatrik Saint Paul de Mausole. Gjatë 12 muajve që kaloi atje, Van Gogh përfundoi 150 piktura, duke përfshirë Lulëzimin e Bajames, të cilat ia dërgoi Theos pas lindjes së fëmijës së tij të parë me gruan Jo: Vincent Willem van Gogh.

Ai u lirua në maj 1890 dhe vendosi të transferohej në fshatin Auvers-sur-Oise në periferi të Parisit. Këtu, nën inkurajimin e mjekut të tij, Paul Gauchet, Van Gogh përfundonte një pikturë në ditë. Edhe pse, për njëfarë kohe, dukej sikur shëndeti i tij po përmirësohej, shqetësimet financiare bënë që ai të shqetësohej gjithnjë e më shumë për të ardhmen e tij të pasigurt. Më 27 korrik 1980, pasiguria u bë e tepërt për t’u duruar dhe Van Gogh qëlloi veten në gjoks, duke iu nënshtruar plagëve të marra dy ditë më vonë.

Trashëgimia e Vincent van Gogh si një artist me famë botërore

Statusi i Vincent van Gogh si një artist me famë botërore nuk mund të diskutohet. Deri në kohën e vdekjes së tij, Van Gogh përfundoi mbi 850 piktura dhe pothuajse 1.300 vepra të tjera në letër. I nënvlerësuar gjerësisht gjatë jetës së tij, ai shiti pikturën e tij të parë vetëm disa muaj para vdekjes së tij në një ekspozitë në Bruksel. Që atëherë, vlerësimi publik për aftësitë e Van Gogh ka vazhduar të rritet.

Muzeu Van Gogh në Amsterdam

Pas vdekjes së vejushës së Theos, Jo në 1925, nipi i Van Gogh, Vincenti i huazoi pikturat e xhaxhait të tij në Muzeun Stedelijk në Amsterdam në vitin 1930. Kërkesat për një muze kushtuar artistit u rritën, megjithatë, dhe në vitin 1962, Vincent transferoi pronësinë e veprave të xhaxhait të tij te Fondacioni Vincent van Gogh. Qeveria holandeze filloi punën për muzeun, i cili u hap përfundimisht nga mbretëresha Juliana më 2 qershor 1973. Një nga muzetë më të famshëm në Holandë, nëse jo në botë, Muzeu Van Gogh në Amsterdam tani mirëpret dy milionë vizitorë çdo vit./ KultPlus.com

Pse imitonte Van Gogh pikturat e Jean-François Millet?!

Kopjimi ishte një ushtrim për piktorët fillestarë, por ai nuk u vu në siklet ta bënte këtë. “Unë mund t’ju siguroj se më intereson jashtëzakonisht shumë të bëj kopje” i shkruan ai vëllait të tij, Theo.

Duhet të mos e lëmë mënjanë faktin se Van Gogh nuk kishte marrë ndonjë trajnim akademik për pikturë.

Ai kishte mësuar të vizatonte dhe të pikturonte përmes praktikimeve të pafund. Gjatë përsosjes së kësaj përvoje kishte hasur vështirësi në trajtimin e personazheve në punë.

Kopjimi, ose huazimi i subjektit ishte një qasje së cilës ai nuk i’u shqit deri në fund të karrierës së tij. Këto dy piktura janë: (majtas) “Korrësi” punë e Jean-François Millet, vaj në kanavacë e përmasave 38 x 27 cm, viti 1853, (djathtas) është një tablo e Van Gogh, teknika, vaj në kanavacë, përmasat 43,5 x 25,0 cm, Saint-Rémy, shtator, 1889.

Konstatohet pa shumë mund një lloj ngjashmërie mes këtyre dy punëve. Edhe pse ato kanë specifika dalluese të thella, në përdorimin e ngjyrës dhe trajtimin e figurës, sikurse në shprehjen estetike dhe penelatat e aplikuara. Van Gogh është ndoshta nga të vetmit piktor në historinë e pikturës, të cilin e identifikon penelata dhe paleta e ngjyrës, e cila ka mbetur unike dhe e paimitueshme, pavarësisht se huajtja e subjekteve duket se e kompromenton krijimtarinë e tij. Por jo.

Ai e ka përsosur subjektin duke e idealizuar në një trajtim krejt të ndryshtë, aq sa sot pas ka vitesh tabloja e tij është e tija dhe pikë.Van Gogh gjatë qëndrimit në Saint-Rémy, një provincë në Jugu i Francës, bëri njëzet e një imitime nga vepra e Jean-François Millet. Van Gogh nuk kishte ndërmend që veprat e tij të ishin kopjime të mirëfillta të origjinaleve, shkruajnë kritikët.

Duke folur posaçërisht për punimet pas Millet, ai shpjegoi, “nuk është kopjim i pastër dhe i thjeshtë që dikush do të bënte. Përkundrazi është përkthimi në një gjuhë tjetër, në atë të ngjyrave, përshtypjet e kiaroskuro dhe bardh e zi”. /albertvataj/ KultPlus.com

‘Të vuash pa u ankuar është i vetmi mësim që duhet të marrim në këtë jetë’

Vincent Willem van Gogh ishte një piktor holandez post-impresionist, i cili pas vdekjes u bë një nga figurat më të famshme dhe me ndikim në historinë e artit perëndimor.

Në një dekadë, ai krijoi rreth 2,100 vepra arti, duke përfshirë rreth 860 piktura vaji, shumica e të cilave datojnë nga dy vitet e fundit të jetës së tij.

KultPlus sjell një koleksion të thënieve më të njohura të kësaj mendjeje unike që njohu bota.

Të vuash pa u ankuar është i vetmi mësim që duhet të marrim në këtë jetë.

Peshkatarët e dinë që deti është i rrezikshëm dhe stuhia e tmerrshme, por ata kurrë nuk i kanë parë këto rreziqe si arsye të mjaftueshme për të qëndruar në breg.

Eshtë mirë të duash shumë gjëra, sepse aty qëndron forca e vërtetë, dhe kushdo që do shumë bën shumë, dhe mund të arrijë shumë, dhe ajo që bëhet në dashuri bëhet mirë.

Unë ëndërroj pikturën time dhe pikturoj ëndrrën time.

Jini të vetëdijshëm për yjet dhe pafundësinë në lartësi. Atëherë jeta duket pothuajse një magjepsje.

Nuk ka asgjë më artistike sesa të duash njerëzit.

Një zjarr i madh digjet brenda meje, por askush nuk ndalet për tu ngrohur në të, dhe kalimtarët shohin vetëm një shfryrje tymi.

Unë nuk di asgjë me siguri, por të shoh yjet më bën të ëndërroj.

Normaliteti është një rrugë e shtruar: është e rehatshme të ecësh, por asnjë lule nuk rritet në të.

Nëse dëgjon një zë brenda që thotë se nuk mund të pikturosh, atëherë me çdo kusht pikturo dhe ai zë do të heshtet.

Kam vënë zemrën dhe shpirtin tim në punën time dhe kam humbur mendjen në këtë proces.

Shpesh mendoj se nata është më e gjallë dhe më e ngjyrosur se dita.

Cila do të ishte jeta nëse nuk do të kishim guximin të provonim diçka?

Nëse një gjë ia vlen për më vonë atëherë ia vlen edhe për tani. Sepse gruri është grurë, edhe nëse njerëzit mendojnë se është një bar në fillim.

Jam duke kërkuar, po përpiqem, jam i përfshirë në të me gjithë zemrën time.

Arti shërben për të ngushëlluar ata që janë të thyer nga jeta. / KultPlus.com

Hockney dhe Van Gogh: Si na sjellin gëzim imazhet e natyrës?!

Në Mars te vitit 2020, përderisa ne po mundoheshim të ambientoheshim me pandeminë, David Hockney publikoi një imazh të dafinave të verdha të ndritshme, të quajtur “Mos harroni se ata nuk mund ta anulojnë pranverën”. Kjo e fundit ofroi një shpërthim optimizmi shumë të nevojshëm, duke na kujtuar të gjithëve se natyra, me ciklet e saj të vazhdueshme të rilindjes dhe përtëritjes, ende mund të ofrojë shpresë, shkruan BBC, përcjell KultPlus.

Hockney e ka vlerësuar prej kohësh botën natyrore, si për frymëzimin e saj estetik ashtu edhe për cilësitë terapeutike: “Ne mund të pasurohemi vetëm duke parë natyrën,” ka thënë ai.

Është një pikëpamje që shumë prej nesh kemi arritur ta përjetojmë pasi kemi bërë shëtitje të gjata për të qetësuar mendjet tona. Është vërtetuar se vetëm 20 minuta në natyrë arrijnë që të ulin stresin te ne, kështu edhe vështrimi i një pikture të natyrës ka po të njejtin efekt.
Kështu që nuk është për t’u habitur që vizitorët janë mbledhur në Hockney – Van Gogh: “Gëzimi i Natyrës” në Muzeun e Arteve të Bukura në Hjuston, ndërsa londinezët po presin me padurim The Hockney’s Mbërritja e Pranverës, e cila hapet këtë javë në The Royal Academy.

Ekspozita, një ri-punim i ekspozitës jashtëzakonisht popullore të vitit 2019 në Muzeun Van Gogh në Amsterdam, eksploron dashurinë e dy artistëve për natyrën, si dhe ndikimin e pagabueshëm që ka Van Gogh te Hockney.

Hockney ka thënë: “Unë gjithmonë e kam gjetur botën mjaft të bukur, vetëm duke e parë atë. Dhe kjo është një gjë e rëndësishme që ndaj me Vincent van Gogh: ne të dy me të vërtetë kënaqemi duke shikuar botën”, përcjell tutje KultPlus.

Ndoshta nuk është për t’u habitur që tema e tyre shpesh mbivendoset.
“Ne kemi një pikturë të bukur nga Van Gogh me disa trungje pemësh, por vetëm pjesën e poshtme të dy trungjeve të pemëve në pyll në pranverë dhe është sikur ai është pothuajse i shtrirë në tokë në pyll dhe para tij është ky qilim i mrekullueshëm i lule të egra, “thotë Dumas.

Hockney hulumtoi të njëjtën temë në monumentin e tij Arritja e Pranverës në Woldgate, East Yorkshire, 2011, në të cilën “gjithçka është zmadhuar me të vërtetë, të gjitha lulet e egra janë vërtet të hedhura në erë”, thotë Dumas. / KultPlus.com

Një pikturë e sapozbuluar e Van Goghut shfaqet për herë të parë në muzeun e Amsterdamit

Një pikturë e papublikuar më parë e Van Goghut do të shfaqet për herë të parë publkisht në muzeun e Amsterdamit, përcjell KultPlus.

Piktura e paparë më herët, titullohet:” Worn out” dhe është nga viti 1882. Kjo pikturë ka qenë e qasshme vetëm për një numër minimal të njerëzve ku ka qenë pjesë e koleksionit privat të Holandës. Pronari, i cili mbetet anonim, i kërkoi muzeut të përcaktojë nëse piktura e panënshkruar është vepër e Van Goghut.

Nga stili, tek materialet e përdorura – një laps i trashë zdrukthëtari dhe letër me bojëra uji të trashë – ai përputhet me vizatimet e Van Gogh në Hagë, tha të enjten Studiuesi i Lartë Teio Meedendorp. Madje ka gjurmë dëmtimi në pjesën e pasme që e lidhin atë me mënyrën se si Van Gogh përdori nyje niseshteje për të bashkuar fletët e letrës në dërrasat e vizatimit. Vjen nga një kohë në karrierën e artistit kur ai po punonte për të përmirësuar aftësitë e tij si piktor i portreteve duke i vizatuar njerëzit pa pushim.

Ajo tregon një burrë të moshuar, tullac ulur, i kërrusur përpara, në një karrige prej druri, kokën e tij tullac në duar. Edhe pantallonat e modelit duket se përputhen me titullin anglez – një copë toke është qartë e dukshme në këmbën e djathtë.

Drejtoresha e muzeut Emilie Gordenker në një deklaratë u shpreh se: “Ne jemi krenarë që jemi në gjendje të ndajmë këtë vizatim të hershëm dhe historinë e tij me vizitorët tanë.”

Van Gogh, i cili ishte i mbështetur në zemërgjerësinë e vëllait të tij Theo gjatë gjithë jetës së tij, u dha vizatimeve një titull anglez në një përpjekje për të krijuar pak njohje të emrit të tij dhe ndoshta edhe për të gjetur një punë në një revistë të ilustruar.

Piktura i është dhënë hua muzeut dhe shfaqet nga e Premtja deri më 2 Janar. /KultPlus.com

Vincent van Gogh, piktori gjenial hollandez

Niçe, tha një herë: “Në dashuri ka gjithmonë një grimcë çmendurie, siç ka gjithmonë një grimcë logjike në çmenduri”.

S’do mend që kishte të drejtë, pasi gjithnjë hasim vështirësi në identifikimin e caqeve në aspekte të shumta të jetës njerëzore. Ku mbaron gjenialiteti dhe çmenduria? A na shtyn dashuria në çmenduri? Pse shumica e artistëve të mëdhenj ishin të pajisur me atë çuditshmëri, që shpesh rezultonte në sëmundje mendore? Le të sjellim ndërmend skizofreninë e Edvard Munch, autori i “Ulërima”, apo krizat paranojake të gjeniut Dali, të dy personalitete të shquara që gjetën në art shprehjen perfekte për demonët dhe mrekullitë e mendjeve të tyre të privilegjuara, por njëherazi të vuajtura. Fare pak artistë e kanë gjetur vërtet lumturinë në artin e tyre, aq më pak në kanavacën e rrugëtimit të jetës. Shembulli i Vinsent Van Gogut është absolutisht më i rëndësishmi.

Piktori modest, i cili nuk arriti kurrë famë në të gjallë, vuante nga sëmundje të ndryshme: epilepsi, sindroma Menier dhe psikoza maniako-depresive. Pati një jetë të shënuar nga dhimbja dhe vetmia, ku e vetmja dashuri e vërtetë ishte ajo e të vëllait, Teos. Një jetë e shkurtër dhe e trazuar, kryevepra që të lënë pa frymë nga bukuria dhe forca e shprehjes, të tilla janë të dhënat e mitit Van Gog. Njeri me temperament mistik, i përnjëhershëm në lartësim, si fetar, ashtu edhe estetik. Si piktura, edhe feja shfaqet në zemër të ekzistencës së Van Gogut, një ekzistencë shënuar nga ndjeshmëria dhe dhembshuria karshi të përulurve. Nisur nga ky këndvështrim, piktura e Van Gogut fiton lehtësisht një karakter shoqëror, dëshmues dhe empatik.

Vinsent Van Gogu lindi në Zundert, Hollandë, më 30 mars 1853 dhe vdiq në Auvers-sur-Oise më 29 korrik 1890. Një nga piktorët më të famshëm të të gjitha kohërave, me gati nëntëqind piktura, më shumë se njëmijë vizatime dhe skicat e panumërta të cilat mbanin firmën e tij. Gjithsesi, nuk ishin numrat që e bënin të madh, por ndjeshmëria e tij karakteristike. Lulediellit emblematike, veshi i prerë legjendar, prapëseprapë ai nuk u njoh në të gjallë dhe konsiderohej si dështak. Imagjinoni një botë pa “Lulediellit”, apo “Nata me yje”?

Botë gati inekzistente.

Fillimisht, Van Gogu ishte i destinuar për priftërinë dhe punoi si predikues laik në rajonin e Borinage të Belgjikës. Kur u pushua nga puna, vendosi që e ardhmja e tij do të lidhej me pikturën. Van Gogu filloi të pikturonte veçse në moshën 27-vjeçare dhe nuk ndoqi asnjë seancë mësimore. Gjeniu kishte aftësinë të hidhte në telajo ndjenjat që përjetonte, duke përzier ngjyrat me penelatat e fuqishme. Jeta e tij karakterizohej nga vetmia dhe dhimbja, çrregullimet mendore dhe izolimi, çka i konsumonin mundësinë e një jete të lumtur. Mirëpo, fuqia piktoreske është edhe falë këtyre mundimeve, që e shoqëruan përgjatë tridhjetë e shtatë viteve të jetës së tij të shkurtër. “Kur vështroj yjet gjithmonë më fut në ëndërrime […] a nuk mund ta marrim vdekjen për të shkuar te një yll?”.

Letrat që Van Gogu i shkroi Teos (të mbledhura në librin “Letra për Teon”) janë një dëshmi e gjallë e ndjeshmërisë së pabesueshme të piktorit. Marrëdhënia me të vëllanë ishte mbase më autentikja e jetës së tij. “Kështu kalon jeta, koha nuk kthehet. Por unë jam i paepur në punën time […]. Sidomos në rastin tim, ku një krizë më e fortë mund të më shkatërrojë aftësinë për të pikturuar njëherë e përgjithmonë. Gjatë krizës, ndjehem frikacak me ankth dhe vuajtje – më frikacak se sa do të kishte kuptim të ndjeja”. Dhimbja dhe mundimi që gllabëroi piktorin del qartë në letra: “Do të doja të të shkruaja shumë gjëra, por e ndiej të padobishme”. Për rrjedhojë, ndjenjat u rikrijuan me penel. Piktura më e famshme është “Fusha e grurit me fluturimin e sorrave”, 1890, ku e verdha e shndritshme dhe e gjallë e grurit takohet me qiellin e zymtë të mbushur me sorra të zeza kërcënuese. Kanavacë që paralajmëronte fundin e artistit, që pikturoi me lot zemre. Burimet e frymëzimit të Van Gogut janë të larmishme, ato përfshijnë pikturën e zhanrit holandez dhe piktura realiste nga Millet apo bashkëkohësit, por u influencua shumë edhe nga gdhendjet e drurit japonez. Madje, bëri edhe kopje, duke ruajtur stilin shumë ekspresiv dhe idiosinkratik, të gdhendjeve nga Hiroshige, Kesai Eisen etj.

Edhe pse punoi vetëm 10 vjet, nga 27-37 vjeç, Van Gogu qe jashtëzakonisht i frytshëm, duke prodhuar mbi 900 piktura dhe shumë vizatime dhe skica, të cilat barazohen me një vepër të re çdo 36 orë. Përveç krijimit të qindra pikturave, shkroi thuajse po aq letra dhe kartolina, të cilat përfshinin skicat e para të disa prej kryeveprave më të famshme.

Gjeniu kishte marrëdhënie të ngushta me piktorin Paul Gauguin. Madje, Van Gogu, Gauguin dhe Emile Bernard planifikuan të formonin një komunitet të ngushtë artistësh në jug të Francës, ku synonin të jetonin dhe të pikturonin së bashku. Me nxitjen e Van Gogut, tre artistët shkëmbyen autoportrete. Kur pikturoi të famshmen “Nata me yje”, nuk mendoi aspak për të. Në fakt, e konsideronte veten dështak, kurse shumë prej pikturave si dështime, aq sa thashethemet thonë se shiti vetëm një pikturë gjatë jetës. Sikur të ktheheshim në kohë dhe t’i tregonim se sa i famshëm do të ishte mbi 150-vjet më vonë!

Van Gogu preu veshin në 1888, por a e dini pse? Rrethanat nuk dihen saktë, por mjaft ekspertë besojnë se ngjarja ndodhi pas një debati të ashpër me kolegun, piktorin Paul Gauguin në Shtëpinë e verdhë në Arles.

Van Gogu vuante nga çrregullimet mendore, aq sa në prill 1889, shkoi vullnetarisht në spitalin psikiatrik Saint-Paul-de-Mausole, në Saint-Remy, ku qëndroi për një vit. Disa prej pikturave më të njohura i pikturoi nga dritarja e spitalit, përfshi “Nata me yje”. Pasi la azilin, u vendos në Auvers, një fshat afër Parisit, për të qenë pranë të vëllait, Teos. Mirëpo, shëndeti mendor vazhdoi të përkeqësohej dhe, më 29 korrik 1890, ai u vetëvra. Vdiq dy ditë më vonë, duke i drejtuar të vëllait fjalët: “mjerimi nuk do të mbarojë kurrë”./ Konica.al / KultPlus.com

Mbi 15 autoportrete të Vincent van Gogh do të prezantohen në Londër

Auto-portretet e Vincent van Gogh do të shfaqen në Londër vitin e ardhshëm, në atë që organizatorët thonë se është ekspozita e parë kushtuar përshkrimeve të artistit holandez post-impresionist.

Nga shkurti, Galeria Courtauld do të vërë në skenë shfaqjen nga “Vetë-Portreti me një Kapelë të Errët të Ndjerë” të pikturuar në vitin 1886 në Paris te “Vetë-Portreti me një Paletë” që van Gogh e pikturoi në një azil në Saint-Rémy-de- Provence, Franca e Jugut, në Shtator të vitit 1889. Ai vdiq një vit më pas.

Një pjesë e koleksionit Courtauld, i mirënjohuri “Auto-Portret me Veshin e Fashuar”, të cilin Van Gogh e pikturoi në vitin 1889 pasi i preu pjesën më të madhe të veshit, do të shfaqet gjithashtu së bashku me veprat e huazuara.

“Kjo do të jetë hera e parë që hapësira e plotë e vetë-portretizimit të Van Gogh është eksploruar në një ekspozitë”, thanë organizatorët, e cila do të rihapet në nëntor pas një rinovimi, tha në një deklaratë të enjten.

“Një përzgjedhje e jashtëzakonshme e më shumë se 15 auto-portreteve do të bashkohet për të gjurmuar evolucionin e auto-përfaqësimit të Van Gogh. Disa punime në ekspozitë ishin së fundmi së bashku në studion e Van Gogh dhe nuk janë ribashkuar kurrë, deri më tani.” “Van Gogh Auto-Portrete” do të zhvillohet në The Courtauld, e cila është e vendosur në Somerset House të Londrës qendrore, nga 3 shkurt deri më 8 maj 2022./ KultPlus.com

Kur Van Gogh i shkruante vëllaut: Për të vepruar në këtë botë, duhet të vdesësh brenda vetes

Disa nga mendimet mbi artin dhe jetën që Van Gogh i ndante përmes letrave me vëllaun e tij, Theo.

Për të vepruar në këtë botë, duhet të vdesësh brenda vetes…Njeriu nuk gjendet përmbi tokë vetëm për të qenë i lumtur, as dhe për të qenë thjesht i ndershëm. Gjendet për të realizuar gjëra të mëdha për shoqërinë, për të arritur fisnikërinë e shpirtit e për t’u hedhur përtej vulgaritetit në të cilin hiqet zvarrë ekzistenca e pothuaj të gjithë individëve.

Për çfarë mund të jem i dobishëm, për çfarë duhem? Ka diçka brenda meje, por çfarë është?

Njeriu është i huaj përmbi tokë dhe jeta e tij është një udhëtim i shkundulluar nga stuhitë.

Ç’është të pikturuarit? Si arrihet? Është akti i shpalosjes së një peizazhi, nëpërmjet një muri të padukshëm prej hekuri, që me gjasë gjendet mes asaj që ndjen e asaj që mundesh.

Më pëlqen më shumë të pikturoj sytë e njerëzve se sa katedralet, sepse në sytë e njerëzve egziston diçka që nuk gjendet në katedralet, sado madhështore e hijerënda që të jenë.

Do të doja të pikturoja burra e gra me nuk di se ç’gjë të përjetshme, për të cilën, dikur, simboli ishte aureola që ne e kërkojmë në rrezatimin e brendshëm e në regëtimën e koloritit tonë.

Gjithçka është në të njëjtën kohë, simbol dhe realitet.

Të vuajturit pa u ankuar, është i vetmi mësim që mund të marrësh në këtë jetë.

Ngandonjëherë, ashtu si dallgët e dëshpëruara që thërrmohen ndër shkëmbinj, unë ndjej dëshirën turbulluese për të përqafuar diçka…

Në ethen time trunore apo në çmendurinë, nuk di si ta çuaj, mendimet e mia kanë lundruar në shumë dete.

Është e vështirë të largohesh nga një vend, përpara se të kesh treguar në një farë mënyre se e ke ndjerë dhe e ke dashur.

A e di ti, Theo, këtë shprehje të një poeti holandez: “jam lidhur me tokën me fije më shumë se tokësore”?

Nuk jetoj për veten, po për brezin që do të vijë.

Natyra është mënyra më e mirë për të kuptuar artin; piktorët na mësojnë që të shikojmë.

Nëse do të vlej diçka në të ardhmen, vlej edhe tashti, sepse gruri është grurë, edhe pse qytetarët në fillim e pandehnin bar.

E kështu, për punën time rrezikoj jetën dhe kam humbur gjysmën e arsyes.

Njeriu është i huaj përmbi tokë, dhe jeta e tij është një udhëtim I tronditur nga stuhitë.

Jeta jonë është si çapitja e një pelegrini. Një herë pashë një pikturë të shkëlqyer, paraqiste një peisazh mbrëmësor. Në të djathtë, në largësi, një rresht kodrinash që dukeshin si blu në lagështirën e mbrëmjes. Përmbi këto kodrina, vezullimën e perendimit, retë gri të përvijuara me argjend, me ar e me purpur. Peisazhi është një rrafshinë e mbuluar me bar e me shkurre dhe aty- këtu me lëvoret e bardha të mështeknave, gjethet e së cilave janë të verdha, sepse është vjeshtë. Mespërmes peisazhit gjarpëron një rrugë që të çon kah një mal i lartë, shumë, shumë të largët, e mbi majën e malit, një qytet mbi të cilin dielli që perendon lëshon një dritë lavdie.

Mbi rrugë ecën një pelegrin që në dorë ka një bastun. Ai tashmë është duke ecur që prej shumë kohe dhe është i lodhur. Takon një grua, një figurë krejt në të zeza që të sjell ndërmend fjalët e Shën Palit: “Edhe pse e trishtë, prapëseprapë gjithnjë e hareshme. Ky engjëll i Zotit është vënë aty për t’i dhënë zemër pelegrinit e për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij; dhe pelegrini e pyet: “A shkon gjithnjë përpjetë kjo rrugë?”. Dhe përgjigja është: “Po, deri në fund”. E pelegrini pyet sërish: “A do të vazhdojë gjithë ditën udhëtimi?” Dhe përgjigja: “Nga agimi deri në mbrëmje, miku im”. Dhe pelegrini vijon rrugën e tij, i trishtë e prapëseprapë gjithë hare.

Në pranverë, një zog në kafaz e di mirë se ka diçka së cilës mund t’i shërbejë, e ndjen shumë mirë se ka diçka që do mund ta bënte, por nuk mund të bëjë asgjë, e çështë kjo? Nuk i kujtohet mirë, ka ide të vagullta dhe thotë: “Të tjerët bëjnë foletë e tyre, nxjerrin jashtë të vegjëlit e tyre dhe i ushqejnë”, e mandej përplas kokën e tij të vockël në telat e kafazit. Por kafazi nuk tundet dhe zogu çmendet prej dhimbjes. “Shiko çfarë bjerraditësi”, thotë një tjetër zog që kalon aty pranë, “ai është një tip që jeton me të falur”. E megjithatë, i burgosuri vazhdon të mbahet, nuk vdes. Jashtë nuk duket asgjë prej asaj që ai ka brënda. Ka shëndet të mirë e kohë më kohë, ndjehet i gëzuar nën rrezet e diellit. Po mandej vjen koha e dashurive. Dallgë depresioni. “Por, a ka me të vërtetë gjithçka që i nevojitet?”- thonë fëmijët që kujdesen për të e për kafazin e tij. E ai, rri i palëvizur me vështrimin e ndehur kah qielli,  ku vërehet kërcënimi i një shtërngate, e brenda vetes ndjen rebelim ndaj fatit  të tij. “Rri në kafaz, rri në kafaz, e nuk më mungon asgjë, budallenj! Kam gjithçka që më nevojitet! Por ju lutem, liri, lermëni të jem një zog si të tjerët!”. Kështu, ndonjëherë, një njeri që nuk bën asgjë, i ngjan një zogu që nuk bën asgjë. /albertvataj/ KultPlus.com

“Më shumë parapëlqej të pikturoj sytë, sesa katedralet, sepse tek sytë ka diçka që nuk e gjen te katedralet”

“Më shumë parapëlqej të pikturoj sytë, sesa katedralet, sepse tek sytë, ka diçka që nuk e gjen te katedralet, edhe nëse ato janë madhështore dhe n’a sugjestionojnë…”
Van Gogh


30 mars 1890, dita e lindjes se Vincent van Gogh në Auvers-sur-Oise.

Një ditë me Van Gogh në Auvers-sur-Oise

Po zbrisja fushat e shkreta të kodrinës në Auvers-sur-Oise, përmbytur nga korbat e zinj që ende vinin vërdallë në qiell. Ishte korrik, por fushat me grurë që pikturonte Vincent Van Gogh nuk ishin më. Ishin fusha të shkreta. Dëgjoja krakëllimat e korbave dhe zbrisja për tu ndalur pak më tej ku mendoja se pikërisht aty duhej ta kishte qëlluar veten Van Gogh…
Ishte 27 korrik i vitit 1890 kur ai shkrehu armën pa e prekur zemrën. Sigurisht, do të donte të vdiste menjëherë në atë fushë gruri. I rrëzuar, i ngritur, me hapa të hedhura si një i dehur, ai kishte mundur të vinte deri në bujtinën e tij. Poshtë, çifti Ravoux kalonte mbrëmjen si të gjitha mbrëmjet e tjera, në bisedat e rëndomta të një jete të plogësht fshati. Hyrja e tij ishte e çuditshme, ndryshe nga herët e tjera dhe ata e vunë re ikjen e hepuar të qiraxhiut të tyre piktor që shkoi pa i përshëndetur si zakonisht, ashtu si një hije. Ai u ngjit në dhomë dhe ata prisnin që të zbriste. Atëherë, meqë ai nuk zbriti dhe ora kaloi, zoti Ravoux u ngjit vetë në shkallët e drunjta, drejt asaj dhome të mjerë, të zhveshur, veç me një krevat, një komodinë, një karrige… E pyeti se ç’kishte. Atëherë Vincent hapi xhaketën dhe i tregoi plagën në gjoks: «Doja të vrisja veten por nuk arrita dot ta bëja këtë!” – i tha ai me një të qeshur të hidhët.
Ravaux zbriti me nxitim të thërriste një mjek. Kërkoi doktorin Gachet. Ai erdhi e bashkë me të, më pas dhe një mjek tjetër. Të dy mjekët i lidhën plagën. Gjaku u pastrua por plumbi ishte brenda në trup, diku… Vincent kërkoi llullën e tij dhe e ndezi. Nuk fliste. Ishte i humbur, i vetëm në këtë botë. Menjëherë Gachet kishte njoftuar një mikun e Théo-s, piktor dhe ky që më së fundi të lajmëronte Théo-n që ishte në Paris. Kur Théo hyri në dhomën ku ai ishte shtrirë, Van Gogh i tha: “Dështova përsëri!»… Théo qante për fatin e vëllait të tij. – «Mos qa vëlla! Kështu është më mirë. Më mirë për ju, e bëra për të mirën e të gjithëve».
Orët kalonin. Meqë Vincent ndjehej gjithnjë e më keq, Théo njoftoi me një telegram gruan e tij Johana që të vinte dhe ajo. Por infeksioni i plagës po e linte atë pa frymë. Théo vinte rrotull pa mundur ta ndihmonte vëllain e mjerë e të pafat. I mori kokën në duar, i ledhatonte ballin… «Mos qa vëlla… – i thoshte përsëri Vincent, që dergjej në dhembje gjithnjë e më shumë, – doja të ikja për të mirën e të gjithëve, për mua, për ty, për Vincentin e vogël…» Pastaj, pas një kohë të gjatë me atë frymë të rënduar, Van Gogh gulçoi dhe vështroi nga vëllai: «Théo, mermë… Dua të kthehem në shtëpi!»
Erdhi mbrëmja dhe më pas ra nata. Ai nuk ndjehej më. Vallë ishte gjallë? Kishte vdekur?… Jo, ende… Më pas u dëgjua dhe një gulçimë e fundit. Me sa duket, e fundit. Ishte ora një e gjysmë e mëngjesit në një natë të errët, por me yje… si yjet që pikturonte Van Gogh. Ishte data 29 korrik. Auvers-sur-Oise flinte gjumë. Ata nuk e dinin se një piktor i madh sapo kishte vdekur në atë bujtinë të mjerë… Një artist në moshën 37 vjeçare sapo kishte vdekur. Tepër i ri, njëlloj siç do të vdiste një vit me vonë poeti Rimbaud, poeti i Zanoreve (Voyelles), që shikonte në to ngjyra, veç ngjyra… Në mëngjes, Ravoux, gruaja dhe vajza e tij, doktori Gachet, Théo, Johana e të tjerë, u mblodhën rreth të vdekurit. Gachet i vizatoi portretin. Meqë prifti nuk erdhi (ai nuk pranoi të varrosë një të vetvrarë – Zoti i madh nuk i pranonte ata!), Théo vendosi t’i bënin një varrim të thjeshtë dhe mos ta çonin atje, në atë kishë që ai e kishte pikturuar aq bukur, me ato ngjyra të rënda kobalti, pa e ditur se një ditë mund të ishte i shtrirë atje, në një arkivol të thjeshtë druri… Jo, nuk kishte ndodhur ashtu. Trupin e tij e nxorrën në heshtje dhe e përcollën drejt e në varreza, në majë të asaj kodrine që Vincent ngjiste çdo ditë, nën një diell të tmerrshëm që digjte dhe ku tutje, shquheshin ca lule dielli, lulet e dashura të tij. Kush i kishte pikturuar ato lule më bukur se ai në këtë botë? Cili vallë? Nga Parisi kishin ardhur disa miq të Théo-s, piktorë, që ju vinte keq për ikjen e atij artisti të vetmuar. Para varrit, doktor Gachet nuk arriti dot të fliste për pacientin dhe artistin e tij, pasi e mbytën lotët. Van Gogh hynte në dhé, mbulohej me dhé dhe tani një natë e errët ishte mbi kryet e tij, pa yje, një natë e zezë e pikturuar si në Saint Remy de Provence, dhe sytë e mbyllur përjetësisht. Artisti… Në shtypin periferik të qytezës Pontoise, jo larg Parisit, në L’Echo de Pontoise, një shënim i shkurtër ishte botuar të nesërmen: ”Auvers-sur-Oise. E djelë 27 korrik. Një i quajtur Van Gogh, hollandez dhe piktor, ka qenë kalimthi në Auvers dhe në fushë e qëlloi veten me revolver, por meqë u plagos, ai u kthye në dhomën e tij dhe të nesërmen vdiq.”
Vetëm 70 ditë në Auvers-sur-Oise të Van Gogh… dhe ato 70 ditë janë periudha e artë e veprës së tij, më prodhimtarja dhe koha kur u ngjizën pikturat më të jashtëzakonshme: Kisha e Auvers-sur-Oise, Fusha e Auvers-sur-Oise, Kështjella… Brenda dy muajve, 75 tablo të mëdha dhe 35 vizatime… një punë titanike! Kur ishte kthyer nga jugu i Francës në Paris, ai kishte qëndruar disa kohë në Paris, pranë vëllait të tij, por askush nuk kishte interes për pikturën tij, dhe ai e kuptonte dëshpërimin e të vëllait, edhe pse atë vetë kjo gjë nuk e dëshpëronte dhe aq shumë. Për të kishte rëndësi të jetonte me pikturën, të punonte, të zgjohej dhe të flinte pranë kavaletit të tij.
Ato ditë në Paris, Théo i kishte folur për krizën e shitjes së pikturave në përgjithësi dhe se shitja e tablove të artistëve të tjerë, por edhe të tij, nuk po ecte. Varfëria trokiste në derën e çiftit hollandez, në atë apartament të vjetër parisian ku banonte Théo me Johanën dhe Vincentin e vogël. Pra vëllai s’mund ta ndihmonte më si më parë, duke i siguruar bojrat, pëlhurat, duke e nxitur gjithnjë për artin e tij dhe se mundi nuk do t’i shkonte kot. Kjo gjë Van Gogh-un e dëshpëroi pa masë. Ndjeu një fajësi të madhe sikur ai ishte shkak i halleve të mëdha që e kishin pllakosur vëllain e tij. Edhe pse i kishte parë tablotë e tij të hedhura ashtu në atë apartament, nuk i kishte ardhur më keq, sesa kur pa fytyrën hijerëndë të të vëllait… Kur kishte shkuar në bodrumin e mikut të Théos, tregëtarit Tanguy dhe kishte parë tablotë e tij të hedhur atje, ishte tmerruar. Sikur kishin flakur fëmijët e tij. O Zot!… kishte pëshpëritur Vincent!… Dhe ashtu, me zemër të vrarë për të vëllain dhe pikturat e tij, ai ishte detyruar të nisej drejt Auvers-sur-Oise, rreth 60 kilometra larg Parisit, një vend paqeje dhe për piktorë të tjerë.
Në gjithë jetën e tij si piktor, Van Gogh kishte mundur të shiste vetëm një tablo dhe kjo ishte Hardhi e kuqe, për 400 franga. Kjo kishte ndodhur veç një muaj më parë… 400 franga, ja shpërblimi i gjithë atyre viteve punë, përpjekje, ëndrra… Kishte zbritur në stacionin e vjetër të atij vendi të gjelbëruar me katër telajo të bardha dhe një letër për doktor Gachet. Katër telajo dhe bota që i vinte vërdallë në kokën e tij me atë shpirt të trazuar. Katër telajo dhe një vend për të fjetur në katin sipër bujtinës me 3,5 franga nata përfshi dhe ushqimin. A nuk i kishte thënë Théo-s se “të pikturoj, kjo gjë do të ishte ilaçi më i mirë”? E megjithatë trishtohej dhe menjëherë i shkruante Theo-s: “Ndjehem i dështuar. Ky është fati im dhe kjo s’do të ndryshojë më… Megjithatë, duke lënë mënjanë ambicjen time, ne mund të jetojmë bashkë pa rrënuar njëri-tjetrin”. Përse vallë i shkruante kështu?…
Atje në Auvers-sur-Oise, buzë lumit Oise, Vincent kishte gjetur strehë në bujtinën e çiftit Ravaux, atje kishte gjetur dhe doktor Gachet që do të kujdesej për gjendjen e tij dhe ku ditë më vonë do të pikturonte portretin e tij. Atje do të bridhte nëpër fshat për të hedhur në telajo atë çka shikonte e pëlqente syri i tij, me ngjyrat që dote ai, me penelatat e tij ndryshe nga të tjerat, me atë shqetësim dhe dramacitet që ndihet në tablotë e tij. Théo i shkruante letra t’i ngrinte moralin, e po ashtu edhe Johana i shkruante. Atëherë Vincent i përgjigjej Teos se “letra e saj ishte evangjelike, si një çlirim nga një ankth në një kohë që të gjithë bashkë ndjejmë rrezikun për bukën tonë…”. Në një letër tjetër Vincent i shkruante të vëllait: “… U ktheva… mora fuçën, e cila pothuaj më bie nga dora… kam pikturuar tri tablo. Janë sipërfaqe të mëdha me grurë, me një qiell të shqetësuar, në një vetmi ekstreme…”
Jo shumë kohë më parë dy tablo të tij ishin paraqitur në “Sallonin e të Pavarurve” që organizohej atëherë në Paris. Vetëm dy tablo në një ekspozitë, ja jeta e një piktori të dëshpëruar… Megjithatë ato ishin tablo që do të hynin në historinë e mëvonshme: Irisët dhe Nata me yje… Dhe tani ai pikturonte fushën me grurë të kodrinës së Auvers-sur-Oise, “Fushë gruri nën një qiell me re (Champs de ble sous un ciel nouageux)… Pastaj po ajo fushë me grurë dhe korba, Fushë gruri me korba (Champs de ble aux corbeaux), qiej të shqetësuar dhe ato njolla të zeza që vinin rrotull në atë qiell të kaltër me re… Korbat!
Në letrën e tij, siç dukej bëhej fjalë për tablonë Fusha e grurit me korbat… Korbat si lajmëtarë zie. Njolla të zeza në atë të artë gruri. Qiej të thellë, blu e fortë, e errët, thellësi kuadri, dinamizëm i asaj që ishte atje tej si të ishte një qiell e tokë tjetër, ndoshta një vend tjetër për të shkuar… vallë dëshira e piktorit? Sigurisht… Tashmë edhe me doktor Gachet ishte zemëruar… Nuk e përmend më as në letrat e tij. Por doktori e donte hollandezin e gjorë. Dhe piktori i bindet. Punonte, ngjitej drejt kodrës në mëngjes dhe kthehet në bujtinë në muzg.

Adhuruesit e piktorit

Van Gogh nuk arriti t’i njohë adhuruesit e tij edhe pse e dinte se një ditë vepra e tij do të vlerësohej. Ata u shfaqën vonë. E kështu, gjithë bota do t’a adhuronte. Po kështu dhe shqiptarët… Më kujtohen gjithnjë tablotë e para që kisha parë nga veprat e piktorit. Sigurisht në revista. Në fillim, në shtëpinë e Ali Osekut, në një album të madh, ku piktori më tregonte me entusiazëm veprën e Van Gogh-ut. Atëherë në Tiranë, në fillimin e viteve 70-të, në rrethet e studentëve të artit si dhe ndër piktorët flitej ngado për këtë piktor. Vlash Droboniku, miku im i Kinostudios, fliste parreshtur për të e po kështu Gazmend Leka, Bujar Luca… Maks Velo na e tregon me një ironi therrëse sesi në hetuesi, i akuzuar për “joshjen ndaj artit dekadent borgjez” dhe “agjitacion e propaganda”, hetuesi i tij që e thoshte keq emrin e piktorit të madh e pyeste se cili na ishte ky Van Gong, pasi as që e kishte dëgjuar ndonjëherë në jetën e tij këtë emër. Ç’lidhje kishte Van Gogh me politikën e bunkerëve dhe të plumbit?… Të gjithë e adhuronin Vincent Van Gogh, piktorin me “veshin e prerë” kur ishte në jug të Francës dhe kur u grind me mikun e tij të ngushtë, piktorin Gauguin. Artur Muharremi, me të cilin punonim bashkë në Kinostudio, më kishte pikturuar një kopje të tablosë së piktorit Jeune fille au bois (Vajza në pyll) dhe Ullishtat të pikturuar nga Vincent kur ishte në Saint-Remy-de-Provence, të cilat i mbaja në dhomën time bashkë me nja dy pamje të prera revistash “Nata me yje” (Nuit etoilée) dhe “Kositësi” (Le Faucher). Ishin gjithnjë aty, të pranishme, ditën dhe natën, gjithnjë me magjepsjen pas penelit të trazuar, pas okrës dhe blusë së tij. Kur erdha në Paris që muajt e parë kërkova varrin e Van Gogh dhe aty mora vesh se Vincent nuk flinte në varrezat parisiane por 60 kilometra më larg, në Auvers-sur-Oise. Dhe unë shkova, mora rrugën për në Auvers-sur-Oise, midis një gjelbërimi të hatashëm.
Që nga ajo ditë pelegrinazhet e mia nuk kanë rreshtur, pasi sa herë vinin artistë shqiptarë në Paris unë i çoja te varri i piktorit të madh, aq sa m’u kthye në një lloj obsesioni. Kështu kam shkuar me Ali Osekun, Hasan Nallbani, Ilia Xhokaxhi, Edi Hila, Thoma Thomai, Vangjel Gjikondi… Kështu kam shkuar me miqtë e mi Artur Muharremi, Ylljet Aliçka e shumë të tjerë. Shkonim në varrin e piktorit, në atë varr ku krah tij, mbuluar të dy, përqafuar me një dredhëz jeshile të errët ishin dhe eshtrat e Teos, i cili pak kohë jetoi pas tij, pasi i sëmurë, i vrarë shpirtërisht dhe nga vdekja e vëllait, vdiq shpejt, duke lënë vetëm Johanën e tij bashkë me Vincentin e vogël, gjashtë muaj më vonë, në janar të vitit 1891… Dhe një ditë befasia ime ishte kur pikërisht në atë vend, gjeta dhe studion e një piktori shqiptar, Julian Tauland, të dashuruar pas Van Gogh… Dhe bashkë me të ne morrëm rrugën drejt fushës me grurë, atje ku piktori kishte qëlluar veten e tij… Ngritëm sytë në qiell dhe përsëri korbat… dhe Van Gogh që gjendej aty midis nesh, në imagjinatën tonë, në gjurmët e jetës së piktorit… Pikërisht ato ditë ishte rihapur legjenda sipas së cilës Van Gogh nuk kishte dashur të vriste veten, por se në kthim nga kodrina për në bujtinë, ai kishte ndeshur rrugës dy vëllezër të atij fshati që ziheshin dhe në përpjekje për t’i ndarë, dikush nga ata e kishte goditur padashje. Vallë e vërtetë? Historianët Steven Naifeh dhe Gregory White Smith thonë se kjo është e vërteta, por vështirë ta besosh, pasi Van Gogh do ia kishte thënë këtë ndodhi si zotit Ravaux ashtu dhe të vëllait Théo apo doktorit Gachet… Kisha e fshatit është po ajo që ka pikturuar Vincent në tablo që e bëri atë të njohur e ku gjithnjë vizitorët e shumtë nga e gjithë bota ndalojnë të bëjnë fotografi në oborrin e saj. Ti vështron kishën, fushat me grurë, qiellin e kaltër dhe të kujtohet paleta e këtij gjeniu të pikturës që kishte atë ndjesi të jashtëzakonshme të ngjyrës: “Në pranverë është e verdha, ngjyra e grurit të ri, me një jeshile të ngrohtë dhe mollët e kuqe rozë. Vjeshta ka konturin e gjetheve të verdha me tone ngjyrë vjollce. Dimri ka borën dhe personazhet e zeza. Pra, nëse në pranverë kemi ballafaqimin e ngjyrave blu me një element portokallie në grunajat ngjyrë bronxi të praruar, mund të bëjmë kështu një tablo që shpreh mirë atmosferën e stinëve me gjithë kontrastet e ngjyrave plotësuese (e kuqe dhe jeshile, blu dhe portokalli, e verdhë dhe vjollcë, e bardhë dhe e zezë)…”

Referenca universale

Pothuaj para një viti u hap në Paris një ekspozitë e Van Gogh duke vendosur krahë veprave të tij dhe interpretimin me tekstin e shkruar të Antonin Artaud. Dhe drejtori i Musée d’Orsay, Guy Cogeval kishte bërë një përzgjedhje të përkryer për të na treguar një tjetër “facete” apo këndvështrim në gjykimin e veprës së piktorit të famshëm. Edhe pse dukej se teksti i Artaud ishte disi i harruar, i shkruar në vitet e para pas lufte, ai tekst kishte një interpretim të jashtëzakonshëm të veprës së artistit të margjinalizuar nga shoqëria, pasi shkrimi i Artaud ishte një britmë e madhe e njeriut të dëshpëruar, Brenda saj ishte dhe britma e një poeti si Nerval apo vetë atij, pasi shoqëria i largoi këta artistë, sepse ata e shqetësonin atë.
Antonin Artaud e shkroi tekstin Van Gogh, le suicidé de la société (Van Gogh, i vetvrari i shoqërisë) në shkurt të vitit 1947, brenda tri javëve dhe për më tepër i shtyrë nga një revistë, e cila kishte botuar esenë e një psikiatri që e cilësonte Van Gogh-un si një “artist të dezikuilibruar”. Dhe kjo e tërboi atë. Atëherë, në Orangerie des Tuillerie në Paris sapo ishte hapur një ekspozitë e piktorit, pas shumë e shumë dekadash. Dhe kur Artaud kishte nxituar drejt asaj retrospektive dhe i kishte parë ato tablo, ishte magjepsur dhe tronditur njëkohësisht nga forca e gjeniut, pasi gjeti aty shëmbëllimin e vetes, në një periudhë të rëndë psikike, pas një rënie të madhe morale, edhe pse ai ishte një intelektual i rendit të parë, aktor dhe poet. Dhe ai tekst i shkruar në dhomën e tij të trishtë, ishte një klithmë e artistit kundër institucioneve, pasi siç shkruante Artaud, duke iu referuar dhe poetit Gerard de Nerval-it, «ai nuk ishte një i çmendur, por u akuzua si i tillë sepse po bëhej gati të tregonte ca të vërteta »… Vallë ishte kështu? Mundet, pasi raste të tilla artistësh e shkrimtarësh kanë ndodhur në botën e artit, ashtu siç çoheshin në çmendinë jo pak artistë në Bashkimin Sovjetik, apo Kasem Trebeshina dhe Selman Vaqarri në Shqipëri. Por sigurisht, Van Gogh s’kishte asnjë lidhje me politikën, por ishte e vërtetë që ai e ndjeu përjashtimin që i bënte shoqëria dhe së pari rrethi i artistëve zyrtarë. Pikërisht kundër kësaj ngrihej i revoltuar Artaud. «Van Gogh nuk ishte i çmendur! – shkruante ai në atë tekst të botuar si libër më vete, ku në kopertinë ishte një fushë me grurë. “Van Gogh, është poeti më i vërtetë i të gjithë piktorëve… Organist i një stuhie të ngrirë (në një telajo)!” Dhe padyshim, po të shohësh vetëm tablonë Fushë gruri me korba e kupton fare mirë thelbin e thënies së Artaud për Van Gogh si një “organist të një stuhie”… «Tani që po shkruaj këto rreshta, – vazhdonte më poshtë Artaud, – shoh fytyrën e përgjakur të poetit që vjen drejt meje, në një murale luledielli të zgaflluar… ai pikturon në konvulsion e sipër »…
Stuhia… po, një stuhi pikturale që vështirë të krijohet në kuadrin e një telajo, brenda një tabloje. Por kjo “stuhi” e Van Gogh, vinte pas një pune shumë vjeçare mbi paletën e tij, pas një pune të palodhur dhe udhë të shumta në një ethe të përhershme, siç dhe i shkruante vëllait të tij në një letër nga Borinage, më 1880: “Duhet të vazhdoj në këtë rrugë që kam nisur, pasi nëse nuk bëj asgjë, nëse nuk studjoj, nëse nuk kërkoj, atëherë jam i mbaruar. Mjerë unë atëherë! Ja si i mendoj gjërat: duhet të vazhdoj, të vazhdoj gjithnjë. Kjo është e nevojshme. Po cili është qëllimi përfundimtar, do thuash ti? Ky qëllim bëhet më i përcaktuar dhe ai skicohet ngadalë, por me siguri, ashtu si një “croquis” që kthehet në vizatim, si një vizatim që bëhet pastaj një tablo, punë që bëhet duke pikturuar seriozisht, duke kërkuar e duke u thelluar në idenë e turbullt të fillimit, disi fluturake e kalimtare gjersa ajo fiksohet mirë…” Dhe kështu nga viti në vit, nga tabloja në tablo, artisti ngjitej në rrugën drejt gjenialitetit. “Van Gogh, – shtonte Artaud, – është nga të vetmit që e ka tejkaluar pikturën, artin “inert” për të paraqitur thjesht natyrën, pasi ai bën të shfaqet me hov një forcë vibruese, një element i marrë drejtpërdrejtë nga thelbi i vet, nga zemra”… A nuk ishte kështu kur peneli i Van Gogh i jepte një tjetër “forcë vibruese” të njëjtës tablo që ai kopjonte nga Millet, duke e transformuar atë? A nuk thoshte ai se “në vend që të riprodhoj ngjyrat që kam para syve, unë i përdor ato në mënyrë arbitrare, që ta shpreh veten akoma më me forcë”?… Kjo ishte gjenia e tij.
Sigurisht, Van Gogh kishte problemet e tij, lidhur me ndjeshmërinë e jashtëzakonshme të tij, një brishtësi që sot konsiderohet si një “shqetësim bi-polar”, për çka disa herë u detyrua në Arles e gjetkë të ndiqej nga një psikiatër, dhe kjo kishte gjurmët e veta, gjurmë që vinin nga fëmijëria… Vallë një ndjesi faji, një hije që e ndiqte pas? Hija e vëllait që kishte vdekur para tij, pas lindjes dhe që i kishin quajtur me emrin Vincent? Dhe meqë ai nuk jetoi, më pas, kur ai lindi, i vunë po emrin Vincent? Vincent duhej të mbijetonte… dhe ja, piktori që endej nëpër Hollandë e Francë me emrin e një vëllai të vdekur, sikur ta mbante dhe atë në kurriz gjatë gjithë një jete, edhe pse një jetë fare e shkurtër, në erë e furtunë.
Nga ai korrik i vitit 1890 e deri sot kanë kaluar 126 vjet dhe fama e atij piktori të “mjerë” pushtoi jo vetëm botën pikturale por gjithë rruzullin. Tablotë e harruara të tij diku në një depo të Théo-s, do të ishin tablotë më të çmuara dhe më të shtrenjtat në historinë e pikturës. Dy stërnipa të Van Gogh erdhën këtë vit në Auvers-sur-Oise në jubileun e piktorit dhe përjetuan dhe njëherë ato imazhe të ditëve të fundit të Van Gogh, atë bujtinë të thjeshtë të çiftit Ravaux, atë dhomë gati bosh, me një krevat dhe një karrige të vizituar sot nga miliona njerëz, ku siç thotë Dominique-Charles Janssens, “Këtu s’ka asgjë për të parë, por gjithçka për të ndjerë”. Dhe ai që viziton atë dhomë përjeton vërtet një shpirt që endet në botën e tij të trazuar… Në vitin 1985, bujtina e çiftit Ravaux ishte në shkatërrim të plotë, një kafene e rëndomtë me mbishkrimin e vjetër “Commerce de vins-Restaurant” («Dyqan vere dhe restorant») por që mbarte një histori të madhe. Dhe ky njeri, me dashurinë për artin dhe së pari për veprën e Van Gogh, e bleu atë për ta kthyer në një vend pelegrinazhi për njerëzit e gjithë botës. Dhe turistët janë me mijra, si lumi i Oise, që rrjedh aty pranë, përjetësisht.
Duke u kthyer nga Auvers-sur-Oise, me një katalog në duar dhe një qiell të kaltër mbi sy, përpara m’u shfaq papritur pamja e asaj lule dielli të pikturuar nga artisti. Dhe menjëherë m’u kujtua ai fragment teksti ku Artaud shkruante: «Lule dielli në ngjyrë bronxi janë pikturuar nga ai. Janë pikturuar si luledielli dhe asgjë më shumë, por që të kuptosh një lule dielli të natyrës, tashmë duhet t’i rikthehesh Van Gogh-ut, ashtu si për të kuptuar stuhinë, nuk mund të mos i drejtohesh përsëri atij…» Kjo thënie mishëronte gjithçka ngjizte vërtet peneli i Van Gogh, pasi piktura e tij nuk ishte thjeshtë filozofi, poetikë, abstraksion, por që nga fillimet e veta e deri në fund, bota e tij ishte njeriu, fushat, mbledhësit e patateve, gratë e përvuajtura dhe njerëzit e vetmuar në ato dhoma të errta, pa dritë apo ato figura të përkulura mbi fushat e jetës, ishin korrësit dhe mbjellësit (Semeur au soleil couchant – Mbjellës në perëndim të diellit), pasi Van Gogh me mbjellësit e tij, mbillte kështu farën e një arti human… / Luan Rama / KultPlus.com

Vepra artistike e paekspozuar e Van Gogut shitet për 13.09 milion euro në Paris

Një pikturë e mjeshtrit holhandez Vincent Van Gogh e vitit 1887, e cila ka qëndruar më shumë se 100 vjet pas dyerve të mbyllura, është shitur në vlerën e 13.09 milion euro në Francë.

Shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” tha se vlera e arritur ishte një rekord për artistin hohlandez. Vepra që nga ajo kohë ka qenë në pronësi të një familjeje franceze.

Piktura është pjesë e një serie veprash që Van Gogh krijoi ndërsa qëndronte në Paris me vëllain e tij Theo në 1886 dhe 1887.

Ajo portretizon një nga mullinjtë e erës që përshkonte Montmartre në një kohë kur ishte thjesht një fshat në periferi të Parisit.  Eksperti i Van Gogh, Martin Bailey, shprehet se piktura ishte “një vepër kalimtare e Van Gogh, kur ai pikturonte me ngjyra të errëta dhe tokësore. “

“Në Paris ai zbuloi Impresionistët dhe kjo e bëri që të eksploronte ngjyrën,” shton Bailey.

Sipas studiuesit të artit Bailey, skena e përshkruar në pikturë ishte vetëm një shëtitje e shkurtër larg nga banesa ku Vincent dhe vëllai i tij po jetonin atëherë. Kisha e famshme Sacré-Cœur që tani dominon zonën ishte në ndërtim e sipër.

“Në kohën e tij, mullinjtë ishin bërë një qendër argëtimi,” vazhdoi ai. “Pa dyshim që Vincent hynte herë pas here për të pirë, kur kishte disa franga në xhep.”

Van Gogh u largua nga Parisi për në jug të Francës në 1888. Ai vdiq afër Parisit në korrik 1890. /ora/ KultPlus.com

Qindra dronë krijuan në qiell “The Starry Night” të Van Gogh, duke hyrë në rekordet Guinness (VIDEO)

600 dronë “interpretuan” kryeveprën e Van Gogh në Kinë.

“Nata me Yje” e Van Gogh është rikrijuar në mënyra origjinale nga artistët kudo në botë. Është pikturuar në mure dhe në postera, me kokrra kafeje, madje edhe në një shteg biçikletash. Dukej sikur piktura e ishte realizuar kudo.

Por Kina theu përditshmëritë teksa 600 dronë realizuan “The Starry Night” në qiellin e natës në bashkinë Tianjin të Kinës veriore, duke vendosur një rekord botëror Guinness.

EFYI Group, një kompani e prodhimit të dronëve, së bashku me Universitetin Tianjin në Kinë, arritën rekordin për animacionin më të gjatë të kryer nga mjete ajrore pa pilot (UAV) me një kohë prej 26 minutash dhe 19 sekonda, sipas faqes së internetit të Guinness./ KultPlus.com

Studimi i ri: Nga kulmi i frymëzimit te vetëvrasja! Çfarë ndodhi me Van Gogh?

Më 29 korrik të vitit 1890, Vincent van Gogh ndërroi jetë dy ditë pasi qëlloi veten me armë. Që prej asaj kohe, shumë teori mjekësore dhe psikologjike janë përpjekur t’i japin shpjegim vendimin të tij për t’i dhënë fund jetës në moshën 37-vjeçare. Çfarë ndodhi me Van Gogh?

Një studim i fundit i publikuar në Gazetën Ndërkombëtare të Çrregullimeve Bipolare përpiqet t’i japë shpjegim produktivitetit të piktorit post-impresionist dhe arsyeve që mund ta kenë çuar në vetëvrasje. Në tri vitet e fundit të jetës, Van Gogh ishte në kulmin e produktivitetit të tij ku pikturoi 30 autoportrete, ndër të tjera.

“Ai kishte shenja të një çrregullimi bipolar të humorit, me tipare të një çrregullimi kufitar të personalitetit, por kjo ka të ngjarë të përkeqësohej përmes përdorimit të alkoolit të kombinuar me kequshqyerjen, që më pas çoi në kombinim me rritjen e tensioneve psikosociale, në një krizë që më pas e detyroi të priste të gjithë veshin e tij [gjatë një debati],” thanë autorët e studimit, që u udhëhoqën nga profesori i psikiatrisë Willem Nolen në University of Groningen në Holandë.

Studimi i ri: Nga kulmi i frymëzimit te vetëvrasja! Çfarë“LULEDIELLI”

Van Gogh ishte në spital tri herë radhazi në Arles, Francë, midis dhjetorit të vitit 1888 dhe majit 1889 dhe më pas u transferua në azilin Saint-Rémy-de-Provence në maj të vitit 1889. Gjatë dy qëndrimeve në spital, Van Gogh shkroi se ai pësoi “halucinacione të padurueshme”, ankth dhe makthe. Studiuesit sugjerojnë që simptomat ishin të lidhura me një periudhë të detyruar pa alkool. Ata shtojnë se deliri i tij u pasua nga episode të rënda depresive, të cilat çuan në vetëvrasje. Por, pasi pacienti në këtë rast nuk mund të intervistohet, studiuesit theksuan se përfundimet e tyre duhet të trajtohen me kujdes.

Teoria buron nga shqyrtimi i 902 letrave të Van Gogh, 820 prej të cilave i drejtoheshin vëllait të tij Theo dhe të afërmve të tjerë. Studimi është bazuar edhe te intervistat me tre historianë që e kanë studiuar artistin në thellësi. Nolen paralajmëroi që Van Gogh mund t’i ketë “zvogëluar apo edhe zbukuruar disa gjëra” në letrat e tij.

“Megjithëse [ato] përmbajnë shumë informacione, duhet të kujtojmë se ai nuk ua shkroi letrat mjekëve, por anëtarëve të familjes dhe të afërmve të tjerë për t’i informuar, për t’i qetësuar ose për të bërë diçka. Prandaj, artikulli ynë sigurisht nuk do të jetë i fundit për sëmundjet e Van Gogh.”

Një nga diagnozat e para pas vdekjes së tij ishte skizofrenia, por studiuesit zbuluan se ai nuk shfaqte simptoma të skizofrenisë. Studiuesit gjithashtu sugjerojnë se nuk ka gjasa që Van Gogh të ketë pasur sifiliz ose epilepsi në muajit e fundit të jetës. Studiuesit besojnë se ka të ngjarë të ketë pasur “epilepsi të maskuar”. Kjo do të thotë që pacienti nuk ka kriza klasike, por më tepër një çrregullim të sjelljes bazuar në aktivitetin epileptik në pjesët më të thella të trurit. Në rastin e Van Gogh, aktiviteti epileptik mund të jetë shkaktuar nga dëmtimi i trurit si rezultat i stilit të jetesës, si abuzimi me alkoolin, kequshqyerja, gjumi i dobët dhe lodhja mendore.Studimi i ri: Nga kulmi i frymëzimit te vetëvrasja! Çfarë“NATA ME YJE”

Përfundimi i studimit tregon se Van Gogh vuante nga sëmundje shoqëruese dhe ka të ngjarë të ketë pasur çrregullimin bipolar të humorit në kombinim me çrregullime kufitare të personalitetit. Simptomat e tij thuhet të jenë përkeqësuar nga alkooli dhe kequshqyerja, që më pas u pasuan nga një gjendje deliri për shkak të tërheqjes nga alkooli.

Përgatitur nga: International Journal of Bipolar Disorders, Guardian, Van Gogh Museum. / KultPlus.com

Dhjetë misteret e fshehura në pikturat e famshme (FOTO)

Arti nuk është vetëm një burim frymëzimi, por gjithashtu një mister i madh. Artistët shpesh shtojnë detaje të vogla të çuditshme në pikturat e tyre, ose lënë mesazhe që janë të pamundura të vërehen në shikim të parë.

Bota.al sjell më poshtë një listë të kryeveprave të pikturës, me sekrete të papritshme. Në fund të artikullit, edhe një bonus: një nga hipotezat më të çuditshme në lidhje me Mona Lizën.


10. Veshi i gabuar

Auto-portreti i Vincent Van Gogh me veshin e fashuar paraqet artistin me një vesh të djathtë të plagosur. Në realitet, ai kish prerë veshin e majtë. Mospërputhja shpjegohet me faktin se Van Goghu përdori një pasqyrë për të krijuar portretin e tij.


9. Piktura nën pikturë

Nëse shikoni nga afër Kitaristin e Vjetër nga Pablo Picasso, mund të shihni një siluetë femre të zbehtë prapa kokës së njeriut. Pas marrjes së imazheve me rreze infra të kuqe dhe X të pikturës, studiuesit nga Instituti i Arteve të Çikagos zbuluan disa forma të tjera të fshehura nën të. Me shumë gjasa, artisti nuk kishte para të mjaftueshme për të blerë pëlhura të reja, dhe duhej të pikturonte.


8. Ora e natës është e vendosur gjatë ditës

Gjatë restaurimit të pikturës së Rembrandt The Shooting Company of Frans Banning Cocq and ëillem van Ruytenburch (e njohur më mirë si “Ora e Natës”) në vitin 1947, ajo u pastrua nga një shtresë e trashë bloze. Pas kësaj, u bë e qartë se skena e portretizuar në pikturë nuk ndodh gjatë natës, por gjatë ditës.


7. Kodi anatomik i Kapelës Sistine

Një imazh i trurit njerëzor është i dallueshëm jo vetëm në Krijimin e Adamit nga Michelangelo, por edhe në një tjetër afresk të Kapelës Sistine: Ndarja e Dritës dhe e Errësirës. Shikoni qafën e Perëndisë: nëse e mbivendosni atë në një foto të trurit njerëzor, siç shihet nga poshtë, do të merrni një mbivendosje të përsosur të vijave.


6. Simboli i forcës

Figurat e Davidit dhe Goliathit në një tjetër afresk të Kapelës Sistine, të krijuara nga Michelangelo, formojnë gërmën hebraike gimelin, e cila simbolizon forcën në traditën mistike të Kabalas.


5. Vështrimi i vëngërt i Rembrandit

Margaret Livingstone dhe Bevil Conuay studiuan auto-portrete të Rembrandt dhe provuan se piktori vuante nga stereoverbimi. Kjo veçori bënte që piktori të perceptonte botën pak ndryshe: ai e shihte realitetin në 2D dhe jo në 3D. Megjithatë, është e mundur që stereoverbëria e ndihmoi Rembrandin të krijonte kryeveprat e tij të pavdekshme.


4. Hakmarrja për të dashuruarit

Një nga pikturat më të famshme të Gustav Klimt portretizon Adele Bloch-Bauer. Ajo u pagua nga burri i saj, baroni i sheqerit Ferdinand Bloch-Bauer. Ai zbuloi se Adele dhe Klimt kishin një lidhje dhe besonte se pas qindra skicave, piktori në fund do ta urrente dashnoren e tij. Puna rutinore me të vërtetë bëri që ndjenjat midis gruas dhe artistit të ftoheshin.


3. Parashikimi i fundit të botës

Studiuesja italiane Sabrina Sforza Galitzia propozoi një interpretim të pazakontë të Darkës së Fundit të Leonardo da Vinçit. Ajo është e sigurtë se në pikturën e tij, artisti la një parashikim për fundin e botës, i cili do të ndodhë më 21 mars 4006. Për të arritur në këtë përfundim, studiuesja deshifroi kodin matematikor dhe astrologjik të pikturës. Ky nuk është mister vetëm i Darkës së Fundit. Duart e Krishtit dhe apostujt, së bashku me bukët në tryezë, formojnë diçka që mund të lexohet si disa nota muzikore. Pas testimit, kjo tingëllon si një melodi e shkurtër.


2. Bota në të verdhë

Pothuajse të gjitha pikturat e Vincent van Goghut shfaqin një të verdhë dominante. Profesor Paul Uolf shpjegon se është një efekt anësor i një ilaçi epilepsie që ndryshon perceptimin e ngjyrës. Bota e artistit mund të dukej vërtetë ashtu si e shohim ne, në pikturat e tij.


1. Mozarti dhe masonët

Ka dëshmi të forta se Volfgang Amadeus Mozart ishte një Mason. Edhe në portretin e tij të fëmijës nga Pietro Antonio Lorenzoni, mund të shohim një simbol masonik: një dorë e fshehur që tregon një gradë hierarkike në shoqërinë sekrete.


Bonus: Mona Liza

Stomatologu dhe eksperti i artit Joseph Borkovski studioi me kujdes pikturën e Leonardo da Vinçit dhe pretendon se ka zbuluar sekretin pas buzëqeshjes së La Giocondas. Ai beson se ajo kishte humbur dhëmbët e saj të parë dhe kjo ndikoi në shprehjen e saj të fytyrës. / KultPlus.com

Van Gogh, piktori që sa ishte gjallë iu ble vetëm një pikturë nga 800 vepra artistike

Tablot me bukurinë e kombinimeve kaltër, verdhë dhe gjelbër tanimë jemi mësuar t’i shohim. Pamjet pitoreske nën magjinë e ngjyrave ka ditur t’i sjell piktori i njohur Van Gogh, shkruan KultPlus.

Sot në muzetë e mëdha të botës, muralet e shkollave, hapësirat publike dhe në veshmbathje të shumta zënë vend pikturat e tij. Mirëpo, si shumica e artistëve, ai nuk kishte pasur sukses në kohën sa ishte gjallë.

Siç ndodh rëndom me njerëzit të cilët kultivojnë art, edhe vlera e tij u ditë vetëm pas vdekjes së tij. Përderisa ai thelloi veten e tij në brusha duke realizuar 800 piktura, në kohën sa ende ishte gjallë arriti ta shes vetëm njërën prej tyre.

Për 50 dollarë atë picture e bleu motra e shokut të tij, e cila më shumë sesa vlerësim artistik, mendohet se e ka bërë për shkak që e ka dashuruar Gogh.

Por, edhe ai mbeti si një rrëfim suksesi në histori, duke dhënë mesazhin e mos ndaljes pavarësisht rrethanave dhe kushteve të kohës e shoqërisë.

Pavarësisht gjithë këtyre sfidave dhe problemeve tjera jetësore, Van Gogh pohonte se vetëm kështu ndjehej i lumtur.

“Gjëja e vetme që më bën të ndihem i lumtur në këtë jetë, është vetë piktura”, kishte thënë piktori i njohur. / KultPlus.com