Vandalët që shkatërrojnë artin që e duan

Arti shkakton lot, te disa zemërim e te disa akte të pasionit. Këta janë njerëzit që dëmtojnë veprat e artit, shkruan kritiku William Park. Pjesë të shkrimit të tij. Shkatërrimi i artit shpesh është i motivuar politikisht – madje vet arti ndonjëherë mund të jetë i mbushur me urrejtje.

Arti duhet të prek njerëzit në aspektin emocional, por kur ky emocion është zemërimi, është e mundur të shohësh se si disa njerëz i drejtohen vandalizmit. Por, në Bienalen Ndërkombëtare të Sao Paulos, në vitin 1996, ndodhi diçka e pazakontë. Një pikturë u dëmtua jo nga zemërimi, por nga dashuria. Kjo tregon diçka të fuqishme rreth asaj se si e vlerësojmë artin.

Një punim i serisë “Torso” të vitit 1977 – realizuar nga pop-artisti Andy Warhol – ishte në Bienalen e atij viti. Seria përmban piktura dhe fotografi të akteve mashkullore dhe femërore.

“Një mëngjes marr një telefonatë që thotë: ‘Nuk do të besoni se çfarë ka ndodhur’”, thotë Ellen Baxter, konservatore në Muzeun “Carnegie”. “Një braziliane ishte aq e tronditur nga ndjenjat e saj për Andyn, saqë ‘nguliti’ puthjen në njërën nga pjesët e meshkujve”.

Një e përditshme braziliane ka shkruar se puthja ishte “në pjesën qendrore të torsos së parë – në penis”.

“Mona Liza” në disa raste ishte cak i vandalizmit, sepse arti i profilit të lart prezanton institucionin dhe shtetin ku ruhet

“Torsot janë me të vërtetë provokuese; janë imazhe private”, thotë Jessica Beck, kuratore në Muzeun “Andy Warhol”. “Është lehtë të kuptohet se pse dikush ka reagim të fortë dhe emocional”.

“Autorja” nuk u kap, e as nuk u identifikua. Buzëkuqi u hoq pa bujë. Baxter kujton se rojet e sigurisë dorëzuan video-incizimet, ku shihej një e moshuar, e veshur me elegancë, teksa puthte pikturën.

“Nuk mendoj se ka diçka politike në lidhje me këtë”, thotë Baxter.

Në vitin 1997, Muzeu “Andy Warhol” shënoi 75-vjetorin e parfumit “Chanel No 5”. Warhol e kishte përdorur një shishe të këtij parfumi të famshëm në disa prej shtypjeve të tij, të cilat më vonë u përdorën si vepra arti në një seri speciale të kutive të parfumit. Nuk i ra mend askujt se dikush mund të dehet, do të vë buzëkuq e do të lë një puthje te vaska e larjes.

“Mendimi im i parë ishte: ‘Sa budallallëk… pse dikush do të puthte një vaskë?’ Nuk them se duhet puthur Elvisin apo Marilynin, por kjo nuk ka fare kuptim”, thotë Baxter.

Fjala është për pikturën “Vaska”: një nga punimet e para të Warholit të bëra me dorë, në vitet
1961/62.

U deshën tetë orë për ta pastruar “Vaskën” nga puthja

“Kanavaca thith çdo lagështi, kështu që buzëkuqi ngjitet në sipërfaqe dhe, nëse nuk jeni të kujdesshëm, mund të bëni më shumë dëm duke u përpjekur që ta eliminoni”, thotë Baxter.

Ky akt i vandalizmit kërkonte trajtim special. Konservatori i mëparshëm kishte folur me dikë nga NASA, që përdorte oksigjenin atomik për të pastruar pllakat e nxehtësisë në satelitë. Me këtë teknikë u deshën tetë orë për të pastruar puthjen – fibër për fibër. Trajtimi gjithashtu hoqi ndotësit ajrorë që kishin errësuar kanavacën përgjatë viteve.

“Vaska” është shembull jo shumë i zakontë i vizatimit të lirë të Warholit. Ndaj, gjatë pastrimit mund të zhdukeshin dëshmitë.

“Ka shenjat të duarve të Warholit në fund të kanavacës”, thotë Beck që shton se teksa nuk ishte vepër tërheqëse për puthje, “Vaska” te dikush mund të nxis reagim intim: “Është interesante, se nuk është imazh i një personi. Është referencë për një trup pa trup. Vaska simbolizon një moment privat – larjen. Mund të jetë përvojë joshëse; një përvojë seksuale. Ndërsa torsot janë imazhe konvencionale erotike”.

Rindy Sam u dënua për të dëmtimin e kanavacës së bardhë të artistit Cy Twombly

Përsëri, keqbërësi u zhduk pa u zbuluar. Por, një vandale në Francë nuk ishte aq me fat: u arrestua dhe u gjobit se më 2007 puthi një kanavacë të piktorit Cy Twombly. Në gjyq, Rindy Sam tha: “Ishte akt dashurie. Kur e puthja, nuk mendoja. Thash se artisti e kupton”.

Afeksioni për artin mund të shfaqet ndryshe nga puthja. Shpesh audiencat qajnë, dhe kjo tregon diçka rreth asaj se si përjetohet arti. James Elkins flet për aspektin fetar. Shembull për këtë është ikonografia, ku ka plot raste që ato puthen. Por, edhe arti joreligjioz ndikon te shikuesi. Elkins jep shembullin e historianes së artit, Jane Dillenberger, që vizitoi Rothkon në studion e tij, për të parë disa piktura të papërfunduara. Pëlhurat ishin pothuajse 4.5m të larta dhe të errëta. Edhe studioja ishte e errët. Duke parë që kanavacat disi ngrihen nga errësira, kjo krijoi përvojë mbresëlënëse për të. Elkin thotë: “Ajo qante… Më ka thënë se ishte moment i ‘ndjenjave të çuditshme’, por mbi të gjitha çlirim, lehtësi e përsosur e paqes dhe gëzimit të pastër”.

Beck thotë se edhe ajo kishte momente të tilla, me “Hijet” e Warholit.

“Më duken emocionale”, thotë Beck. “Muzetë janë të rëndësishëm, sepse mund të keni këto reagime mbresëlënëse – pozitive dhe emocionale”.

Veprat e artit – si në rastin e historianes së artit Jane Dillenberger dhe artistit Mark Rothko – i bëjnë shikuesit të lotojnë

Por, çfarë do t’ju bënte Warholi, këtyre vandalëve?

Beck thotë se do ta pëlqente përzgjedhjen e buzëkuqit. Ato evokojnë buzët e kuqe të Marilynit nga shtypjet e viteve 1960. Akti i puthjes po ashtu mund të duket joshës. Warhol punoi me lëngje të trupit, sidomos me urinën në kanavacën “Pikturimi i shurrës” (1961) dhe spermën te “Derdhja” (1977-78). Kështu që, buzëkuqi nuk është larg punës që Warhol bënte.

Warhol ishte i interesuar edhe në spektakle, ndaj vetë ngjarja do ta kishte interesuar.

“I donte gostitë”, thotë Beck. “Do ta donte një fotografi nga ai momenti i puthjes… Do t’i ishte gëzuar kësaj përvoje sociale dhe do të intrigohej se si një mysafir gjeti një moment në gosti, që të jetë vetëm me pikturën”. Telegrafi/ KultPlus.com