Sot është 133-vjetori i lindjes së Vangjush Mio, i cilësuar si “ati i pikturës moderne e bashkëkohore shqiptare”. Ai lindi në 5 mars të vitit 1891, në Korçë.
Në gjallje, Mio u vlerësua më së larti për mjeshtërinë e dëshmuar në pikturën realiste shqiptare. Ndërsa në ditët tona, i njihen edhe atributet e themeltarit të historisë së artit pamor profesionist përgjatë shekullit XX. Kësodore, vepra e tij qëndroi mënjanë klisheve të diktuara me përdhunë nga kornizat e realizmit socialist.
Mësimet e para i ndoqi në vendlindje. Talenti për pikturën gjeti shteg për t’u shpalosur që prej auditorit të Arteve të Bukura në Bukuresht të Rumanisë, ku kreu studimet e larta. Kthimi në Korçë në vitin 1919, do të shënjohej nga hapja e ekspozitës së parë vetjake, e para në historinë e arteve figurative në vend. Fitimet e akumuluara nga shitja e këtyre pikturave, i mundësuan një bursë studimesh në Institutin e Arteve të Bukura të Romës, ku u certifikua njëherazi si piktor dhe restaurues.
Mes gjinive të pikturës të lëvruara prej tij bëjnë pjesë portretet, kompozimet, nudot dhe peizazhet, që kanë prani të konsiderueshme në tërësinë e veprës së tij. “Dimri në Korcë”, “Aspekte nga Drenova”, “Dishnica”, “Boboshtica”, “Vithkuqi”, “Manat e Drenovës”, “Kositësit e barit” etj, janë disa nga titujt e peizazheve të tij më të lakuar. Mio numëron 500 piktura, 200 vizatime dhe 80 bocete, të cilat ruhen në shtëpinë e tij, Muzeun “Vangjush Mio” në Korçë.
Në këtë përvjetor Arkivi Qendror i Shtetit sjell për publikun disa faksimile origjinale që lidhen me jetën dhe veprën e tij.
Bashkëlidhur, dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr. 3361 datë 06.11.1961 për miratimin e propozimit të qeverisë mbi dekorimin e Vangjush Mios me titullin “Piktor i Popullit i Republikës Popullore të Shqipërisë”, lista e kuadrit të personalit mësimor të Liceut të Korçës ku është dhe Vangjush Mio, kumtesa për jetën dhe veprat e Vangjush Mios nga Andon Kuqali dhe qarkore e Drejtorisë së Përgjithshme të Postë-Telekomunikacioneve dërguar Drejtorive dhe Degëve të Postë-Telekomunikacioneve “Mbi cirkularin e emisionit të pullave kushtuar pikturave të Vangjush Mios”. / atsh / KultPlus.com