Rama: 10 arsye pse duhet t’i kaloni pushimet në Tiranë sipas ‘Vanity Fair’

Prestigjiozja italiane “Vanity Fair” i ka kushtuar një artikull të gjatë Tiranës, duke renditur 10 arsye pse duhet t’i kaloni pushimet në kryeqytetin shqiptar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e gazetares Francesca Masotti, të botuar në “Vanity Fair”.

“Prestigjiozja italiane “Vanity Fair” i ka kushtuar një artikull kryeqytetit shqiptar, duke renditur 10 arsye pse duhet t’i kaloni pushimet në Tiranë, nga afërsia me Italinë, klima mesdhetare, muzetë origjinalë, përzierja unike e arkitekturës dhe një nga kuzhinat më të mira në Europën Jugore e të tjera arsye”, shkruan Rama.

Në artikullin e saj, Francesca Masotti e cilëson Tiranën, një qytet argëtues, të ri dhe me larmishmërinë gastronomike ndër më interesantet e Evropës Jugore.

10 arsye për të kaluar pushimet në Tiranë, nga Francesca Masotti 

Edhe pse të shumtë janë ata që kanë kaluar pushimet verore atje, Shqipëria është ende një destinacion jashtë radarëve. Dhe kryeqyteti i saj, Tirana, është destinacioni ideal për një fundjavë ndryshe. Ka shumë arsye për ta zgjedhur atë: afërsia me Italinë, klima mesdhetare, muzetë origjinalë, përzierja unike e arkitekturës dhe një nga kuzhinat më të mira në Evropën Jugore. “Koncerte, ngjarje madhore, muzetë brenda bunkerëve, arti i rrugës kudo, restorante “gourmet” dhe një mori argëtimesh brenda dhe në periferi të qytetit. Tirana ka gjithçka që duhet për të mirëpritur vizitorët në çdo stinë të vitit”, thotë Ketrina Jarazi, drejtoreshë e Drejtorisë së Turizmit në bashkinë e Tiranës.

Vitin e kaluar Shqipëria tërhoqi mbi 10 milionë turistë (sipas asaj që raportohet nga Instat, instituti kombëtar shqiptar i statistikave) dhe shumica e tyre u ndalën edhe në Tiranë. Këtë vit shifrat, sipas statistikave, do të jenë edhe më të larta. Këtu janë dhjetë arsye të mira për të organizuar një udhëtim në Tiranë.

Qyteti është një përzierje unike e arkitekturës

Janë të paktë kryeqytetet në Evropë, ku brenda pak metrash mund të gjesh një kishë katolike, një kishë ortodokse dhe një xhami, ku në krah të ndërtesave të epokës komuniste gjenden ndërtesa të stilit italian, bunkerë dhe struktura tipike të një stili brutalist. Tirana është një prej tyre. Mjafton të ecësh nëpër rrugët e qendrës për të kuptuar menjëherë përzierjen unike të arkitekturës që karakterizon kryeqytetin kaotik shqiptar. Një kafe – po aq e mirë sa ajo italiane – në Kopshtin e Milleniumit, përgjatë Pedonales, pedonalja e këndshme në qendër, ose në kafenenë Opera në sheshin “Skënderbej” dhe më pas filloni të eksploroni Tiranën.

Në sheshin e madh, në qendër të të cilit ndodhet statuja e heroit kombëtar me të njëjtin emër nga vitet 1400 ndodhet Muzeu Kombëtar, Kulla e Sahatit, Teadri i Operas dhe Xhamia e Et’Hem Beut. Pak metra më tutje shfaqet Katedralja Ortodokse e Ngjalljes. Deri te Katedralja Katolike e Shën Palit dhe Xhamisë së Namazgjasë, më e madhja në Ballkan.

Është afër dhe lehtësisht e arritshme

Nëse deri para disa vitesh ishte e komplikuar dhe e kushtueshme të arrije në Tiranë, sot falë lidhjeve të shumta ajrore mund të arrish Shqipërinë në më pak se dy orë fluturim nga Italia. Linjat ajrore Wizzair, Ryanair, Ita Airways dhe Air Albania lidhin çdo ditë aeroportet kryesore italiane me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, gjysmë ore larg qendrës së qytetit. Në Tiranë mund të udhëtoni gjatë gjithë vitit, falë klimës së butë. Periudha jashtë sezonit ju lejon të gjeni oferta të favorshme për fluturime dhe hotele, për të organizuar një udhëtim fundjave me buxhet të ulët në qytet.

Është e lirë

Edhe pse çmimet janë rritur edhe në Shqipëri vitet e fundit, për turistët që vijnë nga Italia pushimet në kryeqytetin shqiptar – dhe në përgjithësi në vend – janë ende të favorshme. Tirana, në fakt, krahasuar me kryeqytetet dhe qytetet e tjera, edhe në rajonin e Ballkanit, është ende e lirë. Sidomos kur bëhet fjalë për restorante, muze dhe hotele. Kostoja e biletave të hyrjes në muzetë kryesorë varion nga 3 € në 6 €. Për 50-60 € mund të flini në dhomë dyshe me mëngjes të përfshirë. Mes shumë të tjerësh, Hotel Mulaj pranë Piramidës, qendrës më të madhe multifunksionale në Ballkan, është një perlë e vogël me hapësira të bollshme dhe të dizenjuara. Nga ana tjetër, nëse jeni në kërkim të një akomodimi luksoz, The Crown Boutique Hotel me spa, restorant dhe një pamje mahnitëse të xhamisë së re, ose Marriott Tirana e re pranë Stadiumit Air Albania, janë adresat që duhet të shënoni në ditarin tuaj. Me 25-30 € mund të hani për dy në një restorant, porcione bujare. Kafeja? Kushton 1 € dhe nuk ka asgjë për t’i pasur zili atij italian.

Kuzhina shqiptare është e shkëlqyer

Gastronomia është një nga arsyet e mira për të shkuar në Tiranë. Vitet e fundit, kuzhina shqiptare është zhvilluar me ritme të jashtëzakonshme, veçanërisht në kryeqytet. Propozimet e restoranteve variojnë nga pjatat tradicionale në menutë bashkëkohore, deri në një përzierje të suksesshme të të dyjave. Shumica e shefave të kuzhinës shqiptarë që kanë fituar përvojë në restorantet më të mira evropiane janë kthyer në vendlindje për të hapur restorantet e tyre. Ashtu si Padam nga shefi i mirënjohur Fundim Gjepali (gjithashtu kreu i Antico Arco në Romë) një ndalesë e paharrueshme në Tiranë, Mullixhiu nga Bledar Kola (që pas tij ka eksperiencë në Noma të Kopenhagës) me gatime tipike të Shqipërisë veriore dhe Brutal, tempull gastronomik i kryeqytetit shqiptar ku shefi i kuzhinës Gent Malaveci ofron pjata origjinale si tomahawk në stilin paella dhe tartare viçi me salcë kimchi. Për gatime më klasike – byrekë të shijshme të mbushura, qofte me erëza, tavë kosi me bazë mish qengji dhe kos, dhe fërgesë me gjizë të kripur, speca dhe domate – por të përgatitura në mënyrë origjinale, është restorant “Era” me dy adresa në qytet. Ai pranë stadiumit “Air Albania” është i preferuari ynë.

Nga ana tjetër, EOS Mezze Bar është një lokal modern me elementë dizajni dhe mbretërinë e mezeve: menuja përfshin mbi 40 meze të mrekullueshme, meze tipike të Mesdheut lindor, meze toke, deti dhe opsione vegjetariane. Përveç përzgjedhjes më të mirë të koktejeve në Tiranë.

Shembull i tolerancës fetare

Pavarësisht sundimit të gjatë osman – rreth 500 vjet – dhe shpalljes së ateizmit shtetëror gjatë diktaturës komuniste (me pasojë ndalimin e praktikimit të feve), Shqipëria, pavarësisht se është sot një shtet laik, është jashtëzakonisht tolerante ndaj të gjitha besimeve fetare. Në territorin e saj jetojnë myslimanë, të krishterë ortodoksë, të krishterë katolikë, hebrenj dhe bektashi. Tirana është gjithashtu shtëpia e Qendrës Botërore Bektashiane, një vend i paharrueshëm, unik në panoramën evropiane. Është një teqe e madhe me mozaikë hipnotizues prej mermeri, dhoma kushtuar adhurimit dhe një muze, në dhomat e së cilës tregohet historia e Bektashinjve, një vëllazëri islame me origjinë sufi, e themeluar në shekullin e 13-të.

Muze origjinalë për t’u vizituar

Disa nga muzetë më origjinalë të kontinentit të vjetër ndodhen në Shqipëri, në Tiranë. BunkArt1 është një muze i ndërtuar brenda një bunkeri gjigant anti-atomik në periferi të qytetit. Shtatë kate nën tokë ku tregohet historia e vendit nga pushtimi fashist italian e deri te komunizmi. Mirëpo, pikërisht në qendër, BunkArt2 – krijuar në dhomat e bunkerit të vjetër të Ministrisë së Brendshme – është ndalesa për të thelluar njohuritë tuaja për historinë e Shqipërisë komuniste gjatë viteve të diktaturës së Enver Hoxhës. Së fundmi, në ish-selinë e policisë sekrete, Shtëpia e Gjetheve, fituese e Çmimit Muzeor të Këshillit të Evropës i kushtohet veprimtarisë së spiunazhit gjatë diktaturës.

Shumë ngjarje për të shënuar në ditarin tuaj

Të mërzitur në Tiranë? E pamundur. Qyteti ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë në 2022, Kryeqyteti Evropian i Sportit 2023 dhe në 2025 do të jetë Kryeqyteti Kulturor Mesdhetar i Kulturës. Ka shumë ngjarje që zhvillohen gjatë gjithë vitit. Në maj, Festivali i Ditës së Ngjyrave shenjon ardhjen e verës. Në fillim të shtatorit, Mural Fest, kushtuar artit të rrugës, tërheq artistë nga e gjithë bota që krijojnë murale në fasadat e ndërtesave të kryeqytetit. Nëse doni kinematografinë, Festivali Ndërkombëtar i Filmit TIFF-Tirana, me vëmendje të veçantë për artistët e rajonit, është eventi për t’u shënuar në ditarin tuaj. Maratona e Tiranës tashmë prej disa vitesh është një ngjarje fikse në vjeshtë, prej disa vitesh. Festivali i Librit është eventi më i madh shqiptar kushtuar botës së botimeve dhe mbahet çdo vit në muajin nëntor. Në fund, në dhjetor, sheshi “Skënderbej” shndërrohet në një “qytet” të madh Krishtlindjesh me stenda ushqimore, shtëpi prej druri dhe lojëra.

Turizëm i tejskajshëm? Këtu (ende) nuk ekziston.

Jeni lodhur nga radhët e gjata kilometërshe përpara hyrjeve të muzeve, galerive dhe pikave turistike me interes? Jeni të lodhur nga nevoja për të nxituar për t’u futur në një klub apo për të pozuar për një selfie të zakonshme që është e gjitha bujë në Instagram? Atëherë Tirana është destinacioni ideal. Është qyteti ku mund të strehoheni për disa ditë, për t’i shpëtuar turmave. Një destinacion nën-turizmi i përkryer, Tirana është një kryeqytet i ri, jo i fryrë, që rezulton të jetë një surprizë. Një fundjavë këtu është një mundësi jo vetëm për të kursyer para dhe stres, por edhe për të zbuluar një qytet të ri në një mënyrë më të thelluar, etike dhe të ndërgjegjshme. A ka ende kuptim të vizitosh muzetë më të famshëm në botë me nxitim, pa e kuptuar domethënien e tyre, duke shmangur një mori turistësh, vetëm për t’u thënë miqve apo të afërmve që ke qenë atje? Për një herë, a nuk do të ishte më e përshtatshme t’i kushtonit kohën tuaj zbulimit të një muzeu më pak të njohur mbi historinë e një kombi, fare pranë Italisë, me të cilën ruan lidhje të thella historike dhe në një vend ku nuk ndihesh i huaj?

Është afër detit

As 40 km nuk e ndajnë Tiranën nga Durrësi, një qytet me pamje nga Adriatiku dhe porti kryesor shqiptar. Nëse keni në dispozicion një ditë shtesë udhëtimi dhe dëshironi të kaloni disa orë në breg të detit është e lehtë të organizoni një udhëtim jashtë qytetit, duke filluar nga kryeqyteti. Durrësi është një nga qytetet më të vjetra të Mesdheut, me mbetje të shumta arkeologjike, ndër të cilat spikat Amfiteatri Romak, i ndërtuar midis shekujve I dhe II pas Krishtit, nën mbretërimin e Trajanit, i cili mund të strehonte mbi 20,000 njerëz. Një vizitë në qendrën historike dhe më pas direkt në plazh, edhe kur nuk është stina e nxehtë. Së pari, një ndalesë e shijshme në Sardi, një restorant peshku me një pamje magjepsëse të Adriatikut. Vlen të porositet përzierja e peshkut të papërpunuar, “paccheri alla pescatrice” dhe kallamarë të pjekur në zgarë. Durrësi ka plazhe të gjata me rërë të artë, me ujë të cekët dhe mjafton të lëvizësh disa kilometra nga qendra për të gjetur ujë të pastër dhe gjire sekrete ku të pushosh. Plazhi i Kallmit, një gji i pasur me faunë detare dhe ai i Kepit të Rodonit, një kep shkëmbor që del drejt detit Adriatik, me shkëmbinj dhe shkurre mesdhetare janë më të bukurit në zonë.

Shumë pranë natyrës

Pak minuta me makinë nga Tirana është gjithashtu e mundur të zhyteni në natyrën më të egër. Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, 25 km në lindje të qendrës së Tiranës mund të arrihet me makinë, taksi ose përmes teleferikut Dajti Ekspress, i cili arrin në majë për rreth njëzet minuta. Është një parajsë për të apasionuarit e aktiviteteve në natyrë, argëtim në çdo stinë të vitit. Këtu ndodhet edhe Parku i Aventurave të Dajtit, një park aventure për të rritur dhe fëmijë, i krijuar në zemër të pyllit. Nëse preferoni më mirë ushqimin e mirë, sesa aktivitetet sportive, shumë pranë Tiranës ka plot struktura agroturizmi, ku mund të hani ushqime të shijshme vendase. Më e mira? Fustanella Farm dhe Kazerma e Cerenit, lëndë të para cilësore, përzierje shijesh dhe strukturash të lashta dhe bashkëkohore të rrethuara nga gjelbërimi. Vështirë të kërkosh më mirë./atsh/KultPlus.com

Revista ‘Vanity Fair’: Zbulojini bukuritë e Shqipërisë!

Jo vetëm deti, tashmë i njohur nga e gjithë Evropa, por edhe kryeqyteti, Tirana, ofron një gamë të gjerë dhe të shijshme gastronomike, shkruan filiasli italian i revistës ”Vanity Fair”.

Toka e Shqiponjave është një thesar bizhuterish kulturore dhe natyrore që duhen zbuluar dhe admiruar. Një udhëtim është mënyra më e mirë për të humbur mes fshatrave të gurtë, qyteteve historike dhe kështjellave, ku koha duket se ka ndalur. Pa harruar të pushohet mes burimeve natyrore dhe pellgjeve të thella me ujë në kufijtë e Evropës.

Pallatet me pamje nga deti, një rrip i gjatë me rërë, dhe restorante njëri pas tjetrit. Janë këto pamjet që ofron Durrësi, duke lënë një përshtypje të mirë tek vizitorët.

Megjithatë, mjafton të shkosh përtej pamjes së detit dhe të futesh në qytet si për shembull në vende arkeologjike.

Ashtu si Amfiteatri Romak, më i madhi në rajon ku mund të ulen deri në 20 000 spektatorë, i ndërtuar nga perandori Hadrian dhe i zbuluar në vitet 1960 nën themelet e një lagjeje banimi.

Forumi Bizantin, me banjat romake dhe kolonat e bukura korintike, kulla veneciane, pjesë e mureve që mbyllnin qendrën historike janë një xhevahir që nuk i shpëton as syrit më të shpërqendruar.

Berati

Njëqind kilometra nga Durrësi ndodhet Berati, një grusht shtëpish të bardha me dritare të shumta. Qyteti është shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare shekullore në Tokën e Shqiponjave, një vend ku zëri i muezinit përzihet me zhurmën e kambanave dhe minareve.

Këshillohet një vizitë në rrethinat e Goricës dhe Mangalemit, të ndara nga lumi Osum, me kishat, xhamitë dhe shtëpitë e tyre tradicionale, si dhe në muzeun Solomon, kushtuar historisë së hebrenjve të shpëtuar nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Këtu ndodhet edhe muzeu Onufri, kushtuar ikonografisë së piktorit shqiptar me të njëjtin emër, dhe Kisha e Trinisë së Shenjtë, e cila ofron një pamje të gjerë të luginës poshtë.

Kalaja e Girokastrës

Rreth tre orë rrugë nga Tirana ndodhet Tepelena, e famshme për burimet e ujit më të mirë në Shqipëri, dhe që lidhet me vendlindjen e Ali Pashait, guvernator shqiptar në kohën e Perandorisë Osmane i cili priti në oborrin e tij njerëz të famshëm, përfshirë poetin anglez Lord Bajron.

Gjirokastra njihet edhe si vendlindja e ish-diktatorit Enver Hoxha (shtëpia e familjes së të cilit është kthyer në një muze interesant etnografik mund të vizitohet), dhe është një xhevahir guri pak kilometra larg Greqisë.

Një shëtitje në qendrën e saj historike labirintike, midis rezidencave të shekullit XIX, pazareve ku mund të blini qilima përpara se të arrini në kala e cila ofron pamje të pakrahasueshme mbi çatitë e qendrës historike dhe malet përreth.

Rreth 36 kilometra nga Gjirokastra ndodhet qyteti i Përmetit i cili është i famshëm për glikotë, një komposto e bërë nga fruta dhe sheqer, dhe banjat termale të Bënjës.

Banjat termale të Bënjës

Për t’i arritur ato, dilni nga qendra e vogël historike, kaloni Kishën e Shën Mërisë në Leusë, një kryevepër ortodokse e shekullit XVIII, e ndërtuar mbi mbetjet e një ndërtese të shekullit VI, derisa të arrini në destinacionin tuaj.

Banjat natyrore rrjedhin pranë një ure të vjetër të kohës osmane.

Shtrirja e rrugës që lidh Përmetin dhe Korçën është sfiduese, por ofron pamje mahnitëse. Udhëtimi prej katër orësh ndërpritet me një ndalesë për shije në fshatin Gërmenj, në fermën Sotira, një fermë e drejtuar nga familja, ku kryefjala është bio.

Korça është qyteti i artit dhe i ushqimit të mirë, një destinacion i preferuar i vendasve për pushimet dimërore, falë reshjeve të dendura të borës dhe një destinacion i gjallë veror kur pret festën e birrës, e cila çdo vit në gusht gjallëron netët e Pazarit të Vjetër i rinovuar para disa vitesh.

Më në lindje, ndodhet Pogradeci me Liqenin e Ohrit, Lini, Driloni dhe Tushemishti me koranin e tyre të shijshëm, një peshk i ujërave të ëmbla që jeton vetëm në këtë zonë./ KultPlus.com

Alec Baldwin mund të mos e ketë tërhequr këmbëzën e armës që i mori jetën kineastes

Alec Baldwin mund të ketë qëlluar me plumbin që vrau kineasten e “Rust” Halyna Hutchins pa e tërhequr këmbëzën e armës, thotë një prokurore e Nju-Meksikos.

Prokurorja e qarkut në Santa Fe, Mary Carmack-Altwies tha për Vanity Fair se ajo kishte parë intervistën e Alec Baldwin me ABC në dhjetor dhe i bëri përshtypje pretendimi i aktorit se ai nuk e tërhoqi këmbëzën.

“Ju mund ta tërhiqni çekiçin mbrapa pa e tërhequr këmbëzën dhe pa e mbyllur atë,” tha Carmack-Altwies. “Kështu që ju e tërhiqni atë pjesërisht, nuk bllokohet, dhe më pas nëse e lini të lirë, kunja e qitjes mund të godasë plumbin.”

Prokurorja nisi një hetim jozyrtar për të testuar pretendimet e Baldwin se ai nuk e kishte tërhequr këmbëzën. Baldwin këmbënguli në intervistë se nuk e tërhoqi këmbëzën në asnjë moment.

“Unë kurrë nuk do t’i drejtoja armën askujt dhe ta tërhiqja këmbëzën drejt tij, kurrë,” tha aktori.

Rezultatet zyrtare të një analize të armës nga FBI nuk janë publikuar ende.

Avokatët e familjes së Halyna Hutchins ngritën një padi kundër Alec Baldwin, pavarësisht pretendimeve të tij se ai nuk e tërhoqi këmbëzën. / KultPlus.com

Dua Lipa rrëfen për Vanity Fair se si e ka përjetuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, vazhdon të numëroj suksese të shumta si në botën muzikës, ashtu dhe përtej saj, shkruan KultPlus.

Përgjatë këtij viti krahas projekteve të shumta muzikore që ka sjellë, ajo është bërë edhe figurë e shumë magazinave presitigjoze, ku ajo pozon atraktive si çdo herë.

Bëhet fjala për magazinën e famshme Vanity Fair, për të cilën këngëtarja ka dhënë një intervistë dhe ku shpalosen sukseset e saja në muzikë, që nga publikimi i këngës së parë e deri më sot.

Por, ky artikull nuk kufizohet vetëm me kaq, aty tregohet në detaje jeta e këngëtares që nga koha kur ajo jetonte në Prishtinë, migrimin e saj me prindërit në Londër, por dhe shumëçka tjetër.

Në këtë artikull tregohet edhe se si Dua ka përjetuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mënyrën se si ajo e ka përjetuar atë moment.

“Më kujtohet kur pashë gëzimin e prindërve të mi dhe familjes time dhe të gjithëve, duke dëgjuar të gjithë qytetin që gjëmonte kur ndodhi Dita e Pavarësisë”, ka thënë ndër të tjera ajo për Vanity Fair.

Tutje në këtë intervistë ajo ka rrëfyer edhe për jetën gjatë kohës së pandemisë, lidhjes së saj me Anwar Hadid dhe triumfin e saj të padiskutueshëm në Oscars. Njëkohësisht këtu shpalosen edhe detaje për planet e saj në të ardhmen.

Sipas Vanity Fair, Dua po përgatitet për dy albume dhe turne të tjerë gjatë viteve të ardhshme.

“Unë dua të ngurtësohem si artiste në atë aspekt së pari, para çdo gjëje tjetër,” tha ajo.

“Tani për tani, thjesht dua të sigurohem që muzika është e mirë”, ka shtuar Lipa.

Këngëtarja në fotografitë që janë publikuar së bashku me intervistën vjen me një stil që së bashku me sharmin e saj të dërgon në modën e viteve të 80-ta./ KultPlus.com

Rita Oran në Vanity Fair: Do ju flas për dashurinë

Rita Ora ka dhënë një intervistë për revistën e njohur Vanity Fair për numrin e tyre të 45-të, shkruan KultPlus.

Në këtë artikull Rita Ora diskuton për albumin e saj të ri “Phoenix” jetën e saj, ndjenjat dhe historitë e saj që e veçojnë.

“Asnjëherë nuk e kam menduar që do më duhet që të luftoj që të jem e lirë që të ndajë me të tjerët muzikën time. Gjithmonë kam besuar që muzika është një burim inspirimi për të gjithë dhe në asnjë mënyrë nuk mund të përdoret si një mënyrë për të vënë dikë në kurth. Edhe pse asnjëherë nuk ndalova se punuara jam ndjerë sikur më kanë mbështetur për muri, nuk arrija që të ju tregoja ndjekësve të mi se përse nuk mund të publikoja një album të ri. Gjatë këtyre viteve kam shkruar shumë këngë në mendjen time dhe e kam titulluar albumin Phoenix sepse ndjehem sikur kam rilindur”, është shprehur ajo në një pjesë të marrë nga kjo intervistë./ KultPlus.com

Vanity Fair rendit pianisten shqiptare mes 30 yjeve të Francës

Një gjeni në piano, ajo po shkëlqen në skenat e të gjithë botës, nga Gjeneva në Tokio”, kështu shprehet revista prestigjioze “Vanity Fair” për artisten e talentuar shqiptaro-franceze Marie-Ange Nguci. Ajo e klasifikon pianisten 20-vjeçare mes 30 yjeve në ngritje të Francës.

Marie-Anxhe Nguci është vetëm 20 vjeç, por ka detyruar edhe mediat më prestigjioze franceze që të kthejnë kokën drejt saj. Vajza shqiptare konsiderohet si një nga talentet më premtuese të brezit të saj dhe artdashësit dhe kritikët në Francë e shohin me adhurim.

Disa muaj më parë ajo ka publikuar albumin e parë me muzikë klasike dhe sipas “Le Figaro”, plotësia është ndjesia e parë që përcjell albumi i saj. Mediat franceze vlerësojnë se pianistja shqiptare me një mjeshtëri të rrallë kombinon përvojat muzikore dhe është në kërkim të territoreve të reja të shprehjes përmes muzikës. / ata