Rajoni British Columbia i Kanadasë të hënën i mbylli shkollat dhe universitetet për shkak të vapës së madhe që në fundjavë solli temperaturë rekorde. Kanadaja nuk është shtet që njihet për temperatura të larta, përkundrazi.
Qyteza Lytton, që ndodhet rreth 200 kilometra në veri të Vankuverit, të dielën regjistroi temperaturë rekorde prej 46.6 gradësh. Rekordi i mëparshëm – 45 gradë – ishte shënuar në vitin e largët, 1937.
Temperaturat e larta i nxitën banorët që të kërkojnë freski në plazhe e buzë liqeneve. Në provincën ku më pak se 40 për qind e shtëpive kanë kondicionerë të ajrit, në rrjetet sociale u popullarizuan shumë postimet rreth mbajtjes së freskisë pa pajisje elektronike.
Vapa është e pazakonshme për rajonin veriperëndimor të Kanadasë, me dalje në Oqeanin Paqësor, ku më shumë ka shi se ditë me rreze dielli. Temperaturat e larta u shkaktuan nga një sistem i shtypjes së lartë që s’po lëviz, tha Greg Flato, shkencëtar kanadez.
“Temperaturat rriten shumë gjatë ditës, nuk ulen aq shumë natën dhe qëndrojnë relativisht të paluhatura për shkak të ngjarjeve të motit këtu në Bregdetin Perëndimor”, tha ai. / KultPlus.com