17 tetori shënon Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë

Sipas Kombeve të Bashkuara, 17 tetori i çdo viti shënon Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë.

Që prej vitit 1993, ndërgjegjëson njerëzit për nevojën e zhdukjes së varfërisë në mbarë botën dhe veçanërisht në vendet në zhvillim. Organizata të ndryshme jo qeveritare dhe komunitetet e bamirësisë mbështesin këtë Ditë duke u bërë thirrje drejtuesve dhe qeveritarëve që në agjendën e tyre lufta kundër varfërisë të ketë prioritet.

Në 17 tetor të vitit 1987, më shumë se 100 mijë persona u mblodhën në Paris për të nderuar viktimat e varfërisë ekstreme , dhunës dhe urisë. Që prej atij momenti individë dhe organizatat në mbarë botën e shikonin 17 tetorin si një ditë ku mund të rikujtonin përkushtimin e tyre për t’i dhënë fund varfërisë. / KultPlus.com

Varfëri

Poezi nga Rina Mujku

Do të të bëj një pyetje,
A e ke menduar ndonjëherë
Ç’do të thotë varfëri?
Epo, unë po.

Të zgjohesh çdo mëngjes,
T’i hapësh sytë bashkë me diellin
Pa e mbushur shpirtin me dritën e tij…
Në tavolinën e ushqimit
Të ngopesh çdo ditë me egoizëm
Pa menduar për tjetër njeri…
Në rrugët plot njerëz
Ta përshëndesësh veç veten
Pa zgjuar pak mirësi…
Të mos përtosh që
Pas dështimit t’i rrahësh krahët vetes
Pa u përpjekur për pak ardhmëri…
Të shohësh veten tek thyhesh nga pak
E të mos ndjesh dhembshuri,


Më thuaj,
A nuk është kjo varfëri?!
S’e kisha fjalën për
Një kulm mbi kokë a pasuri…
Por, për atë që të bën ose jo njeri.
Më thuaj ti tani.

/KultPlus.com