Nata e parë e Varg Festival në Shkodër

Varg Festival nisi në Shkodër, me një mbrëmje tejet të veçantë kushtuar artit të bukur të poezisë dhe shpirtit krijues. Poetja shkodrane Ledia Dushi dhe poeti nga Serbia, Patar Metoviç dhuruan për të pranishmit emocione duke interpretuar poezi si një moment reflektimi për praninë e poezisë në gjuhën shqipe.

“Varg Festival” do të vijojë rrugëtimin për dy netë me radhë sot e nesër (23-24.08.2023) duke i dhënë jetë metaforës së takimit të vargjeve në kuadër të fushatës “Libri dhe Turizmi” të ndërmarrë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Do të jenë të pranishëm poetë interesantë si Moza Ahmeti e Brunilda Zllami, artisti Lek Tasi e shumë emra të tjerë që mbeten për t’u zbuluar.

Aktiviteti letrar është pjesë e sezonit veror “KultArt” 2023, që organizohet nga Ministria e Kulturës, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër. Aktiviteti sot do të zhvillohet në Muzeun Historik të Shkodrës, në ora 19:00./atsh/KultPlus.com

Shkrimtarë nga Kosova hapin festivalin ‘Varg’ në Torrën Veneciane në Durrës

Dje ne Torrën Veneciane në Durrës është hapur festivali ‘Varg Festival’, përcjell KultPlus.

Mbrëmjen e parë të këtij festivali e hapën Ag Apolloni, Sibel Halimi dhe Arbër Selmani, të cilët erdhën me një bisedë mbi letërsinë bashkëkohore shqipe, traditën, kujtesën apo valët e feminizmit.

E pranishme në hapjen e këtij festivali ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Ajo nëpërmjet postimi në Facebook u shpreh se letërsia është kthyer në qendër të vëmendjes me festivalin ‘Varg Festival’, pas restaurimit të Torrës Veneciane në Durrës.

“Festivali veror “Varg” i Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nisi ciklin e takimeve pikërisht në këtë kullë mesjetare me autorë të ardhur nga Kosova. Me kryetaren e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, Sibelin, Agun dhe Arbrin për të folur për letërsinë e zhvilluar këtej e andej kufirit shtetëror, por që frymon shqip”, shkroi Margariti në Facebook.

Ndërkaq, sonte nga ora 19:00 në Torrën Veneciane, do të ketë sërish mbrëmje poetike.

 Ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, që çon artin e kulturën atje ku është publiku!/KultPlus.com

‘Varg festival’, takime dhe biseda letrare me autorë shqiptarë dhe të huaj

Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit nis së shpejti “Varg Festival”, një tur takimesh dhe bisedash letrare me autorë shqiptarë dhe të huaj.

Kjo nismë merr jetë në javën e parë të muajit korrik dhe vijon gjatë gjithë sezonit veror. Libri, lexuesi dhe trashëgimia turistike e cdo qyteti janë elementë që pritet ta zbukurojnë shijen e turistit vendas por dhe të huaj.

 “Varg Festival është një iniciativë e re e Qëndrës Kombëtare të Librit e Ministrisë së Kulturës për ta çuar librin në ato zona kulturore, ku ka nevojë për një lloj zgjimi të ri i cili vjen dhe me sezonin turistik” u shpreh Drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli.

Netët e librit dhe Varg Festival synojnë të nxisin pasionin për leximin por dhe ta çojnë librin në ato hapësira ku ka dhe më shumë pushues. Në cilët qytete do të mbahet ai dhe cilët janë autorët?

“Ne do të shkojmë në qytete ku janë të lidhura fort me turizmin, në Durrës, Sarandë, Vlorë, Pogradeci, Shkodra, duke bërë bashkë autorë nga të gjitha trevat shqipfolëse. “Varg Festival” do të nisë me Kosovën një agora e skenës bashkëkohore të poezisë që bëhet sot në Kosovë përmes emrave më përfaqësues. Do të jetë Ag Apolloni, Arbër Selmani”, u shpreh Alda Bardhyli.

“Varg festival” vjen me qëllimin e mirë të të bashkojë krijues e lexues në skena letrare. Lexime nga vetë autorët dhe nga aktorë të qyteteve pritëse do të risjellin agorat e qyteteve, si dikur në skenat e lashtësisë. Veç të tjerash festivali letrar synon të pikë takojë qendrat kulturore në rrethina me kryeqendrën e vendit, autorë të njohur dhe të rinj në biseda e lexime duke nxitur shkëmbime kulturore mes tyre. Të gjitha këto aktivitete ju mund t’i gjeni në aplikacionin Tea në celularin tuaj./KultPlus.com