Betim Bregovina çon përpara projektin ‘Vargjet Flasin’, promovon tetë libra në formatin braile dhe akustik

Një ngjarje e veçantë u mbajt sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery. Një kapitull i ri u hap sot për personat e verbër dhe me shikim të dëmtuar me promovimin e tetë librave në formatin braile dhe formatin akustik, të cilët kanë qenë të botuar vite më parë në formatin tipik, libra këta të autorit dhe bashkëautorit, Betim Bregovina, shkruan KultPlus.

Hapësira e KultPlus Caffe Gallery u mbush përplot dhe në mesin e tyre një numër i madh ishin nxënës të Shkollës “Nexhmi Mustafa” të cilët me shumë entuziazëm po prisnin nisjen e kësaj ngjarje.

Filloreta Hyseni, asistente e projektit “Vargjet flasin” hapi këtë ngjarje duke u uruar mirëseardhje të gjithëve. Ajo theksoi rëndësinë e projektit “Vargjet Flasin”, i cili synon të mundësojë qasjen dhe përdorimin e letërsisë për personat e verbër dhe ata me shikim të dëmtuar.

Në këtë ngjarje të posaçme, përurimi i librave në formatin braile dhe akustik u dedikua jo vetëm personave të verbër dhe ata me shikim të dëmtuar, por gjithashtu lexuesve të tjerë që preferojnë apo do të preferojnë të përdorin formatin akustik për lexim.

Ky projekt shërben si një hap i rëndësishëm drejt shpërndarjes së letërsisë në një mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe të arritshme për të gjithë. Përmes kësaj iniciative, “Vargjet Flasin” synon të bëjë fjalën shkruar një përvojë të përbashkët për të gjithë lexuesit, pavarësisht vështirësive të tyre.

Në këtë përurim, fjalë fillimisht e mori Enver Ulaj – redaktori dhe lektori i dy veprave të autorit, “Malli i murosur” dhe “ Flas me heshtjen”.

“Jam shumë i lumtur që jeni sot këtu, në një ambient kaq familjar në mesin e miqve. Unë kam 20-të vite në arsim dhe vitin e parë të punës kam qenë mësimdhënës së shkollën për të verbër në Pejë dhe në gjeneratën e parë e kam takuar Betimin. Betimi dhe të tjerët po bëjnë shumë në këtë fushë. Betimi që në atë kohë është marr intenzivisht edhe me letërsi po edhe me art figurativ ku ka hapur edhe ekspozitë. Ne i gëzohemi suksesit të Betimit dhe gjithë tjerëve që e kanë ndjek këtë rrugë të cilët janë edhe frymëzim për këta nxënës që sot janë të pranishëm këtu”, tha Ulaj i cili fjalën e mbylli duke thënë: “Betim, ne krenohemi me ty”.

Fjalën tutje e mori drejtoresha e Shfmu “Nexhmi Mustafa”, Xhevrije Osmani e cila tha se Betimi bënë punë të mirë kudo që shkon.

“Qe një vit që Betimi është pjesë e stafit të shkollës sonë, tek ne ka ndryshuar gjithçka për të mirë, falë tij. Andaj, nuk po dyshoj që ka bërë një punë shumë të mirë edhe në këta libra. Betimit i uroj shumë suksese dhe i them se është fat për ne që është pjesë e shkollës tonë”, u shpreh Osmani.

Pas këtyre fjalëve, u ftuan disa nga nxënësit e pranishëm që të lexojnë poezi nga librat e autorit, ku me plot emocion ata i dhanë ambientit një atmosferë të bukur dhe frymëzuese.

Krejt për fund, fjalën e mori autori Betim Bregovina i cili fillimisht falënderoi nxënësit e shkollës “Nexhmi Mustafa”, mësimdhënësit, miqtë e familjarët që ishin prezentë në këtë ngjarje. Tutje ai u shpreh i emocionuar për këtë moment të veçantë, duke ndarë me publikun historinë e punës së tij në fushën e shkrimit letrar për mbi dy dekada.

“Projekti “Vargjet flasin” është një përmbledhje e krijimtarisë sime modeste letrare prej vitit 2004 deri në vitin 2018. Unë ndihem jashtëzakonisht i nderuar si autor dhe bashkëautor që në këtë përurim të librave braile dhe akustik i cili i dedikohet shokëve dhe shoqeve të mija të komunitetit, ata që më njohin dhe ata që nuk më njohin, po shpresoj që ky do të jetë një kontribut i vogël në provën për të realizuar shtrimin e rrugën për gjithpërfshirjen e nxënësve”, tha autori.

Pas këtyre momenteve, në një koktej rasti, të gjithë u takuan me njëri tjetrin për një bisedim më të afërt rreth punës së Betimit dhe librave në fjalë.

Projekti “Tingujt flasin”, është i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com