Poetët e Gjakovës të përmbledhur në një vëllim serioz të përgatitur me profesionalizëm të lartë nga prof. Migena Arllati, tashmë janë pjesë e librit të titulluar “Vargnim Gjakove”.
Fitore Mala, profesoreshë e gjuhës shqipe dhe letërsisë, shprehet se autorja e kësaj përmbledhjeje, znj. Arllati, ka sjellë një kontribut të jashtëzakonshëm letrar, dedikuar poetëve gjakovarë, të cilët gjithashtu kanë dhënë maksimumin e tyre në letërsi, dhe që tashmë pjesa më elitare e tyre prehen në amshim.
“Pa dyshim se edhe autorja e “Vargnim Gjakove” është një personalitet i veçantë që do të ketë vend të merituar në vargnimin gjakovar në këtë fushë. Respekt për penën e mrekullueshme. Në vazhdimësi të kësaj, do të dëshiroja të theksoja se kontributi i Dr. Migena Arllati në letërsi ka qenë një dritë udhëheqëse për shumë të rinj dhe krijues të tjerë. Vepra të tilla si kjo jo vetëm që pasurojnë kulturën tonë kombëtare, por gjithashtu ruajnë dhe përcjellin me kujdes traditat dhe historinë tonë të çmuar”, shprehet Fitore Mala rreth librit.
Vëllimi hapet me poezinë e Anton Çettës dhe vijon me poetët e disa dekadave, për të ardhur deri te të rinjtë e përkushtuar ndaj poezisë. Autorja i ka renditur ata sipas vitit të lindjes, duke siguruar kështu një rrjedhë natyrale dhe të paanshme. Libri është pritur me interes të lartë nga lexuesit, pasi vlerësohet se i bën nder Gjakovës dhe emrave të mëdhenj të artit letrar që kanë dalë nga ajo.
Poetët gjakovarë, me penën e tyre të artë, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe dhe kanë qenë burim frymëzimi për breza të tërë. Ndaj, prof. Mala shton se autorja Arllati, me punën e saj të kujdesshme, duke i dedikuar këto vargje dhe duke i kujtuar ata, tregon respektin dhe vlerësimin që meriton çdo krijues i vërtetë.
“Le të mbetet pena juaj gjithmonë e fuqishme dhe e mprehtë, duke vazhduar të shkruajë letërsi, poezi dhe vargje që prekin zemrat dhe mendjet e lexuesve anembanë. Respekt dhe mirënjohje të thellë për ju dhe për çdo varg që keni sjellë në këtë botë”, përfundon ajo urimin për devotshmërinë e shkrimtares Migena Arllati.
Vetë autorja e “Vargnim Gjakove” tregon se për të kjo ka qenë një punë e bërë me emocionalitet të lartë. “E ndjeja si obligim në vetvete ta përgatisja sa më denjësisht këtë vëllim pasi unë kam shtrënguar duart me baclokun Din Mehmeti, me Ali Podrimen, Teki Dervishin e Besim Bokshin, me Xajë Nurën e Halil Haxhosajn, me Mazllom Sanejën, Sulejman Lokajn e Shyqri Nimanin, me Ali Ollonin e Agim Malën… që të gjithë tashmë të ndjerë. Bisedat me ta rreth letërsisë, historisë dhe vetëdijes së popullit shqiptar, i kam të qarta edhe sot e kësaj dite. Me kontributin tim “të vogël”, si profesional ashtu edhe financiar, e solla këtë vëllim në jubileun e 60-të të Mitingut të Poezisë si dhe në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës”.
Dr. Arllati konsideron se ky është një libër i shkruar nga vetë artistët. “Gjatë gjithë kohës që e punoja, e dija se “VARGNIM GJAKOVE” ishte një lodhje e bukur. Tashmë që e dorëzova në duart e lexuesve kuptoj se kjo është lodhje suksesi. Le ta gëzojë Gjakova këtë libër, le ta gëzojnë poetët dhe poezia shqipe”.