Zbulohet një varr mbretëror 3 500-vjeçar

Ministria e Turizmit dhe Antikiteteve të Egjiptit njoftoi zbulimin e një varri mbretëror që daton më shumë se 3 500 vjet më parë.

Në një deklaratë nga ministria thuhet se një ekip arkeologjik nga Universiteti i Pensilvanisë zbuloi një varr mbretëror që i përket Periudhës së Dytë në nekropolin malin Anubis në Abydos në jug të vendit

Një ekip tjetër arkeologësh, i lidhur me Këshillin e Lartë të Antikiteteve, gjeti një punishte qeramike nga periudha romake në fshatin Banavit në jug.

“Zbulimi i varrit mbretëror në Abydos dhuron prova të reja shkencore për zhvillimin e varreve mbretërore në nekropolin Anubis. Këto varre datojnë në vitet 1700-1600 para Krishtit”, thuhet në deklaratë.

Në lidhje me punishten e qeramikës në Banavit, thuhet se “Kjo punishte ishte një nga qendrat më të mëdha të prodhimit që furnizonte ‘Rajonin e Nëntë’ me qeramikë dhe qelq në kohët e lashta”.

“Njoftimi i këtyre dy zbulimeve jo vetëm që do të promovojë diversitetin turistik të Egjiptit dhe do të shpjegojë më mirë qytetërimin e lashtë egjiptian në botë, por gjithashtu do të kontribuojë shumë për studiuesit në punën e tyre”, tha ministria egjiptiane./ atsh/ KultPlus.com

Fjalimi i gjuhëtarit Aleksandër Xhuvani mbi varr të Atë Gjergj Fishtës

Veprimtarinë e nisi si mësues në Kolegjin Arbëresh të Shën Dhimitër Koronës, për t’u kthyer më pas në Shqipëri, ku filloi të jepte mësim në Normalen e Elbasanit.

Aleksandër Xhuvani lindi në Elbasan më 14 mars 1880 në një familje të njohur për kontributin kombëtar e kulturor. Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmet, në Çatillë të Maqedonisë. Më pas studioi filologji në Athinë, ku edhe u diplomua. Është një nga pionierët e arsimit dhe të gjuhësisë shqiptare.

Mjafton të kujtojmë këtu fjalimin që Xhuvanit mbajti mbi varr të Atë Gjergj Fishtës, për të treguar qartë vlerësimin e e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht të Kangëtarit të Lahutës:

“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahniten mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë” që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e “Lahutës”, odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj”.

Aleksandër Xhuvani vdiq më 22 nëntor 1961. / KultPlus.com