250 mijë euro për Varret Ilire të Selcës

Varret ilire të Selcës do t’i nënshtrohen rehabilitimit të tyre pas dekadave të tëra të lëna në harresë të plotë, pa asnjë lloj investimi.

Lajmin e mirë për këtë trashëgimi unikale e ka dhënë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cila thotë se tashmë projekti i rehabilitimit është miratuar, me një vlerë prej 250 mijë eurosh.

“Unikale janë varret monumentale ilire në Selcë të Mokrës, shek. IV-III p.K., që gjenden në faqen lindore të kodrës së quajtur Gradishtë, në të cilën ndodhen gjurmët e qytetit ilir të Selcës së Poshtme. i vizituam bashke me Ambasadoren e Delegacionit Europian, Romana Vlahutin, për të prekur konkretisht jo vetëm një vlerë të rrallë të kulturës shqiptare, por edhe dobinë e projektit që kemi hartuar e miratuar tashmë me një vlerë prej 250 mijë eurosh, për rehabilitimin e varreve, mjaft të dëmtuara nga degradimi natyror, nga mungesa prej dekadash e investimit dhe konservimit”, shkruan Kumbaro në Facebook.

Në Javën e Evropës, vëmendje të veçantë iu kushtua Korçës, Pogradecit, Liqenit të Ohrit dhe varreve mbretërore ilire të Selcës së Poshtme.

Varret monumentale të Selcës janë një pjesë e rëndësishme e qytetit ilir të Selcës së Poshtme. Ato janë aspekti më i njohur arkitekturor i këtij qyteti. Periudha e ndërtimit të tyre përkon me periudhën kulmore të zhvillimit të qytetit./ KultPlus.com