Forcat serbe morën vendim, që t’i fshehin disa nga gjurmët e krimeve të luftës në Kosovë (1998/99) duke hapur varrezat e viteve 1989-90. Plani iu dështoi pasi banori i vetëm që kishte mbetur në Hajvali e pa gjithë situatën.
Serbet hapën varret civile në Hajvali dhe brenda tyre i varrosën civilët e vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Por, plani i tyre për t’i fshehur gjurmët e krimit, nuk pati sukses.
Kjo pasi të gjithë ngjarjen nga dritarja, e pa Sejdi Demolli, tanimë i ndjerë.
I biri i tij, Hysniu, thotë se babai i tij, ishte njeriu i vetëm që kishte mbetur në lagje atë ditë.
“I kanë pru serbët, me ata kamionët, tamiqa, baba i ka pa prej dritares, kur i kanë varros”, tha ai për Tëvë1.
Demolli thotë se pasi serbët u larguan, babai i tij i bëri me shenjë varret ku ata punuan.
“Ata i kanë varros thotë shumë cekët, baba u dal i ka varros që mos mi ngrënë qentë”, tha Hysni Demolli, banor i Hajvalisë.
Pas përfundimit të luftës, Sejdi Demolli i tregoi autoriteteve të Kosovës, për ngjarjen që e kishte parë.
Ndërsa në hapjen e këtyre varreve, mori pjesë edhe Hysen Ahmeti.
94-vjeçari thotë se në mesin e të zhvarrosurve ishte edhe një femër.
“Do ishin deformuar fort, ndërsa trupi i një djalit ishte fort i ruajtur, sikur me u varros shumë kohë pas të tjerëve”, deklaroi Hysen Ahmeti, banor i Hajvalisë.
Në identifikimin e trupave, mori pjesë edhe mjeku i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.
Ky thotë se këtu u identifikuan trupat e 8 personave të vrarë në luftën e fundit.
Ndërsa ky nuk është rasti i vetëm në Kosovë, ku shteti serb u mundua t’i fsheh krimet e luftës.
“Në Kosovë kemi pas raste të ndryshme, ku janë varros në vende të ndryshme dhe është rrafshuar vendi, pastaj janë hedhur mbeturina për ta maskuar vendin, pastaj e kemi rastin tek varrezat e myslimanëve në Zveçan, ku nga lufta e deri me tani mbi 70 persona janë tërhequr”, tha Gërxhaliu.
Vendimi për fshehjen e trupave të kosovarëve të vrarë, doli nga një mbledhje e ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviq, me kabinetin e tij. / KultPlus.com