U bllokuan të futen në mbledhjen e OKB-së, presidentja Osmani refuzoi të futet në mbledhje pa prezencën e katër grave

Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muçolli dhe Shyrete Tairi ishin të pranishme në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, të cilat në këtë mbledhje ishin prezentë me ftesë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.

KultPlus merr vesh se edhe pse emrat e grave të lartpërmendura janë regjistruar më herët, ashtu sikur edhe është kërkuar me protokol, pak para fillimit të mbledhjes është tentuar nga administrata e OKB-së që katër gratë nga Kosova mos të lejohen të futen në sallë.

Poashtu KultPlus merr vesh se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte ajo që ka refuzuar të futet në sallë pa prezencën e grave, gra të cilat janë dëshmi e gjallë për vuajtjet dhe tmerret që i kanë përjetuar nga ushtria serbe, pikërisht 25 vjet më parë.

Ndryshe, prezencën e grave në sallën e OKB-së nuk e ka pritur mirë as presidenti i Serbisë, Aleksander Vuciq, i cili ka thënë se për këtë pjesëmarrje ata nuk ishin të paralajmëruar./ KultPlus.com

Presidentja Osmani me figura emblematike në Parlamentin Evropian, mes tyre edhe Vasfije Krasniqi, Fahrije Hoti e Blerta Basholli

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj në seancë plenare në Parlamentin Evropian ka rrëfyer historinë e Kosovës nëpërmjet fateve personale të: Vasfije Krasniqit, Fahrije Hotit, Blerta Bashollit, Egzon Sylës, Hana Qerimit dhe gazetares ukrainase Liudmyla Makei, të cilët janë pjesë e delegacionit të Presidentes në këtë adresim.

“Historitë individuale të gati 2 milionë njerëzve, e bëjnë Kosovën suksesin që është sot”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj në seancë plenare në Parlamentin Evropian ka rrëfyer historinë e Kosovës nëpërmjet fateve personale të: Vasfije Krasniqit, Fahrije Hotit, Blerta Bashollit, Egzon Sylës, Hana Qerimit dhe gazetares ukrainase Liudmyla Makei, të cilët janë pjesë e delegacionit të Presidentes në këtë adresim.

“Historitë individuale të gati 2 milionë njerëzve, e bëjnë Kosovën suksesin që është sot”, ka theksuar Presidentja Osmani. Gjatë prezantimit të delegacionit, Presidentja Osmani, spikati të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës nëpërmjet rrëfimeve jetësore të anëtarëve të delegacionit.

“Ky është përfaqësimi i vërtetë i Republikës sonë të dashur – që përfaqëson historinë e trishtë dhe sfiduese të Kosovës, si dhe frymën e qëndrueshmërisë, këmbënguljes dhe vendosmërisë që është një premtim për një të ardhme më të madhe”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani. Presientja Osmani tha se Vasfije Krasniqi Goodman ishte ajo që e kuptoi se plagët thellohen në heshtje.

“Sot ajo është zëri i mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë”, tha ndër të tjera Presidentja Osmani. Më tej, në adresimin e saj, Presidentja Osmani shpalosi edhe fatin jetësor të znj.Fahrie Hoti.

“Ajo e ktheu pikëllimin në motivim, ajo e ktheu dhimbjen në vendosmëri”, shtoi presidentja Osmani. Veprimet e saj, sipas Presidentes Osmani, jo vetëm që shpëtuan jetën e qindra grave në fshatin e saj, por historia e saj frymëzoi edhe filmin “Zgjoi”, të regjisores Blerta Basholli.

Duke folur për një të ardhme më të mirë, Presidentja veçoi rrëfimin e suksesshëm të Hana Qerimit, bashkëthemeluese e Digital School dhe StarLabs, dy kompani, të cilat janë etabluar në tregun evropian me punën që bëhet në Kosovë. Historitë e këtyre njerëzve, sipas Presidentes Osmani janë mishërimi i qëndrueshmërisë.

Në këtë kontekst, Presidentja përmendi angazhimin e Egzon Sylës, nga kontingjenti i Kërkim-Shpëtimit në FSK, i cili ka udhëhequr ekipin në përpjekjet e shpëtimit nga pasojat e tërmetit shkatërrues në Turqi. “Sot, një 2-vjeçar si dhe të tjerë janë ende gjallë për shkak të Egzonit dhe ekipit të tij. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre tregon shpirtin e vërtetë të popullit të Kosovës: atë që nuk dorëzohet kurrë dhe që jep gjithmonë”, tha Presidentja Osmani.

Në fjalimin e saj, Presidentja prezantoi edhe rrëfimin e Liudmyla-n. Liudmyla Makei, gazetarja e parë ukrainase që u prit në Kosovë si pjesë e Programit të Gazetarëve në Rezidencë në Kosovë të nisur nga institucionet kosovare në mbështetje të kauzës së tyre për të mbrojtur të vërtetën. “Populli im e njeh edhe ndjenjën e pakrahasueshme të lirisë dhe paqes. Dhe, shpresoj se populli i Ukrainës së shpejti do t’i përjetojë këto ndjenja ndërsa e fiton luftën ndaj agresionit të Rusisë”, ka thesuar ndër të tjera Presidentja Osmani./ KultPlus.com

Vasfije Krasniqi kërkon që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë

Vasfije Krasniqi-Goodman kërkon nga Institucionet e Kosovës që të miratojnë kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë.

Këtë ajo e ka bërë përmes një letre që sot i ka drejtuar Presidentes së Kosovës Zonjës Osmani, Kryeministrit Kurti, Kryetarit të Kuvendit Konjufca si dhe gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Letra e saj është e drejtuar edhe në emër të Shoqatës “Drejtësi për të gjithë” të cilën ajo e drejton.

Të kujtojmë se zonja Vasfije Krasniqi-Gooodman është njëra nga njëzetmijë viktimat e dhunës seksuale, të cilat forcat serbe kanë aplikuar kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë zbatimit të krimit të gjenocidit në Kosovë në luftën e fundit.

Zonja Vasfije Krasniqi-Goodman ka treguar publikisht për tmerrin që ajo ka përjetuar. Këtë rrëfim ajo e ka bërë në disa institucione botërore, përfshirë edhe kongresin e senatin amerikan.

Më poshtë po e publikojmë të plotë letrën e Zonjës Vasfije Krasniqi-Goodman:

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, Zonja Vjosa Osmani
I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, Zoti Albin Kurti.
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca
Të nderuar ish kolegë të mi, deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Në cilësinë e ish deputetes së Kuvendit të Kosovës dhe si njëra nga viktimat që denoncoi publikisht dhunën seksuale që paraqet formë të gjenocidit që Serbia zbatoi mbi popullin tonë, kam marrë një kërkesë nga Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” drejtuar institucioneve shtetërore dhe forcave politike të Kosovës që Lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.

Dita ditës njerëzve u bëhet e qartë se plani i Serbisë për gjenocid në Kosovë kishte për qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si komb dhe për realizimin e këtij qëllimi ata vranë shqiptarë të të gjitha moshave dhe gjinive, dhunuan seksualisht mbi 20 mijë femra dhe meshkuj shqiptarë,  dëbuan nga vatrat e tyre mbi një milion shqiptarë dhe shkatërruan mbi 100 mijë shtëpi, objekte arsimore, monumente kulturore dhe historike që lidhen me identitetin e shqiptarëve.

Pasi lexova me vëmendjen e duhur arsyetimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” për domosdoshmërinë që të kemi një logo të vetëm që do të simbolizonte krimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe përfshirjen e çdo forme të akteve gjenocidare në njërën nga petalet e lulëkuqes, vendosa t’u bëj thirrje publike në emër të organizatës “Drejtësi për të gjithë” dhe në emrin tim personal që ta përkrahni këtë iniciativë dhe të ndërmerrni të gjitha hapat e nevojshëm për zyrtarizmin e këtij simboli gjithëpërfshirës, si simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.

Prishtinë, më 6 dhjetor 2022                                                                 

Me respekt
Vasfije Krasniqi Goodman 
/KultPlus.com

Vasfije Krasniqi jep dorëheqje nga posti i deputetes, shkak gjendja shëndetësore

Deputetja e parlamentit të Kosovës, Vasfije Krasniqi ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga ky post, përcjell KultPlus.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se është në një trajtim shëndetësor dhe për këtë shkak i pamundësohet realizimi i detyrës së saj si deputete.

KultPlus ua sjell postimin e plotë:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Duke qenë se jam në një trajtim mjekësor, dhe si rezultat në këtë fazë të trajtimit më duhet që për çdo muaj të kem vizita të rregullta, dhe përderisa i njëjti mund të zgjas, mua më vështirësohet, përkatësisht pamundësohet tani dhe ndoshta edhe në të ardhmen realizimi i obligimeve të mija si deputete. Kështu edhe përkundër dëshirës sime që unë të vazhdoj me përfaqësimin e juaj në Kuvend, më duhet të ju njoftoj se unë kam vendosur të japë dorëheqje nga pozita e deputetes. Rrjedhimisht për këtë dorëheqje sapo kam njoftuar edhe Kryetarin e Kuvendit z. Glauk Konnjufca, si dhe kryesinë e Kuvendit.

Sidoqoftë ashtu si edhe deri më sot, unë do të vazhdoj angazhimin publik për Kosovën në SHBA, sidomos në Kongresin Amerikan. Si rezultat i këtij angazhimi besoj që së shpejt do të shihen të arriturat e para. Kam besimin e plotë që së bashku me miq, njerëz të vullnetit të mirë, punëtorë e vizionarë, kauza e fitores së drejtësisë në Kosovë do të triumfojë.

Gjithsesi më lejoni të falënderoj Lëvizjen Vetëvendosje për besimin, hapësirën, mbështetjen dhe qasjen ndaj meje, falenderim i veçant për Kryeministrin e Rebublikës së Kosovës z: Albin Kurti i cili vërtet ka treguar se është i gatshëm dhe i vendosur që çështjen e krimeve të luftës ta trajtoi seriozisht, nuk duhet harruar as, të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës të cilët vërtet treguan se përtej dallimeve politike dhe politikave ditore mund të mbizotërojë njerëzorja tek secili prej nesh.

E në fund falënderimi më i madh u shkon qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilët duke më dhënë besimin, më dhanë edhe mundësinë dhe nderin t’i përfaqësoj në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me respekt të thellë,

e juaja Vasfije Krasniqi!./ KultPlus.com

Vasfije Krasniqi dhe Besarta Jashari do të flasin në SHBA për tmerret e luftës në Kosovë

E mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe tani deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi-Goodman, bashkë me të mbijetuarën e familjes Jashari, Besarta Jashari, do të flasin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës  (SHBA) për tmerret e luftës në Kosovë, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Vasfije Krasniqi-Goodman përmes një postimi në Twittër, derisa do të jenë atje më 10 maj.

Organizimi është bërë nga Qendra dhe Muzeu i Tolerancës “Simon Wiesenthal” në New York teksa temë diskutimi do të jetë adresimi i dhunës dhe përdhunimit si armë lufte,

Pjesë e këtij forumi do të jenë edhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Ferit Hoxha, ish-kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA dhe anëtar i Kongresit, Eliot Engel, fotoreporterja dhe fituesja e çmimit “Pulitzer”, Marissa Roth, dhe Kadire Tahiraj, Drejtoreshë e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Kosovë. /KultPlus.com

Vasfije Krasniqi: Bota do ta dëgjojë atë që na ka ndodhur, Serbia do të mbahet përgjegjëse

Deputetja e Kosovës, Vasfije Krasniqi Goodman, e cila është e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, në Ditën e e të mbijetuarve të dhunës seksuale ka ritheksuar zotimin e saj për të marrë drejtësinë.

“Bota ka për të dëgjuar atë që ka ndodhur me djemtë e vajzat, me burrat dhe gratë gjatë viteve 1998-99 dhe një gjë është e sigurt se Serbia do të mbahet përgjegjëse për krimet që ka kryer! Është 14 prilli që ka përcaktuar fatin tim, e unë kurrë nuk do të harroj zotimin tim për drejtësi”, ka shkruar Krasniqi Goodman.

Organizatat e Platformës “Bëhu Zëri Im” udhëhequr nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës sot kanë kërkuar të njihet ligjërisht 14 prilli si ditë zyrtare memoriale për viktimat e dhunës seksuale gjatë Luftës në Kosovë.

Derisa kryeministri Albin Kurti priti në takim Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Në këtë takim u shpreh shqetësimi që stigma është kthyer në sfidë të procesit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, një e drejtë e garantuar me ligj./ KultPlus.com

Vasfije Krasniqi deklarohet ‘pro’ martesave mes gjinisë së njëjtë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi, ka reaguar së fundmi në lidhje me Projektkodin Civil që parasheh lejimin e martesave mes gjinisë së njëjtë, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter”, deputetja ka publikuar një fotografi në të cilën shkruhet “Dashuria është dashuri”.

Nga kjo foto, ajo ka lënë të nënkuptojë se është pro-votimit në ndryshimin e Kodit Civil, i cili është në rend të ditës nesër në Kuvend të Kosovës. /KultPlus.com

Krasniqi: Do të luftoj me gjitha forcat e mija për ditën kur ligji të ketë thënë fjalën mbi përgjegjësit e masakrave, vrasjeve e dhunës

Vasfije Krasniqi Goodman është zyrtarisht deputete e Kuvendit të Kosovës në radhët e Levizjes Vetëvendosje, shkruan KultPlus,

Ndërkaq, sot, Krasniqi Goodman përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka falenderuar të gjithë ata që e votuan dhe e besuan atë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Krasniqi Goodman.

Të dashur bashkëqytetarë, më së fundi kemi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Në një kohë të vështirë, në një situatë unike, në një përballje me problemet ekonomike e shoqërore, me cështjet e drejtësisë e arsimit, me pandeminë e raportet me fqinjin verior, populli bëri zgjedhjen e drejtë e të guximshme. I besoi drejtimin e shtetit një fryme të re e moderne, njerëzve që mbështesin e përqafojnë ide të qarta për të sotmen e që do të shërbejnë si bazë e së nesërmes.

Kjo fitore e grupit progresist të udhëhequr nga dyshja Kurti – Osmani nuk duhet parë si vijë finishi, është vetëm 100 metërshi i parë i një stafete në të cilën kryesojmë, por në këtë garim nuk mundet kurrsesi të humbim përqëndrimin e vendosmërinë, pasi kemi pengesa për të kapërcyer, situata për të zgjidhur, përgjigje për të dhënë, gracka për të shmangur e fitore për të kurorëzuar.

Unë do të hy për herë të parë në tempullin e demokracisë. Do të kem emocione, është njerëzore, por do të jem e fortë, do të ndihem e tillë se atë mbështetje ma kanë dhënë mbi 60 mijë preferencat tuaja. Ju faleminderit.

Ato 60 mijë preferenca më bëjnë të ndjej gjithashtu, edhe përgjegjësinë e madhe, janë një kryq i rëndë, po për ta mbartur do të kem edhe ndihmën tuaj, nuk kam dyshime.

Së bashku do të luftojmë për drejtësi. Kur të sistemojmë të shkuarën, kur ligji të ketë thënë fjalën mbi përgjegjësit e masakrave, vrasjeve, dhunës, djegijeve, dëbimeve, athere shpatullat do të na drejtohen nga krrusja e gjatë, do të shohim vetëm përpara më në fund, pa pengje në shpirt, pa krisje në ndërgjegje. Atëhere do të ndjejmë në fytyrë, në krahë e kraharor, frymën e së ardhmes.

Unë do të luftoj me të gjitha forcat e mija për atë ditë. / KultPlus.com

Vasfije Krasniqi-Goodman nesër iu drejtohet deputetëve në Kuvend

Me rastin e shënimit të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Kuvendi i Kosovës organizon seancë të veçantë, e cila do t’i kushtohet ngritjes së vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Deputetëve të Kuvendit do t’iu drejtohet Vasfije Krasniqi-Goodman, transmeton Klan Kosova.

Seanca mbahet nesër (9 mars 2020), në orën 11.00. / KultPlus.com

Vasfije Krasniqi, e zhgënjyer se shtëpia ku u përdhunua s’u kthye në muze

Shtëpia në të cilën Vasfije Krasniqi – Goodman ishte përdhunuar nga serbët gjatë kohës së luftës, ka filluar të rrënohet. Pronari i parcelës, përveç që nuk e ka lejuar ekipin ta xhironte vendin, ai madje ka thënë se në atë shtëpi nuk ka ndodhur asgjë. Derisa për KTV-në, Vasfije Krasniqi ka thënë që së bashku me familjarët kanë dashur që ajo shtëpi të kthehej në muze.

Në përvjetorin e 12-të të Pavarësisë së Kosovës, monumenti New Born ka marrë pamje të re, duke i përkujtuar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Por, pak më larg nga kryeqyteti, në Babimoc të Obiliqit shtëpia në të cilën u përdhunua Vasfije Krasniqi ka filluar të rrënohet nga pronari i ri.

Një person i cili është paraqitur si pronar i asaj parcele, përveçqë nuk e ka lejuar ekipin e televizionit të xhironte aty, ai e ka mohuar se shtëpia të cilën edhe ka filluar ta rrënonte është vendi që është keqtrajtuar Vasfija. Ai megjithatë ka pranuar se shtëpinë e ka blerë nga një serb. / KultPlus.com

Në takim me Dukeshën e Luksemburgut, Vasfije Krasniqi me veshje kombëtare

Me rastin e ditëlindjes së saj më 23 mars, Dukesha Maria Tereza  në Luksemburg, mirëpriti 50 të mbijetuar të abuzimit seksual, në mesin e të cilave ishte edhe Vasfije Krasniqi, e cila së fundi foli për tmerret që ka përjetuar gjatë luftës në Kosovë, si e mbijetuar nga dhunimet seksuale, shkruan KultPlus.

Vasfija bashkë me të mbijetuarit e tjerë kanë marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtarë të Dukeshës “Stand Speak Rise Up!” , ku mbrëmë është mbajtur edhe nata e parë, ndërsa sonte pritet të mbahet nata e dytë.

Kjo mbrëmje është përmbyllur me ide të ndryshme dhe me një mbrëmje gala te Filharmonia ku janë dëgjuar të mbijetuarat dhe janë nderuar për guximin e tyre.

“Jemi bashkuar këtu për të festuar fitoren e tyre”, është thënë gjatë kësaj mbrëmje.

Përveç guximit të saj për të folur edhe njëherë para botës për përjetimet e saj, Vasfije Krasniqi mbrëmë i bëri krenarë të gjithë shqiptarët ku në këtë takim u paraqit me veshje kombëtare shqiptare.

Me Vasfije Krasniqin në Luksemburg po qëndron edhe Feride Rushiti, Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT). /KultPlus.com  

Ti, mjellma e bardhë e Kosovës

(Foto në ballinë: Valerie Plesch)

Poezi nga Luan Rama

Vasfije Krasniqit, që gjatë Luftës së Kosovës, u grabit me forcën e armëve dhe u përdhunua. Sot ajo kërkon hapur dënimin e përdhunuesve të saj serbë.

Motra ime e vogël
syri ynë i bukur dhe i dlirë
ti u zgjove sërrish të ecësh në udhët e botës
për të treguar plagët e shpirtit
plagët e plagëve të mëmës Kosovë
kohën e errët të poshtërimit
dhe të eklipsit të madh.
Ti nuk doje ta lije Vushtrinë
kulmin e vjetër të shtëpisë me trarët e rënë
lëndinën – Kosovë
ti qëndrove si lastari i bukur mes zjarrit
rrahur nga furtuna dhe rrufetë
stolisur me 16 lulëkuqet e jetës tënde
e bukur si Venusi në velur
aty ku toka qante e nxihej
aty ku Kosova dergjej në vdekjet e e saj të mëdha
trandur nga vargu i madh i eksodit biblik.
Populli shkonte
të vdekur e të gjallë
por ty motërz të tërhoqën zvarrë
kryqëzuar si Krishti
kryqi shtrirë në Babimovc
përzhitur në urrejtje dhe hekur të skuqur
ndërsa ti kërkojë veç një plumb
që jeta të humbte
që bota të shuhej
ti bozhur i bukur i Kosovës
ti doje të vdisje atje në katakombet e krimit
ata donin që preha të vuante gjer në frymën e fundit.
Më kot kërkoje diellin në qiejt e nxirë
atje ku zogjtë s’pipëtinin më
ku të gjitha këngët qenë shuar
ku gjethet nuk fëshfërinin më
dhe hëna mbytej në honet e mjegullta
me trishtin tënd të pafund
me lotin e ngrirë dhe gjinjtë e gjakosur
dhe ku shtëpia i ngjante një arkivoli të madh.
Ditë pa frymë në tokën djerrë
në rrokullisjen e zhurmëshme të bombave
kur muajt nxitonin të sillnin një tjetër ag
më të bukur se agimet e tjera
kur një dritë e bardhë papritur tu afrua dhe të tha:
– Eja bija ime etërit janë zgjuar
të vdekur dhe të gjallë
bijtë po kthehen nga udha e gjatë!
Koha kalonte
dhe ti shkele sërrish pragun e jetës
me aureolën e dritës së bardhë
me diellin dhe hënën në sy
shtëpitë e vjetra u ringritën në udhët e gjelbërta
dhe jeta u mbars përsëri
aromë gruri dhe dashurie
por ti jetoje ende me hiret e tragjedisë
në ehot e britjeve
zhytur në greminën e heshtjes
në heshtjen që një ditë do klithte për shpagim.
Motra ime e vogël
syri ynë i bukur
më së fundi ti u zgjove
për të ecur sot në flladin e botës
ku mijra e miliona duar të mbajnë lart
si një emblemë purpuri të kurajos
ti, mjellma e bardhë e Kosovës…
——-

Luan Rama

Vasfije Krasniqi në takimin me Dukeshën e Luksemburgut: Dhunimet e Kosovës do ti dëgjoj gjithë bota

Me rastin e ditëlindjes së saj më 23 mars, Dukesha Maria Tereza  në  Luksemburg, mirëpriti 50 të mbijetuar të abuzimit seksual, në mesin e të cilave ishte edhe Vasfije Krasniqi, e cila së fundi foli për tmerret që ka përjetuar gjatë luftës në Kosovë, si e mbijetuar nga dhunimet seksuale.

Vasfija bashkë me të mbijetuarit e tjerë kanë marë pjesë në Forumin Ndërkombëtarë të Dukeshës ” Stand Speak Rise Up! , që do të mbahet më  26 dhe 27 mars.

Vasfije Krasniqi tashmë ka shpërndarë fotografi nga pritja e Dukeshës, e cila ka shkruar se për dhunimet e Kosovës do të dëgjojë e gjithë bota.

Me Vasfije Krasniqin në Luksemburg po qëndron edhe Feride Rushiti, Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT)./KultPlus.com  

Vasfije Krasniqi: Disa herë kam provuar t’i jap fund jetës por familja më mbajti gjallë

Vasfije Krasniqi është figura që bëri një kthesë gjatë vitit 2018, e cila me rrëfimin e saj mbi dhunimin që i është ushtruar nga serbët, në luftën e fundit në Kosovë, ka rikthyer edhe njëherë këtë temë të ndjeshme të shoqërisë kosovare që është mbajtur e heshtur për 20 vite me radhë, shkruan KultPlus.

Ajo sapo ka dalë me një deklaratë, e cila nëpërmjet kësaj deklarate ka ndërlidhë vuajtjen e saj nëpër vite, ngritjen në këmbë, mbështetjen nga familja, miqtë, dhe natyrisht duke vënë theksin te Feride Rushiti, e cila ka qenë zëri kryesor i këtyre viktimave. KultPlus ju sjellë të plotë deklaratën e saj.

Të dashur-a kalun afro 20 vite nga koha kur perjetova tmerrin qe mua mi shujti ëndrrat për një jetë ndryshe, gjat kësaj periudha perjetova shumë gjëra, vuajtje, dhembje, zhgenjim, mirpo familja ishte ajo qe më mbajti gjall edhe pse disa her kam provuar që ti japë fund jetës sime, bashk me familjen time kemi kaluar sfida të ndryshme dhe ja ku jam sot, në vitin që po lëme pas pata rastin te jem e pranishme ne vende të ndryshme ne Europe e Azi duke perfaqesuar grate e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, ku kemi shkembyer prvoja të ndryshme dhe ide të ndryshme se si të luftohet për të drejtat dhe drejtësin e të mbijetuarave, dhe se me paraqitjen time në Kosovë gjithcka ndryshoi në ditet në vazhdim, the se unë tashme do të angazhohem që të ketë drejtësi për kategorin tonê, si dhe të qasemi që stigmen ta thyejm, dhe ti fitojm respektin që e meritojm. Sigurisht se do ta falenderoja shumë zonjen Feride Rushit dhe KRCT për perkrahjen që më dha, gjithashtu juve që më keni mbeshtetur pa dallim, 
Ju dua shum dhe ju uroi vitin 2019./KultPlus.com

Këta janë 29 deputetët që votuan kundër futjes në ligj të grave të përdhunuara

Vasfije Krasniqi-Goodman para dy dite, foli publikisht për tmerrin që ka kaluar në luftën e Kosovës.

Vasfije Krasniqi, një ndër gratë e dhunuara nga paramilitarët serbë në vitin 1999, rrëfeu tmerrin e përjetuar kur është përdhunuar.

Kësisoj, nisi një debat i madh i cili arriti ta nxjerrë edhe listën me 29 deputetë që në vitin 2013 kishin votuar kundër futjes në ligj të grave të përdhunuara.

Më poshtë po sjellim emrat e deputetët që votuan kundër futjes në ligj të grave të përdhunuara gjatë luftës:

1. Shaip Muja – PDK
2. Elmi Reçica – PDK
3. Latif Gashi – PDK
4. Bekim Haxhiu – PDK
5. Zenun Pajaziti – PDK
6. Fadil Demaku – PDK
7. Adem Grabovci – PDK
8. Fatmir Xhelili – PDK
9. Halit Krasniqi – PDK
10. Ramë Vataj – PDK
11. Ramiz Ladrovci – PDK
12. Blerta Deliu Kodra – PDK
13. Salihe Mustafa – PDK
14. Safete Hadergjonaj – PDK
15. Naser Osmani – LDK
16. Ukë Rugova – Lista Rugova
17. Muzejene Selmani – AKR
18. Sevdije Lama – AKR
19. Petar Miletić – SLS
20. Jelena Bontić – SLS
21. Jasmina Žvković – SLS
22. Biserka Kostić – SLS
23. Saša Milosavlević -SLS
24. Müfera Şinik – KDTP
25. Murselj Haljilji – GIG
26. Gëzim Kelmendi – AKR
27. Boban Todorović – SLS
28. Fikrim Damka – KDTP
29. Milivoje Stojanović – SLS

Haradinaj takon Vasfije Krasniqin: Ajo i dha zë të vërtetës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka takuar sot Vasfije Krasniqin, e cila ditë më parëë rrëfeu publikisht për dhunën seksuale që ka përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1999, për vetëm një arsye: inkurajimin e grave të tjera që kanë përjetuar të njëjtën gjë sikurse ajo.

“Vasfije Krasniqi, mposhti heshtjen dhe u kryengrit kundër aktit më çnjerëzor, duke u bërë model i shoqërisë sonë për të guxuar. Ajo i dha zë të vërtetës dhe forcë për të dëshmuar të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Rrëfimi i saj, si pasqyra më reale e përjetimeve tragjike të popullit tonë, është shtysë e fuqishme për ngadhënjimin e drejtësisë dhe që ta njoh bota të vërtetën e Kosovës. Mëngjesin e sotëm, këtë grua të jashtëzakonshme, e përgëzova për guximin e përmasave heroike. Të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës e kanë tërë mbështetjen tonë dhe asnjëherë nuk duhet të ndihen të vetme në këtë betejë për drejtësi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook./ KultPlus.com

Sibel Halimi: Rrëfimi i Vasfije Krasniqit duhet të jetë alarm për autoritetet politike

Rrëfimi i Vasfije Krasniqit duhet drejtuar edhe institucioneve të Kosovës, duhet të jetë alarm për autoritetet politike, të cilat e kanë shpërfillë problemin e grave të mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës.

Fillimisht, realiteti kosovar mbylli çështjen e të mbijetuarave gjatë luftës në sirtarët e politikës. Pastaj, mbi këtë çështje, shteti nuk ndërtoi asnjë premisë diskutimi. Çfarëdo tentative që erdhi jashtë politikës përfundoi si zë i mekur karshi gjuhës dominuese të kësaj kulture politike.

Reagimet të përcjella me gabime nga më të ndryshme nga sfera politike, përqendruan vëmendjen e grave të mbijetuara nga dhuna seksuale, të cilat iu nënshtruan një dhunimi për së dyti, por kësaj here të karakterit verbal dhe mostrajtimit të plagëve të tyre. Situatë kjo, e cila stigmatizoi gratë jo vetëm në sferën publike, por ndikoi negativisht edhe tek vet gratë dhe familjet e tyre.

Rrëfimet si ky është dashtë që moti të dëgjohen, por konsensusi shoqëror bëri që ato të mbyllen për 20 vite rresht. Tash, vargut të rrëfimeve duhet t`i bashkëngjiten të tjera rrëfime për t`i dhënë fund atyre me një epilog. Qoftë në bisedimet politike me Serbinë, qoftë në rregullimin e statusit të tyre./ KultPlus.com

Haradinaj për Vasfije Krasniqin: E përgëzoj këtë grua të guximshme që foli për njërën prej plagëve më të mëdha të popullit tonë

Vasfije Krasniqi, një prej grave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë, e tregoi sonte rrëfimin e saj para botës.

Me lot në sy, Krasniqi ka rrëfyer se si u dhunua nga serbët.

Këtë rrëfim prekës e ka ndjekur edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili më pas edhe ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku ka shprehur dhimbjen për këtë ngjarje, por edhe ka përgëzuar këtë grua për guximin e saj.

“Pasi e dëgjova me vëmendje rrëfimin sa prekës aq edhe inkurajues të Vasfije Krasniqit, e përgëzoj këtë grua të guximshme që ka vendosur të flas hapur për njërën prej plagëve më të mëdha të popullit tonë. Guximi i saj le të jetë udhërrëfyes për viktimat e shumta të dhunës seksuale gjatë luftës, që të ngritën mbi dhimbjen dhe me dëshmitë e tyre të dokumentojnë krimin, që të ngadhënjejë drejtësia. Së bashku, duke inkurajuar viktimat dhe familjet e tyre, do të heqim stigmatizimin që ka rënduar kaq vite mbi to.”, ka shkruar Haradinaj.

Vasfije Krasniqi-Goodman ka marrë guximin që të rrëfehet publikisht për dhunën seksuale që ka përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1999, për vetëm një arsye: inkurajimin e grave të tjera që kanë përjetuar të njëjtën gjë sikurse ajo.

Rrëfimi i paralajmëruar i Krasniqi-Goodman është i pari i dhënë ndonjëherë publikisht në një televizion nga një grua e dhunuar seksualisht gjatë luftës së Kosovës.

36-vjeçarja, e cila kishte qenë vetëm 16-vjeçare në kohën kur i ishte nënshtruar torturave dhe dhunimit seksual, tanimë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nënë e dy fëmijëve.

Për vendimin e Vasfije Krasniqi-Goodman është deklaruar sot edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook është shprehur se “momente të tilla janë prekëse” dhe se shembulli i Vasfijës “është tregim i shpresës dhe guximit”.

Rreth 700 gra të dhunuara gjatë luftës janë verifikuar nga Komisioni Shtetëror për Verifikimin e Viktimave të Dhunës Seksuale. Ndërkaq, ky status i është refuzuar 103 grave të cilat dyshohet se kanë aplikuar në mënyrë të rrejshme. /KultPlus.com

Sonte rrëfehet publikisht Vasfije Krasniqi, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

“Kam vendosur që të dalë publikisht për t’i inkurajuar viktimat e dhunës seksuale”, ka thënë Vasfije Krasniqi-Goodman në një shkrim të publikuar në rrjetin social Twitter, teksa ka paralajmëruar se do të rrëfehet publikisht në televizionin publik.

Vasfije Krasniqi-Goodman ka marrë guximin që të rrëfehet publikisht për dhunën seksuale që ka përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1999, për vetëm një arsye: inkurajimin e grave të tjera që kanë përjetuar të njëjtën gjë sikurse ajo.

Krasniqi-Goodman ka paralajmëruar se rrëfimin e saj për dhunën që ka përjetuar në luftë ka vendosur që ta ndajë me të tjerët në një intervistë që do të transmetohet sonte nga ora 22:00 në transmetuesin publik të Kosovës.

“Kam vendosur që të dalë publikisht për t’i inkuarjuar viktimat e dhunës seksuale”, ka thënë Vasfije Krasniqi-Goodman në një shkrim të publikuar në rrjetin social Twitter, teksa ka paralajmëruar se do të rrëfehet publikisht në televizionin publik.

“Të dashtun motra e vllezer, deshta të ju njoftoi se kam vendosur që për të kaluaren time të shprehem publikisht në një emision që do të transmetohet në RTK të marten nga ora 22:00. Arsyeja pse kam vendosur të dal publikisht është se dua ti inkirajoj viktimat e dhunes seksuale“.


Rrëfimi i paralajmëruar i Krasniqi-Goodman do të jetë i pari i dhënë ndonjëherë publikisht në një televizion nga një grua e dhunuar seksualisht gjatë luftës së Kosovës.

36-vjeçarja, e cila kishte qenë vetëm 16-vjeçare në kohën kur i ishte nënshtruar torturave dhe dhunimit seksual, tanimë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nënë e dy fëmijëve.

Për vendimin e Vasfije Krasniqi-Goodman është deklaruar sot edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook është shprehur se “momente të tilla janë prekëse” dhe se shembulli i Vasfijës “është tregim i shpresës dhe guximit”.

Rreth 700 gra të dhunuara gjatë luftës janë verifikuar nga Komisioni Shtetëror për Verifikimin e Viktimave të Dhunës Seksuale. Ndërkaq, ky status i është refuzuar 103 grave të cilat dyshohet se kanë aplikuar në mënyrë të rrejshme. /KultPlus.com