Julie Ward: Falë punës së Alketës është thyer heshtja për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, dje u dëgjuan dy zëra të fuqishëm që pesë vitet e fundit nuk janë ndalur së luftuari për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në Kuvendin e Kosovës, Vasfije Krasniqi -Goodman foli para deputetëve të Kuvendit, e në anën tjetër artistja Alketa Xhafa Mripa në Parlamentin britanik në Londër mbajti një fjalim për çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës para shfaqjes së dokumentarit mbi veprën artistike “Mendoj për ty” e realizuar pesë vite më parë në Prishtinë. Të dyja kanë thirrur për drejtësi duke adresuar luftën ndaj stigmatizimit të viktimave dhe duke theksuar që krimet e luftës duhet të merren seriozisht, shkruan KultPlus.

Artistja Alketa Xhafa Mripa e cila ka shkuar në Londër si një refugjatë pasi që ishte larguar nga Kosova gjatë luftës së fundit, ka treguar çdoherë se përmes artit të saj përpiqet që të vë në pah çështjet si emigracioni, refugjatët, dhunimet gjatë luftës e të tjera. Ajo vazhdon të mos qëndroj indiferente ndaj padrejtësive, duke i vënë synim vetes që të vë sa më shumë në pah këto çështje përmes artit.

Kështu veproi edhe ditën e djeshme, Xhafa- Mripa ku përvec fjalimit ajo foli edhe përmes dokumentarit “Mendoj për ty”. Përmes kësaj vepre, Xhafa-Mripa ngriti vëmendjen për drejtësi, luftën ndaj stigmatizimit të viktimave si dhe bëri thirrje që krimet e luftës të trajtohen më me seriozitet dhe urgjencë.

Të pranishëm në këtë prezantim në Parlamentin Britanik ishin deputet, shoqëri civile, aktivist të ndryshëm të çështjes së gruas, miq të Kosovës si dhe Liridona Hertica, si përfaqësuese nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër.

Alketa Xhafa Mripa ka thënë për KultPlus se dëshmia e fuqishme e Vasfije Krasniqi – Goodman dje para deputetëve në Kuvendin e Kosovës bëri që historia të përsëritet e përsëritet. Por, gjithashtu ajo shprehet e lumtur për gratë prezentë dje në Parlamentin britanik.

“Ishte një kënaqësi të shihje Julie Ward një poete dhe politikane e cila ishte e motivuar të dilte për zgjedhjet në Parlamentin Evropian për shkak të mashtrimit të dhunës ndaj grave dhe vajzave në nivel global. Ajo bëri fushatën me One Billion Rising dhe u bashkua me Komitetin për të Drejtat e Grave dhe Barazinë Gjinore dhe delegacionin për marrëdhëniet me Kosovën. Gjithashtu takim personal me Margaret Oëen, një avokat për të drejtat e njeriut. Ajo themeloi organizatat e para ndërkombëtare që adresojnë çështjet e të drejtave të njeriut, dhe tani është drejtoresha e WPD, Widows for Peace via Democracy”.

Por, pas përfundimit të kësaj ngjarje, instalacioni “Mendoj për ty” e inspiroi Julie Ward për të shkruar një analizë të thuktë. Në këtë analizë, Ward e vlerëson artisten kosovare si shumë të kujdesshme në punën e saj dhe pohon që dhuna seksuale në konflikt vazhdon, por falë punës së Alketës është thyer heshtja.

KultPlus ju sjell analizën e plotë të Julie Ward për instalacionin “Mendoj për ty” të artistes Alketa Xhafa Mripa:

“Këto akte të papërshkrueshme të dhunës janë kryer në kohë lufte, në formë përdhunimi seksual të viktimave para anëtarëve të familjes, duke përfshirë burrat dhe fëmijët.

Fatkeqësisht dhuna seksuale është pjesë e vazhdimit të dhunës në baza gjinore nga burrat, dhe fatkeqësisht nuk ka asnjë shenjë që kjo të ndalohet.

Gjatë luftës në ish-Jugosllavi ishin rreth 50.000 gra dhe vajza që u dhunuan nga policia serbe. Dekada më vonë, ky komunitet po lufton me stigmën e turpit ndërsa dhunuesit janë ende të pa dënuar nga drejtësia.

Artistja kosovare Alketa Xhafa-Mripa u shqetësua pasi që e pa një intervistë televizive me një të mbijetuar anonime. Dhe ajo vendosi që në vitin 2015 ta krijojë një instalacion arti si mjet ndërgjegjësimi dhe solidariteti me viktimat.

“Thinking about you”, përfshinë bashkimin e rreth 5.000 fustaneve të shtrirë në fushën e stadiumit të futbollit në Prishtinë. Këto veshje u dhanë nga gra dhe vajza kosovare, si dhe nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga dhe ylli i popit Rita Ora.

Pesë vjet më vonë, unë dhe Alketa me grupin e komunitetit të rinisë shqiptare kundër dhunës me qendër në Londër, shikuam dokumentarin e Fitim Shalës. Ne jemi një grup në kuadër të së cilit kemi artistë, politikanë, akademikë, avokatë, gazetarë, aktivistë të komunitetit, një ish-oficer policie dhe anëtarë të diasporës kosovare.

I njoh disa gra në këtë film, i kam takuar gjatë vizitave të mia në Kosovë si anëtare e Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Kosovën. Ato veshje janë zgjedhur me shumë kujdes, dhe janë veshje që kanë një histori për pronarët e tyre, si fjala vjen, ato janë veshur për ndonjë ditëlindje apo ndonjë ditë tjetër të veçantë. Këto veshje u bënë trupat e grave, të lakuara, të shtruara në tavolina mes lotësh mirënjohjeje.

Në këtë vepër arti, artistja është shumë e kujdesshme. Procesi i këtyre veshjeve që filloi 5 vjet më parë kishte qëllim shërimin kolektiv përmes angazhimit publik me objekte simbolike.

Viktimat e përdhunimit të luftës së fundit në Kosovë tashmë flasin edhe përtej kufijve të vendit të tyre. Dhuna seksuale në konflikt vazhdon, por falë punës së Alketës është thyer heshtja.” / KultPlus.com

Vasfije Krasniqi shpërthen në lot: Duhet me ju ardh turp gjithë shoqërisë kosovare

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë Vasfije Krasniqi-Goodman, është përlotur në fjalimin që po mban para Parlamentin e Kosovës. Krasniqi shpërtheu në lot teksa po fliste se shumë gra të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, përballen me mospërkrahje familjare, e ofendime.

Ajo gjithashtu tha që duhet pasur kujdes së si flitet edhe në foltoren e Kuvendit sepse shpesh këto gra janë ofenduar nga aty.

“Por ndjehem shumë keq kur e di që familjarë nuk i mbrojnë e nuk i përkrahin, ju thonë fjalë që unë këtu nuk mund t’i përmendi ato fjalë se me çka ballafaqohen ato. Edhe pse prej kësaj foltore kanë dalë fjalë që na kanë lënduar neve viktimave shumë”, tha Krasniqi teksa shpërtheu në lot.

Shoqëria jonë na stigmatizon, na bënë të ndihemi vajza jo të mira, motra jo të mira, gra e nana jo të mira. Po ku ishit ju para 21 viteve, a ishit nëpër tavana ku ju dhunua gruaja në dhomë. Ku e morët guximin që me e lanë atë grua me fëmijë, me braktisë. Ku ishin ata djem që e lanë nanën. Ku ishit ju ku u dhunua vajza 7 vjeçare. E tash çka po bëni për me na lehtësu jetën. Duhet me i ardh turp gjithë shoqërisë kosovare. Na po duam veç drejtësi, mbrojtje e mbështetje sepse ajo që na ka ndodhë neve ka qenë krim i luftës e ju nuk ishit aty për të na mbrojtur”, tha ndër të tjera Vasfija në seancën e sotme.

Krejt për fund ajo kërkoi nga Qeveria e Kosovës që rastet e luftës të merren me seriozitet, duke premtuar që do të luftoj që gratë të tjera të gjejnë drejtësi në këtë rrugëtim. / KultPlus.com

Vasfije Krasniqi-Goodman dërgon dhimbjen e grave të dhunuara në Cosmpolitan Club

E mbijetuara e dhunës seksuale Vasfije Krasniqi-Goodman do të marrë pjesë në një debat në Nju-Jork për dhunën seksuale.

Konsullja kosovare në Nju-Jork Teuta Sahatqija, ka bërë të ditur se do të organizohet një debat me theks të veçantë te dhuna seksuale në vendet në konflikt, shkruan KultPlus.

Mesazhi kryesor i këtij takimi është që dhuna seksuale në zonat e konfliktit të mos mbetet nën hije në sigurinë ndërkombëtare.

Dhuna seksuale në vendet konfliktuoze kërkon vëmendjen e të gjithë politikbërësve globalë, andaj përmes këtij organizimi mëtohet bashkimi me Komitetin Kombëtar dhe Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork për t’i dëgjuar të mbijetuarat e kësaj dhune dhe për t’i mbështetur ato.

Përveç Vasfije Krasniqi-Goodmanit dhe Teuta Sahatqiut, në panel do të jenë edhe Pramila Patten përfaqësuese speciale e Kombeve të Bashkuara për luftimin e dhunës seksuale dhe moderatorja Susan Elliott.

Ngjarja do të mbahet të martën me datën 28 janar, në Cosmopolitan Club të Nju-Jorkut. /KultPlus.com

Vasfije Krasniqi: Meshkujt e Kosovës që nuk mujtën me na mbrojtë tash duhet me na përkrah

Të martën e javës që vjen në New York do t’i kujtohen Serbisë, krimet e bëra në Kosovë, Bosnje e Kroaci. Para konsullatës serbe, komuniteti shqiptaro-amerikane, boshnjako-amerikane dhe ato kroate do të kërkojnë drejtësi për 70 mijë viktimat e dhunës seksuale, duke i bërë thirrje Serbisë për të identifikuar kryerësit e krimeve të tmerrshme.

Lidhur me këtë sot u diskutua në emisionin Bon Bon në RTV21. E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Goodman tha se pas kësaj proteste pret që fut UN në listë raportin e Kosovës në listën e tyre. “Me kërku drejtësi internacionale UN me i bo presion Serbisë me pranu fajin, me pranu atë krimin që e kanë bo edhe drejtësia shkon në vend.”, tha Krasniqi Goodman.

Ajo po ashtu bëri thirrje që tema e dhunimeve të mos mbetet tabu por femrat e dhunuara të përkrahen. “Për meshkujt e Kosovës që nuk mujtën me na mbrojtë neve, ata bile sëpaku tash duhet me na përkrahë se na ishim ato femrat, ato nanat edhe ato motrat, vajzat që i larguam meshkujt prej shpije për mos me i ndodh diçka prej serbit, kurse na u ballafaquam, fyt për fyt luftuam me shkaun”, tha ndër tjerash Goodman. Ndryshe, masakrat e gjenocidi i kryer nga regjimi serb në Kosovë, Bosnjë e Kroaci, njihet si nga më e madhja pas luftës së dytë botërore.

Pavarësisht kësaj, shumica e kryerësve e madje edhe urdhërdhënësve, nuk janë ndëshkuar për këtë krim./21Media/ KultPlus.com

Vasfije Krasniqi vlerësohet me “Urdhrin e Artë të Misionarit të Paqes Shenjtorja Nënë Tereza”

Misioni Diplomatik për Paqe e Zhvillim, me qendër në Tiranë, në bashkëpunim me partnerët e vet ndërkombëtarë si: American Diplomatic Mission for World Peace (ADMWP), Academy of Universal Global Peace (AUGP), United Nations University for Global Peace (UNUGP), Diplomatic Society Saint Gabriel (DSSG), në shenjë respekti për Misionaren e Paqes Vasfije Krasniqi-Goodman, e nderuar nga Kongresi Amerikan dhe Parlamenti Europian si e mbijetuar dhe dëshmitare historike e dhunës serbe ndaj grave dhe vajzave të Kosovës gjatë luftës 1998-99, organizoi ceremoninë e vlerësimit të këtij personaliteti të lartë, aktiviste e mbrojtjes të të Drejtave të Njeriut, me Medaljen e Artë “Order of Peace Missionary Saint Mother Teresa” (Urdhri i Misionarit të Paqes Shenjtorja Nënë Tereza), si dhe me diplomat përkatëse.

Ky titull erdhi si propozim i bashkëpunëtores dhe drejtueses së Grave Misionare të Paqes të DMPP për Ballkanin, njëkohësisht Drejtoreshë e Aleancës Kosovare të Bizneseve, Lumnije Ajdini.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtues të lartë dhe personalitete të artit, kulturës, politikës, shoqërisë civile.

Ishin të pranishëm dhe aktorja e njohur shqiptare, Tinka Kurti, gazetarja e njohur Zenepe Luka, artistë të njohur të skenës, poetë, shkrimtarë, biznesmenë si dhe aktivistë të dalluar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, si ambientalistja Ina Kasimati, etj.

Shefki Hysa, Guvernator i Misionit Diplomatik Paqe e Zhvillim, theksoi ndër të tjera: “Rruga e Paqes sot është nga më të vështirat, gati e pamundur herë-herë, rrugë sakrificash sublime gjer në flijim e vetëflijim në mbrojtje të komuniteteve paqedashëse, paqebërëse e paqembrojtëse. Pikërisht si rruga e mbijetesës së misionares së paqes Vasfije Krasniqi, tanimë legjendë e gjallë e martirizimit dhe simbol i gruas me kurajo, qytetare që theu çdo tabu dhe denoncoi me forcë dhunën serbe ndaj grave e vajzave gjatë luftës së viteve 1998-99, grua që solli lirinë e pavarësinë e Kosovës”.

Agim Shahini, kryetar i Agjencisë Kosovare të Biznesit, tha se sot ne vlerësojmë Vasfije Krasniqi-Goodman për guximin e saj heroik, me titullin Ambasadore Nderi e Misionit Diplomatik Paqe dhe Zhvillim dhe me Medaljen e Artë “Urdhri i Misionarit të Paqes Shenjtorja Nënë Tereza”, duke besuar se si pjesë e armatës së madhe të misionarëve dhe luftëtarëve të Paqes që sakrifikojnë kudo në Glob për mbrojtjen e vlerave hyjnore të njerëzimit, ajo do ta shumëfishojë kurajën për të denoncuar çdo akt dhune, veçanërisht ndaj grave dhe vajzave. Vasfije Krasniqi sot e tutje është mes një ushtrie të madhe aktivistësh të shquar të Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe si e tillë do të jetë simbol hyjnor jo vetëm për Kosovën, por për gjithë komunitetet paqedashëse kudo në Botë. Ajo tashmë është një luftëtare e vërtetë në shërbim të Paqes Sociale Globale. / KultPlus.com

Heroinat e shtetit tonë, ato që heshtjes i dhanë zë

Xhemile Hysenaj

Në Kosovë, janë të raportuara mbi 20.000 viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, konsiderohet që kjo shifër do të duhej të ishte edhe më e madhe, por, për arsye të ndryshme që në fakt janë të dhimbshme dhe kërkojnë guximin e botës, ato deri tash kanë mbetur në sirtarin e secilit që ka vendosur të hesht, shkruan KultPlus.

Gra të martuara, vajza të reja e fëmijë, kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Disa prej tyre nuk janë martuar kurrë, disa kanë vuajtur edhe më shumë në familjet e tyre si pasojë e mendësisë patriarkate e disa edhe kanë bërë vetëvrajse, nga presioni i madh psikik, nga pamundësia për tu mjekuar, e shpesh edhe nga presioni shoqërorë.

Disa të dhunuara në sy të familjes, disa të dhunuara për ditë e netë të tëra, ku tash e 20-të vite, rastet e tilla, vazhdojnë të përndjekin secilin prej nesh.
Populli ynë thotë : Të këqijat, nuk i mban as dheu. E të këqijat e disa prej viktimave të vendit tonë , kanë dalur në pah vitet e fundit, falë heroinave tona që duke i bërë ballë vështirësive, me rrëfimet e tyre i kanë kthyer sytë e botës drejt nesh.

Vasfije Krasniqi, Marte Tunaj e së fundi edhe Shyhrete Sylejmani, janë gratë që heshtjen nuk e panë si rrugëdalje. Duke ngritur zërin e tyre, ato u bënë shembull e ngushëllim për të gjithë, sidomos për viktimat tjera të dhunës seksuale.

Këto tre gra i bashkon historia e përbashkët, e më shumë se kaq, i bashkon forca për të mos heshtur. Ato janë zëri i 20.000 grave të dhunuara, janë zëri i gjakut që është derdhur dhe zëri i atyre që kurrë nuk do të mund të flasin për ngjarjen e tyre.

Gratë e dhunuara i kanë shtatë kërkesa: të dënohen kriminelëtdhunuesit, të përfshihen në kategorinë e vlerave të luftës, të kenë trajtim të veçantë mjekësor, si dhe të kenë përparësi në punësim, por pa i stigmatizuar si gra të dhunuara, por si invalide të luftës!

Ato thjeshtë dëshirojnë një jetë normale, një jetë që nga rrethana e faktor të ndryshëm, u është privuar tash e sa vite. / KultPlus.com

Vasfije Krasniqi për Shyhrete Tahirin: Trimëresha ime!


Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuara e dhunës seksuale – gruaja e parë që doli publikisht për të dënuar mizoritë e Serbisë i ka dalë në krahë Shyhrete Tahiri- Sylejmanit, e cila njësoj sikurse ajo kërkoi drejtësi për krimin që i është bërë gjatë luftës në Kosovë.

Shkrimi i plotë i Vasfijes

“Drejtësi Për Të Gjithë
E dashur Shyhrete do ta kesh prekrahjen time dhe familjes time deri ne fund! Trimresha ime”

Shyhrete Tahiri –Sylejmani, viktima e dhunës seksuale gjatë luftës sot publikisht të dorëzoi kallëzim penal në Prokurorin Speciale të Kosovës për të kërkuar drejtësi për atë që i ka ndodhur.

Tahiri- Sylejmani është gruaja e dytë që del publikisht para botës për të dëshmuar për mizoritë e Serbisë, të cilat ndodhën gjatë luftës së fundit në Kosovë duke kërkuar që dhunuesit të dënohen.

Ajo sot bëri me dije që nuk është lehtë të ndahet dhimbja e shpirtit, por ka dal të kërkojë drejtësinë që i takon asaj dhe mijëra të tjerëve që patën fatin e saj. /KultPlus.com

Vasfije Krasniqi pjesë e dokumentarit suedez (VIDEO)

Vasfije Krasniqi Goodman është bërë pjesë e një dokumentari suedez ku ka rrëfyer ngjarjen e saj si viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, shkruan KultPlus.

Në faqen zyrtare të dokumentarit është dhënë edhe një njoftim se çfarë përmban ky dokumentar.

“Vasfija nga Kosova flet për mënyrën sesi ajo ju nënshtrua abuzimit seksual gjatë luftës në fund të viteve 1990. Kolbassia från Chad ju nënshtrua abuzimit seksual si fëmijë nga ata që do ta mbronin atë. Jill Trenholm, Angela Muvumba Sellström och Maria Eriksson Baaz flasin për kërkimet e tyre, autorët e krimit dhe se si të parandalojnë dhunën seksuale në konflikt. Ne gjithashtu dëgjojmë dëshmitë e të mbijetuarve nga pjesë të ndryshme të botës të lexuara nga Petra Marklund, Yandeh Sallah dhe Arantxa Alvarez. Programi është pjesë e Muzikës Ndihmuese 2019”, thuhet në njoftim.

Krasniqi-Goodman është e para grua e mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës së vitit 1999 e cila foli publikisht për përjetimet gjatë torturës seksuale gjatë luftës. Ajo jeton në Teksas të SHBA-ve, është e martuar dhe është nënë e dy fëmijëve. Tashmë 36 vjeçarja, Krasniqi-Goodman ishte vetëm 16 vjeçare kur u dhunua nga policët serbë. /KultPlus.com

Ministri Gashi ndanë mirënjohje për Vasfije Krasniqi Goodman

Vasfije Krasniqi-Goodman është gruaja e parë nga të dhunuarat gjatë luftës së fundit në Kosovë që ka dalë publikisht në televizion për të rrëfyer torturat që ka përjetuar gjatë luftës, shkruan KultPlus.

Guximi i saj për të marrë këtë hapë është vlerësuar jashtëzakonisht shumë.

Ndërsa nesër Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, do të ndajë mirënjohje për Vasfije Krasniqi Goodman, në kompleksin e Lidhjes së Prizrenit në Prizren në ora 20:00.

 Vasfije Krasniqi-Goodman kishte qenë vetëm 16-vjeçare në kohën kur i ishte nënshtruar torturave dhe dhunimit seksual, tanimë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nënë e dy fëmijëve. / KultPlus.com

Zëri i grave të dhunuara do jehojë edhe në Suedi, Vasfija do t’i drejtohet parlamentit suedez

Zëri i Vasfije Krasniqi-Goodman dhe 20 000 viktimave të tjera do të dëgjohet edhe në parlamentin suedez, përcjellë  KultPlus  

Me moton ’’ Be my voice’’ apo ’’Bëhu zëri im’’, ’’ Kosovos tystade kvinnor vill höras’’, ’’ Gratë e heshtura të Kosovës duan të dëgjohen’’, Lidhja Shqiptare-Suedeze (SAN) në bashkëpunim me Humanisterna, Femrat shqiptare ne Suedi ’’ SAB’’ dhe GAPF në shtator do të mbajnë leksione të hapura në Malmö dhe Stockholm me temën , ’’Gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë situata e tyre dhe vështirësitë me të cilat ato përballen sot’’, njofton Nobel Press.

E veçanta e këtij organizimi është se Vasfije Krasniqi-Godmnan, gjatë qëndrimit  të saj në Stockholm, do t’i drejtohet edhe parlamentit suedez. Për dhunën seksuale të ushtruar ndaj , Krasniqit-Goodman dhe 20 000 viktimave të tjera gjatë luftës në Kosovë do të njoftohet edhe ky vend skandinav.

Kujtojm se, Vasfije Krasniqi Goodman, është gruaja e parë e cila foli publikisht për  dhunën seksuale që është ushtruar ndaj saj nga policia serbe, gjatë luftës në Kosovë. Për të bëmat ndaj, Vasfijes dhe 20.000 viktimave të tjera nga policia dhe paramilitarët serb, një kanal suedez, do të bëjë edhe një dokumentar, përcjell Nobel Press .

Ky projekt do të përkrahet edhe nga Ambasada e Kosovës në Stockholm

SAN, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se edhe Ambasadorja e Kosovës në Stockholm, Shkendije Geci-Rushiti, do jetë si bashkëorganizatore e këtij projekti.

Përveç Vasfijes, në këtë organizim nga Kosova, do të marrin pjesë edhe Saranda Bogujevci, Lirije Kajtazi, Kadire Tahiraj si dhe Feride Rushiti./nobelpress/ KultPlus.com

Vasfije Krasniqi kërkon donacione për fondacionin e nobelistit Denis Mukwege

Aktivistja për të drejtat e njeriut dhe gruaja e guximshme që tregoi për dhunimin e saj gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, po shfrytëzon mënyra të tjera për të ndihmuar grupet e prekura nga e njëjta problematikë.

Për ditëlindjen e saj këtë vit, me anë të rrjetit social Facebook, Vasfija po mbledhë para dhe donacione për Mukwege Foundation, themeluar nga fituesi i çmimit Nobel për Paqe – Denis Mukwege.

“Fondacioni Mukwege më ka ndihmuar të flas për tregimin tim para botës. Jo vetëm publiku e dëgjon këtë tregim por edhe të shpëtuarat dhe ato që kaluan në trauma të tilla e shohin se kanë mbështetje dhe mund të gjejnë solidaritet mes njerëzve” ka shkruar Vasfija në rrjete sociale.

Ajo po provon të sjellë 500 dollarë për këtë fondacion brenda dy javëve.

Fondacioni Mukwege provon të luftojë dhunën seksuale gjatë luftërave në mbarë botën, duke angazhuar edhe politikanët në një proces për t’i dhënë fund kësaj dukurie.

Rrjetet sociale kanë dalë të jenë shumë efektive në mbledhjen e donacioneve për kauza të ndryshme.

Vasfije Krasniqi Goodman po vazhdon të jetë aktive në luftën për të drejtat e njeriut e sidomos në kauzën e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, duke qenë një prej tyre dhe duke e ndarë me popullin tregimin e saj të guximshëm e po aq edhe të dhimbshëm. / KultPlus.com

Vasfije Krasniqi: Të përdhunuarat po kanë frikë nga familja e gjerë për t’u shprehur publikisht

Vasfije Krasniqi-Goodman dhjetë muaj pas daljes publike me historinë e saj të përdhunimit seksual gjatë luftës, është rikthyer në televizion për të treguar gjendjen e saj pas atij rrëfimi.

Ajo, në emisionin “PasDite” me Donika Hysenin në RTV Dukagjini, thotë se pasi kishte gjetur përkrahje nga familja e saj e ngushtë kishte vendosur që historinë e saj ta bëj publike edhe në televizion.

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës thotë se shtysa kryesore për këtë dalje të saj publike ka qenë  vajza e saj 16 vjeçare.

Vasfija thotë se shumë gra dhe vajza që kanë qenë viktimë e dhunës seksuale nuk kanë përkrahje nga familjarët.

“Një rast më thirri në telefon dhe më tha çfarë të veprojë kur vëllai që kam në shtëpi nuk e di që unë dhe motra kemi qenë pjesë e grupit të vajzave dhe grave, por ai kur sheh në televizion rastet e përdhunimit fajëson viktimat”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Vasfije Krasniqi – Goodman ka thënë se njeh edhe femra të tjera që janë përdhunuar dhe kanë mbështetjen e burrit dhe familjes së ngushtë, por kanë frikë nga paragjykimi i rrethit më të gjerë familjar.

Vasfija thotë se OJQ-të kanë bërë mjaft për viktimat e dhunës seksuale, por jo edhe shteti, për të cilin thotë se ka mundur të bëjë më shumë dhe ka mundësi të bëjë më shumë për këtë kategori shoqërore.

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës thotë se qetësi shpirtërore do të ketë në momentin kur drejtësia të vihen në vend.

Vasfija thotë se jeta e saj sot është shumë me angazhime pas daljes së saj në publik me historinë e saj të përdhunimit.

Ajo thotë se para se të publikohet historia e saj në televizion, është marrë me vajzën dhe familjen e saj në SHBA.

“Unë për vete kam pasur liri në familje dhe një jetë të mirë familjare, por kam dashur të sensibilizoj shoqërinë edhe për rastet tjera”.

Vasfija thotë se edhe mbështetja publike ndaj kësaj kategorie shoqërore që sot kanë dhënë liderët fetarë është e mirëseardhur dhe një mesazh shumë i mirë edhe për botën, por sipas saj tema e dhunimeve para se gjithash duhet të hapet brenda familjeve.

E mbijetuara e dhunës seksuale në luftën e Kosovës ka thënë se femrat e dhunuara kanë nevojë më së shumti për mbështetjen dhe përkrahjen e familjeve të tyre./Telegrafi/KultPlus.com

Delegacioni i Kosovës dëshmon në Parlamentin Italian për dhunën seksuale gjatë luftës

Një delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga në përbërje të cilit ishin deputetët Mexhide Mjaku-Topalli, znj.Saranda Bugujevci si dhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Znj Vasfije Krasniqi-Goodman, të mërkurën me 26 qershor dëshmoi për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës në dy dhomat e Parlamentit Italian, transmeton KultPlus.

Takimi i parë i delegacionit u zhvillua në Senatin e Republikës, me kryetaren e Komisionit Parlamentar të Hetimeve mbi Feminicidin (vrasje e grave) si dhe mbi të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, senatore Valeria Valente, Ndërsa gjatë pasdites delegacioni u prit nga Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Deputetëve, ku përvec kryetares Marta Grande merrnin pjesë edhe disa anëtarë të këtij Komisioni. Ish-presidentja Jahjaga në fjalën e saj, pasi prezantoi shumë fakte rreth krimeve të luftës të kryer nga forcat serbe në Kosovë, në të dy takimet foli në emër të grave të dhunura gjatë luftës, dhe kërkoi nga Parlamenti Italian të ndihmojnë Kosovën në betejën ndërkombëtare për drejtësi të këtyre grave. Ajo kërkoi që të ushtrohet presion mbi Serbinë e cila vazhdon të mohojë krimet e luftës dhe strehon kriminelët. Zonja Jahjaga kërkoi miratimin e një Rezolute nga Parlamenti Italian ku të njihen dhe dënohen krimet e dhunet seksuale që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës, dhe të ushtrohet presion mbi Serbinë rreth kësaj cështjeje. Ajo shpjegoi edhe betejën me shoqërinë Kosovare e cila deri vonë këtë temë e ka konsideruar si tabu.
Më pas në të dy takimet, foli e mbijetuara e dhunës seksuale znj. Vasfije Krasniqi Goodman, e cila me emocione të shumta shpjegoi historinë e saj. Ajo shpjegoi edhe betejat me drejtësinë ndërkombëtare në Kosovë, fillimisht me UNMIK-un i cili e kishte humbur dëshminë e saj dhe më pas me EULEX-in. Ajo tha se dy dhunuesit e saj ende nuk janë dënuar nga Gjykata, edhe pse ajo i ka denoncuar dhe se do të vazhdonte të luftonte për drejtësi. Zonja Krasniqi-Goodman kërkoi që serbët të dënohen për krimet që kanë bërë, po kështu shteti Serbi të kërkojë falje për ato krime.
Ndërsa kryetarja e Grupit të Grave Deputete znj. Mexhide Topalli Mjaku tha se në Kosovë nuk kanë ndodhur krime vetëm në vitet 1998 – 1999 por edhe më përpara duke rikujtuar represionin dhe shkeljen masive të të drejtave të njeriut nga pushteti serb për dekada me radhë. Ajo i ftoi deputetët italianë të vizitojnë Kosovën dhe për të pare realitetin nga afër.
Deputetja tjetër e Kuvendit të Kosovës Saranda Bogujevci rrëfeu historinë e vrasjes së familjes së saj dhe betejën për drejtësi që ka zhvilluar me ndihmën e shtetit britanik. Ajo kërkoi që shteti italian që është prezent në Kosovë të ndokojë që kriminelët e luftës të sillen përpara drejtësisë si dhe të ndihmojë në rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale.


Në Komisionin për Punë të Jashtme pasi edhe diskutime nga deputetët prezentë mes të cilave deputetja Laura Boldrini, ish-kryetare e parlamentit, e cila foli sesi ajo vetë kishte takuar me dhjetëra gra pas luftës në Kosovë që ishin dhunuar në mënyrë të vazhdueshme nga paramilitarët e Arkanit, dhe se do të angazhohej në zbardhjen e së vërtetës për këto krime monstruoze, dhe se është e vërtetë se nuk ëhstë bërë asgjë për këto krime.
Deputetë të tjerë që morën fjalën u shprehën se ishin të prekur nga dëshmitë e rënda që dëgjuan nga dy të mbijetuarat e luftës dhe i inkurajuan ato për guximin e treguar.
Edhe Ambasadorja Lama bëri një pasqyrë të shkurtër përpara këtij komisioni në lidhje me iniciativën e hapjes së gjykatës për krime luftë në Kosovë menjëherë pas luftës, por që nuk u themelua nga ndërkombëtarët me arsyetimin se do të ndikonte negativisht në armiqësimin e mëtejshëm të shqiptarëve dhe serbëve dhe vecanërisht me nënvlerësimin e krimeve të dhunës seksuale nga misionet ndërkombëtare. Ajo kërkoi që tani që ekziston një atmosferë tjetër edhe në nivelin ndërkombëtar rreth dhunës seksuale të përdorur si taktikë lufte, Italia të angazhohet në kushtëzimin e Serbisë në procesin e integrimit europian, në mënyrë që të njohë këto krime dhe të bashkëpunojë për të sjellë kriminelët përpara drejtësisë.

Këto aktivitete u realizuan nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali, në kuadër të internacionalizmit të njohjes së dhunimeve seksuale në Kosovë si mjet lufte, të nënshtrimit dhe poshtërimit të popullit të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit./KultPlus.com

Vasfije Krasniqi-Goodman nesër dëshmon para Senatit dhe Kongresit italian

Aktivistja dhe e mbijetuara e dhunës seksuale në luftën e Kosovës, Vasfije Krasniqi-Goodman, me inicimin e Ambasadorës së Kosovës në Romë, Alma Lama, Krasniqi- Goodman pritet të dëshmojë para Kongresit dhe Senatit italian për dhunimet që kanë ndodhur në Kosovë, transmeton KultPlus

Me datë 26 qershor, Vasfije Krasniqi- Goodman do të pritet nga përfaqësues të Senatit dhe Kongresit të Italisë, ku do të dëshmojë para dy komisioneve për dhunimet që kanë ndodhur në luftën e fundit në Kosovë.

Në dëshminë e saj para këtyre komisioneve, nesër do të janë prezent edhe ish Presidentja Atifete Jahjaga dhe dy deputete të Kuvendit të Kosovës.

Vlen të përmendet se, tashmë znj.Vasfije Goodman nuk përfaqëson vetëm 20 mijë viktimat e dhunës seksuale në Kosovë, por me kurajon e saj, po ndihmon në kauzën ndërkombëtare për të ndaluar përdorimin e dhunës seksuale si mjet lufte./ KultPlus.com

Rifat Jashari takon Vasfije Krasniqin Goodman, Vasfija shpërthen në lot (FOTO)

Baca Rifat (Rifat Jashari), sot vizitoi ekspozitën e QKRMT-së “Bëhu fytyra ime” të realizuar nga autorja Eliza Hoxha e cila po qendron e hapur në Muzeun e Kosovës në kujtim dhe nderim të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, transmeton KultPlus.

Ai takoi Vasfie Krasniqi – Goodman të cilës ju falenderua për guximin e saj për rrëfimin publik të ngjarjes traumatike dhe kurajon që u ka dhënë të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë për të vazhduar kërkimin e drejtësisë për krimet e kryera ndaj tyre.

Ndërsa Vasfije Krasniqi – Goodman shpërthen në lot pasi sheh ekspozitën dhe mbishkrimet në to. Kjo pamje flet më shumë se çdo fjalë.

Fotografitë: Adi Beqiri/KultPlus.com

Vasfije Krasniqi Goodman nderohet me çmimin Kim Bok-Dong Peace Prize

Në ditën ndërkombëtare të eliminimit të dhunës seksuale, zonja Vasfije Krasniqi Goodman është nderuar me çmimin prestigjos Kim Bok-Dong Peace Prize, shkruan KultPlus.

Çmimi Kim Bok-Dong Peace Prize, ndahet cdo vit dhe u jepet aktivistëve që luftojnë për të drejta të njeriut dhe të drejta të viktimave të luftës dhe viktimave seksuale.

Në fjalën e saj të pranimit zonja Vasfije ka shprehur falënderimet e saj për çmimin e marrë.

“Ky moment është më i madh se unë. Ky moment është për të gjitha të të mbijetuarit e dhunës seksuale në luftën e Kosovës si dhe të mbijetuarit në të gjithë botën. Ky cmim do të më motivojë dhe të më shtyjë tën punojë edhe më shumënë luftën kundër dhunës seksuale, t’i thyej stigmat dhe të kërkoj drejtësi me sa zë që të kem” ka thënë zonja Vasfije Krasniqi Goodman./KultPlus/

Eliza Hoxha me ekspozitën “Bëhu fytyra ime” edhe në Muzeun e Kosovës

Fotografia: Arben Llapashtica

“Bëhu fytyra ime” e autores Eliza Hoxha që hapi edicionin e fundit të FemArt do të prezantohet edhe njëherë, por tashti në Muzeun e Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të hapet më 19 qershor në ora 19:00 dhe do të rri e hapur deri më 30 qershor.

“Qëllimi i kësaj ngjarjeje është ngritja e vetëdijes për gjendjen e të mbijetuarve në Kosovë si dhe trajtimi i stigmës që rrethon dhunën seksuale gjatë luftës. Ekspozita do të paraqes korniza të zbrazëta xhami me rrëfime / kuotime të të mbijetuarve të dhunës seksuale, ku vizitorët ftohen për t’i përfytyruar këto tregime sikur e njëjta gjë të ndodhte me ta. /KultPlus.com

Vasfije Krasniqi-Goodman pjesë e shfaqjes “Bishat në hënë”

Vlora Nikçi flet për shfaqjen “Bishat në hënë”

Me 27 qershor në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, do të jepet premiera e shfaqjes “Bishat në hënë” një shfaqje kjo e cila trajton njërën prej pjesëve më të ndjeshme të historisë së Kosovës, atë të dhunës seksuale dhe jo vetëm.

Vlora Nikçi tha se “kjo shfaqje, ky tekst të cilin fillimisht ma ka ofruar Armend Baloku bashkëshorti im i cili është edhe aktor në shfaqje dhe më ka thënë vetëm lexoje dhe a është ajo çka ti po dëshiron. E kam lexuar tekstin, jam mahnitë qysh një autor i cili është amerikan Richard Kalinowski ka ditë kaq bukur me shkru për dhimbjen tonë e popullit tonë, por në fakt ai ka shkruar për dhimbjen e popullit të vet sepse ai është armen dhe ka shkruar për gjenocidin e armenëve të shkaktuar nga Turqit në vitin 1920, dhe aq bukur ka shkruar për dhimbjen e tyre sa që i shkon krejt për shtati dhimbjes së popullit tim”.

Ajo ka treguar se idenë e ka mbështetur Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, teksa ka thënë se teatri ka nevoj për një shfaqje të tillë. Që gjithçka të duket sa më reale dhe të prezantohet në mënyrën më të mirë të mundshme artistike dhe faktike kanë vendosur që kostumet ose veshjet në shfaqje të mos jenë të punuara ashtu siç ndodh në shfaqjet tjera, por të jenë pikërisht veshje të cilat janë dëshmi të luftës së fundit në Kosovë.

“Është interesante, është e ndjeshme, është besa edhe e dhimbshme, e guximshme. Ideja ime ka qenë që të futim copa lufte brenda nesh. Unë e kam një dajë të vrarë në luftë dhe gjyshja ime i ka rrobat e tij të cilat shpesh i shpalos edhe bash në kohën kur ka ra ai gjyshja në atë kohë atë ditë vere i shpalos dhe i vajton ato tesha dhe çmallet me to. Edhe e kam pyet gjyshen, çka nëse këto rroba unë i marrë dhe krijoj diçka me to dhe ajo më ka thënë ‘merri dhe vetëm nëse del rrugës dhe bërtet me të madhe çka i ka ndodh birit tim, kisha pas qef ishte ndie e lumtur se unë dua që bota ta dijë çka i ka ndodh birit tim nuk dua që dhimbja ime me u mbyll në këtë kufer me këto rroba’ edhe ku ajo tha ashtu mu duk sikur krejt njerëzit në Kosovë kanë nevojë dhimbjen e tyre me tregu nëpër botë”, ka thënë Vlora Nikçi.

Ajo ka treguar se në shfaqje e mbanë të veshur një fustan me të cilin një vajzë në Pejë ka përjetuar dhunim nga forcat serbe.

“Kam një kastë të aktorëve shumë të mirë, unë i kam bërë bashkë, e kam marrë atë guximin me i bë bashkë disa aktorë të cilën janë vërtetë fantastik, unë luaj rolin e Setës, Armend Baloku rolin e Aramit burrit të Setës, Florist Bajgora luan rolin e Vinçentit dhe është Armond Morina i cili luan Zotrin, krejt tregimi fillon prej tij. Armondin e kemi edhe regjisor të shfaqjes bashkë me Butrint Pashën. Kemi kostumografe, Valdete Mustafën dhe skenografen Alketa Xhafa”, ka treguar Vlora Nikçi.

“E veçantë e kësaj shfaqje është edhe pjesmarrja e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman. “Vasfije ia kam treguar idenë e shfaqjes dhe vërtetë e ka pa shumë të natyrshme që të jetë pjesë me ne dhe e falënderoj shumë guximin e saj me u fut në mesin artistëve, aktorëve sepse për neve tek e fundit është profesion ajo punë”, u shpreh Nikçi.




Vasfije Krasniqi Goodman: Ju lutem na lejoni të jetojmë në liri sikur ju

Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka uruar 20 vjetorin e çlirimit të vendit, liri që i kushtoi shumë Kosovës.

“Urime 20 vite Liri. Liri kjo që na kushtoi shumë por që ndjehemi krenar që u arrit”.

Krasniqi Goodman tutje në rrjetin social facebook shkroi se një pjesë e madhe e shoqërisë vazhdon të jetojë në ankth.

“Një pjesë e madhe vazhdon të jetojë në ankthin dhe tmerrin e robërisë familjare dhe shoqërisë. Pse duhet të jetojmë një jetë të tillë?”.

Ajo me këtë rast pati edhe një kërkesë drejtuar qytetarëve.

“Unë ju lutem që të na lejoni të jetojmë në liri, sikurse edhe ju”.

Vasfije Krasniqi dhe Saranda Bogujevci, në Toronto për 20 vjetorin e çlirimit

Vasfije Goodman Krasniqi – gruaja e fuqishme kosovare e cila tregoi para disa muajsh rrëfimin se si u dhunua nga serbët në luftën e fundit në Kosovë, dhe Saranda Bogujevci – një tjetër grua plot forcë e cila humbi disa anëtarë të familjes në luftë, do të jenë dy prej folëseve në Toronto, në 20 vjetorin e Çlirimit të Kosovës.

Konsulata e Kosovës në Toronto do të organizojë me 10 qershor një diskutim me Vasfijen, Sarandën dhe Paul Heinbeeker – diplomat kanadez.

Ngjarja do të organizohet në Queens Park ndërsa dy gratë nga Kosova do të ndajnë me audiencën tregimin e tyre, në këtë përvjetor të rëndësishëm të çlirimit të Kosovës nga forcat serbe të cilat bënë luftë e gjenocid në Kosovë. / KultPlus.com

Vasfije Krasniqi-Goodman në konferencën globale ‘Women Deliver’, rrëfeu historinë e saj

Aktivistja dhe e mbijetuara e dhunës seksuale në luftën e Kosovës, znj.Vasfije Krasniqi-Goodman, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën Globale Women Deliver në Vankuver, ka qënë e ftuar si folëse kryesore në dy evente të rëndësishme, transmeton KultPlus.

Në panelin e organizuar nga Save the Children, “Parandalimi i dhunës seksuale në zonat e luftës” ajo ka ndarë historinë e saj dhe betejën 20-vjeçare për drejtësi.

Ndërkaq, sot ajo pati rastin, me prezantimin e saj në Power Stage, të bëjë thirrje për mbështetje ndaj viktimave të dhunës seksuale në Kosovë, në njohjen e këtij krimi si dhe vendosjen e drejtësisë.

Vasfije Krasniqi-Goodman theksoi gjithashtu nevojën që të luftohet stigma dhe të përkrahen viktimat.

Pjesëmarrjen në Konferencën globale Women Deliver, znj.Vasfije Krasniqi-Goodman po e shfrytëzon maksimalisht për t’i vetëdijësuar aktorët global mbi rëndësinë e vendosjes së drejtësisë për 20 mijë viktimat e dhunës seksuale në Luftën e Kosovës.

Vlen të përmendet se, tashmë znj.Vasfije Goodman nuk përfaqëson vetëm 20 mijë viktimat e dhunës seksuale në Kosovë, por me kurajon e saj, po ndihmon në kauzën ndërkombëtare për të ndaluar përdorimin e dhunës seksuale si mjet lufte./KultPlus.com

Vasfije Krasniqi Goodman: Sikur të kisha krahë do të fluturoja nesër në Prishtinë

Pas publikimit të fotografisë nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, znj.Flora Brovina, me të cilën pretendohej se paraqet kryerjen e dhunimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila fotografi doli të  jetë e dyshimtë, ka pasur reagime të shumta nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e posaçërisht nga familjarët e tyre.

Prandaj nesër është organizuar marsh protestues, në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet e vendit si dhe solidarizim dhe drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.  

Këtë marsh protestues i cili do të mbahet nesër duke filluar nga ora 12:00 në Sheshin Zahir Pajaziti e ka përkrahur edhe Vasfije Krasniqi Goodman e cila përmes një komenti është shprehur se po të kishte krahë do të fluturonte për të qenë nesër në Prishtinë. Kujtojmë se Krasniqi jeton në Shtete të Bashkuara të Amerikës./KultPlus.com

Heroina Vasfije Krasniqi Goodman rrëfen përdhunimet e luftës edhe para publikut kanadez

Vasfije Krasniqi Goodman është figura më e rëndësishme e cila është duke ngritur zërin për të treguar një të vërtetë të rëndë dhe të pashmangshme, dhunimin seksual nga serbët gjatë luftës në Kosovë.

Zëri i saj bëri jehonë jo vetëm në vend, por edhe në gjithë botën sidomos si dëshmitare në gjykata përkatëse të cilat kanë për qëllim zbardhjen e së vërtetës dhe dënimin e të merituarve.

Vasfije Krasniqi Goodman, duke dalur publikisht si një mishërim i një gruaje të guximshme u bë heroinë për të gjithë shqiptarët.

Ajo me datën 10 qershor ne Queen’s Park ne Toronto, nën organizimin e Konsullates se Përgjithshme të Republikës se Kosovës ne Toronto, është  e ftuar  që para audiences kanadeze të flasë për përdhunimet seksuale nga forcat serbe gjate luftës në Kosove./KulPlus.com

Vasfije Krasniqi reagon pas fotos së publikuar nga Flora Brovina

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina tronditi sot opinionin me një foto që vendosi ta publikojë, e që ishte një grua që përdhunohej nga tre ushtarë kriminelë serb, para syve të familjarëve të viktimës.

Pas kësaj ka reaguar Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila është femra e parë që publikisht e pranoi se ka qenë viktimë e përdhunimit nga kriminelët serb.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ka shumë për të thënë, mirëpo nuk mund të thotë asgjë.

“Unë kam aq shumë për të thënë, por unë nuk mund të them asgjë  #20years”, ka shkruar Vasfija.